Artan Fuga ka ironizuar pak ditë më parë gazetën Mapo dhe botuesin e saj Henri Çili, se po mbështesin kultivimin e hashashit.
“Hajde Henri Cili hajde! Më thotë se nuk do të merret me politikë në ditë festash e qokash, dhe pastaj merret me propagandë në ditë të zakonshme.
Propopagandë mo, se mos po mbjell hahahahhashash”, shkruante Fuga, ndërsa më pas, merrej me këtë gazetë dhe me Çilin edhe në një shkrim të botuar tek Standard.
Por, sot atij i është përgjigjur Alfred Lela, në emër të Mapo-s, ndërsa nuk ka vonuar shumë, dhe Fuga i ka kthyer përgjigje Lelës.
Replika e Lelës:
Jam drejtori i ri i një gazete të re. Së cilës duhet t’ia pranoj ‘trafiqet’, të cilat kanë qenë të gjitha në fushën e ideve: më i fundit në numrin e së shtunës, kur hapej me një Pakt për Reformizmin, një policy paper e shtatë pedagogëve të UET. ‘Trafiqe’ të tjera janë karikaturat e Bujar Kapexhiut, shkrimet, e Klementin Miles dhe pedagogëve të tjerë, të Muç Nanos, të Agim Baçit, e me radhë. Këta janë emrat që shkruajnë aktualisht në gazetë, dhe ka patur shumë të tjerë në 6 vitet e ekzistencës së saj: dikur te MAPO ‘trafikonte’ ide edhe Artan Fuga, një filozof i kahershëm; me ide, herë të reja, e herë të vjetra.
I gërditur me një ndër format e së vjetrës, median tradicionale, Profesori ka zgjedhur një medium të ri, Facebookun. Formën e ka të vjetër ama: gjatësinë e tekstit. Nuk shkruan dot shkurt, apo zgjedh të shkruajë gjatë, edhe pse, si pedagog i Komunikimit, e di se tashmë leximet janë vertikale e rrallëherë horizontale. Ndoshta e bën këtë i nisur prej sigurisë se lexohet, pavarësisht gjatësisë së tekstit. Mund të jetë: ose nuk njeh mediumin që përdor, ose nuk njeh lexuesin tekanjoz e të palexuar të këtyre kohëve. Ose i shpërfill të dyja. Filozofikisht.
Për vete, kam një padurim ndaj teksteve të gjata në median sociale: teksti që i kalon disa fjalitë është bërë për gazetë, revistë ose libër. Kjo ‘teknikë’ më takoi me tekstin e profesor Fugës në gazetën ‘Standard’ ku ai mban një rubrikë, çdo të shtunë, prej disa vitesh. Aty u ndesha me një ‘reportazh filozofik’ të gjatë, ku përmendej ndër të tjera edhe Henri Çili, dhe nënkuptohej më poshtë Universiteti Europian i Tiranës dhe gazeta MAPO. Fuga dhe Çili kanë qenë miq të vjetër, dhe tashmë, me sa duket, i ndajnë patose të reja, por jam i sigurt se Henri mund të mbrohet vetë, siç mund ta thonë një fjalë në mbrojtje të Universitetit titullarët e tij.
Si drejtor i MAPO më intereson, apo irriton, cilësimi i së përditshmes që drejtoj si ‘gazetë e hashashit’. Arsyeja e parë është se gazeta nuk e mbron hashashin nga pozitat që të rinjtë komunistë të kohës së Profesorit mbronin tezën e ‘fesë si opium për popullin’. Arsyeja e dytë, se gazeta nuk e mbron, në fakt, hashashin. Arsyeja e tretë, se kur mbron dekriminalizimin e hashashit gazeta synon, jo vetëm të çlirojë pjesë të shoqërisë nga hipokrizia, por edhe të mbrojë nga burgosja më të pambrojturit e më të pafajshmit: ata që kapen, procedohen e burgosen për dy cigare marijuanë apo, siç ishte rasti i një të moshuare në Lazarat, për 10 rrënjë. Gazeta MAPO, nga pozitat e filozofisë liberale, ka mbështetur pikërisht këtë dekriminalizim apo ‘legalizim’.
Gazeta ka qenë kundër kësaj hipokrizie të përgjithshme në raport me hashashin, dhe autori i këtyre radhëve ka shkruar disa herë gjatë muajve të fundit, sa kundër hipokrizisë, aq edhe ngathtësisë apo molepsjes së strukturave shtetërore. Si në rastin e një shkrimi të datës 31 gusht, intencioni i të cilit lexohet që në titull: Tahiri merr Tim Judah si dëshmitar të lazaratëzimit të Shqipërisë.
Qarkullimi i ideve të lira nga njerëzit e lirë, nuk është trafik, i dashur Profesor. Idetë mund të jenë reaksionare, borgjeze, liberale, feministe e të tjera dhe, të biem dakord, vlerësimi ndaj tyre ndryshon nga koha në kohë, në varësi të strukturës politike dhe shoqërore. E rëndësishme është të mos i mbrojmë apo sulmojmë ato mbi premisa të gabuara. Premisa jonë nuk është interesi ynë në kultivimin e hashashit. E kundërta, relativizimin e hashashit nëpërmjet lirisë: është rasti i njohur i kurbës së konsumit të alkoolit në Amerikën e para dhe pas Prohibicionit.
Në parafund, as unë si drejtor, as Çili si themelues i gazetës, apo asnjë prej gazetarëve këtu, nuk pretendojnë se funksionojnë në territore të së shenjtës, apo se janë bartës të saj. ‘Shenjtorët’ i shmangim, ngaqë bash te ta mendojmë se kufizohet liria. Ata janë një gjë fort e rrallë, sa as nuk jemi vetë, e as i pikasim ndër bashkëkohësit. Skeptikë jemi sidomos ndaj shenjtorëve-autorë. Atyre nuk do t’u shkruanim parathënie, por obituarë përqeshës.
Në fund, të enjten festojmë 10 vjetorin e MAPO. Jeni i ftuar, i dashur Profesor, sepse jeni edhe ju pjesë e historisë së saj!
Replika e Fugës:
Nje person, Alfred Lela, qe deklarohet te Mapo, qenka merzitur se une i paskam quajtur vendin e punes, atje ku ai fiton ndershmerisht rrogen e tij, si media qe mbron hashashin…
Qe nje gazetar te mos dije te shkruaje dhe te arsyetoje, kjo nuk me habit. Por qe nje gazetar te mos dije as te lexoje, kjo me ben te ve duart ne koke.
Kjo eshte vertet e hashashme…
Une nuk e lexoj kurre ate gazete ku ai dergjet, edhe po te me paguajne nuk pranoj ta lexoj, madje edhe ne burg po te isha, ku nuk do te kisha cfare te beja gjithe diten, nuk do ta perdorja per lexim. Shije personale….Si ta quaj se mbron hahashin… Ku ta di une?
Madje nuk e di se kush e lexon? A i deklaron kopjet e shitura? Sa jane more aman? Kete na trego Lela. A i tregon nga i merr fondet? Kush e paguan ? Sa fonde vijne nga blerjet e lexuesit?
Beji njehere keto thuaji padronit tend Lela, dhe pastaj flasim per opium, hashash, fara luledielli, dhe erza te tjera.
Sa per personin Alfred Lela, duke ja respektuar dinjitetin si cdo qenieje humane, une nuk i jap atij kenaqesine te debatoj me te sepse perfytyroj se ai eshte i detyruar te reagoje ne ate menyre.
Debatin dhe betejen e kam me tjeter njeri, me te tjere njerez, nuk e kam kohen te tepert te merrem me debate te kota.
Do t’i drejtohem edhe atij individi shume shpejt per t’i treguar disa gjera qe ka filluar t’i harroje.
Nuk me terheq dot ti si Skenderbeu turqit ne nje debat qe te me harxhoje kohe dhe mund. Harroje kete sepse shefave te tu une ua kam mesuar dikur si ta bejne kete teknike dhe puna eshte se jane te paafte ta bejne si duhet.
Me kete rast, i them vetem se edhe media, ne disa raste, kur ndertohet keq, eshte opium… Por, ndodh qe puntoret e opiumit, nuk e dine se cfare bejne, ose ja fshehin edhe vetes.
Por, mos e ngaterroje me hashashin, se tregon padije te madhe… Por, se mos eshte vetem kjo qe ngaterron Lela.
Suksese Alfred, dhe falemnderit se me bere te qesh sot. Po te kesh kohe beji te fala edhe Henrit…dhe jo vetem nga une.
Komentet