Kjo është pjesa e tretë e bisedës me Izet Haxhinë, mbi historikun gjithsesi të pjesshëm të firmave piramidale shqiptare bazuar me fakte dhe detaje të tij si pjesë e afërt i ingranazheve të pushtetit të kohës.
Në këto skema mashtruese u humbën mbi 1.2, deri në 1.6 miliardë USD sipas disa llogarive.
Por kjo është një vlerë shumë e pasaktë, gjithsesi. U humbën mijëra jetë njerëzish dhe nga ana tjetër, nëse do kishte një vlerë monetare për shkërmoqjen e shtetit, institucioneve, ushtrisë, shoqërisë, vendit, prapambetjen e Shqipërisë që ende po përpiqet ta rikuperojë si kohë e humbur… atëherë shuma nuk kalkulohet dot.
Ish-truproja i Berishës jep detaje dhe fakte mbi ngjarjet e atyre muajve, 20 vjet pas shkërmoqjes së madhe shqiptare, duke nxjerrë edhe disa konkluzione interesante, që ja mundësojnë distanca kohore dhe reflektimi i ftohtë i njeriut dikur aq gjaknxehtë…
Duke premtuar një bisedë të mëvonshme, me detaje të panjohura mbi vitin 1997.
Nga Alqi Koçiko
-Për publikun, shkëndija e parë e shqetësimit zyrtar mbi skemat piramidale ishte një pohim i ministrit të ri të Financave Ridvan Bode, mbi rrezikun e këtyre firmave…
Pas kthimit nga vizita në FMN e Bankën Botërore të Ridvan Bodes në tetor 1996, ku ai mori paralajmërime për mbylljen e urgjente të këtyre piramidave financiare, Bode deklaroi në Tv se këto firma duhen mbyllur. Por u detyrua të mos e përmendë më e as mos ta mbrojë këtë deklaratë pas presionit që iu bë nga Berisha. Ky vetë, siç dihet, deklaronte se këto firma janë të ndërtuara me paratë e shqiptarëve që janë më të pastrat në botë. Normale, sepse paratë e veta të pista i kishte larë e pastruar në këto firma, e më pastaj transferuar në bankat e Lihtenshtejnit e Qipros.
Berisha e kishte të domosdoshme zgjatjen e jetës së mashtrimit. Kjo për përfitime elektorale të PD, me zgjedhjet lokale të tetorit, dhe gjithçka në funksion të një mandati të dytë presidencial. Nëse mbani mend, nga pranvera ‘96 deri në vjeshtën e 96-ës para zgjedhjeve lokale, ishte populli i thjeshtë që mori goditjen më të madhe nga këto firma. Pati vërshim masiv duke futur paratë në këto firma sepse propaganda që iu servir njerëzve në atë kohë i joshte ata të fusnin para. Këto para djerse e gjaku humbën në firma, sepse kodoshët e rrufjanët e këtyre firmave që ishin politikanët e pushtetit, dhe në pakicë edhe opozitarë, paratë e tyre të pista i morën disafish më shumë se ato fillestaret.
-Di ndonjë rast konkret?
Është një fakt i ditur që shoferi i Agron Musarajit udhëtonte çdo fundjavë me një valixhe të mbushur me marka për t’i depozituar në bankat e Lihtenshtejnit ato para nën sigurinë e pasaportës diplomatike. Qipro Jugore që në fillimet e saj ka qenë bazë e njerëzve të Berishës. Uroj t’i kenë humbur paratë në falimentin e para disa viteve që ndodhi në bankat qipriote.
– Kur folëm më herët për “Investimin e Milosheviçit” te Gjallica, si mendon se janë tërhequr paratë më pas?
Nuk mund të them ndonjë gjë konkrete në lidhje me këtë gjë, për arsyen e thjeshtë se këto janë transaksione të fshehta që bëhen nga njerëz të besuar e profesionalë. Po kushdo mund t’i bëjë vetë llogaritë: Vetë arratisja e guvernatorit të Bankës së Shtetit në fillim të trazirave të marsit, e kam fjalën për Kristaq Lunikun, dhe marrja e funsioneve të tij nga Elizabeta Gjoni, një mike familjare e Berishës dhe e besuara e tij, tregon se janë bërë tërheqje e transferta sekrete. Më mbrapa edhe rregullime dokumentesh. Nga kush kishte frikë guvernatori i Bankës që u arratis? Pse nuk është përmendur asnjëherë ky fakt? Ka shumë gjëra të errëta e të pasqaruara në këto ditë të marsit 1997.
-Meqë dole këtu, mbaj mend që ish ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali e ka thënë një shprehje të përafërt, “97-ta nuk ka për t’u zbardhur kurrë”…
Kur janë shpërthyer depot në Jug të Shqipërisë natën e 2-3 marsit, Zhulali erdhi në takim tek Berisha i cili e la të priste goxha Zhulalin e tronditur. Bisedova me të gjatë kësaj pritjeje dhe e pyeta se a kishit informacion që do sulmoheshin e hapeshin depot? Se kjo nuk është diçka momentale siç duket, por e organizuar. Zhulali i frikësuar siç ishte, më tha që ka një muaj, që nga shkurti që na vijnë info që do ketë sulm mbi depot e ushtrisë në qytetet e jugut, dhe për këtë i kam kërkuar komandantit, pra Berishës, që të bëjmë evakuimin e tyre. Por Berisha ka kundërshtuar me forcë një gjë të tillë. Pse e la, mund ta themi në fund, që mos të devijojmë.
-Mirë, kthehemi në kronologji. Nëntor-Dhjetori 1996 arriti kulmin e shfrenimit kolektiv. Ti si e mban mend atë periudhë?
Çudia e madhe është se në këtë marrëzi totale u përfshinë edhe njerëz intelektualë, ekonomistë etj, bile edhe të huaj që filluan të fusnin paratë e tyre në këto firma. Unë mbaj mend reklamat me përqindjet e firmave, në mënyrë ditore në faqet e gazetës Koha Jonë e reklama të tjera të tyre në TVSH. Madje më kujtohet në mitingun e Vlorës për zgjedhjet lokale të tetorit, në tribunë të mitingut të kandidatit demokrat ishte një parullë e madhe me emrat e katër firmave piramidale: Vefa, Gjallica, Kamberi e Silva. Dhe më cinikja nga të gjitha ishte parrulla që shkruhej poshtë, slogani i fushatës: Me ne fitojnë të gjithë! E kupton ti, vërtet të gjithë fituan me PD e me firmat piramidale! Sidomos qyteti i Vlorës me mijra jetë të humbura e kaosin e rënies së shtetit.
-Në popull kanë qarkulluar thashetheme mbi tërheqje masive parash ditët e kaosit..
Shumë eksponentë të PD i kanë tërhequr paratë e tyre dhe të njerëzve të afërt që i kishin futur në këto firma. Psh Aida Shehu e Tritanit tërhoqi nga Vefa paratë e një biznesmeni grek që merrej me përpunimin e kanaçeve, që e kishte mik.
Në mars të ‘97 kur u hapën burgjet më vjen Paulin Stërkaj e më thotë që kërkon Vehbi Alimuçaj ta marrësh në mbrojtje dhe si shpërblim, të mbledh faturat e njerëzve që kanë futur lekë. Shuma totale deri në 20 milion marka; me këtë rast ti për mua merr gjysmën e fitimit. Sepse kishte njerëz që më luteshin t’i ndihmoja vetëm për të marrë paratë fillestare pa përqindje. Edhe pse kisha mundësi të siguroja fatura me atë shumë totale, e hodha poshtë këtë kërkesë. As paratë e vjehrrit tim nuk i mora. Edhe pronari i Silvës, Pëllumb Shehu më afroi 2.5 milion dollarë si mbështetje për vullnetarët e Gardës që mbronin Berishën. Ato para ishin të atyre që kishin shitur shtëpi e katandi dhe futur para tek këto firma. Unë e refuzova, po nuk do të thotë që i refuzoi Sali Shehu, shef i komisariatit të policisë të rajonit nr 2 në Tiranë, që mori në mbrojtje këta dy mashtrues, Alimuçajn dhe Shehun. Me një pjesë të këtyre parave janë hapur disa restorante luksoze dhe një Tv e parë private në Shqipëri…
-Izet, të mbetemi pak tek një moment që duhet zgjeruar. Nëse serbët kishin fije me Gjallicën etj, apo te Xhaferri e Populli sipas teje kishte një operacion nga shërbimet e huaja. Do të thotë këto të fundit ishin këmbëkryq këtu, po?
Duke ditur rënien e autoritetit dhe besueshmërisë së Berishës në Perëndim e sidomos tek administrata Klinton, prognoza e së ardhmes politike të Berishës dukej e zymtë. Kishin ndodhur shtypja e zërave opozitarë, armiqësimi me mediat kritike, burgosja e gazetarëve etj, pra një imazh i errët për Berishën në Perëndim. Lobet proserbe që kishin fuqi në administratën e Bushit dhe luajtën rol në sjelljen e Berishës në pushtet më 1992, tani në administratën Klinton e kishin humbur ndikimin e tyre. Aq më tepër që Berisha u armiqësua me grekët, me çështjen e 5 minoritarëve. Por Saliu i vuri vulën me masakrën elektorale të 26 majit dhe kundërshtimit që i bëri propozimit amerikan e evropian për përsëritjen e pjesshme të zgjedhjeve në 47 zona. Në këtë pikë u futën në lojë shërbimet sekrete që kanë mekanizmat e tyre në destabilizimin dhe rrëzimin e regjimeve autoritare siç e kishte kthyer Berisha pushtetin e tij.
-Dhe ti thua që u zgjodh loja me firmat, që ishte një lojë e gatshme?
Po patjetër që në Shqipëri u përdor mekanizmi i fajdeve për të arritur këtë rënie të regjimit të Berishës. Opozita e atëhershme e strukur, e tulatur, nuk e kishte fuqinë ta bënte këtë përmbysje. As fuqinë financiare as njerëzore. Dhe kuptohet që për destabilizimin e Shqipërisë gjithmonë kanë qenë të interesuara fqinjët tanë. Kanë investuar në njerëz e me para që ky vend të ngelet i dobët.
Kështu, duke shfrytëzuar edhe armiqësinë e Berishës me amerikanët dhe faktin që në fillim të vitit 1997 në krye të CIA erdhi një amerikan me origjinë greke i lidhur me qarqet shoviniste greko-himariote në Amerikë, si Tenet, orekset e fqinjëve dhe shërbimeve sekrete u shtuan shumë.
Berisha nuk është se nuk i dinte këto rrethana të rrezikshme për sovranitetin e Shqipërisë dhe ardhmërinë e Kosovës së pushtuar. Por me këmbënguljen që mund ta bëjë vetëm një politikan që nuk i don të mirën atdheut të vet, edhe më keq të një tradhtari, e çoi vendin drejt kaosit e shpërbërjes duke u munduar ta fuste në një lufte civile veri-jug. A ka njeri të më thotë se kjo që bëri Berisha çfarë ishte, tradhti apo patriotizëm?
-Domethënë në lojë ishin dhe grekët?
Padyshim që shërbimet sekrete amerikane, greke dhe serbe u përfshinë në lojën e fajdeve. Amerikanët me sponsorizimin që i bënë Popullit e Xhaferrit, ndërsa Serbët me Gjallicën dhe grekët me tërheqjen e një pjese të madhe të parave të firmave në Greqi me anë të një agjenti të njohur të saj, mik me familjen e Tritan Shehut.
-E ke fjalën për Apostolos Vavilis?
Po, se s’po më kujtohej emri, ai tullaci. Pasi u arrestua sepse kishte përdorur rryshfetin e kërcënimet në zgjedhjet e kishës ortodokse në Betlehem të Palestinës, është përmendur edhe fakti që ky agjent i shërbimit sekret grek është përzier edhe në çështjen e fajdeve në Shqipëri në vitin 1997. Ai agjent i Asfalias, ishte mik i Tritanit, Aidës e prokurorit Arben Qeleshi, ky i fundit “shumë mik” me Vjollca Vokshin e TVSH-së… Në mars ‘97 edhe ky Qeleshi më kërkonte ndihmë ta mbroja nga kriminelët që kishin dalë nga burgu se u kërkonin lekët që u kishin dhënë për t’ua ulur dënimin apo liruar.
-Atëherë, Izet: Eksperimenti i Berishës me Suden dështoi, pra nuk pati një “rënie të kontrolluar”. A beson se ja merrte mendja që situata do degradonte kaq shpejt pas Sudes?
Unë e kam thënë edhe më parë që ka ekzistuar një skenar i copëtimit të Shqipërisë që u vu në zbatim në 1997. Këtë gjë u detyrua ta pohojë vetë Berisha me gojën e tij në natën e 13 marsit 1997 kur e pengova të arratisej. Por duhet të saktësojmë e të arrijmë në përfundime në bazë të rrjedhës së ngjarjeve, dinamikës së tyre në ato muaj të zinj për Shqipërinë.
Kur unë akuzoj sot Berishën si një vegël e agjenturës serbe, nuk është se kam në dorë dosjen e tij të UDB-së, por nisem nga logjika e fakteve e rrjedhës së ngjarjeve. Berisha po të ishte atdhetar, nuk do ta lejonte situatën të precipitonte në mënyrë të tillë. Ai vuri me qëllim çdo gjë në funksion të pushtetit personal, kur fare mirë mund të bënte zgjedhje që mund ta shpëtonin rënien e shtetit.
Berisha nuk është budalla që të mos e kuptojë zemërimin e revoltën e njerëzve të dëshpëruar. Por me një këmbëngulje tipike për diktatorët e tradhtarët ai vendosi të përdorë forcën në shtypjen e kësaj revolte dhe aq më keq, deshi të krijonte një konflikt civil veri-jug, duke armatosur qytetarët e militantët e PD.
Dhe pasi bëri gjithë këto poshtërsira, pasi strehoi familjen e tij në Itali natën e 13 marsit, vendosi edhe vetë të arratisej, si akti i fundit i skenarit të copëtimit të Shqipërisë. Prandaj unë them që në ato që kanë ndodhur në 1997, Berisha kishte rolin kryesor të dhënë nga padronët e tij serbë.
-Pas piramidave, shoqëria shqiptare po jeton “një jetë të dytë” në pluralizëm, me plagët që janë ende aty. Ti vetë po jeton “një jetë të dytë”, tashmë jashtë dhe larg pushtetit. A beson se kemi mësuar diçka pas “piramidave”, apo vazhdojnë të na mashtrojnë?
Kot nuk thonë që paraja është e lidhur me shpirtin. E për ne shqiptarët e varfër kjo puna e parave është pak më e ndjeshme se çështjet e tjera si demokracia, ligji apo patriotizmi. Kur vjen puna tek paratë, shqiptarët ngrihen jo vetëm kundër qeverisë po edhe “kundër zotit”, si i thonë.
Por shqiptarët vazhdojnë të mendojnë bukën e gojës, ndërsa pushteti vazhdon marifetin e përjetshëm. Kemi rastin më të freskët, atë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vetingun; ata gjyqtarë që morën guximin duke pezulluar një ligj që do bëjë pastrimin e plagës më të madhe të këtyre 25 viteve, atë të korporatës kriminale të drejtësisë, për arsyen se duan të ruajnë paratë e fituara në mënyrë kriminale e korruptive. Janë shokët e atij Qeleshes që fola më lart.
E çfarë mund t’i thuash popullit atëherë? Të paktën vetëm një gjë: Që paratë që ja grabitën në firmat piramidale ishin para të pastra të gjakut dhe djersës së tij. Pra të çlirohemi nga mendësia dhe iluzionet se paratë mund t’i fitojmë pa punuar.
Fund
Komentet