Dritëro Agolli është një nga ata që i ka dhënë emrin kohës dhe jo koha emrin atij. Patriarku i letrave shqipe mbushi 85 vjeç më 13 tetor 2016.
Ja 85 fakte nga jeta e patriarkut të letrave shqipe, që nga dëshira e tij e parë për t’u bërë veteriner, poezitë e para të botuara në “Zërin e Rinisë”, studimet në Shën Petërburg, familja, por edhe “bëmat” e kohës pa të cilat një njeri si Agolli nuk mund të imagjinohej.
85 fakte nga jeta e Dritëro Agollit:
1. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë.
2. Agolli 16 vite të jetës i ka kaluar në fshatin Menkulas, 4 vite në Gjirokastër kur ishte gjimnazist, 4 vite në Shën Petërburg (atëherë Leningrad) të Bashkimit Sovjetik.
3. Që nga mosha 25 vjeçare jeton në Tiranë, në katin e tretë të një apartamenti në Rrugën e Dibrës. Deri në vitin 1991 ka qenë komshi me shkrimtarin tjetër të madh, Ismail Kadare, në pallatin e shkrimtarëve.
4. Në moshën 9-vjeçare përfshihet në Luftën Nacional Çlirimtare. Merr detyrën si korrier i çetave partizane. Një përvojë që Agolli e përmend shpesh në kujtimet e tij.
5. U martua për të dytën herë në moshën 34-vjeçare me Sadijen, më 4 tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën.
6. Me Sadijen u njoh në dasmën e Ismail Kadaresë me Helenën, në vitin 1963, në shtëpinë e Kadaresë. Agolli pyet pedagogun e Letërsisë, Naum Prifti, për vajzën që studionte për Letërsi në Universitetin e Tiranës.
7. Për herë të parë u martua gjatë kohës që ishte me studime, me rusen Nina, në vitin 1956, kur ishte 25 vjeç. Martesa zgjati shtatë vite, derisa Shqipëria prishi marrëdhëniet me Rusinë. Nga martesa e parë Agolli ka një djalë, Arjanin, i cili jeton në Rusi.
8. Në Rusi, Agolli u kthye pas 31 vitesh që nga ndarja e tij me gruan e parë. Udhëtimin e tij në Shën Petërburg e bëri në vitin 1991, kur mes Shqipërisë dhe Rusisë nuk kishte më sistem komunist.
9. Ditëlindja e Dritëro Agollit përkon me rilindjen e një tjetër gjiganti të letrave shqipe. Më 13 tetor ka lindur Millosh Gjergj Nikolla. Në të njëjtën datë, 20 vite më pas, lindi dhe Dritëro Agolli.
10. Rruga krijuese e Agollit nis në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ku boton në shtypin e kohës poezitë e para të ndikuara nga autorët e Rilindjes dhe folklori shqiptar.
11. Veprën e parë, Agolli e botoi në vitin 1958. Është vëllimi i parë me vjersha “Në rrugë dolla”, i cili u prit mirë nga kritika e kohës. Më pas, sprova e dytë letrare është përsëri me poezi, vëllimi “Hapat e mia në asfalt”.
12. Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër, Agolli bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Siç thotë vet Agolli, edhe pse kishte botuar poezitë e para, mendonte se letërsia mund të zhvillohej vetë dhe duke ndjekur rrugë të tjera në jetë.
13. Kërkesa për të ndjekur studimet për Veterinari i dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Yllit, i cili e kishte fiksuar emrin e poetit të ri. “Ky djalë ka botuar vjersha, ndaj nuk ka për të studiuar për Veterinari, por të shkojë me studime për Letërsi”, kanë qenë fjalët e ministrit që i ndryshuan rrjedhën e jetës Agollit.
14. “Para se të bëhesha student, kur isha nxënës, ëndërroja të bëhesha veteriner, sepse më pëlqenin shumë kafshët. Unë mbaja një manar, një sheleg manar dhe ai flinte me mua, unë flija në atë shtrojën me dërrasa, ndërsa ai flinte poshtë nën mua. Nuk më ndahej kudo që shkoja. Më kujtohet, kisha një kalë në shtëpi, shumë të mirë. Edhe në dasma shkoja me të; ne djemtë shkonim në to se kush do t’ia çonte shaminë e nuses i pari në vatrën ku martohej dhe këtë punë bënim me kalin e shpejtë. Një mbrëmje kali ishte shtrirë në haur. Mua më dukej sikur qante, dhe qante vërtet. Vete në shtëpi dhe them se kali po qan. “Jo mor, – më thanë, – se nuk shtrihet kali, ai edhe kur fle, fle në këmbë”. Vajtëm të gjithë dhe vërtet kali ishte shtrirë, na pa një herë të fundit dhe vdiq. Kjo më ka mbetur merak dhe prandaj kërkova të bëhem veteriner kur mbarova gjimnazin”, ka thënë Agolli në një intervistë për dëshirën e tij për t’u bërë veteriner.
15. Momentet më të hidhura të jetës së tij, Agolli i kujton me shkrimet që ka lexuar nga autorë të ndryshëm pas viteve 1990 në adresë të tij. Por hidhërimi ka qenë më i madh kur autorët janë miqtë e tij të dikurshëm apo njerëz që i ka ndihmuar në krijimtarinë letrare.
16. Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli kalon një nga momentet më kritike. I duhej të bënte autokritikë si kryetar i Lidhjes dhe të sqaronte arsyet se përse pinte dhe ndonjëherë fliste “pa menduar”. Një pozitë jo e këndshme kjo për shkrimtarin që njihej si një karakter rebel.
17. Në Kongresin X të Partisë së Punës, Agolli bëri dhe kthesën më të madhe të karrierës së tij politike teksa u rreshtua në forcat progresiste. Një veprim që i kushtoi shumë në sytë e komunistëve që kërkonin të mbanin me fanatizëm sistemin.
18. Dritëro Agolli ka marrë dhe kërcënime me vdekje pas vitit 1991. Ishte pikërisht fjalimi i Kongresit X të PP-së që solli mërinë e komunisteve ndaj shkrimtarit. Në adresë të tij u dërguan letra kërcënuese për të personalisht dhe familjen e tij.
19. Në vitin 1991, Agolli ka ndenjur i izoluar tre muaj në shtëpinë e tij në Rrugën e Dibrës, për arsye sigurie. Ministria e Brendshme vuri roje në pallatin e tij pas sinjalizimeve për ndonjë sulm të mundshëm nga huliganë.
20. Dritëro Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. Ai u emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992.
21. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka mbajtur këto detyra, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura.
22. Dritëro Agolli ka qenë që në vitet ‘90 anëtar i Partisë Socialiste, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Agolli ka qenë deputet i Partisë Socialiste që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Ai ka qenë gjithashtu edhe anëtar i kryesisë së kësaj partie për vite më radhë.
23. Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2005. Pas largimit të deputetit të PS-së, Bardhyl Agasi, Agolli zëvendësoi atë.
24. Agolli kujton si momentet më të lumtura të jetës së tij studimet në Rusi, daljen e librit të parë në botim më 1958, martesën me Sadijen në 4 tetor 1963, si dhe botimin e veprave të tij në gjuhë të huaja.
25. Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit. Në Parlament mbahet mend për urtësinë dhe fjalimet brilante në podiumin e Kuvendit.
26. Romani “Komisari Memo” është një nga librat e Agollit që është bërë film me titullin “I teti në bronz”. Ky film është shfaqur edhe në Kinë, ku është pritur mjaft mirë nga publiku kinez.
27. Dritëro Agolli ka thyer edhe parimin se vetëm pas vdekjes bëhesh legjendë. Ai që tani është një legjendë e letrave shqiptare, në këtë mënyrë shkolla 9-vjeçare në fshatin e tij të lindjes, Menkulas, që tani mban emrin e tij.
28. Por jo vetëm shkollat mbajnë emrin e Dritëro Agollit. Tashmë në Tiranë një shtëpi botuese ka pikërisht emrin e Agollit. Shtëpia botuese quhet “Dritëro” dhe është ndër shtëpitë botuese më të mira në Tiranë.
29. Dritëro Agolli ka shkruar edhe tekste këngësh, madje duke marrë edhe çmime. Një ndër çmimet ishte ai i vitit 1971, kur këngëtarja Alida Hisku, 14 vjeçe, në festivalin e 10-të merr çmimin e dytë me tekstin e Dritëro Agolli “E Paharruara”.
30. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”.
31. Shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli, është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Ceremonia është zhvilluar me rastin e përvjetorit të ngritjes së flamurit në Tiranë dhe çmimi iu dorëzua nga kryebashkiaku Edi Rama.
32. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. Dritëro Agolli është anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj.
33. Nuk numërohen vlerësimet që i janë bërë legjendës së letrave shqipe. Ndër më të qëlluarit është vlerësimi i Fransua Nurisjes, i cili ka thënë se, “Agolli është Kafka, me pak më shumë diell”. Ndërsa Alen Boske shkruan për të se, “Shqipëria na zbulon një autor me përmasa të mëdha… Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë evropiane”.
34. Dritëro Agolli e Ismail Kadare kanë qenë të përfshirë në Fjalorin Enciklopedik që në vitin 1985. Por ata ishin një përjashtim i jashtëzakonshëm në vitin e hershëm 1985! Pasi që të përfshiheshe në Fjalorin Enciklopedik, në ato vite duhej të mos ishe më në jetë.
35. Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës.
36. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Është i pari që krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej në atë kohë “për të bashkuar masat”.
37. Dritëro Agolli ka punuar për 15 vjet me radhë si gazetar i gazetës “Zëri i Popullit”. Më pas ai kaloi si shkrimtar i lirë i inkuadruar edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
38. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, Dritëro Agolli ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën, analizën dhe raportin e lajmit.
39. Agolli filloi të shkruaj vjershat e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”. Për poezinë e parë të botuar ai shprehet: “Im atë e kish prerë pjesën e gazetës ku ishte botuar poezia, e kish vënë në kutinë e duhanit dhe mburrej në fshat: Ja ky është poeti im”.
40. Libri “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” është vepra që veç famës i solli dhe jo pak andralla autorit. Një vit pas daljes së tij, Mehmet Shehu i thotë Agollit se, “me atë libër na ke shkatërruar administratën”.
41. Dritëro Agolli është nga ata shkrimtarë që nuk e ka braktisur asnjëherë të shkruarën me dorë. Ai nuk ka përdorur kurrë makinë shkrimi dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe bën edhe me kompjuterin.
42. Dritëro Agolli nuk mban numër personal celulari. Ai vazhdon të përdorë numrin fiks të “Albtelekomit”. Ndërkohë në disa raste flet me numrin celular që mban bashkëshortja e tij, Sadija.
43. Dritëro Agolli është shkrimtari që ka bërë poezi për këto kafshë dhe insekte: kecat, dhentë, dhitë, maçoku, qeni, kali, lejleku, rabecka, pleshtat. Agolli është shkrimtari që ka bërë poezi për këta njerëz të familjes: gruan, babanë, nënën, djalin. Agolli u ka bërë poezi njerëzve që kanë pasur këto profesione:berberi, biznesmen.
44. Dritëro Agolli është i pari që ka futur në fjalorin e përditshëm të shqipes fjalën pijetar, duke e zëvendësuar fjalën pijanec. Të ishe pijetar, do të thoshte të ishe një njeri që ta doje pijen, por të mos bezdisje të tjerët.
45. Një nga historitë më të famshme të treguara për pijet është ajo kur gënjeu Sadijen sikur i kishte ardhur një shkrimtar turk me emrin Moskat Kanella dhe i duhej të ikte dhe ta shoqëronte. Në fakt kishte ardhur dy litër raki “Moskat” që do ta shoqëronte me kanellë.
46. Një histori tjetër me pije është kur me një kolegun e tij garoi se kush pinte më shumë konjak.
47. Në vitin 2005 ai është propozuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve për të qenë kandidat për çmimin “Nobel”. Por nuk ka pranuar të jetë kandidat. Sipas tij, Ismail Kadare është i vetmi shqiptar që duhet të jetë kandidat dhe që duhet ta fitojë këtë çmim prestigjioz.
48. Frazat më të goditura që Dritëro Agolli ka dhënë për shtypin pas ‘90-s janë: “Nëse PS është kënetë, ti Fatos je bufi i kënetës”; “Shqipëria tani është me dy shtete”.
49. Dritëro Agolli është shprehur se një nga ata që mund të futeshin në ambasadat e huaja në 2 korrik 1990 ishte edhe i biri i tij, Artani. Ai e kishte kundërshtuar këtë vendim duke i thënë se, nëse do të futej atje, ai do të mbyllej në një shpellë të thellë.
50. Agolli apo Kadare? Për më shumë se 50 vjet, fansat janë ndarë më dysh. Porse, siç thotë vetë Agolli, asnjëri nuk mund të ndahet dot nga tjetri. Sipas tij, nuk duhet të ketë më pyetje kush është më i madh e kush më i vogël, kush ka qenë më i përkrahur e më pak i përkrahur. Agolli ka treguar në një intervistë se kryeministri Mehmet Shehu u është drejtuar të dyve: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”.
51. Miqësia e dy korifenjve të letërsisë shqipe, Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë, zë fill në gjimnazin e Gjirokastrës në vitet 1950. Agolli ishte dy vite shkollore më i madh se Kadare, por bashkë bënin pjesë në rrethin letrar të shkollës, ku dhe i recitonin vjershat njëri-tjetrit.
52. Agolli së bashku me Kadarenë janë dy krijuesit që e ngritën letërsinë në nivelin e asaj ndërkombëtare. I përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist.
53. Veprat kryesore të Dritëro Agollit janë shkruar gjatë viteve të diktaturës. Megjithatë, edhe pse nën skematizmin e kohës, romanet tij kapin tema universale dhe janë të vlefshëm për të gjitha sistemet dhe të gjitha kohërat.
54. Dritëro Agolli është ndër të paktët krijues dhe njerëz të artit që e ka të qetë ndërgjegjen me të kaluarën e tij. Është i vetmi që pas rënies së komunizmit, e pranon se ka qenë komunist dhe ka punuar për komunizmin.
55. Dritëro Agolli rendit dy shkrimtarë turq si miqtë e tij më të mirë të huaj. I pari, Jashar Qemal; si dhe shkrimtari satirik, Azis Nesin.
56. Karakteristika më e veçantë e Dritëro Agollit është thjeshtësia me të cilën komunikon, ulja në tavolinë, biseda e thjeshtë dhe mikpritja në shtëpi. Dhoma e ndenjes së tij është kthyer shpesh në dhomë bisedash mes miqsh, dashamirës, gazetarësh, por edhe njerëz të thjeshtë që kanë dashur vetëm ta takojnë.
57. Dritëro Agolli është i vetmi shkrimtar që pas vitit 1990 e ka takuar një personazh real, të cilin e ka pasur personazh në libra dhe në filma. Bëhet fjalë për Sejfi Protopapën, i cili është personazhi real i Sali Protopapës në romanin “Komisari Memo” dhe në filmin “I teti në bronz”.
58. Dritëro Agolli ka marrë cilësime të tilla nga politikanë, analistë dhe gazetarë: Patriarku i PS-së, mendimtari i të majtës, shkrimtari politikan.
59. Për kritikën letrare, Agolli renditet në panteonin e letërsisë shqipe. Nëse në poezi Kadareja krijoi “Shqipërinë tjetër” që vinte nga lashtësia. Agolli gjatë viteve të diktaturës tregoi “Shqipërinë alternative”. Në krijimtari epiko-lirike që dallon nga pjesa tjetër e letërsisë së realizimit socialist.
60. Gjatë krijimtarisë letrare, në të gjithë veprën e Agollit vihen re shtatë tipare kryesore në të cilat mbështetet arti i tij. Kulti i tokës dhe i bukës, shenjtërimi i njeriut dhe natyrës, raporti personal me botën, miti i atdheut, historia e të parëve, zhgënjim për kohën dhe humbjen e saj, dhe e ardhmja optimiste.
61. Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tre libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes. Ai e botoi librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitin 1964, por vetëm një vit më pas ky libër u hoq nga qarkullimi dhe Agolli u kritikua, pasi me këtë libër e paraqiste me pesimizëm realitetin komunist.
62. Në një intervistë të dhënë për median shqiptare, Agolli ka thënë që nga librat që ai nuk do t’i harrojë kurrë janë “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe librat me poezi “Pelegrini i vonuar”, “Në mesditë”, “Udhëtoj i menduar”, etj.
63. Gjeniut të letrave shqipe i është bërë edhe një bust. Shoqata e Devollit ka çelur në Menkulas një dhomë-muze, ku ka një kënd të veçantë edhe për bustin e tij. Busti është bërë nga skulptori i njohur, Mumtas Dhrami.
64. Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I teti në bronz” (romani “Komisari Memo”), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”.
65. Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve, ka shkruar edhe skenarë filmash. Filmi i parë për të cilin ai përgatiti një skenar dhe nuk shndërroi një krijim letrar në skenar ishte “Horizonte të hapura”.
66. Agolli, i cili është edhe autor i një sërë skenarëve për dokumentarë, ka megjithatë edhe një poemë që ka shërbyer si skenar për një dokumentar shqiptar me regji të Endri Kekos. Bëhet fjalë për “Partizanin Meke”, i punuar në një formë të cilën Dritëroi e quan origjinale dhe që ishte gjysmë film artistik dhe gjysmë dokumentar.
67. Librat me poezi dhe poemat më të njohura të Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll-Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”. Pas 1990-s “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Njerëz të krisur”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Lutjet e kambanës”, “Fletorkat e mesnatës”, etj.
68. Dy janë dramat më të njohura të Dritëro Agollit. “Mosha e bardhë”, e cila u ndalua nga botimi gjatë diktaturës, si dhe drama “Fytyra e dytë”.
69. Shkrimtari që vuajti nga censura në diktaturë, në intervistat që ka dhënë në shtyp thotë se ka një tjetër censurë për krijuesit jo më pak të rrezikshme sesa e parë: “Censura e parasë”.
70. Agolli arriti sukses fillimisht si poet i tokës. Përmbledhjet e hershme me poezi “Në rrugë dola”, 1958; “Hapat e mia në asfalt”, 1961; dhe “Shtigje malesh dhe trotuare”, 1965; e paraqitën atë tek lexuesit si një poet lirik të sinqertë dhe të talentuar të tokës, dhe që tregoi teknikë mjeshtërore në vargjet e tij.
71. Agolli u cilësua si novator i poezisë shqiptare në gërshetimin që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë perla lirike të gjuhës shqipe. Ndërkohë risi jo pak të rëndësishme Agolli solli dhe në metrikën e vargut.
72. Poezitë më të njohura të Dritëro Agollit janë, “Kur të jesh mërzitur shumë”, “Kur një mëngjes”, “Ëndërr e prerë”, të cilat dihen përmendësh nga shumë vetë. Ndërsa poemat më të vlerësuar janë “Poemë për babanë dhe për vete” dhe “Devoll-Devoll”.
73. Agolli në poezitë e tij është ndikuar dhe nga poetët rusë si Lermontov, Esenini, Pushkini etj. Kjo pas studimeve që bëri në Shën Petërburg, ku mori dhe bazat e letërsisë bashkëkohore.
74. Reportazhet e Agollit gjatë kohës që punonte si gazetar janë përmbledhur para viteve 1990 në një vëllim të veçantë. Si në çdo gjini tjetër të krijimtarisë letrare edhe këtu Agolli tregon një finese të veçantë dhe një mjeshtëri të rrallë.
75. Në veprat e një shkrimtari ka gjithmonë diçka për të rishikuar. Mirëpo dhe këtu Agolli bën ndryshim. Në ato të pakta ribotime që ai u ka bërë veprave pas 1990-s, nuk ka ndryshuar asgjë nga ato që ka shkruar gjatë diktaturës.
76. Në vitin 2007 një vëllim me poezitë e Agollit është përkthyer dhe në rusisht. Vepra përmbledh poezitë e tij më të mira dhe titullohet “Nga vjen kjo muzikë”. Është përkthyer nga miku i tij gjatë kohës që ishte student në Shën Petërburg, Ilia Fonjakov.
77. Dritëro Agolli është një ndër rastet unikalë të krijuesve që edhe pas viteve të rinisë vazhdon të shkruajë poezi. Ndërkohë që zakonisht pas viteve 30, krijuesit letrarë i përkushtohen prozës. Agolli vazhdon të shkëlqejë në të dyja gjenitë.
78. Për herë të parë Dritëro Agolli është takuar me Sali Berishën kur ky i fundit ishte ende fëmijë. Agolli kishte bujtur në kullën e të atit të Berishës në Viçidol të Tropojës, si shok i vëllait të Berishës. Ndërkohë më vonë koha i takoi përsëri në formacione të ndryshme politike.
79. Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes. Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për Shqipërinë.
80. Ndërsa veprën më të madhe në përkthim Agolli e ka nga rusishtja. Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët artistikisht. Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19-të në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të tjerë.
81. Një vit më parë u botua libri “I përndjekuri i dashurisë”, një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli. Ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhje të tillë, por si një dëshmi se poeti i madh Dritëro Agolli ka shkruar më shumë poezi dashuri se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar.
82. Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agolli gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore; përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë.
83. Para pak ditësh Dritëro Agolli i ka rrëfyer gazetarit Ilir Kadia çastin më të vështirë të jetës. Dhe këtë rrëfim, Kadia ka dashur ta ndajë me miqtë e tij në Facebook, ku ai shkruan: “Sapo e pyeta Dritëroin: cili ka qenë çasti më i vështirë në jetë për ty o Dritëro? E zhyti kokën në re një copë herë të gjatë dhe më tha: Kur isha i vogël fare, gjyshi më bëri një qerrkë me dy rrota dhe një bosht të gjatë! Unë nuk e pëlqeva dhe e mora e përplasa në tokë. Qerrka u thye! “Po pse o Dritëro?! Shiko si i vrava gishtat për ty një muaj të tërë!”-më tha gjyshi i mërzitur shumë…”
84- 50-vjetori i martesës me Sadien dhe shkëmbimi i unazave në moshën 84-vjeçare.
85- Botimi surprizë i përmbledhjes me poezi të pabotuara të Dritëroit 85-vjeçar./Tirana Observer/
Komentet