Zviceranët, një nga popujt me shpirtin më shpikës (iventor) në botë po kujtojnë 100 vjetorin e robotit të tyre të parë, pionierit të robotikës në përgjithësi, të quajtur Sabor.
Ideja e krijesave artificiale, që veprojnë në mënyrë autonome, sipas burimeve encklopedike, zë fill që nga mitologjitë e lashta deri më të vonat, kur ato gjallonin vetëm në fantazitë e popujve.
Në mitologjitë flitet për njerëz artificialë si shërbyesi mekanik i ndërtuar nga zoti grek Hefesti, golemët prej qeramike të legjendave hebreje, gjigantët prej qeramike të mitologjisë norvegjeze, deri te statuja e Pigmalionit që u shndërrua në qenie të gjallë njerëzore, te zogjtë artificialë kinezë Mozi apo Lu Ban. 400 vjet para Krishtit, mitet e Kretës flasin për Talosin, njeriun prej bronzi që e ruante ishullin nga piratët.
Përfytyrimeve popullore filluan t’iu japin jetë inxhinierët dhe shpikësit nga Kina, Greqia apo Egjipti i Lashtë, të cilët u orvatën të krijojnë makina gjysmëvetëvepruese disa prej të cilave iu ngjanin kafshëve, disa njerëzve.
Krijesat e pafundme articiale kanë të gjitha historitë e tyre. Roboti zviceran Sabor ka historinë e tij krejt të veçantë që meriton edhe vëmendje të veçantë.
SABOR, PIONIERI ZVICERAN I ROBOTIKËS
Sarah Herwig në platformën swissinfo ia ka kushtuar një reportazh 100 vjetorit të robotit zviceran Sabor.
Sabor është pjellë e një njeriu të vetëm, idé e një mendjeje të vetme, krijesë e vetëm dy duarve. Ai ka një prind të vetëm. Dhe ky është August Huber. Qoftë dhe ky fakt do të mjaftonte për ta bërë të veçantë Saborin. “… ai u zhvillua vetëm nga një person dhe jo nga një kompani si disa robotë të tjerë të kohës,” shkruan Herwig.
100 vjet më parë August Huber filloi të punonte në krijesën e tij artificiale, kur ai ishte vetëm 12 vjeç. Nuk dihet se si i lindi ideja djalit të një familjeje endësish, shkruan Herwig. Industria e tekstilit të rajonit, sipas saj, mund të ketë pasur një ndikim: “Në Appenzell kishte makina thurjeje dhe qëndisjeje. Njohuria e këtyre makinave sigurisht që ofroi një bazë për punën e tij,” thotë Lilia Glanzmann, bashkëdrejtoreshë e Zeughaus Teufen, muzeut historik lokal, ku Sabor është aktualisht i ekspozuar.
Sabor, njeriu mekanik i shpikur nga August Huber, është 2.37 metra i gjatë. Mund të mos ketë qenë androidi i parë në botë, por sigurisht që ishte më i madhi, nënvizon autorja e reportazhit këtë veçanti tjetër të Saborit.
U deshën mijëra vjet derisa njerëzimi të vinte tek pagëzimi i krijesave artificiale me emrin e tyre të përbashkët. Ishte shkrimtari çek Karel Çapek (1890-1938) që ia dha emrin “robot”, sipas fjalës çeke dhe përgjithësisht sllave “punëtor”. Oksfordi ia njohu atij meritën për këtë pagëzim. Por ai nuk e pranoi. Shpikësi i vërtetë i emrin “robot” ishte vëllai i tij Jozef Çapek, të cilit i kishte kërkuar ndihmë ngaqë shkrimtari nuk po ia gjente dot vetë emrin e përshtatshëm.
Një gjë është e qartë, nënvizon Herwig në reportazhin e saj: ëndrra e vjetër për të krijuar qenie njerëzore artificiale gjeti jetë të re në atë kohë me mundësitë që ofronte teknologjia elektrike dhe radio. Pagëzimi nga Çapek, natyrisht, i ka dhënë një shtysë të re përpjekjes njerëzore për të krijuar gjasmënjeriun, i cili do të merrte përsipër shumëçka për të cilin vetë njeriu ishte i kufizuar, pra për të krijuar kështu zgjatimin e tij artificial, tentakulën e tij që do të mbërrinte atje ku vetë njeriu nuk do të mund të arrinte kurrsesi.
Reportazhi i swissinfo na njofton më tej: “Në vitin 1927 u publikua edhe filmi artistik i Fritz Lang “Metropolis”. Historia e Magjistarit të Ozit, me një burrë kallaji të pashpirt, mund të ketë qenë gjithashtu një frymëzim për Huber. Edhe pse u bë tregtar tekstili në kompaninë e babait të tij, ai vazhdoi t’i kushtonte kohën e lirë krijimit të një roboti.”
Sabor bëhet i veçantë me paraqitjet e tij publike, duke i lënë të mahnitur të gjithë ata që e kundronin. “Në vitin 1939, Sabor u prezantua për publikun për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare Zvicerane në Zyrih. Ai simbolizonte shpresat e lidhura me teknologjitë e reja. Për ta bërë Saborin të funksiononte, një pedagog ndërveproi me audiencën dhe me robotin, ndërsa në prapaskenë një operator përdori një disk telefoni për të zgjedhur funksionet e ndryshme dhe për të dhënë zërin e androidit nëpërmjet radios. “Operatori kishte gjithashtu një enciklopedi për të qenë në gjendje t’u përgjigjej pyetjeve të publikut sa më shpejt të jetë e mundur,” shpjegon Glanzmann për autoren e reportazhit. Sabori i bëri veçanërisht përshtypje publikut me një truk: ai mund të pinte duhan.
TURI BOTËROR I SABORIT
Turrin e Saborit e ndal Lufta e Dytë Botërore. Roboti nga kantoni Appenzell (Apencel) duhet të qëndrojë mbyllur dhe t’i mëshojë prapanicës mirë.
Modeli i parë Sabor më 1923 (Sabor I) ishte prej druri dhe pëlhure. Më vonë mori një guaskë alumini dhe një kokë elegante, të farkëtuar në bakër nga një artist gjerman.
Duke filluar nga vitet 1950, Sabor udhëtoi në të gjithë Evropën dhe deri në Izrael. Sabor pati fatin t’i dhurojë lule Julianës, Mbretëreshës së Holandës, në vitin 1955. Në vitin 1961, Sabor duhej të dilte në skenë me Frank Sinatrën. “Artisti” nga Apenceli po vizitonte Shtetet e Bashkuara. Por performanca në një klub xhazi nuk mund të zhvillohej. Sabori ishte shumë i gjatë dhe nuk mund të zbriste shkallët. Por u paraqit në shfaqjen e famshme Ed Sullivan. Në Danimarkë ai takoi një princ. Kudo që Sabor shfaqej me mënyrën e tij mjaft të rëndë, njerëzit grumbulloheshin rreth tij, të shtyrë nga magjepsja dhe kurioziteti, por edhe nga mosbesimi, thotë Glanzmann për gazetaren e swissinfos: “Njerëzit vazhduan të pyesnin nëse kishte një qenie njerëzore brenda.”
Faqja e internetit cyberneticzoo.com na jep hollësi të tjera për fatin e robotit zviceran. August Huber krijoi katër versione të Saborit, gjithnjë e më të përmirësuara. Inxhineri elektrik Peter Steuer e vazhdoi punën e tij në Sabor IV. Që nga viti 1947 ai zhvilloi Sabor V dhe ishte përgjegjës për përmirësimin e pajisjeve radio dhe anëve të tjera elektronike. Më 1951 Sabor ishte tashmë nën pronësinë e Peter Steuer.
Bobby Lugano, 34 vjeç, magjistar dhe konferencier nga Vjena e mori me vete robotin në të gjithë Evropën, zakonisht në mungesë të Steuer. Dhe u shfaqën bashkë në televizor e ngjarje të tjera publike. Në prapaskenë qëndronte ndihmësi i tij Paul Watensperger. Ky e komandonte Sabor V nga një kanal radioje me valë të shkurtëra.
Lëvizjet themelore të robotit zviceran iu afrohen atyre të njeriut. Ai mund të lëvizë para dhe mbrapa, anash, të ngrejë krahët, të përkulë krahët, të rrotullojë kokën, të lëvizë kokën, të lëvizë buzët. Sabor nuk ka gjunj. Në vend të këpucëve ka një mbështetëse me tri rrota, një në gishtin e këmbës e dy në thembër. Shpejtësia e ecjes së tij është 2.5 kilomtra në orë.
Sabor flet, ai lëviz gojën në ritëm me zërin, por zëri i tij është zëri i të zotit, i shqiptuar nga një altoparlant me valë të shkurtëra, i cili ndodhet në brendësi të trupit të robotit. Sabor lëviz qepallat, gjuan me revolver, ofron për të ndezur cigaren, pi cigare.
Më 1967, bën të ditur reportazhi i swissinfo, kuratori legjendar dhe historiani i artit Harald Szeemann gjithashtu u interesua për të dhe e mori me qira për ekspozitën “Science Fiction” në Kunsthalle Bern (Muzeu i Artit) më 1967. Në mesin e viteve 1970, vijon swissinfo, Sabor ra në harresë dhe filloi të mblidhte pluhur në garazhin e Steuer. Ndoshta jo për t’u habitur, ishte pikërisht në atë periudhë që një tjetër teknologji e re filloi marshimin e saj triumfues: kompjuteri. Që nga vdekja e Steuer, Sabor – i riemërtuar “Primeo Energie Kosmos” – është ekspozuar në Muzeun EBM në Münchenstein, pak jashtë Bazelit.
Në një rikthim jubilar shekullor, faqja cyberneticzoo.com hedh dritën e fundit ndaj autorit të tij. August Huber donte të krijonte një robot tjetër, tashmë një femër, të quajtur Sabine, një kërcimtare me litar, e zonja të hypte vetë në biçikletë. Ai arriti ta projektonte në letër. Por nuk e realizoi kurrë këtë ëndërr.
SABORI SHEKULLOR NË QENDËR TË NDERIMEVE DHE KUJTIMEVE
Në 100-vjetorin e tij Sabor ka marrë një liridialje disamujore nga Muzeun EBM në Münchenstein, ai është rikthyer në vendlindje, në një ekspozitë kushtuar atij në fshatin Teufen. Në qendër të ekspozitës është vetë roboti: i lyer me ngjyrë të bardhë me një helmetë pleksiglas. Në vitet 1970 atij iu dha pamja e astronautit. Ishte koha e uljeve në hënë. Veçanërisht vlen të përmendet një seri fotosh nga fotografi i revistës LIFE, Ralph Crane, që tregon se si Sabor ka frymëzuar të rinj dhe të vjetër. Ekspozita është e hapur deri më 9 shkurt 2025.
Është paradoks, siç e nënvizon autorja e reportazhit të swisinfo. “Në një epokë në të cilën një teknologji e re – inteligjenca artificiale – kthehet për të ngjallur frikë dhe shpresa.”
Nëse duam të besojmë se ky zhvillim revolucionar teknologjik do të sjellë më shumë shpresa e më pak frikë, atëherë le të besojmë në Tri Ligjet e Robotikës, të formuluara nga hebreu amerikan Isaac Asimov (Isak Asimov, – 1920-1992) një nga tre shkrimtarët më të mëdhenj të fantashkencës në kohën e tij, autor, ndër shumë të tjera, i përmbledhjes së famshme me proza “I, Robot”, nga përshatjet e të cilave janë krijuar një mori filmash po aq të famshëm fantstikoshkencorë. Këtyre tri ligjeve janë të detyruar t’iu binden të gjithë robotët pozitronikë (robotët e pajisur me tru pozitronikë, edhe ky një term i shpikur nga vetë Asimovi, menjëherë pas zbulimit shkencor të grimcës positron):
A robot may not injure a human being or, through inaction, allow a human being to come to harm.
A robot must obey any orders given to it by human beings, except where such orders would conflict with the First Law.
A robot must protect its own existence as long as such protection does not conflict with the First or Second Law.»
(Një robot nuk mund të dëmtojë një qenie njerëzore ose, nëpërmjet mosveprimit, të lejojë që një qenie njerëzore të dëmtohet.
Një robot duhet t’i bindet çdo urdhri që i jepet nga qeniet njerëzore, përveç rasteve kur urdhra të tillë bien ndesh me Ligjin e Parë.
Një robot duhet të mbrojë ekzistencën e tij për sa kohë që një mbrojtje e tillë nuk bie ndesh me Ligjin e Parë ose të Dytë.»)
Sipas Asimovit, këto tri ligje janë publikuar më 2058 në “Manualin e Robotikës”.
Gjithsesi, në 100-vjetorin e tij ne i urojmë Saborit qëndrim të lumtur në mes të bashkëfshatarëve të tij në Muzeun Zeughaus Teufen dhe kthim të lumtur në Muzeun EBM në Münchenstein.
Një nga paraqitjet televizive të robotit, në shfaqjen e kuicit të Hans-Joachim Kulenkampffs më 1953
Edhe 100 vjet te tjera per Yllin e Tenisit Botnor.
Ju pershndes per materialin e plote te Zvicerrianit pazevendsueshem.
Me respekt F.Radovani.