VOAL

VOAL

Në ditën e ikjes të Vaçe Zelës – Nga Elida Buçpapaj

February 6, 2017

Komentet

RA DHE LISI I KATËRT I NJË FISI ATDHETAR- fjala e përcjelljes së Kanan Karefil Canodemoj- Nga Albert Habazaj

 

Vranisht: 15.05.1952 – Tiranë: 16.12.2024 -Vranisht: 17.12.2024

 

Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni mortore kaq të ligsht!

Ra dhe lisi i katërt i babë Karafil Mingos dhe nënë Selime Hysenes…
Dje, të hënën e 16 dhjetorit 2024 në spitalin e Tiranës, në moshën 72-vjeçare, ra, për të mos u harruar kurrë, i paepuri i Vranishtit e na lëndoi zemrat, se mbylli sytë trimi që qëndroi burrërisht ndaj sëmundjes së papritur, trimi që luftoi si hero ndaj padrejtësive. Ra e la pas Feron – këtë amazonë aq të përkushtuar ndaj tij. Ra e la dy motrat: Mexhite Canodemaj Ribaj dhe Dudë Canodemaj Ramadani, shumë të lënduara në gjak në shpirt e në kockë për vëllain e vogël me merak të madh… La pas nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, miq e shokë, dashamirës të shumtë, që sot po e përcjellim me pikëllim, lot e keqardhje. Kishin kaq kohë që e prisnin vëllezërit, pranë prindërve…
Kanan Karefil Canodemoj ka lindur më 15 maj 1952, në periferi të Vranishtit, në Gryka. Dy prindërit e tij, Karefil Mingo Canodemoj dhe nëna Selime Hysen Hibraj (Canodemoj), ishin njerëz të thjeshtë, të rritur bonjakë, por shumë patriotë, të drejtë, të ndershëm, humanë dhe të dashur, të cilët lindën, edukuan dhe rritën 8 fëmijë shumë të mirë: Alushin, Sulejmanin, Mersinin, Selimin e pafat; e pesta ishte vajza e madhe Mexhitja, fëmija i gjashtë Enveri tragjik; fëmija tjetër, e shtata ishte vajzë – mësuese Duda dhe Kanani, që përcjellim sot për në banesën e fundit qe fëmija i tetë e i fundit. Unë nuk do të bëj biografinë e Kananit, se ju e njihni mirë e unë kam shkruar për të sa e sa herë, pasi më ka pasur redaktorin e tij besnik në të 5 librat e botuar, por do të ndalem në nja dy cilësi, vlera e virtyte të tij, ku spikati jo vetë si ushtarak i talentuar në specialitetin e vështirë të Zbulimit, por, së pari, si njeri me cilësi të larta shoqërore. Si oficer karriere, ai i ngjiti shkallët hierarkike vetëm me ndershmëri profesionale e zotësi, deri në funksionin e Shefit të Zbulimit të Divizionit në Peqin apo si Zëvendës Komisar i Brigadës së Ishullit të Sazanit.
Në vitin 1976 fejohet me Feride Sabri Skëndomemoj dhe një vit më vonë, në vitin 1977 martohen dhe formojnë familjen e tyre të pastër, të bukur, fisnike…
Akademisti Kanan Canodemaj, në vitin 1997 emigron me familjen në Athinë – Greqi, ku punoi me djersën e ballit dhe u kthye me familjen në Atdhe në vitin 2012, mbas 15 vjetësh emigracion. Në vitin 2017 doli në pension dhe, sa rrojti, qe një zotni burrë, i mprehtë, i vërtetë, parimor, polemist, por po aq dashamirës.
Veprimtarinë e tij krijuese e ka filluar herët me vjersha, që në shkollë në fshat, të cilat i përmblodhi në vëllimin poetik “Gurrë Nostalgjie”, me 60 vjersha, që e botoi në vitin 2012, me rastin e 60 vjetorit të lindjes. Emigracioni në dhè të huaj, por veçanërisht humbja para kohe e vëllait të tij Mersinit, ja ngacmuan prirjet e tij krijuese dhe atje filloi të shkruaj, si në poezi dhe në prozë. Krijimtaria e tij e parë është libri monografik kushtuar vëllait të tij Mersinit me titull “Meteori Vranishtit” në vitin 2009, libri dytë është botimi në vitin 2012 të Historikut të fisit të tij me titull “Canodemojt (Mingajt), jeta dhe historia e tyre në shekuj”, i treti libri me vjersha, që cituam; librin e katërt e botoi në vitin 2021, me titull “Skëndomemojt në rrënjët e Vranishtit”, ndërsa monografinë që i dha emër në rrethet intelektuale dhe të studiuesve “Vranishti dhe Hora, bashkë që nga lashtësia”, që është dhe libri i tij i pestë, e botoi në vitin 2022.
Por vepra e tij e veçantë, ndërkohë unikale deri më sot, në njohjen time, është Piktura murale apo Hartopiktura po me të njëjtin titull: “Vranishti dhe Hora, bashkë që nga lashtësia”, vendosur në faqe të murit të shtëpisë së studiuesit ushtarak Kanan Canodemaj në Ujë të Ftohtë, Vlorë. Ajo vjen si një superpikturë në 16 m² dhe është prodhim i dobishëm i një pune sa të lavdërueshme, aq të mundimshme shumë vjeçare e këtij autori të përkushtuar që, sa qe, s’njohu lodhje për të shpalosur të vërtetat e historisë së ndodhur e të jetuar të të parëve në ato troje të lashta, që rrënjët i kanë të thella në legjendat jashtëzakonisht madhështore. Nga shtëpia e tij, atë hartopikturë me shpirtin bujar që e karakterizonte e përjetësoi në faqen e murit në qendër të fshatit Vranisht, si një dhuratë të çmuar për brezat e sotëm dhe ata që do të ngrihen në Vranisht, po aq edhe në funksion të turizmit kulturor dhe historik të atyre trevave magjike me bukurinë që u ka falur natyra dhe traditat më të mira të banorëve që trashëgohen si stafetë nga brezi në brez.
Për Kananin mund të flas shumë e prapë s’i them dot të gjitha, por pa u futur në hollësira, po rikthehem pak tek libri i parë “Gurrë nostalgjie” me 60 vjershërime, ku vërtet vargjet e shpirtit ngjyhen me dashurinë për vendlindjen dhe njerëzit e saj. Janë prekëse sidomos 16 faqet në fund të librit, që vijnë në trajtën e një vjershe të gjatë apo poeme me titull “Rrëfim për njerëzit e drejtë” (refleksione në 60 vjetorin e lindjes), thurur me duf, zemëratë e shqetësim qytetar në Tiranë, në spital të martën e 31 janarit 2012, të cilat ndryshe ishin formatuar për t’u reflektuar nga autori, por ngjarja e befasishme që i ndodhi me shëndetin në ato momente e detyruan t’i transformonte me atë përmbajtje realiste e tronditëse se ishin të vërteta, të sinqerta, pa komplekse e drithëruese, ndërkaq, aty gjejmë jetëshkrimin e tij të deriatëhershëm, pa emocione, por me njohjen racionale të një njeriu të rrahur me vaj e me uthull për gjysmë shekulli e një dekadë ngarkuar. Më shumë se vargje ato janë thirrje për jetën, alarm human për të tërhequr vëmendjen qytetare ndaj atyre zanatçinjve që na shohin si shqerrat kur u biem në dorë për probleme shëndetësore. Pësimi im të bëhet mësim e përvojë për ju – ky është mesazhi që del nga leximi i këtij materiali tronditës. Këto fjalë në vargje janë skaner për mjekët e sotëm, konkretisht për ata doktorë që janë shndërruar në exhelë, në shtriga e shtriganë. Apel për njerëzit më shumë  se sa një material artistik është ky poemth social i kohës së sotme.
Kanan Canodemaj, që do të ngelet në kujtesën e fshatit, të miqësisë dhe shoqërisë së gjerë, si një nga djemtë e mirë dhe intelektualë të Vranishtit, një atdhetar i devotshëm që bëri shumë për vendlindjen, jo për t’u dukur, por sepse e ndiente së brendshmi, por na iku para kohe si një meteor dhe na lëndoi. Kjo ikje fatale qe kaq e papritur dhe e pamerituar, shumë e trishtueshme, që na hidhëron të gjithëve.
Fero, Mexho, teze Duda, nipër e mbesa!
Forcë e kurajë!
I dritëroftë kujtimi korrektit Kano!
Në kujtim të dajo Kananit, ju kërkoj të mbajmë një minutë heshtje!
I pa harruar!

Vranisht, e martë, 17 dhjetor 2024

Fisniku i fjalës se mençur (Mikut Sejdi Berisha)- Nga NEKI LULAJ

Nuk do vijë me si me parë
Buzë Lumbardhit të Blini plak
Ku dikur llafosnum e gjebronim kafet
Si miku me mikun në konak
Lumbardhi rrjedhë e rrjedhë pikëllueshëm
E mbi te po bie shi pa pra
Bashkë nuk do jemi me si me parë
Rrjdhë o lum  gurgullo me valët e tua pa pra.
Te erdhëm pa paralajërim për vizitë në shtëpi
Me mall e lotë me prite ke porta
Çuditërisht me the O sa me keni munguar
E kam ditur qe sot keni për t`me vizituar o mik o dost.
Me pyete mes lotëve për miqët e shumt te artit
E boca e Oksigjenit punonte pa pushim
Me premtove se shpejtë do te  sherohesh e forcohësh
Te Blini i poetve do rrufatim i sërish kafen e ngrohët.
Por çuditërisht ti na mashtrove
Na ike si gjethi i vjeshtës  mes ndërskemcave te kohës
Urtaku i rrallë e latuesi i vargut
S`pajtohëmi qe  na ike ne ameshim pa lamtumirën tonë..
Sigurisht kur mesnata bënte hapat e saj
Ti luftoje me dhembjët e mushkrive dhe pagjumësin
Hëna memece e varur si strajcë e pikëlluar
Jeta mbi ty shkruante testamentin e poezinë.
Tiktakët e orës se murit ecnin me ritmin e zemrës
Akrepat e lodhur përpiqeshin te shënonin ditën e re
Mbi qepapallat e lodhura dhe mushkrit e shkatrruara
Nga kolla po ikën ne këtë shekull Migjeni i ri.
Në këtë dhjetor  po digjën meteoret
Ti rri i heshtur si një perendi
Sejdi Berisha ne jemi të strukur ne Liqenin e lotëve
E kemi të pa mundurën qe të flasim me ty.

Jeta kulturore në Gjakovë: Akademi kushtuar Anjezë Gonxhe Bojaxhiu- SHËN NËNË TEREZA- Nga TAHIR BEZHANI

 

NJË PËRKUJTIM DINJITOZ I NËNË TEREZËS ME RASTIN E 45 VJETORIT TË NDARJËS SË ÇMIMIT NOBEL PËR PAQE.

 

Sot, me 10.12,.2024 në sallën “Teki Dervishi” në bibliotekën e qytetit në Gjakovë, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, drejtuar nga Prof. dr. Ruzhdi Sefa e në bashkëpunim me Rrjetin Intelektual Shqiptarë, organizoi Akademi përkushtuese me rastin e 45 vjetorit të ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza . Një pjesë të biografisë, veprës së Nënë Terezës, të pranishmit e përcjellën përmes monitorit në sallë. Moderimin e kësaj Akademie e udhëhoqi me zgjuarsi z. Albiona Bytyqi nga Gjakova.

Z. Zef Prenka gjatë kumtesës së tij

Në këtë akademi i pari që mori fjalën ishte z. Zef Prenka, i cili në fjalim e tij të thukët, pos tjerash ceki se “ jemi mbledhur këtu për të përkujtuar dhe nderuar një prej figurave më të ndritura të historisë së kombit shqiptar dhe të botës- Shën Nënë Terezën, ose Nëna e botës së mjerimit, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, pikërisht me 10.Dhjetor, të vitit 1979” Mëtej z. Zef Prenka në fjalimin e tij shtoi se Nëna Terezë është një mundësi për të reflektuar mbi vlerat e paqes, dashurisë dhe solidaritetit, të cilat janë thelbësore për formimin e bashkëjetesës dhe identitetit kombëtar”.

Z. Dr. Edita Tahiri, veprimtare e njohur nga vitet 90-ta, gjatë kumtesës se saj

Pas zotëri Zef Prenka, fjalën e mori zonja Edita Tahiri, e cila në kumtesën e saj shpalosi vlerat fondamentale në këndvështrimin kombëtarë-humanitarë-diplomatik të Nënë Terezës. Ajo në kumtesën e saj, u ndal në disa momente kyçe të takimeve me të madhen Nëna Terezë, në Romë e Prishtinë, duke veçuar madhështinë e saj dhe mos harresën për popullin e saj, atë kujtesë që bartë thellë historinë e stërvuajtjeve të gjata të popullit nga i cili doli Nënë Tereza. Shenjtëresha jonë, Nëna Terezë, kombit shqiptar ia la lavdinë e përjetshme në tërë rruzullin tokësorë. Ndër të tjera z. Edita Tahiri, me nostalgji ceki momentin kur Nëna Terezë, në njërin nga takimet, ia kishte dhuruar një zingjir ari, në shenjë kujtimi e respekti, të cilin ua tregoi të pranishmëve në sallë. Ishte një nga momentet nostalgjike dhe i ndjeshëm për auditorin e pranishëm.

Dr. Dom Lush Gjergji, me rastin e kumtesës në Gjakovë.

Folësi më i dashur dhe shumë i pëlqyer ishte studiuesi biografik e bibliografik i fikurës së Shenjtëreshës Nëna Terezë, z. Dom Lush Gjergji, autor i mbi njëzet veprave shkruar vetëm për këtë figurë markante të kombit tonë. Ai foli gjatë për Nënë Terezën, duke shkoqitur pjesë të ndryshme të biografisë se saj, me fjalë të zgjedhura, emocionale, fjalë shpirti e zemre. Fjala e dom Lush Gjergjit u prit nga audienca me kureshtje të veçantë nga se masa e njeh prej moti, jo vetëm si një studiues të Nënë Terezës, por si një veprimtarë i devotshëm, i pandalshëm që nga vitet 90 ta, i cili së bashku me plejadën e asaj kohe, kurrë nuk pushoi për të mirën e vendit, kombit. Mes tjerash, z. Dom Lush Gjergji, në fjalimin e tij karakteristik, ceki se njeriu punën e mëdha e fillon nga të voglat, kur ato nisen nga shpirti dhe pastërtia shpirtërore. Veprën jetësore të Nënës Terezë duhet ta kemi si pikësynim të jetës për të afruar vlera njerëzore në vepër, për njerëzimin kudo në botë. Këtë na mëson humanizmi i papërshkruar i Shenjtores sonë, Nënë Tereza.

Pamje e auditorit gjakovar, interesim i jashtëzakonshëm

Në mbarim të fjalës së z. Dom Lush Gjergji, auditori e priti me duartrokitje të gjatë, në shenjë falënderimi për fjalët plot mirësi, edukatë, si udhërrëfim i karakterit dhe humanizmit gjithë shqiptarë.

Autori i tekstit me Dr. Dom Lush Gjergjin, pas akademisë.
Në fjalën mbyllëse të kësaj Akademie përkushtuese në 45 vjetorin e ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe Nën Terezës, prof.. dr. Ruzhdi Sefa, drejtuesi i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, falënderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit në sallën përplot, folësit në Akademinë solemne ,z .Zef Prenka, Edita Tahiri dhe z. Dom Lush Gjergji .

Gjakovë,10.dhjetor,2024 Tahir Bezhani

S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024)

 

S’të vranë ty Martin,

vranë Shqipërinë!

S’të hoqën ty,

hoqën lirinë!

 

S’të varrosën ty Martin,

varrosën drejtësinë!

Kur mizorisht

të shuan fëmijërinë.

 

Ç’të qajmë ty Martin?

Qajmë pafajësinë.

Dhe lutemi që njerëzit

të njohin Dashurinë.

 

Familja e ky popull,

për ty s’do të marrin hak.

Se jeta jote e bukur,

s’paguhet me gjak.

 

Megjithëse kjo humbje

të gjithëve na pikëllon,

besimi yt i pastër,

për falje na mëson.

 

Martin, vëlla i vogël,

vdekja jote s’shkon kot,

përderisa besojmë

tek i madhi Zot.

 

Sa të bie dielli

akoma mbi këtë dhé,

Martin, o bir i dashur,

i shenjtë ti je për ne!

 

S’të vrau Mario, o Martin,

por e gjithë Shqipëria,

se është një popull,

që po vdes nga padija!

 

Prehu i qetë vogëlush,

se shumë e deshe jetën.

Kush të ka vrarë ty,

ka vrarë të vërtetën.

 

Lart nga qielli i kaltër,

ku tashmë s’ka asnjë re.

Martin, o biri ynë,

lutu ti për ne!

 

Nikolin Sh. Lëmezhi

Kallmet (Lezhë), më 24. 11. 2024

HYJNESHA IME Kushtuar nënës sime me rastin e 15-vjetorit të vdekjes- Nga ARIF EJUPI

 

 

Fjala nënë është më e vlefshme se floriri e ari,
qoftë bekuar ai që e shqiptoi i pari!
Nëna, simbolizon dashurinë, mirësinë dhe qëndresën.
Nëna simbolizon besën, sakrificën e flijimin.
Nëna simbolizon dhembshurin, pendimin dhe faljen.
Nëna është jetëdhënëse.
Nëna është diell e hanë.
Emrin e saj hyjnor të gjithë e thërrasim me plot ngrohtësi,
që nga lindja e deri në përjetësi.

Gjenevë, 5 dhjetor 2024

ZJARR MALLI I PASHUAR ( mikut e poetit Sejdi Berisha, i cili, këto ditë iku në amshim )- Nga Tahir Bezhani

 

Më mashtrove miku im…

Në ndarje më fole në përsëritje
Se do pimë kafe në Bajram Curri
Do bëhemi së bashku si dikur
E do flasim me zemër e shpirt të dlirë
Do përqafohemi fort te pishat
Të flasim pafund për letërsinë…

Ti ike….

Ike tinëz pa lamtumirë
Pa përqafim e shtrëngim eshtrash
Më le të vyshkur, si të shkretë
Në lëndinat e mallit duke bredhur
Në ballafaqim me erërat e mallit si zjarr
Duke të shikuar qyteteve tona kudo
E lotët ndalen në hijen tënde
Në atë fushë balli plot krenari
Aty ku shëtisin kohët si në log betejash…

Pushojnë kujtimeve mes vargjeve tuaja
Zjarrmia rritet shtatit të degdisur
Malli ngjeshet qepallave si dru i djegur
Si kore buke e çerepit nën saç…

Djersë të valëta pikojnë poreve të shtjerrëta
Sytë nguliten te Blini i Poetit te ”Dukagjini”
Oh! Sa kujtime u derdhen nën aromën e tij
Sa piskamë lëshon dhimbja e heshtur
Fshehur në shpirtin tim të ganduar
Frymëmarrja zvogëlon diafragmën
Zemra zvogëlon ritmin përplasjeve
Gjoksi më dridhet si shelgu
E si t’ia bëj o miku im pa ty…

A t’i flas Lulit, Rremës e miqve tjerë
Se ike pa përqafimin tonë?…

Fol, fol!.. Si t’ia bëjë
Apo ty të morën me nguti në qiell
E nga andej na mëshiron zemrat
Atje bën dritë të përhershme
Si meteor shkëlqen gjithësinë
I pavdekshëm mbetesh përgjithmonë
Miku im i shtrenjtë…

Gjakovë,05.12.2024

Shuhet në moshën 100-vjeçare shkrimtarja Mynevere Shuteriqi

Ndërron jetë në moshën 100 vjeçare, shkrimtarja Mynevere Shuteriqi, bashkëshortja e akademikut dhe shkrimtarit të shquar Dhimitër Shuteriqi.

Mynevere Shuteriqi ka lindur në Gjirokastër më 21 qershor 1924. Babai i saj, nëpunës pyjesh, kishte botëkuptim liberal; rridhte nga një familje e mesme, por e vlerësuar në qytet.

Vitet e fëmijërisë ajo i kaloi në Delvinë, ku u transferua i ati. Pasi mbaroi shkollën fillore me nota të larta, ai e regjistroi në Institutin Femëror në Tiranë, i cili quhej Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” në kohën e Zogut.

Më 1943, kur Myneveri ishte në maturë, shkolla Normale u mbyll. Diplomën e mori pas çlirimit si shumë të tjerë.

Pas vdekjes së Dhimitrit, Mynevere botoi librin me kujtime “Një jetë në dashuri”, në të cilin jepen episodet e veçanta të një jete të përbashkët, duke skicuar njëherësh një portret të pazakontë të Shuteriqit, të dashuruar me gjithçka të bukur e të shtrenjtë dhe të Shuteriqit punëtor të palodhur të kulturës shqipe.

Ajo, gjithashtu, ka punuar pareshtur për të nxjerrë edhe më në dritë veprën e tij me kujdesin për botimin e teksteve që i kishte lënë gati për botim, me përgatitjen e atyre që la në dorëshkrim, me zbulimin e teksteve të reja dhe me sistemimin e ditareve e të shkrimeve të panjohura të tij, disa prej të cilave janë botuar në shtypin e përditshëm.

Mynevere Shuteriqi është gjyshja e shkrimtarit e politikanit Ben Blushi. bw

U nda nga jeta pedagogia veterane e pianos Elsa Veizi – Lajmin e hidhur e dha djali i saj

Është ndarë nga jeta pedagogia veterane e pianos Elsa Veizi e cila ia kushtoi jetën mësimdhënies. Lajmin e hidhur e dha i biri, pianisti Endri Nini përmes rrjetit social si më poshtë:

“U rritëm bukur bashkë mami! Nuk reshte së dhuruari dashuri dhe forcë pa fund, gjëra për të cilat nuk do të mundem të të falenderoj sa të kem jetë. E di që njeriut nuk i është dhënë mundësia të zgjedhi se cilët janë ata të cilët e sjellin në jetë, se po të ishte kështu, do të kisha zgjedhur njëmijë herë të isha djali yt. Edhe pse dhimbjen e ndarjes prej teje do ta përjetoja po njëmijë herë!
Do më marri malli mam!
Varrimi bëhet nesër, datë 7.11.2024, ora 14:00 në “Sharrë”.
Ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e “Funeral Home ALBA 2000” tek rruga e Durrësit, Ish Ambasada Jugosllave.
Vizitat priten ditët e Premte, të Shtunë dhe të Dielë, 10:00-13:00 dhe 17:00-20:00 po në të njejtin vend.”

PËR NJË MËSUES DHE DREJTUES SI GJELOSH TOMA DO TË MBETET PËRJETËSISHT NË MEMORIEN E BREZAVE TË SOTËM DHE ATYRE QË DO TË VIJNË, SI NDËR EMRAT MË TË NDERUAR E TË RESPEKTUAR TË ARSIMIT LEZHJAN Nga FRAN GJOKA

 

(U nda nga jeta në moshën 75-vjeçare Mësuesi i “merituar” Gjelosh Toma)

 

Jeta është e ndërtuar e tillë, që ka një fillim dhe një mbarim e gjithsekush në këtë jetë, me mundësitë që krijohen, dëshiron që të bëjë gjëra të tilla që të mbetën në jetë e që t’i shërbejnë njerëzve, t’i shërbejnë ecjes përpara për të mirën e fëmijëve, nipave e mbesave, brezave që vijnë. Aq me tepër që kjo merr më shumë vlerë në sistemin e arsimit, në punën e bukur të mësuesisë, nga ku ke nxjerrë prej duarve të tua breza të tërë nxënësish, që do të vazhdonin rrugën e jetës me ritëm, me dashuri për të mirën dhe dëshirën që shërbesa e tyre në mësuesi të jetë fisnike dhe e dashur për gjithkënd. Vjen një çast që jeta ndërpritet krejt, duke lënë pas të dashurit dhe të njohurit, dhimbje dhe lotë, por dhe kujtime të mira dhe të paharruara. Kujtime që mbetën nga brezi në brez dhe kujtohen vazhdimisht. Kështu, “Mesuesi i Merituar” dhe drejtori i respektuar, Gjelosh Toma ndrroi jetë pak ditë më parë në qytetin e Lezhës. Një lajm që na hidhëroi pa masë të gjithëve, teksa sillje ndërmend emrin dhe veprën e tij, përkushtimin ndër vite, duke i dhënë shpirtërisht dije e kulturë brezave.
Mësuesi i merituar u lind në fshatin Markatomaj të Lezhës, shkollën fillore e mbaroi në fshatin e tij të lindjes. Pas përfundimit të gjimnazit “Hydajet Lezha”, mbaroi arsimin e lartë në Universitetin Shtetëror të Tiranës për matematikë-fizikë me rezultate të shkëlqyera. Punoi me sukses dhe për shumë vite drejtor i shkollës së mesme Zejmen. Si shok e mik i imi i ngushtë e kam parë gjithnjë drejtues të apasionuar, njohës i shkëlqyer i lëndës së matematikës, si edukator dhe familjar i palodhur, si burrë me vlera të padiskutueshme intelektuale, si njeri, prandaj e kujtojmë sot me respekt të madh…
I rritur në një familje me prindër punëtorë, të thjeshtë, por të ndershëm dhe me tradita të shkëlqyera arsimdashëse. Nga ky trung familjar janë ngjizur cilësitë e karakterit të Tij që përcollën në breza traditën, burrërinë malësore e shumë të tjera, Gjeloshi u rrit e hodhi shtat dhe u formua në këtë familje të ardhur historikisht nga Malësia e Madhe dhe u mëkua që të donte vendin e tij dhe njerëzit.
Fëmijëria dhe adoleshenca nuk ishin të lehta për të e ndoshta ky është shkaku i një miredukimi e shkollimi me sakrificë. E kam njohur profesorin e ndjerë që në rininë time të hershme. Ishte dhe mbetet një patriark i pedagogjisë shqiptare, ishte një drejtues dhe menaxhues i shkëlqyer në sistemin e drejtimit të arsimit pra, një njeri me shumë vlera. Të gjithë ata që e kanë njohur, që kanë punuar e që kanë dëgjuar për të, që e kanë ndjekur në rrjetet sociale, me dhimbje të thellë përjetuan lajmin për ndarjen nga jeta të drejtuesit dhe mësuesit të merituar, Gjelosh Toma, që për 40 vjet sakrifikoi shëndetin e tij për t’u dhënë dije e kulturë brezave, duke mos u ndalur për asnjë çast së kërkuari kuptimin e jetës, duke vënë në funksion të këtij misioni fisnik të gjitha mundësitë dhe aftësitë e veta kulturore e profesionale.
E tillë ishte fryma që Gjeloshi jetësonte, e tille ishte jeta që ai thurte dhe aq shumë e donte, me pagabueshmërinë që nisi 40 vjet më parë në mësuesi në të gjitha etapat e tij, sepse karakterizohej nga një intuitë për t’u orientuar drejt e kur i duhej të “përballej”, jo rrallë, me kapriçot e jetës, të cilat me urtësi, me mençuri e pjekuri i kapërcente denjësisht e me vendosmëri.
Duke shkruar këto radhë për këtë figurë e personalitet me vlera të mëdha intelektuale, të duket se dëgjon zëra brezash në vite… tek rrëfejnë se mësuesi dhe drejtuesi i merituar, Gjelosh Toma u dha me plot pasion kulturë brezave. Ai ishte shembulli më i shkëlqyer, i njeriut të formuar e me personalitet e kulturë njerëzore.

Në foto: I ndjeri Gjelosh Toma

E themi papritur, jo aq nga mosha 75-vjeçare, por nga peripecitë që Gjeloshi ka jetuar e përjetuar nga humbja e papritur të bashkëshortes së tij, Liza Toma, e cila është ndarë 18 vjet më parë, duke lënë në pikëllim të thellë 4 vajzat dhe bashkëshortin e saj. Kjo grua, e cila sa qe gjallë e ruajti dhe çoi më tej cilësitë e arta të femrës lezhjane, mbeti që të ishte ndër më të vlerësuarat, por dhe mirënjohëse nga brezat. Ishte një nënë që personifikonte modelin, figurën e një nëne të dhëmbshur dhe edukatore e përsosur, me cilësi të spikatura individuale. Mbetet për vajzat e saj një nënë e shkëlqyer, një bashkëshorte që rrezatonte veçse dashuri dhe mirësi, një nënë qytetare me emancipim bashkëkohor.
Veprën e prindërve të tyre e pasojnë sot 4 vajzat e mrekullueshme, të zgjuara e të shkolluara: Juliana, Silvana, Edona, Brisilda. Këto 4 pasardhëse shikojnë sot modelin e prindërve të devotshëm, babanë e tyre të mirënjohur dhe të paharruar, të nënës së tyre Liza, që sa jetoi, personifikoi te vajzat modelin njerëzor të një nëne të dhëmbshur, të një nëne dhe babai të dhembshur, të dashur, me dijeni të shumta për jetën.
Të jetosh për një kohë të gjatë përkrah një njeriu me shumë vlera, një personalitet të tillë siç ishte Gjelosh Toma, ishte sa e lehtë dhe aq e vështirë. Ishte e lehtë, sipas kujtimeve që kam dhe ruajtur për figurën e tij, ishte njeriu me vlera të padiskutueshme, me kulturë e vizion perëndimor, tepër i përgaditur, emocional, i dhembshur, me vizion të gjerë për jetën, familjen e shoqërinë.
Ishte i “vështirë” sepse profesori kishte lindur i talentuar për shekncat ekzakte, donte të punonte, megjithëse në kushte të vështira, në momente të tilla kur vështirësitë familjare, nuk e favorizonin sa duhet dëshirën dhe pasionin e tij. Megjithatë, ai punonte, punonte dhe studionte pa u lodhur njëkohësisht. Kujtimet, mbresat për punën drejtuese dhe hulumtuese në arsim të rrëmbenin.
Ka ngjarje të bukura e mbresëlënëse në jetën e tij 40 vjeçare, ka ndodhi edhe të hidhura, që zgjojnë kujtime të zymta për të kaluarën. Përmes kujtimeve të shokëve, ish kolegëve të tij, lartësohet sot deri në Zenit figura madhështore e mësuesit dhe drejtuesit të merituar, Gjelosh Toma, këtij pedagogu të madh dhe njeriu me vlera universale, të cilat i kujtojnë sot me aq dashuri dhe pathos. Dhe, siç duket, do të kalojnë plot vite e dekada të tjera dhe emri i të ndjerit Gjelosh Toma do të mbetet në kujtesën e brezave, ku sot është bërë shpirti dhe zemra e kujtdo.
Kur bisedon me njerëz të profesioneve të ndryshme, e kujtojnë shpesh mësuesin dhe drejtuesin ku mbante një shtrirje të gjërë miqësie e shoqërie, duke u skaltur në kujtesën e brezave me atë portretin si një emblemë e veçantë që rrezatonte dashuri dhe frymë atdhedashurie ai në sistemin e punës drejtuese si ekspert i mirë i arsimit, e ruajti me kujdes të madh raportin profesionist-punë të pandërprerë e udhëhiqej nga parimi i patundur se çdo gjë varet nga puna që bën çdo ditë njeriu.
Kjo, siç duket kishte shumë rëndësi tek Gjelosh Toma, aftësia profesionale shoqërohej me punë të dendur dhe rezultate kulmore, që flasin dhe sot për vlerat e shkëlyera të punës së tij. Asnjëherë nuk i uli vlerat deri në nivelin “korruptiv” të punës së tij, por i qëndroi besnik Betimit të Mësuesit. Asnjëherë nuk diti të diferencojë mësuesit sipas shoqërisë dhe miqësisë, por gjithmonë ishte pranë tyre me pasionin që jepte profesioni, edukimi dhe kultura e tij qytetare.
Sa jetoi e punoi, kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e tij edhe kur ishte përballë “përfitimive” të mirave materiale e famës shoqërore e miqësore që ai kishte, mbeti deri në frymëmëarrjen e fundit i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësitë. Këtu më vjen ndërmend një thënie e Sokratit: “Njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhè, por kur harrohet”.
Ndërsa shkuraj këto radhë për këtë njeri të shkëlqyer në punën drejtuese dhe menaxhuese, me vjen keq për harresën e organeve të pushtetit. Kurrë s’ka punuar për lavdi, ndonëse lavdinë me punë dhe sakrifica, emrin e mirë që la kudo e meriton plotësisht pas vdekjes që t’i jepet nga organet kompetente dhe një titull tjetër “Mjeshtër i Madh” i punës apo dhe “Qytetar Nderi” i Lezhës.
Për njerëz të tillë të ditur, të emancipuar, tolerant, në shërbim të arsimit për 40 vjet me radhë, që mbajti titullin e lartë dhe të denjë “Njeri”, si Gjeloshi, sa shumë ka nevojë sot shoqëria shqiptare.
I hodha këto mendime në letër këtij njeriu ideal që u shua papritur nga jeta. Kuptohet që është e vështirë që brenda një shkrimi të tillë të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figurën e gjërë dhe të gjithanshme të një profesionisti të tillë si Gjelosh Toma.
Do duhen që figura të tilla të talentuara të një modeli të cilësisë dhe dashurisë njerëzore të ndriçohen më në thellësi e gjerësi në të ardhmen, jo thjeshtë si shfaqje respekti e vlerësimi ndaj tij, por edhe si një ndihmesë në shërbim të brezave të rinj dhe të historisë së arsimit tonë kombëtar. Mësuesi i merituar, Gjelosh Toma u nda prej nesh disa ditë më parë, duke lënë pas kujtimin e njeriut të mirë dhe të devotshëm.
E kujtojnë me lotë malli e dhimbje vajzat e tij, nipërit dhe mbesat, motrat dhe vëllezërit, ish nxënësit dhe mbarë komuniteti prindëror Bregamatës dhe ish kolegët, mësuesit, sollën një trazim të madh shpirti e keqardhje.
Përjetësisht mirënjohje misionarit të arsimit lezhjan e kombëtar!

YOM KIPPUR: NJË DITË FALJEJE, POR JO DITA E FALJES Përgatitur nga Mimoza Erebara

Yom Kippur është një ditë faljeje, por nuk është Dita e Faljes. Fjala falje në hebraisht është “סְלִיחָה/selicha ose מְחִילָה/mechila. Dita nuk njihet si yom selicha / yom mechila, por si Yom Kippur. כִּפּוּר/Kippur vjen nga fjala כַּפָּרָה/kapara, që do të thotë shpërblim, pra Yom Kippur është Dita e Shlyerjes. Po c’është shpërblimi, ku ndryshon kjo fjalë nga tjetra, nga falja?

Në anglisht, shpërblimi konceptohet si një proces ku përmes të cilit fitojmë falje, vetëm ne vetë për mëkatet tona dhe, ku rrjedhimisht jemi të falur. Ky megjithatë nuk është kuptimi autentik i hebraishtes kapara. Edhe pse në anglisht, shpërblimi është bërë sinonim i pendimit, vetë fjala zbulon përkufizimin e saj origjinal. Etimologjikisht, shpërblimi është një fjalë e përbërë që rrjedh nga at onement.(anglisht). Është gjendja e të qenit në një, po jo procesi me të cilin arrin në atë gjendje. Po kështu, kapara nuk është sinonim i teshuvah. Teshuvah është akti i kthimit ose pendimit, ndërsa kapara është gjendja e ribashkimit që arrihet pasi të jetë kryer teshuvah.

Në fakt, ka dhjetë ditë teshuvah, nga Rosh Hashana (Viti I Ri Hebraik), deri në Yom Kippur. Yom Kippur është e dhjeta e këtyre ditëve, dhe si e tillë sigurisht ka një element pendimi në lutjet dhe shërbesën e ditës.

Megjithatë, ekziston një element shtesë në këtë ditë që e dallon atë nga nëntë ditët e tjera të teshuvah. Domethënë në këtë ditë, pas teshuvah që kemi kryer, arrijmë nivelin e kapara.

Për të kuptuar të gjitha këto, duhet të gërmojmë më thellë në mënyrë që të dallojmë më qartë mes faljes, selicha/mechila në hebraisht dhe shlyerjes/kapara, po në hebraisht. Të dyja këto koncepte përbëjnë një gjendje afrimi dhe ribashkimi që pason një ndarje të mëparshme. Megjithatë ekziston një çështje e etiketimit e cila dallon midis dy termave.

Njeriu mund të falet, por ende mund të mbartë mbi vete një distancë të caktuar si ndaj vetes ashtu edhe ndaj të tjerëve, që mbetet. Në rrënjën e saj, כּפּר/kapar tregon pastrim. Kapara në kuptimin e saj përfundimtar do të thotë se, dikush nuk është justifikuar vetëm për veprimet e saj/tij të së kaluarës, por është pastruar plotësisht prej tyre, në mënyrë që asnjë mbetje apo të meta të tyre të vazhdojnë të ekzistojnë.

Dallimi mund të shpjegohet me alegorinë e kësaj rrëfenje, të një mbreti dhe një prej ministrave të tij të besuar. Ministri ka shkelur një ligj të mbretërisë prandaj ka ngjallur zemërimin e mbretit. I frikësuar nga ndëshkimi ministri kërkon falje të mbretit dhe me sukses arrin ta bindë mbretin se, keqardhja e tij është e vërtetë dhe se nuk do të ketë më shkelje. Mbreti e fal dhe e rikthen në postin e tij. Megjithatë, herën tjetër kur duhet të bëhet një punë e rëndësishme, mbreti ngurron t’ia caktojë këtij ministri. Ai e njeh të kaluarën e tij. Në një rast të tillë, falja është falur dhe ministri nuk është subjekt i dënimit apo ndëshkimit. Megjithatë, marrëdhënia me mbretin mbetet me një distancë delikate. Kjo është selicha/mechila – falje.

Me kapara nga ana tjetër, nuk mbetet më në kujtesë cilido qoftë gabimi i ministrit. Nuk është thjesht se mbreti e fali me mëshirë. Përkundrazi, është sikur koha është kthyer mbrapsht në atë mënyrë sikur ngjarja të mos kishte ndodhur kurrë. Sikur kujtesa është fshirë dhe pse incidenti mund të ketë ndodhur. Marrëdhënia midis mbretit dhe ministrit të tij, pas këtij akti mbetet krejtësisht e pacënuar, dhe kështu kur lind mundësia tjetër për t’i shërbyer mbretit, ministrit i jepet nderi, detyra pa asnjë hezitim. Kjo është ajo që në fund të fundit do të thotë kapara – e shkuara është shfajësuar dhe pastruar tërësisht, dhe nuk mbetet asnjë faj.

Ky kapara /pastrim i plotë, është ajo që ndodh në Yom Kippur. Secili prej nesh është rikthyer në këtë ditë në një nivel pastërtie dhe pafajësie absolute. Nuk është thjesht se na falen keqbërjet e kaluara, por është sikur të mos kemi shkelur fare. Ne nuk jemi të pafajshëm sepse faji ynë është justifikuar ose falur, por sepse nuk ka asnjë faj që duhet të fshihet. Nuk është thjesht se na jepet një mundësi tjetër, por është sikur jemi një qenie krejtësisht e re, e ndryshme, që kurrë nuk dështoi apo gaboi fillimisht.

Si realizohet ky rishkrim i historisë sonë vetjake? Dhe pse ndodh në mënyrë specifike në Yom Kippur? Në këtë ditë, dhe vetëm këtë ditë, na mundësohet të qasemi në nivelin e pestë dhe më të lartë të shpirtit tonë, i cili quhet Yechida. Yechida do të thotë unik, dhe përfaqëson një nivel që është plotësisht i unifikuar me unitetin përfundimtar të Zotit. Pjesën tjetër të vitit, njëshmëria jonë me Zotin është fshehur në mënyrë që të vazhdojmë të funksionojmë si entitete të pavarura. Megjithatë në Yom Kippur zbulohet se ne jemi vërtet përtej botës. Vetë natyra e universit transformohet kur thelbi dhe bërthama e tij ekspozohet. Në atë përvojë të zbulimit primordial, gjithçka sipërfaqësore zhduket. Është sikur Krijimi të ketë rënë në kontakt me një dritë aq të nxehtë dhe aq të ndritshme, saqë menjëherë djeg çdo gjë që nuk është thelbësore dhe e pafundme vetvetiu.

Në Yom Kippur, kur burimi i gjithë dritës është në gjendje të rrezatojë lirshëm në Krijim, çdo kelipah/guackë është djegur larg dhe mbetet vetëm drita. Kështu rishkruhen historitë tona. Nuk është thjesht se rrobat dhe keqbërjet tona të ndyra anashkalohen apo edhe hidhen mënjanë. Përkundrazi, ato janë të konsumuara. Apo ndoshta më saktë, ato janë të nënkuptuara. Ajo që ne zbulojmë në Yom Kippur është se, edhe të metat nuk janë aspak të meta. Nuk mund të ketë asgjë që në fund të fundit e fsheh Zotin sepse edhe vetë vellimet e shenjta janë vetëm shtresa të Perëndisë me të cilat Ai e ka maskuar përkohësisht veten. Me këtë vetëdije, të gjitha të tjerat zhduken dhe vetëm Zoti mbetet. Kjo është e vërtetë at onement, dhe kjo është kapara/shpërblimi që Yom Kippur realizon.

Marre nga Pnei Hashem
Pergatitur nga Mimoza Erebara

ME SHUMË DASHURI SI SHENJT TEREZA- Nga Albert HABAZAJ

 

5 Shtatori është një datë e shenjtëruar, sikurse për gjithë globin, veçmas për kombin shqiptar, sepse është Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës, si shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë është dhe dëshmitare e paharrueshme e dashurisë për njerëzit në nevojë. Shenjt Tereza, si Kryemisionare e Mirësisë, është një burim i pashtershëm frymëzimi edhe për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që, si pjesë e së tërës dritërore të Institucioneve të Arsimit të Lartë Shqiptar, nga lartësia modeste e 30 vjetëve jetë, është përkushtuar me ndershmëri profesionale dhe dashuri humane në shërbim arsimor universitar cilësor e bashkëkohor.
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha – na kujton Nëna e Botës, Shenjt Tereza – Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Mesazhi i saj me dritë: “Çfarë e bën llambën të ndriçojë? Konsumimi i vazhdueshëm i pikave të vogla të vajit. Nëse këto pika do të vinë duke munguar, nuk do të ketë më dritë” është testament shpirtëror edhe për pedagogët, stafin dhe studiuesit e UNIVLORËS në funksion të edukimit universitar dhe qytetar të studentëve tanë, dhe këtë e kemi treguar dhe përditë e tregojmë pa u dukur edhe me faktin se diploma e Universitetit tonë ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.
Nderim Shenjtores sonë, që ndezi yjet e shpirtit, gjakut, mendimit dhe veprimit të Saj për një botë më të mirë në paqe e harmoni!
Një këngëz të vogël kam thurur për Shenjtoren, të cilën e këndojnë me zë kumbues, hijshëm, me aq ëmbëlsi e dashuri Ansambli Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” Vlorë:

Për Shenjtoren Nënë Tereza
Këngën si zjarrin e ndeza.

Të ngrohtë si shpirt i saj
Të përhapet skaj më skaj.

Anjez’ Gonxhe Bojaxhiu
Shenjtore me frymë njeriu.

Shën Tereza, Nënë e Botës
Shqiponjë mbi malet e borës.

VLONJATI MBJELL LULE SHQIPE- Akademikut Shaban Demiraj- Nga Albert HABAZAJ 

Gjuha shqipe, mjalt’ e ëmbël,
Gjuhë e Mëmëzonjës sime,
S’ka në bot’ si gjuh’ e nënës,
Të kënaq er’ trëndeline.
.
Rron ajo, që rrojme ne;
Naime të tjer’ pat fat,
Djem që për të bëjnë be,
Midis tyre një vlonjat.
.
Burr’ që vë një gur për kombin,
Shok me djalë të Petro Ninit,
Për këtë gjuhë të ekzistences
Sa Çika – pesh’ e mendimit.
.
Vlora korife ka lindur
Që matet me korifej
Me nj’ Aleksandër Xhuvan,
Me një Eqerem Çabej.
.
Mbolli, mbolli lule shqipe,
Arom’ ilirike mbushur,
Ky det me vullnet Balzaku,
Në Panteon është futur.
.
Do të mbjell’ sa të ket’ frymë
Të tilla lule me vlerë,
Se prapa tij do të vinë
Shaban Demiraj të tjerë.
.
L’Aquila, Itali, 14,02.2000
.
[Botuar në vëllimin tim poetik “Mërgata e luleve”, Tiranë, Globus R, 2006, f. 103].

Send this to a friend