Nuk është një grip i zakonshëm, por një virus që mund të kushtojë jetën nëse nuk ndërmerret menjëherë ndihma e nevojshme mjekësore, si edhe të kryhet vaksinimi.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, thotë se kemi të bëjmë me një virus që nuk ka qarkulluar në vendin tonë, ndaj duhet të tregohet kujdes, pasi te të gjithë të prekurit ekziston rreziku i përkeqësimit.
Bino, duke folur për Panorama, këshillon që të shmanget kontakti me njerëzit, të reduktohen orët e qëndrimit në ambiente të izoluara me njerëz, si edhe të kryhet vaksinimi, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet izolimi i virusit AH3.
Çfarë është ky virus?
Kemi të bëjmë me një virus që nuk ka qarkulluar në vendin tonë për një kohë të gjatë. Por deri më tani nuk kemi hasur në raste të rënda.
Sa rrezik paraqet?
Kemi epidemi me intensitet të lartë, por jo me peshë të rëndë shëndetësore. Rreziku varet nga grupmoshat që prek.
Si manifestohet, pra cilat janë shenjat që shfaq?
Manifestohet me temperaturë të lartë, dhimbje të forta muskulore, me dobësi, me sinozit, shenja bronshiti, vështirësi në frymëmarrje dhe deri në pneumoni. Nëse ka vështirësi në frymëmarrje, ne rekomandojmë menjëherë shtrimin në spital.
Këto shenja shfaqen edhe te fëmijët?
Po, janë të njëjtat. Deri më tani numri i fëmijëve të prekur ka qenë tejet i lartë, pasi epidemitë në këto grupmosha përhapen më lehtësisht në raport me kategoritë e tjera. Aktualisht jemi fokusuar te format e rënda për të kuptuar edhe peshën që ka ky virus.
Përveç përhapjes apo masivizimit në popullatë, a ka rrezik për jetën ky virus?
Po, është rreziku për jetën për 10 rastet që janë në reanimacione.
Po ata që preken nga gripi mund të arrijnë në këtë shkallë përkeqësimi?
Të gjitha rastet mund të përkeqësohen, ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm. Për këtë qëllim janë ndërmarrë edhe disa masa, siç ishte ndërprerja e mësimit në shkolla. Kjo për të kufizuar përhapjen e epidemisë, pasi fëmijët janë përçues. Kjo e minimizon përhapjen. Ndërkohë kemi shpërndarë edhe vaksina, rreth 64 mijë doza në të gjithë vendin, dhe po vijojmë të shpërndajmë akoma, sidomos për vaksinimin e njerëzve me probleme shëndetësore.
Për mbylljen e shkollave ka pasur skepticizëm, sepse në 5 ditë që ndërpritet mësimi, a mund të izolohet përhapja e virusit?
Këto teorira kanë dalë nga individë që nuk e njohin problemin. Qoftë edhe për një periudhë të shkurtër, sëmundje të tilla që janë virale, ku efekti i vaksinimit nuk është i menjëhershëm, ndërmerren masat e distancimit social. Masat e distancimit social përfshijnë edhe mbylljen e shkollave, pavarësisht për një kohë të shkurtër, ajo do të japë rezultat në reduktimin e përhapjes.
Ekziston mundësia që edhe javën tjetër shkollat të qëndrojnë të mbyllura?
Mbi bazën e të dhënave që do të kemi, nëse do të gjykohet e nevojshme, do të vijohet me vijimin e masave, ku përfshihet mbyllja e shkollave dhe aktiviteteve të tjera kulturore.
Të kthehemi te vaksinimi, a ka efekt tani te të prekurit?
Po, ka efekt. Vaksinimi mund të kryhet gjatë gjithë sezonit të gripit. Vaksinimi ka një rëndësi shumë të madhe në parandalimin e formave të rënda apo vdekjeve. Ne kemi nevojë për më shumë vaksina, por ne na mungon kultura e të vaksinuarit.
Sa vaksina janë kryer këtë vit?
Deri më tani janë vaksinuar gati 20 mijë persona. Kjo shifër është e ulët në raport me numrin e popullatës. Kryesisht janë personel shëndetësor. Ne deri më tani kemi shpërndarë 64 mijë doza të tjera.
Ju keni një përvojë të gjatë në këtë fushë, vitet e kaluara a jemi ndeshur me situata të tilla të ngjashme?
Natyrisht që ka pasur. Ka pasur tri vite më parë, por ajo që vihet re në këtë situatë është që epidemia ka arritur pikun shumë herët, pra gjatë muajit dhjetor, ndërkohë që më parë muajt me risk të lartë ishin janari dhe shkurti. Virusi AH3 nuk ka qarkulluar për një kohë të gjatë intensive në vendin tonë. Në bazë të të dhënave që ne kemi nga qendra europiane e sëmundjeve, kemi të bëjmë me një variant të këtij virusi, por që për fat të mirë, përkon me virusin që është i përfshirë në vaksinë.
Grupmoshat më të rriskuara cilat janë?
Deri më tani është shfaqur më shumë te fëmijët dhe moshat e reja. Por zakonisht preken edhe ata me probleme shëndetësore, ndaj duhet që ky grup të vaksinohet dhe të ketë kujdes. Duhet të shmanget kontakti me të tjerët, siç janë përqafimet apo puthjet. Të evitohet qëndrimi në ambiente të mbyllura me shumë njerëz. Po ashtu gjatë teshtimave apo kollitjes këshillohet që të mbahet shami.
Faktorët e riskut për përhapjen e këtij virusi cilët janë?
Ky virus nuk ka qarkulluar më parë. Natyrisht edhe temperaturat e ulëta kanë dhënë ndikim. Çdo vit ka qarkulluar më tepër ai që njihet si gripi i derrit. Këtë vit ka përhapje masive AH3, të cilin po përpiqemi që ta izolojmë. Ka edhe viroza të tjera respiratore për të cilat duhet treguar kujdes. Ne po shikojmë në grupmoshat nga 0 deri 1 vjeç edhe qarkullim të disa viruseve jo të gripit, si p.sh., RSV-ja, i cili shkakton sëmundje të rënda te fëmijët e vegjël.
Në çfarë përqindjeje qarkullon ky virus te fëmijët?
Jo në përqindje sa virusi i gripit, por është në qarkullim. Ndaj duhet pasur kujdes dhe duhet kërkuar ndihma e nevojshme shëndetësore.
Mund të themi që jemi në situatë alarmi?
Në fakt, drita e kuqe është ndezur, përderisa bëmë edhe mbylljen e shkollave.
Masa për parandalimin dhe kufizimin e gripit
Mjeti më i mirë për të parandaluar gripin është vaksinimi
Kur kolliteni, përdorni shami dhe hidheni menjëherë në koshin e mbeturinave
Larja e menjëhershme e duarve dhe sa më shpesh e tyre me ujë të rrjedhshëm dhe sapun ose pastrimi i tyre me alkool apo dizifektantë
Mënjanimi i prekjes së hundës, syve dhe gojës
Shmangni kontaktin e afërt me të tjerët
Përpiquni të qëndroni ngrohtë dhe të evitoni grumbullimet
Menaxhoni stresin, konsumoni sa më shumë lëngje frutash dhe ushqime të shëndetshme, si dhe përpiquni të jeni fizikisht aktivë
Mos neglizhoni asnjë shenjë. Në rast nevoje, drejtohuni në qendrat shëndetësore që ofrojnë shërbime dhe ditën e diel
Kategoritë që e përfitojnë falas vaksinën
Personat e moshuar mbi 60 vjeç
Personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, astma bronkiale, veshkat
Personat me sëmundjet tumorale
Personat obezë
Gratë shtatzëna
Personeli shëndetësor
Komentet