Pa dyshim, kur dëgjon dikush këtë mbiemër historik me kaq peshë të rënde, automatikisht mendja i shkon një prej familjeve më të vjetra të kryeqytetit që historikisht kanë lidhur rrugëtimin e tyre me kontributin muzikor në çdo gjatësi dhe gjerësi të historisë modern shqiptare. Pa diskutim një nga emrat që i shtoi peshë këtij mbiemri në peshoren e historisë muzikore, ishte edhe bass-baritoni i famshëm i dekadave të mëparshme, Pëllumb Katroshi.
Pëllumb Katroshi lindi në Tiranë, më 22 Tetor 1938 në një familje autoktone Tiranase dhe siç dëshmon hulumtimi historik rreth emrit të tij, pasioni më i fuqishëm që ka pasur në moshë të vogël, ishte kënga. Në Shqipërinë e pasluftës të viteve 1950, ai ia doli të mbarojë shkollën 7-vjeçare në vitin 1952 dhe në vitin 1957 të përfundojë shkollën e mesme “Jordan Misja” nën drejtimin e Mezzosopranos Bullgare Vasilika Bekerxhieva duke lënë mbresa në rrethet artistike të kohës.
Gjatë periudhës post-sovjetike të viteve ’60 që po përjetonte Shqipëria, ai u dallua për talentin e tij vokal dhe u aktivizua si solist pranë Ansamblit të Ushtrisë, pranë të madhit Gaqo Avrazi. Në vitin 1965 në Festivalin e 4-të të Radiotelevizionit do të debutojë me këngën “Peshkatarët” të kompozitorit Vlash Gjeka të dubluar nga Liri Zeneli dhe në vitin 196e do fitojë konkursin për kanto dhe do fillojë studimet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), me pedagog zëri Artistin e Merituar, bassin Lluk Kaçaj.
Ende student, në vitin 1968 debuton në skenën e madhe të TKOB me rolin e Gjergj Arianitit në Operën “Skënderbeu” të Prenk Jakovës. Pasi mbaron studimet e larta, në ILA në 1971, emërohet solist në sektorin e lirikës, pranë TKOB ku ka interpretuar rolet e operave tona dhe të huaja, Mund të përmendim në vitin 1972 rolin e baronit në “La Traviata” të Verdit, një figure që flet shumë në interpretimin e tij, Gjinin në vitin 1975 në Operën “Mrika” të Prenk Jakovës, por dhe Xhemal Porodinën nga Opera “Komisari” të Nikolla Zoraqit, një rol që i dha njohje të gjerë në mbarë Shqipërinë. Nëntori i vitit 1973 ishte muaji që kompozitori i madh Pjetër Gaci do t’i besojë atij realizimin e një prej hiteve më të njohura të kohës ” Përshëndetje Shqipëria ” në Anketat e famshme të Radiotelevizionit.
I njohur gjerësisht në të gjithë Shqipërinë dhe në fazën më produktive të karrierës së tij, ai rikthehet fuqishëm pas një mungese të gjatë në Festivalin e Këngës të Radiotelevizionit dhe në edicionin e tij të 14-të, interpreton këngën “Partia prin” me muzikë të Avni Mulës dhe tekst të Xhevahir Spahiut, një këngë që do të dublohet nga vetë Avniu në natën e dytë të festivalit. Në vitin 1976 vijon suksesi me rolin e Kostë Barrdhit nga opera “Zgjimi” e Tonin Harapit, ndoshta maja e veprimtarisë së tij artistike duke dhënë një figure shumë të goditur. Në fund të 1976, në Festivalin e 15-të, ai shënon një tjetër rekord, pasi përbën një nga të paktët garues në gjithë historinë e Festivalit të Këngës, që do interpretojë tre këngë të ndryshme në një edicion. Kështu do të interpretojë këngën “Partisë” me muzikë nga Çesk Zadeja dhe tekst Popullor që do dublojnë Agim Quku dhe Pandi Zguro, këngën “Të gjithë ushtarë” me muzikë nga Vangjel Petushi dhe tekst Popullor në trio me Pandi Zguron dhe Agim Qukuk që do dublojë Shpresa Terezi si dhe këngën “Proletare të të gjitha vendeve Bashkohuni” me muzikë nga Tasim Hoshafi dhe tekst të Kristo Mërtirit që do dublojë Ramiz Kovaçi.
Megjithatë, paralelisht me suksesin e madh që njeh në rolet operistike dhe këngët e Festivalit të Radiotelevizionit, vlen të theksohet sePëllumb Katroshi, ka interpretuar me mjeshtëri, në dhjetëra skena, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Ka lënë gjurmë në koncerte, në grup dhe në recitale. Ka qenë pjesëmarrës në Anketat e Radio Tiranës, në Koncertet e Majit, në Festivalet e rretheve por dhe shpesh here solist në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve.
Dekada e artë e këngëtarit Pëllumb Katroshi në TKOB do të jetë padyshim ajo e viteve ’80, të cilën do të inaugurojnë në vitin 1979 me rolin e doktorit në Operën “Lulja e Kujtimit” të Krtisto Konos, do vazhdojë po në atë vit me Bartolo në operën “Berberi i Seviljes” të Rossinit si dhe do e mbyllë me rolin e Plakut tek opera “Goca e Kaçanikut” të autorit Kosovar Rauf Dhomi. Vijon suksesi i radhës në vitin 1980 me rolin e Binakut ne Opera “Vjosa” e Tish Daisë si dhe roli i Tuc Makut në vitin 1981 nga opera “Toka e Jone ” e Pjetër Gacit, një nga rolet e tij më të rëndësishme.
Në vitin 1982 TKOB vendosën të sjellë për publikun shqiptar disa shfaqje me skena nga opera ku do ta shijojmë në rolin e Ajdin Muzakës nga Opera “Skënderbeu” e Prenk Jakovës si dhe në rolin e Eskamiljos nga Opera “Karmen” e Bizesë. Në vitin 1983 do rishfaqet serisht tek roli i baronit në “La Traviata” e Verdit dhe një vit më vonë do interpretojë Komandantin e kështjellës nga Opera “Borana” e Avni Mulës. Në vitin 1985 mishëron Benoît nga “La Bohema” e Pucinit dhe në vitin 1985 serisht Bartolo në “Berberin e Seviljes” të Rossinit. Νë vitin 1986 ai do të korrë sërish sukses të madh në rolin legjendar të Kostë Barrdhit në operen “Zgjimi” të Tonin Harapit,
Në vitin 1987 do interpretojë rolin e Delos tek opera “Nena e trimave” të Avni Mulës por dhe rolin e Alfios nga “Cavalleria Rusticana” e Mascagnit që do të shënojë edhe kulmin e tij artistik, veçanërisht nëse merret parasysh se interpretimi i tij diskutohet ende në brezat e vjetër tridhjetë e shtatë vjet më vonë. Në vazhdën e zhvillimeve ndërkombëtare dhe pak para rënies së murit të Berlinit, siç ishte e natyrshme, një frymë liberalizimi fryu edhe në operën shqiptare, që rezultoi me vënien në skenë të disa kryeveprave nga repertori botëror operistik. Kështu në vitin 1989 në Shfaqje me skena nga opera, Pëllumbi do mishërojë Ferrando nga Opera “Trovatore” të Verdit por edhe gjyshin Ndue nga Opera e pare shqiptare “Mrika” në rivënien e saj të tretë dhe të fundit në TKOB.
Në këtë jetë të gjatë skenike, Pëllumbi është nderuar me çmime, medalje, si dhe me urdhrin “Naim Frashëri” të kl. I. Në vitin 1990 del në pension, por qëndroi përsëri në TOB deri në vitin 1992. Familja e tij, me traditë në besimin bektashian, i dha Pëllumbit kulturën bektashiane. Si myhib dhe “Dervish Nderi”, ka dhënë ndihmesën e vet në njohjen dhe përhapjen e bektashizmit. Nga viti 2000 deri 25 maj 2008, punoi në Arkivin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Është mbledhës i këngës tradicionale bektashiane dhe përpunues i tyre si muzikolog. Me përkushtim për këngën bektashiane ka punuar me pasion në përgatitjen e grupeve artistike e folklorike të fëmijëve dhe të rriturve në çdo ceremoni e pelegrinazh fetar, lokal dhe kombëtar, duke i dhënë vlerat e njohura traditës së këngës bektashiane tek besimtarët e dashamirësit, në të gjitha aktivitetet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në Kosovë, Maqedonin e Veriut etj. Ndroi jetë më 25 maj 2008, në teqenë e Turanit Korçë.
Pëllumb Katroshi do të mbetet në kujtesën kolektive të publikut shqiptar për timbrikën e pastër tingëlluese, me regjistër të plotë, për karakteret e ndryshme që mishëroi në skenat e medha të vendit, por dhe për kontributin e tij në Festivalet e Shkdodrës edhe në Pallatin e Pionierit në Tiranë ku ishte shumë aktiv. Pëllumbi Katroshi është babai i kontrabassistit të TKOBAP Saimir Katroshi dhe vjehrri i mezo-sopranos Enkeleda Zepishta. Gjithashtu nga familja Katroshi kanë dalë artistë me një karrierë të shkëlqyer si Haki Katroshi, tromboni i pare i orkestrës së RTSH-së me studime në Bullgari, Petrit Vorpsi, kushëri i parë i Pllumit, nder themeluesit e parë te shkollës së baletit me studime në Balshoi Teater në ish BRSS, Ymer Katroshi, vëllai i madh i Pllumit tenor, dirigjent korri dhe shtysa kryesore për studimet muzikore të Pllumit, baritoni i TKOB Solen Alla dhe sopranoja Alisa Katroshi. Pllumi ka qënë dhe profesori i sopranos Oriana Kurteshi në pallatin e kultures kur ishte pioniere.
Aleksandrino Ikonomidhi