Në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se Serbia duhet të lehtësojë procedurat e hyrjes së të huajve kah territori i saj në Kosovë, pasi sipas tij, kjo do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe në rregullimin e raporteve fqinjësore.
Të hënën, Kurti ka thënë se kushdo që futet në Kosovë si hyrje të parë, nuk mund të udhëtojë më pas kah Serbia pa shkuar në Maqedoni të Veriut “pasi për Beogradin hyrja në Kosovë fillimisht nënkupton hyrje të paligjshme”.
“Fqinji ynë verior, Serbia duhet t’i lejojë të huajt, destinacioni i të cilëve është Kosova, që më pas të mund të shkojnë në Serbi. Fatkeqësisht, kushdo që vjen nga Austria në Kosovë si hyrje e parë, nuk mund të vazhdojë (udhëtojë) për në Serbi pa shkuar më parë në Maqedoninë e Veriut, sepse në këndvështrimin e Beogradit zyrtar hyrja në Kosovë e parë nënkupton hyrje të paligjshme në territorin e Serbisë. Për marrëdhënie të mira fqinjësore, për bashkëpunim ekonomik kjo duhet të ndryshohet”, ka thënë ai.
Kurti u tha se ka folur edhe për hapjen e hapësirës ajrore.
“…Hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale për dhe nga Kosova. Kjo nuk është as e mirë për marrëdhënie fqinjësore, për bashkëpunim ekonomik e as për përshtatje klimatike. Fluturimet nga Vjena në Prishtinë dhe anasjelltas mund të jenë shumë më të shkurtra dhe më pak të ndotura nëse Serbia i lejon aeroplanët komercialë të fluturojnë nëpër hapësirën ajrore të Serbisë, destinacioni i të cilëve është Prishtina”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Ai ka përmendur edhe mundësinë që qytetarë nga Bosnjë-Hercegovina të futen në Kosovë me letërnjoftime, duke kërkuar që një gjë e tillë të vlejë edhe për kosovarët.
“Muajin e kaluar në 10 vjetorin e Procesit të Berlinit, në Berlin njoftova se Kosova do të mundësojë lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që posedojnë letërnjoftime të Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo do t’i japë fund pritjes së gjatë dhe procedurave të shtrenjta të nevojës për vizë për të udhëtuar lirshëm. Natyrisht, shpresoj se në kohën e mbetur, Bosnja dhe Hercegovina do të mund të ratifikojë Marrëveshjen e Procesit të Berlinit në mënyrë që qytetarë të të dy vendeve tona të lëvizin lirshëm me letërnjoftime. Por edhe nëse nuk e bëjnë këtë, nga 1 janari 2025, të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të vijnë lirisht në Kosovë me letërnjoftime. Liria e lëvizjes është një nga katër liritë themelore që ka mundësuar lëvizjen e njerëzve në të gjithë Evropën dhe kështu duhet të jetë rasti midis dy vendeve tona”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka shtuar se heqja e barrierave tregtare është thelbësore, por ato duhet të bazohen në bashkëpunim, besim dhe qëllime të mira.
Nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal ne po ecim në drejtimin ku jo vetëm do të kemi mundësi të kemi qasje në një treg më të gjerë, por edhe të integrojmë ekonominë tonë me fqinjët tanë. Kjo do t’i ndihmojë bizneset në Kosovë të ekspozohen, të rriten dhe të bëhen më konkurruese. Duke eliminuar tarifat, duke harmonizuar standardet dhe duke promovuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve, ne bëhemi shumë më të fortë ekonomikisht, krijojmë vende të reja pune dhe mbështesim industrinë tonë vendase”, ka theksuar ai.
Kreu i ekzekutivit tutje ka folur për shoqërinë kosovare, duke thënë se është e re dhe inovative. sn
Komentet