VOAL

VOAL

SHKUARJA E FSHEHTË E RUGOVËS NË ROMË – SI U FOTOGRAFUA NGA SHIKU (Ilustrime me foto) Nga YLLI POLOVINA, Shqip

May 7, 2015

Komentet

Anketa: 36% e të rinjve duan të emigrojnë, 11% e tyre ikin për 6 muaj

Një sondazh me 680 të rinj të moshës 14 -29 vjeç në Shqipëri gjatë periudhës shkurt- mars 2024, i cili u udhëhoq nga “Friedrich-Ebert-Stiftung” evidentoi se, të rinjtë shqiptarë janë ende të pushtuar nga një “nxitim emigrimi”, duke e konsideruar atë si opsionin e vetëm kur bëhet fjalë për hyrjen tregun global të punës. Emigrimi shihet si një mundësi për të rinjtë.

Rezultatet e anketës treguan se më shumë se 40% e të rinjve që nuk kanë qenë ende jashtë vendit duan të largohen në të ardhmen, veçanërisht gratë e reja.

Më shumë se një e treta e të rinjve (36%) ushqejnë një dëshirë të fortë për të lënë vendin. Midis tyre, 11% do të largohen brenda 6 muajve të ardhshëm.

Faktori kryesor që shtyjnë të rinjtë të largohen janë standardet më të larta të jetesës dhe kushte më të mira për punë.

Më shumë se 28% e atyre që duan të largohen nuk mendojnë të rikthehen sërish në Shqipëri.

Studimi theksoi se arsimi konsiderohet si një nga çështjet më të rëndësishme për rininë shqiptare. Në kushtet e një ekonomie tregu globale ku mbizotërojnë aftësitë e shumëfishta dhe tregu fleksibël i punës po bëhet realitet, arsimi po kthehet në një mjet shumë të vlefshëm.

Ai po merr një rëndësi të madhe, veçanërisht në ditët e sotme, kur të rinjtë po përballen me sfidat e Revolucionit të Katërt Industrial ose të së ashtuquajturës Ekonomia 4.0, e drejtuar nga novacioni i teknologjisë së informacionit dhe ndikimi i paparashikueshëm i Inteligjencës Artificiale në shumë profesione.

Shumica e të rinjve shqiptarë ende vazhdojnë të shohin arsimimin jashtë vendit si mundësinë më të mirë, dhe kjo kërkon hapa të shpejtë për masa konkrete në lidhje me cilësinë e arsimit brenda vendit.

Studimi më vë në dukje se shoqëria shqiptare është polarizuar dukshëm nga pikëpamja e pasurisë për shkak të një periudhe të ashpër tranzicioni, me një kapitalizëm kaotik pa rregulla të qarta dhe pa konkurrencë tregu.

Në këtë mënyrë, statusi social i të rinjve duket se vendoset kryesisht në bazë të fuqisë së parave dhe jo të punës e kontributit të vërtetë vetjak për të mirën e përbashkët.

Të dhënat nxjerrin në pah faktin se të rinjtë përballen me fenomene të dhunës dhe të kriminalitetit, që shpesh ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së tyre dhe në besimin që kanë tek institucionet, veçanërisht ato të drejtësisë.

Pavarësisht se ata besojnë te forca e tyre si një instrument ndryshimi brenda shoqërisë, kjo mbetet më shumë një vetë-ndërgjegjësim sesa një bindje e shfaqur përmes veprimeve./Monitor

SHBA transferojnë 20 miliardë dollarë për kredinë për Ukrainën

VOA Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi të martën se ka transferuar pjesën prej 20 miliardë dollarësh të një kredie prej 50 miliardë dollarësh të G7ës për Ukrainën, tek një fond i ndërmjetëm i Bankës Botërore për ndihmën ekonomike dhe financiare për vendin e shkatërruar nga lufta.

Departamenti i Thesarit tha se disbursimi përmbush zotimin e ndërmarrë në tetor për të dyfishuar angazhimin e Bashkimit Evropian për të ofruar 20 miliardë dollarë ndihmë, të siguruar nga llogaritë e ngrira ruse. Për këtë ndihmë po kontribuohet me kredi më të vogla edhe nga Britania, Kanadaja dhe Japonia.

Lëvrimi përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në janar ka për qëllim mbrojtjen e këtyre fondeve nga një rikthim i mundshëm nga administrata e re. Presidenti i zgjedhur Trump është ankuar se Shtetet e Bashkuara po i japin ndihmë të tepruar Ukrainës dhe ka thënë se do t’i japë fund luftës me shpejtësi, pa specifikuar se si.

Kredia prej 50 miliardë dollarësh për 30 vite, do të mundësohet me të ardhurat e interesit nga rreth 300 miliardë dollarë në llogari ruse, që qëndrojnë të ngrira që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022. Vendet demokratike të G7ës e patën diskutuar këtë plan për muaj të tërë dhe ranë dakord për kushtet në tetor, përpara zgjedhjes së zotit Trump.

Nga takimi në Itali i ministrave të jashtëm të vendeve të G7-ës (26 nëntor 2024)

Nga takimi në Itali i ministrave të jashtëm të vendeve të G7-ës (26 nëntor 2024)

Administrata e Presidentit Joe Biden fillimisht kërkoi të ndajë përgjysmë kredinë prej 20 miliardë dollarësh, me 10 miliardë dollarë për t’u përdorur për ndihmë ushtarake dhe 10 miliardë dollarë për ndihmë ekonomike, por për pjesën ushtarake do të duhej miratimi nga Kongresi, një proces i bërë më i vështirë nga fitorja e gjerë e republikanëve në zgjedhje. Me transfertën e së martës, shuma e plotë do t’i kushtohet qëllimeve jo ushtarake.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se shuma u transferua në një fond të ri të Bankës Botërore, “FORTIS Ukraine FIF”. Bordi drejtues e miratoi krijimin e fondit në tetor, me vetëm një vend që kundërshtoi, Rusia.

Banka Botërore, statuti i së cilës e pengon atë të merret me ndihma ushtarake, pati menaxhuar një fond të ngjashëm të ndërmjetëm humanitar dhe ekonomik për Afganistanin.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, mbikëqyri personalisht punonjësit që realizuan transfertën bankare të 20 miliardë dollarëve në fondin e Bankës Botërore, tha një zyrtar i departamentit.

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen

“Këto fonde – të paguara nga të ardhurat nga llogaritë e ngrira të Rusisë – do t’i japin Ukrainës një impuls jetik mbështetjeje, ndërsa mbrohet nga një luftë e paprovokuar agresioni”, tha sekretarja Yellen në një deklaratë.

“50 miliardë dollarët që jepen kolektivisht nga G7 nëpërmjet kësaj nisme, do të ndihmojnë që Ukraina të ketë burimet që i nevojiten për të mbështetur shërbimet e urgjencës, spitalet dhe themelet e tjera të rezistencës së saj të guximshme”, shtoi ajo.

Fuqizimi i dollarit amerikan, që nga fitorja e zgjedhjeve të 5 nëntorit nga Presidenti i zgjedhur Trump, e ka ulur paksa kredinë e përllogaritur në dollarë. Sipas një pasqyre të kredisë së G7ës, BE-ja do të sigurojë 19.1 miliardë dollarë, Kanadaja 3.52 miliardë dollarë, Britania 2.88 miliardë dollarë dhe Japonia 3.11 miliardë dollarë.

“32 gra të vrara në Shqipëri gjatë 3 viteve të fundit”, Avokati i Popullit publikon raportin

Erinda Ballanca: Të krijohet një fond kombëtar për fëmijët e viktimave të femicidit

 

32 gra janë vrarë në Shqipëri gjatë tre viteve të fundit – sipas raportit të parë për vrasjet e grave dhe vajzave dhe femicidin në Shqipëri për periudhën 2021-2023.

Raporti tregon se 90% e këtyre vrasjeve janë kryer nga një partner intim ose një anëtar i familjes.

Për herë të parë, Observatori Shqiptar i Femicidit, që u krijua këtë vit brenda strukturës së Avokatit të Popullit, ka publikuar një raport të detajuar mbi vrasjet e grave dhe vajzave dhe femicidin, ku rezultoi se 32 gra janë vrarë në Shqipëri gjatë periudhës 2021-2023. Afro 90% e vrasjeve (27) janë kryer nga partneri i tyre intim, ose nga një anëtar i familjes.

Raporti, i realizuar nga Avokati i Popullit me mbështetje nga UN Women, tregon se 24 nga këto raste janë identifikuar si femicide, që në dallim nga vrasjet e zakonshme, përkufizohen si vrasje të grave ose vajzave për shkak të gjinisë. Afërsisht 60% e rasteve të femicidit kanë ndodhur në banesën e viktimës.

Gjatë prezantimit të raportit, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, nënvizoi se “femicidi është kulmi i një vargu dhune dhe diskriminimi që gratë përjetojnë çdo ditë”. “Në Shqipëri, ky fenomen është një problem social që kërkon një reagim të fortë dhe të pandërprerë nga çdo institucion dhe individ. Ne duhet të kuptojmë se femicidi nuk është një çështje vetëm e viktimave. Ai është një problem që ka të bëjë me të gjithë ne. Çdo grua që vdes nga dhuna është një dështim i shoqërisë, i institucioneve dhe i edukatës sonë për barazinë dhe respektin reciprok. Kjo është një çështje që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar nga të gjithë”.

Raporti, i realizuar nga Observatori i Femicidit i ngritur në mars 2024, shërben si një mekanizëm i rëndësishëm monitorimi për parandalimin e femicidit. Përmes tij, synohet të identifikohen boshllëqet në mekanizmat e mbrojtjes për viktimat e dhunës dhe të ofrohen rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse.

Ndër rekomandimet kryesore të këtij raporti mund të veçojmë:

Njohja e femicidit si një vepër penale e veçantë në Kodin Penal të Shqipërisë.

Rritja e koordinimit mes forcave të rendit, shërbimeve sociale dhe sistemit gjyqësor për të siguruar mbrojtje efektive për gratë në rrezik.

Raporti zbulon se 90% e viktimave të femicidit kanë përjetuar dhunë nga autorët e tyre më parë, duke theksuar se shenjat e hershme paralajmëruese kanë tendencën të shfaqen në forma të ndryshme të dhunës dhe abuzimit. Kjo nënvizon nevojën kritike për masa të menjëhershme dhe reagime të forta për të mbrojtur gratë dhe vajzat.

Michele Ribotta, përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri theksoi ndikimin e femicidit si manifestimi më ekstrem i dhunës ndaj grave. “Femicidi nxitet nga diskriminimi gjinor, marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit dhe normat shoqërore të dëmshme. Ai është manifestimi më ekstrem dhe brutal i dhunës ndaj grave, i cili shfaqet në vazhdimësi të formave të shumta dhe të ndërlidhura të dhunës. Por dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është e pashmangshme – ajo është e parandalueshme! Observatori i Femicidit përfaqëson një mekanizëm shtesë në morinë e instrumenteve që duhet të përdorim për të eliminuar dhunën me bazë gjinore nga shtëpitë tona, shkollat, vendet e punës dhe hapësirat virtuale.”

Në vitin 2023, shkalla e femicidit në Shqipëri ishte 0.84 për 100,000 gra, më e lartë se në vitin 2022. Ndërsa kjo shkallë është më e ulët se në vendet fqinje si Mali i Zi dhe Greqia, ajo e tejkalon atë të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë. Raporti thekson rëndësinë e mbledhjes së të dhënave të qëndrueshme dhe transparente, duke përdorur kornizën statistikore të OKB-së për matjen e femicidit.

Femicidi është një krizë globale që prek gratë dhe vajzat në çdo vend. Sipas raportit të fundit botëror për femicidin, publikuar nga UN Women dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), në vitin 2023 rreth 51,100 gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre intimë ose anëtarët e tjerë të familjes (duke përfshirë baballarë, nëna, xhaxhallarë dhe vëllezër). Kjo do të thotë që, mesatarisht, 140 gra ose vajza vriten çdo ditë nga dikush brenda familjes së tyre. bw

UGSHPD: ZIGZAG-et ME NDËRKOMBËTARË TË RILINDJES SOCIALISTE

 
 
Nuk janë asnjëherë të rastit mesazhet publike dhe përdorimi i propagandës nga ana e protagonistëve të elitës së Rilindjes Socialiste kur ato shmangien nga zhvillimet e brendshme të vendit e lidhin me ngjarjet ndërkombëtare. Ishin interesante si heshtjet aq dhe daljet e kombinuara të treshes Rama, Veliaj dhe Balla. Ata bënë lajme ose e thënë më mirë iu bashkuan ngjarjeve të mëdha në të cilat nuk kanë asnjë kontribut veç faktit se janë pushtetarë dhe si zyrtarë të lartë në politikën brenda llojit dhe për vendin ata janë pjesa e elitës që qeveris prej 11-12 vitesh. Rastet mund t’i përmendim edhe me shënimin përkatës për këtë treshe pasi ata janë të rëndësishëm në angazhimin politik dhe ekzekutiv me shumë ndikim në zhvillimet e brendshme. Por ndikimi jashtë vlerave të aktivizmit politik përbën problem tek ata se deri në çfarë mase korrupsioni i mban ata dhe Rilindjen Socialiste në pushtet. Tek njerëzit e zakonshëm përsëritjet e pandërprera të mesazheve nga të njëjtat figura paraqesin propagandën në maksimum, ndërsa ngushtimi i kësaj mënyre të të bërit propagandë vëren se dështimet përcillen me ndryshime postesh apo funksionesh. Rasti më i freskët ishte data 5 Dhjetor kur Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shënoi largimin e “papritur” ose të sajuar të mazhorancës.
Kuvendi u bojkotua për të parën herë nga mazhoranca në këta 11-12 vite të monotonisë monopartiake. Heshtja politike mbuloi mbuloi Partinë Socialiste, por edhe disa zigzage u bënë sepse ishin të nevojshme për të treguar Rilindja Socialiste vazhdon të ketë protagonizëm në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar përsa kohë drejtësia troket në dyert e tyre dhe se opozita me veprimet e saj është më e vendosur dhe më e organizuar.
Kryeministri Rama, Veliaj një nga drejtuesit politikë të qarkut të Tiranës Veliaj dhe koordinuesi për diasporën Balla nuk munguan gjatë fundjavës me mesazhet e tyre.
Kryebashkiaku që nuk i shmang dot vizitat e rëndësishme të punës qofshin këto binjakëzime apo motërzime me kryeqytetet e botës zhvilloi një vizitë në Hamburg ndërkohë që hetues të GJKKO-së kërkuan informacione në banesën e tij dhe në një veprimtari biznesi të bashkëshortes, sikurse edhe të afërmve të familjes. Veliaj nuk mungoi që edhe nga larg të dilte me mesazhe ndërgjegjësuese dhe kujdesi paprekshmërie aq sa në një moment vendndodhja në qytetin e njohur gjerman Hamburg*, dukej si një pasojë dhe reflektim i shpejtë nga gjuha shqipe për shumësin e gjendjes pas hekurave “…të Hamë Burgun”. Ose u çua më tej me një gjest force në një ceremoni me kampionët e boksit në Bashkinë e Tiranës. Ngjajnë me lojë fjalësh ose me sinjale ngacmimesh, por mesazhi i dytë i thekur për përgjegjësitë kishte ardhur nga Taulant Balla si koordinuesi për diasporën në zgjedhjet 2025. Ai megjithëse rrethin e Librazhdit që dikur e bëri përfaqësues në Kuvend, vallen e bukur të zonës nuk mundi ta promovonte në gjithë këto vite sepse me tallavanë e Ramës karriera e bëri atë të kërcente nga një karrige e post në tjetrin. Aq sa sot nga vizitat parapërgatitore për shefin në diasporë ai ka dhe fondin e madh të arkivës propagandistike sa herë që ja lyp nevoja. “K’cimi i Tropojës” menjëherë u publikua prej tij në Facebook.
Pra kur asgjë duket se nuk lëviz dot në Shqipëri prej peshës së korrupsionit dhe krimi me këtë sy propaganda përmes ATSH dhe ekranet e servirin veprimtarinë e fundjavës së Ramës. Në Paris  ishin mbledhur krerët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e partive dhe publiku sipas një protokolli për të hapur Katedralen Notre-Dame. Në këtë ngjarje të dokumentuar të gjithë pjesëmarrësit ndërkombëtarë bashkë kishin mundësinë e një reflektimi për peshën e historisë shekullore të njerëzimit dhe ata aktualizuan me takimet dhe qëndrimet e tyre problemet dhe situatën rajonale dhe ndërkombëtare që shpesh përcillet mes krerëve të shteteve me shtrëngime duarsh e biseda të shkurtra të fiksuara në video dhe fotografi. Kjo për Ramën nuk ngjau pasi patronazhimi i lajmit do të kishte bërë disa herë xhiron e botës.
Si ka mundësi që Rama humbi shansin e vëmendjes? 
Skenat dhe prapaskenat  si dhe afrimi ndaj tij tani janë shumë të kujdesshme deri izoluese, prandaj mesazhi propagandistik përcillet me togfjalëshin “kontributi modest i Shqipërisë”.
Megjithatë dita e Diel pavarësisht luftës për pushtet brenda llojit ose ndërmjet kampeve politike kishte se çfarë të kujtonte për historinë e Shqipërisë dhe vlerat që barti Lëvizja e Rinisë më 8 Dhjetor, 1990.  
Një energji që edhe nga diaspora do t’i nevojitet Shqipërisë së shpopulluar që të veprojë për ta vendosur në rrugën e duhur të zhvillimeve demokratike Atdheun.
Ngjarje të cilave qeverisja dhe elita e Rilindjes Socialiste i shpëton duke heshtur ose duke bërë zigzage me ndërkombëtarë që ushqejnë propagandën.
_____________
*Hamburg-qytet në Gjermani
Burg-Fortesa, kështjella. Në shqip shkurtër për Institucionin ku dikush vuan dënimin me heqjen e lirisë që i ka dhënë gjykata.
 
6 Dhjetor, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Të dhënat e Censit, dhjetëra njësi administrative në Shqipëri nuk kanë fëmijë, si po shuhet Jugu

Në njësinë administrative Frashër të Përmetit kur u zhvillua censi 2023 në çdo 100 banorë kishte më pak se dy fëmijë. Në Voskopojë gjithashtu në çdo 100 banorë kishte vetëm 2 fëmijë.

Të dhënat e detajuara të Cens 2023 lajmërojnë se zonat rurale, kryesisht në Jug të vendit do të shuhen në një të ardhme jo të largët, për shkak të mungesës së fëmijëve.

Në njësitë administrative Frashër, Voskopojë, Pogon, Aliko, Zagori, Mesopotan, Ngraçan, Dhiver, Qendër Leskovik, Odrie, Finiq, Livadhja, Çepan, Dropull i poshtëm, fëmijët nën 14 vjeç ishin më pak se 5% të popullsisë së përgjithshme.

Në 14 njësi administrative (nga 377 njësi administrative, ku janë të përfshira edhe bashkitë) numri i fëmijëve 0-14 vjeç zuri më pak se 5 për qind të popullsisë totale (shiko grafikun e mëposhtëm.

Në 32 njësi administrative të tjera shihet se, fëmijët 0-14 vjeç zunë 5-10 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Një 177 njësi administrative fëmijët zinin nga 10-15 % të popullsisë totale.

Në 33 njësi fëmijët 0-14 vjeç zinin 15 deri në 20% të popullsisë totale dhe në vetëm në 24 njësi administrative fëmijët zinin mbi 20-27 për qind të popullsisë totale.

Ish-Komuna e Tërthores në Kukës renditet si njësia administrative më numrin më të lartë të fëmijëve në raport me popullsinë totale. Të dhënat e Cens 2023 treguan se në këtë njësi administrative 27 për qind e banorëve ishin në 14 vjeç.
E dyta renditet njësia Administrative e Gjinajt po në Kukës në të cilën 26.1% e banorëve ishin fëmijë, e ndjekur nga ish Komuna Kolsh po në Kukës ku 25 % e banorëve ishin fëmijë.

Njësitë e Administrative të Kukësit kryesojnë për raportet ende të larta të fëmijëve në raport me popullsinë në krahasim me qarqet e tjera të vendit. Njësitë administrative, Zapod, Surroj, Fajzë, Shtiqen, Arrën, Grykë Qajë, Ujmisht, Golaj, Krumë, Bicaj, Kalis janë të gjitha pjesë e bashkisë Kukës dhe kanë numrin më të lartë të fëmijëve në raport me popullsinë me mbi 21 %, duke u renditur në krye të njësive administrative për popullsinë e re në moshë. Edhe këto njësi lindjet kanë rënë ndjeshëm gjatë tranzicionit, por sërish normat e lindshmërisë janë më të lartat në vend. Po nga ana tjetër këto njësi kanë edhe nivelin më të lartë të varfërisë në vend.

Të dhënat e Cens 2023 për përbërjen demografike lajmërojnë se si duhet alokohen fondet publike sidomos në arsim. Ndërsa në njësitë administrative të jugut duhet bërë gati më shpejt infrastruktura për moshat e vjetra.

Teksa pjesa dërrmuese e banorëve në vend po shkon drejt plakjes, as pushteti vendor dhe as ai qendror nuk është duke përshtatur politikat sociale në raport me zhvillimet demografike. Në Veri po rritet braktisja e shkollës, për shkak të mbylljes dhe përqendrimit të shkollave, ndërsa në Jug mijëra të moshuar që vuajnë nga disa sëmundje kronike nuk marrin kujdes social.

Si po plaket popullsia
Në censin e vitit 2011 grup-mosha 0-14 vjeç zinte 20.6 për qind të totalit të popullsisë, ndërsa në censin e vitit të kaluar 15.5%.
Në vitin 2011 u numëruan 578,5 mijë të rinj nën 14 vjeç, ndërsa më 2023 vetëm 373,9 mijë më rënie 35%.

Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0 për qind nga 30,4 për qind vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4 për qind nga 16,7 për qind në 2011.

Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë 31,8 për qind dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve 19,9 për qind.

Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët 19,0 për qind dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1 për qind. Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011. /Monitor/

“Aleanca euroatlantike”, Osmani publikon foton me presidentin Trump dhe Macronin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Paris, ku mori pjesë në ceremoninë e veçantë të rihapjes së Katedrales së famshme ‘Notre Dame’.

Gjatë kësaj ceremonie, Osmani ka pasur rastin të takohet me presidentin e SHBA-ve, Dondald Trump, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Osmani ka publikuar një fotografi përkrahë dy homologëve të saj, ku ka shkruar “Aleanca euroatlantike”.

Kjo fotografi simbolizon mbështetjen e fuqishme për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Francën.

Kosova, e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, vazhdon të punojë drejt integrimit të plotë në organizata ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet me vendet perëndimore. bw

Ceremonia për hapjen e Notre Dame, Vjosa Osmani takon Presidentin Trump në Paris

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ceremoninë e veçantë të rihapjes së Katedrales së famshme ‘Notre Dame’ në Paris, Francë.

Gjatë kësaj ngjarjeje, ajo ka pasur rastin të takohet dhe të shkëmbejë disa fjalë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump.

“Me Presidentin Trump, në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Parisit ‘Notre Dame’”, ka shkruar Presidentja Osmani në rrjetet sociale, duke ndarë një fotografi ku shfaqet duke shtrënguar duart me presidentin e sapozgjedhur amerikan.

Ceremonia shënon një moment historik për katedralen që u dëmtua rëndë nga zjarri i vitit 2019 dhe tani hap dyert për publikun pas një restaurimi të gjatë dhe të detajuar.

Ngjarja mblodhi personalitete të shquara nga e gjithë bota për të nderuar historinë dhe simbolikën e kësaj katedraleje ikonike.

Presidentja Osmani vazhdon të përfaqësojë Kosovën në skenën ndërkombëtare, duke promovuar vlerat e vendit dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi me liderë globalë.bw

Notre Dame rikthehet në jetë mes madhështisë, simbolizmit, historisë dhe një ndjesie shprese

VOA/Marrë nga Associated Press

Erërat që lëngonin mes të ftohtit të dimrit nuk mund ta pengonin kthimin në jetë të Katedrales Notre Dame. Me tre trokitje tingëlluese duke përdorur një spektër të veçantë të krijuar nga pjesë të trarëve të Katedrales që u shkrumbuan nga zjarri, Arqipeshkvi i Parisit Laurent Ulrich shënoi rihapjen e saj të shtunën në mbrëmje.

Për herë të parë që kur flakët pothuajse e shkatërruan atë në vitin 2019, kryevepra madhështore e stilit gotik hapi dyert për besimtarët. Rilindja e saj u shoqërua me muzikë, lutje dhe admirim nën harqet e saj imponuese.

Ceremonia, e planifikuar që të fillonte përjashta, u zhvendos tërësisht brenda për shkak të erërave jashtëzakonisht të forta të dhjetorit në brigjet e lumit Sena. Megjithatë, ceremonia nuk humbi asgjë nga shkëlqimi i saj. Brenda Katedrales së mrekullueshme, koret kënduan psalme dhe organoja e saj e heshtur për gati pesë vjet, mbushi sallën me një ndërthurje melodish të ndryshme.

Restaurimi, një arritje spektakolare në vetëm pesë vjet për një strukturë së cilës iu deshën gati dy shekuj për t’u ndërtuar, shihet si një moment triumfi për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili këmbënguli për afatin ambicioz kohor – dhe një lehtësim nga problemet politike të brendshme me të cilat ai përballet.

Ceremonia e mbrëmjes, ku morën pjesë 1,500 personalitete, përfshirë Presidentin e zgjedhur Donald Trump, Princin e Britanisë William dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ishte një kujtesë e rolit historik të Katedrales Notre Dame si një fener shpirtëror dhe kulturor.

Analistët e shohin ceremoninë si një arritje të Presidentit Macron dhe si një synim të tij për ta kthyer atë në një arenë të gjerë diplomatike, por edhe si një mundësi për të shpalosur aftësinë e Francës për të shfaqur unitet në një skenë globale, pavarësisht krizave të brendshme politike.

Problemet politike të Presidentit Macron

Duke folur brenda Katedrales, Presidenti Macron shprehu “mirënjohjen” të shtunën për ata që e shpëtuan, kontribuuan për ringritjen e saj dhe e rindërtuan Notre Dame, me zërin që i kumbonte nën kupolë.

“Unë qëndroj para jush … për t’ju shprehur mirënjohjen e kombit francez,” tha ai, përpara se tingujt e korit të mbushnin ajrin me harmoni të cilat kishin munguar për pesë vjet.

“Sot, kambanat e Notre Dame po bien sërish. Dhe pas pak organoja do të zgjohet, duke përcjellë muzikën e shpresës nga Katedralja e shndritshme tek parizienët, Franca dhe bota më gjerë”, tha ai.

Festimet pritet t’i japin një ngritje të nevojshme staturës së udhëheqësit francez, kryeministri i të cilit u shkarkua këtë javë, duke e zhytur politikën e vendit në më shumë pasiguri.

Presidenti Macron e ka quajtur rihapjen e Notre Dame “një vërshim shprese”. Vëzhguesit thonë se ai shpresonte që ky rast t’i shuante përkohësisht zërat e kritikëve të tij dhe të tregonte unitetin dhe qëndrueshmërinë e Francës nën udhëheqjen e tij – një moment i rrallë pozitiv për një presidencë që po përballet me një krizë të rëndë.

Një restaurim i jashtëzakonshëm

Brenda, 42,000 metra katrorë punime guri – një sipërfaqe e barabartë me gjashtë fusha futbolli – ishin pastruar dhe lëmuar në perfeksion, duke bërë të feksnin gurët gëlqerorë dhe gdhendjet e përpunuara. Nën kupolë, 2,000 trarë prej lisi të mbiquajtur “pylli”, u përdorën për të rindërtuar kulmin dhe çatinë, duke rikthyer siluetën ikonike të katedrales.

Organoja madhështore kumbuese me 7,952 gypa me gjerësi të ndryshme, po lëshon tinguj për herë të parë që nga zjarri. Restaurimi i instrumentit historik muzikor me pesë tastiera dhe 30 pedale, është një mrekulli më vete, duke risjellë në jetë një gur themeli të identitetit të Notre Dame.

Të ftuarit që hynë grupe-grupe në katedrale për ceremonitë e rihapjes në mbrëmje, u mahnitën nga ambientet e brendshme të rinovuara dhe shumë prej tyre bënin fotografi për të kapur momentin. “Është një ndjesi perfeksioni,” tha François Le Page i Fondacionit Notre Dame, i cili mblodhi gati gjysmën e 900 milionë eurove të donacioneve për restaurimin.

Ai e kishte vizituar atë për herë të fundit në vitin 2021, kur katedralja ishte e mbuluar me skela. “Ishte një pamje e zymtë,” tha ai. “Si nata me ditën.”

Në harmoni me shkëlqimin e ceremonisë, Kryepeshkopi Ulrich dhe klerikët e tjerë kishin veshur veladonë të krijuar nga stilisti i njohur francez Jean-Charles de Castelbajac. I njohur për estetikën e tij që merr frymëzim nga bota e artit pop, Castelbajac krijoi 2000 veshje shumëngjyrëshe për 700 pjesëmarrës, duke kombinuar elemente moderne me motive mesjetare.

Rihapja e Katedrales Notre Dame vjen në një kohë trazirash madhore globale, me luftëra në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Për katolikët, tha rektori i Notre Dame Olivier Ribadeau Dumas, Katedralja “mbart praninë e ngrohtë të Virgjëreshës Mari, një prani që jep ndjesinë e mëmësisë dhe mbrojtjes”.

“Është një simbol i mrekullueshëm i unitetit,” tha. “Notre Dame nuk është vetëm një monument francez – është mishërimi i shpresës”.

Gama ndërkombëtare e personaliteteve të pranishëm në Paris nënvizon rëndësinë e katedrales si një simbol i trashëgimisë dhe paqes së përbashkët.

Pesha e detajeve historike

Të ftuarit hynë përmes fasadës perëndimore me një vlerë ikonike të Notre Dame, portalet e harkuara të së cilës të stolisur me gdhendje biblike, dikur ishin një udhërrëfyes vizual për besimtarët mesjetarë.

Mbi Portalin qendror të Gjykimit të Fundit, kryeengjëlli Michel shfaqet duke peshuar shpirtrat, ndërsa demonët përpiqen të anojnë peshoren. Këto figurina të gdhendura në gur, që duket sikur janë krijuar për të ngjallur si mrekullim ashtu edhe frikë, sikur ngrinin siparin për një ceremoni të frymëzuar nga historia.

Brenda, gumëzhima e zërave të të qindra të ftuarve që prisnin shërbesën mbushi katedralen me tinguj njerëzorë për herë të parë pas një kohe të gjatë – një kontrast i fortë me zhurmën e ndërtimit që jehoi atje për vite me radhë.

Notre Dame u mbush me jehonën e ovacioneve pas shfaqjes së një filmi të shkurtër që dokumentonte përpjekjet gjigante të rindërtimit. Jashtë, fjala “MERCI” – faleminderit – ishte projektuar në fasadën ikonike perëndimore të katedrales.

Masa të rrepta sigurie

Masat e sigurisë gjatë fundjavës do të jenë të rrepta, duke u bërë jehonë masave të marra gjatë Lojrave Olimpike të Parisit në fillim të këtij viti. Île de la Cité – ishulli i vogël në lumin Senë ku ndodhet Notre Dame dhe zemra historike e Parisit – është i mbyllur për turistët dhe ata që nuk janë banorë.

Furgonët dhe barrierat e policisë bllokojnë rrugët me kalldrëm në një perimetër të gjerë rreth ishullit, ndërsa ushtarët me patrullonin zonën përreth. Një grup i veçantë sigurie mbron zotin Trump. 40,000 spektatorë të vendosur në zonat të veçanta të krijuara për publikun përgjatë bregut jugor të Senës, ndjekin festimet në ekrane të mëdha.

Për shumë njerëz, rilindja e Notre Dame nuk është vetëm një sukses francez, por një arritje globale: Pas rihapjes, katedralja do të mirëpresë 15 milionë vizitorë në vit, nga 12 milionë para zjarrit.

UGSHPD: KUVENDI- MAZHORANCA “OFENDOHET”, BRAKTIS SEANCËN

 

Seanca Plenare e 5 Dhjetorit do të mbahet mend për mënyrën se si shpërthimet e debatit mes politikanëve nxjerrin nga mos përmbajtja etike edhe thelbin mbi shqetësimet reale që ziejnë aty brenda si dhe ato çka ata/ato përjetojnë të kushtëzuar ose urdhëruar për të mos qenë vetvetja në politikë. Një titull klasik propagande dhe keqinformimi nga ATSH-ja, Agjencia Telegrafike Shqiptare, shtypi zyrtar i qeverisë gjen justifikimin kur shpreh se: –Seanca plenare e kuvendit u ndërpre, pasi deputetët e Partisë Socialiste braktisën sallën e Kuvendit, pas ofendimit që deputetja Ina Zhupa bëri ndaj deputetit socialist Erion Braçe”.  Ndërsa shkarja tek më e fundit kthimi në qesharake është koha e humbur në kuvend, koha që i merret publikut në ekran, radio apo qoftë edhe shumëfishuar në pajisjet celulare për këdo që e zotëron sado pak teknologjinë dhe më kryesorja mos zgjidhja se përse deputetët janë mbledhur. Pra nga një seancë serioze për mbajtjen e dy interpelancave dhe diskutimin e një projektligji ende të pashkruar protagonistët kryesor si Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit me shpërfillje gjinden disa kilometra larg Kuvendit të Shqipërisë të angazhuar në një tjetër veprimtari. 

Peshën, rëndësinë dhe seriozitetin e kanë jo vetëm kërkesat se si bëhet interpelanca për t’u ballafaquar, diskutuar dhe duke dhënë zgjidhje, pikërisht ajo sallë tërheq vlerat e gjithshkaje që nuk duhet bërë. 

I pari është kryeministri Rama që nuk merr pjesë edhe përse ligji e kërkon, të tjerat më pas vazhdojnë pa hequr dorë nga parimet ideologjike me të cilat janë formuar dhe fatkeqësisht po çimentohen në mendësinë e një politike pa nevojën e debatit të kundërshtarit.

Megjithëse thumbat dhe arroganca kanë zëvendësuar prej kohësh fjalën dhe aktet ligjore të cilat janë kuptimi i të mbledhurit të përfaqësuesve të popullit në Kuvend, veprimet kthehen në qesharake ku në pak momente vizatimi artistik shpreh një këndvështrim të harruar të përmbajtjes.

Autori i skicës LD-NY24, karakteristikat e vjetruara të propagandës së mediave të huaja për kryeministrin artist, e ka mbërthyer me numrin e preferuar ’12’ pikërisht në parashikimin apo mbylljen e karrierës me mandatin e tretë. Pas Ramës që i mungon parlamentit sepse ai merret intensivisht me formimin e “fidanishtes” së Rilindjes Socialiste në pushtet ideologjia ka bërë për vete deputetë dhe ministra që flasin atë që ju është përpunuar si mekanizëm në mendim për të qeverisur gjatë një sistemi 12 vjeçar të zbuluar nga korrupsioni.

Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë i bie aq shkurt dhe drejt debatit politik sa del tek thelbi i dikurshëm i vetvetes që për të siguruar votat në Qarkun e Dibrës, numrat e shquajnë atë për konsekuencën politike ndaj liderit artist-sportist:-“Ky parlament doni apo nuk doni ju brenda këtij sesioni do ta miratojë ligjin për anulimin e gjobave të pa ekzekutuara. Neve (mazhoranca), i kemi numrat”.
Ndërsa Erion Braçe i promovuar dhe sprovuar si zv/kryeministër dikur i njohur për disa projektligje mes të cilave edhe 13 muaj më parë për kujdesin e trajtimit të ciklit menstrual si sëmundje dhe veç ditëve të paguara të punës  dha edhe sugjerimin për përjashtimin nga tatimet produktet higjeno-sanitare (deri këtë nuk ka asgjë të keqe). Por nuk dihet se sa thellë e vrasin mendjen për t’u bërë tërheqës për publikun kjo kategori deputetësh që veç gjuhës ofenduese ndaj kolegëve/eve në Kuvend ata/ato pranojnë role të papërshtatshme. Fati nuk i dihet propozimit të atëhershëm të Braçes, por etiketimi “projekti për tamponin” do t’i shërbente atij të hidhej në krye të një bllokimi tjetër siç ishte komisioni i posaçëm parlamentar i Dezinformimit, me misionin e ndalimin e informacioneve gënjeshtra prej kanaleve mediatike. Ose thënë ndryshe censura për fjalën e lirë në prag të një viti zgjedhor ose një mbikëqyrje e rreptë e politikës mbi mediat që çdo çast mban në duar butonin e stresit dhe panikut të kryeministrit dhe njëherësh kryetarit të Rilindjes Socialiste.
 
Sa për vetë Ramën sportistin-artiststin e stolit dhe të promovuesit të pikturës vetjake në zyrën e kryeministrisë gjërat rreth tij kanë ndryshuar duke u përkeqësuar në mënyrë dramatike. Ndërsa ndjekësit e tij sot janë përfshirë në Akademinë Politike të PS si një brez që politikën e sheh si mjet pushteti dhe pasurimi, pjesa më e madhe e rinisë ka emigruar aq sa që Ramës i duhen turet e diasporës për ta rigjetur popullaritetin. Kjo sepse vendit, mosha e re që dëshiron shkollë, punë dhe jetë më të mirë në Shqipëri është zhgënjyer dhe ka humbur çdo besim tek qeverisja e gjatë autokratike. Mashtrimi dhe Propaganda kanë krijuar një valë të re goditëse dhe të pashmangshme të korrupsionit fakt përballë të cilit sot gjendet drejtësia.
 
6 Dhjetor, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Konventa e Bernës- Keqardhje e fortë për vijimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës

Konventa e Bernës
VOA Raimond Kola

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës në dokumentin për Shqipërinë pas takimit të 44, të mbajtur në Strasburg nga data 2 deri në 6 dhjetor shpreh “keqardhje të fortë” për vijimin e punimeve në aeroportin e Vlorës dhe “shqetësim të thellë” lidhur me ndryshimet e fundit në Ligjin e Zonave të Mbrojtura nga qeveria shqiptare.

Dokumenti për Shqipërinë erdhi pas shqyrtimit nga Komiteti më 4 dhjetor të dy raporteve, atij të qeverisë shqiptare dhe raportit të dy organizatave mjedisore shqiptare (EcoAlbania dhe PPNEA) në rolin e ankuesit, lidhur me ndikimet në Lumin Vjosë dhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Komiteti i Konventës së Bernës shpreh “keqardhjen e fortë që ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës vazhdoi pavarësisht nga dispozitat e qarta të Rekomandimit Nr. 219 (të vitit 2023) dhe thirrjet e përsëritura nga Komiteti i Bernës për të pezulluar ndërtimin e aeroportit deri sa të kryhen Vlerësimet e duhura të Ndikimit në Mjedis (VNM).”

Komiteti i Bernës gjithashtu shpreh “shqetësim të thellë se ligji i ri për Zonat e Mbrojtura mund të bie ndesh me parimet dhe detyrimet e parashikuara në Konventën e Bernës, duke lehtësuar potencialisht shkeljet e dispozitave të saj”. Komiteti kërkoi “rishqyrtim për të siguruar përputhjen me Konventën”.

Komitetit i Konventës së Bernës shpreh më tej në dokumentin për Shqipërinë “keqardhje për vendimin e qeverisë shqiptare për autorizimin e aktiviteteve shtesë në peizazhet e mbrojtura dhe heqjen e zonave, pasi kjo do të përbëjë kërcënime të rëndësishme për mbrojtjen e biodiversitetit”.

Ndërkohë Komiteti i Konventës së Bernës përshëndeti qeverinë shqiptare “për pezullimin e punës në projektin e furnizimit me ujë në bashkinë e Himarës, duke ndjekur udhëzimet e ofruara nga eksperti i organizatës botërrore për ruajtjene natyrës (IUCN), dhe për të përfshirë komunitetet lokale në diskutime dhe procese vendimmarrëse”.

Komiteti i Konventës së Bernës i inkurajon autoritetet “që të angazhohen në mënyrë aktive me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara për të çuar përpara zbatimin e Rekomandimit të vit të shakur për pezullimin e punimeve për aeroportin e Vlorës”.

Komiteti riafirmon angazhimin e Konventës së Bernës “për të ofruar mbështetje dhe ekspertizë të vazhdueshme për të gjitha palët dhe inkrujon autoritetet shqipatre të angazhohen dhe të përfshijnë shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara në monitorimin e jetës së egër të zones”.

Konventa e Bernës njofton mbajtjen e çështjes së hapur dhe për shkak të urgjencës së çështjes, u kërkoi të dy palëve të sigurojnë përditësimin lidhur me rekomandimet e viti të shkuar si bazë për raportimin e tyre në mbledhjen e Komitetit që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Organizatat mjedisore shqiptare kishin kërkuar gjatë sesionit të mbajtur në Strasburg që “Konventa e Bernës, ta mbajë çështjen të hapur dhe palët të raportojnë dhe përditësojnë mbi çështjet për sa kohë rekomandimet e vitit të shkuar nuk janë përmbushur sipas tyre nga qeveria shqiptare”.

Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare kanë pohuar në raportin e paraqitur Komitetit të Konventës se “ndërtimi i Aeroportit të Vlorës është planifikuar me përpikëri për të minimizuar shkatërrimin e habitatit dhe vlerësimet e detajuara të Ndikimit në Mjedis (VNM) janë kryer përpara fillimit të projekti, duke identifikuar habitatet kritike dhe duke propozuar masa për të zbutur efektet negative.”

Konventa e Bernës, e njohur zyrtarisht si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër Evropiane dhe Habitateve Natyrore, është një traktat ndërkombëtar detyrues për ruajtjen e natyrës. Shqipëria e nënshkroi konventën në vitin 1995, dhe ajo hyri në fuqi në maj 1999.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, “Yda Group”, e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.

Shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions”, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 100 milion dollarë. Gjatësia e pistës pritet tëshkojë deri në 3.2 kilometra dhe terminali i pasagjerëve do të ketë sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë.

Pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në zonën ku po ndërtohet aeroporti dhe deklaroi se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sidomos për rajonin e jugut dhe infrastruktura është duke u zhvilluar me ritme të shpejta.

“Tani duhet punë natë e ditë që të arrijmë që sezoni i ardhshëm veror të përfshihet në aktivitetin e aeroportit dhe në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe pastaj me siguri shumë gjëra të tjera pozitive do të vijnë nga prania e aeroportit”, tha Rama.

Sipas autoriteteve shqiptare në prill të vit të ardhshëm mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikqyrjen e operatorit të aeroportit i cili është Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut.

Sipas vlerësimit të organizatave mjedisore Zona e Mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpi e llojeve të rralla të kafshëve dhe bimëve.

Zona është habitat për më shumë se 220 lloje shpendësh përgjatë vitit dhe ka një rëndësi të lartë edhe përtej rajonit për sa i përket korridorit të shtegtimit të Adriatikut.

Organizatat mjedisore shqiptare “PPNEA” dhe “AOS”, të mbështetura edhe nga organizata europaine “EuroNatur” kanë bërë nëntorin e vitit 2022 një padi ndaj disa institucioneve vendimmarrese shqiptare në Gjykatën Administrative kundër parregullsive dhe shkeljeve ligjore që ato pretendojnë në projektin e qeverisë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe procesi gjyësor është në shqyrtim e sipër.

Sipas organizatave ndërtimi i aeroportit ka ngritur shqetësime për shkatërrimin e habitatit, rënien e popullatave të shpendëve dhe masat e pamjaftueshme të mbrojtjes.

Shtëpia e Bardhë- Kërcënimi i Moskës ‘detyron’ Biden të dislokojë 80 mijë ushtarë amerikanë në Evropë, ‘alert’ edhe për Kosovën

Përafërsisht 80,000 ushtarë amerikanë janë të dislokuar në territoret e shteteve anëtare evropiane të NATO-s, një prani kjo që synon gjithashtu të dekurajojë agresionin ushtarak rus.

Kështu është shprehur në një letër dërguar presidentit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden

“Përafërsisht 80,000 anëtarë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara janë caktuar ose dislokuar në vendet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Evropë, duke përfshirë ata të vendosur për të siguruar aleatët tanë dhe për të penguar agresionin e mëtejshëm rus”, thuhet në letrën e publikuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë.

Biden ka siguruar Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatit gjithashtu, për kontributin e SHBA-ve, në Koosvë, përmes KFOR, për të penguar, sipas tij, ‘armiqësitë e ripërtërira në Kosovë’. ‘Përafërsisht 403 personel ushtarak të Shteteve të Bashkuara janë në mesin e rreth 4,500 personelit të KFOR-it’.

Raporti i presidenti në largim, Jo Biden, vjen  si pjesë e përpjekjeve të tij  për të mbajtur Kongresin të informuar rreth dislokimeve të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të pajisura për luftë. sn

Anketimi: shumica e amerikanëve dëshirojnë rolin drejtues të Shteteve të Bashkuara në skenën globale

Ushtarakët amerikanë duke hipur në një avion transportues C-17 Globemaster III në bazën Elmendorf-Richardson, Alaska (13 shtator 2024)

 

VOA Carla Babb

Shumica e amerikanëve dëshirojnë që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin në skenën globale me një ushtri të fortë. Një shumicë dërrmuese e tyre dëshirojnë që të rriten shpenzimet për mbrojtjen kombëtare, sipas Anketës më të fundit “Reagan” për Mbrojtjen Kombëtare.

Pavarësisht se amerikanët zgjodhën një president i cili kandidoi me një axhendë “Amerika e Para”, që fokusohej në çështjet e brendshme, duke filluar nga ekonomia amerikane dhe deri tek sigurimi i kufirit jugor të vendit, 57% e të anketuarve thanë këtë vit se dëshironin t’i shihnin Shtetet e Bashkuara më të angazhuara dhe me rol më të madh drejtues për zhvillimet ndërkombëtare, krahasuar me vetëm 42% një vit më parë.

Gati 80% e amerikanëve të anketuar mbështesin rritjen e shpenzimeve qeveritare për ushtrinë amerikane, një rritje e lehtë nga viti i kaluar. Rritja e shpenzimeve ushtarake u rendit mbi disa nga prioritetet e tjera të politikës së jashtme amerikane, si promovimi i lirisë jashtë vendit (61%) dhe dhënia e ndihmave për vendet e tjera (43%).

“Anketat e Mbrojtjes Kombëtare ‘Regan’ tregojnë edhe një herë se amerikanët nuk janë pacifistë dhe ne nuk jemi izolacionistë. Ne duam një qeveri federale që u shërben interesave amerikane dhe mbron vendin tonë”, i tha Zërit të Amerikës të premten Bradley Bowman, anëtar i bordit këshillimor për anketimin dhe drejtues në Qendrën për Fuqinë Ushtarake dhe Politike, në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Instituti Ronald Reagan ka bërë anketime të opinionit publik amerikan mbi sigurinë kombëtare gjatë gjashtë viteve të fundit dhe anketimi i fundit, i publikuar të enjten, përfshiu një masë dypartiake prej rreth 2,500 amerikanësh, të cilët u anketuan dy ditë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Shumica e të anketuarve thanë se mbështesin vazhdimësinë e mbështetjes amerikane të sigurisë për Ukrainën dhe lejimin e Ukrainës që të përdorë armatimet amerikane për të goditur brenda Rusisë. Gati 60% e të anketuarve besojnë se konflikti Rusi-Ukrainë do të përfundojë me negociatat e Ukrainës për paqen, edhe nëse kjo do të thotë heqjen dorë nga një pjesë e territorit të saj sovran.

Mbështetja për Ukrainën ndryshonte gjerësisht nga radhët e votuesve për kandidaten demokrate, Nënpresidenten Kamala Harris, krahasuar me votuesit për kandidatin republikan, Presidentin e zgjedhur Donald Trump, me 74% të votuesve të zonjës Harris në mbështetje të dërgimit të ndihmës, krahasuar me vetëm 42% të votuesve të zotit Trump.

Një shumicë dërrmuese prej 80% e shikon Rusinë si kundërshtare.

Për Izraelin, 54% e të anketuarve mbështetën vazhdimin e ndihmës së Shteteve të Bashkuara, por amerikanët rezultuan të ndarë, 45% me 45%, nëse Izraeli ka të drejtën të vazhdojë operacionet ushtarake, apo nëse aksioni ushtarak i Izraelit në Gazë ka zgjatur mjaftueshëm dhe duhet të kalohet në një armëpushim.

Vetëm rreth gjysma e të anketuarve mendojnë se Shtetet e Bashkuara do të mbizotërojnë në një konflikt me Kinën, me pothuajse të njëjtin numër që mendon se Kina është kërcënimi më i madh për Shtetet e Bashkuara.

Nëse Kina pushton Tajvanin, gati tre të katërtat e të anketuarve thanë se Shtetet e Bashkuara duhet ta njohin zyrtarisht Tajvanin si një vend të pavarur. Dy të tretat bien dakord që Shtetet e Bashkuara duhet të përgjigjen me sanksione ekonomike ndaj Kinës dhe mbi gjysma (56% e të anketuarve) mbështesin dërgimin e më shumë pajisjeve ushtarake në Tajvan, si dhe dërgimin në këtë rajon të më shumë njësive ushtarake, si aeroplanmbajtëset.

Shumica e amerikanëve të anketuar besojnë se ushtria amerikane duhet të jetë e madhe mjaftueshëm për të fituar dy luftëra që mund të zhvillohen në të njëjtën kohë.


Send this to a friend