30. Atë Giovanni Fausti, Misionar jezuit italian, Atë Daniel Dajani, jezuit shqiptar e Atë Gjon Shllaku, françeskan shqiptar, u pushkatuan së bashku me seminaristët Mark Çuni e Gjergj Bici dhe me civilat Gjelosh Lulashi, Qerim Sadiku e disa të tjerë. Sentenca merrte fund më 22 fruer 1946. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. E u pushkatuan.
Ballë për ballë, para Pilatit, mendjet e kthjellta, të zhvilluara me disiplinë e rregull, nën drejtim njerëzish me aftësi të padiskutueshme. Bij të popullit, zgjedhur nga të gjitha klasat e shtresat, që kishin kryer rregullisht shkollat, nga fillorja, në universitet më në zë të Evropës. Pasuar nga vite rrëmimesh shpirtërore, studimesh filozofike e teologjike. Me shkolla të bëra larg zhurmave të botës, në heshtjen e manastireve e të kishave, të pajisura me biblioteka, me mjete dijeje e përparimi, me qendra pikture, skulpture, arkitekture, muzike, poezie, gojtarie, që ia kalonte shumë herë asaj të tribunave ndër gjykata e parlamente.
Ballë për ballë, para Pilatit: shpirtra, përkushtuar plotësisht shërbimit ndaj Zotit e të afërmit, pa kurrfarë shpërblimi a përfitimi personal. Mësues që, ndërmjet tjerash, i mësonin, prej një gjysëm shekulli, moshës së re, gjuhën shqipe e kulturën kombëtare.
Pasi kishin studiuar me themel, ata vetë, veprat e filozofëve, nga Platoni e Aristoteli, tek Seneka, veprat e etërve të Kishës, grekë e latinë, veprat e filozofëve e të dijetarëve të mesjetës, veprat e enciklopedistëve francezë e gjithçka, që kishte krijuar dija katolike e akatolike, përfshirë edhe shkencat ekzakte, nga matematika, tek astronomia. Deri më atë ditë, kur i ngrehën rrëshanë para Pilatit. Kur i nxorën para atij gjyqi, për t’u gjykuar nga….
…njerëz me mendje të mjegulluar, të lindur e të rritur në mjedise sterilizuese, në skuta të dyshimta fanatizmi e fatalizmi, ku çdo libër, veç letërsisë marksiste, materialiste, komuniste, shikohej si i dëmshëm dhe i rrezikshëm, pra për t’u djegur. Njerëz, që e urrenin emrin Zot. Që dinin vetëm të shanin bastardhisht çdo besim, Dalë nga shkolla fillore, me aq dije, sa për të nënshkruar dënime me vdekje. Gjyqtarë të aftë për të dëgjuar vetëm dëshmitarët e paditësit, por jo të të paditurit, a të pandehurit.
Njerëz kësoji ishin ballë për ballë në gjykatën e Pilatit. Në atë gjyq-tragjikomik: përfaqësues të dijes e të kulturës më të stërholluar, nga njëra anë – e, nga ana tjetër, të diktaturës më kriminale, pasojat e së cilës vijojnë edhe sot në vendin më të varfër të Evropës. “I ligu për mend” e pati përkthyer atë Gjergj Fishta titullin e komedisë së Molierit “Le malade imaginaire”
Ndeshja do të përfundonte me pushkatimin e të parëve e me sundimin e të dytëve. Deri një ditë, kur rolet u përmbysën. Figurat e gjykuesve vërtetojnë se fjala e folur sot, mundet me të vra nesër. Se Pilatët zbresin në greminat e historisë, nësa të gjykuarit presin të lartohen në nderimin më të lartë: atë të elterit. Të ardhur nga prova e madhe, janë modelet më të denja për t’u ndjekur!
Kush është Atë Giovanni Fausti?
31. Atë Giovanni Fausti (Broko, Bresha, Itali, 19. 10. 1899 – Shkodër, 04. 03. 1946) jezuit, misionar italian, me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe, në Shqipëri kishte detyrën e zëvendës-provincialit.
Atë Giovanni Fausti, bir i Antonios e i Maria Sigolinit, lindi në Broko, në provincën e Breshas, me 9 Tetor 1899. Broko ishte qendër e vogël, që sot numëron 550 banorë. Ndërtesa më e bukur ishte kisha e Shën Mëhillit Kryeengjëll, ndërtuar qysh në periudhën e Longobardëve. Në këtë kishë Atë Fausti, pinjoll i një familjeje të vjetër fisnike me stemë, u ngjit për herë të parë në elter për të ndihmuar meshë. Në këtë kishë u dashurua me muzikën e me këngën.
Shkollën fillore e ndoqi pjesërisht në Broko, pjesërisht në Vale Pekara, pranë të ungjit, Don Umberto Sigolini. I ungji dalloi në të shenjat e para të thirrjes për rrugën e meshtarisë dhe e ndihmoi të hynte në Seminarin e Breshas.
Në seminar nuk është njëlloj si në familje: rektori zëvendëson babain, zëvendës drejtori, mundohet të zëvendësojë sadopak nënën, e vëllezër janë shokët e klasës, që së bashku kanë hyrë në rrugën e meshtarisë. Po Fausti do t’i kapërcente të gjitha vështirësitë, i armatosur me idealin e madh: dëshirën për t’i shërbyer Zemrës së Krishtit.
Kur më 30 tetor të vitit 1924 u paraqit te porta e noviciatit të Jezuitëve, në Goricia, kishte mbushur 25 vjeç. Ishte shuguruar meshtar dy vjet më parë – më 9 korrik 1922; ishte lauruar në filozofi e teologji dhe kishte punuar një vit si mësues në Seminarin e madh të Breshas. Punonte dhe jetonte me moton e përvuajtur: “Gjithçka mund të bëjmë, e bëjmë për lavdinë e Zotit”.
Atë Fausti na la ditaret e tij, përmes të cilave mund të njohim hollësisht ndjenjat, mendimet, shqetësimet, luftën shpirtërore, dëshirën për t’i shërbyer sa më mirë Jezu Krishtit. Njohim hollësisht edhe ngjarjet e ditëve të tmerrshme të viteve 1945-1946, ditë martirizimi të klerit katolik, njëra nga të cilat – 4 marsi – do t’i jepte palmën e martirit ndër duar 3 prej meshtarëve nga më të devoçmit e më të aftët. Fragmente nga këto ditare u botuan në librin “Padre Fausti, Martir në Shqipni”, shkruar nga Armando Guideti, botuar në Romë, më 1974.
Për të zbuluar në mënyrë sa më të plotë personalitetin e Atë Gjon Faustit, jeta e tij në këtë libër përshkruhet duke nisur nga vdekja. Sepse vetëm duke u nisur nga vdekja, nga dita kur një plumb komunist e qëlloi në lule të ballit, mbas murit të varrezes katolike të Shkodrës, e duke përshkuar, pastaj, gjithë jetën e tij, mund t’i jepet pergjigje pyetjes: “A ishte Atë Fausti ai, që u përshkrua nga shtypi komunist si kriminel, thjesht për të përligjur arrestin, procesin, dënimin, pushkatimin? Apo ishte një Njeri krejt tjetër!”.
Atë Fausti erdhi në Shqipëri dy herë: herën e parë qëndroi nga viti 1928, deri në vitin 1932. U emërua profesor i filozofisë e i teologjisë në Seminarin Papnuer të Shkodrës. U ambjentua shpejt dhe fitoi respekt të thellë për gjithçka të mirë shqiptare. Me 1932 u kthye në Itali, i sëmurë rëndë. Pa mbaruar mirë mjekimet, u nis sërisht për Shqipëri, këtë radhë si Rektor i Kolegjit Saverian. Me 1944 u plagos nga nazi-fashistët, ndërsa mbronte popullin, që po dilte nga kisha e jezuitëve, në Tiranë.
U arrestua me 31 dhjetor 1946, doli para gjyqit më 30 janar 1946, u pushkatua më 4 mars 1946.
Procesi gjyqësor ishte tejet fyes dhe i padrejtë. Pa llogaritur sharjet nga ana e gjykatësve dhe prokurorit, që ranë si breshëri mbi kokat e të arrestuarve, kujtojmë se diskutimin kryesor, më të zjarrtin, ngarkuar me urrejtje dhe shpifje në adresë të klerikëve dhe besimtarëve katolikë, që kishte për qëllim të dehte sallën, e mbajti Kolë Jakova, duke nisur kështu, me këtë ‘kryevepër’, karrierën e tij letrare si një ndër dramaturgët, poetët dhe prozatorët më në zë të letërsisë enveriane të realizmit socialist. Kjo ishte vepra e tij e parë…
Ndërsa Atë Fausti i pati nisur ‘disi ndryshe’ hapat e para në rrugën e misionarit. Në ditarin e tij shkruan: “Mendimi për të shkuar si misionar, më lindi qysh në vitet e para të seminarit. Po më mundonte një dyshim: a ishte thirrje e vërtetë? Sepse një gjë është e sigurt: për t’ia dalë në krye një pune, nuk mjafton vullneti ynë. Mbi të gjitha është vullneti i Zotit. Shpresoj se në gjendjen time të sotme është Zoti, që më flet. Kam thënë gjithmonë, e sot më shumë se kurrë “Më fol, o Zot!”.
Atë Fausti ishte njeri i ekuilibruar, bashkëbisedues i këndshëm, i kulturuar e i mëshirshëm. Kishte horizont të gjerë kulturor: njihte mirë gjuhët klasike e moderne; latinishten e greqishten e vjetër, frëngjishten, gjermanishten, nësa italishtja ishte gjuha amtare – e shqipja, gjuhë e dytë amtare.
Misionari jezuit ishte në dijeni të të gjitha të rejave, që botoheshin në shtyp, jo për kuriozitet, por për të vlerësuar ngjarjet e jetës njerëzore. Në detyrën e tij si mësues e si edukator, ngulmonte për të vënë në jetë devotshmërinë ndaj Zemrës së Krishtit e dashurinë për gjithçka, që çon në përqafimin me fryt të Kryqit. Punonte për t’i drejtuar veprimtaritë e të rinjve drejt një ideali, përmes të cilit të lulëzonin individualitetet në të mirën e përbashkët të Kombit.
Atë Fausti ishte një nga nismëtarët e dialogut ndërfetar me myslimanët. Në lutjen e hartuar prej tij për këtë qëllim, shkruhet: “O Jezus, fjala e bërë njeri e Bir i Marisë, ne po të lutemi për ndjekësit e Islamit. Ata të njohin Ty si profet i të Madhit Zot, e nderojnë Nënën Tënde si Virgjëreshë të Papërlyer, që u zu për virtyt të Gjithëfuqisë Hyjnore. O Krisht! Edhe për ata u derdh në kryq gjaku yt i paçmueshëm. Për t’i çliruar prej mëkatit e për t’u hapur dyert e qiellit. O Jezus! Ndritua mendjet, që të mund të gjejnë, në Ungjillin Tënd e në Kishën e themeluar prej Teje, udhëheqjen drejt Dritës së pambaruar… Premto që zemra jote të jetë edhe për ta burim jete, e t’i bëjë bij të vërtetë të Zotit”…
Sesi u zhvillua gjyqi i Atë Giovanni Faustit, këtë mund ta mësojmë prej një artikulli të gazetës “Bashkimi”, datë 12 shkurt 1946, me të cilin gazetari i ri, Androkli Kostallari, niste ‘karrierën’ si gjuhëtar i mirënjohur. Hapi i parë i kësaj karriere do të ishte mashtrimi i opinionit publik dhe justifikimi publicistik i një krimi të shëmtuar, që çoi në pushkatim tre meshtarë e disa laikë të pafajshëm. Dhjetëra të tjerë i çoi për gjithë jetën në birucat e burgut – pa llogaritur përndjekjet nip stërnipi të kushedi sesa familjeve – gjë për të cilën komunistët ishin mjeshtër të vërtetë. S’ka shqiptar të cilit të mos i ketë ardhur në majë të hundës, 50 vjet rresht, kërkesa e përmuajshme e biografisë, që dridhte edhe eshtrat e stërgjyshërve ndër varre. Të mjerët të vdekur! Më kot kërkonin pushim në paqe! Komunistët i thërrisnin pambarim nga bota e përtejme, që të jepnin llogari për fajet e mëkatet e tyre, atëherë kur këto faje e mëkate ua kishte falur edhe vetë Zoti.
Me 1942 Atë Fausti do të nisej në Shkodër, për të mos u larguar më nga dheu i shqiptarëve. Eshtrat e tij s’do të pushonin kurrë në tokë amtare. Ato u përzjenë, në mënyrë të pandashme, me eshtrat e Martirëve të tjerë të Kishës Katolike Shqiptare.
Nësa trupi i Atë Faustit kalbej, pa shenjë kryqi e pa emër, në tokën e rrafshuar, Bashkësia Famullitare e Brokos e pagëzonte me emrin e Tij shkollën e qytetit, ku pa dritën së pari.
Mbi pllakën përkujtimore, që u vendos tek hyrja e shkollës, shkruhet: “Atë Giovanni Faustit, Klerik Jezuit, rënë dëshmor feje në Shkodër të Shqipërisë më 04. 03. 1946… në përvjetorin e 20-të të flijimit, Administrata Komunale dhe gjithë popullata, ia kushton këtë ndertesë, në të cilën do të edukohen breznitë e reja”.
Në letrën, që Provinciali i Jezuitëve i dërgon, më 3 dhjetor 1991, misionit jezuit shqiptar të rimëkëmbur, shkruhet: “…e kam fjalën për martirizimin e Pater Faustit e të Pater Dajanit e të sa e sa shembujve, që dhanë jezuitët në mbrojtje të fesë –shembuj, që na bëjnë ta shikojmë plot shpresë të ardhmen…!”.
Komentet