Intervistë me Evgenia (Gena) Bajramin, bashkëpronare e gazetës “Illyria”, New York. Intervista është marrë nga libri “Zonjat Shqiptare në New York”, projekt i “Albanian Excellence”.
Zonja Bajrami ju me bashkëshortin tuaj z.Vehbi Bajrami per 10 vite pronar i gazetës “Illyria” keni vite që punoni pranë kësaj gazete e cila është bërë një media e fuqishme për Diasporën shqiptare, cili është celësi i suksesit tuaj?
Me gazetën “Illyria” jam e lidhur shpirtërisht qëkur erdha në Amerikë më 1992 atëherë kur ajo ishte në vitin e dytë të botimit. (Gazeta u themelua nga aktivisti Harry Bajraktari, i cili e botoi këtë gazetë për shtatë vjet). Në këtë kohë, bashkëshorti im Vehbi Bajrami, punonte këtu gazetar dhe ai kishte filluar të gjurmonte historinë e shqiptarëve të Amerikës. Për vite të tëra ne udhëtuam së bashku nga një shtet në tjetrin për të takuar shqiptarë të rinj e të moshuar, figura të shquara për të cilët shqiptarët dinin pak ose fare, njerëz me shumë suksese në kontinentin e ri, por edhe njerëz të shkëputur nga bota shqiptare që e festonin takimin me ne, njerëz të vuajtur për shkak se ishin arratisur nga regjimi i Enver Hoxhës dhe i Titos dhe kishin lënë familjet në vendlindje për shumë vjet… Me një pjesë të këtyre njerëzve patëm rastin të takohemi e të ndajmë gëzimin me ta, pasi ata u bashkuan me të afërmit që pas rënies së diktaturës erdhën në kontinentin e ri.
Një nga kënaqësitë e punës në “Illyria” ka qenë dhe mbetet njohja me komunitetin shqiptaro – amerikan. Falë gazetës, me një pjesë të bashkatdhetarëve kemi mbetur miq të përjetshëm. Disa prej tyre fatkeqësisht kanë ndërruar jetë dhe bashkë me bashkatdhetarë të tjerë i kemi përcjellë ata për në banesën e fundit.
Tani për t’iu kthyer pyetjes suaj, për të arritur sukses nuk ka ndonjë çelës magjik: po deshe suksesin duhet të duash atë që bën e të punosh fort për realizimin e asaj që synon. Ndikim vendimtar ka mbështetja e familjes. Duhet të duash jo vetëm profesionin po dhe njerëzit me të cilët punon e ballafaqohesh në jetën e përditshme. Duhet të jesh pjesë e halleve të tyre, t’i kuptosh se për çfarë kanë nevojë. E nevoja e shqiptarëve të Amerikës ishte etja për informim të drejtë për ngjarjet në atdhe dhe gazeta “Illyria” e përmbushi me plot sukses dëshirën e tyre.
Suksesi më i madh i gazetës ka qenë dhe mbetet informimi i drejtë dhe i paanshëm i shqiptarëve të Amerikës për ngjarjet që ndodhin në atdheun e tyre dhe në komunitet. E dyta, njohja ndërmjet tyre dhe njëkohësisht lidhja e bashkimi i komunitetit rreth kauzës kombëtare. Dua të theksoj se gazeta “Illyria” veçanërisht me faqet në gjuhën angleze ka qenë zëri më i artikuluar i kërkesave të shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë. Këtë mesazh ajo e ka përcjellë fuqishëm tek institucionet amerikane në Washington. Ne ishim me fat që, një nga arsyet për të cilat ishte themeluar “Illyria”, pavarësia e Kosovës, u realizua në vitin 2008 kur ne ishim botues të saj.
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi e dekoroi gazetën “Illyria” me medaljen e mirënjohjes “në shenjë nderimi e mirënjohje të thellë për këtë gazetë që ka për ideal të shenjtë në tërë përmbajtjen dhe veprimtarinë e saj shërbimin ndaj cështjes kombëtare, lirisë, prosperitetit dhe përparimit të popullit shqiptar”.
Dekorata u dha në 20-vjetorin e botimit të gazetës në një ceremoni madhështore në Manhattan ku merrnin pjesë rreth 1000 veta, personalitetet më të shquara shqiptaro – amerikane, disa prej të cilëve u nderuan nga gazeta për kontributin që kanë dhënë për kombin shqiptar dhe amerikan.
Me pjesëmarrje na nderoi edhe ish zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, James Rubin e personalitete të tjera të larta të politikës amerikane.
Dua ta përfundoj këtë pyetje me fjalët e mikut tonë, shkrimtarit Ismail Kadare:
Është kënaqësi për mua që të uroj gazetën “Illyria” si qytetar shqiptar, shkrimtar, si lexues e si bashkëpunëtor i saj.
“Illyria” mund të krenohet për shumë gjëra, por ka diçka për të cilën ajo mund të krenohet fort. Në këtë kohë pasionesh, shpesh herë të mbrapshta, ajo ka meritën të mos ndikohet prej tyre, të jetë e paanshme dhe të ketë të shenjtë vetëm një pasion: lirinë dhe lumturinë e popullit shqiptar.
Me këtë shenjë e këtë flamur, ajo do të jetë përherë e dashur dhe e nderuar nga ne të gjithë.
Gjatë botimeve të shumta, cili editorial apo shkrim ju ka lënë më shumë mbresa të pashlyeshme, qoftë dhe ndonjë personazh brenda këtij misioni?
Pa dyshim se intervistat e realizuara me shkrimtarin Ismail Kadare. Shkrimtari ynë shpeshherë kur ka pasur çka të thotë i është drejtuar lexuesit shqiptar përmes gazetës “Illyria”. Jemi të lumtur që ai është një mik yni dhe siç citova fjalët e tij më lart, ai ka një respekt të madh për gazetën “Illyria”. Bile ai ka qenë shkaktari kryesor që gazeta në vitin 2006 kaloi në pronësi tonë nga botuesi i mëparshëm Ekrem Bardha, i cili e botoi gazetën për tetë vjet.
Natyrisht është tepër vështirë të përmend gjithë ato shkrime të tjera, intervista, editoriale që më kanë lënë mbresa por me këtë rast dua të veçoj disa prej tyre: shkrimi për Adam Belushin, babain e aktorëve Jim dhe James Belushi, astronautin William Gregory, shkrimet për nobelistin dr. Ferid Muradin, Asim e Dita Jakovën, Nexhmije Zaimin, Anthony Athanasin, Nermin Vlora Falaskin, Ago Agajn, Iusuf Luzajn, Kemal Butkën, Prenk Grudën, Bardhyl Cukun, Rexhep Krasniqin, Mustafa Hencin,Tahir Kërrnajën,Hysen Ismajlin, Peter Priftin, Rose Dostin, Loretta Chase, Arthur Likën, Nicholas Panon, Stan Dragotin, Sal Rusin, Sami Repishtin, Lekë Gojcajn, Wilson Kokalarin, i cili ishte mbikëqyrës i projektit të zbritjes së njeriut në hënë, Jim Xhemën, dr. Rifat Latifin, gjeneralët shqiptaro – amerikanë Thomas Pochari e Eddi Zyko, etj. Me një pjesë të tyre kishim dhe kemi miqësi të ngushtë. Më kujtohet i ndjeri Asim Jakova, botues i gazetës “Illyria” në Shqipëri në vitet 30-të të shekullit të kaluar, në moshën 90-vjeçare, dy ditë para se të ndërronte jetë më bëri një telefonatë. Sëmundja e pashërueshme po i merrte jetën dhe në vetminë e tij të madhe, në shtëpinë e pleqve në Florida, duke pasur pranë vetëm bashkëshorten Ditën, kish nevojë të fliste me njerëz në ditët e fundit të jetës së tij.
Për mua mbeten të paharruara momentet me të gjithë këta persona që përmenda më lart, por posaçërisht dua të theksoj takimet me arbëreshët në Louisiana dhe California, njerëz të harruar për të cilët deri sa ne i zbuluam, bota shqiptare nuk dinte asgjë për ta. Ndihmë të pakursyer në zbulimin e tyre na dha miku ynë arbëresh, Bret Clesi.
Shkrimet e kryeredaktorit të gazetës, Ruben Avxhiu gjithmonë më pëlqejnë. Ai mendoj se është më i miri gazetar shqiptar për mënyrën e stilin se si shkruan e posaçërisht paanshmërinë në gjykimin e problemeve. “Illyria” është me fat që ka një gazetar e kryeredaktor të tillë.
Dua të veçoj këtu edhe dy shkrime për dy ngjarje të botuara në “Illyria” e që për mua kanë qenë tejet të prekshme. Babai po priste në shtëpinë e tij në Queens të New York-ut djalin nga i cili ishte ndarë dyzet vjet më parë. Po e priste djalin me të gjitha të mirat me sofrën plot e me njerëz që kishte ftuar të ndante me ta gëzimin. Imagjinoni këtë takim pas dyzet vjetësh. Babë e bir u mbuluan me lot. Nuk ka fjalë si të përshkruhet një takim i tillë. Të vinte keq kur e shikoje të birin e emocionuar që ishte rritur në Shqipëri e të dukej më i moshuar se babai në Amerikë. Ishte një fakt tjetër për të dëshmuar vuajtjet e shqiptarëve nën diktaturën komuniste. Rasti tjetër qe një takim dy vëllezërish, të dy të lindur në Amerikë. Diku në vitet 30’të të shekullit të kaluar prindërit morën fëmijët nga Massachusetts dhe u kthyen në Shqipëri. Pas disa vitesh babai mori njërin prej tyre dhe u kthye sërish në Amerikë. Një vit më vonë plasi lufta e Dytë Botërore, kufijtë u mbyllën e familjet u ndanë. Në vitin 1993, vëllau nga Shqipëria erdhi të takonte vëllanë në Amerikë. Me adresën e vendbanimit të vëllaut që jetonte në ishullin Martha’s Vineyard në Massachusetts, vëllau nga Shqipëria, unë me Vehbiun dhe aktivistin Palokë Vulaj, shkuam në këtë ishull të bashkonim ata, por takimi mund të them qe një tragjedi. Vëllau nga Amerika iu vërsul me britma e akuza vëllaut të ardhur nga Shqipëria: C’ke kërkuar të vish këtu? Ik nga ke ardhur! Nuk të njoh për vëlla! Përpjekjet për t’i bashkuar nuk patën sukses.
Të gjitha këto shkrime e histori të dhimbshme që përmenda më lart janë përmbledhë në librin “Shqiptarët e Amerikës”, me parathënie të Ismail Kadaresë.
Ju jeni e njohur për ndihmat që keni grumbulluar për familjarët e viktimave të Reçakut dhe të Drenicës. A mund të na thoni konrektisht për këtë aksion humanitar dhe si është pritur në komunitet?
Jam shpallur si “Nënë e Vitit” nga Shoqata e Gruas Shqiptaro – Amerikane “Motrat Qiriazi” për aksionin e grumbullimit të mjeteve materiale për viktimat e Reçakut në vitin 1999, të familjes Deliaj në Drenicë e të një familje tjetër të varfër në fshatin Cërrnicë të Gjilanit. Në këtë aksion morën pjesë gra e vajza shqiptaro – amerikane nga New York-ut, New Jersey, Texas-i, Illinois etj. dhe u mblodhën një shumë e konsiderueshme e mjeteve materiale.
Ishte një aksion që e fillova duke u telefonuar shoqeve dhe duke u shpjeguar nevojën e ndihmës për një familje të varfër në një fshat të Gjilanit. E para në ndihmë më doli Hatixhe Bytyçi e pastaj gra e vajza të tjera të komunitetit që më përkrahën pa kursim në këtë aktivitet. Meqenëse shuma e parashikuar për këtë familje u tejkalua, një pjesë e ndihmave u dedikuan për familjen Deliaj në Drenicë. Aksioni vazhdoi me mbledhjen e ndihmave për familjarët e viktimave të Reçakut. Ky aksion gjeti përkrahje në shumë shtete të Amerikës dhe më vonë lexova në shtyp se edhe vajzat e gratë mërgimtare nga Evropa ishin inspiruar nga ky aksion.
Pas lufte unë vizitova vetë fshatin Reçak dhe ua dorëzova ndihmat personave të autorizuar nga fshati. Ishte një moment pikëllues takimi me këta njerëz të vuajtur. Ende më rri para sysh babai i tre djemëve të masakruar, pastaj një nënë që kish humbur bashkëshortin dhe mbetur me gjashtë fëmijë jetimë. Shkrimtari Ibrahim Kadriu që më shoqëroi në këtë vizitë më tha që të jepja një mesazh për këta njerëz por nga emocionet nuk kisha mundësi të thoja asnjë fjalë.
Ju jeni integruar intelektualisht në botën amerikane. Cilat janë disa nga përpjekjet tuaja dhe më konkretisht flisni për punën tuaj?
U diplomova në vitin 2005 në “Baruch College” në Manhattan në drejtim Financa dhe Investime me notë mesatare shumë të lartë. Gjatë katër viteve kam qenë në “Dean ‘s List” dhe anëtare e “Golden Key International Honour Society”. Më parë mora diplomën në administratën e biznesit në “Borough of Manhattan Community College” (BMCC). Dua të theksoj se studimet këtu i fillova nga e para gjë që nuk ishte e lehtë. Kisha mangësi njohjeje të gjuhës angleze (në Kosovë kisha mësuar frëngjisht), ndërkohë që baza e kolegjit këtu ishte matematika, të cilën në Kosovë nuk e kam e pasur për dëshirë për shkak të kuadrit të dobët. Gjithmonë kam menduar se nuk jam në gjendje ta mësoj matematikën, por çuditërisht, me punë arrita që të jem e dalluar në këtë lëndë, e cila më shtyri të zgjedh degën e financave.
Pas diplomimit për një kohë punova në zyrën e anëtarit të Këshillit të Bashkisë së New York-ut, James Vacca ku mora një përvojë mbi mënyrën se si funksionon administrata e qytetit të New York-ut dhe kërkesat që ajo duhet të përmbushë ndaj qytetarëve.
Studimet në Amerikë më kanë hapur rrugën e suksesit dhe më kanë dhënë një vizion më të qartë për Amerikën. Nuk besoj se ka një vend më të mirë në botë për të studiuar e për të punuar.
Përvoja ime akademike në Manhattan ma plotësoi mungesën që pata gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës (absolvova në Fakultetn Juridik) ku kushtet ishin shumë të vështira për shkak të gjendjes politike.
Bazat e arsimit mund të them se i fitova në vendlindje, sidomos në gjimnazin e Gjilanit ku pata profesorë që ishin të dedikuar në punën e tyre si dhe prindërit e mi të mrekullueshëm që më dhanë motiv e përkrahje të pakursyer. Babai im ishte mësues me profesion dhe kjo kishte mjaft ndikim që qysh si fëmijë shumicën e kohës ta kaloja me libra në dorë. Nëna, ndërkaq, gjatë gjithë kohës na udhëzonte të kryenim detyrat e shkollës e na përsëriste se vetëm arsimi e çon shoqërinë përpara. Babai ka qenë një admirues i Cajupit dhe për këtë ai më pagëzoi me këtë emër, i motivuar nga poezia “Vaje” e këtij shkrimtari të njohur.
A shikoni se mund të bëhen më shumë përpjekje midis medias amerikane dhe atyre shqiptare këtu në Diasporë për shkëmbim mes shumë kulturash dhe përvojash të ndryshme?
Natyrisht se një nga qëllimet e gazetës “Illyria” ka qenë dhe mbetet bashkëpunimi me gazetat amerikane. Për dy vjet me radhë bashkë me një nga gazetat më të mëdha në Amerikë, “New York Daily News” bashkëpunuam ngushtë për të botuar faqe të tëra në këtë gazetë mbi historinë dhe kulturën shqiptare. Për herë të parë, për 100 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe një vit më vonë, historia dhe kultura shqiptare u pasqyruan gjerësisht në faqet e kësaj gazete ku unë po ashtu botova dy artikuj mbi një histori arbëreshe në Amerikë dhe një temë mbi përjetimin e tragjedisë së 11 shtatorit. Gjatë luftës në Kosovë “Illyria” ka qenë një nga burimet për mjetet amerikane të informimit që shkruanin në atë kohë e që shpesh u mungonte informacioni i saktë. Kemi ndihmuar kanale të fuqishme amerikane e gazeta të famshme si “ABC”, “CNN”, “The New York Times”, “Newsday” etj., për të shkruar e raportuar mbi luftën e Kosovës. Ata kërkonin indidvidë në komunitet për t’u përfshirë në debate dhe ne u sugjeronim atyre personalitetet me ndikim në komunitet, të cilët pasqyronin të vërtetën e kësaj lufte që shpesh amerikanet vështirë e kuptonin. Shumë botime amerikane gjatë 25 viteve të fundit kanë përdorë si burim gazetën “Illyria”.
Si erdhët në Amerikë dhe cilat janë disa nga vështirësitë e para që ju hasët si emigrante?
Në Amerikë erdha pak vite pas bashkëshortit tim. Plani ishte që të ktheheshim pas disa vitesh por gjërat nuk shkuan siç i menduam për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej Kosova. Këtu u martuam dhe këtu jetojmë në harmoni me dy fëmijët, Ronin e Rinin për më shumë se dy dekada. Vëshirësitë e fillimit? Si çdo emigrant edhe unë në fillim e pata tepër vështirë, e shkëputur nga familja në Kosovë, me të cilën isha e lidhur shumë por edhe per shkak të gjendjes nën okupim të Kosovës. Jetonim fizikisht në Amerikë por mendjen e zemrën e kishim në Kosovë. Me kalimin e kohës fillova të ambientohem dhe tani këtu e ndjej veten mirë, megjithëse askush nuk mund ta zëvendësojë vendlindjen. Mallin për të e kam mundur me punë e angazhime këtu, me pjesëmarrje në aktivitete të komunitetit, takime me aktivistë dhe mysafirë nga vendlindja.
Keni dëshirë të ktheheni në Kosovë dhe çfarë ju mungon më shumë nga vendlindja juaj?
Para 23 vitesh kur për herë të parë shkela ne New York, një nga gjërat që më mbeti thellë në kujtesë është se secilin shqiptar që e takoja këtu e kishte zakon të uronte: Të marrtë Amerika me të mirë! Ndërsa pyetja ime për secilin ishte: kur do kthehesh në vendlindje? Kurrë nuk e kam menduar as besuar që do të vijë kjo ditë që mua të ma bëjnë këtë pyetje. Kanë kaluar më shumë se dy dekada, gjysma e jetës sime dhe sa kujtime të bukura kam në Kosovë nga fëmijëria e rinia, po aq kujtime të bukura kam edhe në Amerikë. Aq sa më merr malli për Gjilanin, aq më merr malli për Manhattan-in, ku edhe pse dëgjoj gjuhët e gjithë botës, për asnjë moment nuk ndjehem e huaj. Po jetove për një kohë në Manhattan, kryeqytetin e botës, vështirë e ke të jetosh dikund tjetër.
Ata që jetonë atje, uroj të mos e kenë fatin tonë që patëm ne, të shpërndarë në tërë botën. Të qëndrojnë në vendin e vet. Kjo është dëshira ime. Ndërsa ne që jemi jashtë, kurrë të mos e harrojmë vendin nga kemi ardhur, t’i edukojmë fëmijët tanë në frymën kombëtare dhe po qe se ata arrijnë dhe kane mundësi të ndihmojnë, këtë ta bëjnë për vendin e të parëve. Trojet tona kanë nevojë gjithmonë për ndihmën e Diasporës sonë.
Në foton sipër prindërit kur ishin të rinj të zonjës Gena Bajrami
Cilat janë disa nga kujtimet më pikante në vegjëlinë tuaj?
Kujtimet e fëmijërisë, jeta shkollore janë nga më të bukurat. U rrita në një ambient të ngrohtë e me shumë dashuri, jo vetëm nga familja por edhe nga rrethi. Ka qenë një kohë kur njerëzit ishin shumë të afërt me njëri tjetrin, solidar e shumë të dashur. Më vjen keq që lufta, apo okupimi ndryshoi shumë gjëra. Ndoshta kjo është për shkak të globalizimit që ka përfshirë botën. Sot nuk e gjen këtë solidaritet në mes njëri tjetrit. Jeta ështe materializuar tepër.
Siç e theksova më lart, jeta shkollore përherë mbetet në kujtesën time. Edhe sot, sa herë që kaloj afër shkollave e universiteteve e ndjej veten të lumtur. Për mua është një lloj meditimi. A ka më bukur se të jesh në vendin ku gërshetohen shumë gjëra që na mbajnë përherë të rinj në mendje e në shpirt. Je në mesin e të rinjve që janë shpresa e ardhme e shoqërisë dhe pa marrë parasysh se në ç’moshë je, ndjehesh si ata.
Cili është opinioni juaj për Diasporën, punën e saj dhe a ka vend për më shumë bashkëpunim midis Diasporës dhe Mëmëdheut ku na ka rënë koka?
Diaspora shqiptare në Amerikë ka dhënë shumë për Shqipërinë e Kosovën aq sa mund të them se fati i tyre lidhet me aktivitetin e tyre. Po të mos ishte Noli ynë i madh që takoi presidentin Wilson dhe iu lut ta shpëtonte Shqipërinë dhe po të mos ishte presidenti tjetër Bill Clinton, të cilin e kishin lutur shqiptarët e Amerikës ta shpëtonte Kosovën, kushedi a do të kishte Shqipëri dhe a do të kishte Kosovë. Ne çmojmë shumë angazhimin e shqiptarëve në atdhe për Shqipërinë e për Kosovën por mendoj se diapsora shqiptare, që me Rilindjen tek arbëreshët e deri në ditët e sotme, ka qenë vendimtare për fatet e kombit shqiptar.
Për ta përfunduar përgjigjen, mendoj se Shqipëria e Kosova duhet të jenë më të hapura ndaj Diasporës. Ajo nuk duhet të shihet vetëm si një bashkësi që i kërkohet ndihma sa e sa herë gjatë krizave të thella, apo që vetëm ndihmon materialisht familjet e varfëra atje por si një institucion që mund të ecë përpara proceset zhvillimore. Në të dy parlamentet shqiptare duhet të ketë përfaqësues nga Diaspora për t’u dëgjuar zëri i saj.
Cili është mendimi juaj për librin që do te botohet së shpejti me titullin: “Zonjat shqiptare të Nju Jorkut” nën drejtimin “Albanian Excellence”?
Ju përgëzoj për botimin e këtij libri të veçantë. Askush deri më tani nuk ka ndërmarrë një projekt të tillë për t’i pasqyruart aktivitetet e vajzave dhe grave shqiptare në New York, të cilat krahas djemëve e burrave janë dalluar me sukseset e tyre në kontinentin e ri. Gazetarët shpesh harrojnë se gratë janë bashkëpjesëmarrëse në suksesin e burrave të tyre në çdo fushë veprimi dhe për angazhimin e tyre gati nuk flet askush. Mos të harrojmë se angazhimet e tyre janë shumë më të mëdha në jetë: e para, për pjesën më të madhe, rritjen e fëmijëve dhe e dyta, në punën e tyre të përditshme profesionale. Me këtë libër shpresoj se do të plotësohet kjo mungesë informacioni aq i nevojshëm për botën shqiptare.
Manhattan, New York, 2016
Komentet