PRISHTINË – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sot udhëtoi për në Shkodër të Shqipërisë, ku do të luhet ndeshja kualifikuese kundër Kroacisë.
Me këtë rast, trajneri i kombëtares, Albert Bunjaku në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) u shpreh se kjo është loja e parë si vendase, edhe pse nuk luhet në Kosovë për çështje teknike. Ai theksoi bindjen se edhe në Shqipëri do të ketë një përkrahje shumë të madhe të tifozëve.
Bunjaku u shpreh se Kroacia është një vend mik që ka ndihmuar Kosovën edhe në aspekte sportive, por edhe në pranimin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Do të kyçemi me një performancë maksimale. Është hera e parë që në një kampionat botëror ballafaqohemi me një fuqi të futbollit siç është Kroacia ndërsa pas tre ditësh me Ukrainën. Normalisht futbolli është gjithmonë i hapur për befasi dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë e hapur. Mirëpo ajo çka është reale është se do të vazhdojmë performancën maksimale, ku në këto ndeshje nuk mjaftojnë vetëm 100 përqind por edhe 120 përqind por mund të them se presim një performanceë shumë të mire”, u shpreh Bunjaku.
Trajneri Bunjaku theksoi se skuadra e tij përbëhet nga një ekip i ri, i cila ka nevojë për kohë. Sa i përket kualifikimeve për Botërorin 2018, ai theksoi se do të vazhdojnë të befasojnë me rezultatet e mira. Bunjaku shtoi se synimi i tyre është që në vitin 2020 të kualifikohen në kampionatin evropian.
“Për disa ndoshta kjo është shumë herët por duke u bazuar në moshën shumë të re, potencialin që ka ky grup, klubet që këta lojtarë luajnë dhe energjinë totale mendoj se ky synim është totalisht real”, u shpreh ai.
Ndërkaq, duke folur për përfaqësueset e kombëtareve të tjera të Grupit I, në të cilin ndodhet Kosova, Bunjaku u shpreh se ndeshja me Turqinë do të jetë emocionuese. Ai theksoi bashkëpunimin mes këtyre dy përfaqësuesve, duke rikujtuar edhe ndeshjen miqësore me Turqinë, e dyta në historinë e Kosovës, pas pranimit në FIFA.
“Do të jetë një lojë shumë interesante, ngase do të takohemi me Turqinë në xhiron e katërt, ku vetëm se kemi filluar të hyjmë në sistemin e lojërave. Sigurisht që edhe Turqia do të marrë një përshkrim më të mirë të situatës, e dinë kush jemi në atë moment, mirëpo edhe ne do të koordinohemi mirë. Pres që të bëhet një lojë shumë interesante me tifozë dhe përkrahës që përkrahin edhe Turqinë edhe Kosovën”, tha Bunjaku.
Duke folur për trajnerin e kombëtares së Turqisë, Bunjaku u shpreh se me punën që e ka bërë deri tani, Fatih Terim shihet se është një ndër trajnerët më të mirë në botë. Ai theksoi se përfaqësuesja e Turqisë përbëhet nga lojtarët e rinj, të cilët janë potencialë të bëhen lojtarë eminent në futbollin evropian.
Kurse, mesfushori i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Berisha për AA u shpreh se të enjten do të luajnë kundër një kundërshtari mjaft të fortë, duke shprehur bindjen se me një lojë kolektive mund të arrihet edhe rezultati pozitiv.
“Me Finlandën patëm një ndeshje të mirë ku ndoshta edhe do të kishim mundur të fitojmë, por tani është në pyetje Kroacia e cila ka lojtarë shumë cilësorë. Mendoj se me një lojë kolektive ku do të gjithë do ta japim maksimumin dhe do t’i tregojmë të gjithëve se Kosova ka lojtarë të rinj që premtojnë shumë për të ardhmen”, tha Berisha.
Ndërkaq për ndeshjen me Turqinë, ai theksoi se “Me vëllezërit tanë do të japim një spektakël në fushë, dhe do të fitojë ai që është më i miri”.
Vedat Muriqi, sulmues i përfaqësueses së Kosovës dhe lojtar i ekipës Gençlerbirliği nga Turqia, për AA tha se do ta bëjnë maksimumin për të arritur një rezultat të mirë kundër Kroacisë.
“Kemi një avantazh që jemi një skuadër e re, nuk na njohin shumë kundërshtarët. Ne i dimë anët e dobëta të Kroacisë, trajneri ynë e ka studiuar shumë mirë Kroacinë. Jemi shumë euforik dhe kemi një moral të jashtëzakonshëm, unë mendoj se do të kthehemi me një rezultat shumë të mirë”, u shpreh Muriqi.
Kurse për ndeshjen që do të luhet me kombëtaren e Turqisë, si një lojtar i cili njeh mjaft mirë futbollin e këtij shteti, Muriq u shpreh se do ta ndihmojë ekipin e tij për analizat e taktikës kundër kësaj skuadreje.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dje gjatë vizitës së tij në stërvitjen e përfaqësueses së kombëtares, premtoi se nëse përfaqësuesja arrin të kualifikohet në Botërorin 2018, secili anëtar i saj do të shpërblehet me nga 100 mijë euro.
Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA në maj të këtij viti, nëpërmjet së cilës u bë pjesë e kualifikueses për Botërorin 2018 në Rusi.
Komentet