LEKA
Unë jam Leka i Madh, të pushtova
Në trojet e tua të shpirtit brodha,
Më duket nja dy mijë vjet.
Ose që kur mollën e mëkatit mora,
Dhe s`e hëngra krejt.
Unë jam Leka i Madh, erdha u ktheva
Nga mëkatet e mishit në mërzi,
Si me to s`u ngopa në teh u nisa
Si Leka s`desha të vdes i ri…
VAU
Vaut të këtij lumi shkelin e putrojnë
Gjurmët e një lundre.
E mbytur këtu.
Po ujërat ku vanë, ku?
Një ujë i pakët duket,
Jep shpirt
Në ca gurë që qeshin në diell,
Kaq shumë u zvogëlua prej dhimbjes
Sa rrugën ia hapi gjindjes..
NATË
Mund ta ndezësh natën me prushin e shpirtit
Po yjet s`të lënë,
Ndrit një hënë si ngjyrë e meitit,
Nga dritë e vet ngrënë.
Mund ta ndezësh natën me ca fjalë
Po s`të lënë gjethet,
Diku në një breg hingëllin një kalë
Për tradhtinë e pelës.
Ç`të bëjsh në këtë natë që nuk do
Të ndizet ashtu siç dua,
Me një hënë që të shkojë përto
E verdhë limua.
Me ca yje të ftohtë, dritëpraruar,
Dhe me një kalë të harbuar,
Prush i shpirtit ndjen një frymë
Që vjen nga dheu i gëzuar…
SHPËRPJESTIM
Një krah i thyer zogu i dhimbset poetit
Dikujt s`i dhimbset Siria,
Kaq tmerr i jepet planetit
Sa kudo mbretëron qetësia.
Zemra plagoset lehtë dhe kur e plagosur
Përpëlitet,
Më ngjan është më thjeshtë
Të vritet…
KËRKIMI
Pishtari që e troi kërkimin
Erdh u shua kur u duk arritja,
Çasti na solli harrimin
Të na jepte forcë pritja.
Veçse errësirë u dynd
Aq sa nuk pritej,
Pishtarit një tjetër fuqi
Ia çonte dritën të ndizej…
SHKËMBI
Currat vesh i shkëmbit në stuhi
Si një kalë i bardhë që ndjen rrezikun,
Dorë e rrufesë e përdredh shpesh me mëri,
Atij krenaria s`i ikën.
Matet gjithnjë me to,
Me një çallmë mjegulle kokën ftoh,
Dhe vetëtima kur do,
Me shenja të largta e josh…
Vetëm në krenari mos ndjehet bosh..
RREMTARË…
Rremtar në det të jetës…, na u duk
Se ikëm larg.
Kur i humbëm brigjet pa kuptuar
Po në këto brigje erdhëm prapë.
Ah, brigje të fashitura në kujtesë
Që na tërhiqni me magnet,
Kur rremat u këputën ,krahët tanë
I rremuam gjer i këputëm krejt…
MËTUESIT
Mëtuesit e dorës së Penelopës,
Brenda një trilli të moçëm
Humbën.
Na huton humbja e tyre
Brenda një balade të egër,
Penelopa?
Ditën ishte vetë
Natën kish një shemër…qa
Komentet