TIRANË- Një ditë pas shkarkimit të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, pjesë e LSI, kryetari i kësaj force politike Ilir Meta mblodhi gazetarët në një bashkëbisedim, dhe i dha një përgjigje aleatit të tij, Edi Rama kur tha se Ilir Meta nuk ka frikë.
“Ilir Meta në 2008-2009 dhe LSI edhe pse forca shumë të reja, kur dy kolegët e mi u bashkuan Rama dhe Berisha, për të bërë ndryshimet kushtetuese që synonin eliminimin e LSI. Ilir Meta nuk u dorëzua ndaj dy partive, jo vetëm kaq por u bë edhe faktor stabiliteti që Shqipëria të ecte para. Ilir Meta nuk dorëzohet para asnjë presioni, as nga Rama, as nga Berisha nga Basha jo e jo, as edhe nga vetë LSI”, tha ai.
A i beson Meta “faktet” e Manjanit
Sa i takon largimit nga detyra të ministrit Manjani mendoj se ka folur shumë LSI për këtë çështje. Ka folur një herë Erisa Xhixho në 12:30 në mënyrë shumë të qartë, dhe pas konferencës për shtyp të ministrit të liruar nga detyra, më duket se ka folur shumë qartë Luan Rama. Unë besoj se është e domosdoshme për të gjithë ne që të përqendrohemi tek problemet më të rëndësishme që ka vendi, te problemet që kërkojnë zgjidhje, dhe të gjithë së bashku të hedhim sa më pak shashka. Se njerëzit janë të lodhur nga kjo. Çdo zyrtar shqiptar që ka fakte për implikimin e çdokujt me krimin, duhet të ndjekë rrugën e drejtësisë. Kam qenë dhe jam për rrugën institucionale, aq më tepër kur secili prej nesh përfaqëson një institucion qeveritar, publik, e politik. Përndryshe vendi do të vazhdojë edhe 26 vite të tjera me retorika akuzuese, e shfajësuese, duke mos e konsoliduar shtetin ligjor, e duke mos patur nivelin e duhur të ndëshkueshmërisë. Ky është vizioni i LSI, kush del jashtë këtij mesazhi institucional, parimor, konstruktiv, padyshim që ka përgjegjësinë e tij.
Meta justifikon Lefter Kokën
Fryma e bashkëpunimit të koalicionit nuk është lajm për ju, dhe kjo nuk është shumë e mirëpritur as nga opozita. Deklarata e çdo politikani është e drejtë e tyre. Pavarësisht nga problemet që kanë partitë tona sa i takon nivelit të brendshëm politik, unë nuk mendoj se Koka ka patur arsye për të ngritur disa shqetësime, të cilat me sa më informoi i ka ngritur edhe më parë në rrugë institucionale. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje pozitive për problemet, dhe që i shërben jo thjesht çështjeve të mbarëvajtjes së një koalicioni, por edhe ecurisë në vend. Sa i takon mbarëvajtjes së koalicionit, ju them se probleme ka edhe brenda një force politike.
Reformat
Kryetari i Kuvendit, deklaroi ndër të tjera se vendi ka nevojë për të çuar përpara procesin e reformave, ndërsa çështjet që lidhen me krimin dhe korrupsionin duhet të ndjekin rrugën e drejtësisë.
“Çdo ministër, ish-ministër kur ka fakte duhet të ndjekë rrugën institucionale. Mjaft me shashka. Tymi e bën të pamundur çdo gjë. Jam për rrugën institucionale në luftimin e fenomeneve negative. Qytetarët janë të lodhur nga retorikat shfajësuese te politikës. Kush del jashtë këtij mesazhi institucional parimor ka përgjegjësinë e tij”, tha Meta.
Më tej, lideri i LSI veçoi rëndësinë e reformës zgjedhore që është çështja më shqetësuese dhe më alarmante e cila, sipas tij, duhej mbyllur me kohë. “Çështja e zgjedhjeve është serioze, nuk pret më, ne jemi të gatshëm në çdo ditë dhe natë, të mbyllemi diku dhe tu japim zgjidhje përfundimisht rekomandimeve të OSBE-ODIHR për çdo kërkese realiste. Vazhdimi transparent i kësaj reforme dhe krijimit të institucioneve të reja larg çdo ndikimi jotransparent, klientelist, besueshmëri”, apeloi kryeparlamentari.
Gjithashtu, Meta solli në vemëndje miratimin e 27 ligjeve të tjera në mënyrë që te mos vendosemi në mënyrë të papritur përpara situatave spontane. “Njëkohësisht dekriminalizimi është jetik për zgjedhjet. Për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të 18 qershorit. Njëkohësisht ekonomia, jemi në marrëdhënie me FMN, është e rëndësishme qëndrueshmëria e ekonomisë sonë, përmirësimi i klimës së biznesit dhe rritjes së punësimit”, tha ai.
Ilir Meta deklaroi sot se LSI nuk do të jetë shtojcë e asnjë force politike në zgjedhjet e ardhshme, por forcë që i shërben stabilitetit dhe integrimit të vendit, ndërsa paralajmëroi aleatin e tij Rama se do të priste datën 19 qershor për koalicionin në zgjedhje. Sipas tij, nëse PS merr 71 mandate LSI del në opozitë.
“Do ju them të gjitha sorrave anti LSI se kjo parti nuk është parti klienteliste. Nëse PD në 2009 do kishte 72 mandate LSI nuk do kishte hyrë në koalicion. Nëse Rama konfirmon 71 mandate, LSI del në opozitë që tani. Nëse në 19 qershor, Rama dhe Basha konfirmojnë 71 mandate LSI do jetë në opozitë. Do votojmë gjithmonë çdo ligj që e kërkon integrim evropian”.
I pyetur nëse me këtë nënkuptonte se po pret rezultatin e zgjedhjeve, Meta tha: “Unë nuk thashë atë. Atë e përcakton LSI-ja për koalicionin. Unë dhashë një përgjigje të qartë për çdo gazetar dhe çdo ngatërrestar. LSI ka përgjegjësitë e saj mbi Shqipërinë dhe kërkon t’i mbajë ato. Ne duam përmirësimin e qeverisjes së vendit. LSI nuk është, nuk ka qenë dhe s’do të jetë shtojcë e ndonjë partie politike që i ka 71 vota, apo mazhorance. Ne nuk marrim përgjegjësi, që për një debat të caktuar, apo mosmarrëveshje, ta çojmë vendin në një vakum qeverisjeje. Nëse dikush tjetër merr përsipër qeverisjen e vendit pa LSI-në, është i lutur të vazhdojë, ne do të japim votat tona për ligjet e nevojshme për integrimin e vendit”.
Meta u ndal dhe tek koalicioni aktual me PS, duke theksuar se LSI po zbaton pikë për pikë marrëveshjen e 1 prillit.
“Fryma e bashkëpunimit të koalicionit nuk është lajm për ju, dhe kjo nuk është shumë e mirëpritur as nga opozita. Deklarata e çdo politikani është e drejtë e tyre. Pavarësisht nga problemet që kanë partitë tona sa i takon nivelit të brendshëm politik, unë nuk mendoj se Koka nuk ka patur arsye për të ngritur disa shqetësime, të cilat me sa më informoi i ka ngritur edhe më parë në rrugë institucionale. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje pozitive për problemet dhe që i shërben jo thjesht çështjeve të mbarëvajtjes së një koalicioni, por edhe ecurisë në vend. Sa i takon mbarëvajtjes së koalicionit, ju them se probleme ka edhe brenda një force politike.
Çështja e koalicionit me PS është çështje e një përgjegjësie që buron nga detyrimi ynë për koalicionin parazgjedhor, dhe për votat që kemi marrë në qershor 2013 për të bashkëqeverisur me PS në bazë të një marrëveshje dhe platforme, marrëveshja e Shkodrës e quaj unë, ju e quani e 1 prillit. LSI dhe Meta kanë qëndruar pikë për pikë, në gërmë dhe frymë të kësaj marrëveshje. Këtu ka patur raste kur përfaqësues të LSI nuk i kanë qëndruar kësaj marrëveshje, dhe në këtë rast LSI ka reflektuar.
Se çfarë koalicioni do të ndiqet i takon LSI. Kjo parti kërkon t’i përmbushë detyrimet me përgjegjshmëri maksimale, pa qenë e bindur se është një forcë perfekte, por e angazhuar për t’u përmirësuar, dhe për të zbatuar angazhimet e saj.
LSI nuk ka qenë dhe nuk do të jetë shtojcë e asnjë force politike, që i ka 71 vota. Për një mospajtim të caktuar, për një debat të caktuar. ne nuk mund të marrim përgjegjësinë të çojmë vendin në një vakum qeverisje legjitimiteti, dhe që mund të cënojë reformat dhe integrimin e vendit”, tha Meta.
Ju thatë se koalicionin do ta vendosin forumet e LSI, dhe po kështu thatë se po zbatoni marrëveshjen e Shkodrës. Por kjo marrëveshje parashikon bashkëpunim 8–vjeçar, si do veproni?
Besoj se në kohën e duhur forumet e LSI do të japin përgjigjet e duhura. Nuk duhet të kemi probleme në zgjedhjet e qershorit, se kjo do të thotë probleme me integrimin e vendit.
Kreu i LSI-së Ilir Meta, njëherësh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, është shprehur i vendosur për luftën kundër kanabisit në vend. Duke u shprehur se ky është një faktor shqetësues për vendin, Meta ka kërkuar angazhim maksimal të policisë, shërbimeve sekrete dhe të gjithë institucioneve përgjegjëse, që të luftohet në themel ky fenomen.
Meta tha se jo vetëm që “nuk duhet të shikohen më policë duke korrur kanabis”, por të mos lejohet fare mbjellja e tij.
“Policia dhe shërbimet sekrete nuk dua të shohim më policë duke korrur kanabis. Të gjithë institucionet të përfshihen për të parandaluar grupet kriminale për të sjellë farat e kanabisit. Aq më tepër që ky është një sezon që përkon me fushatën elektorale. Shteti duhet të tregojë forcën, dhe të bëjë këtë gjë, dhe të lërë deklaratat në televizione. Nuk duhet të vazhdohet me dënimin e hallexhinjve që punojnë në arat e kanabisit, por ata që e kontrollojnë këtë gjë. Mos të lejohet më kultivimi i kanabisit në vend”, tha Meta.
Një ditë më parë, në konferencën e mbajtur pas shkarkimit nga detyra e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani tha se denoncimi i situatës me kanabisin në vend, ishte një nga arsyet e përplasjes së tij me kryeministrin Edi Rama.
Kreu i LSI-së Ilir Meta tha se i vetmi shqetësim që zyrtarët amerikanë ngritën gjatë kohës që ai vizitoi Shtetet e Bashkuara, ishte mos arrestimi i bosit të drogës, Klement Balili.
“Para disa kohësh keni ndjekur një shqetësim të ambasadorit amerikan për mos arrestimin e tij, dhe njëkohësisht dhe pikëpytjet që ngriti për institucionet shqiptare që vënë në pikëpytjet edhe seriozitetin e politikës kundër krimit. Në vizitën time të fundit, në një takim në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, pata një bisedë me zyrtarët atje, ku mora fjalë të mira për reformën në drejtësi, të vetmin shqetësim ka pasur, më ka kërkuar, që të tërheq vëmendjen e autoriteteve ne vendin tonë për mos arrestimin e Balilit. Kjo është një çështje që nuk e ndihmon reputacionin tonë në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Pas 20 janarit kemi një partner të ri, Presidentin Trump i cili ka disa prioritete të qarta, që kërkon nga vendet e NATO-s të rrisin kapacitetin e tyre, si dhe forcimin e kufijve jo vetëm të vendit të tij në luftën kundër krimit e drogës. Kështu mendoj se kjo është rruga më e mirë që të nxjerrim mësime se si të bashkëpunojmë në të ardhmen,” tha ai.
Gjithashtu kreu i kuvendit tha se ishte një përkrahës i flaktë i Policisë së Shtetit, pavarësisht akuzave të disa anëtarëve të LSI-së se policia është palë me krimin.
“Lidhur me cështjen e policisë jam përkrahës i fortë i Policisë së Shtetit edhe kur ajo është sulmuar nga banditë mes bulevardit. Kam qenë mbrojtës i flaktë i policisë së shtetit dhe i kam dalë për zot gjithmonë në mbrojtjen e ligjit. Dhe do vazhdoj ti mbroj, sepse polici është kontakti i pari i shtetit që përballet me krimin. Ashtu sikurse jam i bindur që të gjithë ata që nuk e meritojnë unifromën duhet të ndëshkohen ashtu siç duhet të dënohen dhe zyrtarët,” tha Meta.
Komentet