Kreu i PLi, Dr. Spartak Ngjela, e cilëson dekretimin e 67 nacionalistëve nga ana e Presidentit Nishani një gjest pajtimi kombëtar.
I ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, si një ish-i burgosur politik në kohën e diktaturës, Ngjela ka sjellë fakte të rrëfyera nga ish-ushtarakë të lartë të burgosur me të në burg se nacionalistët e pushkatuar nga Mehmet Shehu nuk kishin marrë pjesë në ndonjë betejë të armatosur, por u ishte kërkuar që t’i bashkoheshin Brigadës së Parë.
Ata që kishin refuzuar këtë bashkëpunim me urdhër të Mehmet Shehut, komandant i asaj brigade, ka dhënë urdhër që t’i pushkatojnë. Ngjela tha ndër të tjera se komunizmi është një filozofi pa atdhe. Kjo vjen nga koncepti marksist që thotë se punëtori është pa atdhe. Sipas tij, nuk mund të dalësh jashtë doktrinës, duke e shndërruar Luftën Nacionalçlirimtare në socializëm revolucionar ku sundonte terrori.
“Këta ngrinin atentatorët, në ditët e sotme, këta quheshin terroristë. Teza e tyre revolucionare ishte: Luftën Nacionalçlirimtare ta kthejmë në revolucion socialist, e kthyen ata”, tha Ngjela.
SPARTAK NGJELA
Ballistët nuk ishin robër lufte. Disa pushkë ishin shkrepur shumë ditë më përpara në atë zonë. Mehmet Shehu ka shkuar atje për të rekrutuar ushtarë për Brigadën e Parë Sulmuese, por jo vetëm atje, por dhe në shumë vende të tjera. Kur ai ka mbledhur njerëzit, nuk kishte lidhje me luftën, nuk ishte bërë ndonjë betejë. Këto të dhëna unë i kam mësuar në burg nga ushtarakë të lartë të dënuar nga Enver Hoxha, por që kanë qenë partizanë në Brigadën e Parë.
Mehmet Shehu u tha fshatarëve të mbledhur: Kush do të vijë me mua në Brigadën e Parë, të kalojë nga kjo anë, kush nuk do të vijë, të kalojë në anën tjetër. Del komandanti i Ballit i zonës, Manastirliu, dhe thotë unë jam me Ballin dhe nuk vij. Madje, njëri ka thënë që unë më mirë bëhem derr sesa të bëhem komunist. Atij iu bashkuan edhe 66 të tjerë. Këto fakte nuk janë dhënë ndonjëherë.
Historiografia e lartë anglo-saksone e konsideron historiografinë shqiptare të paartikuluar që në vitet ’30. Mehmeti i pushkatoi të gjithë ata që nuk pranuan t’i bashkoheshin Brigadës së Parë. Kjo është ngjarja. Ata mund të ishin me Ballin, por nuk kishin luftuar kundër partizanëve.
Dua të them diçka këtu, se edhe rrymat kundërshtare në Shqipëri kanë pasur një lajtmotiv, madje edhe Balli e të persekutuarit, pajtimin kombëtar. Por komunistët nuk e pranonin pajtimin kombëtar. Ka qenë shumë i acaruar konflikti politik në Shqipëri në funksion të pushtetit. Por duhet të analizojmë kohën dhe komunizmin. Komunistëve nuk u bënte përshtypje fare terrori, terrorin e kishin mjet lufte. Të gjitha katedrat e kanë quajtur komunizmin bashkimin e humanizmit me terrorin.
Pra, doktrina ishte komuniste, mjetet ishin terroriste. PKSH nuk ishte e pavarur, por e inkuadruar në komunizmin botëror dhe ata e kishin vënë në programin e tyre të brendshëm, që Luftën Nacionalçlirimtare ta kthejmë në revolucion socialist, që do të thotë terror dhe vrasje.
Dhe ashtu u kthye, ashtu e morën ata pushtetin. Të vijmë tek akti. Meqenëse duhej një akt për pajtim kombëtar, për shkak se sot të gjithë me anglo-saksonët janë, duhej gjetur diçka. Në momentet e krizës sonë të madhe, të fillimit të historisë së komunizmit, ne duhej të kishim bërë një pajtim kombëtar. Presidenti aktual e bëri këtë në mënyrë mediokre, gjeti një rast i cili ka ambiguitet, është i interpretueshëm nga dy anë.
Mund ta kishte shtruar si tezë që na duhet pajtim kombëtar, sepse është president mbi palët, por nuk diti sepse është nivel i dobët, nuk e njeh historinë, por ne na duhet një pajtim kombëtar, do të vijë dita që fitimtari të jetë më tolerant dhe humbësi të mos jetë hakmarrës. Pra, ne këto nuk i kemi, që janë dy kushte për të bërë pajtimin kombëtar. Ky ishte një moment që duhej shfrytëzuar për këtë pajtim kombëtar, por u shfrytëzua politikisht.
Si dekret unë nuk jam kundër, sepse, në fund të fundit, që janë martirë kjo nuk diskutohet, që ka martirizim kjo nënkuptohet. Të vijmë te ndarjet. Ndarjet kanë qenë politike, dhe jo në funksion të atdheut. Sepse komunistët nuk kanë qenë nacionalistë, ata nuk kishin atdhe, ishin internacionalistë. P.sh., të tërë këta që ishin komunistë dhe vazhdonin shkollën në Bashkimin Sovjetik, bënin jetën e partisë në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Ne habiteshim me këtë. Kjo ishte doktrina e tyre, e cila binte gjithmonë në terror. Komunistët cilësonin atentatorin hero, ai sot konsiderohet terrorist, sepse bënte terror në publik, vriste dhe ekzekutonte pa vendim gjykate, por “Në emër të popullit”. Këtë e pranonte dhe vetë Partia Komuniste shqiptare.
Sejfulla Malëshova, një intelektual i mirëfilltë deklaronte në Pleniumin e Beratit se “kemi rënë në terrorizëm, kjo është organizatë terroriste. Nëse nuk heqim dorë nga këto metoda, do të biem në një organizatë vrasëse”. Malëshova ishte njeriu më i mençur në atë udhëheqje, Enver Hoxha ishte pa formim akademik.
Luftën për çlirim nuk e mohon njeri, por merita më e madhe që kanë nacionalistët dhe asnjë nga mbrojtësit e tyre sot nuk e thotë, që i ndan nga ballistët, është kjo që ata ishin aleatë me anglo-saksonët. Në brigadat e tyre kishin anglezë, Abaz Kupi ka pasur anglezë dhe deri në një moment të caktuar, këta të tjerët asnjë. Kryekonsulli gjerman në Tiranë, Shplid, në një letër që i dërgon qendrës, ku i thotë lajmëro ministrin e Jashtëm që këtu ne kemi shpresë të bashkëpunojmë për të krijuar një qeveri kuislinge të përbashkët me elementët e Ballit Kombëtar.
Ata ishin nacionalistë dhe gjermanët i jepnin Shqipërinë territoriale, atje ku banonin shqiptarët. Ata nuk kishin politikanë brilantë që ta shfrytëzonin këtë hapësirë dhe mundësi që u jepte Gjermania që të bashkonin trojet shqiptare. Po të kishte qenë pak më i mençur ky president dhe të kishte pyetur palët që hajde të gjejmë një akt që të bëjmë kauza të përbashkëta për të bërë pajtimin kombëtar.
Ne jemi ende në Luftën e Dytë Botërore dhe merremi me historinë e para 70 vjetëve. Sot nuk mund të ndahen palët për një dekret, bëjnë luftë politike për një dekret. Thuhet se Mehmet Shehu bëri autokritikë për pushkatimet që urdhëroi. Por të mos harrojmë se ka qenë Enver Hoxha i pari që e kritikoi për këtë gjë Shehun.
Konflikti Shehu-Hoxha gjatë luftës ka qenë shumë i madh, nuk dihej se kush do të fitonte sepse Shehu kishte të gjithë luftën dhe ai partinë. Këtë çështje, pushkatimin e ballistëve, ia ka ngritur disa herë edhe në fund të tij ia ngriti këtë fakt.
E kishte si lajtmotiv dhe ata janë brenda optikës së tyre të të parit të gjërave, brenda pushtetit dhe revolucionit socialist. Mehmet Shehu gjatë luftës nuk ka vrarë vetëm këta ballistë, por ka vrarë edhe italianë, edhe shokun e tij më të ngushtë.
Komentet