“Është një çmenduri e madhe të duash të jesh i mençur vetëm ti”/F. La Rushfuko
Në këtë botë, kush leu, mendjen e tij pëlqeu. Kur i bënë bashkë, provuan t’i ndërrojnë , secili zgjodhi po të tijën. Ka mëndje e mëndje. Disa nga të fundit, ku futen dhe budallenjtë, secili do medoemos të dalin në krye, që ta shohin të gjithë. Të tjerë, rrinë midis. Të mençurit rrinë në fund, që të shohin e të dëgjojnë të gjithë të tjerët. Në kohën me plot halle, për dreq, vetëm se shkruan në gazetë një mendim ndryshe, pa dashur, ramë në llagëmin e ndyrë të Idajetit, dhe na duhet shumë punë e kohë të pastrojmë veten e stërnxirë.
Këtej e matanë kufijve e njohin me tre identitete, pra me tre fytyra, apo tri maska: Idajet Beqiri, pagëzuar nga prindërit; Alban Kosova dhe Alban Vjosa (nuk di a ka të tjerë) kuptimplotë, të vetëzgjedhura e të vetëpagëzuar. S’jemi xhelozë pse s’kemi dhe ne, por natyrshëm lind pyetja ç’duhen tre identitete, a përdoren në të mirë të gjithëve (përfshi veten) apo si maska vetëm për interesa të tij, pse jo të dëmshme për të tjerët. Pohon, debati është shterpë. Dyshimi shtohet pikërisht se ky debat lindi për ngjarjen tragjike të vdekjes së ish-kryeministrit: qe vetëflijim, apo vrasje e tipit mafioz. Disa mbështesin vetëflijimin, që është dhe zyrtar deri më sot. Idajeti, pa asnjë fakt, provë e argument, jo vetëm insiston me të madhe për vrasje, nxehet, revoltohet dhe hidhet ndaj atyre me mendim ndryshe, siç thuhet rëndom nga jugu, “ u kanoset si Balua në zinxhir”. I dashuruar marrëzisht me bukurinë dhe intelektualizmin e tij, kalon në delir, në madhështi, hedh baltë, vrer e ndyrësira mbi replikuesit e mbi figura bashkëkohës të ish-kryeministrit, apo edhe familjarët e tyre, e kamufluar kjo me aktivitetin patriotik, për rivlerësim e figurës madhore të Mehmet Shehut. Këmbëngulja aq e paparë, siç e shpreh populli, “si kokë mushke” na bën t’i bëjmë gjyq vetes: Ku e ka hallin, që na sulmon, nga dashuria e nostalgjia për Mehmetin, për t’a ringritur se i është ngrënë haka, apo diku tjetër, e thënë ndryshe “ku fle lepuri”? A ka ndonjë interes e synim tjetër, i padukshëm, që në këto situata alarmante e delikate që kalojnë shqiptarët dhe Shqipëria, ai sokëllet, me yxhut e me gjithë frymën e mushkërive; të bëhet autopsia, të zbulohet krimi dhe kriminelët të ndëshkohen! Dakord. Kujt ia vë këtë detyrë! Ky është problem parësor sot? Ikën 35 vjet, nuk u çua asnjë fije më tej se versioni zyrtar. Ja, e zëmë se u zbulua enigma, ç’farë fitojnë shqiptarët në këtë mjerim të tejskajshëm. Pse nuk bërtet fort e më fort, në aq numra gazete, të zbulohen krimet e kriminelët e Gërdecit, 21 janarit, Rrugës së Kombit etj? Pse pikërisht në këto momente sposton vëmendjen nga ky problemi madhor për çlirimin aktual të Shqipërisë dhe shqiptarëve? Për ngjarjen, veç variantit zyrtar, një vlerësim e qëndrim që duket i çiltër, i thjeshtë dhe i besueshëm është ai i të birit, Skënderit, me figurë, zë dhe shkruar kohë më parë. Ai i qëndron versionit të parë, ku shton se ky variant ka më shumë fakte e prova dhe pak pyetje, kjo e mbështetur në tre momente bazë: gjendja e rënduar asfiksuese në Byronë Politike e tej saj; temperamenti impulsiv; dhe letra e shkruar. Vetë ai shprehet, se varianti i dytë, vrasja, ka dalë pas viteve ’90 kryesisht nga dëshmi të disa njerëzve, e sidomos të atyre dalë nga burgu. Shton që mbetet vetëm variant, por ka më shumë pyetje e pikëpyetje se sa i pari. Më tej deklaron se kur ishim në internim në Belsh, e pyetëm Mamanë, për përmbajtjen e letrës dhe se mos ajo ishte falsifikuar. Na tha po atë përmbajtje dhe pamundësinë e falsifikimit të saj. Varianti i dytë, kërkon fakte e prova, që deri tani s’ka, por ka të thëna e të shkruara andej këtej, pa u verifikuar e vërtetuar. Kaq! Askush nuk beson Idajetin se ai e do më shumë Mehmetin, sesa të bijtë. As që Idajeti është më i interesuar, dhe vetëm ai e ndonjë tjetër pas tij mund të ndriçojë e zbulojë misterin. Askush nuk mund të besojë se Idajeti është më i mençur dhe di më shumë e gjithçka për ngjarjen, se sa Skënderi e të tjerë! Po pse vepron kështu Idajeti, që del mbi gjithë të tjerët, s’sheh, s’dëgjon, s’arsyeton, pra sikurse thotë populli “ del bishti më i rëndë se sqepari”. Duket qartë, se Idajeti, pothuajse e ka “privatizuar” Mehmetin, dhe jashtë ideve, miteve e qëllimeve të tij, nuk qas askënd. Është në gjendje të bëjë gjithçka, për t’i mbyllur gojën e nxirë fytyrën, që të mos e trazojnë në veprimin e tij çudibërës për ndriçimin e ngjarjes! Ç’ marrëzi ! Mehmet Shehu është i të gjithë shqiptarëve, dhe jo vetëm i Idajetit. Më shumë se i Idajetit është i ushtarakëve, pra edhe i imi, për shkak se në 25 vjet si ushtarak, si gjithë të tjerët, përveç brumosjes me botëkuptimin, e mësimet e Enver Hoxhës, si figura e parë, absolute e kohës, Mehmeti ishte figura e dytë, i skalitur në mendjen, shpirtin e praktikën tonë, si gjenerali legjendar, strateg, organizator, drejtues, i rreptë për ngulitjen e kudo e tek të gjithë përkushtimin e lartë, rregullin e disiplinën e çeliktë në zbatimin e detyrave. Jo më kot, nën drejtimin e burrave të shtetit të kohës e personalisht të Enver Hoxhës, u krijua Akademia Ushtarake dhe mori emrin e merituar “Mehmet Shehu” , me një plejadë pedagogësh të shkëlqyer, ca që studiuan edhe jashtë, që përgatitën mijëra kuadro, përfshi dhe mua, që drejtuan me devocion të lartë formacione të mëdha ushtarake në vend. Mehmeti u nda nga jeta më 18 dhjetor 1981, por në fakt në veprimtarinë praktike të secilit kuadër, ashtu siç tek çdo njeri lë gjurmë çdo mësues, edhe ai la gjurmë tek ne, na udhëhiqte në çdo veprim praktik. Është kjo arsyeja , nga këto kuadro që u hodhën në rrugë pas viteve ‘90, gjasme për reformë në ushtri, e dorëzuan ushtrinë si nuse të bukur, ku nuk mungonte as filli e as gjilpëra. Dhe ja sot, nga lartësia e 27 viteve, kush na thotë gjendjen e saj, ku janë armatimi, municioni dhe tërë ai arsenal tankesh, raketash, avionësh, anijesh, nëndetësesh, artileri e lehtë dhe e rëndë, ku janë tërë ato rezerva,që kishim për afro 10 vjet luftë. A ka ndonjë njeri të bëjë sot këtë bilanc! Të kuptohemi, ne vlerësojmë kontributin brilant të Mehmet Shehut në vite, por nuk mund të mos kritikojmë e të dënojmë veprimet kriminale, aq sa janë, në tërë kohën. Pikërisht zbardhja e enigmës, nuk ka vetëm si qëllim rehabilitimin e Mehmetit dhe dënimin e vrasësve të tij nëse ka, por nxjerrjen e saktë, të plotë e të gjithanshme të figurës madhore e tejet kontradiktore, meritat e padiskutueshme, por dhe të këqijat, me ekstremizmin e theksuar, që ka shuar jetë njerëzish, sidomos të atyre pa faj. Zbardhja e misterit të vdekjes së tij, kryesisht prej Idajetit, ngjan fiks si dënim-detyra e Sizifit, pra, ai kurrë nuk mund ta çojë Gurin që rrokullis në majën e malit. Mehmeti është shkëmb, që edhe përpjekja më e vogël e Idajetit për ta lëvizur, do ta zërë nënvete dhe do shtypet si një këpushë. Ta harrojë Idajeti, se e ka kollaj të merret vetëm me Mehmetin, jo vetëm për nga dëshira, por nga aftësia e tij e kufizuar, dhe për më tepër nga mundësitë shumë të kufizuara që nuk varen prej tij, lidhur me gjetjen e burimeve arkivore të deklasifikuara brenda e sidomos jashtë vendit, për fakte e provave që të çojnë tek e vërteta. Po Idajeti, nga deliri i madhështisë, i është bërë top mëndja, nuk nxë më tej, s’ sheh e s’dëgjon më tjetër njeri. Dhe ne, duke mos e ditur këtë gjendje, shprehemi haptas se kemi gabuar shumë, paskemi humbur edhe ne logjiken që merremi me të, në këtë gjendje mendore e veprimi. I hapim rrugë, të vazhdojë në ëndrrën delirante.
Nuk e njoh Idajetin. Si shumë të tjerë, së largu, e kam admiruar për një farë kurajo e trajtimin përgjithësisht drejtë të problemeve në kohë, ç’ka më krijoi përshtypje të mirë në formimin e tij kulturor. Ndaj jo më kot është zgjedhur kryetar jo vetëm i partisë që udhëheq, por dhe i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, në mos gaboj! Por në këto 27 vite, mësuam shumë, se jo gjithmonë këta kryetarët, e partive apo të kudondodhur, sidomos në sistemin e drejtësisë, janë vërtet kryemëndja, kryesjellja dhe kryeveprimi model i ligjshmërisë e normave morale të shoqërisë. Madje shumica janë e kundërta. Në shkrimet e stërgjata kilometrike të Idajetit, sipas skanerit të rradakes time, figura e tij më del me ca hije “në mushkëri”. Nuk e di në është vërtet “ i sëmurë “ apo skaneri im gabon. Vras mendjen e s’e gjej dot se ç’interes ka Idajeti që bën gjithë këtë zamallahi ,ose më saktë të grindemi “ Për mustaqet e Çelos” në se ishte vrasje apo vetëvrasje! Krahas fjalëve të mira është folur dhe keq, që s’i kam marrë në konsideratë. Por duke bërë analogji me këta udhëheqësit, politikanë, me lidhje të shumëfishta, m’u kujtua se edhe në drejtim të tij janë shfaqur dyshime për veprimet këtej e matanë kufirit.
Shkrova qartë, me imtësi se është e pasaktë, pretendimi se Kadriu ndërtoi alibi për qenien e tij në ditëlindje, pasi ishte fakt që në Laprakë unë festova 35-vjetorin, ku ishte edhe ai. Kjo theksova përbën shpifje dhe e dënueshme nga ligji. Duket kjo “i dogji” avokatit, por nuk tërhiqet nga e tij: Mbase Ismet Isufi ka të drejtë për lapsusin me Elin, sekretaren.” Mbase?! Pse “mbase”! Del fare zbuluar paaftësia intelektuale e profesionale , se kjo nuk është kurrsesi lapsus, po justifikim i tij, dhe sipas thënies së lashtë: “Kush kërkon të shfajësohet, akuzon vetveten!”Pra,kjo përbën akuzë për avokatin me fat. Lapsus, (latin), do të thotë “gabim”,- i pavullnetshëm në shkrim a në të folur (“më shkau goja”).Nuk kemi lapsus, gabim në emër, në fjalë, që s’u bë hataja, pa pasoja, por termi “alibi”, që përbën një trillim, gënjeshtër, përmbledh ca elementë, të vendit, kohës, njerëzve që janë tërësisht të ndryshme, dhe që lidhen me një krim dhe jo me një gabim emri, a vendi. Fjalori Shqip, sidomos” WIKIPEDIA”, shpjegon se “alibi”(latini do të thotë “diku tjetër”, pra është një gënjeshtër, trillim, si formë e mbrojtjes e përdorur në procedurën penale, ku vërehen përpjekjet e të akuzuarit, se ai ose ajo, ishte në një vend tjetër dhe jo aty kur dhe ku është kryer një vepër penale me pasojë vdekjen, dhe që kjo shërben si premisë e gjykimit se i pandehuri është vërtetë i pafajshëm. Pra, ne akuzohemi si bashkëpunëtorë të “alibisë” të krijuar nga Kadriu, që fshehim një vrasje. Kjo është vepër e rëndë penale dhe jo lapsus, si gabim pa dashje, jo qëllimkeq! Avokati duhet ta dijë se “alibia” trillohet vetëm me dëshirë e vullnet, me qëllim e synim: mbulimin e krimit. Ky ndryshim midis “lapsus” dhe “alibi” është tepër esencial, jo i vogël, ndaj reagova në shkrim. Praktika botërore, alibinë, nga kushdo që krijohet, si nga i akuzuari, apo akuzuesi, e shikon si të dëmshme ndaj nuk para besohet, pasi ajo ka pasoja negative për gjykim, nëse përdoret nga gjyqtarët si provë: ose liron kriminelin, e shpall të pafajshëm; ose ekzekuton padrejtësisht tjetrin, pa kryer krim. Se kush e krijoi “alibinë”, akuzuesi apo i akuzuari, për të hedhur dritë mbi enigmën, me gjithë këtë yrysh që ke, o Idajet, gjeje, bazoje në fakte e prova e thuaja publikut! Mos hezito, tym e flakë të bëhet Shqipëria e të përvëlohen të gjithë, edhe unë nëse jam përfshirë sa maja e thoit, po me kusht: Ruaju nga flaka, të shpëtosh, për të mirën e Partisë, që udhëheq kombin e forcon unitetin.
Pyetjet e tua: “ Po Ne themi se në cilën orë, shkoi dhe ku ishte para se të shkonte në ditë lindje? Mbas ditëlindjes ku shkoi? – quhen pyetje të verbra, ose budallaqe, sepse mbeten pa përgjigje. A pyetet i verbri : Ç’shikon në rrugë?! “ Edhe filozofi më i zgjuar e ka të vështirë t’u përgjigjet pyetjeve budallaqe” thotë K.Silva . Sipas silogjizmës të tilla pyetje, i bëjnë budallenjtë. Si ta besojmë që Idajeti është i tillë, apo bën si i tillë! Unë nuk i jap dot përgjigje pyetjes budallaqe, kur isha në shtëpinë time në Laprakë, dhe s’di ku ishte, ku shkoi Kadriu para se të vijë tek unë? A je normal apo jo, o avokat! Po as profeti, as Kasandra, as fallxhoret nuk e gjejnë dot!
Lind pyetja: Me ç’tagër na kërkon hollësisht të të përgjigjemi ty, me ata pas teje, cilësuar “Ne”? Ç’organ ligjor shtetëror a privat, përfaqësoni “Ne”, që unë apo dhe të tjerë të biem barkas, dhe njësh kolonë të rrëfehemi, si në kishë, kemi bërë mëkate apo jo! Ja pra sa e pështirë, provokative është e dënueshme është “kërkesa“ ultimative e jotja. Po cili shqiptar shikon e shënon orën kur i vjen miku në shtëpi, që t’ thotë të saktë atë pas një viti e më tepër? Asnjë! Se kur erdhi e se kur iku, nuk jam aspak i detyruar të të përgjigjem ty. E dinë organet, deponuar nga 4 dëshmitarë. Nëse ke qëllim tjetër, dil haptazi. Krimi ndodhi në Bllok e nuk ka lidhje fare me ne në Laprakë. Po, pse me këtë “logjikë” do ta ndriçosh enigmën, o avokati “patriot”?!
Tjetër pyetje budallaqe: ku shkoi pasi iku nga ti? Zoti Kryehetues në hije, unë nuk e di, se nuk isha as me të, e as pas tij! Cili mban përgjegjësi, që kur të ikën miku nga shtëpia, të dish ku shkon a ku nuk shkon, dhe këtë të na e thotë pas një viti, me saktësi?! A nuk janë këto jo për të qeshur, por për të ulëritur si trajtohet ngjarja tragjike, në mënyrë kaq foshnjore, nga “NE” në hije, kryesuar nga ky Avokat, që merr pozat e hetuesit gangster e persekutor, që kërkon të na vërë në rresht pa një, pa dy e të deklarojmë çfarë, ku, sa e si do ai! Kaq të paditur e injorantë, e frikacakë na bën ne, o njeri! Pika që s’të bie! Mjerë ne, për këta avokatë! Keq unë për dy ditë për papastërtitë që na vërvit! Po mjerë ti, për gjithë jetën me mendjen që ke në kokë e të gris supet!
E bën veten të rëndësishëm, që të më trembë e frikësojë kur thotë: “ Mos harro, kam qenë dëshmitar okular në sallën e gjyqit, kur dëshmove”. E pastaj! Ç’hyn kjo tek zbulimi i enigmës? Aq mendim foshnjor është ky, sa dhe ti harron se dhe ai që ish në bark të nënës atëherë sot është 35 vjeç, dhe është njëlloj dëshmitar okular i atij gjyqi, madje më i mirë se ti, se gjyqi ka dalë në Pazar, është filmuar, incizuar, botuar! Pra, kjo nuk përbën asgjë, që i vlen e enigmës së vrasjes! Kaluan 35 vjet, e meqë e ke për zemër, duhet të na kishe thënë diçka të re, që s’është dëgjuar në gjyq, e shkruar në shtyp. Deri tani s’ke thënë asgjë, ka mbetur aty ku ishte, o i madhi hetues!
Gjeti gozhdë të varë xhupin e zi, kur pohon, se nuk thashë “i pandehur”, por ”armik” Kadriu! Po,i thashë! E pastaj?! Është ligësi ta lakosh e zgjedhosh! Kjo nuk vërteton vrasjen! Ajo po, që është lapsus, dhe nuk ndikoi tek gjykata, as u kundërshtua nga i pandehuri, si në rastet kur nuk qe dakord. Kjo provon qartë faktin se ti nuk ke asnjë argument. Është veprim foshnjor të kërkosh e kapesh pas cikërrimave, pa lidhje e vlerë, për mision gjasme të ”zbulimit” të misterit.
E rëndë dhe shumë e neveritshme është fyerja që i bëhet çdo njeriu, kur aludohet në mënyrën më të paskrupullt dhe vihet në dyshim ndershmëria e tij apo e familjareve. Duket se pandershmërinë o zemërlig, e ke në gjak, që fut hundët, për çështje personale e familjare. Mbase je mësuar me të tjerë, ngaqë nuk je pjekur në hundëlesh. Kjo s’është gjë e vogël, dhe as që mund ta kalosh lehtë. Për të të hequr maskën, e të ndalë açik pafytyrësia jote, anormale e amorale, s’është sekret, ta bëj publik se të pranishëm ishin 17 vetë, prej tyre 10 nga familjarët, ardhur nga 6 rrethe, midis tyre 5 të ministrisë, nga dy oficerët që njëri është bashkëfshatar e kushëriri im dhe tjetri kushëriri i parë i gruas nga babai, njëheraz bashkëfshatar e kushëri i dytë edhe me baxhanakun i pranishëm aty! Mos duhet të biem ty (“ne”) o kryehetuesi i pafytyrë i skutave, dhe certifikatat për të vërtetuar lidhjet familjare? E kupton deri ku ka rënë djallëzia dhe marrëzia jote apo juve,“Ne” në hije, ilegalë, që nuk e dimë ç’mision keni e kush u paguan! Ky është një turp i pashoq yti, që nuk i shkojnë asaj figure, gjasme si politikan, udhëheqës, intelektual, kalorës i patriotizmit e unitetit. Në fakt ato janë pasqyrë e qartë e pafytyrësisë tënde reale, e tërë qenies tënde, kokë e këmbë, tregon se cili je, i fshehur e i maskuar deri më sot. Është në të mirën tënde dhe të familjes që ,siç e ka krijuar natyra, mbaje gjuhën brenda dhëmbëve! Mos fol e shkruaj marrëzira, që cenojnë të tjerët, sjellje e veprime këto njëlloj si horrave të skutave të errësirës!
E thellon marrëzinë tënde të paparë, gjasme si fakt, si zbulim të shekullit, si kyçin e zgjidhjes së enigmës, kur përmend absurdin; ka pirë raki, ka fjetur gjumë, dhe ka lënë të tjerët të bëjnë qejf pa të zotin e shtëpisë! Të pyes publikisht: A ke nënë, motër, grua, vajzë, a ke gjak apo ujë, dhe mos të ka krisur delli i ballit e të ka plasur cipa, që aludon kështu?! Pyeti një çikë, a u vjen mirë atyre dhe ty, të bëj reciprokisht pyetje e vë në dyshim ndershmërinë e tyre? O mavriu Idajet! S’është turp të pish raki e të dehesh në gëzime në shtëpi, jo gjetke. Në të tilla sebepe, kudo, është zakon i vjetër, që për humor xungurrisin me pije sebepçiun. Lezet i daveteve i ka këto: t’a bëjnë “kurban”. Piva e u deha në shtëpinë time, me njerëzit e mi, e jo me të botës! Turpi të mbuloftë, siç ke shpirtin, që shkruan e bën aludime, si një anormal. Po Ti, ku ishe pas derës, në banjë, me sy në vrimën e çelësit, apo poshtë krevatit?! Ç’mendon se ata të ministrisë, në qofshin me synime të liga, i dehën, qorruan, e vunë në gjumë dhe 9 familjarët e mi! Kot që lodhem të shkruaj, se ti nuk ke asnjë pikë gjak njeriu, ti as skuqesh e as zverdhësh. Qe një fatkeqësi e madhe e jona që u pleksëm e ramë në llagëmin tënd me pëgëra kokë e këmbë, e na ndyve.
Për misionin tepër të dyshimte për zbardhjen e misterit të vdekjes tragjike, ne apo të tjerë, nuk jemi kundërshtarë as të Mehmetit e as të Idajetit,por kemi mendim ndryshe. Nëse ai ka interesa, të fshehta, në kundërshtim me interesat që shprehim ne për figurën e Mehmet Shehut, me të mirat e të këqijat, atëherë jemi kundërshtarë. Mehmet Shehu, duam apo nuk duam, është figurë madhore historike. Dhe 35 vjetori i vdekjes, përjashtuar prurjet për veprimtarinë letrare, aq mbresëlënëse, që solli gazetari Xhevdet Shehu, asgjë më tepër s’kish nga e kaluara. Kurrsesi nuk mund të trajtohet me një fjali:ishte kryeministri më jetëgjatë dhe më i suksesshëm, dhe të merremi aq gjatë, me eksese, e cic -mice, debat pa bereqet, vetëm me çastin e fundit të jetës, qe ashtu apo kështu, ndërkohë që në këto 35 vjet nuk është çuar asnjë fije floku më tej, që të kundërshtojë versionin zyrtar të kohës. Duam apo s’duam, ka nostalgji a urrejtje, figura madhore si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Sejfulla Malshova, Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Manush Myftiu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, e shumë të tjerë dhe po kështu nga ana tjetër, si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, Abaz Kupi, dhe të tjerë dhe nuk mund të trajtohen nga amatorë, por vetëm nga profesionistë, kryesisht akademikë të shumë fushave, veçse përherë me paanshmëri, me gjykim të shëndoshë, me të gjitha të mirat e të këqijat.” Nuk ka madhështi, atje ku nuk ka të vërtetë”- ka thënë G.Lessing. Mehmet Shehu, duke qenë në figurë tejet kontradiktore, krahas meritave të padiskutueshme në mbarëvajtjen e shtetit, lipset edhe zbardhja e mistereve të jetës e veprimtarisë së tij. Vdekja, nëse qe vetëvrasje a vrasje e tipit mafioz,nuk është i vetmi mister që ai dhe të tjerët morën me vete në varr, pasi ka edhe të tjera për të cilat duhen studime si: -Ka qenë agjent apo poliagjent, siç u deklarua pas vdekjes? -A kishte realisht plan për të varë apo helmuar Enver Hoxhën, me synim që të ish pasardhësi i tij për ndryshimin e regjimit në drejtim pro perëndimor? – A ka patur ndikim në eliminimin e shumë figurave të sistemit diktatorial të pasluftës dhe si e zuri vendin e Koci Xoxes?-A ka dorë e përgjegjësi në ekzekutimin e shokëve të tij, të quajtur grupe armiqësore në ekonomi dhe në ushtri?-A ka vepruar si tradhtar, në dëm të interesave të popullit dhe Atdheut të tij? etj.
Në mbyllje, për herë të fundit Idajetit trimit dhe atyre, në hije, pas tij:1) Nuk u heq e as nuk shtoj asnjë presje,sikur njëmijë herë të më pyesin, për deponimet e bëra, sepse ashtu është e vërteta, e kam patur dhe e kam ndërgjegjen të pastër. “ E vërteta e ka zemrën të qetë!” -ka thënë U. Shekspir. Kadriu, u pyet: A ke pyetje apo kundërshti? Ai u përgjigj: Jo ! Është përpjekje e ligë dhe e dështuar që të nxjerrësh nga unë, ku s’ka, ndonjë “fakt” a “provë”që “të ndriçosh” misterin!
2) Mehmet Shehu nuk ngrihet nga varri! Po t’u fandaks në gjumë, qoftë larg, uroj mospushoftë zemra jote. Ta dijë Mehmeti se ti, që ke qenë edhe në burg, apo të dijë integritetin intelektual, profesional e moral, që hiqesh si kalorës i patriotizmit e unitetit nga ana tjetër fyen, shpërfill, denigron deri figura madhore të kombit, që në emër “të mbrojtjes” së Tij, të zbërthesh copë e çikë brendinë e sistemit komunist, të kryesuar nga Enver Hoxha, si numri 1 absolut dhe Mehmeti, si numri 2, po ashtu, për zbulimin e krimeve dhe ndëshkimin kriminelëve, në emër “të ndriçimit” 18 dhjetorit 1981,- do të shtypte me këmbë si tartabiq. Ta dijë Mehmeti se si flet e sillesh ti, o Idajet, pa kurrfarë freri, duke shkelur rëndë çdo kod etik moral e ligjor, sikur të ishe rrugaçi më ordiner në Shqipëri e më tej,- do të varte për gjuhe.
Sinqerisht të uroj: U kthefsh në udhën e Zotit, në normat më të shëndosha morale njerëzore!/DITA
Komentet