7 Marsi është Dita e Mësuesit.
Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë demokratike, kombëtare, dhe laike e gjuhës shqipe e cila u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë [2] nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri,[3]
Historiku
Mësonjëtorja kombëtare shqipe e Korçës u hap më 7 mars të vitit 1887. Ideator i saj ishte Naim Frashëri i cili në bashkëpunim me të vëllain Sami Frashëri dhe rilindës të tjerë shqiptarë, ia dolën që nga Porta e Lartë të marrin “një leje në emër të Pandeli Sotirit, për të çelur një shkollë shqipe në Korçë.” Mësues dhe drejtor i kësaj shkolle u caktua Pandeli Sotiri. Shkolla u vendos në shtëpinë e dhuruar falas për mësimdhënie nga atdhetari Diamant Terpo, i cili ishte anëtar i Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit. [4] [5] Pandeli Sotiri e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.
Mësonjëtorja e Parë Shqipe
Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte reptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet – u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908. U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh, më 1917. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Vëllezërit Frashëri, Petro Nini Luarasi, Naum Naçi, Thoma Avrami, Familja Qiriazi, etj.
Më 15 (23) tetor 1891 Gjerasim Qiriazi së bashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën këtu edhe Mësonjëtoren e vajzave baza e së cilës ishte gjithashtu gjuha shqipe dhe kultura kombëtare.
Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi. [4]
Në shenjë nderimi, respekti dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtorës së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 marsi është caktuar si ditë e mësuesit dhe shkollës shqipe. Ndërtesa ku u hap kjo shkollë sot është muzeum kombëtar i arsimit.[6]
Rëndësia
Megjithëqë institucione dhe qendra arsimore ku mësohej gjuha shqipe padyshim se kishte edhe përpara vitit 1887, mungonte tradita e një shkolle kombëtare shqiptare në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale. Mësimi i organizuar në Mësonjëtorën e Korçës kishte për bazë shkencën kurse synimi i saj ishte dija (dituria). Ajo ishte shkollë shqiptare (sepse gjuhë mësimi ishte gjuha shqipe), shkollë popullore (sepse ishte dëshira e popullit për ta hapur dhe për ta mbajtur), në esencë demokratike (sepse ishte e hapur për të gjithë dhe pa pagesë), shkollë e përgjithshme laike (sepse aty vijonin mësimin fëmijët shqiptarë të të gjitha besimeve), shkollë e pavarur (sepse nuk financohej nga jashtë por mbahej nga populli), etj.
Hapja e shkollës ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare.
Veç të tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu, që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.
Muze Kombëtar i Arsimit[redakto | përpunoni burim]
Mësonjëtorja e Korçës apo “Shkolla e Parë Shqipe” është kthyer në muze i cili tani njihet edhe me emrin Muzeu Kombëtar i Arsimit. Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit dhe e librit shqip, abetareve të gjuhës shqipe si dhe alfabeteve të përdorura në kohë të ndryshme, deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908. Ndërtesa e muzeut ka tetë mjedise ekspozimi. [7] [8] [9]
Monument kulture[redakto | përpunoni burim]
Ndërtesa e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë është edhe monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore. Ky monument është i llojit “Arkitekturë”, i miratuar më datën 10.06.1973, me numër vendimi 1886 dhe me numër reference KO081.[1] Godina është dy katëshe. Kati i parë përbëhet nga korridori dhe dy oda të mëdha. Kati i dytë ka katër dhoma. Dritaret janë rreth 80 cm të gjëra dhe të larta. Çatia është prej druri, e mbuluar me tjegulla vendi. Fasadën ballore e zbukuron qoshku në katin e dytë. Lartesia e objektit eshte rreth 7 m.[10]
Mësonjëtorja e Korçës në art[redakto | përpunoni burim]
Në vitin 1979 Kinostudio Shqipëria e Re ka realizuar edhe filmin me titull Mësonjëtorja, i cili, në fakt, i dedikohet Shkollës shqipe të vashave, hapur më 23 tetor 1891, pra 4 vjet pas Mësonjëtores për djem. Ky film është mishërim i personazheve të shquara të arsimit shqiptar, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi si dhe të vëllait të tyre Gjerasim Qiriazi.
Komentet