Një 98-vjeçar, ish-roje në një kamp nazist, është akuzuar nga autoritetet gjermane për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e më shumë se 3300 njerëzve gjatë Holokaustit.
Sipas CNN, prokurori publik në qytetin perëndimor të Giessen, afër Frankfurtit, ka deklaruar se burri në fjalë, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, punonte në kampin e përqendrimit Sachsenhausen, mes viteve 1943 dhe 1945.
98-vjeçari i cili ishte i mitur në kohën e krimeve të supozuara, akuzohet sipas prokurorëve se “ka ndihmuar në vrasjen mizore dhe tinëzare të mijëra të burgosurve”.
I moshuari mësohet se do të përballet me një gjykatë për të mitur, sepse ai ishte nën moshën 18 vjeç kur shërbente në Sachsenhausen.
Sipas një vlerësimi psikologjik që i është nënshtruar i moshuari një vit më arë, ka rezultuar se ai është i aftë të dalë në gjyq.
Gjermania ndërkohë ka sjell para drejtësisë autorët e fundit të mbijetuar të krimeve të luftës naziste, tashmë në pleqëri Vitin e kaluar, një tjetër ish-gardian i Sachsenhausen, 101 vjeç, u dënua me pesë vjet burg pasi u dënua për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e 3,518 njerëzve gjatë Holokaustit.
Një grua 96-vjeçare gjermane iku përpara se të gjykohej për krime që pretendohej se kishte kryer, ndërsa punonte si stenografe dhe daktilografiste në zyrën e komandantit në kampin e përqendrimit në Stutthof, afër qytetit të sotëm polak të Gdansk. Ajo u gjet më vonë nga autoritetet lokale dhe u soll para gjykatës, ku u dënua për akuza të ngjashme.
Sachsenhausen u ndërtua nga të burgosurit dhe u hap në vitin 1936. Nga rreth 200,000 të burgosur që kaluan nëpër kamp, rreth 100,000 mendohet se kanë vdekur atje. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullsia e të burgosurve të kampit luhatej midis 11,000 dhe 48,000 njerëz.
Rreth 6 milionë hebrenj u vranë në kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu u vranë qindra mijëra romë, kundërshtarë politikë, homoseksualë dhe njerëz me aftësi të kufizuara fizike ose në të mësuar.