Në foltoren e Kuvendit, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, lexon një letër publike të Sami Lushtakut, në të cilën, nga burgu, akuzon shokët e tij “komandanta”, nga radhët e partisë së tij, PDK-së, për denoncime e spiunim. Krejt papritur, deputeti mjeran, Nuredin Lushtaku, tashmë, i njohur për pisllëqet e tij, i afrohet kërcënueshëm Konjufcës, me akuzën se e ka quajtur kriminel Sami Lushtakun, kryetar i Skënderajt, tani i dënuar për krime lufte. (Deputeti egërsirë e rrrugaç Lushtaku, është sintezë, pasqyrë i një Parlamenti më kriminal në botë. Kriminalizimin skajor të këtij Parlamenti, e ka favorizuar ligji paradoksal zgjedhor – KOSOVA ME NJË ZONË ZGJEDHORE-)!!!
Ky kërcënim, gadi për dajakosje, nga deputetët dhe opinioni, u lexua si i porositur, pikërisht, nga Kadri SHIK-u, si parantezë e një kërcënimi të drejtëpëdrejtë të Kryeparlamentarit, për gazetarët, analistët, menaxherët e gazetave, moderatorët e portaleve, deputetët dhe popullin e Kosovës, për t`ua mbyllur gojën, për t`i heshtur krimet serike të organizatës terroriste të SHIK-ut.
“I paqit n`qafë familjet e juaja. Unë nuk marrë përgjegjësi për ju. Unë duhem me ju largu, sepse ju përveç vrasjeve, fjalën kriminel e keni instalu në Kuvend. Për besë e rëndë është. Ky është mesazh për gjithë qytetarët. Le ta di gjithë populli se taksiratin jeni tu e thirrë dhe secili ta bartë për vete”, – kërcënoi vendçe Kadri SHIK-u, Kadri Kryeparlamentari, Kadri Veseli!!!
Më qartë nuk ka si kuptohet mesazhi kobzi i Kadri SHIK-ut. “Nëse nuk heshtni, ose vrisni vetën, ose ju vrasim ne, ashtu siç e kanë pësuar ushtarakët dhe veprimtarët e Ibrahim Rugovës.” – Luaje macë kryet e buallit-!
Tashmë, ata që mund ta pësojnë, për denoncimin që u bëjnë krimeve seriale të SHIK-ut, e kanë një adresë, se nga u vjen goditja. Paralajmërimi është unik!
“Për besë e rëndë është”,- ankohet shefi i SHIK-ut. Por, shtrohet pyetja: A më e rëndë është denoncimi i të vërtetës, qoftë ajo edhe e hidhur, apo vrasjet faktike numerike politike nga SHIK-u, duke lënë jetimër mijëra fëmijë; duke i veshur në zinë e përjetshme shumë qindra prindër, motra e vëllezër dhe shumë mijëra të afërmë dhe miq, duke i bërë një konkurrencë të denjë pushtuesit, në krimet e tij kundrashqiptare.
“E kam votuar dhe do ta votoja edhe sot Gjykatën Speciale, sepse nuk dua t`u la sherr fëmijëve”,- deklaron, madje serbes, kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli. Vërtet, e keni votuar, sepse nëse nuk votohej në Kuvend, do ta krijonte OKB-ja, llogaria e së cilës do të ishte më serioze, për ndëshkimin e kriminelëve masiv në Kosovë, të cilët kanë vrarë në emër të njëfarë “UÇK-je”, inekzistente në Kosovë. Dhe, kanë vrarë, kryesisht, shqiptarë të listuar, të përzgjedhur dhe krejt të pafajshëm. Kur shtohet këtu edhe vrasja e ngeshme, vrasje të organizuara politike, krimet marrin përmasën e tmerrit, të terrorit masiv.
Por vrasës faktik janë SHIK-u me degëzimet e tij, të koduara me gërma e numra, si G-2-shi dhe grupime të tjera kamufluese, si p.sh., në rastin e Nazim Bllacës, për të mjegulluar e shpërndarë krimet numerike, me qëllimin e njohur, për t`ua faturuar krimet të tjerëve dhe jo SHIK-ut. Strukturë e SHIK-ut kanë qenë edhe Shqiponjat e Zeza dhe Policia ushtarake e “UÇK-së”, të cilat kanë rrahur, maltretuar, dhunuar, madje jo vetën femrat shqiptare, por edhe ato rome, si dhe kanë vrarë, me gjyq e pa gjyq, partizançe, si çetarët banditë të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut. Ilustrojmë me rastim e ekzekutimit, në mes të ditës dhe pa asnjë paralajmërim, nga Policia ushtarake e “UÇK-së”, të veprimtarëve të LDK-së, Ramiz Hoxha nga Bellanica dhe Selman Binishi, nga Banja e Malishevës!
Prandaj, SHIK-u duhet trajtuar dhe dënuar me ligj, duke specifikuar rolin kriminal, dajakosje dhe ekzekutime tmerruese, qëllimshëm, për ta terrorizuar popullin, me synimin e qartë, për ta marrë pushtetin me dhunë. SHIK-u duhet kategorizuar me emërtesën adekuate vepruese, para, gjatë dhe pas luftës, si Organizatë Terroriste e Fashizoide.
Por, lufta aktuale speciale, që i bënë Kryeparlamentari Veseli, Gjykatës Speciale, duke e inicuar edhe Rezolutën, tërësisht, kontraverse në Kuvend, dëshmon se ai e thellon sherrin për fëmijtë e tij. Sepse, ai është në ethe për sabotimin e Gjykatës në fjalë. Dhe, për ndihmë ka ftuar banditër, të dëshmuar në sulmin kundër banorëve pleq serbë, shtëpive dhe kishave serbe, në mars – prill 2004, sulm ky i projektuar nga Serbia, por i realizuar nga këlyshëria e saj shqipfolëse. Janë të ashtuquajturat “Organizatat dhe Shoqatat të dala nga Lufta”, që shumica e atyre, që thirrën në këto shoqata, nuk kanë hyrë kurrë në luftë, me prijetarë “Veteranët e luftës, me përkrahjen e dy partive – banda, që sollën decentralizimin dhe, më pastaj, Bashkësinë e Komunave Serbe”, brenda Kosovës, duke e bërë Serbinë hisedare, në sundimin e Kosovës tonë!
Themi SHIK-u dhe jo ish-SHIK-u, sepse drejtorët e SHIK-ut janë, pothuajse, të gjithë deputetë, (edhe ulsën në Kuvend, ua ka siguruar ligji zgjdhor – Kosova me një zonë zgjedhore -, përndryshe, me përballjen konkurruese shumë zonale, kriminelët nuk mund të arrinin kuotën e votave), kurse disa nga markantët, kontributdhënës në këtë organizatë kriminale, janë edhe zëvendës-ministra, madje në ministritë me delikate, me peshë. Dhe, ata janë të përhershëm në këto poste dhe, jo pa bazë, janë lakuar emrat e tyre, jo në vjedhjen, por në marrjen, fshehjen, asgjësimin e kallzimeve nga “Dhoma e Dëshmive”, sepse ata ishin aty dje dhe vazhdojnë të jenë edhe sot!!! Tre syrësh u panë në rrjeshtin e parë, në agjitimin promovues të Ramiz Lladrovcit, për kryetar të komunës të Drenasit. Njëri nga këta i akuzuar për organizimin e vrasjes të familjes pesë anëtarshe Hajra, e quajti krimin të vjetëruar!
Por, krimit nuk i skadon afati. Në Malësinë e Shkodrës, stërnipi mori hak, gjak për vrasjen e stërgjyshit, pas 87 vjetësh. Dhe, opinioni, këtë vrasje, me afat të paskaduar, e arsyetoi, pasi vrasësi i tej 8 (tetë) dekadave më parë, kishte shpërfillur familjen e viktimës së tij. Andaj, veproi Kanuni, qoftë edhe pas disa dekadash. Nëse SHIK-asit me krime, haraç dhe hajni zyrtare, u kanë krijuar fëmijëve pasuri e begati, qoftë edhe për disa breza, asgjë nuk kanë bërë. Dhe, nuk po janë të gatshëm të bëjnë as sot, sepse janë burracakë, sepse krimet i kanë bërë të rrethuar nga banditër e banda haraçësh, kusarësh e vrastarësh, duke abuzuar me siglën e shenjtë “UÇK-e”, për sigurimin e një jete të lirë, të qetë dhe dinjitoze të tyre.
Duket se “i kanë hangër në sy”, i nënvleftësojnë Familjet e Viktimave të tyre! Por, nënçmimi me tepri, është dëshmuar, ndër kohëra, fatal për zullumqarët kapadahinj. Kjo mund t`u kushtojë një ditë, madje pa paralajmërim. SHIK-u vrastar, duke qenë në kupolën e shtetit dhe të pushtetit, vazhdon t´i rivrasë viktimat e tij, duke mos i rehabilituar dhe duke mos i trajtuar dhe kompensuar Familjet e tyre.
Ndërsa publicisti i mirënjohur, kuksjani, me taban e shpiak i zëshëm, Rexhep Shahu, duke dëgjuar për krimet dhe pisllëqet e “gjeneralëve” dhe të “komandantëve” të Kosovës, pyet me habi: “Si nuk e vrau vetën asnjë komandant apo gjeneral lufte?!” Dhe, kjo nënkupton se më parë duhet të vetëvritën organizatorët dhe ekzekutorët e ushtarakëve të FARK-ut dhe të kuadrove e veprimtarëve të LDK-së, sepse gazetarët, deputetët, populli, mjaft janë vrarë nga pushtuesi serbo-sllav dhe krijesa e tyre errëtake e fatale për Kosovën – SHIK-u!
Tirada mburracake e Veselit ishte e zgjyrosur: “Ne kemi sakrifikuar që të ndërtojmë një shtet të pavarur, të mbështetur në parimet e demokracisë”! Ai nuk foli për ndonjë sakrificë konkrete, sepse nuk ka sakrifikuar asgjë, veçsa ka zhvatur dhe është pasuruar, ai me shokë, me krerët e partisë së tij bandë dhe të SHIK-ut vrastar.
Çfarë kupton me “parimet e demokracisë” zoti Veseli?! Mos vallë, krijimi i organizatës terroriste të SHIK-ut nga LPK-ja, alias PDK-ja, UDB-a, Sigurimi Shqiptar enverist, me bekimin dhe ushtrimin edhe të Sigurimit francez, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, duke vrarë ushtarakët luftëbërës dhe veprimtarët e LDK-së, qenkan “parime të demokracisë”?!! Mjaft me broçkullat tuaja “demokratike”, zoti Veseli! Hapni listat emërore të vrasjeve të 1.820 ushtarakëve, veprimtarëve, kuadrove të Ibrahim Rugovës, si dhe të kuadrove të LPK-së, të cilët kundërshtuan “parimet e demokracisë” tuaj diabolike.
Partia-bandë e Kadri Veselit, PDK-ja, edhepse e ka votuar Gjykatën Speciale, me Rezolutën e turpshme, kinse “për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së”, tani doli kundër kësaj Gjykate! Me servilizëm e pacipshëm, këtë palo Rezolutë, që është në kundërshti të plotë të SHBA dhe BE, e votuan edhe deputetët zvarranikë të Isa Mustafës, përkundër vullnetit të anëtarësisë të Lidhjes Demoratike të Kosovës dhe të elektoratit të saj!
Nxjerrjen e kësaj Rezolute marroçe, Kadri SHIK-u e motivon me një falsifikim skandaloz: “…Shqetësimet e qytetarëve me këto procese (lexo: gjyqësore) po bëhen edhe më të mëdha!” Kjo është gënjeshtër e madhe sa bjeshka, e bërë nga kryeSHIKisti namkeq, Kadri Veseli. Zyrtarisht është pranuar, se në protestën e bërë në Drenas, nga 8.000 veteranë, sa ka Drenica, pjesëmarrës në protestë nuk ishin as 200 veteranë! Shqetësimi i vërtetë i qytetarëve të Kosovës është jo dënimet aktuale, por mos dënimi i organizatorëve të krimeve politike – vrasje të listuara, të bëra nga zyrtarët e lartë shtetërorë.
Kadri Veseli, shkoi në takim me “Veteranët e Luftës”, i trimëroi për kërkesat e tyre financiare dhe i cyti për lëndëzimin e Rezulutës, të aprovuar në Kuvend dhe kundërshtinë e Gjykatës Speciale dhe vendimeve të çfarëdo gjykate tjetër, që dënon “luftëtarët”, qofshin ata edhe vrasës të njerëzve të pafajshëm!? Kadri Kryekuvendari, mjerisht, në prezencë të krerëve të “veteranëve” të handakosur, të nerkyer, të tërbuar, akuzoi dhe sulmoi ashpër Qeverinë, për mos përmbushjen e kërkesave të “veteranëve”, madje në plotni!
I etur për t`ia zënë vendin kryeministrit Isa Mustafa, me gjithë bagazhin e begatë të krimeve të SHIK-ut të tij, Kadrija po fliste sikur të ishte opozitar i kësaj Qeverie të koalicionit. Por, deri sa Hashimi është katapultuar në karrikën e Presidentit, (falë votës të deputetëve kukulla e robotër të Isa Mustafës), i cili në vendimet kriminale të SHIK-ut, ka pasur atë rol, si Enveri me Koçi Xoxën, në torturimin dhe ekzekutimin e shumë qindra shqiptarëve, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai dëshmoi injorancën provinciale, që i karakterizon, pothuajse, shumicën e halabakëve të LPK-së, krahu kundërshtar i Jusuf Gërvallës. Mos, vallë, nuk e di Kadri Veseli gjendjen ekonomike, financiare të Kosovës, pavarësisht shkollimit të mangët të tij!? Ai duhej t`i qortonte dhe akuzonte, bile, më zë të lartë, që ta marrë vesh e tërë Kosova dhe Shqiptaria mbarë, se janë, pikërisht, “gjeneralët” e “komandantët”, pjesë e kësaj Organizate, tashmë e bërë “përrallë me tupan”, që kanë shitur “dëshminë e veteranit”, me shumat që ka diktuar tregu, nga 3.000 deri në 5.000 euro.
Një zyrtar i lartë, mjerisht, si Kadri Veseli, biseda me “Veteranët”, duhej të bëhej krejt ndryshe. (Po e thojëzoj “veteranët”, sepse unë, me ekipin tim të Emërgjencës të Luftës, që kemi furnizuar luftëtarët me ushqim dhe, sidomos, me armatim, njoh shumë nga luftëtarët e njëmendët, që meritojnë, madje respektueshëm, cilësorin veteran. Por, FARK-istët e Kosharës, të Prapaçanit, Irzniqit, Loxhës, Pashtrikut dhe të zonave të tjera të Kosovës, nuk po i shoh, duke bërtitur dhe uluritur, as për “lirimin e çlirimtarëve”, të akuzuar për vrasjen e shqiptarëve të pafajshëm dhe as për “ngritjen e pagave të veteranëve”.
Leksioni, fjalëpak, por përmbajtësor, që duhej t`u mbante “veteranëve” në takimin me ata, do të ishte: Lufta dhe rënia për Atdhe, nuk është sakrificë, por detyrë. Përkulje dhe nderim, madje deri në puthje të tokës, për dëshmorët dhe vëmendje e respekt për të gjithë luftëtarët e vërtetë të mbijetuar. Ju jetoni në Kosovë dhe i dini hallet e saj. Listat e dhjetëfishuara duhet t`i pastroni ju, nëse, vërtet, jeni pjesë e luftës. Dhe, pasi ta keni bërë detyrën tuaj, qeveria do ta bëjë detyrën e vet, duke i rezervuar paratë, për t`i marrë ju edhe muajt e prapambetur.
Edhe një pyetje të madhe duhet t`ua kishte bërë “veteranëve”, Kryekuvendari i Kosovës: A keni luftuar, vërtet, për çlirimin e Atdhut, si detyrë prijetare e çdo shtetasi vendor, apo keni pasur, paraprakisht, kontrata pagese, siç paguhen, zakonisht, mercënarët?! Përndryshe, me zhurmimin e gjithmonshëm, me nder …, këtë popull e shurdhuat! Fundja, lufta në Kosovë ka zgjatur pak muaj dhe përballja me armikun, betejat e bëra, kanë qenë fare të pakëta. Ato kanë emër vendi, datime kohore dhe emra luftëtarësh. Lufta e Kosovës ka qenë në suazat e normales, ndërsa epoperat dhe legjendat janë sajesa të mendjeve folklorike e provinciale.
Një zyrtari të lartë, si ju, zoti Veseli, duke qenë edhe në krye të Legjislativit, duke votuar Gjykatën Speciale, nuk ju lejohet ta paragjykoni Institucionin në fjalë, aq më hiç publikisht, para turmës të “veteranëve” të handakosur dhe fare realistë. Ju e dini se Kosova jonë ka shumë qindra kriminelë të lirë, të pa ndëshkuar dhe assesi e kundërta. Kur krimi ka kapur kupolën e shtetit dhe të pushtetit, nuk ka as mundësi teorike të bëhet drejtësi në shtetin e inkriminuar, me emrin kumbues – Kosovë.
E kuptoj se ju, me shokë, nuk mund të jeni bindës për asgjë, qoftë para veteranëve, qoftë para popullit. Me uzurpime, haraç, hajni zyrtare, duke qenë në qeverisje partia juaj bandë, keni abuzuar e shpërdoruar pasurinë brezave të sotëm dhe të nesërmë shqiptarë. Shëmbullojmë me kuadrin SHIK-ut, Shukri Buja me vëllanë Ramën, edhe ai SHIK-ist i rreshkur. Në emision televiziv, mburrej si i ka privatizuar shumësinë e hektarëve, toka fushore e troje. E pranonte se i ka blerë metrat e tokës me vezë dje, dhe po i shet me lopë sot!
I rrethuar nga “ushtarët” e tij, zoti Shukri Buja kërcënonte ish të burgosurin politik, Adem Salihaj, kuadër të LDK-së: “Unë të vras”, duke mbajtur, si bandit, armën në gadishmëri! Adem Salihaj, vepronte, madje në kushtet e pushtimit të egër, për t´i mbrojtur qytetarët e Ferizajit me rrethinë, ndërsa Buja me “trimat” e tij i hëngri bagëtinë e katundit, ndërkohë që shullehej vetëm disa qindra metra larg vend-masakrës të Reçakut. Dhe, e pranonte se ka dëgjuar për masakrën nga radio! Ndërkohë, shpërdoronte emisionin televiziv me kundërshtitë, që, gjoja, i ka bërë Woelkerit, i cili ishte i pari në vend-ngjarje dhe fjala e tij, lajmi makabër, mori dhenë, deri në kancelaritë e Qendrave të Vendosjes.
Dhe, kur jemi ke shitja e përshitja e pasurive të Kosovës, të pasurive të brezave, në zonat fushore, tani Hashimi e Kadrija, të ndihmuar, me mish e me shpirt, edhe nga Isa, ju kanë kthyer shitjes apo faljes Malit të Zi, të kullotave, maleve, bjeshkëve. “Kur ta zënë bishtin me derë”, rruga më e shkurtër për të shpëtuar, është dorëzimi. Dhe, dy të parët nga halli e kanë, kurse, ky i treti “si Muqa pas daijve”, të shpëtojë nga zgjedhjet e mundshme, sepse partinë e ka bërë për ta qarë e vajtuar me vajtojcë.
Dhe, si rezultat i takimit të cituar, të kryetarit Veseli, pason deklarata e kryetarit të Veteranëve, njëfarë Hysni Gucati: “Dënimi i komandantëve të UÇK-së nga ana e Gjykatës Speciale, do sjell trazira dhe ato trazira mund të vijnë nga “veteranët e luftës”… Ne nuk lejojmë. Në momentin që dënohet ish-komandanti i UÇK-së, është dënuar lufta. Nuk është dënuar individi”.
Shteti, populli i Kosovës, ka një vit që kërcënohet nga Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri, me ratifikimin e dhunshëm të Demarkacionit. Tani kërcënojnë krerët banditë të “Veteranëve të luftës”. Themi krerët banditë, sepse ne nuk kemi dëgjuar asnjë komandant, që ka bërë emër në luftë, ta kërcënojë shtetin, popullin e Kosovës. Kam bindjen se po të pyetën, këta banditër, për emërtimin e betejave të “zhvilluara” kundër armikut, për vendin dhe kohën e këtyre betejave të pa bëra, nuk do ta gjenin asnjë.
Ashtu siç nuk arriti ta gjente asnjë betejë të bërë kundër pushtuesëve, as falsifikatori i historisë të Shqipërisë, më vonë, provoi ta falsifikojë edhe atë të Kosovës, Paskal Milo, kur historiani amerikano – kanadez i pyeti historianët shqiptarë, për luftën “çlirimtare” 70 vjet më parë, nëse partizanët e Shqipërisë kanë bërë ndonjë betejë kundër pushtuesëve. Ndërsa dihen dhjetra beteja të bëra kundër “Ballit Kombëtar”! Çfarë m… shteti është ai që kërcënohet nga zyrtarët e tij dhe banditër e banda vendore?!? Një shtet i mirëfilltë ligjor, do t`i zinxhironte si qentë, madje kushdo qofshin ata!
Komentet