Filmi i parë amerikan që trajton temën e komunitetit shqiptar në Amerikë, së shpejti vjen edhe në Tiranë.
Pas premierës botërore, që pritet të shfaqet në “Fantasia Film Festival” në Montreal, Kanada, filmi “Cash Only” do të shfaqet edhe në rrjetin e kinemave “Imperial” në Tiranë. Këtë njoftim e jep aktori Herion Mustafaraj, i cili është një nga personazhet e këtij filmi. “Përkrah aktorit dhe skenaristit Nickola Shreli, edhe unë luaj në këtë produksion të Ele Bardha. Jam krenar që jam pjesë e këtij thriller-i të mrekullueshëm”, shkruan në faqen e tij në Facebook, Mustafaraj, i cili i uron fat filmit në shfaqjet e tij nëpër botë.
“Cash Only” është një film me regji të Malik Bader, skenar të Nickola Shrelit (Nikolla Shkrelit), një shqiptaro-amerikan i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një familje shqiptarësh emigrantë. Kamera futet në skutat më të errëta të jetës së një emigranti shqiptar në Detroit, i cili, në nevojë të dëshpëruar për para, përballë një banke që kërkon t’i marrë apartamentin, shkollimit të vajzës dhe borxheve të kumarit, shtie në dorë një sasi të madhe dollarësh që nuk janë të tijat.
Peripecitë seri në atë kohë nuk kishin qenë asgjë. Ai përballet me botën më të errët të krimit. Nickola Shreli interpreton rolin kryesor, atë të Elvis Martinit. Në film interpretojnë gjithashtu aktorët Stivi Paskoski, Danijela Stajnfeld, Malik Bader, Herion Mustafaraj, Christian Mathis etj. Filmi është realizuar në gjuhën shqipe dhe angleze.
Deri sot kemi parë filma të realizuar nga regjisorët shqiptarë, që flasin për emigracionin në Greqi, Itali apo Holandë, por tashmë na vjen një këndvështrim tjetër, nga vetë ata që e kanë jetuar emigracionin, jo më në Europë, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komentet