PJESHKA E RRUGËS SIME
Bëj të hy në rrugën time me plot sende të moçme,
por nuk më mbajnë këmbët…
Vetëm qielli më rri i ngulur në sy.
Athua mu në këtë kodër çelte pjeshka e verës,
kur në vatër tym nxirrte cungu i djegur
e mes hirit thante këmbët një fëmijë…
Tash kur goja më mbushet me emra enësh të botta
Sikur be dua të bëj në magjen e nënës
dhe
më zini besë
nuk pranoj tjetër jetë në këtë gur të lëmit
përveç asaj që ecën zbathur…!
N’këtë orë të ditës,
mjeri unë i mjeri
askush nuk më njeh në arën e babës!
Unë be u bëj se jam i Raifit të Isakut,
por ata vetëm frymë marrin…
Sa larg vetes së dikurshme tash po rri,
sa zgjoje për kaq stinë kanë ngritur bletët
dhe trarët e shtëpisë i ka ngrënë krimbi!
O Zot, e shurdhur sonte po më jepet boka
kur grushtet rrinë pa jetë
e koka lakohet si kalliri i pjekur…
Pjeshka zhvishet në diell si këngët e djepit,
si duket jerm m’i ka pirë sytë
Athua edhe ajo bën të hyjë në rrugën time?!
Athua i merren mendtë në këmbë
dhe kërkon shtagë,
athua i qahet të zezës
pse akoma goja s’i ka ardhur…!?
Eh, kjo pjeshkë e rrugës sime,
kjo e mira e së mirës
kurrë mos u bëftë qyqe në një mal,
ata të barkut mos i qaftë…!
KISHA VDEKUR DITËN E ENJTE
Është e vërtetë se më kanë marrë në qafë
kur kanë thënë se të shkruar e paskam pasur
të vdes mu ditën e enjte
dhe prej meje kishin larë duart.
Ditën e premte u bë rrëmujë e madhe
në pazarin e pulave
kur u shfaqa si kukudhi në përrallë.
Ca ia mbathën me duart në kokë
nga trishtimi i kallur në sy,
të tjerët u bënë akull.
Ore, është ngritur lugat – thanë
pikërisht në atë dakik
kur ra kambana e madhe.
Megjithatë as në varreza nuk gjetën varr të ri,
as në defterin e hoxhës vijë të kuqe mbi emrin tim
as në shtylla lajm pikëllimi me fotografi…
Mirëpo, unë kisha vdekur ditën e enjte në kafene
me një “ndjesë pastë” ndër buzë të bujarëve.
mandej kishte ardhur shiu i dytë.
Vetëm tash e di
se të shkruar e paskam pasur të jetoj
deri ditën e enjte kur bie kambana e madhe
dhe vjen shiu i dytë
—
CIGARJA MË SHIKON SI MIK I PABESË
Edhe prushi s’më zë besë
sonte kur e hedh frymën si gurin mbi gur…
Vetëm cigarja m’shikon si mik i pabesë
dhe s’del se s’del
nga rruga e tymit të rëndë.
Edhe për këtë do ta them fjalën time
kur shiu i parë do të bjerë,
kur duart do të mbushen me helm
e sytë n’ëndërr do ta shohin ditën që vjen.
Sikur edhe vetja s’më zë besë
kur nata shpalohet mal e n’mal pëlhurë
e butë si një shpuzë…
M’ka mbetur një fjalë në fyt si kocë
po sikur ta nxjerr
druaj se në atë çast do të vdes
po sikur ta lë
do të shuhem shqim si cigarja vetë…
Dua dikush të më zërë besë
qoftë edhe cigarja në rrugën e tymit të rëndë
sepse ka diçka në jetë, që jeton vetëm me shpresë.
—
NJË MOT
Një mot kam mësuar si t’jetoj me kujtimin tënd
Deri në fund të shekullit
Dhe si ta qortoj veten
Në rrugën që m’pret e para.
Mirëpo askush nuk më ka thënë atë mot
cila kokërr ma njeh zërin
dhe sa e zezë është biografia në shpinë të tymit…
Megjithatë ti s’ke punë të besosh në secilin gur,
të lësh pas dore të mirën e mikut
ta harrosh rrugën që t’pret e para…
—
KALEMI
S’t’u nda kurrë nga jeta
edhe atëherë kur dikush gjuhën ta nxirrte pas shpine
sikur të villje ndër sofrat e huaja,
kalem i dashur,
biri im i vetëm
i vetëm në gjini të madhe…
Nuk e di si mbeta gjallë me shpirt e pa shpirt
Njësoj si druri me kurubë të qëruar
Besoja se pranë teje
or kalem, or lalë,
mund të vdisja vetëm një herë pa u tallë
një ditë apo një natë
dhe të kalbesha për fije me këmbët e shtrira në arë
pa kërkuar mbiemrat e varreve
të njerëzve të vegjël apo të mëdhenj…
Kam pritur si pret kulla të zotin në dit baroti
se një ditë do të faleshin shirat e motit
që shpirtin ta çelësh si çel shelgu ndër kroje
e të pohoje se ka rrugë të ngushta
kur tym të zi nxjerrin edhe lotët.
M’fal pse këtë s’ta besova
se vetëm zemra e poetit
kokën e mban lart ndër shtiza të mortit
edhe atëherë kur të tjerët gjuhën ia nxjerrin …
—
FLUTURA NË DHOMË
Sikur e mbush dhomën me ëndrrat e vetmisë së vet
duke u derdhur n’dritare si rrez’ e hënës mbi kep.
Arratisur është nëpër shi ku frika n’palcë e vret
ndaj jetën e kërkon n’dritare ku rrufeja e shkrep.
N’këtë çast bëhet shpirt i dytë n’shtratin tim plak,
ndaj fort e dua pse lodhjen ma ndjen deri në gjak.
Dashuruar është vetëm pas ankthit t’vet nën flatra
ndaj hidhet prej shiut në shi me këmbët n’bark…
Pa ndihmën e njerëzve ikën me cingje të gjata,
duke u lutur për një dorë jetë këtu dhe larg.
Dritarja kullon – unë shfletoj një libër – i qetë
kur ajo kërkon një copë vend për trupin e vet.
Sikur m’erdh n’çast se ma vodh zjarrin e
lashtë në ballë,
mbeta pa kohë lulesh ëndje, pa qumësht nëne në
barkun tim…
E pyeta – tash kur pleqëria po m’merr nëpër këmbë
si e marrë,
më thuaj vetëm ç’kujtim ruan jeta në gjuhën e vet!?
Ajo rrahu krahët me katër strofa si në poezi,
kuptova atëbotë se të dytë kishim një fat nëpër shi…
—
OXHAKU PARA DRITARES
Çdo mëngjes në dritaren e jugut, n’rrugë që varfëron,
takohem me oxhakun e një shtëpie të vjetër,
i cili asnjëherë nuk e lëshon kokën mbi tjegull
që të marrë një sy gjumë,
një frymë,
të harrojë kush e merr nëpër gojë…
Rrimë kundruall njëri tjetrit dhe s’bëjmë zë,
të dytë ndoshta gëzojmë një botë:
unë plakem me dy duart mbi makinën e shkrimit
ai me supet midis zogjve të dimrit…
Nganjëherë më vjen t’i them njerëzisht:
Mirëmëngjesi, fqi i mirë,
or vëlla,
si gdhine sot n’këtë ditë të bardhë?!
Por nuk e nguc,
sepse ka gjëra prej të cilave s’e merr përgjigjen dot.
Një ditë buldozerët e rrënuan shtëpinë,
i pari që ra me kokë përdhe qe fqinji i mirë.
Tash dritarja ime hedh vështrimin larg e larg…
Sheshi i qytetit është bërë më i madh
ku të rinjtë puthen e ndrydhen më këmbë…
Vetë kujtimi im i pangirë më gjumë
– njësoj si oxhaku me tym
hesht me pleqërinë në krahë
duke fshirë me dorë avullin në xham
e duke i pëshpëritur atij: ”lamtumirë, or mik”
—
QORTIMI I VETES
Gjithë natën nuk më fteken emrat e sendeve
gjumi s’më zë në asnjë krah
sikur brenda shpirtit tim
të lëshojnë rrënjë shkurret e egra.
Dhe dridhem e dridhem pse jam kaq i marrë.
or njerëz,
pyetni në çeli lule pjeshka e lalë Sulës
t’u marr erë luleve,
atëherë ndoshta bëj një sy gjumë.
Gjithë natën kërkoj emrat e shokëve,
një gulç ma zë frymën,
mandej qortoj veten
pse mbeta kaq i marrë…!
—
VJEDHJA FATALE
E sosa të të vjedh me të tëra hiret
me epshe, me inat, me ëndrra, me ngërçe
me tërë Zotin,
që me sytë e mi të të shoh kur zgjohesh,
kur buzët të lëshohen,
kur dritën e pi,
kur zhvishesh në pasqyrë.
Je ti një fjalë aq e bukur
që e ndezur rri në frymë…
Pasi të të vjedh me të dy duart
në etjen tënde do të fshihem si hajn
që të mbetem gjallë.
—
NJERIU PA BIOGRAFI
Atëbotë veten e pandehu në gjunjë duke vjellë vrer
tek BREGU I FATIT.
Ishte hequr pa qirinj në dorë,
pa mend në kokë…
përmbys kishte rënë plot lebeti tek tokë e babait,
pse nënëlokes kur i vdiq
nuk ia nxori ferrat prej këmbëve,
se pyeti të ndjerën
në ia kishte lënduar barkun me pëllëmba
kur lindi si kërthi,
pse mbeti pa i thënë MËMËDHEUT se e kishte
dashur shumëfish
mbi veten
prej njërit kufi në tjetrin
dhe kurrë nuk ishte lodhur prej tij…
Tash kur po rigonte ky shi i rrafshët
dhe përvëlohej në buzët e tij
me fulltaka të pëlcitura si guaskat e detit,
me një gur në zemër
vetëm falje kërkonte pse s’mori një kokërr kripë
në sofrën tuaj,
pse s’e ndau me ju përgjysmë, më katërsh,
pse nuk ju dha një varg kujtim
ta varnit në qafë ditën e Shëngjergjit si lulen e malit
e të pohonit zëshëm se me shpirt
dikush ju kishte dashur
– ju kishte dashur ai njeri i vogël e i thatë
Si një dru stufe – ai pa biografi…
Kishte pasur i gjori
një palë duar të lidhura me pranga,
fytyrën plot pështymë policësh,
shpinën lëvruar me plagë nga telat gjemborë,
dy këmbë me hallka zinxhirësh…
Ishin këto reliktet e biblës së njëfarë shteti të tij…
Ndoshta ëndërr më ëndërr
si nëpër shkallët e një teatri antik
sërish do të kthehet tek ju
me pranga, me hallka, me tela gjemborë,
me pështymë
do të kthehet në atë vend ku në zjarr kishte lexuar
fjalën e perëndisë
Atëherë mos e merrni për të huaj,
po thonie të vërtetën,vetëm të vërtetën,
se mu në pikëqendrën e fushëbetejës
burrërisht kishte vdekur në këmbë,
duke hëngër plumbat me dhëmbë…
Mandej lania fytyrën tek kroi i fshatit,
lidhnia plagët mirë e mirë me rrobat e shtatit
dhe hidhni përpara hapit do tulla të pjekura në prush
sa për t’i vënë thembrat
sa për tëharrë një frymë me gjoks të pihatur
së shpejti do të ikë me kalë të bardhë
Doruntinën për nuse ta marrë…
Tashmë kur ishte plakur bashkë me zogjtë e malit
aq fort sa s’e shihte as koliben e babazotit
ndër luadhe,
duke u dridhur thërriste emër për emër
njerëzit e mirë të fisit
– ata me fanarë dhe flamuj ndër kryengritje
që t’ua puthte sytë e ballit.
Lutej me dy pëllëmbë kah kupa e qiellit,
që ju të keni liri sa ujtë e detit,
që të keni ATDHE të dashur pa mëkate…
Megjithatë mos e kërkoni më për jetë të jetës,
as në rrugë, as ndër fqinj
askund, kurrkund…!
Lani duart sot e mot prej tij, o njerëz, o vëllezër,
o miq,
kaq e pat njeriu i vogël e i thatë si një dru stufe
ai pa biografi, kaq o zot, kaq, o Perëndi!
Kaq,
ndjesë!
—
PENG I DHEMBËS
Tash as mendja më ikën të shoh ndonjë ëndërr,
të kap ndonjë shpresë,
dridhjen e buzëve nga mishi ta hedh
e tymin e kokës në rrugë ta qes…!
Vetëm peng i yt jam bërë, oj dhembë,
oj jeta ime në të majtë dhe në të djathtë!
As që dua mëshirë t’kërkoj për ndonjë mëkat,
për ndonjë zjarr…
jo, jo kjo tash është mjaft
Kur edhe shpirti qet me shqelm si hajn…
“U i biri i Bdek”… para vetes bie në gjunjë,
kaq!
Shuani qirinjtë…!
—
PLAKU AFËR ZOTIT
Një plak heq shpirt afër Zotit
dhe miqtë i kujton një nga një
si drunj shelgjesh në varg buzë përroit të gjatë…
Të dy duart i shtrin në kokë
është ky ankim
kur avujt ia zënë sytë si një vrundull tym.
I shtiret një udhë e vjetër me shi – orëliga,
atëbotë i dukej se e thërret dikush jashtë,
fjala ia mbush gojën
mandej kullon si rrëshirë – pa ankth.
Aty mbrëmja vjen e thatë
njësoj si gryka e tij plot shpuzë,
njësoj si sytë e tij pa gjak…
—
ZËNKA ME QENIN HAJN
I turret pikënatës me të katërtat në gjoks
si t’ia zhvaste brinjtë me inat,
si ta hidhje hallkën e zinxhirit nga qafa
dhe orës së qytetit t’i thoshë:
Ndal, se edhe unë kam në këtë botë
një grimcë nafakë…!
– Kthema këpucën e këmbës së djathtë,
or hajn e biri hajnit! – i flas me zap
Unë i kësaj ane
Që Zotin e kam njohur që në gjirin e nënës.
Ai shputat i shtrëngon në rrënjët e plepit të gjatë
dhe zihet qençe si dy fqinjë në një gardh.
– Kthema sa më parë, dëgjova, rrugaç!
me një të katërtën e pensionit i kam marrë.
Çon jetën aty në lidhëset kular
edhe një merimangë e lashtë,
që s’e shporri dot asnjë brushë,
asnjë qortim i mbrapsht,
sikur gjyshes së vet t’i ketë ngjarë…
Qeni hidhet e përdridhet me afsh
si t’i hynte në dhomë nuses me duvak.
Mandej këpucën bashkë me hënën në gojë i rras,
duke thënë me ham – hame të thatë:
-Edhe unë kam tagër të bëhem Zot në një çast
para se dikush në kontejner të më rrasë,
tërë jetën bërë e ka, nën hijen e shtagës mbi rrashtë
dhe në hallkat e zinxhirëve në qafë,
s’duron më shpirti i ngratë,
sepse edhe mua më ka lindur një nënë e një atë!
Bëj në drejtim të tij këpucën ta marr
Ndaj as e pështy as e shaj,
Atëbotë më duket se në jetë
Shumëçka ka mbetur e paqartë…!
Qeni ia mori një valsi solo plot lezet
Mandej fap u ndal.
Me tërë dhëmbët në noçkë m’u qas
Duke më thënë qençe:
– Për të katër këmbët e mia mjafton
kjo e mbrapësht,
M’është mësuar syri sall t’i shoh,
por jo edhe t’i mbath,
shkon ajo hem në të majtë, hem në të djathtë.
– The qafën, zagar!
Dola në shesh ta ndesh yllin e fatit,
ti ma rrëmbeve fap
edhe merimangën duke mos e lënë rehat,
që bëhet lëmç jetës për t’i bënë ballë…
pra, dy shpirtra merr në qafë…!
Që të treve tash na takon nga një yll,
kur hëna në kodër mbushet me frymë…
Që të tretë kemi vetëm një LUTJE në këtë anë
-të mbetemi gjallë,
sepse çdokush ka një yll
dhe nga një kontejner…!
Ai me angullimë sikur më tha:
-Vërte nënat i kemi dy palë,
por fatet mbeten ata ç’kanë qenë
njësoj si shputa ime e majtë
si këpuca jote e djathtë…!
Edhe ylli im kishte fatin e qenit,
të këpucës së djathtë
dhe të merimangës së lashtë
ngase në një copë botë flemë qafë për qafë….
—
BUROJA E PUNËS
E zgjuar rri prore buzë dritares
në këtë vend nderi
me një kalë tatratatesh në shpinë:
lapsa, syze, fjalorë, makinë shkrimi, abazhur
e çka jo tjetër…
Banor i saj jam edhe vetë
– një gjësend i moçëm që lidh dy shekuj…
Sipas moshës, fill pas meje, vjen makina e shkrimit,
që pesëdhjetë vjet ma rrah gishtin në ballë,
duke m,qortuar me vrer:
“T’ka mbetur vetëm të vjellësh vrer, or qorr”…
Mirëpo tash edhe këtë llapazane
duhet ta ndërroj me një kompjuter
dhe të falem me ngucakeqen e marrë…
Kësisoj po vras mendjen,
kur rrezet e dritës vetullat m’i mbushin….
Megjithatë, kësaj radhe dyshoj se mos po bëj
ndonjë mëkat…
Dy duart sërish i hudh mbi makinë
ii ta marr ngrykë një shok të mirë…
Mandej dridhem nga pendimi
dhe i flas jerm si t’i këndoj dua:
vetëm ty të kushtohem – fqiu im i parë
vetëm ti m’i mban sytë hapur deri në mesnatë
dhe lodhjen ma njeh kur qan në ballë…
Kthehem tek makina e shkrimit mbi buro,
sepse sendeve të reja nuk u zë besë,
kësaj, ia njoh grupin e gjakut,
zërin dhe tabiatet
e di si merr frymë…
Gjest qesharak apo jo,
kur mbi buro pranoj vetëm mbeturina,
që e njohin jetën nga bishti
bashkë me dialektin e vjetër…
E udhës është, njerëz të mirë,
të kuvendoj edhe ca me makinën e shkrimit
si bie fjala
për fletët e bardha…
vetëm ato dua t’i shoh ëndërr
edhe atëherë kur i merr zjarri
vetëm ato i pres si argëto tek gardhi,
vetëm ato i njoh si varrezat e të parëve…
Mirëfilli e di se ma duan pleqërinë
si zogu krahët në hapësirë
se shpirtin ma mbajnë në dorë
edhe pse tash asgjë s’u fali,
asgjë s’më marrin
Ruajnë ndoshta vetëm dridhjet e duarve në kokë…!
—
I PËRGJUMURI
Kishte zë të djegur nën këtë qiell veror
të fushës së shkrirë në një stuhi të artë
nga gruri i pjekur…
Përmes saj si një shpend me gjysmë krahu të prerë
hiqej i përgjumur në rrugën me drunj të vjetër.
Ta çonte mallin e mullirit me ujë të pakët
apo të një arkivoli,
që mbartet në krahë prej xhematit.
Retë sikur bënin kryq në ditën e shpirtrave
dhe iknin si prej ndonjë sëmundje ngjitëse
rreth zenitit.
Vetëm një dru i shtrirë në megje
atij ia kishte këputur kryet
pse akoma nuk ishte zgjuar si duhet.
Edhe më tej bregun e hante i përgjumur,
duke lënë matanë krahëve kohën pa çehre
dhe tiktakun e orës së xhepit.
Kushedi pse zërin e kishte të djegur?!
—
ZONJUSHA NËPËR SHI
Dy drunj flinin bashkë në këtë shi të parë
të ngjitur njëri me tjetrin bel e shalë,
të dytë merrnin një frymë
dhe hynin në një shtat…
Atypari zbathur hiqej kjo zonjushë,
që me ëndrra i mbushte gjinjtë
thellë nën këmishën e bardhë,
priste dikujt t’i hidhej n’përqafim sa më parë
si druri i dytë drurit të parë…
—
SHTËPIA E RE
Tërë fëmijët fare u këputëm,
Duke pritur në shkallë,
Që të dilte nëna me bukët për argatë…
Ndërtojmë shtëpi të re me plitharë dhe baltë,
Dritaret do t’ia zëmë me letër të bardhë
Kurse për dyer thurim trina në hajat.
S’kemi nevojë për llambë e fitilaq
Sepse drita vjen fushës me florinj në qafë,
Kurse hëna zbret malit me yjet në krahë
Janë këta miq të vjetër mend sa mbamë,
Tash në ndihmë do vijnë si argatë…
—
MOS E MALLKO MOTIN
S’gabohesh fare pse dëshiron të jetosh tërë ditën,
mëkat bën vetëm atëherë kur s’e njeh veten.
Kur nuk i shkon asaj me lule në ditëlindje,
kur i merr në qafë gjërat që me ty mbushin jetën…
Atëherë kur hallet rëndojnë më tepër
sesa mund t’i mbartësh në krah
si pus me ujë
mos mallko pse ke lindur në një mot të ligë,
pse veten e pandeh si kopil,
pse tërë natën rri pa gjumë
pse do shumë e arrin pak…
Psalmet tua janë ato,
që t’i kanë mësuar të tjerët,
rruga jote është ajo
që e mbush me shpirt
si stufën me dru të thata…
S’gabohesh, besa, nëse jeton një ditë më shumë,
sepse pasi të mbyllesh në sirtar
një apo dy dit do të qajnë
dhe… kaq, kaq…!
Jeta është një lutje,
që askush në fund s’i ka dalë.
T’i pranoje vetëm si të këtillë… në daç.
—
DITËN QË S’E DOJA
Pikërisht ajo ditë që s’e doja
më mori në qafë,
s’më la t’i shkul gjembat
në trupin tim
kur në lojë lidhin shtat
s’më la t’i mbledh ëndrrat në shuplakë…
Nepc qeni kishte pasur ajo ditë
një ditë e përdalë
që shkoi të mbushë ujë në fshat
me dy buçela në krahë…
Ia bëra me dorë hapin ta ndalë
por as më pa më – as e pashë
si nuk shihen dy pika uji në rrasht…
Gabova pse linda atë ditë, që merr në qafë,
e fshihet pas shpine si shtogu në mal…
As shiun më përdore s’do t’ia marr,
se n’gjini s’do t’i shkel
si mysafir i rrallë…
Gabova pse nuk e zgjodha një ditë më të bardhë…
—
MBYLLI SYTË
Mbylli sytë
dhe merre si në ëndërr
kulmin e kolibes me kashtë.
Eh, sa i dashur është ai mall,
ai çast
kur mendon se edhe shpirti yt ngrihet lart
si flakë,
por ti mbetesh vetëm një zjarr barinjsh në kullotë
fill vetëm
si ajo kolibja me kashtë…
—
KUR MBETESH NË BREG
Ti mbetesh në breg
dhe gjumi më tej nuk të zë…
Ngadalë fletë më fletë çel shpirtin
dhe lexon diçka,
që të çmend
Atëherë vetëm mëkon
fare i lodhur në atë breg…
—
PËRFITIM I NJË ËNDRRE
Kur n’qepallë t’digjet një fill mendimi –
ti bëhesh flakë
Është mëkat apo pendesë
– s’di ç’të them n’këtë çast…
Vetëm në një drithmë që fsheh
– si zogu klithmën n’plagë
Sikur dëshiron t’mbetet sall përftim
i një ëndrre të lasht’…
—
MËKATET
S’di ç’mëkat bëra kur të humba shqim,
kur n’këmbë u thava e dy fjalë s’t’i thashë…
Ndoshta qe një kokërr ëndërr që u kalb
në hidhërim,
ndoshta pse përveç shpirtit asgjë s’të dhashë…
Tash hiqem rrugëve pa fuqi, pa ankth, pa mall,
të gjitha kujtimet bien si një kambanë e kot…
Unë zgjohem me mjekër të bardhë,
ti tretesh në varg,
ndoshta edhe ky është një mëkat që s’ndreqet dot…!
—
NATA TJETËR
Prit ta thërras natën tjetër
që duhet të jetë e gjallë…
Do të vijë nëpër qiellin e vjetër
askush pa e vjedhur si barkën në zall.
—
NJË ÇAST I TRISHTË
Ngrine një çast pa zë
si një unazë martese në gisht
– çast i trishtë…!
T’i këputa kokrrat e rënkimeve ndër buzë
kur t’shkonte një drithmë e ëmbël nëpër gji…
Pse atëherë kridhesha brenda një flake
si ndër valët e gjolit kur i shkund era…?
pse më sosej fryma,
se t’i pija sendet e shtatit!?
Për çudi mbete e tëra plot magji
me një palë sy që kullonin huti…
Mbi bar harruam një palë rrecka të ngrohta
të hedhura pa kujdesin tonë…
Më pas thërrita si një i çmendur,
Qeshë apo s’qeshë në shkretëtirë, s’e di…
Në atë vend tash rritet një bar i egër
që thahet tinës nëpër damarë.
—
LAVRAT E FUSHËS
Prej bregut kundroj lavrat e fushës
të zeza si një bukë e djegur në çertep…
përmbi to avulli lëpihet dhe derdhet tej
njësoj si mendimet e fëmijëve kur dalin n’shesh.
Prej fushës më pas kthehen lavërtarët
me mustaqe të lodhura nën hundë
tok me ta shkojnë edhe pëllumbat
me qafat e kredhura në jakat e puplave
duke larë këmbët në erën e mbrëmjes vonë.
—
MINAREJA
Midis sfondit ku zogjtë mblidhen në shtrojerë,
veshë si me myshk deri në qafë
derdhet minareja në kupë – formë kambane e çelë
duke lëpirë me lajka shputat e reve…
Me një palë shkallë të ngushta,
që përdridhen gjarpër në mug të trashë
dhe kokën lart mbi etjet tona
lakmon me shpirtin e vet
gojëdhënën për të shenjtit,
njësoj si punë e një anije të fundosur
sipërfaqen e diellit.
Desha t’i ndërroj nja dy fjalë,
por assesi të kuptohemi,
sepse ajo rend lart drejt zotit
kurse unë mbetem këtu tek robi.
-Jemi dy trasa me veten tonë në krahë…
—
NË PËRVJETORIN E VDEKJES SË VËLLAIT
Atëherë kur u nise për në qiell,
një gur i madh më ra në ballë
por ti nuk bëre zë
si ta kishe harruar gjuhën e nënës.
Lart hëna çante veshur me re,
kur për ty kërkoja vetëm shpirt… shpirt… shpirt…
Harrove frymën në qepallë
ku thahej si dru ajo e shkreta natë.
Të veshi një shpuzë e ftohtë
E sytë i mbylle – “fap”…
mandej…mandej mbi ty rashë
Dhe s’di, s’di më çka thashë…!
—
MËNGJESI NË RRUGËN TIME
Mëngjesi në rrugën time gdhin atëherë
kur gratë çarçafët i shkundin
buzë parkut të fëmijëve.
Të duket se edhe zogjtë i plapurisin krahët
se edhe bleta gumëzhin në zgjoje
kur çuçuritën gratë.
Sa ora majat e barit veshin pizhamet
Tërë parku mbulohet me rroba të palara…
Lind ky mëngjes me çarçafë të ngrohtë
në të cilët natën ziejnë epshet
e bashkëshortëve
qofshin ata me fat, apo…
Drita mandej i lanë mëkatet
si në kroin e fshatit…
Edhe të nesërmen avaz i njëjtë
buzë parkut të fëmijëve.
çarçafët dhe fluturat bëjnë xhiro.
Lagja bëhet gati edhe për një ditë tjetër
me njolla nëpër rrobat e shtratit
si fara hithrash të egër…
—
ËNDRRA E FUSHËS
Ti kuvendon me veten
njësoj si në kohën e gurit,
si zogu në pupla…
Fushës me drithëra ia fal frymën
si një ëndërr që mbushet tok me hënën.
S’e fal atëbotë vetëm jetën tënde
– këtë kalli që e pjekin erërat…
—
MASHNA E GJYSHIT
Në krah të përroit tek dy blina
zemra për mashnën e gjyshit kurrë nuk u tha…
E ngriti një mot me lloç e me trina
dhe bashkë me arën kujtim na e la.
Më pas erërat kulmin ia derdhën në hava
do barinj barkun ia hudhën në zjarr
megjithatë nga shpirti kurrë nuk na u nda…
Ruante ajo në kokrrën e jetës së vet
duart tona, gjeth e flet…
Tash pritnim të kthehej ai nga qielli mbi gurinë
me një thes miell në shpinë…
—
S’DI TË RROJ DY HERË
Kur lëshoj duart në shtat them se dikush
m’paska vra
N’mëshikës të kësaj nate kaq të thatë…
Së largu shoh një dru që mbahet pa asnjë krah,
atëherë edhe sytë shkojnë t’barisin në shpat…
Diçka po ndodh me mua si me buklën në ranë
Një djersë del e kripur kur shpirti dhemb
e dhemb…
Tash mund të thoni gjithçka për mua
goja që mban,
mund t’më bini në qafë kur s’di çka t’ju them.
I ndezur m’rri një si kandili n’verë,
por s’ia prek fatin kur sytë ngjiten në kodër.
Ndoshta i duhem dikujt – por s’di t’rroj dy herë,
S’di n’cilën kokërr merr frymë jeta – që të kokërr…!
—
ARTA’MBYLLE DRITAREN
Arta’ mbylle dritaren-me fytyrë në oborr
Se duhmë e të vdekurve vjen nga jug i largët.
Qindra vjet’e dashur’me plumba në kraharor
Trualli po vjell vetëm vrer e gjak….
Arta’ mbylle dritaren se drithmën ma ngjesin
të vdekurit’ që këmbët i lidhin mbi gur
Nga shtizat në grykë-shoqet e tua s‘dua të vdesin
bijë e dashur’
se e rëndë është vdekja me dhunë.
Arta’ mbylle dritaren’krisma zemrën ma shkund’
Prej vdekjes së dytë tremben të vdekurit gjithkund.
—
U THËRRAS DRUNJVE DHE NIPËRVE
Dal t’u bëj zë drunjëve përeth dhomës n’shi
t’u them se jam lajmëtar i Zotit n’këtë ditë’
Tu them se drejt majave më heq qielli në gji
kur para t’Madhit shkrepëtinë ai zjarr me dritë.
Dal tu bëj zë edhe nipave,kur nuk i gjej,
Që të hynë në një zemër që s’di ti gënjej.
—
DOLLITË
Do t’ngre dolli për kokën që m’ka marë erë,
do t’ngre dolli për veprën e pabotuar
Dhe për njerëzit që emrat ua kam harruar…
Do t’ngre dolli për të gjallët,
që kanë harruar fjalët,
do të ngre dolli për vetminë time,
që si shkova në ditëlindje…
Do të ngre dolli për ty
Se vonë shkele në pragun e vetvetes.
—
TEK LUMI I VËRRINIT
Tek lumi i Vërrinit hedhin vallen shtojzavallet
Kur nata vjen nga këmbët me aromën e barit
Babai këndon një këngë për zogjtë e hallet
e kosa rri më këmbë midis livadhit.
—
NJË GRUAJE
Midis shiut të imët mes nesh del një zë
zë zogu-përmes zabelit kur lodhje ndjen…
Bregun tim ia fala asaj gruaje për një gjë,
që e bën të kthehet në krah-natën kur flen.
Dua ta gjej-një psheretimë n’sy t’a hedh
dhe t’ia çaj ndër erëra zemra plagë ku mbledh.
—
VËSHTRIME TË TËRTHORATA
Kalojmë pranë njëri tjetri por nuk flasim
megjithëse zemra ndryshe shkruan n’ditarin e vet.
S’e di pse me kokat anash qiellin e masim
dhe shikimi i njërit-në ballë tjetrin e vret!
—
ERA E TROLLIT DHE E BABAIT
Tërë ditën e trollit të arës sonë i marr erë,
sepse hijen e babait e ruan dikund me shend.
N’livadh jetoj hapat e tij – të derdhur si verë,
nëpër degë dëgjoj zërin e tij – but – si shpend.
E në mbrëmje sikur zemrës asgjë s’i dhemb
Aty te kroi ky uji qet krye nën një tallë.
Ai ma fal tërë zemrën – si sythin mbi një rremb
Dhe megjet e fëmijërisë m’i mbledh në një përrallë.
Si je baba, a ka rënë ndonjë pikë shi?
I flas sytë pa ia ndarë aty në ura dhe vresht…
Ai me atë vështrim pingul si një harbi
Të gjitha m’i thotë vetëm duke hesht’…
Më vonë me fytyrë n’pëllëmbë gjumi e merr…
Unë erën flokut ia njoh n’atë ballë të derdhur,
Atëbotë një fëmijë me ferra n’këmbë, me flokë të paqethur.
E pas tij – sikur majë kodrës dikush thërret,
Oooo Murat! Është babai me jarxhik në krah.
Mirëfilli e di – dikush në fund t’arës argat më pret,
Një tjetër majë malit më bën zë për rrah…
Nga terri tashmë s’duket as fytyra n’pëllëmbë…
Kujtimet te kroi derdhen shtrat e pa shtrat.
Një fëmijë me do sy prej zjarri m’bën dritë si llampë,
Një njeri me jarxhip në krah thërret – Oooo Murat!
—
VIOLINISTI I VERBËR
Ia thotë një kënge – sikur prej saj bota t’ketë dalë,
Sikur dyfish jetën, t’ia shtonte njeriut me këtë melodi…
Në gji ruan nji dhimbë që jeton prore e gjallë
– është nakimi për fatin që kurrë s’e rrok me sy…
Ia thotë një kënge – sikur prej saj edhe vetë ka dalë,
këndon dhe lutet tërë botës t’i vijnë sytë me flakë.
Por prej kësaj lutjeje ikin motet fare pa u falë
ikin dhe s’kthehen – mu si tingujt e tij me plagë.
—
DHIATA
Çilnie trollin dhe m’varrosni si t’parët e mi
aty ku kënaqet vishen me një cipë natë…
Kufomës n’qefin shtrëngonia sytë me shami
Dhe shkoni – t’vdekurit s’kanë nevojë për shamatë…
Varrin mbushnie me gurë, ponica, truall – sall një her’,
mjafton për t’qenë i vdekur me shekuj e muaj…
Nëse një ditë ju duhem gurë e dru për fis e nder,
Urdhëroni që t’i merrni si n’mallin tuaj!
T’luftoni me gurë që atdheu të mbetet gjall’!
Vetëm qefinin e bardhë s;e jap flamur për ta bë!
Vendin s’e luaj, po nëse duhet zot t’ju dal,
Përveç fortesës n’atë varr s’do të gjeni asgjë…
—
Murat Isaku lindi në fshatin Gajre (Tetovë). Poezinë e parë e botoi në vitin 1951 në revistën letrare “Jeta e re” të Prishtinës. Më vonë filloi të merret edhe me tregime, poema, novela, romane, ese, vështrime etj. Për disa dhjetëvjetësha me radhë ka botuar një varg veprash letrare siç janë: “Zani i malit”, “Dielli e din rrugën e vet”, “Unaza e djerrinës”, “Drithma”, “Plagët”, “Gërshata”, “Rreckajt”, “Etje”, “Blana”, “Damkat”, “Shtjella”, “Ngushëllim i bukur”, “Buzëqeshjet e mesditës”, “Kunora e trollit”, “Flaka e vonuar”, “Sheshtina”, “Shtara”, “Rrengu”, “Fatprerët”, etj. Është fitues i disa çmimeve letrare.
Komentet