Homazh HYTBI TARELLIT, artist i daltës dhe penelit
Në javën e parë të vjeshtës së tretë, 2016, në Toronto të Kanadasë, pas një sëmundje të shkurtër, ndërroi jetë artisti Hytbi Tarelli, mjeshtër i daltës dhe penelit, autor i shumë veprave të shpërndara në muzeume, në institucione publike dhe ndër shokë, miq e të afërmve dhe familjarëve të tij. (1)
E filloi rrugën e artit, si fillim të pikturës, që në moshë fare të re. Mbase kështu e fillojnë të gjithë, megjithatë më pëlqen të citoj fjalët e gazetarit të njohur Fuat Memeli, në Gazeta “Illyria”. 29. 06. 2014, me shkrimin të titulluar: Me artistin shqiptar në Kanada, Hytbi Tarelli: “… Ja, ky është Hytbi Tarelli, i cili e nisi rrugën e artit nga vizatimet me thëngjij dhe arriti te punimet në pikturë e skulpturë. Regjimi i kohës, e pengoi atë të vazhdojë shkollat e artit, por ai mësoi si autodidakt, duke ia “vjedhur” profesionin piktorëve e skulptorëve shqiptar. Kështu ai po realizon ëndërrën e jetës së tij, të cilën nuk ka forcë që t’ia pengojë”.
E ndoqa krijimtarinë e tij që në hapat e para, si vëllai më i madh. Kishte shumë besim te unë, ndaj e nxita të vazhdonte punën, duke i thënë: “Shumë bukur. kështu vazhdo, veç rregulloi ca viza këtu e ca atje”. Fluturonte nga gëzimi dhe rrinte deri natën vonë duke vizatuar. Nuk mbahej nga kënaqësia, kur më tregonte se vizatimet e tij ishin vendosur në korridorin e shkollës dhe shokët e përgëzonin. Nuk e di sa kohë harxhonte me pasionin e tij, veç kujtoj një mëngjes, kur më tregoi, se gjithë natën kishte punuar bustin e Leon Tolstoit, model nga një faqe libri. Të them të drejtën u mahnita për aftësinë krijuese dhe e nxita: “Këtë bust të vogël çoje tek fabrika e tullave për ta pjekur, pasi merr ngjyrë të bukur e bëhet i fortë si tulla”. U miqësua me punëtorët që e pranuan me kënaqësi dhe kujdeseshin aqë shumë për krijimet e tij. Që atëherë shumë punime skulpture i ka në terrakotë.
Për Shkodrën më fliste me admirim, që kur ishte student në kursin matematik-fizik, e më pas kur u vendos familjarisht në atë qytet. Shpesh ma kujtonte: “Çuditem për natyrën gazmore të shkodranëve, veçanërisht të piktorëve dhe skulptotëve të shkolluar, që më pranuan në shoqërinë e tyre pa paragjykime, si shok e koleg artist, pavarësisht se unë isha amator para tyre”. Shpesh më tregonte fotografitë e shkrepura në ekspozitën vetiake që hapi në atë qytet, në vitin 1992, ku edhe unë e ndihmova t’i vendoste bukur e sipas tematikës. Sa shumë artistë, miq e shokë shkodranë ishin në atë ceremoni të bukur e mbreslnëse. Sytë i mbeteshin tek katër buste të vegjël në terrakotë, “Ahengu shkodran”, i përkëdhelte me shikim si punimet më të bukura të tij, të vendosura shtruar mbi një postiqe të bardhë. Eh, sa ishte munduar për të gjetur atë lëkurë dashi!
Emigracioni hapi shtegun për lëvizje drejt një bote të panjohur. Hytbiu mërgoi si fillim në Greqi, e pas shumë përpjekjesh në Kanada, në Toronto. Aty çeli studjon e tij, ku kalonte pjesën më të madhe të kohës, duke punuar në pikturë e sidomos në skulpturë. Më e përzgjedhuar temë ishte të përjetsojë në telajo, apo në baltë e allçi, figurat e mëdha të historisë, që i kanë dhënë emër dhe nder kombit tonë: Skënderbru, bust i lyer në flori, Nënë Tereza, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Ded Gjon Luli, Adem Jashari, etj, etj. Për këtë nuk çuditemi po të kujtojmë fjalët e të diturit Faik Konica:
…..“Duhet të jesh jashtë Shqipërisë,
e të jesh larg për të kuptuar,
se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël,
ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri!”.
Në të gjitha ngjarjet me shqiptarët në Toronto, është i pranishëm edhe Hytbiu, që i nderon të gjithë me punët e tij artistike. Po përmend njërën prej tyre: Ditën e enjte, me datën 23 Shtator 2010, në shkollën “Mother Teresa Catholic School” në Markham, u festua me madhështi 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës. Një statujë e shenjtores shqiptare Nënë Tereza, e punuar me pasion nga artisti Hytbi Tarelli, i’u dhurua nga Dr. Kondaj në emër të komunitetit shqiptar, zonjës Susan La Rosa, drejtoreshë e Bordit të Shkollave Katolike të zonës së York-ut. Të pranishmit u shprehën:
Emili Forrester, drejtore e shkollës thotë në fjalën e saj: “Falënderimet e mia speciale për sa keni bërë për shkollën tonë. Ju na frymëzuat me pikturën dhe skulpturën e mrekullueshme. Ndjehemi të veçantë dhe të bekuar, që mbështetemi te Nënë Tereza, të cilën tani e kemi edhe më pranë këtu në mesin tonë. E vini re !? Nga portreti duket sikur na shikon dhe kujdeset për ne”.
Më pas Dr. Ruki Kondaj, Presidente e shoqatës Shqiptaro – Kanadeze në Toronto e vlerëson kështu: “Piktura e Nënë Terezës, Gonxhes Shqiptare, të cilën sapo e zbuluam këtu në këtë shkollë, është një vepër artistike e bukur dhe me përmasa të mëdha. Të gjithë e vlerësojnë shumë. Është punuar me shumë përkushtim dhe dashuri. E meriton shkolla që mban emrin e shenjtores sonë. Për ne është nder dhe krenari, që figura të tilla të artit, janë pjesë e komunitetit Shqiptar këtu në Toronto”. “Pasqyra Shqiptare”. Kanada. 23 Shtator 2010.
Vetë piktori dhe skulptori Hydbi Tarelli me modesti thotë: “Që kur kam ardhur këtu në Kanada, kam punuar shumë nga figurat tona kombëtare, po Nënë Tereza ze një vend të veçantë. Vepra e saj me fuqi magjike dhe hyjnore, më frymzon jo vetëm mua si shqiptar, po me qindra, mbase edhe mijra artistë në të gjithë botën. E ndjej veten të përkëdhelur nga fati, që munda të realizoj në pikturë dhe skulpturë, shqiptaren me përmasa botërore”. (“Fjala e lire”. 19. 10. 2010. K. Tarelli. “Nënë Tereza në shkollat kanadeze. Ceremoni me rastin e 100 vjetorit).
Një ngjarje tjetër e madhe në jetën dhe veprimtarinë e artistit mëmëdhetar, është vajtja në Kosovë: “… Është për t`u përgëzuar nisma e Hydbiut, këtij mërgimtari atdhetar, që ndërmerr një udhëtim të tillë, duke pasur parasysh vështirësitë e rrugës së gjatë; me avion deri në Rinas, më pas me mjete të rastit drejt Kosovës”. Kështu Shkruan Bashkim Kadiu, “Gazeta 55”. 25. 08. 2014. në artikullin: “Busti i Adem Jasharit vjen nga Kanadaja në Prekaz, Kosovë. Në fund shkrimin e mbyll me këto fjalë: “Duke i uruar Hytbiut rrugë të mbarë drejt Kosovës, e përgëzoj për veprën dhe veprimin atdhetar. Dashuria për kombin nuk ka kufi e nuk mbaron kurrë, trashëgohet e përcillet ndër breza”.
Unë pata fatin të jem shoqërues në të gjitha veprimtaritë e Hytbiut, këtu dhe në Kosovë. Me këtë rast publikova shkrimin: “Shtatorja e Adem Jasharit, nga Toronto u vendos në Prekaz. Kosovë”. Aty mes të tjerave theksoja: ….“Duket si një aventurë çmendurie ky veprim, kur gjykoj shpenzimet që u përballuan tërësisht nga vetë autori, pa përmendur peripecitë e një udhëtimi kaq të gjatë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një skulpturë me përmasa jo të vogla, rreth një metër e lartë… Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari u sos për bukuri aty ku e kërkonte vendi, në “Mekën e shqiptarëve”, në Prekaz të Skënderajt, në Kosovë”. Fjala e lire. 25. 08. 2014.
Tani mbas dy vjetësh, Tahir Veliu, një tjetër mërgimtar nga Kosova, që jeton e punon në SHBA, në një shkrim ku ka shumë dhimbje dhe krenari, shkruan për mikun e tij Hytbiun, duke përmendur me admirim këtë ngjarje tek “Tribuna shqiptare”. 08. 11. 2016. “Ishte pikërisht data 26 korrik e vitit 2014, pasi bëmë nderime pranë varrezave të Dëshmorëve në Prekaz dhe vumë kurora lulesh tek varri i komandantit Legjendar Adem Jashari, së bashku me Hytbiun, z. Kadri Tarelli, z. Naser Berisha, Prof. Dr. Nusret Pllana, Dr. Nexhip Berisha, z. Milaim Dulla, z. Valmir Hylenaj, z. Endrit Thaçi dhe z. Arsim Sejdini i’u drejtuam kullës së familjes Jashari, për t’i nderuar duke dërguar bustin e Adem Jasharit, të cilen e solli Hytbiu nga Toronto në Prekaz”.
Hytbiu e kishte ëndërr pjesëmarrjen në një konkurs kombëtar. E plotsoi dëshirën me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kur u organizua konkursi ndërkombëtar, kushtuar kësaj ngjarjeje kaq madhore për kombin tonë. Ai u paraqit me një punim dinjitoz. Veç ta dëgjoje kur fliste, i merrte zjarr e gjithë qënia. E përjetonte duke lëvizur duart me shikimin lart drejt qiellit: “Lartësia e shyllës së flamurit do të jetë 100 m e lartë, pak metra më larg një gjysëm harku me simbol kështjelle, në basorelif Ismail Qemali dhe “akti i mëvetësisë”, me fjalët e gdhendura si në pergamen. Flamuri do të duket që larg nga të gjitha pikat e Tiranës. Është e shenjtë mëvetësia”.
Kujtim Kabashi shkruan në artikullin: “Nderim Hytbi Tarellit, Artistit të shquar të penelit dhe daltës”, Gazeta. “Shqiptarja. Com”. 09. Nëntor. 2016. “Krijimet artistike me nivel të lartë e bënë të njohur dhe të kërkuar nga të gjithë, artistin shqiptar. “U hapën” kështu njëra mbas tjetrës edhe shumë dyer të tjera. Pranohet anëtar i Shoqatës së “Krijuesve të Arteve Figurative të Kanadasë”. Punimet e tij pranohen dhe reklamohen në ekspozitat më të rëndësishme të qytetit. Për të gjitha këto, veç respektit te pamatë që mjeshtri Tarelli gëzon në komunitet. Në majin e këtij viti Komiteti Shqiptaro-Kanadez i Ekselences (ACE) e nderon atë me vlerësimin më të lartë “Për arritjet e jashtzakonshme në Artet Figurative për Vitin 2016”.
Në këtë ditë të dhimbjes, është Kristaq Turtulli që shkruan për mikun e tij Hytbiun, një poezi me mjaft dhimbje e ndjenja të holla njerëzore:
……. Bustet me Skënderbe dhe nënë Terezë,
Janë më shumë se një Shqipëri, thoshe. “Fjala e lire”. Londër, Revista “Dituria”, Suedi.
Në mbyllje të këtij shkrimi lamtumire për artistin Hytbi Tarelli, po vendos dy vargje lehtësimi:
“Një lis i madh u pre në pyll
Në qiell u ngrit e ndrit një yll”.
Kadri Tarelli
Durrës më: 09. Të vjeshtës së tretë. 2016.
Shënim:
- Grup skulpturor “Porosia e Skënerbeeut”, punuar nga Hytbiu, ndodhet në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë.
-
- Hytbi Tarelli dhe baca Rifat Jashari
Komentet