Ligjëruesi universitar me prejardhje nga Beliçica e Rekës së Epërme nga rajoni i Mavrovës në Maqedoni, së fundmi doli publikisht dhe deklaroi preardhjen e tij etnike.
66-vjeçari që për shumë vite jetoi në Lindjen e Mesme rrëfen në Info Magazine të Klan Kosovë historinë personale për asimilimin e shqiptarëve ortodoks nga Maqedonia.
Thotë se edhe vetë është një rast i tillë, ndonëse e pranon se i ati dhe gjyshërit kanë folur vetëm shqip.Për çudi të shumëkujt ai është themelues i partisë VMRO-DPMNE, subjektit politk të kryeministrit aktual të Maqedonisë Nikola Gruevski.Deklarimeve por edhe librave të publikuara ia pa sherrin, kur rrëfen se u sulmua fizikisht në shtëpinë e tij nga persona të panjohur.Edhe përkundër kërcënimeve dhe sulmueve, ky promovues i vlerave të shqiptarëve ortodoks thotë se nuk frikësohet për vete por për familjen e tij.
Sipas Sinadinovskit janë rreth 75 mijë shqiptarë ortodoks vetëm në Maqedoni. Madje sipas tij shumë të tillë shërbejnë edhe nëpër funksione të rëndësishme në institucionet në Shkup.
Shqiptarë ortodoks sipas Sinadinovskit ka edhe në Kosovë, kryesisht në mesin e goranëve tek zona e Dragashit. Të cilit do vend qofshin, Sinadinovski i quan gjithë shqiptarët vëllezër dhe motra.Ai thotë se është krenar me prejardhjen e tij, kur deklaron se do të iniciojë edhe themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare të Maqedonisë, pavarësisht kundërshtimeve të palës maqedonase.Detajet tjera rreth rrëfimit rrëqethës të Sinadinovskit mund t’i ndiqni në intervistën e plotë më poshtë të dhënë për televizionin Klan Kosova.
Profesor, falemnderit shumë që pranuat të jeni mysafir në Klan Kosova.Sinadinovski: Falemnderit juve dhe knaqësia është e imja.
Përse pas shumë vitesh vendosët të deklaroheni si shqiptar. Cila është arsyeja për një gjë të tillë?
Sinadinovski: Nuk është kjo e viteve të fundit, unë gjithëmonë jam ndjerë dhe kam qenë shqiptar. Kjo sepse përkatësia kombëtare, sipas të gjitha kushtetutave në botë, është ndjenjë intime dhe as unë nuk kam pasur nevojë që ta manifestoj publikisht. Për herë të parë në një libër timin kushtuar Josif Bagerit, para katër a pesë vjetësh, u hetua dhe publikisht se përkatësia dhe prejardhja ime e babait dhe gjyshes time dhe e paraardhë sve të mi të afërt e më të largët është shqiptare dhe se jemi shqiptarë ortodoksë .
Prej nga e keni prejardhjen profesor Sinadinovski?
Sinadinovski: Me prejardhje jam nga Beliçica e Rekës së Epërme, ndryshe, vëllai i gjyshes time, Pavli, ishte shume i respektuar nga krejt shqiptarët. Ai ishte Kmet, që atë herë kjo ishte punë e madhe dhe e respektueshme, sidomos te shqiptarët. Si e thashë quhej Pavle dhe pasi që në Kiçinicë nuk kishte shkollë e në Beliçicë kishte, te ai ka jetuar dhe ka mësuar në shkollë fillor edhe xhaxhai im, Brankoja, që tashmë jeton në Amerikë .
Si është e mundur Profesor që të mos flisni shqip dhe të thoni se jeni shqiptar?
Sinadinovski: Është e mundshme dhe nuk jam vetëm unë, por ka dhe shumë shqiptarë, që janë të rëndësishëm në historinë bashkëkohore shqiptare e që nuk dinin shqip apo që nuk folnin mirë shqip. Konkretisht për veten time do të them se krejt rrethanat e dyzet e pesë vjetëve të fundit ndikuan dhe nuk munda të kontaktoj me motrat dhe vëllezërit e mi shqiptarë që jetonin jashtë vendit dhe për këtë kjo është arsyeja themelore. I ri u largova dhe u ktheva vetëm pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Cila është storja e familjes tuaj në pak fjali. Ku gjendet Reka dhe çfarë do t’u thoshit shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë për këtë çështje?
Sinadinovski: Reka e Epërme gjithëmonë ishte bërthamë e shqiptarëve ortodoksë dhe jo vetëm tash – me shekuj ishte e tillë. Zatën ata, si dhe gjithë shqiptarët ortodkosë, janë plotësisht shqiptarë dhe janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Ilirëve. Edhe ju e dini se shqiptarët deri te islamizimi i tyre, jo vetëm në Rekë por gjithë kund, ishin të përkatësisë fetare ortodkose dhe pastaj pranuan besimin katolik dhe atë islam. Përndryshe, po e përsëris dhe një herë, bërthama ishte Reka, por nga kjo trevë shumica e popullatës, për shkaqe objektive, janë shpërngulur dhe shumica e shqiptarëve ortodoksë të kësaj ane jetojnë tash nëpër gjithë Maqedoninë, në Lindje e në Perëndim dhe në Jug të saj, ndoshta më së shumti ka në Shkup, por ka që jetojnë dhe në qytete të tjera të Republikës së Maqedonisë .
Profesor, a keni qenë edhe ju dhe familja juaj objekt i një asimilimi? Si ka ndodhur kjo?
Sinadinovski: A kam qenë objekt i asimilimit? Them se po, se është bërë presion i caktuar. Është ndjekur dhe babai im, që kishte dhe një dosje të madhe policore, pavarësisht se ishte professor universitar. Janë ndjekur nga policia dhe më shumë njerëz të mi të afërm e pak më të largët. Është fakt se gjithë shqiptarët ortodoksë të Rekës e të gjithë Republikës së Maqedonisë së tashme e të kohës kur ishte pjesë e Turqisë otomane, i janë nënshtruar fillimisht dukurisë së asimilimit të fuqishëm që në kohën e Turqisë otomane e të Serbisë, pastaj nga bullgarët dhe normanët. Megjithatë, shqiptarët ortodoksë të kësaj ane janë fenomen botërorë, se përkundër asimilimit të madh e të fuqishëm, kanë arritur që ta ruajnë gjuhën e tyre amtare.
Kur flasim për identitetin e shqiptarëve ortodoksë, a janë shumë ata në Maqedoni?
Sinadinovski: Ka një studim që është punuar dhe është shpallur në fillim të shekullit të XX, të cilin e kam botuar dhe unë në librin tim, që e kam prezentuar. Dhe, nëse në Rekën e Epërme të atëhershme, që ishte bërthama, jetonin tetë deri në dhjetë mijë shqiptarë ortodoksë, ndërsa pasi tani regjistrimi i popullsisë nuk bëhet më sipas përkatësisë fetare, sipas një vlerësimi tim të lirë, që e kam dhe duke pasë për bazë edhe faktin se te ne shqiptarët shkalla e natalitetit është e lartë, mund të them se në gjithë Maqedoninë tashmë ka rreth 70 apo 75 mijë shqiptarë ortodoksë, po sigurisht se kjo shifër nuk duhet të merret si një fakt i kryer, se numri i tyre do të dihet vetëm atëherë kur do të bëhet regjistrimi i popullsisë edhe sipas përkatësisë së tyre fetare. Fakti se në promovimin e librit tim për shqiptarët ortodoksë të Republikës së Maqedonisë, në Hotel “Aleksandar Pallace”, kur u promovua dhe libri i bashkëshortes time për Rilindësit shqiptarë, që është gjithashtu profesoreshë, morën pjesë më shumë se 120 shqiptarë ortodoksë, shumica të rinjë, gjithashtu flet shumë dhe dëshmon se edhe nëse dikush përpiqet që ti asimilon, nuk mundet më ta bëjë këtë, sepse kur të rinjët nisin të flasin, fryma nga Llamba e Aladinit ka dalë dhe atë nuk mundet askush më ta kthen prapa.
Te kthehemi pak te familja juaj z. Sinadinovski, si keni folur në shtepi ju, si kanë folur nëna dhe babai juaj?
Sinadinovski: Nëna ime nuk ishte shqiptare. Por babai dhe gjyshja ime, Parashqevia, me sa e mbajë mend unë, flisnin mes veti pastër shqip. Gjithashtu mbajë mend, si fëmijë, kur ajo më thirrte gjithmonë “Djali i dadës”, që unë dhe nuk e merrsha vesh se çdo të thoshte kjo, por më vonë e kuptova se më ledhatonte dhe me këtë ma shprehte krejt dashurinë e saj. Ndryshe, babain tim që ishte mësues, profesor në Shkollën Normale të Shkupit dhe profesor universitar e shkencëtar, e respektonin të gjithë shqiptarët që vinin shumë shpesh te ne dhe këshilloheshin me të e ai, me sa mundej u ndihmonte bashkëkombësve të vet shqiptarë, se i tillë ishte. Më kujtohet dhe tash se si rrinin vonë dhe ngriteshin në mëngjes, shpërndanin mes veti dhe ndiznin cigare, pinin çaj dhe folnin për historinë shqiptare.
Kur jemi te familja juaj, së fundmi është realizuar një intervistë me motrën tuaj. Ajo tha se ju nuk jeni shqiptar, jeni maqedonas dhe mashtrues. Pse e bëri këtë gjë dhe a janë të vërteta ato çfarë po thotë ajo?
Sinadinovski: Jo. Ajo kryesisht ka folur për atë se unë nuk qenkam shqiptar dhe kjo është qesharake, se ajo nuk mundë të futet te shpirti im, te ndjenjat e mia personale. Por ajo e di shumë mirë se babai dhe gjyshja ime ishin plotësisht shqiptarë dhe gjithmonë folnin shqip mes veti vetëm shqip. Duket shumë qartë se krejt kjo është një konstrukt me një skenar të parapërgatitur për të më njollosur në një plan sa më të gjerë, mirë po kjo nuk pati sukses, sepse ata që e përgatitën këtë skenar gabuan duke përzgjedhur personin e gabuar. Ajo që prezentohej si motra ime që moti nuk është më e tillë, sepse ajo është dënuar për më shumë vepra penale, ka një dosje të trashë penale, ka rrahur bile dhe nënën time, e cila ka lënë testament me të cilin e ka hequr nga trashëgimia. Krejt ai testament nuk ka qenë i shkruar në makinë shkrimi por veç me dorën e saj. Nga ajo pati hequr dorë dhe nëna ime, njësoj kam vepruar dhe unë, që nuk e njoh më si motër timen dhe që është më e dhimbshmja, ajo që mundohej ta “mbronte” babain tim se nuk qenka shqiptar, përmes gjykatëses Toshanova të Gjykatë s së Parë të Shkupit ishte përpjekur që babain tim, që kishte ca probleme shëndetësore, ta shpallte të paaftë bile dhe pas një viti të vdekjes së tij!
Si ndihen të tjerët familjarë tuaj. A keni motra dhe vellezër të tjerë?
Sinadinovski: Vëllezër dhe motra nuk kam, kam të afërmin tim të vetëm Xhaxhain tim, Branko Manojllovskin, të ciline njohin të gjithë, por dhe ai kishte problem me familjen e tij kur tha se ishte shqiptar ortodoks, por si thotë populli – çudia më e madh tre ditë zgjatë! Pavarësisht se as nga ai nuk më duhej të reagonte, sepse për mua flasin dhe librat e mi, se unë jam shqiptar ortodoks, megjithatë ai pasi dëgjoi këto marrëzitë që i thoshte ajo që paraqitej si motra ime, e bëri dhe u paraqit edhe nga Amerika me një shkrim, të cilin e botoi në “Facebook” e ku thoshte se “ai nuk mundë të jet tjetër pos një shqiptar ortodoks “ siç them dhe unë se “ai nuk mundë të jet askush tjetër pos një që është Xhaxhai im”.
A ka qenë kundër paraqitjes tuaj publike vetëm motra juaj, apo edhe sistemi politik dhe Kisha Ortodokse Maqedonase?
Sinadinovski: Më e zëshmja, që nuk e prisja, ishte Kisha Ortodokse Maqedonase. Unë u sulmova me një fjalorqë nuk i ka hije sidomos njerëzve anëtarë të Sinodit të Shenjtë të KOM-it, se jam shovinist, se jam nacionalist, se dëshiroj të asimiloj popullin maqedonas me këtë që po prezentohem si shqiptar ortodoks, etj etj. Sikur t’i thoshte gjithë këto ndonjë politikan, ndoshta dhe do ta kuptoja, por asnjë politikan serioz nuk i thotë ato gjëra. Megjithatë nuk po mundë ta kuptoj se pse ata janë frikësuar aq shumë dhe aq shum po frikësohen kur ne nuk po ekzistuakam si shqiptarë ortodoksë. Ata tash, kur Kisha Ortodokse Shqiptare po na ofrohet për mbajtje të liturgjisë në gjuhën shqipe, po vazhdojnë si më parë të na minimizojnë ndërsa vetë mua po më sulmojnë. Krejt kjo është kundërthënëse, sepse ne ekzistojmë dhe do të jemi dhe më shumë në të ardhmen, bile shumë më tepër se ajo shifra prej 75 mijëve, që e thashë më herët.
Ju keni qenë të sulmuar në shtëpinë tuaj për këtë çështje, apo jo?
Sinadinovski: Fatkeqëisht po, jam sulmuar fizikisht, isha nga pak naiv, nuk ma ka marrë mendja se dikush mundë të më sulmon fizikisht, por një natë rreth orës 8 a 8 e një çerek dikush i ra ziles së derës, kinse për të kërkuar ndonjë ndihmë dhe kur e hapa derën më shtynë fuqishëm dhe rashë e u rrëzova. Mblodha forcën e u ngrita për ta mbyllur derën por më ranë fuqishëm te gjunjtë, ku edhe më tutje po ndjejë dhembje të madhe. Këta njerëz edhe më tutje nuk po më lënë të qetë, po e shkruajnë në derën time “SHIPTAR”, e kanë shkruar një letër me fjalë tejet fyese dhe me alfabet latin, të cilën ia tregova dhe policëve që erdhën, e ku thuhej edhe ajo se mua dhe familjarët e mi do të na therrin.
A po frikesoheni Z. Sinadinovski?
Sinadinovski: Unë, për veten time, që gjatë jetës time kam parë shumë gjëra, nuk fikësohem, por objektivisht po frikësohem për familjarët e mi, për vajzën time sidomos, që e dua shumë, për bashkëshorten time të shkëlqyeshme, që gjithashtu e dua shumë e të cilat janë të vetmet që fuqishëm më mbështesin në krejt këtë punë.
A ju ka ofruar dikush ndihmë? Si kanë vepruar organet shteterore?
Sinadinovski: Nuk mu ka ofruar kurrëfar ndihme, pavarësisht se policia është njoftuar për këto raste. Se a kanë ndërmarrë ata diçka si Polici, këtë nuk e di dhe nuk mundë të them asnjë gjë, por ata veç kanë ardhur te shtëpia ime, kanë marrë deklaratë prej meje dhe u kam treguar se çfarë ka ndodhur dhe më askush prej tyre nuk më ka thënë asnjë gjë.
A do të vazhdoni ti promovoni vlerat e shqiptareve ortodoksë të Maqedonisë, pavarësisht se keni patur problem te shtëpia juaj? Sinadinovski: Askush nuk mundë mua të më frikësoj dhe të më detyrojë që të heq dorë nga ajo që jam, që jam shqiptar, që jam pjesë e Kombit të madh Shqiptar, që ka historinë më të begatshme në këto troje të Ballkanit, duke filluar që nga Pellazgët dhe Ilirët, Skënderbeu, Hasan Prishtina dhe Boletini e të tjerë. Unë krejt këto që i kam thënë do t’i vazhdoj edhe më tutje. I mbaj krejt këto qëndrime, i vetëdijshëm se krejt kjo është me rëndësi jo vetëm për popullin tim shqiptar por dhe për maqedonasit, sepse ne nuk kemi problem me popullin maqedonas, kemi probleme me disa struktura me tru të çimentuar, që nuk mund ta kuptojnë se sa më shumë të jetë një shoqëri multikulturore dhe më multikonfesionale, aq më e begatshme do të jetë. Çështja se si dikush deklarohet a se çka është, kjo është e garantuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Një gjë dëshiroj ta theksoj, se çështja e Kishës Ortodokse Maqedonase, bile sipas Kushtetutës, është e ndarë nga Shteti dhe ajo ka dhe duhet të ketë status të njejtë me bashkësitë e tjera fetare dhe mu për këtë ata nuk janë të autorizuar të më thonë mua se kush apo çfarë jam ose ku apo në cilën kishë duhet të shkoj, sepse për krejt këto punë unë vendosi dhe do të vendos vet për vetveten time.
Këto ditë unë kuptova se Ju po tentoni të themeloni Kishën Ortodokse Shqiptare të Maqedonise? Si vendoset z. Sinadinovski? A është e vërtetë kjo?
Sinadinovski: Nëse kjo lejohet me ligjet e Maqedonisë, ne këtë dhe do ta bëjmë. Ne jemi qytetarë lojalë të këtij vendi dhe nuk do të bëjmë asnjë gjë që nuk lejohet me ligj. Nuk do të bëjmë asgjë që do tu shërbente të tjerëve thonë se po duan të na shkatërrojnë Shtetin, por ata po harrojnë se ky është Shtet yni i përbashkët, se për të nuk kanë derdhur gjak vetëm maqedonasit, kanë derdhur shumë gjak dhe shumë shqiptarë, kanë harruar se Sekretar i Përgjithshëm i Republikës së Krushevës ishte një shqiptar ortodoks i cili quhej Gjorgji Çaçe, kanë harruar gjithashtu se dy anëtarë të Kuvendit të ASNOM-it ishin shqiptarë, kanë harruar se edhe Partia Komuniste u ishte drejtuar shqiptarëve me Proklamatat drejtuar të të ashtuquajturve Arnautë, që ti bashkangjiteshin asaj për tu çliruar nga forcat pushtuese fashiste. Për këtë, sa është Ilindeni i maqedonasve , po aq dhe ndoshta edhe më shumë është i shqiptarëve, sa është ASNOM-i i maqedonasve , po aq dhe ndoshta dhe më shumë është i shqiptarëve. E thash dhe me parë se ky vend dhe ky Shtet yni është i përbashkët, ndajmë bashkarisht krejt këtë ajër dhe këtë qiell dhe duhet të jetojmë bashkë, se asnjë herë historikisht nuk kemi patur problem mes veti dhe këto probleme po i krijojnë vetëm disa kokënxehur që nuk kanë punë tjetër pos krijimit të problemeve! Por dhe ata këtë betejë që më parë e kanë të humbur!
Z. Sinadinovski, a janë këto probleme të gjatë këtyre 20 viteve sa Maqedonia është Shtet i pavarur, apo këto probleme të njëjta kanë qenë edhe gjatë kohës së Jugosllavisë?
Sinadinovski: Këto probleme kanë ekzistuar gjithmonë. Sikur të realizoheshin qëndrimet programore të ASNOM-it , ku ishte paramenduar Maqedonia si Shtet i përbashkët i maqedonasve dhe shqiptarëve e të tjerëve që jetonin në të dhe sikur të realizoheshin synimet e Ilindenit , sigurisht që nuk do të zhvillhej ai proces i asimilimit të fuqishëm të shqiptarëve, jo vetëm ortodoksëve por dhe të tjerëve, që tash do të ishim rreth një millioni dhe që nuk jam i sigurt se sa jemi, pasi që nga viti 2002 e deri tash nuk kemi pasur regjistrim të popullsisë. Megjithatë është fakt dhe ka shembuj të shumtë se është zhvilluar një asimilim i tmerrshëm jo vetëm kohës së pushtimit pesë shekullor të Perandorisë së Turqisë por dhe të Serbisë dhe në kohën e RSFJ-së, që jo rastësisht u shkatërrua dhe që duhej shkatërruar, por jo për fajin tonë.
Ju dhe në ato kohë ishit profesor. Cili ka qenë qendrimi Juaj për shqiptarët? Cili ka qenë qëndrimi Juaj gjatë viteve të 70-ta dhe dhe të 80-ve?
Sinadinovski: Qëndrime të këtilla kam patur gjithmonë dhe për këtë flasin dhe ato 39 librat e mi, ku themelorja ka qenë respektimi i të drejtave themelore të njeriut te popujt e pushtuar. Kam botuar libra për palestinezër, për kurdët dhe armenët e tash edhe për shqiptarët ortodoksë, etj. Krejt kjo dëshmon se i kam mbështetur popujt e pushtuar dhe kam bërë ashtu siç ka bërë I madhi Skënderbe por dhe Hasan Prishtina e shumë e shumë kolosë të tjerë, ashtu siç ka bërë dhe bashkëvendësi im i madh nga Nistrova – Josif Bageri, i cili që në vitin e largët 1910 në Sofje, bashkë me mërgatën e madhe shqiptare kërkoi nga pushteti bullgar që të formohet Kisha Ortodokse Shqiptare, por kjo nuk iu lejua. Se si do të shkojë kjo punë as unë nuk e di, se nuk jam profet, por e ardhmja do ta dëshmojë. Por kjo nuk është arsye që të ndahemi dhe të frikësohemi.
Dua t’ju pyes dhe diçka tjetër. Ju keni patur edhe një karrierë politike? Jeni dhe themelues i subjektit politik VMRO?
Sinadinovski: Po, e vërtetë është dhe, si duket, krejt kjo dikujt po i dhemb dhe më së shumti … Isha njëri ndër njerëzit kyç që e kanë bërë programin politik për Maqedoninë e mëvetësishme dhe të pavarur. Për këtë punë kam botuar dhe libër dhe tash pres që goditjet do të nisin nga kjo pikëpamje, pasi nuk arritën me këtë të deritashmen dhe do të thonë se ai e falsifikoi dhe historinë. Por unë nuk flas për vetveten, për mua flasin ata që e dijnë se unë isha që e kreva punën më të madhe ideopolitike për planin dhe programin e Maqedonisë së Pavarur. Nëse përpiqen dhe në këtë fushë, betejën edhe në të do ta kenë të humbur që më parë.
A keni qenë pjesë dhe e Partisë? A distancoheni nga veprimtaria juaj?
Sinadinovski: Po kam qenë. Nuk distancohem nga e kaluara ime asnjë herë, se kjo do të ishte e tmerrshme.Ata të VMRO-së nuk kanë qenë aq shumë miqësor ndaj shqiptarëve?
Sinadinovski: Ka qenë nga pak me fluktuime, por unë gjithmonë dhe normalisht se kam qenë me njerëzit e mi, me popullin tim. Por edhe në atë VMRO kishte njerëz me kulturë e që nuk kishin asgjë kundër shqiptarëve. Shikoni, ata që janë kundër dikujt nuk e duan as popullin e vet, ndërsa ata që e duan popullin e vet i rspektojnë dhe të tjerët.
Profesor, më thoni diçka për Rekën, më shpjegoni pak për Rajonin e Mavrovës dhe Rekën? Si është zhvilluar popullata e atjeshme?
Sinadinovski: Kryesisht janë kurbetqarë, njerëz të qetë janë, që në të shumtën në kohëra më të largëta kanë shkuar për të punuar në Stamboll, në Sofje, siç kishte shkuar për të punuar dhe Josif Bageri, në Bukuresht dhe në më shumë qytete të vendeve fqinje, prej nga sollën kulturë e dituri dhe njohuri të reja. Ishin të emancipuar dhe përkundër ndërhyrjeve të fuqishme asimiluese e pushtuese, Perandorisë Turke , të Serbisë dhe bullgarëve e normanëve, mbetën shqiptarë ortodoksë. Tash atje po ndodh një lloj rilindjeje dhe për këtë më së shumti ndikoi krejt ajo që ndodhi në vitin 2001, ndikuan ngjarjet që ndodhën dhe më të cilat dhe shekujt u tejkaluan! Deri atëherë të gjithë ata atje janë trajtuar si njerëz jo të rendit të dytë por dhe si të rendit të tretë e të katërt.
Por tashti shqiptarët po bëhen gjithënjë e më të barabartë …
Cilin ndikim e ka pasur konflikti i vitit 2001 tek shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë?
Sinadinovski: Kishte ndikim shumë të madh pozitiv, ndikoi te vetëdijësimi dhe dhënia e guximit që ta thonë atë që janë. U çliruan nga frika dhe presioni që e kishin më parë, se do të largoheshin nga puna vetëm se do të thonin që janë shqiptarë ortodoksë, nga frika se fëmijët do tu mbeten pa punë e pa shkollë dhe tash ata janë bërë të guximshëm, gjë të cilën e dëshmon dhe fakti se në promovimin e librit tim morën pjesë më shumë se 120 shqiptarë të rinjë ortodoksë, të rinjë seç je dhe ti, e të cilët flisnin shqip. Ky proces nuk ka kthim prapa dhe unë në mënyrë figurative them se tashmë kjo frymë doli nga Llamba e Aladinit dhe kthim prapa nuk ka e ky është progresi të cilin e solli viti 2001, që do të jetë temë vlerësimesh edhe për brezat e ardhëshëm. Zatën, sipas vlerësimeve të mia, shqiptarë ortodoksë nuk ka vetëm në Maqedoni, ka dhe në Kosovë, në Serbi e në Rumani e Bullgari, në Greqi ku janë Arvanitasit. Unë është dashtë që kem një takim dhe me Pangallosin, që është Arvanitas, por takimi nuk u mbajt për shkaqe shëndetësore të tij, se dhe ai është dhe në moshë.
Po në Kosovë kush janë ata shqiptarë ortodoksë?
Sinadinovski: Po, dhe në Kosovë ka.
Ku janë profesor ata në Kosvë?
Sinadinovski: Janë në mesin e goranëve dhe do të vjen dhe koha kur dhe ata këtë do ta thonë. Ka shqiptarë ortodoksë në Rusi dhe në Ukrainë, ku kam qenë dhe unë. Sipas vlerësimeve, se nuk ka regjistrime dhe të dhëna statistikore, jashtë dy shteteve të njohura ndërkombëtarisht – Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, jetojnë rreth dy milionë shqiptarë ortodoksë, pavarësisht shqiptarëve të Maqedonisë, që janë këtu rreth një milion.
Profesor, si Ju ka pritur popullata shumicë e shqiptarëve myslimanë të Maqedonisë? Dhe jo vetëm ata, pse jo edhe të shqiptarëve të Shqipërisë dhetë Kosovës?
Sinadinovski: Është dashtë që të merrni pjesë në promovim, se ajo nuk ishte vetëm një promovim libri, nuk është mirë që unë si autor të flas, por pa modesti do ta them se krejt ajo ishte si një akt historik. Salla ishte përplot, ishin më shumë se 5 a 6 % veta dhe krejt fjala ime që mbajta për shqiptarët ortodoksë ndërpritej çdo dhjetë minuta nga shumë aplaudime. Krejt kjo ngjarje ndodhi në ditën tonë më të rëndësishme kombëtare, më 28 Nëntor në Ditën e Flamurit, që është dhe Dita e Pavarësisë, kur Ismail Qemali e ngriti Flamurin e Pavarësimit të Republikës së Shqipërisë !Cilët janë shqiptarët tjerë të njohur ortodoksë të Maqedonisë? Ju thoni se janë shumë. Cilët janë ata? Janë nëpër institucione?
Sinadinovski: Ka shumë të tillë, por nuk është mirë që unë të flas për ta, sepse nuk e di që nën çfarë presioni janë ata dhe si do të reagojnë. Por ka në të gjitha nivelet e strukturave shoqërore dhe shtetërore, duke filluar nga Akademia e Shkencave, Universiteti dhe gjithë strukturat shoqërore, por le t’i lëmë ata që vetë të veprojnë siç veprova dhe unë, që mora guximin dhe e thashë atë që duhej thënë. Por dhe unë tash po u bëj thirrje që të mos frikësohen se nuk kanë pse që të frikësohen, sepse krejt ajo do të ndikojë në stabilizimin e Maqedonisë, sepse nga raportet maqedono – shqiptare do të varet jo vetëm paqeja por dhe zhvillimi ekonomik, siguria dhe e ardhmja e Shtetit tonë të përbashkët. Maqedonia mundë të ekzistojë vetëm si Shtet multinacional dhe multikonfesional e multikulturor.
Si mos të frikësohen ata kur Ju keni qenë të sulmuar në shtëpinë tuaj? Si të dalin ata publikisht kur mund të sulmohen në secilin moment?
Sinadinovski: Në këtë jetë tonën, gjithçka ka çmimin e saj. Për Bagerin as sot e kësaj dite nuk e dijmë se ku i pushojnë eshtrat të ndjerit. Nuk e dijmë se si përfundoi jeta e tij në Prishtinë, ku më 1915-tën duhej të takohej me Hasan Prishtinën, ndërsa u zhduk për gjithmonë në mënyrë tejet të mistershme. Shoqata që mbanë emrin e tij, të Bagerit, po përpiqet për gjetjen e varrit dhe kthimin e eshtrave të tij në vendlindje.
Unë do t’ua them edhe këtë se jam optimist se progresin, që mbështetet vetëm tek 5 përqinshi i njerëzve të mençur e të guximshëm të botës, nuk mundë ta ndalë asnjë forcë retrogarde. Kjo nuk ka mundur të ndodhë as në Amerikë e as në Rusi dhe aq më pak mundë të ndodhë në Maqedoni. Ekzistimi i këtij shtetit të përbashkët, do të thosha vëllazëror shqiptaro-maqedonas të Maqedonisë , është në të mirë të popullit shqiptar dhe të popullit maqedonas. Dhe mu për këtë nuk shoh ndonjë arësye që të frikësohet nga kjo Kisha Ortodokse Maqedonase, se ne nuk po bëjmë ndonjë punë të keqe, nuk kemi marrë pushkët në duar, vetëm po botojmë libra dhe po përpiqemi që të demistifikojmë rrenat që janë përhapur për punën e shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë. Dhe ta them edhe këtë, se satsfaksionin më të madh e kemi përfituar mu nga KOM-i , që thonë tashmë se liturgjitë mund ti mbajmë dhe në gjuhën tonë por, siç thonë ata, në kishat e tyre! Këto janë deklarata të tyre, edhe nga kreu i KOM-it dhe nga një anëtar i Sinodit, që më kishte sulmuar ashpër më parë mua si fashist e si nacionalist. Mirëpo unë për krejt këto po ua lë që vetë të gjykojnë shikuesit e Televizionit Tuaj të nderuar, motrave dhe vëllezërve të mi në Kosovë, pasi ta shikojnë këtë bashkëbisedim tonin dhe të shohin nëse ka shovinizëm, nacionalizëm dhe përpjekje asimilimi në këto qëndrime të miat, si dhe në katër librat që i kemi botuar për këto çështje të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni e të Rilindësve shqiptarë.
A është interesuar dikush për Juve këtu në Maqedoni dhe nga Kisha Ortodokse Shqiptare?Sinadinovski: Kam marrë ftesë dhe besoj se shumë shpejt do të shkoj në SHBA si mysafir i Kishës Ortodokse në Çikago, ku ekziston Kisha Ortodokse Shqiptare siç ekziston dhe në Kalabri, ku jetojnë më shumë se 250 mijë shqiptarë ortodoksë dhe shpresoj se shumë shpejtë do ta vizitoj edhe Kalabrinë. Ky proces tashmë ka filluar dhe atë do ta çojmë përpara bashkë me Xhaxhain tim Branko Manojllovski, me të cilin bashkarisht e nisëm, ndërsa krejt kjo nisi më herët me dorëshkrimet që i shkroi babai im dhe të cilat janë botuar te librat e mia.
Cilat janë ato dorëshkrime? A mund të na shpalosni disa?
Sinadinovski: Po i kemi në libra dhe ka dorëshkrime edhe të vitit 1951… kur, duke i parë gjithë ato që po ndodhnin ,e pati thënë dhe një medim tejet gjenial se “ që të jesh maqedonas në Republikën e Maqedonisë, do të luftosh për gjithëmonë, por jo me armë, vetëm me forcën e fjalës dhe të argumenteve për të dëshmuar se në Maqedoni ekzistojnë dhe jetojnë jo vetëm shqiptarët ortodoksë por dhe shqiptarë të shumtë të tjerë të shtypur nga regjimi. Edhe ju duhet të pajtoheni, se sa shumë e vështirë por dhe e guxmshme ka qenë të thuhet kjo në vitin 1951, kur ende ishte në fuqi pushteti i tmerrshëm i Aleksandar Rankoviqit dhe unë me këtë mendim gjenial edhe e kam nisur dhe e kam përmbyllur librin tim kushtuar shqiptarëve ortodoksë të Republikës së Maqedonisë.
A shkoni shpesh në fshatin tuaj, në Beliçicë? A e vizitoni shpesh Rekën?
Sinadinovski: Fatkeqësisht jo. Me ndërtimin e Liqenit artificial të Mavrovës, por dhe për shkak të kurbetit dhe gjetjes së rrugës për të siguruar një jetë më të mirë për veten e tyre, shumica e shqiptarëve ortodoksë janë shpërngulur nga Rajoni i Rekës dhe tashmë janë në që të katër anët e botës, ndërsa në mbarë Maqedoninë, siç kam thënë dhe më lartë, janë rreth 75 mijë të tillë.Unë dhe shkoj rrallë herë, por shumëçka ka mbetur shkret, kanë mbetur shumë shtëpi të rrafshuara apo dhe vetëm muret e rrënuara. Kanë mbetur shkret edhe shtëpitë e gjyshes time Parashqevisë, të gjyshit dhe të dajës tim Pavle, që ishte atbotë Kmet … pavarësisht se krejt kjo ka ndodhur dhe po ndodh dhe për më shumë arsye objektive, ne shqiptarët ortodoksë, gjithë ne shqiptarët, tek të cilët nuk bëhen dallime për fe, nuk guxojmë të lejojmë që të shuhet ky margaritar i Ballkanit me ato 23 fshatrat e e shqiptarëve ortodoksë, ku kanë jetuar bashkarisht dhe me vëllezërit shqiptarë të besimit islam, por ku ka patur dhe nga ndonjë vlleh e madje dhe sllavë të vjetër. Kjo anë qanë dhe kërkon por dhe do një dorë kujdesi, e të gjithë ne duhet të angazhohemi që ta ringjallim dhe ta ripërtrijmë Rekën, ta bëjmë që sërisht të jetojë.
Sa është ruajtur tradita në këto anë?
Sinadinovski: Traditën e kanë ruajtur. Vetëm t’i shihni ato kostume dhe ato veshje e mbathje tradicionale të Anës së Rekës, ti shihni ato vajza të bukura shqiptare ortodoske me ato veshje tradicionale, që janë ruajtur për breza që nga koha e Ilirëve. Ekziston aty një traditë e begatë tradicionale shqiptare nga e cila duket që dikush dhe po frikësohet shumë këtu në Republikë të Maqedonisë. Kur unë e botova librin për Josif Bagerin ndërmora dhe nismën për themelimin e një Çmimi Kombëtar që do të mbante dhe emrin e Josif Bagerit, çmim siç i kanë dhe i japin dhe të tjerët e që do tu jepej veprimtarëve të dalluar nga Maqedonia. Kjo deri më tash ende nuk është bërë por nuk do të thotë se nuk do të bëhet. Por dhe me emrat e Kristoforidhit dhe Millosh Gjergj Nikollës, që gjithashtu janë nga Reka, që janë veprimtarë tanë mëdhenjë e që ju kemi borxh jo vetëm ne shqiptarët ortodkoksë por gjithë Kombi Shqiptar. Nëse asgjë tjetër, ata meritojnë që bile ndonjë Çmim, që do ta jepte ky Shtet yni i përbashkët shqiptaro – maqedon, ta mbajë dhe emrin e tyre.
Profesor si i ndjeni shqiptarët tjerë, që nuk janë nga Maqedonia? Ju thatë edhe vet se për shqiptarët çdo herë në plan të parë ka qenë etnia e jo feja?
Sinadinovski: Unë i ndjejë dhe gjithë shqiptarët i kam vëllezër të mi dhe sinqerisht e nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit tim u dëshiroj që të përparojnë. Kosova ende po rrugëton nëpër një periudhë vështirësishë, por një dijetar antik ka thënë se “Ajo që fitohet lehtë dhe humbet lehtë”, ndërsa Kosova, motra dhe vëllezërit e mi në Kosovë e dëshmuan se e meritojnë që të kenë Shtet dhe këtë askush më nuk do të mundë t’ua marrë. Kjo punë u bë dhe çështje kohe do të jet kur dhe fqinjët do të kthjellohen dhe do ta njohin edhe ndërkombëtarisht si të tillë Shtetin e Kosovës. Zatën kjo bile dhe do të jet më shumë në interes të tyre se sa dhe të Kosovës, se ajo tashmë dhe është njohur edhe ndërkombëtarisht nga shumë shtete, ndër to dhe nga shumë fuqi të mëdha botërore.
A keni miq ne Kosove dhe Shqiperi?
Sinadinovski: Kam dhe me këto që po them dua ti përgënjeshtëroj gjithë ata që po më quajnë mashtrues, se mashtrues nuk mundë të jetë ai që shkruan libra, katër libra emotive kushtuar çështjes kombëtare. Kam një mik të madh sidomos nga Lloshkobarja e Ferizajit, Sejdë Reshanin, që në shtëpinë time dhe ka jetuar për një kohë të rëndë të regjimit të Serbisë në Kosovë, nga i cili dhe fshihej dhe për të cilin personalisht kanë garantuar te Ambasadori i Gjermanisë për t’i dhënë një “pasavan” për të shkuar nga Shkupi në Gjermani. Ndryshe, po të mos bëhej kjo, po të mos ikte, serbët do ta likuidonin.Të dëshmoj unë se kush jam, kjo është qesharake, se këtë e dëshmojnë vet librat e mi dhe krejt këto që i kam bërë deri më sot. Shpresoj që të mos më ndodh ndonjë e keqe dhe së pari shpresoj që të jem shëndosh e mirë dhe pastaj do të shkruaj dhe libra të rinjë për pupullin e Maqedonisë dhe bile edhe për Xhemë Hasën e njohur, që e vranë dhe e shpallën armik dhe e i cili, siç pati thënë dhe babi im, në atë kohë vetë u ishte afruar partizanëve me më shumë se 12 mijë veta për ta çliruar vendin, por krejt këtë punë e kishte minuar Tempoja, që e njohin të gjithë.
A e keni vizituar kohëve të fundit Kosovën dhe Shqiperinë? Tiranën dhe Prishtinën?
Sinadinovski: Kam qenë dhe shkoj me kënaqësi në Kosovë dhe në Shqipëri. Kosova po përparon, Prishtina po shndërrohet në një kryeqytet tamam. Shpresoj se shumë shpejt sërish do të shkoj. Edhe kjo intervistë tashmë e imja do të ndihmojë në prezantimin e librit tim kushtuar Shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë, por dhe të librave të tjerë të mi kushtuar çështjes shqiptare e të librit të bashkëshortes time kushtuar Rilindësve shqiptarë, të cilët shumë shpejt do të prezentohen edhe për publikun tjetër shqiptar në SHBA.Për mua, si shkencëtar, nuk ka satisfaksion më të madh si ai i botimit të librit, që është sikur të të lind një fëmijë. Sidomos kur mirëpritet nga lexuesit dhe publiku, siç u mirëprit dhe libri im më i ri nga vëllezërit e mi shqiptarë në Maqedoni. Shpresoj se njësoj do të ndodh edhe në SHBA dhe në Tiranë e në Prishtinë e satsfaksion më të madh se ky nuk ka për një shkencëtar që ka botuar më shumë se tridhjetë libra.
Shpresoj Profesor se intervistën tjetër do ta realizojmë edhe në gjuhen shqipe. Falemnderit shumë.
Sinadinovski: Gjithsesi dhe unë Ju falenderoj shumë!
Komentet