Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi Lika, në një mesazh për punonjësit e shërbimit inteligjent me rastin e festave të fundvitit, ka informuar vartësit e tij për qëllimin e vizitës në Tiranë të drejtorit të CIA-s, John O. Brennan.
Burime pranë Shërbimit Inteligjent bënë të ditur se CIA ka shprehur si shqetësim shtimin e prezencës së Rusisë dhe shërbimeve të saj të spiunazhit në Ballkan.
Drejtori i CIA-s, John O. Brennan, ka falënderuar SHISH-in për punën që ka bërë deri tani në luftën kundër terrorizmit dhe angazhimit të treguar në fushën gjeostrategjike kundër spiunazhit rus, i evidentuar me prezencën e tij të shtuar në vendet e rajonit. Shqetësim i ngritur gjatë diskutimit ka qenë ardhja në pushtet e kandidatëve prorusë, si në Bullgari, edhe Moldavi, kontaktet e Rusisë me elitën politike në Maqedoni.
Po ashtu, mbështetja që po i jep Rusia Serbisë në armatimin me teknologji ushtarake të fjalës së fundit. Gjatë takimit mes Ajazit dhe Brennan është vënë në pah suksesi dhe bashkëpunimi që SHISH ka pasur me CIA-n në luftën ndaj rrezikut islamik dhe ndikimit rus. Rreziqe që për Shqipërinë dhe Ballkanin i ka ngritur Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Berlin.
FJALIMI
Gjatë fjalës së tij para drejtuesve të SHISH-it dhe agjentëve, Visho Ajazi Lika ka thënë se janë realizuar objektivat kryesorë që i janë vënë nga qeveria në vitin 2016. “Sukseseve të këtij viti u janë shtuar edhe dy ngjarje domethënëse për një Shërbim Informativ. Dekorimi i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), në datën 04.07.2016, nga Presidenti i Republikës, Sh. T. z. Bujar Nishani, me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, të cilën e kemi njoftuar zyrtarisht më parë. Vizita e suksesshme zyrtare në SHISH, e datës 06.12.2016, në përgjigje të ftesës së Drejtorit të SHISH, z. Visho Ajazi Lika, e Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit të SHBA (CIA), z. John O. Brennan, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të agjencisë së tyre.
Gjatë kësaj vizite u zhvillua një takim kokë më kokë midis dy drejtorëve të shërbimeve, takime mes delegacioneve respektive, si dhe një takim me stafin drejtues të SHISH-it. Takimet e zhvilluara u karakterizuan nga fryma e bashkëpunimit miqësor”, është shprehur kreu i SHISH-it.
Më tej, drejtori i SHISH-it është shprehur se edhe në vitin 2017 do të punohet për të arritur rezultate të larta ndaj veprimtarive që cenojnë sigurinë kombëtare.
“Këto përbëjnë bazë solide për arritje rezultatesh të larta, në luftën kundër çdo veprimtarie që cenon sigurinë kombëtare. Duke ju përgëzuar për punën dhe përpjekjet e vitit 2016, për kontributin tuaj në forcimin e mëtejshëm të kohezionit ndërinstitucional shqiptar, dhe rritjen e reputacionit ndërkombëtar të institucionit tonë, shpreh bindjen se veprimtaria e SHISH-it, edhe gjatë vitit 2017 do të vazhdojë me modesti, por pa u lëkundur, në përmbushjen e pritshmërive që rrjedhin nga misioni i tij ligjor”, ka thënë kreu i SHISH-it.
MESAZHI
Të nderuar kolegë dhe kolege të SHISH; Me rastin e festave të fundvitit 2016, ju uroj Gëzuar, mbarësi, shëndet e lumturi mes kolegëve dhe në familjet tuaja! Gjithashtu, ju uroj suksese të mëtejshme në realizimin e detyrave në shërbim të Shtetit dhe vendit tonë.
Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time për të gjithë punonjësit, burrat e gratë, për gatishmërinë, kontributin dhe përkushtimin e treguar në realizimin e detyrave të ngarkuara nga ligji dhe nga Prioritetet e Qeverisë për vitin 2016. Sukseseve të këtij viti u janë shtuar edhe dy ngjarje domethënëse për një Shërbim Informativ.
Dekorimi i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), me datën 04.07.2016, nga Presidenti i Republikës, Sh. T. z. Bujar Nishani, me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, të cilën e kemi njoftuar zyrtarisht më parë.
Vizita e suksesshme zyrtare në SHISH; e datës 06.12.2016, në përgjigje të ftesës së Drejtorit të SHISH z. Visho Ajazi Lika; e Drejtorit të Agjencisë Qëndrore të Zbulimit të SHBA (CIA), z. John O. BRENNAN, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të agjencisë së tyre. Gjatë kësaj vizite, u zhvillua një takim kokë më kokë midis dy Drejtorëve të Shërbimeve, takime mes delegacioneve respektive si dhe një takim 2 me stafin drejtues të SHISH.
Takimet e zhvilluara u karakterizuan nga fryma e bashkëpunimit miqësor. Me këtë rast rishpreh edhe një herë konsideratën dhe mirënjohjen time për profesionalizmin e objektivitetin e treguar dhe punën që keni kryer 3 gjatë këtij viti.
Kjo më bën të ndihem edhe më optimist, pasi shikoj dhe konstatoj tek ju gatishmëri, përkushtim, dashuri për profesionin, etj. Këto përbëjnë bazë solide për arritje rezultatesh të larta, në luftën kundër çdo veprimtarie që cënon sigurinë kombëtare.
Duke ju përgëzuar për punën dhe përpjekjet e vitit 2016, për kontributin tuaj në forcimin e mëtejshëm të kohezionit ndërinstitucional shqiptar, dhe rritjen e reputacionit ndërkombëtar të institucionit tonë; shpreh bindjen se veprimtaria e SHISH, edhe gjatë vitit 2017, do të vazhdojë me modesti, por pa u lëkundur, në përmbushjen e pritshmërive që rrjedhin nga misioni i tij ligjor. Përzemërsisht uroj që, të kaloni të gëzuar Festat, dhe në lumturi me familjet, miqtë dhe shoqërinë tuaj. Urime të përzemërta dhe të sinqerta!
D R E J T O R I
VISHO AJAZI LIKA D. V.
FATION BINJAKU/PANORAMA
Komentet