Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka dekretuar sot thirrjen e seancës së parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë
TIRANË – Mbledhja e parë e legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, do të mbahet ditën e shtunë, më 9 shtator 2017. Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka dekretuar sot thirrjen e seancës së parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri u mbajtën më 25 qershor të këtij viti. Partia Socialiste e Shqipërisë, fitoi zgjedhjet parlamentare duke siguruar 74 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, i përbërë nga 140 deputetë.
Partia Demokratike e Shqipërisë fitoi 43 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 19 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 3 mandate dhe Partia Social Demokrate ka siguruar vetëm 1 mandat.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prezantoi të dielën e kaluar strukturën e re të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë si dhe emrat e rinj që do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar. Ministrat e rinj pas dekretimit nga presidenti i vendit, Ilir Meta, do të votohen në Kuvend së bashku me programin e qeverisë së re.
Komentet