I detyruar të linte vendlindjen kur ishte vetëm 18 vjeç, shkrimtari i madh Martin Camaj e mori atdheun me vete në krijimtarinë e tij letrare, duke u qëndruar përjetë besnik alpeve. Sot bëhen 90 vjet nga lindja e shkrimtarit, akademikut e albanologut.
“Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i juaji e ju jeni të mijtë”…Kështu shkruante shkrimtari i madh Martin Camaj përpara se të ndahej nga jeta në mars të vitit 1992.
Sot, poeti, prozatori, akademiku, albanologu do të mbushte 90 vjeç, rikujton Mapo.
Shqipëria e largoi në moshë kur sapo kishte mbushur 18 mote, por ai nuk e la kurrë Shqipërinë në motivet e letërsisë së tij. E nuhati diktaturën qysh në fillimet e saj dhe kjo e bëri të arratiset për t’i siguruar vetes studimet.
Pasi u largua nga vendlindja, fshati Temal, vëllimet e para poetike “Një fyell ndër Male”, “Kanga e Vërrinit”, i botoi në Prishtinë.
Në Beograd u shpërngul për të mbrojtur titullin doktor i shkencave me “Meshari i Buzukut”. Nuk kishte qenë rastësi që shkrimtari zgjidhi veprën e parë të shkruar në gjuhën shqipe, duke treguar sesa të forta i mbante lidhjet me të. Më pas udhëton drejt kryeqytetit italian, ku bashkë me Koliqin themelojnë revistën “Shejzat”.
Ndalesa e fundit në Mynih të Gjermanisë, ku hapi degën e Albanologjisë në universitetin e qytetit, për të sjellë pranë atdheut prej të cilit ishte larguar, i detyruar.
Sipas studiuesit Behar Gjoka, Camaj e mori me vete atdheun, me gjasë e përlindi atë në tekstet letrare dhe studimore, që arriti kulmin me “Gramatika e shqipes”.
Ai nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me Shqipërinë, por ndoqi me vëmendje çdo zhvillim të jetës politike, kulturore dhe asaj letrare.
Ismail Kadare e quan Martin Camajn shkrimtar të lartësive.
“Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë. Pa përjashtuar përftimin eufemik të shprehjes, atë që ka lidhje me gjithë shkrimtarët e mëdhenj të një letërsie, te Camaj shprehja merr një kuptim të mirëfilltë. Në shumicën e veprave të tij, në mjediset e përshkruara, në klimën e tyre, te personazhet, ajri, madje dehjet e shëndetshme apo të turbullta që vijnë prej tij, janë ato të alpeve”, – ka shkruar Kadare, duke u shprehur se mënjanimi i tij nga bota, i projektuar në lartësinë dhe pastërtinë e maleve vinte nga vetmia e tij.
“Martin Camaj ka qenë, pa dyshim, shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Duke i strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi, që iu siguronte pavarësinë, ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, – është i mendimit shkrimtari Ismail Kadare.
Martin Camaj, mërgimtar i përjetshëm në gjallje dhe në amshim, mërgimtari i përvëluar për atdhe, që e mori me vete atdheun, e përlindi si prani shpirtërore në zhguallin e shqipes, të lëvruar në tekstet letrare dhe shkencore, studimore dhe gjuhësore, i ngriti një kult gjuhës shqipe, ligjërimit letrar të gegnishtes dhe arbërishtes.
Në vetmi, rrallëherë i kuptuar nga njerëzit, Camaj vazhdonte veprën e tij, duke u përpjekur të ruante dritësimin e saj alpin, qoftë në poezitë, qoftë në prozën e tij. Ishte pakti i tij i pandryshueshëm me artin, me lartësitë e bjeshkëve nga kishte dalë, e ku një ditë shpresonte se do të kthehej.
“Sdue me qenë si moti i lig, kumtonte në një nga vjershat, duke shpallur kështu kthjelltësinë e fisme mbi pasionet politike, e sidomos mbi mllefet, pa të cilat ishte vështirë të përftohej bota shqiptare.”…
Alpet dhe letërsia
Martin Camaj u lind më 21 korrik 1925, në një zonë malore, në Temal të Shllakut. Ashpërsia dhe vërtetësia e maleve do të linin përgjithmonë gjurmë në krijimtarinë letrare të Camajt.
Ndoqi mësimet në kolegjin Saverian, në Shkodër; një kolegj me emër në të cilin kishin studiuar patriotë, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe mësues të afirmuar në profesionin e tyre. Pasi mbaroi studimet nisi punë si mësues në fshatin Prekal.
Bindjet e tij nuk pajtoheshin me regjimin e kohës, prandaj në vitin 1948, në moshën 23-vjeçare arratiset për në Jugosllavi. Pas disa peripecish, ai filloi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine, pranë profesorit të dëgjuar kroat, Henrik Bariç.
Menjëherë prirjet e tij letrare i konkretizoi me botimin e dy vëllimeve poetike “Nji fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) dhe “Kanga e vërrinit” (Prishtinë, 1954). Nuk i dimë rrethanat se si u krijuan, por Martin Camaj, 8 vjet pasi ishte arratisur dhe pasi kishte mbaruar Universitetin e Beogradit, në vitin 1956, shkoi për studime pasuniversitare në Romë, duke lënë përfundimisht Beogradin dhe duke u bashkuar me shokët e një ideali E. Koliqin, K. Gurakuqin, M. Krujën etj. Në Universitetin e Romës u specializua për gjuhësi, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë formimin e tij filologjik. Zgjodhi temë disertacioni veprën e parë të gjuhës shqipe “Mesharin” e Gjon Buzukut.
Fillimisht Martin Camaj do të jetë lektor në Universitetin e Romës pranë katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe, që drejtohej nga shkrimtari E. Koliqi, por njëkohësisht që për disa vjet qe edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Shejzat” (Le Pleiadi) (1957-1978) që dilte në Romë. U largua drejt Gjermanisë, 10 vjet pas qëndrimit në Romë duke u vendosur në Mynih, ku do të merret kryesisht me studime gjuhësore. Në Universitetin e atij qyteti do të mbrojë me sukses një temë nga fusha e formimit të fjalëve të shqipes, të titulluar “Fjalëformimi i shqipes.
Mënyrat e formimit të emrave të vjetër”. Në Mynih jo vetëm do të mbajë leksione për studimet albanologjike, por pas disa vjetësh do të themelojë katedrën e gjuhës shqipe në atë universitet që do ta drejtojë gjatë 20 vjetëve, prej vitit 1971-1990, vit në të cilin doli në pension. Autori ynë do të jetë një personalitet i cili do të vlerësohet nga instancat shkencore të kohës dhe redaksitë e disa revistave që dilnin në Evropë.
Martin Camaj punoi afro 15 vjet për romanin “Rrathë” – një nga veprat madhore më të zgjedhura të prozës sonë bashkëkohore, qoftë për vlerat njohëse që përmban, qoftë për depërtimin dhe zbërthimin e dukurive të jetës shqiptare apo për stilin e ngjeshur, me atë fjalor të pasur, shtjellim dramatik të natyrshëm.
Martin Camaj solli ndihmesë të vyer edhe në rrafshin e studimeve të folklorit. Martin Camaj, me punën e tij të zellshme si docent i Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, e më vonë si shef katedre, arriti ta lartësojë atë degë në qendër hulumtimesh akademike, e cila sot gëzon statusin e “Fachstudium” dhe jep tituj pasuniversitarë si “Magjistër”, “Doctor Philosophies”.
Vdiq larg vendlindjes së tij, në Bavarinë e Epërme, në fshatin malor Lengries, më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme pranë së shoqes, Erika. Edhe pse regjimi në Shqipëri u përmbys, ai nuk mundi më ta shohë vendlindjen.
Komentet