Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” dhënë për gazetarin Erli Murati, përveç të tjerave ka folur edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Pyetjes se kujt do t’i takojë ai, PS-së, LSI-së apo do të zgjidhet në mënyrë konsensuale së bashku me opozitën, Rama i jep një përgjigje befasuese.
Ndërkohë që opozita ka dalë nga parlamenti dhe po vazhdon një protestë që duket e gjatë, me synim hyrjen në zgjedhje me një qeveri teknike, Rama “i shkel syrin” asaj, për çështjen e kreut të shtetit.
Ai deklaron për herë të parë, se për zgjedhjen e presidentit nuk do të ketë aritmetikë votash dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të opozitës, në këtë proces.
“Koalicioni do bëjë më të mirën për të zgjedhur një President që t’i rikthejë kuptimin kushtetues, dinjitetin qytetar, paanshmërinë politike, figurës së kreut të shtetit. Patjetër që do të mirëpresim çdo kontribut të opozitës në këtë proces të rëndësishëm, ku përpara aritmetikës së votave duhet të jetë përcaktuese fryma e Kushtetutës së Shqipërisë”, ka deklaruar kryeministri.
Komentet