Parathenie
Po, ku do të endet ky lot, që ra në faqe të përroit e u tret!
O zot, vetëm rrugën e këtij loti ta dija! Ç ’udhë do të përshkonte,
Do të ngrinte këtë dimër aty përmbi tokë, do të flinte nën dhera.
Nëse akacia në pranverë, do ta thithë, ta endë nëpër shpirtin e saj,
Do ta bëhet lule, e ta shkundë era, ta shponte bleta apo grerëza,
Do bëhet mjaltë, ta shijonte gjuha e një fëmije ,buzët e një të marri.
Nëse do të kthehej dikur në diamant nën tokë, e do të bëhej
Një kokërr qershie, dhe sqepi i një zogu ta këpuste në degëz.
SPITALI
Qëndrova këtu, të jem poet i mallkuar. I ajrit,
i shtresimeve, thurjeve, nyjave, këputjeve
Që ngjallen, sythojnë e zhyten symjegull,
në flakët e tingujve të purpurt të lutjeve
që i thithë e trëndafilta e zezë, e etur,
Më mbushet zemra, zhavorr dhe lym.
Pi gjakun tim, për t’i vjellur me shkulme.
I hedh përtej, i gërmuar
me mundim
lym,
zhavorr
dhe gjak.
mbi lumin e natës që derdhet i degëzuar
liqeneve të mi, në lëndën e tretur më herët.
Në vërshimin e buzëve që kërkojnë duke shkruar
në rrethmemorien që rritet xhufkore,
e shkulur, e tretur në mërmmërima ,
me shkitje të pandier,thelluar. Ftohtë
Një urë qelqi ngrihet e shtrihet vezulli, pezullore
nga brumi i të vjellave të përgjakura të darkës.
Përsipër kalojnë hije të lashta, zëra.
Me gjuhë të tanishme, me fjalë të ngathta, nga pesha,
si ujrat e mbledhura, me emra… shkumë
dhe prap, emra, ne lindje.
Me putrat e dhelprës në trup, zgjohem në mëngjes.
Rreze të mykura më lëpijnë, si gjuhë e maces plakë,
që zhytet në dashuri me një këndes… thellohet
mbi puplat e të dashurës, që e humbi në mesnatë.
Pa ndier, i stukur,frikacak.
Një gur i ndezur, që s’munda ta shuaj. Rubin,
prush i kuq… flakë më hedh. Më ndez,
në bark.
Ora jonë rrjedh, në rërë të mendimeve qerthullore.
Në frymëmarrjen tonë, që kundërshton e turbullt,
ndriçon diçka e kithtë, në kalbësinë e athtë
dhe thith shije pëshpërime të vrugtë,
nga pusi i reve të braktisura mbrëmjeve .
Re të pushuara, në mendim të paktë.
Pus i ndenjur, frymon brendinë tonë.
Dhe një lumë, që e ndiej duke vërshuar,
krijon shtratin prej ere të thatë.
Përmbytem. Rritem
në pikëllim të shtuar.
Shkrepëtinë pareshtur tingëllimë e zbraztë,
jehonë e moteve mortor, që fsheh diçka të mbrapshtë.
Lëngatë e avullt, ngjyrë e shprishur
më ngjitet nga brenda, më shpon
me thonjë të akullt, që zgjaten në gjelbërim
dhe vërshëllejnë me buzët e brymta,
përjashtë, në pambarim .
Përmbys, i çelur, në plasarimë !
një qiell përdhe kërkoj. Çudi, përse tani mendoj,
i shtypur nga lartsitë e marrëzisë! Symbyllur…
Më digjen zhguaj klithmash duke qarë,
buzëve më ngjitet blozë e një kënge të dashur,
e lëmuar nga tym i flligështisë.
Më përfshin një llavë e ftohtë me krahë të kokrriztë.
Përmes muresh të trandur ne motmort, më shtyn.
Përjashta gjëndem si një lëndë e tkurrur e murriztë,
me ndjesi të portokalltë që lundron gërvishur,
në dorën e një të çmenduri,
që rend në thirrje, i mahnitur.
Çthurja e gjithçkaje, përpiqet të përpijë
pëshpërimën, fjalën, mundësinë për të mundur.
Mjeshtëri e mbyllur paniku, ngrohtësi e bakërt myku.
Mbi kupën e akullt që ngrihet e avulltë, bie
ngurtësim që më ftohë, sa prek dikund.
Rendje e mjegullt, e shkulur në subkoshiencë
përtej gjithçkaje, në gjithçka dhe askund.
Shije e shtypur që rend e pamundur,
pikë- pikë në absurdin e shkulur.
Pikë – pikë e rrëshirtë,
në të çarën e bardhë…Ikën
Të shtrydhësh natën dhe ditën, si dy fruta të krimbur
në një kupë të gatuar me pluhur që ndan fjalët,
nga kuptimi i krijimit, që ngjitet i lagësht,
të mbetet shija e lëngut të athtë, verem
që endet midis bulëzave në gishtërinjë.
Lëng veshtullorë të mbush me kundërshti,
të shkruash me të bardhën e tij, mbi ballë.
A mundet?!…secili prej nesh?!…
Ka, dhe nuk ka, dicka qe ngjallet…
Përbrenda, duke u përthithur
Thëngjinjë, tymojnë, shtypen dhe përtypen
me gumzhimë të ashpër. Shkumëegër,
si grenxa të zinj që digjen në buzët e zemrës së ngutur,
që puthin përjashta, skajin e fundit të imazhit
dhe e kthejnë në gjuhën e parë,
të peizazhit. Hije që la mbrapa, hija e mangët,
luleshuar. E jargët
Të qaj, e lotët përbrënda, të m’i pijë buza e hirit
mbi prushin e mbetur, në gjumin e syve të rrudhur.
Kundërmim ngrohtësie të mjegullt, trishtimi të verbër,
me cepa yjesh që rendin dhe ringjallen të këputur
duke gatuar një dritë dashurie të ngjyer,
me burimin e mallit, për trupat e humbur.
Në çdo hap, një kërpudhë këputet
dhe shkruan muzikë të shkriftë,
mbi bishtin e gjarpërit që lëmohet në barishtë,
me një vallëzim të hershëm e të thithtë.
gjinkallat këndojnë këngë dashurie,
që gjëmojnë në fundin e rrudhur të barkut,
të ëndrrave të mia dhe ëndrrave tua,
që digjen prej pranisë se munguar,
të fshehur në mundim… Ardhje së largu,
me tjetër largim.
Rrëfyer në etyde halore, alpine.
Për mushkën e plakur që rend e vetme livadhit
Për rininë e dashit dhe brirët e vjetër të kaut,
varur në ballin e qëmotshëm të oxhakut,
në lahutën e myshkët të përroit të shkuar,
që vjen e muzgët, në zemrën e plakut.
Shoh qerthullimin e një marrzie, mallëngjimi absurd.
Njerëzit, fshijnë duart nga bloza e ëndrrave dhe qeshin.
Për ta shtruar makthin në shtresimin e notit pa dallgë,
lëkurën e buzëqeshjes kërkojnë të veshin,
gjersa i mbështjell vyshku i mendimeve të thara.
Shpresojnë, pa shpresë, përtej sëmundjes që prekin,
bartur nga lindja me fatin e mbrapshtë,
që endet këmbadoras, ne kerkim
përbrenda, therur në breshër
bie përjashtë…
Vështroj turmat dhe nuk dalloj askënd.
Llavë e e bartur moteve të ngathtë.
Vetmia- turmë, lakure shumore rrethore, dihat.
Dhe një skelet dore që përzien pareshtur
lëndë të shkriftë, të butë,të kokrriztë, të rrjedhshme
që shprishet, hollohet,vërshon, mblidhet e përkulet
e tretshme. Te këmbët, krijesë e frikur,
më ulet e mystë
Gjerësi e thelluar mbyturazi, vetmi e teprisë së pranuar.
Torfë e rrugëve, me krye të thyer krokodili.
Me britmën që dhemb nga mbajtja e fshehur
e një shpjegimi që, duket e zhduket, i errur,
natë dashurore e thyer në fundprilli,
shkreptimë e therur.
Tufat e qenëve të kërleshur, afrohen, vështrohen ne flakë,
mirëkuptohen, ndahen, ulerijnë. Kthehen
përleshen, përgjaken, çlirohen, pendohen, pranohen.
Në bark me ushqimin e mbijetesës ngjallen.
Bëjnë dashuri mbijetese me frymën e ligësht.
Me sy të zbrazur, i bien pendesës
kur lindin këlyshët, me shpresë
të verbër.
Qentë rendin në një barazi të thurur me njerëzit.
Me lumturi të çveshur nën lëkurën e mbushur,
me shtresa avulli të ngjyer me shiun e verdhë të tingujve.
Shoh qentë dhe fytyrat tona që përafërohen,
dhe treten në një fytyrë të rënduar plot shenja.
Qen të pasur, që ndihen të varfër, angullijnë.
Qen të varfër që sillen të pasur, hungërijnë.
Pellgjeve, gjejnë pasqyrimin e algave në fytyra,
fërkojnë sytë mbi kurrizet e ashpër të bretkosave
që këndojnë dashuritë e lira,
të pelave, hardhucave, çakejve,
dhe dosave.
Vështroj dhe tkurrem.
Këngë të athta pellgjesh plot përmallje,
shurrë e gjelbër, kundërmon përreth statujave
që i ngroh ndotja e të gjallëve,
në brigjet e baltës së mendimeve.
Prindër që vetvriten, fëmijë që rriten
të çliruar nga të qënit, fëmijë.
Në absurdin e një lirie të pafund rrënimi,
fytyrave enden buburreca kokëzi,
kokëverdhë, sykafe, kokëkuq.
Godinave të pushtetit të ndesh balli në qelqe,
që shkrihen gazit larush…
Ti…tjetri…kush?! përse
Prej dëshpërimit tënd, që rend përmbytur,
lindën gjinkalla të verdha nëpër gjethe.
Në rrëmoren që të shkon ndërmend,
flet, gërmuqur, në pavetëvete,
me një ofshamë që krijon e përcjell
lëmshin e ujrave në kryqëzimin e damarëve
të avullt. Dikush!…
Askush,
veç teje.
Spital vigan, me dritare nga varrezat.
Të sëmurët e pashpresë, dalin fshehur nga dritaret.
Vetëvarrosen natën pa qiell, tek varret.
Lënë emrat, të shkruar mbi kokrra të kuqërreme molle
Çukitja e zogjve, i shkërmoq pa droje.
Ata, të lumtur nga ai largim, si tretje e pandier njolle,
përzënë vdekjen dhe e lënë në breg,
dhe përgjojnë…Kush do të strehohet
ndanë tyre?!… kush padashur po rend më shpejt?!
dalin brigjeve çdo orë, duke pritur një hop
me vështrimet, hedhur përtej,
përtej nesh.
Takova një prej tyre që ish gati të zbriste
nga bregu i shkriftë,
të shtrihej mbas dëshirës që kish.
E mbajta nga dora dhe e pyeta kush ishte.
Pat frikë mos e ktheja… filloi të qante,
Ndërsa nga xhepi nxorri ca monedha.
M’u lut të shkoja tej kodrës me bredha,
në pijetoren e shpirtërave. E lashë…
mahnites janë të çmendurit e përditshëm,
që zënë të dyshojnë se nuk janë ata që ishin.
Me fytyra të murrtuara, enden, shkundin kokat,
të ndalen pranë dhe të pyesin: më thuaj
” nëse jam i çmendur sot”?!…
Çdo gjurmë, është brenda një spitali, ku përzihen
gjithë të sëmurët dhe pijnë të njëjtin ilaq:
Kalbësinë e ajrit që sillet, e mbidhet,
në fërkim të frymës së përbashkët.
Atdheu i vogël, që shquhet për vajet.
Dalë prej ferri, gjysmë në ferr, i tëri në makth.
I përzishëm, i përmbishëm, i përfolur…Falet…!
I bie përgjysmë dielli, hëna, reja
përgjysmë e vërteta, mashtrimi, rrufeja
gjysmë pëllumb, qyqe, thellëzë, kaprollë
Ne, përmes gjysmave: gjysmë të çmendur,
vështrojmë njëri- tjetrin, dallojmë vetveten,
përmendur në horror.
Eci rrugës duke përmbajtur zhbërjen
Këpucët më ngjiten në jargë.
Të mos bie, duke u veshur i gjithi me rrobë jargore,
mbaj një hap të ngjeshur e të ngadaltë.
Breshka, ngarkuar me krimba, doktorë
piktorë, poet, publicistë, akademikë,
të rrjedhur, leshhedhur, çukapikë, çalapikth
Hajdutë, kryetar hajdutësh, këngëtarë, avokatë, prokurorë,
gjyqtarë, kumarxhi, prostituta që kthehen nga mërgimi,
virgjëresha që vijnë, që larg nga provincat,
me nëntë vështrime dhe shtatë palë vathë,
me prush, qe digjet, tek cicat…Sonte më presin për darkë,
me muzikë të kolme dhe pëllitje viçash,
dhe verë të thartë.
Çfarë hovesh të lëkurta të molisin.
Përballje e mugullt, në vetdije të hijes
që bie e ngjitet nga kurorë e pavetëdijes
dhe dalja prap mbyllet, përjashta daljes,
nga hijeafshi i tre jevgjiteve,
që në mosardhje,
i bien dajres.
Poet mos u kthe në atdhe?!…
Të shohësh atdhetarë me kockat e atdheut në xhepa,
si hajmali të shkruara me kthetra. Atdheu, oshtinë
nga boshi, si varri i Gjergj Kastriotit pa eshtra!
Malli s’na ka marrë për ty?!…Të vish,
të afrojmë nga malli ynë i zhytur në surrealizëm,
një shqipe që rrokulliset me sqepin e kthyer në fyt,
pas ngjitjes dështake,
në alpinizmin e rëndë,
te rënë përmbys. Dhe ngjitet…
Brazda llumi, të ngjyera me gjakun e zemrave të plasura,
pikojnë në çdo kafshim makthi të zgavërt, të larvët
Brenda çdo bulëze gjaku, një lulezemër bie e thërmohet,
si fara e një lindje të largët
që bie e mpakët, e shkruar
si fytyra mes shkretie të mbledhura
që lotojnë fshehur nëpër duar.
Mos u kthe?!…Jam pikëlluar!
Mbetem shpesh me njërën dorë në ballë.
Tjetrën në mjekër, me vetveten tjetër.
I rrënjëzuar,
në tundje, shkulje,
bashkë me dheun e punuar,
me përulje.
I dalluar si thinjat e para,
si kallinjtë e rralluar
nga sorrat që zbresin,
nëpër ara.
Një poezi ngjyrëdeti kam të pashkruar në xhep.
Tjetrën e kam hedhur, ngjyer me britmat e sorrave.
Njëra prej tyre e bart në sqep
t’ua dhurojë pasdite qorrave,
për barkun e mesnatës së rënduar, të kunguar,
të horrave.
dhe për shijen e popullit të mefshtë.
Dëshpërimi ulet dhe shtrihet i rrafshtë
si tokë e mbjellë, me gjëmbaqë
të ngathtë.
Një tokë plot diell e ujra, që mezi merr frymë
nga puthitja e buzëve të ajrit që mpaken e ngrijnë.
Mendoj: tani dielli po e kalon Kakinë e Nikajve
dhe vijnë në pëndesë, hijet e orëve të vona.
Po ndoshta edhe për të vdekur në rrethinë të qetë,
është mirë të ikësh, lehtë e pandier,
nga tokat e humbjeve tona.
Këtu nuk gjendet kërkund atdhe. Derdhur përtej…
Veç një trilli bukurie të verbër,
që ngjyen me qirinjë dhe përshpirtje…Nëse jepesh
tek varret me myshqe të vjetër,
diçka mund të gjesh, të bartet në jehona.
E patretur, endur në thërrime, pluhurizë,
në gurë të ndritur, në mbishkrime.
Një mërmërimë tingujsh të mbetur
nga hymne këmbanash, e lutjesh
që enden përjetë në gjumë të pafjetur.
Kur isha së fundi në Romë… më ndolli një dritëz,
të kthehem prap. Një përmallje e tillë…hera e parë.
Ndoshta dikur, në hershmërinë time të panjohur,
kam bredhur atje, si poet mërgimtarë.
U ndjeva më i lehtë, larg Tiranës zhurmore, që vërshon
shurdhore … Dhe për t’u prehur, më ndolli një valë,
me një butsi të ngrohtë yllore.
Këtu ankthi është sendërtuar në insekt të zi,
që të ngjitet në dorë dhe kudo tjetër,
në bark, në kurriz, në shputat e këmbëve. Shkundem,
dhe insektet fluturojnë nëpër pemë, zbresin në rrugë
bëhen mace, mjaullimë e shtrirë, si lëgushë e mbrëmjeve
nën brymën e bruztë, që e lëpijnë si delja kripën.
Buzët në lëngim…Hijehëne.
Kthehem mbrapa dhe gjendem përballë vetvetes,
duke u pirë nga mjaullimat. Mekem.
Sillem përreth dhe gjendem përballë vetvetes,
duke u pirë nga të lehurat. Rrënqethem.
Ndalem i përhumbur, vështroj krimbat
që dalin të ngjyer me ar, nga vrimat
dhe të zhytur në kënaqësi fërkojnë mjekrat,
të vrazhda, si vyshku në thekrat.
Vetveten s’kam dëshirë ta takoj, në zhbërje dhe rikrijim
të vjelur… Ma afruan me dhunë dashurie të ligë e të ngadaltë,
që shumohet e shpërndahet si milingonat
në lëkurën e dritës që dergjet e vrazhdë dhe plakë.
Në rrethinat vishnjë, të brejtura,
në përgjumjen me kumte të plasaritur,
që afrohet në darkë.
Më vështrojnë thershëm, lëpihen në buzët e mbushura.
Futu në tufë?!…Të thithësh, frymën e përzishme.
Të ushqehesh, me të vjellat që hedh bushtra,
nga seksi i vrullshëm, me kopetë e miqve.
E pra, kush jam që s’mundem të shpjegoj, e ta pranoj…
të përkulem në shijen e fitoreve të ulta.
.
Duke kërkuar atdheun brenda zemrës,
më largohet zemra me vrull nga vetvetja ,
si zog i jargavantë, i gjuajtur me gurë.
Ti, nëse e gjen atdheun në mërgim?!
Ma sill ta ndiej, çfarë drite ka te prekja?!…
Këtu se preka kurrë, te ngjitur e të ndritur.
Lopë, që e thithin thithëlopat
në buzë, shkumë e gjelbër në lotë.
Një mushkë që i kanë dalë brinjët.
Një burim që ja shurrojnë ujin,
mot për mot,
urithtë ,
dhe zhapikët.
Më sill ti, një atdhe?!….
Imazhi i një pyll lisaprerë, më ka mbetur.
Tunele të thellë, të futesh për të vdekur.
Lëkurë dhije e shkruar, në degët e hijeve
që largohet nga kujtimet e gjelbëra.
Një grusht fara të mbledhura
vishkujt e vonë, me vezullime të tretura.
Gjithçka kam patur, ka qënë e ëndërrt.
E bartur nga pamundsitë e të parëve të mijë,
dhe mundsitë e mija të ndërprera,
në shëtitjet e pamundura, që të mbetën Ty !
Dhe një kurëm i epërm, që e vajton e mjera,
oi, oi…
Më shuajnë kujtesën,
duke më shtuar peshën e shtypjes së ajrit.
Të vetkrijohem, nga hiqi i hiqit!… Dikush
i shkul dhe hijet e poetit, dhe gjuhën e aromës së barit.
Ti s’ke qënë më parë këtu ?!
Çfarë kënge… që më ngjitet majëkrahut,
si guri i sizifit.
Zjarri i zgavërt, ushqehet me hije.
Hije nuk jam, të digjem si lëkurë e tymtë, e një boshi,
si rrjedha e shpuar e ngarkesës ireale të një koshi.
Për ty dhe as për vetveten, hije nuk mbetem.
Gjer në kërthizë, më shtrëngon e më shpon shkretia,
me dhëmbë brejtësish, që s’jepen.
Të sjell njërën dorë… mos qajë!
Plot, shenja dhëmbësh.
Ta sjell ballin… mos e kthe shpinën!
Plot, gjurmë këmbësh.
Miku im në mërgim. Atje,
me një shportë mollësh vjeshtore në zemër.
Përditë, nga një kokërr e hedh me butsi në rrugë,
e vështron derisa afrohet një dorë,
dhe e merr, për ta sjellë tek unë.
Gjendesh i rilindur në tokën tënde.
Të mungojmë ne, në tokën e huaj
që ti e bart si atdhe, në mendje.
Ndaj, dhe i mëdyshur po të shkruaj,
duke e mbledhur këtë mbrëmje në grusht,
si një iriq me flatra korbi.
Përtej e hedh për ta thërmuar
dhe prap më kthehet e ngurtësuar,
si një tjetër iriq.
Ti, vazhdon ta besosh me thyerje…Atdheun.
Nëpër pala mendimesh e ruan dhe e shpleks.
Ne e gjetëm këtë tokë nga varret dhe baladat.
E vështruam të përzishme… dhe si murgeshë,
dhe shkuam vrulltaz në krye.
Gjer më sot, një ëndërr e pambërritshme,
që rrugëve bie, si manaferrë e shkelur,
Të kemi harruar! Për Ty, s’është keq.
Ndërsa u përpoqëm të gjëndeshim këtu.
Edhe për ty që mungoje
mbetëm, edhe pa vetveten kuturu.
Na mbajtën duke na ofruar ledhka pengimi.
Tani, kush je, që na kujton me qortim?!
Nuk të njohim, kaq vonë.
Me shirat, ra harrim.
Mbi baladat, ra borë …
Në fillin e pandier midis dy stinëve,
me atë ndarjen e butë, që ngjitet përfundi.
Pa atdhe këtu, me memorje të shprishur,
duke përtypur fara kungulli.
S’ka atdhe, si qen rrugaç, bishtkëputur,
i jargitur?!…
Dhuroja, kujt të duash fjalët e mija.
Hidhi në rrugë, të rrokullisen zhurmore.
Gjuaji me shqelm, si topa bore. Dëgjoji, të bien si ortiqe!
Qoji po deshe, në një shtëpi publike.
Hidhi në liqene, mbyllur në shishe të akullt.
Mish të përgjakur në barkun e një balene.
Në mundësh, dërgomi në Londër te një mike,
apo lëri, në buzët epshore të një Helene.
O hidhi në qiell, t’i marrë një dallëndyshe.
As që pikëllohem më tepër?!…
I kam shtrirë krahët në erën e marrzisë.
Që do të vijë nesër,
Edhe nesër…
Një nyje Unë… dhe kozmosi, një lëmsh me nej.
Brenda meje e përtej e ndiej, shuarjen.
Më tërheq me heshtjen e egër që kthej,
në ferrbluarjen.
Po ç’kuptim, do të merrte çdo fjalë ?
Kurrë, nesër, sa të jem gjallë…
E mbyll kujtesën….
Qysh sonte në darkë.
Kjo nuk është e thektë, për të ngjethur turmën
që endet në livadh të pajtimit dhe mpaket.
Që herët u nënshtrua, u përvol, u përvodh
dhe gjendet në ndriçimin, hijevakët .
Klithmë shpendi hyjnor, që bie i përgjakur,
dhe jep shpirt mbi murriz të ngrirë.
Për ata që diçka të ngjashme kanë ndierë
dhe janë tretur të rrethuar ligësisht,
nga të ligjtë me emër të mirë.
Gjersia e shpirtrave të parë,
kishte vetëm një tokë të gjerë dhe lirinë e hapit.
Ne na veshën kaq ngushtë të marrët,
me mendjen e regjur,
sa kurrë nuk qemë të lirë në vrapim,
pa çlirimin, e farës së fjetur.
Tani shtrij njërën dorë, pa krye rruge,
dhe prek atje, në askund, me përgjërim.
Tjetrën e mbaj këtu.
Ndiej diçka të më therë, me përçmim
thellë brenda meje dhe përjashta diku,
brenda brendisë, gjithkund.
Në amshim.
E mëthellta, e përbashkëta, e plasaritura.
Mbetja ime në pjesën e kalbur
dhe një farë e pjekur korb në mesdhe,
E lagur, e ngjallur, shpërthen e rend të ngjitet,
por bie një shi i vrugët dhe prap përmbytet.
Rrënja e lodhur boshtore, shpon nëpër dhera.
Në gurët, me damarë blu të kristaltë, në argjil.
Në ujrat e fjetur, që i zgjon pranvera,
në krye rend dritë e kalbur, e shtypur në fruta
dhe ngjitet me, ndriçim të mugullt.
Si prekje ëndrrore, të strukura.
Një kandil, e end era e njelmtë,
në natën e shkriftë mbi det. Një kandil
dhe drita e verdhë, që nderë hëna mjellore,
më puth, si tokë e vajit të shkretë.
Dhe zvarret, i shurdhët, i vakët
në shkërmoqje, mbetet i paktë.
Një brumë që nuk ngjit në krijim,
e mbaj, me trishtim të lagësht,
Gjer në amshim.
Qëndrova ditë, pa të përciellë një fjalë.
Pse nuk mendova, të të them diçka.
Po në një grimcë timen, që heshte…
Po bluhej, kjo baladë
e rëndë, e thertë, e errtë,
e patretshme…
Dhe një mbrëmje, nga këto të mykurat .
Më shpoi e tingullt, e pangjyrë
dhe s’kishte asnjë pemë që ta mbante.
Ta nisa Ty, pa mëshirë.
U mblodh kruspull…Po qante.
Baladat qajnë në dimër,
Vajenate, me erën qe vershellenë
Mbii lekuren e myshkët të mureve
Dhuroja kujt të duash…Këtë baladë
shirash dhe bore.
Hidhe në rrugë.
Jepja një qeni,
një maceje,
një zogu,
a bulkthi…
Dashnoreve pa emra.
Nuk e mbaj për vete,
e hoqa nga zemra .
Kishte zënë t’i ngrinte gjaku,
si fyell…I akullt, i kuq,
dhe nga frika e shkurtër,
nuk i vinte buzët,
askush.
Ndoshta lëkurë e trashë e atdheut
si lëkurë e gjarpërit ndërrohet, për ju të paktit.
Dhe si një triko pambuku, mban ngrohtë,
dhe mishi i tij, si mishi i krapit, shijohet,
kur bora i sillet përreth liqenit të ftohtë.
Unë e prek, prap me butësi. Në ujrat dhe pemët.
Si më herët,
fëmijë. Diçka nuk ndiej…
Çudi…!
Habitur?!…
Në qerthullin e rrymave, gjëndem perherë.
Diçka e thellë tek unë nuk shkon.
Diçka që dua ta këput në kërthizë
dhe mundsia e kuptimit më mungon.
Ta gjej, e ta hedh larg sysh, përgjithmonë,
atë lëndë, si fyell i akull qe shpon
Retë lidhen, nyje të errëta në kreshta.
Era e marrëzisë, gjëmon dhe i tund…
I përplasë, i hedhë të ndezura.
Shurrojnë të frikura si breshka,
kur shqiponja nga toka i shkul.
Dhe digjen me ëndje të heshtur,
si eshka,
që digjet menduar, në llullë.
Gjumin e kam pus të shterrur.
Këtu notojnë zhaba të plakura.
Thuajse rri, në pezulli, i zgjuar
të mos luaj me zhaba.
Asgjëja, pjell! Gjithçkaja, shterrë!
Metropoli shtrin krahët në Sharrë e Tufinë.
Në dy varreza, të ngrira ne blloqe që shtyhen
Te vrazhda, me anët e verdha, si dhëmbët e vdekur
Brenjetur, me imazhe të shpuar në verbëri, si kafka,
lëmuar, nga heshtja e vagullt.
Mermer i puthitur dhe i rëndë,
që t’i mbajë përbrenda, të mbyllur e të shtypur,
Rendon, nga droja mos ngrihen e kthehen në rrugë…
dhe enden të rrënuar duke lypur… ndoshta,
jetën e munguar…që ne na mungon.
Të baritesh brenda tyre, kur të gjallët i shmang.
Të mos i vështrosh, si hijevarreza…Të strukurit.
Gjen përngjasim me metrpolin…Të mjerët.
Veç metropli uturin, lëngon, këndon,
e bulon…me bufkëneta…Atje
të tërheq, e të përmall heshtja.
Ne përcjellim prej këndej shumë marrëzi.
Andej të mbërrin pluhur i zërave të mekur.
Ty të ngjajnë të ngjirrur në shterrim,
si zëra qyqarësh të tredhur.
Çdo ditë këtu zien zhurmëri e thatë,
brenda një gunge të zhytur në harbim.
Në një valle të mbyllyr e të qelbur
që vjellë shkulme, të vyshur ,të sëmurë.
Derdhur midis nesh, pareshtur…
Qyshkur…
Fytyrat me hije, që i bren ligësia,
zhguall i lëmuar, mbi zgavrën fruttharë.
Me hijeqyqen, e fjalës së papjekur,
krijuar me llumë, e ngjyer me nektarë.
Na shkruajnë e na japin mësime të sheshta.
Të vdekurit janë, aq të zemëruar,
përse i lëndojmë e shpesh i përmendim,
anëvarreve,mbijnë lule të leshta.
Secila, kërkon emrin.
brenda veshi tirret leshi
Brenda goje rrjedhin hoje
Lulecjapi
lulederri
lulesharja
lulebushtra
lulemarrja
lulemushka
ferrbalada.
Ide, ideale, irreale, mendjeçale.
Të shtypur e të thithur në lëndën e bërthamës,
hibride që thahen e zhbëhen. Mendjeshurdhe…
Në kërkim të asgjësë, që pjellë e vjellë.
Si gomerë të çmendur, sillemi anës.
Çfarë mrekullie?!… Thurimë prapëshite.
Përditë mbajmë, në duart e syve,
zemrat tona dhe fytyrat e fëmijëve.
Mund të na bien përdhe e të thyhen,
zemrat dhe fytyrat si lojë e një fati të shqyer,
në ndërmjetsi të çastit ku ndahet frymarrja ,
në atë pushim të pandier.
Mund t’i harrojmë, dhe bien
copa- copa,
thyer.
Nuk mundem të marr një shkop, si i plakur.
Të tërheq këmbët me fërkim të gërvishur.
Të qortoj, pse mbete pa ardhur…e pse?
Duke thithur një cigare të dredhur, i lëverdhur
të ulem, të shkruaj i strukur në një qoshe.
Të dashurit nuk i njeh po u ktheve. Mos u kthe?!
Në frymën e ashpër, si zhguaj frutboshe.
Kjo është balada e përvajshme e një copëz toke.
Korbat enden me qilima fluturues, përralltarë…
Kjo pëllumbeshë që po kalon këtu sonte,
se mban mend ,as herën e parë!…
Dhe tjetri korb, më i ngjirrur
duke thirrur…. as herën e mbrame!
Korba të bardhë,
në të shkuarën e ardhme.
Në fillim e kisha atdheun.
Gjersa mbusha nëntë vite, qemë bashkë.
Dyzetë vite e kërkova më vonë.
Prap se kam gjetur?!…Veç ndiej një këmborë
që bie e shurdhër në një zgavër,
orë për orë,
në qafën e një ujku, bie e bie
si lutje e hershme e një djalli,
një zile bie, çast më çast
në qafën e një mjellme, që hedh hije
brenda një pike të kuqe loti,
si lutje e thellë që futet në asht,
e një tjetër zoti.
Se kam të mundur, ta gjej?!…
E mbajnë të tjerët mot pas moti.Thonë
ndoshta dhe nga vuajtja, të më zhytin në dëshprim,
si një prostitutë e përdorin,
netëve vonë…dhe në mesditë
lëshuar në harbim.
Ndoshta, i shpëtove dëshpërimit atje.
Unë hyra në shpirtin e kësaj vajze mushkë,
të ngarkuar me dashuri dhe humbje të rëndë,
dhe më tregoi dhimbjen e pandarë
që zemrën, po ja shemb.
Po nëse kthehesh, çfarë do bësh këtu?… çfarë fare, faron?!
Si do rigjesh diçka tënden, të çmuar, që prapë ndrit,
në qytetin me shije të rritur zhaba- zhaba,
që diamantet i përthith dhe i mbyt,
varur në krraba
Do dërrmohesh, e lëshohesh i shprishur
duke dëgjuar në ethe vajqyqen.
Do shkrofëtish, i rrëzuar në livadh.
Do sillesh në kurriz, në ije dhe në bark,
do ndihesh në gjëndje të molisur
tek të sillen langonjtë, përqark…
Langonjtë me bark.
Çfarë mundimi… të ulem në këtë fluturim pa kah!
Të thur një triko poezie, ta veshësh Ti atje.
Po kujt t’ia dhuroj?!… Kjo duhet dhuruar patjetër?!…
Këtu poetët ecin ngjitur me muret,
të çmëndur e të verbër…Poetët
të mbetur përgjithmonë përjashta.
Dhe unë mbështetem në murin tim,
te bar kashta. Në shoqëri të lirë
me hardhuca larushe,
dhe leshkurva që sillen e lëpihen,
si qenushe.
Nyje dëshpërimi, shtrydhet e pikon si qiri
mbi një grusht guraleca kuarci,
si nejtë e gishtave të mijë, që digjen e kërcasin.
Në buzë shija e hirit e atdheut
ku mbajmë pashuar zjarrin
Gurë të pjekur gëlqerorë, shprishen në përroin e gjakut.
Dhe i vjellë, të shkrirë me gurgullimë në grushta.
Ndjek fillin e hollë të dëshpërimit,
rrugëve të ngushta, qe enden trishtimit
Shprishet,
kumbim i brendshëm i plasaritur…Niset ,
përjashta merr flakë, muri i tharë i ajrit.
Pëshpërit në ngjyra të kokrrizta, gërvishet,
gishtërinjëve që digjen në thonjtë e akullt.
Dhe makthi rritet!
Vonë, tkurret hapsira. Dal e bredh, e diçka shtyj përtej,
si bir i perëndisë, me tharmin e djallit.
Përpara rrëzohem mbi një ledh…heejjj
Me një peshë që më shtyp, e shtypet…E hedh.
Ndihem i larguar, i parrëzuar.
Ndarja përtyp, përtërit e mëdyshet.
Mbetem kaq i pamundur dhe ngulmoj
ta sjellë përpara, të plotë krijesën.
E ndiej të jetë e ngjizur e shtrirë,
duke dashur të ngrihet e lirë tjetërkund.
Zhbëhet duke rrjedhur e tejdukshme,
përbrënda meje dhe jashtë në hapsirë.
Dhe prap ta mbledh, nuk mund.
Diçka, ndryshe me gjithçka. Pa përtesë,
e gdhend mbi një lëndë me brirë dhije.
Po nuk munda, shkëputem pa pendesë,
humbjet e panjohura, nuk mbeten të mëdha.
Ngadalë me shkitje të butë do të bije,
në brendinë e çelur me vonesë,
ndanë imazhit të saj, që rritet në hije.
Dhe përmes dritës së lotëve, të pjekur
në qelq të perëndishëm që mban një dritare,
do vështroj symbyllur i tërhequr
ngjyrat që mbeten, nga flaka e një kitare.
Do të dal i plotë, në te tjera livadhe.
Me një trastë, të thurur me flokët e gjithkujt,
ku ndrit një hënë si lopë e madhe
e dalë prej barkut, në dallgët e ujit.
Më kish marrë malli për këtë kërmill,
në gurin e lagësht pas shiut.
Por befas e pashë të shkiste i lëpirë,
në gjuhën e lagësht të ariut.
Mbeta i ngurtë në thithjen e çastit. Andaj
Mora të të sjell, rrathët blu të guackës,
një kokërr gështenjë që sython në lëgushë,
një grusht kokrriza të ngrira të ajrit,
dhe vajzën mushkë.
Asgjë tjetër s’mbaj mend?!…
Vagullim dhe tretje. Ky vend,
në gojën e brymtë!
Peshimi, përhumbja,mbetja dhe kthimi
tek streha e një qëllimi,
që rrjedh i paqëllimtë.
Me trupin, që bart energji të hajthët,
bart lëndën e shtuar në shtratin e hershëm,
në marrzinë që vjen e ngjyer e përbashkët.
Do kthehem së mbrami i mëdyshur, i plakur
për bajram dhe kur të bien pashkët.
Pa harruar shërbëtorkat e djajve, shtresuar
kudo rrathë-rrathë, punojnë të përkryhen.
Vijnë të gjitha moshat duke zbritur
gjer te shkollarët e hutuar, me shije të njomë.
Shërbëtorkat meshkuj, më të neveritur
nga lëpirjet epshore, lëshojnë një aromë,
nuhatje të përtypur.
Të vëmendshëm, lëkurbutë
me ndjeshmëri për të lexuar frymëmarrjen eprore
të djajve të vegjël dhe djajve të mëdhenj,
të një dore.
Të ashpër e të urtë.
Përmes tyre do kalojë secili
si te porta e hershme e shënturpit,
të shpirtit
dhe trupit.
Femrat kanë një butsi të pranuar
ku përzihet afshi, ledhka, shkundja,
përdredhja thithse. Diçka e përzishme
midis dhënje – marrjes së përnënshme
dhe të përmbishme.
Këtu jetoj…. munduar t’u shmangem.
Përpjekur të mbaj përbrenda atë lëndë,
që më dallon nga shkitja e lëmuar në krye.
Ndaj dhe të shkrova i copëzuar mbrëmë.
Të tundova, duke i rënë fyellit
me brirë dhie.
Gumëzhima, grerëzash, ngjyra të pangjyra
thumbojnë, lulojnë, valëzojnë.
Secila ndryshe, të afrohet e të shpon,
të mbushet dëgjimi me shkëndija,
përbrenda të mbetet karbon.
Përshkim,vërshim në ngjitje, ndalesë.
Ulje, turbullsi, rrëmore.
Akuj, zëra, gurë, ngjyra që rendin,
në ujvara gjinjëbardha ujëbore,
në jehona të vona.
Zaje të thyer, dhëmbësh.
Thurimë që duket e zhduket.
Ëndrra të shkruara me gishtërinjë këmbësh
dhe shpirti që nduket.
E pagjëndje, qerthullore dhe e spirrtë.
E spërdredhur, përjashtësie të përbrëndur.
E fshiktë, e thërmimtë që të shpie
të mëdyshesh, nëse gjëndesh e përmëndesh
në vërshim hulliri, që vershon i çmendur.
Tjeter gjendje e pagjendje qe te ngjall sapak drite
per tu ngjallur ndryshe per te gjetur kahin
te kthen e te zhytë në pusin e thengjilltë
Te nje goje qe përtyp e tretë pa meshirë
Dritën qe bulon e dylltë.
fytyrat gjith ç’japin,nuk e mbajnë
i mbulon lëkurë e ndrydhur fjaleve
pathënsia e pashprushur, vështërsia
lënda midis ngjyres edhe tingullit.
Vuajtja. Pushimi i papushuem…
Ave Maria
u kuptuem….
Mbasthënie
Nëpër duart përbenda, më mbeten netët dhe i sjell si korba
T’i hedh në gojën e britmave të ujqërve, pse s’mundem t’i përtyp.
A’ thue, t’i nis ty, o miku në mërgim, a miqve të tjerë…?!
Apo të dal, si të vdekurit e të lyp
humbjet. I thyer, i shtrydhur dhe i mjerë.
Nëse pranon ti marrësh… Merri sonte!
A mund t’i shprishësh e t’i kthesh në breshër
të mi sjellësh, tretur në një kokërr dardhë.
Të ulem, t’i kafshoj te lumi i bardhë
Te ura e vogël, pranë mollës së egër.
Ndoshta të ngjan trill, sa të them: është e vertetë
Gjithçka që e lash më parë, tani e gjej tjetër.
Këtu e prek fundosjen e lëndës së pathënë
Dhe s’ka asgjë të re, që s’zhytet në të vjetër.
E kam menduar, i përshkuar mbrëmë.
Po, prap të mbetet të bësh një ndalesë
ku të përthithë mbramsia që ngjan e shterruar.
T’i marrësh këto fjalë, t’i hedhësh në lirishtë
Të ajrit që shterron e lindet, pashterruar
I eger dhe i brishtë
Në gjithçka që më preku, krijova tjetër jetë
Andaj dhe këtu jap shenja të mëdyshur
Po gjithçka e kam marrë e kthyer në brumë
Të krijimit që ngjallet lart duke u ngjitur.
Avullsi mbi shkumë.
kryqëzime zhbëra, dhe mëdyshje thitha,
Në këtë horror, që thelbësisht e njoha.
As prita të qe ndryshe, e përse o miku im…
Pritja …Ndaj edhe të thura një tingëllimë të lashtë
Që bota e pat sjellë, kur vija që nga jashtë.
E mora dhe e rrita.
fjolla loti, në fjolla flake shkruani diçka te mbrame.
E pikoni përsipër në thithje të reve dhe në tinguj,
në kokrriza të kaltra, bini dhe kendoni
Me butsinë e ftohtë të skëllotës së ideve.
Vetmuar nëpër ishuj. Më harroni !
ishte ky takim me ate lëndë ndarse.
Kjo shkitje e rëndë, gërmuese dhe e zbraztë
Në skuta, s’do mundem t’i fsheh sytë e parë
Nga vërshimi i një bote që më afron e jargët,
Një dashuri të mbrapshtë
S’do kthehesh kurrmë, në krahun tënd që u këput
Oh …! sa pikëllime kanë rënë duke më thirrur.
Po ndërsa e kam endur një lëndë të pëlhurtë
Prap ta kam sjellë, e therur të kam thirrur.
Nga shtresimi i ngurtë.
O Ti që më erdhe, veç prej gjendjes që më shtrydh
Munduar të më ngresh, e të më mbash pa rënë
Të përqafoj tani, pa praninë tënde. Hijedhëmbje
Qe jashtë në heshtje e kanë lënë.
Vershim të kriftë…hijerëndë
me gishtërinjë, çukis e thermoj ballin… e kerkoj
kumbimin qe shungullon perbrënda kafke
Ti çel nje shteg, bartur, shtuar, papajtuar, ta çliroj
Ne hone te jehontë, ne boshsi te kesaje nate
Te mbahem parrëzuar
çfare kushtimi duke ecur hirit kockor
Qe me humb, çdo gjurmë, era mbrapa
Duke reshur me pjalmin e dimrit
Nje ortek i shkoqur ne alpet e thellimit
Bie rrokullimë dhe s’ndal kerkund
Bie bie bie ne lugine te mbinënkohes
Ndersa gishterinjet e mije ne balle
Cukisi thermisin, cukisin, edhe shkruajnë
Si zogjtë e bores ne baladë.
Lahutari
E mbajë nje shpresë pas hijeshkrimit,
Hijefjales, dhe hijelules përmbi borë
Me ferrbaladen e gjykimit, pa përtesë
Te nis nje fyell dhe nje këmbore
Ta nis nje gurë nga muri i kullës
Te nis lahutën e eposit, mbi nje kalë
Te nis Ajkunën qe kam pranë, e më vajton
O ti poeti i mergimit…Mos te kesh mall
Ta nis dhe varrin megjith nënë
Ne bashka reje te purpurta
Përmbi borë e pernën henë
Qe të vetndihesh krejt i plotë, të na harrosh
Përjashta meje dhe kesaje toke
tre filiza ne ahishte…i’a jap stuhise
Ti mbjellësh natën rreze nje kodre
Të gjesh nje strehe përtej vetmisë
Te nis nje tjegull nga çatia, me lëmyshk
Nuk mbaje asgjë qe te mungon, ku ta mbajë ?
Ndaj po te nis avujt e lumit, në udhë te qumshtit
Me mërmërimë e dallgezimë, e breshërimë,
si nje baladë perpara gjumit,
Të futë ne gji, nje melodi, të ledhaton
Nje gurë te shkruar, marrë ne zaje, po ta nis
Si te bekuar
Po diçka tjeter mbaje ketu. TI nuk i deshe
tufa -kulçedra te pusht- pushtetit… dhe unë si dua
Qe na kanë na kane rjepur, te paepur
Nga majmali ne bregdeti…na kane shkundur
Na kanë mundur… dhe pathyer
Te ngashnyjer, papërlyer?!…Te pashkulur
ti vëresh,
flasin, gerthasin, të paveshë
çirren, gërvishin
ngjirren, kacavirren
shtiren, zbuluar
Gojtarë, të mbaruar
gojçarë, vesh më vesh
barkoshë, shtatzënë
hollake, deshtakë
laroshë….kokrrosh…
thuret leshi brënda veshi
brënda goje rrjedhin hoje…
Pershendetje Z. Jak Mu kujtua jo vetem per ta shkrujtun thenien e Pablo Nerudes: “Poezia eshte nje akt paqeje. Poezia lind nga paqja, ashtu si buka nga mielli”.
Ne poemen tende ti i paraprin lexuesit per nderthurjen filozofike duke e paralajmeruar se: Jam pergjegjese per ato qe shkruaj, nuk jam pergjegjese per ato qe kuptoni. Jam pergjegjese per paqetimin e poezise ashtu siç eshte pergjegjese soda per mbrujtjen e bukes. Sinqerisht je nje ze i veçante ne poezine shqipe që vjen në kohën e duhur, kur më shume se sot, edhe se gjuha e qashtër gegnishte po trandet në lterin fishtian. Gjithnji poezia ka pas “nene” dy ndjenja te kunderta, dashurine dhe urrejtjen. Asnje ndejnje e trete ska mundur ti jape force poezise. Ato preupozojne dhe lindin njera tjetren. Kete mesim te kahershem autori e cek trandshem ne poemen e tij. Ne menyren e vet autori trajton motive qe i pergjigjen andrres se vet pa harruar ndriçimin e drites se aresyes dhe virtytit. Jam ne pritje te nje libri me firmen tuaj qe do te ishte pjese e vyer e bibliotekes time modeste.
JU falnderoj shume. Edhe per mue do te jete kenaqesi te takohemi dhe te Ju dhuroj librin tim “SPITALI” Me mirenjohje Jak Perpali.
Ju falenderoj per zemergjeresine.
Kenaqesia do te jete e imja
Duke ju uruar shendet e krijimtari te begate
Une quhem Gjergj Gjaci