Aleksandër Xhuvani (Elbasan, 14 mars 1880 – Tiranë, 22 nëntor 1961)[1] Mësues i Popullit,[2] profesor dhe shkencëtar i shquar (gjuhëtar, pedagog dhe psikolog), konsiderohet pedagogu më i shquar shqiptar dhe figura qendrore e arsimit kombëtar shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX. Për shkak të kontributit të tij në ngritjen dhe zhvillimin e sistemit arsimor kombëtar shqiptar, Prof. Dr. Aleksandër Xhuvani u quajt edhe me epitetin Mësues i mësuesve shqiptarë.[3]
Jeta
Aleksandër Xhuvani lindi më 14 mars të vitit 1880 në Elbasan.[4] Mësimet para i mori në vendlindje ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin – Konvikt të Çotilit, asokohe në Vilajetin e Manastirit, (pjesë e Perandorisë Osmane ndërsa sot fshat në Maqedoninë Greke). Studimet e larta i kreu në fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës, 1903-’06. Në gusht të 1906 shkoi në Napoli ku u njoh me L. Gurakuqin, dhe nisi të japë gjuhë shqipe në Shën Mitër Koronë. Me shpalljen e kushtetutës të Perandorisë Osmane kthehet në atdhe, 1908.
Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit (1909) dhe me hapjen e Normales së Elbasanit qe mësues dhe më vonë drejtor i kësaj shkolle. Në këtë kohë ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Më 25 mars 1910 qe bashkëpunëtor i Lef Nosit në hapjen e revistës “Tomorri”. Shkolla Normale u mbyll pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kairo ku formohet shoqëria bashkimi me dr. Mihal Turtullin, inxh. F. Shirokën dhe av. Çajupin[5]. Emërohet redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A.Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”.
Kthehet në atdhe dhe riemërohet drejtor në Normale, më tej gjendet herëmbashere në Shkodër gjatë punimeve të KLSH. Në vitin 1918 është iniciator i krijimit të shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit”. Në verën e vitit 1920 ishte kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, që mori një sërë masash për organizimin e arsimit kombëtar dhe vendime për përcaktimin e terminologjisë shkollore. Gjatë viteve 1920-1922 punoi në Këshillin e Epërm Arsimor të Ministrisë së Arsimit. Kthehet drejtor i Normales në vitet 1922-1929. Në vitin 1929-1933 shkon sërish në Ministrinë e Arsimit dhe pas vitit 1933 deri në vitin 1938 ai drejton shkollën Normale të Elbasanit. Nga 1938 deri më 1940 e gjejmë sërish në Ministrinë e Arsimit.
Më tej kalon në Inspektorinë Qendrore, ku merret me përpilime tekstesh, shqyrtime dhe redaktime. Me vdekjen e njërit prej djemve të tij, Ptolemeut, ia diktoi kahjen e pasluftës kur edhe vajzat i martohen me Ramiz Alinë dhe Bilbil Klosin. Me marrjen e pushtetit nga partizanët u thirr në Ministrinë e Arsimit, ku nis nga puna për hartimin e teksteve dhe metodologjive të reja. Jo vetëm kaq, por u bë edhe anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga janari i vitit 1947 deri në shtator 1953 punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe e të Letërsisë të Institutit të Shkencave. Këtu organizon jetën shkencore dhe dha ndihmesë të madhe në përgatitjen e kuadrove, sidomos në fushën e shkencave filologjike. Deri në vitin 1957 ishte anëtar i Presidiumit të këtij instituti. Në vitin 1953 zhvillohet Konferenca e Ortografisë, e cila kodifikoi drejtshkrimin e shqipes. Në vitin 1954 nën kujdesin e profesor Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. Më 1945 ai zgjidhet përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese dhe më pas deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor[6]. Vdiq më 23 nëntor 1961.
Veprimtaria
Më 1905, kur botoi artikullin e parë në revistën “Albania” të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike, gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit “Kopshti letrar”; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Përshtati “Historinë e Letërsisë Greke” për kurset e larta të liceut për vitin 1941, përpiloi Antologjinë e klasës së tretë të shkollave të mesme, më 1946 botoi biografi letrare, artikuj për vepra të autorëve arbëreshë si Rondinella, Gavril Dara i Riu. Ai kreu analiza të hollësishme, përktheu dhe përshtati krijime letrare si Jeta e Pirros etj. Dha ndihmesë për zhvillimin e arsimit (1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953).
Punoi për njësimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar, për një gjuhë letrare të përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1949, 1951, 1954, 1956) që zgjëruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve që çelën rrugën për njësimin e plotë të drejtshkrimeve të gjuhës shqipe më vonë. Më 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Vetë ai kreu një punë me vlerë për pasurimin e gjuhës sonë letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë të mjaft degëve të dijes sidomos të gramatikës, të letërsisë dhe të shkencave pedagogjike. Ndihmoi shumë në veprimtarinë, që nisi të shtjellohet në vendin tonë pas çlirimit në fushën e terminologjisë, drejtoi punët e para që u bënë për terminologjinë shkollore. Shtjelloi dhe një veprimtari kërkimore të gjerë e të frytshme në fusha të ndryshme të gjuhës shqipe. Qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës. Mund të përmenden punimet për pjesoren e paskajoren, monografia “Parafjalët”. Hartoi, në bashkëpunim me Eqrem Çabejin dy trajtesat “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe (1962), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe e mendimeve që pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullor.
Bëri një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit (1961) dhe i dha këtij fjalori një jetë të re. Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme me artikuj e recensione, ndër të cilat mund të përmenden “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934) “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” (1957).
Nëntëmbëdhjetë vite pas vdekjes, më 1980, u botua vëllimi i parë i “Veprave” të Aleksandër Xhuvanit me 6 vëllime, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Ky libër është një nga literaturat më të vlefshme për këdo që merret me studimin e gjuhës shqipe.
Kontributi i Xhuvanit për arsimin dhe pedagogjinë
Aleksandër Xhuvani u mor me trajtimin e çështjeve më të rëndësishme dhe më thelbsore pedagogjike, të lidhura ngusht me nevojat për ngritjen e nivelit shkencor të arsimit dhe të shkollës shqipe. Punimet dhe veprat e tij pedagogjike dhe psikologjike u shkruan dhe u botuan në kohën kur në Shqipëri kishte nevojë shumë të madhe për vepra të tilla në gjuhën shqipe.
Pedagogjia sipas Aleksandër Xhuvanit, është shkencë dhe art i edukatës me rëndësi shumë të madhe shoqërore dhe kombëtare. Ajo ka lidhje të ngushtë me shkenca tjera, sidomos me psikologjinë, etikën, fiziologjinë, sociologjinë, logjikën etj. “Psikologjia pra bashkë me Logjikën e me Moralin (shkruan Xhuvani) na japin rregullat e edukatës dhe janë bazat themelore të Pedagogjisë, pa të cilat ajo nuk ban punë”
Xhuvani u morr gjithashtu, edhe me përpunimin e çështjeve të ndryshme nga disiplina të veçanta shkencore të pedagogjisë, ndër të cilat është edhe pedagogjia e përgjithshme. Ndër çështjet që trajtoi ai në këtë fushë është edhe ideali i edukatës kombëtare. Sipas tij, ideali themelor i “edukatës asht formimi i personalitetit, d.m.th. mësimi ka për qëllim të formojë njerëz me gjykim me vehte e të lirë, me nji sy të patrembun për çdo rast të jetës e me nji dashuni të vërtetë për çdo gja të ndershme dhe ma fort për veprimin e njeriut në shoqëri njerëzore.” Ky ideal, vazhdon Xhuvani, mund të arrihet përmes organizimit të drejtë të edukatsë (mendore, morale, religjioze, kombëtare, fizike, punuese dhe estetike).
Aleksandër Xhuvani kontribuoi edhe në fushën e historisë së pedagogjisë botërore dhe historisë së pedagogjisë shqiptare, e cila rreth gjysmë shekulli ndërlidhej ngushtë me jetën dhe punën e tij arsimore dhe pedagogjike.. Ishte histori e gjallë e shkollsë dhe e pedagogjisë shqiptare. Meritë e tij është fakti që vazhdimisht u përpoq për ndërlidhjen e traditës pedagogjike përparimtare me nevojat aktuale të shkollës dhe arsimit shqiptar, siq ishte pedagogjia herbartiane, rrymat e ndryshme të pedagogjisë së shkollsë së re etj. Jo rastësisht shkroi në vijime, për lulëzimin e demokracisë dhe të shkollave në Athinën dhe në Romën antike, kur kultura dhe shkolla shqipe rrezikoheshin nga italianizimi dhe fashistizimi i tyre. Xhuvani shkroi edhe monografinë “J.H. Pestalozzi (Jeta, veprat e pedagogjia e tij).”
Për portretin poliedrik të Xhuvanit dëshmon puna e madhe që bëri në fushën e psikologjisë. Sipas tij, puna mësimore duhet të mbështetet në njohjen e gjithanshme të tipareve psiko-fizike të nxënësit. Pikërisht, për ta ndihmuar arsimin shqiptar shkroi edhe veprën Psikologjia, të cilën albanologu i shquar Norbert Jokli e vlerësoi “vepër monumentale” për tërë literaturën shqiptare. Ky në fakt, është një tekst i psikologjisë pedagogjike, por që në të ngërthen edhe përmbajtje nga psikologjia e përgjithshme, nga ajo fëmijërore, patologjike, fiziologjike, eksperimentale etj. Mendimin e tij psikologjik e pedagogjik ai e mbështeti në rezultatet e arritjeve shkencore në Evropë dhe në Amerikë, duke përfshirë këtu veprën e Lajit, Mojmanit, Vuntit, Ribosë, Klapareidit, Shternit, Xhemsit, Frojdit, Djuit, Piazhesë etj.
Aleksandër Xhuvani dha kontribut me vlerë edhe në themelimin dhe ndërtimin e didaktikës dhe pedagogjisë shkollore shqiptare. Didaktika, sipas tij është “një shkencë edhe një art; asht shkencë në pikëpamje të dijes që i jep nxanësit, asht art në pikëpamje të përdorunit e të zbatuemit të gjanave të mësueme.” U mor me trajtimin e çështjeve themelore të mësimit dhe të shkollës, siq janë: përmbajtjet mësimore, parimet didaktike, personaliteti i mësuesit, lokalet shkollore etj. Me tekstet e tij, Didaktikë e Edukatë, Didaktika etj., u përpoq që shkollën shqipe ta nxjerrë nga prapambeturia dhe kaosi i rrymave dhe ndikimeve të ndryshme pedagogjike dhe ta ngritë atë mbi një bazë unike e të përparuar didaktike, duke e mbështetur në arritjet e didaktikës evropiane. Në këtë plan, sipas Xhuvanit, rol të rëndsëishëm ka sidomos mësuesi, vokacioni i tij “sepse arti i edukatës, që ushtron mësuesi, asht ma i nalti e ma fisniku i arteve;…”
Xhuvani u shqua edhe për punën e madhe dhe me kompetencë profesionale që bëri për zbatimin në praktikën shkollore të arritjeve të pedagogjisë shkollore dhe të metodikës. Normalja e Elbasanit, sidomos ushtrimorja e saj, u shndërrua në laborator për “eksperimentimin” e metodave dhe formave të reja mësimore, të mjeteve të konkretizimit të mësimit. Kjo veprimtari ishte nën përkujdesjen e drejtëpërdrejtë të Xhuvanit, i cili shquhej për afinitet dhe përgatitje të lartë profesionale – metodike. Si i tillë, kontribuoi në zhvillimin e metodikave të mësimdhënies së lëndëve të ndryshme, sidomos të metodikës së mësimit të shkrim – leximit fillestar, të gjuhës dhe të letërsisë shqipe etj.
Gjithashtu, vlerë të veçantë kanë edhe pikëpamjet e tij për çështje të ndryshme të pedagogjisë parashkollore, të arsimit për të rriturit (andragogjisë), të pedagogjisë familjare. Edhe Xhuvani, sikurse rilindësit tjerë, që kur gjendej në Egjipt, theksoi me forcë, domosdonë për ngritjen arsimore dhe kulturore të femrës shqiptare, të cilën e vlerësoi faktor shumë të rëndësishëm kombëtar dhe edukativ (pedagogjik). “Shkalla arsimore e gruas shqiptare, shkruan ai, asht themeli i edukatës shoqnore, themeli i përparimit tonë si shtet e si komb.”[7]
Veprat më të njohura
- Fillime të pedagogjisë. Pjes`e parë. Psikologji e shtime në punë t`edukatës;
- Fillime të pedagogjisë. Pjes`e dytë. Didaktikë e Edukatë;
- J.H. Pestalozzi. Jeta, veprat e pedagogjia e tij;
- Fillime të pedagogjisë. Pjes`e dytë. Didaktika;
- Edukatë (dorëshkrim)[8]
- Libri i gjuhës shqipe;
- Njohuritë e para të sintaksës shqipe;
- Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme” (me Kostaq Cipon);[9].
Burime
- ^ Fjalor encikopedik shqiptar, (Vëllimi III), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2009, fq. 2959 – 2960.
- ^ Shefik Osmani: Fjalor i pedagogjisë, 8 nëntori, Tiranë, 1983, fq. 716 – 718.
- ^ Hajrullah Koliqi:Aleksandër Xhuvani (Puna edukativo – arsimore dhe pikëpamjet pedagogjike), Prishtinë, 1987.
- ^ Bardhyl Graceni: Aleksandër Xhuvani, 8 nëntori, Tiranë, 1980, fq. 12.
- ^ Uran Asllani., Shqiptarët e Egjiptit dhe veprimtaria atdhetare e tyre, Metropol. – Nr. 706, 6 qershor, 2006, f. 16.
- ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 – Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005.
- ^ Hajrullah Koliqi: Historia e pedagogjisë botërore II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 267 – 271.
- ^ Hajrullah Koliqi:Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Universiteti i Prishtinës & Libri shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 380 – 387.
- ^ Lleshi L., Aleksandër Xhuvani, arsimtari që iu përkushtua gjithë jetën gjuhës shqipe: familja Xhuvani, mes arsimit, artit, letërsisë e teologjisë, Metropol. – Nr. 1042, 12 maj, 2007, f. 18.
Komentet