Nëse të bie rruga për në Skrapar, mjafton të ndalosh tek Ura, siç i thonë, në një banesë njëkatëshe buzë saj, pak kilometra para se të
shkosh në Çorovodë… Është shtëpia modeste ku jeton Fuat Çela, tashmë 80vjeçar, me një shëndet, memorie të admirueshme, madje
impresionuese. Një person me emër e famë deri në kufijtë e një legjende në vitet ’70. Pa e ditur, i riu nga Vërzhezha e Skraparit do të
bëhej simboli i “Njeriut të ri” socialist dhe kjo sepse ishte i verbër, por punonte dhe kishte dëshirë për të mësuar si askush tjetër.
Fama e tij mori dhenë në gazeta e televizione, i vinin letra nga gjithë Shqipëria, madje nga vetë “i madhi”. Pas 25 vitesh nga ndërrimi i
sistemeve kurioziteti na shtyn të shohim se çfarë bën sot Fuat Çela. E gjejmë në Orizaj, ku është kthyer pas 14 vitesh që jetoi në Durrës, me
shpresën e një jete më të mirë. Pas shumë premtimesh, nuk arriti dot të sistemohej si invalid dhe u kthye sërish në vendin e tij, ku jeton në
mënyrë modeste. Jeton me familjen e të vëllait, Yllit, nën kujdesin e veçantë të motrës Gështenja. E njeh mirë terrenin, shkallët, gjithçka
që e rrethon, flet në celular, shumë i sjellshëm dhe i gatshëm të tregojë me imtësi atë çfarë i kërkon apo e pyet.
Ruan me kujdes foto, dokumente, ndër të cilat letrat që ka shkëmbyer me Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, makinën e shkrimit, magnetofonin e
Thoma Delianës. Merr një pagesë mujore prej 16 mijë lekësh si ishpunonjës i shtetit, kur punonte në ndërtim në Degën e Brendshme,
pastaj disa vite në rezervuarin e Mollasit, si dhe një pagesë shtesë prej 110 mijë lekësh si invalid i grupit të parë. Ndonëse ka qenë njeriu
“mit” dhe simbol për Shqipërinë e ndërtimit socialist, kur figura e tij pushtoi gjerësisht e pa kufi gjithë mjedisin shqiptar, Fuat Çela nuk
është Hero i Punës Socialiste, si shumë të tjerë.
“Më propozonin, pastaj ma hiqnin emrin”, thotë. Ndjek televizorin, lajmet, shtypin, por edhe punon në oborrin e shtëpisë. Pi nga pak raki,
të cilën nuk e ka ndarë asnjëherë, por duhan nuk ka pirë kurrë. Nuk lëviz apo ka dëshirë të udhëtojë, por kënaqet kur i shkojnë për ta
takuar miq, të afërm, shokë. Gjatë kësaj vizite, Fuat Çela na tregon historinë e jetës dhe famës së tij. Famë, fituar në vitet e krijimit të
“njeriut të ri”, ku u bënë heronj të rinj, burra e gra, që jepnin jetën për atdhe, si Shkurte Pal Vata, Adem Reka etj.; kur kthehej në festë
dasma e një veriori me një jugore; kur punëtorët punonin për vitet 2000…
Uvil Zajmi
BOMBA QË I MORI SYTË
I lindur në vitin 1936, në Vërzhezhë, me prindër të divorcuar Fuat Çela është i treti ndër pesë motra e pesë vëllezër (ndër të cilët vetëm
njëri është ndarë nga jeta pak kohë më parë), dhjetë fëmijë të një martese të dyfishtë. Ishte shumë i vogël, kur me djemtë e
xhaxhallarëve, njëri moshatar dhe tjetri më i madh, më 12 shtator të 42shit, pak ditë pasi Skrapari ishte çliruar, rreth 100 metra larg
shtëpisë, duke kullotur bagëtitë, në një përrua gjejnë një trup të rëndë metalik, dhe pa e ditur çfarë ishte e me dëshirën për të luajtur
me të, e godasin me sende të forta, kur ajo plasi.
Ja si e kujton Fuati: “Nga shpërthimi saj, dy fëmijët e xhaxhallarëve vdesin menjëherë, ndërsa unë shpëtova, por pjesët e saj më kishin
goditur në sy. Më sollën në spitalin e Tiranës, ku më ka shërbyer një grua me emrin Refiko. Pas disa ditësh, mjekët italianë i thanë babait,
dëmtimi është i madh dhe sytë nuk bëhen më. Vite më vonë, jam parë edhe nga mjekët rusë, kam bërë dokumentet për t’u vizituar
jashtë shtetit, por ishte e kotë, pasi specialistët shqiptarë të okulistikës i kishin prerë përfundimisht shpresat”.
NË PUNË EDHE I VERBËR
Megjithëse Vërzhezha një fshat pak malor në të majtë të rrugës disa kilometra para se të shkosh në Çorovodë, aspak i përshtatshëm për
gjendjen dhe kushtet e tij, ai ka filluar të punojë që i vogël, edhe pse i ka munguar shikimi. Lëvizte në pyll, me bagëtinë ose i shoqëruar nga
një gomar, të cilin e ngarkonte me dru. Në vitet ’50, kur në Orizaj u hap një punishte druri, punonte duke bërë koka divani apo
zdrukthëtar, vendoste dritare deri edhe xhamaprerës, gjithçka duke e prekur me duar, pa parë asgjë me sy.
Disa vite aty, pastaj në kooperativë, ku dallohet si një mjeshtër i koshave, shportave apo kanistrave prej kashte për rrush e fruta.
Ndonëse i verbër, ka mundur që të realizojë norma pune të rralla për kohën, nga 25 deri në 40 ditë pune në muaj dhe deri në 400 ditë
pune në vit. Paguhej me rrogë ditore, 130 lekë. Për rendimentin që kishte në punë, sipas llogaritjeve, punonte për shumë vite pasardhëse.
Por ajo që të habit është e lidhur me faktin se edhe sot në Vërzhezhë janë rrugët e shtruara me kalldrëm vetëm prej duarve e punës së tij,
që e lidhin Vërzhezhën me fshatrat e tjerë, si dhe me rrugën kombëtare që është 4 km e gjatë.
DËSHIRA DHE KËRKESA PËR NË HEKURUDHË
Ka qenë i angazhuar në rini, kur vjen koha e aksionit të madh për në hekurudhë. “Në një mbledhje rinie, ku merrja pjesë edhe unë, disa të
rinj, ndër të cilët edhe vëllai im Novruz, shprehën dëshirën për të vajtur në hekurudhë, ndërkohë që edhe unë u kërkova drejtuesve të
regjistrohesha si vullnetar. Nuk e besonin, madje më refuzuan, por pasi u ankova, ishte Sekretari i Parë i Rinisë, Hasan Çuni, që vendosi
të shkoja”, tregon Fuati. Ishte 30 vjeç kur më 31 mars të ’67s u nis në aksion në segmentin RrogozhinëFier dhe hipur në një makinë duke
kënduar u drejtuan për në sektorin e Dushkut.
“Atë natë nuk fjeta fare dhe në mëngjes, pasi bëmë fizkulturë, në rresht shkuam në mensë. Ra buria, u çuam nga tavolina, të gjithë
morën nga një vegël dhe në rresht me këngë në gojë u nisëm për në punë. Ecja midis tyre e nuk dija ku po më çonin këmbët, ndërsa
shumë prej aksionistëve nuk e kuptonin dhe nuk e dinin se isha i verbër. Mbërritëm në trase, u ndamë në kompani, mora lopatën për të
punuar, kur dikush pyet: ‘Ke qenë ndonjëherë në aksion?’. Ndërkohë që unë nuk dija se kujt po i fliste. Në ditën e dytë më bënë një
fotografi dhe më nxorën në tabelë të nderit. Kujtoj se çdo mbrëmje, Zef Gjoni më lexonte librin ‘Si u kalit Çeliku’. Kujtoj gjithashtu
brigadieret Donika Gramozi, Mahmudije Kokumani, Daliun, teknikun nga Kavaja që drejtonte punimet. Aty kam punuar dy muaj”, tregon
Fuati.
AKSIONI QË E BËRI TË NJOHUR
“Gjatë një vizite në Vërzhezhë, pasi ka parë rrugën me kalldrëm, i thanë se e ka shtruar një i verbër. I shtyrë nga kurioziteti, fjalët që
kishte dëgjuar, Hajdar Aranitasi ishte i pari që u interesua për mua:
‘Dua ta takoj këtë person’, tha ai”, kujton Fuati. Verë, kohë e nxehtë. Është faza e korrjeve, kur bashkë me një të dërguar nga Tirana, pasi
kanë bërë një orë në këmbë, e gjejnë duke mbushur thasët.
“Më takoi, më pa nga afër, duke punuar dhe në mbledhjen me kooperativistët, u shpreh: ‘Ky është njeri i rrallë’”. Pastaj pjesëmarrja
në aksion ishte ajo që e bëri të njohur e që i dha famë Fuat Çelës, që u përcoll në popull përmes një shkrimi të botuar në gazetën
“Bashkimi”, me kryeredaktor Hamit Boriçin, ku i bëhej jehonë punës së një të verbëri në hekurudhë. E shkruante Enver Caka, një
bashkëpunëtor i gazetës, por edhe një mik i afërt në Vërzhezhë, që ndiqte jetën e tij që në fillim të viteve ’60. Tashmë “Fenomeni Çela”
ka shpërthyer dhe shumë shpejt emri i tij do të jetë shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët, duke qenë protagonist i
rëndësishëm te “Zëri i Popullit”, ku ndër vite figura e tij do të ishte në qendër të faqeve të saj.
MAGNETOFONI NGA THOMA DELIANA
Nuk kishte bërë asnjë ditë shkollë deri në moshën 31vjeçare. Në vitin
1966, në Vërzhezhë, në shkollën 8vjeçare “Mehmet Shehu”, që më
pas mori emrin “Riza Shahini”, emërohet mësuese Drita Gjondeda. “Ka
qenë një shkollë e njohur, pasi në vitin 1913 ishte Riza Shahini që solli
abetaren”, thotë Fuati. Mësuese Drita u angazhua duke më mësuar
germë pas germe alfabetin, një vit pa ndërprerje. Në sezonin shkollor
197071 vjen në Tiranë, në Shkollën e të Verbërve.
Aty u përgatit një program mësimor i pavarur si për një fillestar, vetëm për të. “Flija në shkollë dhe për 25 ditë me orë të zgjatura
mësova shkrimin Braille, si dhe të shkruaja në një makinë gjermane e përshtatur për të verbër. Në atë shkollë më kanë ndihmuar mësueset
Liri Kamberi, e cila ishte specializuar në Bashkimin Sovjetik për të verbrit, Nado Ymeri dhe Dilaver Zgjani, edhe ky mësues i verbër si
unë. Një vit qëndrova në Tiranë, pasi për arsye familjare u ktheva në Vërzhezhë, ndërkohë që kisha marrë njohuritë e para. Mora librat dhe
vazhdova tetëvjeçaren në shkollën e natës, pa shkëputje nga puna, ndërsa ministri i Arsimit, Thoma Deliana, më dërgoi dhe më dhuroi
një magnetofon që të më shërbente për të mësuar”. Pas katër vitesh nisi të mesmen në Shkollën Bujqësore.
“Kur jam diplomuar, në 1978, kanë qenë rreth 30 të ftuar, kuriozë për të më parë, midis tyre edhe drejtues Partie. Mora tezën, të cilën ma
lexoi një mësuese dhe përgjigjen e shkrova në makinë, pastaj fola me gojë. U vlerësova me notën dhjetë”.
KUR E AKUZUAN PËR AGJENT
Fuat Çela ishte një “VIP” për kohën dhe, ashtu si ndodh edhe sot, e ndiqnin nga pas si fama, edhe thashethemet. U përfol si “agjent”,
madje “e futën edhe në burg”. “Nga agjent i kinezëve deri te tentativa për helmimin me cigare të Enver Hoxhës, ishin zërat që më rrethuan
në ato vite. Janë fjalë, biseda, diskutime që i dëgjoja kudo, në rrugë, tren, autobus, nga njerëz të ndryshëm, por pa i kthyer asnjëherë
përgjigje. Fakti është se, në veçanti kinezët, ishin shtangur nga ajo çfarë shihnin tek unë.
Delegacione që vinin nga Kina apo personeli i ambasadës më bënin vizita në vazhdimësi në Vërzhezhë, për të më parë e ndjekur nga afër
ku banoja, si punoja, çfarë jete bëja. Pra ishte një interesim i tyre krejt normal. Në Kuçovë, sapo ishte përhapur lajmi se me kishin
arrestuar dhe kur e pyetën mamanë pse Fuatin e kanë futur në burg, ajo shpërtheu duke qarë. Nuk kam qenë asnjë ditë në burg. Personat
që e sajuan këtë histori, për të më dëmtuar, i njoh mirë”, thotë ai, duke treguar një nga këto episode, sa qesharake, aq edhe tronditëse
për të.
“Agim Jankun, ishfutbollistin e njohur të Partizanit, e kam njohur nga një rrethanë e tillë. Po udhëtoja me autobusin e Unazës në Tiranë, kur
pranë meje dëgjoj që dikush i thotë një shoku: Më duket se ky është Fuat Çela. Nuk ka mundësi, i përgjigjet tjetri, pasi Fuat Çela është në
burg. Ndërkohë, ai më vendos dorën mbi supe e më pyet: Nga jeni ju? Nga Skrapari, i përgjigjem. Mos jeni Fuat Çela, vazhdon kurioziteti i
tij. “Po, i them unë, jam Fuati dhe merrja bastin shokët tënd”. Pasi janë prezantuar, Fuati ka qenë dhe mbetet tifoz i Partizanit dhe mik
me Agim Jankun.
LETRA QË I DHA FAMË DHE E BËRI HERO
“Kanë qenë tri letra që i kam dërguar Enver Hoxhës”, tregon. Por, të parën, atë më të rëndësishmen e kujton me detaje. “Ishte 10 nëntor,
kur e nisëm me postë. Ishte një letër e përpiluar prej meje dhe e shkruar në makinë shkrimi bashkë me Enver Cakën, miku i pandarë
ku, ndër të tjera, i flisja për vajtjen time në hekurudhë, punën në kooperativë, dëshirën për arsimim dhe për të qenë anëtar partie”,
tregon Fuati. Vetëm pak ditë më vonë, pasi Hoxha e kishte lexuar, i vjen përgjigjja surprizë, që habiti fshatin. Më 16 nëntor të 1967s, të
gjithë vërzhezhasit i njoftuan të grumbullohen te sheshi, pasi një person nga Tirana ka sjellë një letër të rëndësishme për Fuat Çelën.
“Pa pasur asnjë dijeni e informacion se cila ishte përmbajtja e letërkëmbimit, banorët ishin përfshirë nga ankthi dhe kurioziteti, duke
më pyetur se për çfarë i isha ankuar. “I kam bërë letër Enver Hoxhës dhe i kam kërkuar të jem anëtar partie, i sqaroja ata”, rrëfen Çela.
Ndërkohë, ai që solli përgjigjen ishte Jusuf Alibali, drejtues i gazetës
“Zëri i Popullit”, aty ku ishin botuar të dyja letrat.
“Fort i dashur Fuat Çela, i shkruan Hoxha, e ndër të tjera i thotë: Çdo mëngjes e filloj punën duke lexuar në radhë të parë letrat që më
drejton populli, i cili i hap zemrën Partisë … Ti, shoku ynë i shtrenjtë Fuat, pa sy ndien, mendon, lufton, shikon me ndjenjat, me mendjen,
me stilin luftarak dhe me syrin shqiponjë të Partisë sonë… Unë kam një dëshirë të madhe që letrën tënde ta lexojë i madh e i vogël në
Shqipërinë tonë… Unë jam i bindur se kur më shkrove, ti as mendove ç’gjëra të çuditshme do të shkaktojë letra jote, ç’forca do të ngjallë ajo
në popull, në rini, në Parti, ç’zjarr do të ndezësh ti nga Skrapari në zemrat e njerëzve….Partia dhe populli të falënderojnë, shoku Fuat
Çela. Ec kurdoherë përpara, me vullnetin e Partisë dhe sytë e ndritshëm të Partisë. Të përqafoj me mall dhe të uroj shëndet. I yti
ENVER”.
TAKIMI ME ENVER HOXHËN
Pas kësaj, erdhi edhe takimi me Enver Hoxhën. “Ka qenë 21 nëntor, kur isha i ftuar në një aktivitet kombëtar me të rinjtë në Tiranë. Pas
konferencës, në të cilën edhe diskutova, Ramiz Alia më informon se na priste Enver Hoxha. Vajtëm, ai doli në korridor, pastaj na shoqëroi në
zyrën e tij. “Jam njohur me historinë tënde, të cilën duhet ta dinë e ta lexojnë, i madh e vogël”, më tha.
Pastaj më pyeti: ‘Ke mësuar të shkruash? ‘Po, iu përgjigja unë dhe në një letër shkrova me germa të mëdha: PartiEnver’. Pasi bëmë disa
foto, vijuam bisedën për jetën time dhe aktivitetin e punës në kooperativë. Ndërsa lidhur me anëtarësimin tim në Parti, nuk u
diskutua. Këtë takim ai e ka shkruar në një nga veprat e tij.
Aty kam njohur edhe Sevo Tarifën, me të cilin kam ruajtur miqësinë, ndërsa me Enver Hoxhën jam takuar edhe dy herë më vonë”.
RADIO E ÇU EN LAIT, NË DUART E FUAT ÇELËS “Ishte një radio e vogël, që Çu En Lai ia kishte dhuruar Enver Hoxhës.
Pasi u takuam dhe më njohu nga afër, ai vendosi të ma dërgonte mua.
“I dashur Fuat, po të dërgoj një radio, të cilën e kam kujtim dhe ti e di se kujtimet ruhen por, në këtë rast, në emrin tim e të shokut Çu En
Lai, po ta dhurojmë ty, vëllait tonë të verbër, të dëgjosh lajmet, emisionet, gjithçka që transmeton Radio Tirana”.
Ky ishte teksti që shoqëronte radion, një prodhim kinez. Gjatë kohës që punoja në kooperativë, shokët e brigadës më kërkonin që ta merrja
me vete për të ndjekur emisionin ‘Nga njëra ndeshje te tjetra’, për të dëgjuar ndeshjet e futbollit, rezultatet e tyre. Radioja i ka rezistuar
kohës, pasi punon edhe sot”, kujton Fuati.
KARTOLINA ME SHKRIMIN E TIJ
“Ajo ishte një kartolinë normale, nga ato trelekshet, nuk më kujtohet çfarë pamje kishte, ndërsa teksti dhe urimin për Vitin e Ri që i kam
shkruar Enver Hoxhës ishte: I dashur shoku Enver! Me dorën time të uroj për vitin 1968 shpatë të mpreft për ata që s’na duan. Qafime
Fuat Çela. Kam përdorur germa të mëdha, kishte gabime, sidoqoftë, kjo kartolinë u botua në faqen e parë të gazetës ‘Zëri i Popullit’”,
kujton Fuati.
Është koha kur të gjithë i dërgonin letra atij, deri në 500 të tilla, që ende i ruan. I vinin nga fëmijët e kopshteve, shkolla, studentë,
institucione, ndërsa të rinj e të reja, brigada vullnetare nga e gjithë Shqipëria, kuadro nga Shkolla e Partisë, udhëtonin për në Vërzhezhë
për ta takuar, madje duke punuar përkrah tij në bujqësi për më shumë se dy muaj.
ARMA QË I DHA BEQIR BALLUKU
Dikur, Enver Hoxa e pyeti se çfarë arme mbante në shtëpi. “Nuk rri pa armë dhe kam një belxhik, i tregova. ‘Të duhet një tjetër, do të flas
me Beqirin të të japë një automatik’, më tha. Kam shkuar në një repart ushtarak pak larg Tiranës, te Diko Zeqo i thonin, ku më dhanë
një automatik sovjetik. E mbaja me vete, kudo, në shtëpi, por edhe në aksion. Pastaj ma morën e nuk ma kthyen më, por Enver Hoxhës nuk i
tregova për këtë fakt. Tentova t’ia thosha Mehmet Shehut, me të cilin jam takuar në disa raste, edhe në tribunë kam qenë me të, edhe për
drekë më ka ftuar, por as atij nuk i kam thënë për armën”.
NË PARTI, PA ENERGJI ELEKTRIKE
Pas kthimit nga aksioni, tri kërkesave të bëra, fillimisht me premtime, pastaj refuzime, dhe pas letrës që i dërgoi Hoxha, Fuat Çela pranohet
si kandidat partie. “Kishte persona që ishin dakord, por edhe jo, por gjithçka ndryshoi pas takimit me Enver Hoxhën. Në fund të ’67s më
pranuan të jem kandidat dhe kam bërë stazhin dyvjeçar, ndërsa teserën e kam marrë në fund të ’69s. Kanë qenë festat e nëntorit kur
në Vërzhezhë vjen Dashnor Mamaqi dhe më bën një vizitë në shtëpi.
U nisëm bashkë për në Çorovodë, pasi në fshat nuk kishte energji elektrike, sepse ende nuk ishte bërë elektrifikimi i zonës. Ceremonia e
dhënies së teserës së Partisë u organizua në Shtëpinë e Kulturës ‘Riza Cerova’”, e mbyll rrëfimin Çela. kur thotë se teserën prej kohësh e ka
futur në arkivin e tij.
DASHURITË E TREGUARA NË LIBËR
Ka mbetur i pamartuar, edhe pse dashuritë e simpatitë nuk i kanë munguar. “Nuk kam pasur besim në vetvete, prandaj edhe nuk jam
martuar”, tregon. Ka refuzuar raste të mira, në shkollë, aksion, ku është njohur dhe ka krijuar miqësi, madje edhe dashuri, që i mban
sekret, të paktën emrat e vajzave. Një e tillë kujton ka qenë në Libofshë të Fierit, kur u dashurua me një vajzë fierake që punonte në
sektorin e tij, kur ishte vullnetar në aksion.
Ajo i ka bërë direkt propozimin, por duke qenë se “ajo ishte nga një vend fushor si Myzeqeja, ndërsa unë nga një malor si Skrapari, nuk
shkonte”, thotë me humor. Një tjetër rast i referohet një vajze nga Skrapari, e fejuar që në djep sipas zakoneve, duke dashur ta prishë
atë lidhje, kërkoi të njihej dhe të martohej me Fuatin, por edhe ky rast dështoi. Ndonëse thotë se ka prirje për të shkruar, asnjëherë nuk
ka guxuar, ndërkohë që për të është botuar edhe një libër. “Është një roman me 200 faqe që më dedikohet mua, të cilin e ka shkruar Enver
Caka, me titull “Mos ma fshihni dashurinë”. Aty janë përfshirë historitë e njohjeve të mia”, thotë dhe mban në dorë librin e botuar në vitin
2002.
POEZI NGA KADARE DHE KËNGË PËR TË
Vetëm në pak kohë, fama që mori ishte e madhe. Edhe artistët, kompozitorë, poetë e shkrimtarë, i kushtuan një pjesë të krijimtarisë
së tyre të verbrit Fuat Çela. Një letërkëmbim dhe korrespondencë me Dhimitër Shuteriqin, ishkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, një
personalitet i madh i letrave shqipe, i cili në mënyrë surprizë i bëri edhe një vizitë në Vërzhezhë. Pastaj poezia e parë shkruar për një të
verbër nga Ismail Kadare, me titull “Ti dhe nata”.
Për të vijuar me këngën kënduar nga Grupi i Gramshit në Festivalin e Këngës Popullore në Festivalin e Gjirokastrës, me tekst:”Doli një luan
nga Tomorri……”. Gjithçka në ato vite, poezi, vjersha e këngë kushtuar Fuat Çelës, interpretoheshin, lexoheshin në të gjitha shkollat e vendit
nga mësues, nxënës, si një formë edukimi dhe frymëzimi për brezin e ri.
(Panorama/da.xha/BalkanWeb)
Komentet