Ka rënë heshtja varri, kur duhej të tronditej e gjithë shoqëria, kur duhej të hapej një diskutim publik, kur e gjithë elita dhe mediat duhet të fokusoheshin tek vrasja e poetit Genc Leka.
Nga skutat nuk e ka nxjerrë kokën askush për të mbajtur një qëndrim të përgjegjshëm ndaj akt-ekspertizës së Diana Çulit, de facto aktakuza që çoi në dënimin kapital të poetit.
Poeti Agron Tufa përpara disa ditesh bëri një veprim të paparë në historinë postdiktatoriale. Ai kërkoi që të recitoheshin poezitë e poetit të vrarë në një mbrëmje letrare ku Diana Çuli, autorja e akt-ekspertizës kundër tij, ishte e ftuar si “ikonë” e letrave shqipe.
Po a është ikonë e letrave shqipe Diana Çuli? Natyrisht që nuk është as ikonë e letrave shqipe dhe as eksperte e letërsisë postdiktaturë nuk ka të drejtë të jetë.
Po përse është e pranishme gjithkund, në televizionet, gazetat, mbrëmjet letrare, juritë e konkurseve kur prej kohësh është ditur se ajo ka qenë një eksperte e Sigurimit të Shtetit që ka marrë në qafë jetë njerëzish ?
Kush e ka futur Diana Çulin në listën VIP, për të vendosur fatin e kulturës postdiktatoriale, kur ajo ka qenë eksperte famëkeqe e letërsisë së diktaturës?
Këto pyetje pa përgjigje tregojnë se Shqipëria jeton nën kupolën e ekspertëve të sigurimit të shtetit dhe të ish-spiunëve që janë përfshirë në këtë tranzicion në çdo qelizë të jetës politike dhe publike të shoqërisë duke vijuar misionin e xhandarit për të promovuar emra të përlyer gjatë kohës së diktaturës dhe për të penguar rrjedhën normale të zhvillimit të kulturës.
Në vend që akti qytetar i Agron Tufës të kthehej në kryetitull e kryelajm dhe Agroni Tufa të ishte i ftuar nëpër të gjitha studiot e televizioneve të Tiranës për të shkundur ndërgjegjen e përlyer të elitës shqiptare dhe të mbarë shoqërisë, veprimi i tij është i mbuluar nga heshtja dhe indiferenca kriminale e kësaj elite e cila me rolin gjoja të “outsder-it”, ka përjashtuar veten realisht nga të qënit.
Akti qytetar i Agron Tufës mund të shërbejë edhe si kauza e një lëvizje për pastrimin e klasës politike dhe elitës nga emra që nuk meritojnë të shërbejnë as si mentorë apo si liderë shpirtërorë të shoqërisë në lëmijtë e kulturës.
Poeti Agron Tufa vendosi në rrjetin social akt-ekspertizën që Diana Çuli i kishte bërë vëllimit poetik të poetit Genc Leka, me kërkesë të hetuesit në Librazhd.
Akt-ekspertiza 2) e ekspertes së Sigurimit të Shtetit, pas një analize të thjeshtë që do ta bëj më poshtë a përbën verdiktin fatal që vendosi për fatin e jetës të poetit dhe Diana Çulin e bëri “vrasësen”e Genc Lekës? Po e huazoj këtë term nga shtypi i këtoditshëm i Tiranës duke u rrekur që t’i jap përgjigjen.
Në Shqipëri gjatë kohës së egër të diktaturës ka patur nga ata ekspertë të Sigurimit të Shtetit, apo njerëz të thjeshtë që, nën kërcënim, përmbushnin urdhërat e hetuesve, por Diana Çuli nuk hynte në këtë kategori. Ajo vinte nga një familje e cila ishte pjesë e kastës së shtetit komunist. Pra Diana Çuli nuk ia kishte frikën hetuesit të Librazhdit që i kërkoi akt-ekspertizën për poezitë e Genc Lekës, por hetuesi i Librazhdit ia kishte frikën Diana Çulit. Në kohën kur e ka shkruar akt-ekspertizën Diana Çuli ishte rreth 26 vjeç, pra jo 22 vjeç sikur qarkullon.
Kur e mori për ta shkruar akt-ekspertizën, jeta e Genc Lekës ishte në duart e Diana Çulit.
Diana Çuli mund ta kishte shpëtuar jetën e Genc Lekës dhe sot ajo do të krenohej me të drejtë, por akt-ekspertiza e saj shënoi fundin e jetës të poetit dhe pas kësaj ajo është ndjerë me ndërgjegje të pastër, për ndryshe, gjatë këtyre 26 viteve tranzicion nuk do të kishte pranuar të ngjiste shkallët më të larta të karrierës, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, kryetare e Federatës të Grave të Shqipërisë, aktiviste e zjarrtë e shoqërisë civile, anëtare bordesh e jurish për çmime të kulturës, mentore, eksperte e letërsisë, me programe të personalizuara nëpër televizione dhe rubrika fikse në gazeta që pretendojnë se përfaqësojë elitarizmin shqiptar, por me duar të ndyra.
Pra Diana Çuli vijon sot të ketë të njëjtin rol që ka patur në diktaturë, ajo vendos në qendër të vemendjes dhe u jep çmime duke përdorur të njëjtat kritere që ka përdorur në nëntorin e vitit 1976 kur firmosi akt-ekspertizën kundër poezive të poetit. Ky është kulmi i pamoralësisë!
Kush lexon këtë akt-ekspertizë e kupton menjëherë se Diana Çuli ishte ajo që ka firmosur akuzat dhe pushkatimin e Genc Lekës.
Poezitë ishin krimi i poetit, për t’ia marrë jetën, i zbuluar nga ekspertja e Sigurimit të shtetit.
Në diktaturën komuniste dihej se edhe një fjale të vetme, regjimi mund t’i jepte kuptimin që vendoste, për të të çuar në burg ose përpara skuadrës të pushkatimit dhe pastaj kaq do të mjaftonte që të shkatërroheshin zinxhir jetët e të gjithë pjestarëve të familjes, për “fajin” e një fjale.
Diana Çuli si eksperte e Sigurimit të shtetit e ka ditur shumë mirë se me atë çka do të shkruante mund t’ia shpëtonte ose mund t’ia shkatërronte jetën përfundimisht Genc Lekës.
Diana Çuli e dinte se jeta e Genc Lekës varej në dorën dhe ekspertizën e saj. Nëse ajo tek poezitë e Genc Lekës do të zbulonte armikun e klasës, rrezikun eminent apo thjeshtë vetëm poetin.
Por përbindshja Diana Çuli zbuloi tek Genc Leka armikun e popullit, sepse ekspertiza që iu bëri poezive të tij, e formuluar në katër faqe, është “faji i vetëm” i Genc Lekës që e çoi drejt vdekjes.
Me ekpertizën e saj kriminale Diana Çuli vendosi fatin e Genc Lekës sepse tek të gjitha poezitë e poetit ajo zbuloi armikun që duhej eleminuar.
Po ju sjell të analizuara pjesë nga akt-ekspertiza. Ja si shkruan Diana Çuli për “Poezinë pa titull” të poetit: “Vjersha është pesimiste, autori shpreh dëshpërim, fëmijëria e tij ka qenë e bukur për të, ndërsa në jetën e tanishme kanë mbetur gërmadha dhe gurë, jeta e tanishme nuk është aspak e bukur dhe ëndërrat që kishte nuk ju plotësuan.”
Pra Diana Çuli bën aluzion të qartë. Sipas aludimit të saj “Genc Leka e urren jetën e tanishme nën regjimin komunist sepse ëndërrat e tij lidheshin me regjimin që diktatura e rrëzoi.”
Aluzioni është një figurë e stilistikës e bazuar në nënkuptimin, dykuptimësinë dhe analogjinë, pra është si kundërvënie me kuptimin eksplicit dhe të drejtë për drejtë. Diana Çuli gjithë pretencën e saj e ka bazuar tek aluzioni, pra jo tek fakti, jo tek konteksti por tek nënteksti, jo tek eksplicitja, por tek inplicitja, tek gërrmimet e saj në ndërgjegjien e poetit nga ku ajo ka shpifur, ka manipuluar “fajin” e poetit.
Diana Çuli që në rreshtin e parë të akt-ekspertizës që shkruan e bën të qartë qendrimin e saj armiqësor kundër Genc Lekës. Aluzioni është gijotina që përdori Diana Çuli për të prerë kokën e një njeriu krejt të pafajshëm që ajo e paraqiti si person me rrezikshmëri të lartë për diktaturën.
Tek poezia e “Këngë për miqtë e parë“, Diana Çuli bën aluzion sikur këtë poezi Genc Leka ia dedikon ose diversantëve ose ballistëve. Ja si shkruan ekspertja e sigurimit: “Autori nuk i përcakton se cilët janë këta miq, por kujton me nostalgji kohën kur ata vinin natën dhe sillnin veç gëzime, duket se këta miq autori i ka parë kur ishte fare i ri në moshë dhe nuk i ka parë më, këta miq e kanë frymëzuar, i kanë dhënë flamur, këta miq mbanin maliher, ishin trima me fletë dhe kishin parë shumë nga jeta.”
Sipas ekspertes të Sigurimit, Genc Leka ka nostalgji për armiqtë e regjimit komunist dhe e ka si shembull të jetës, faktin që ishin trima dhe luftonin. Dmth sipas Diana Çulit, Genc Leka përbënte rrezik për vendin sepse ai një ditë duke ndjekur shembullin e tyre mund të ngrinte armët kundër diktaturës së proletariatit dhe veglave e saj.
Megjithëse në poezinë në fjalë poeti shkruan qartë se miqtë e tij janë çlirimtarët, që u flijuan për lirinë, ekspertja e Sigurimit pasi pohon që “duket se bën fjalë për partizanët”, shton më tutje se “këto strofa bien në kontradiktë me pjesën e parë ku flitet për ca miq që ecin rrugën natën dhe u tretet kënga.” Diana Çuli insiston për ta inkriminuar poetin: “Nëse autori e ka fjalën për partizanët pse i quan ata miq dhe aq më tepër “miq të parë” kur kjo fjalë nuk është përdorur asnjëherë as në letërsi dhe as në popull – ata janë shkruar gjithnjë dëshmorë”.
Ekspertja e Sigurimit të shtetit ka hyrë gjoja në mendjen dhe shpirtin e poetit dhe pasi ka hetuar ka zbuluar se poeti këto vargje ua ka kushtuar diversantëve dhe jo partizanëve. Paçka se në poezi kishte të dhëna eksplicite që ishte fjala për çlirimtarët dhe në letërinë e realizimit socialist fjala “çlirimtarë” ishte një antonomazi e qartë se kur flitej për ta, nënkuptoheshin partizanët që e çliruan vendin dhe assesi ballistët, Diana Çuli e injoron me ndërgjegje këtë fakt.
Genc Leka nuk është vrarë për ato që ka shkruar drejtë për së drejti, por për ato ka “zbuluar” si nënkuptimësi Diana Çuli. Edhe tek poezia “Oxhaku”, ekspertja e Sigurimit të shtetit rizbulon tek poeti Genc Leka armikun e popullit dhe për nga rrezikshmëria e barazon “Oxhaku“-n me poezinë “Këngë për miqtë e parë“. Megjithëse poeti ka shkruar qartë se në këtë oxhak janë kënduar këngë partizane dhe kjo do t’i jepte Diana Çulit mundësi që të hiqte dorë nga aludimet dhe ta mbronte e shpëtonte poetin nga nga vdekja, kjo përkundrazi e barazon këtë poezi me poezinë “Këngë për miqtë e parë”, duke insistuar se ajo tek Genc Leka ka zbuluar armikun e partisë. Ja si e varros ajo për së gjalli poetin: “”Oxhaku” ngjan me poezinë “Kënga për miqtë e parë”. Oxhaku ruan diçka të shtrenjtë, kjo diçka nuk përcaktohet. Gjithashtu vargu “dikur rrodhën disa pika gjaku” është i errët sepse nëse autori e ka fjalën për Luftën Nacional Çlirimtare, në atë kohë nuk kanë rrjedhur disa pika gjak. Ndërsa vargu “ky oxhak e dogj një pyll të tërë” nuk merr spjegim në vjershë. Pse e dogjën pyllin ? Kur, si për ç’arsye”, pyet çmendurisht ekspertja e Sigurimit të shtetit.
Edhe tek poezia “Kjo rrugë”, ajo plotëson ekspertizën e saj se poeti është armiku i popullit. Për poezinë “Rrethi i hënës” Diana Çuli e sheh poetin si rrezik për rendin kushtetues të vendosur nga regjimi komunist: “Kjo vjershë është pesimiste, shkruan Diana Çuli , dhe vijon “duket se autori flet se i është nxirë jeta, ka mendime të zymta.”
Megjëthëse Diana Çuli e vë vetë në dukje se poeti është pesimist në këtë poezi sepse e ka braktisur e dashura, ekspertja insiston për ta gjetur në “faj” Genc Lekën. Sipas aludimit të saj: “Vjersha është pesimiste, shpreh trishtim dhe mërzi ndaj jetës” pasi poetit i është mërzitur jeta e ndërtuar nga partia dhe prandaj ai përbën rrezik si kontigjent që mund të përgatisë kryengritje të armatosur.
Tek poezia “Ciganët”, ajo i vë vulën “fajit” të poetit si njeri që paraqet rrezikshmëri të lartë për shtetin komunist dhe për jetën e lumtur që jetonte ekspertja e Sigurimit. Diana Çuli arrin në konkluzionin final se i kishte gjetur vargjet për ta kryqëzuar përfundimisht poetin: “Vjersha “Ciganët” është me dy kuptime, i pari jeta e vështirë e ciganit, i dyti, vështirësitë që mund të heqë në jetë njeriu dhe në të vërtetë ai e ka shkruar për këtë qëllim, sepse në vendin tonë s’ka më karvane me ciganë. Për atë, (Genc Lekën- shënimi im E.B.), jeta është e zezë, më mirë fli e mos qaj, bëj sikur s’sheh, se do të vijë koha kur të nisësh rrugën e gjatë e të lodhshme (pra koha për veprim). Cigani (nënkupto vetë autorin, do të eci vetë në këtë rrugë, por nuk do të jetë kaq e lehtë sepse do të hasë pengesa të shumta”, konkludon ekspertja e Sigurimit të Shtetit. Siç e shihni me këtë analizë të djallit, Diana Çuli rikonfirmuar zbulimin e saj se Genc Leka duhet eleminuar.
Tek analiza kriminale që i bën poezisë “Harabelët” Diana Çuli firmos vendimin me vdekle për poetin: “Vjersha ka një farë alegorie, shkruan ajo. Dhe vazhdon: “Me zogjtë që s’mund të jetojnë në dimër mund të nënkuptohen njerëzit që jetojnë në një atmosferë të rëndë dhe kërkojnë të largohen (si zogjtë në vendet e ngrohta”, dmth Diana Çuli insinuon se Genc Leka është i gatshëm të arratiset nga vendi.
Më tej në ekspertizën e saj monstruoze Diana Çuli del në konkluzionin fatal për poetin se autori sipas saj ka “frymë pesimiste, ai shpreh dëshpërim, kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkruan me alegori, gjë që tregon se ai ka një çoroditje të theksuar ideologjike, pasi autori nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të ky realitet është mbytës, i padurueshëm prandaj kërkon rrugë të dalë”.
Me këtë përfundim ekspertja e Sigurimit të Shtetit e ka firmosur direkt vendimin me vdekje të poetit Genc Leka. Me këtë akt-ekspertizë Diana Çuli tek poezitë e Genc Lekës ka zbuluar armikun e rrezikshëm për partinë. Genc Leka, sipas aludimeve të Diana Çulit ose do të ngrihej kundër regjimit ose do të arratisej nga vendi, dhe në të dyja rastet ai përbënte armikun e regjimit komunist.
Gjithë ekspertiza e Diana Çulit është e mbështetur jo në vargje ku poeti i shpreh ad literam ato që pretendon ekspertja e Sigurimit të Shtetit, por tek ato që merr me mend dhe bën aluzion apo insinuon Diana Çuli.
Diana Çuli ndaj poezive dhe poetit ka qasjen e xhelates, për të gjetur tek çdo varg apo fjalë e shkruar “fajtorin” që sipas saj meriton të dënohet me dënimin kapital.
Diana Çuli e dinte shumë mirë se çfarë peshe do të kishte ekspertiza e saj për jetën e poetit, sepse hetuesi nuk mund të ndërmerrte asnjë vendim kundër Genc Lekës, nëse faji i tij nuk do të provohej nga Diana Çuli .
Akt-ekspertiza e nënshkruar me firmën e saj i jep përgjigje pyetjes nëse është apo jo Diana Çuli “vrasësja” e poetit Genc Leka !
Për rolin e Diana Çulit në pushkatimin e dy poetëve flet edhe Ilirjan Blloshmi, nipi i Vilson Blloshmit. Ilirjan Blloshmi sipas të dhënave të dosjes të cilat Beti Njuma dhe Alda Bardhyli i injorojnë, tregon “se pas ngordhjes të një mushke, me të cilën bënin transportimin e grurit të kooperativës, u arrestuan dhe u dënuan për krim ekonomik: Bedri Blloshmi 25 vjet burg, Rystem Dashi 25 vjet burg, Vilson Blloshmi 22 vjet burg dhe Genc Leka 22 vjet burg.” “Pas dhënies së pretencës”, vijon Ilirjan Blloshmi, “është ngritur në këmbë njeri dhe ka thënë: Fëmijët e “kulakeve” duhet dënuar me rëndë. Ku është lufta e klasave? Vilsoni dhe Genci shkruajnë poezi të ndaluara. Ky njeri quhej Aqif Leka, (pseudonimi Qyskia). Pasi është bere kontrolli në shtëpinë e Vilsonit dhe Gencit, janë gjetur poezitë e tyre. Pas kësaj, prokurori i çështjes i ka kërkuar Lidhjes së Shkrimtarëve ndihmë për dy ekspertë letrarë. Lidhja ka dërguar Diana Çulin, Koçi Petritin, Muzafer Xhaxhiun, dhe Nasho Jorgaqin. Nga të 4 ekspertët, Diana Çuli ka bere akt-ekspertize jo recense (siç pretendon Njuma dhe Bardhyli). Nasho Jorgaqi dhe Muzafer Xhaxhiu kane bere kritike letrare (mjafton ta shikosh në dosje) prandaj ne nuk i kemi përmendur. Pas akt-ekspertizes, gjyqi vendosi: Bedri Blloshmi 25 vjet burg, Rystem Dashi 25 vjet burg, Vilson Blloshmi pushkatim, Genc Leka pushkatim.“, nxjerr në pah nga dosja Ilirjan Blloshmi.
Po ashtu, poeti Agron Tufa i sjell publikut dokumentin që rrëzon pretendimet se akt-ekspertiza e Diana Çulit nuk ka të bëjë me dënimin kapital me pushkatim të poetit martir Genc Leka. Ky dokument është Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH.
Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH-së, i datës 2 korrik 1977, lë në fuqi vendimin e Gjykatës të rrethit Librazhd të datës 13 qershor 1976 që i ka dënuar me pushkatim poetët. Dhe në argumentat që e ka mbështetur vendimin e saj Gjykata e Lartë e asaj kohe përmenden pikërisht pjesë esenciale nga akt-ekspertiza e shkruar nga Diana Çulit për poezinë “Këngë për miqtë e parë”, ku ajo aludon qartë se Genc Leka ka nostalgji për diverantët dhe armiqtë e pushtetit popullor dhe diktaturës.
Pas vendimit të Gjykatës të Lartë të datës 2 korrik 1977, të dy poetët, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi ekzekutohen me pushkatim 15 ditë më vonë, më 17 Korrik 1977.
Kjo është e vërteta!
1)
Dokumenta që flasin se pushkatimi i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit u bë për shkak të poezive të tyre Nga Agron TUFA
2) Akt- Ekspertiza e Diana Çulit kundër poetit Genc Leka
Ja ekspertiza e Diana Çulit që çoi në pushkatim poetin Genc Leka
Bravo Elida
Me e pakta qe duhet te bente Diana Culi eshte te pranonte fajin, te ju kerkonte falje publike te afermeve te Genc Lekes edhe per te qetesuar sado pak shpirtin e tij atje ku eshte.
Une ndjej mornica dhe neveri kur shoh Diana Culin jave pas jave ne nje televizion me audience jo te pakte. Imagjino si ndihen familjaret e Genc Lekes! Pronari i atij televizioni me dashje ose jo merr pjese edhe ai ne rivrasjen e Genc Lekes duke i dhene hapesire publike Diana Culit.
Shqiperia ka sa te duash poete dhe kritike letrare per te drejtuar emisione.
Viktimat e Diana Culit nuk po kerkojne hakmarrje por ti lendosh jave pas jave eshte shume e tepruar dhe cnjerezore
I nderuar Arbër, ju flm. Natyrisht që as që bëhet fjala për hakmarrje. Familjarët e Genc Lekës e kanë ditur rolin e Diana Culit në vrasjen e njeriut të tyre, por kur pretendohet se është rrëzuar diktatura, si është e mundur që veglat e saj të vijojnë e të jenë pjesë e elitës të kombit. Kjo zonjë pasi të kërkonte falje, të merrej me punët e saj, por jo të kthehej në një personazh i rëndësishëm publik.