Flasin Mësueset e shqipes në Zvicër
Sot, 7 Marsi – Dita e Mësuesit 2023…
Në kujtim të hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe kombëtare laike në Korçë më 7 mars 1887, sot, 7 marsi 2023 u është kushtuar mësueseve të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër.
Sot, 7 Mars 2023 tashmë është një Ditë e Shënuar për Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues dhe historinë e saj në Zvicër.
Më 7 mars 1987, në Ditën e Mësuesit z. Xhafer Shatri hapi Shkollën e parë shqipe të pavarur në Gjenevë, punuan mësueset vullnetare: Remzie Selimi – Zymeri, Hidajete Dërmaku dhe mësuesi Sejdi Sopi, për të hapur krahët e pushtuar tash mbi tri dekada hapësirën gjeografike zvicerane.
Duke qenë pjesë e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues, mësuese për 28 vjet pandërprerë në kantonin Jura, mund të them se mësimi dhe ruajtja Gjuhës Shqipe nuk mund të mendohet pa Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” qysh nga vitet ’90 të shekullit që lëmë pas si bartëse organizative e mësimit shqip në Zvicër.
Një plejadë mësues e mësuese të shquar dhe prindër atdhetar derdhën djersën e mundin pa kursim vetëm e vetëm për të qenë më pranë fëmijëve shqiptarë, që të kenë mundësi edhe ata të mësojnë gjuhën shqipe.
Cilësia e mësimdhënies në Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues është bërë e mundur me ndihmën dhe kontributin e pakursyer të Prof Dr Dr Basil Shader, pedagogut dhe albanologut zviceran.
Dëshira deri në përkushtim e mësueseve; me pagesë nga prindërit, pa njohje zyrtare nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, pa marrëveshje midis dy shteteve Kosovë – Zvicër mësimi plotësues i gjuhës shqipe përballet me probleme të mprehta. Indiferenca jonë shkakton baltosje të vlerave tona.
Gjithë fëmijëve jashtë atdheut u mungon gjuha shqipe, pa fajin e tyre e flasin pak dhe nuk e shkruajnë dot.
Të nderuar mësues e mësuese, 7 Marsi, dita e nderimit të mësuesit, më jep kënaqësinë t’ Ju përcjell me shumë respekt dhe mirënjohje urimet më të sinqerta për Ju, familjet tuaja dhe nxënësit e nxënëset që mësoni.
GËZUAR 7 MARSIN!
Dhe e mbyll ligjëratën duke shoqëruar me disa intervista të mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe të cilat me kënaqësi iu përgjigjen ftesës. Mirënjohje!
Gjenevë 6.03. 2023 Nexhmije Mehmetaj
Bisedë me mësuesen e dalluar Hana Bilalli, mësuese në Gjenevë
Pyetje:Si e përjetoni festën e 7 Marsit sot ? Cila është e veçanta e kësaj dite ? A keni përgatitur me nxënës ndonjë veprimtari ?
Hana Bilalli: E ndjejmë veten shumë të gëzuar e të lumtur sot, më 7 Mars 2023 që po kujtojmë profesionin tonë më të dashur të mësuesit edhe pas kaq vitesh këtu në mërgim. Këtu në Zvicër jam e kënaqur që më është dhënë rasti të ushtroj profesionin e mësueses së mësimit plotësues të gjuhës shqipe me fëmijët shqiptarë të cilët e kanë domosdoshmëri të mësuarit të gjuhës shqipe, të flasin dhe të shkruajnë saktë, gjuhën tonë me format e saj gramatikore.
Por gjithmonë më shoqëron një dhimbje pse të gjithë fëmijët shqiptarë nuk vijën në shkollën shqipe. Shkolla është hapur por mungojnë fëmijët, kjo plagë vazhdon të jetë e hapur.
Uroj që familja shqiptare të ndërgjegjësohet e që çdo fëmijë shqiptar të mësoj gjuhën amtare, të ruaj traditën dhe kulturën e prindërve të tij në shkollën ku mëson, gjatë shkollimit të tij, krahas frëngjishtes të ruaj edhe shqipen.
Këtë vit festën kushtuar 7 Marsit do ta festojmë në klasën e mësimit të gjuhës shqipe. Fillimisht fëmijët do ta recitojnë të gjithë “himnin” e gjuhës shqipe:
Gjuha jonë sa e mirë,
Sa e ëmbël, sa e gjerë,
Sa e lehtë, sa E DLIRË,
Sa e bukur, sa e vlerë.
Pastaj do të këndojnë dhe shohin një viedo-film për Mësonjëtoren e parë shqipe. Do të flasim pse gjuha shqipe ishte e ndaluar në atë kohë, pse turqit osman ndaluan gjuhën tonë, kush ishin mësuesit e parë shqiptarë që u flijuan për gjuhën e kombit tonë. Kështu nxënësit plot entuziazëm do ta kuptojnë sa mirë është kur e flasim dhe e shkruajmë me dëshirë gjuhën tonë që të parët tanë u sakrifikuan aq shumë për te.
Pyetje: Në këtë ditë a të kujtohet mësuesi apo mësuesja e parë ? Kush ka qenë mësuesi i juaj i parë?
Hana Bilalli: Kjo pyetje më pëlqen shumë. Më dhatë rastin të futem në të shkuarën e largët, në kujtime të thella. Mësuesi i parë… Mësuesi im i parë ka qenë Ali Azemi. Ishte mësues shumë i dashur dhe i sjellshëm për ne fëmijët, mbaj mend mënyrën si na trajtonte më bëri që ta dashuroj profesionin e mësuesisë. Do të doja të falënderoj të gjithë mësuesit e mësueset e mia që me mund dhe sakrificë më dhanë dritë e diturisë për të ecur në rrugën e jetës time.
Pyetje:A ju kujtohet dita e pare si mësues/e kur dhe ku ?
Hana Bilalli: Dita e parë në profesionin e ëndrrave pa marrë parasysh sa shpejt kalon koha mbetet prapë e freskët e skalitur në mendjen dhe zemrën time. Emocionet e para si mësuese i kam ndier në vitin 1994 në shkollën e fshatit tim të lindjes në Mirenë – Lipjan, në të njëjtën shkollë ku shkela për herë të parë si nxënëse, u ktheva si mësuese. Me padurim i prita nxënësit e mi të parë, u përpoqa tu jap ngrohtësi dhe lumturi. Me dëshirë dhe përkushtim arrita të vë në zbatim profesionin që unë kisha studiuar.
Pyetje: Çfarë do të thotë të jesh mësues e gjuhës shqipe në Zvicër ?
Hana Bilalli: Të jem mësuese në Gjenevë dhe të u jap mësim në gjuhën shqipe fëmijëve të bashkatdhetarëve, këtë mundësi ma krijoi Lidhja e Arsimtareve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri “ në Zvicër. E vlerësoj! Edhe unë sikur shumë mësuese tjera besoj që gjuha amtare është e rëndësishme për fëmijët tanë që po lindin e rriten larg atdheut. Kjo më ngroh. Edhe unë do të lodhem por dikush, pas disa vitesh do ta vlerësojë këtë përpjekje që po bëjmë ne mësueset për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe këtu në mërgim.
Pyetje:Brezi i shqiptarëve të Mësonjëtores së parë shqipe kombëtare laike u sakrifikuan shumë për gjuhën shqipe, ishin më të vërtetë brezi më shembullor i kombit shqiptar. Ata e donin kombin më shumë se jetën. A gjenden sot shqiptarë me ideale mahnitëse për gjuhën dhe kulturën shqiptare ?
Hana Bilalli: Mendoj se ka shqiptarë të tillë, ata mësues apo mësuese dhe prindër që punojnë për të ruajtur e përcjell gjuhën shqipe tek brezi i ri edhe pse larg atdheut, pa ndihmën e shtetit tënd është diçka me vlerë të madhe morale dhe kombëtare.
Faleminderit.
Shumë faleminderit edhe ju.
Gjenevë, 5.03. 2023 Nexhmije Mehmetaj
Brikena Qafa-Osmani Mësuese pranë LAPSH-it “Naim Frashëri” në Gjenevë
Pyetje:Ku i ka rrënjët Brikena Qafa -Osmani?
Brikena Qafa -Osmani: Vendlindja ime është Berati. Unë rrjedh prej një familje mësuesish prej brezash, qe nga gjyshërit e prindërit, ku më nxitën dashurinë për profesionin e mësueses.
Pyetje:A ju kujtohet dita e parë si mësuese kur dhe ku?
Brikena Qafa -Osmani: Për herë të parë profesionin e mësueses e kam ushtruar në Kuala-Lumpur ne kryeqytetin e Malajzise. Kam punuar në një shkollë internacionale. Ka qenë mbresëlënëse si punë pasi kam pasur nxënës nga disa vende te botes. Por aty kam dhënë mësim në gjuhën angleze. Atje dita e mësuesit ka qene një ditë në muajin Qershor.
Kam pasur shumë emocione kur kam hyrë për herën e parë në klasë, por mësuesja qe unë do ta zëvendësoja (pasi ajo do te largohej nga Malajzia) ma beri tepër të lehtë mikpritjen në klasë me nxënësit. Ishte hera e parë qe punoja si mësuese por për mua ishte diçka e veçantë pasi po filloja një punë që e dashuroja, një punë qe do të bënte te vazhdoja traditën e familjes time edhe pse jo ne vendin tim, diku larg ne botë tradita e familjes do te vazhdonte.
Ne kontaktin e parë me nxënësit, isha tepër e ndrojtur, por shikoja ne sytë e tyre një ngazëllim, një kureshtje për të ditur më shumë për mua si mësuesja e re.
Ndërsa për mua ishte një privilegj qe gjendesha midis tyre, dhe ajo ndrojtja e mësueses se re me bënte në vetvete me të fortë dhe te isha e bindur qe do te beja gjithçka për ta për t’iu dhënë dijen dhe dashurinë si mësuesja e tyre.
Pyetje: Si e përjetoni festën e 7 Marsit? Cila është e veçanta e kësaj dite? A keni përgatitur me nxënës ndonjë veprimtari?
Brikena Qafa -Osmani: 7 Marsi kjo ditë e shënuar në historinë shqiptare edhe për mua është një ditë e veçantë më emocionon shumë sepse edhe këtu në mërgim po arrijmë të mësojmë fëmijët shqip si dhe të përcjellim kulturën dhe rëndësinë e kësaj feste. Për këtë dite çdo vit unë përgatis një program të vogël me nxënësit: KËNGET me te bukura qe kemi mësuar për ketë dite janë: kënga e mësuesit, bashkë me vjersha për mësuesen.
Pyetje:Në ketë ditë a të kujtohet mësuesi juaj i parë? Kush ka qenë mësuesi i juaj i parë?
Brikena Qafa -Osmani: Po, mësuesja ime e pare ka qene Adelina Buda. Ushtronte profesionin e mësuesit ne shkollën: 7 Nëntori, Berat.
Ka disa vite qe nuk jeton më por çdo herë që unë kthehesha në Shqipëri shkoja e i beja vizita. Gjithashtu shpesh herë prindërit e mi me kërkesën time shkonin e takonin kur ajo ishte në pension dhe nuk e ushtronte me profesionin e mësuesit, por për mua ajo ishte e ëmbla mësuese Adelina. E kujtoj shpesh e me shumë mall.
Pyetje: Çfarë do të thotë të jesh mësues apo mësuese e gjuhës shqipe në Zvicër?
Brikena Qafa -Osmani: Për mua si mësuese e gjuhës shqipe këtu ne Zvicër kjo detyrë fisnike është sa hyjnore aq edhe humane. Hyjnore pasi gjuha jonë është një gjuhë sa e lashtë dhe e bukur dhe ruajtja dhe te mësuarit e saj në brezat në diasporë është një përgjegjësi për ne. Humane pasi përcjellja e ruajtjes se gjuhës dhe identiteti kombëtar është një obligim.
Pra të jesh një mësues i gjuhës shqipe këtu në Zvicër apo kudo në diasporë do te thotë të jesh një pishtar, një shërbëtor i popullit, i kulturës dhe i traditës tonë kombëtare.
Pyetje: Lulet janë dhurata më zakonshme që nxënësi i dhuron mësueses, mësuesit si mënyrë për të shprehur atyre mirënjohjen dhe respektin për punën e tyre.
A ju kanë sjell nxënësit lule këtu në shkollën shqipe, a vazhdon tradita?
Brikena Qafa -Osmani: Çdo vit për festën e mësuesit kam marre lule nga disa prej nxënësve. Ne këto momente ndihesh sa e lumtur aq edhe e vlerësuar. Përveç luleve ka pasur raste me kane ardhur vizatime, apo kartolina te shkruara ne shqip nga vet nxënësit dhe kjo ka një mesazh tepër domethënës për mua.
Pyetje: Brezi i shqiptarëve të Mësonjëtores së parë u sakrifikuan shumë për gjuhën shqipe, ishin me të vërtetë brezi më shembullor i kombit shqiptar . Ata e donin kombin më shumë se jetën. A gjenden sot shqiptarë me ideale mahnitëse për gjuhën dhe kulturën shqiptare?
Brikena Qafa -Osmani: Po. Mund te them në punën time këto 6 vite këtu ne Gjenevë mund të gjesh shqiptarë me ideale të larta kombëtare. Prindër qe ua kërkojnë fëmijëve të tyre edhe pse brezi i 2, 3 qe ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhen dhe traditën shqiptare.
Ndërsa për të tjerët qe akoma nuk janë ne ketë STAD unë si Brikena ( jo vetëm si mësuese , por edhe si një nëna e dy fëmijëve te lindur e rritur në mërgim) do t’i thosha te gjithë prindërve shqiptare, nuk ka rendësi çfarë brezi janë e si kanë ardhur por ata duhet t’i edukojnë fëmijët e tyre me frymën qe gjuha, kultura dhe traditat e tyre shqiptare nuk do të jenë asnjëherë pengesë për ta për tu integruar ne ketë vend, por do të jenë një shtysë dhe një forcë. Do te jenë një pasuri tepër e vlefshme. Ruajtja e origjinës do ti ruaj dhe do tu japi krenarinë për identitetin. Duke ruajtur origjinën dhe krenarinë për identitetin e tyre ata do te jene gjithmonë me te arritur, me te kompletuar dhe te respektuar nga te tjerët.
Gjenevë 6.03. 2023 Nexhmije Mehmetaj
Intervistë me mësuesen Arbërie Vranoci
Pyetje: Po kush është Arbërie Vranovci?
Arbërie Vranoci: Jam e lindur dhe e rritur në Kosovë? Çfarë keni studiuar? Kam diplomuar në fakultetin e mësuesisë në Universitetin e Prishtinës. Jetoj në qytetin e bukur në Nyon. Jam mësuese e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Nyon Jap mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në kantoni Vaud.
Pyetje: Çfarë të kujton nga dita e parë e shkollës?
Arbërie Vranoci: Dëshirë të madhe, emocion që më në fund arrita të vë në zbatim profesionin që unë kisha studiuar. Orën e parë mësimore e fillova pikërisht në Suharekë.
Pyetje: Çfarë do të thotë për ty të jesh mësuese në Zvicër?
Arbërie Vranoci: Më lidh dëshira dhe profesioni. Por, është edhe e nevojshme të u ndihmoj fëmijëve të bashkatdhetarëve që ta flasin dhe ta shkruajnë gjuhën shqipe, gjuhën e identitetit tonë kombëtar, që duhet ruajtur përgjithmonë!
Pyetje: Si e përjeton festën e 7 Marsit? Cila është e veçanta e kësaj dite? A keni përgatitur me nxënës ndonjë veprimtari?
Arbërie Vranoci: Jam e lumtur, në këtë ditë të shënuar për ne shqiptarët dhe sot, në ditën e 7 Marsit uroj një punë të mbarë gjithë mësuesve shqiptarë që ndodhen këtu në Zvicër. Padyshim për nder të festës çdo herë e organizojmë bashkë me nxënësit e shkollës tonë.
Pyetje:Në ketë ditë si e kujtoni mësuesin tuaj të parë?
Arbërie Vranoci: Në këtë ditë të veçantë kujtimet dhe festat me mësuesin e parë janë në kujtimet më të bukura për mua! E falënderoj edhe tani!
Pyetje:A ju kanë sjell lule këtu në shkollën shqipe, a vazhdon tradita?
Arbërie Vranoci: Po , lulet më të bukura ne i kemi nga nxënësit tanë , besoj ata kujtohen me shumë dashuri dhe përkushtim nga prindërit si shenjë falënderimi të na dhurojnë edhe lule … dhe gjithsesi jemi shumë falënderuese për bashkëpunimin mes nesh !
Gjenevë, 6. 03. 2023 Nexhmije Mehmetaj
Bisedë me mësuesen e re të shqipes Doruntina Demelezi në Nyon – Vaud
Pyetje:Pak fjalë për rrugën e Doruntina Demelezi në jetë.
Doruntina Demelezi: Kam lindur në fshatin Sllatinë e Poshtme të Vitisë. Në Sllatinë kalova fëmijërinë. Atje më lindi pasioni për të u bërë mësuese. Jam e diplomuar në nivelin Bachelor në Fakultetin e Edukimit -drejtimi fillor në Universitetin e Prishtinës. Me eksperiencë profesionale në Kosovë në shkollën “Dëshmorët e Vitisë”. Në Zvicër kam filluar të ushtroj profesionin tim nga muaji shtator i vitit 2022 në Nyon.
Pyetje:Si e përjetoni festën e 7 Marsit? Cila është e veçanta e kësaj dite? A keni përgatitur me nxënës ndonjë veprimtari?
Doruntina Demelezi: 7 Marsi – Dita e Mësuesit është një festë e veçantë sepse në këtë datë nderohen, kujtohen dhe respektohen të gjithë mësuesit/et. E veçanta e kësaj dite është që çdo nxënës tregon mirënjohjen dhe vlerësimet më të larta ndaj mësueseve të tyre. Ato që u ndriçojnë dhe u hapin dyert e jetës për dije dhe dituri mësimore e jetësore. Kemi përgatitur si çdoherë aktivitete të ndryshme kulturore si mesazh urimi, poezi, recitime, vallëzime, gjithë këto kushtuar mësueseve për kontributin e tyre që kanë dhënë apo japin në arsimin kombëtar.
Pyetje: Në ketë ditë festive çfarë të kujtohet para së gjithash ?
Doruntina Demelezi: Padyshim se kujtoj mësuesin time të klasës së parë Habib Ymeri për të cilin gëzoj respekt e vlerësime të pafundme.
Pyetje: A ju kujtohet dita e parë si mësuese kur dhe ku?
Doruntina Demelezi: Patjetër që po, me shumë emocione të përziera sa frikë e sa dëshirë të flakët nisa këtë rrugëtim, sepse është ka qenë dhe do mbetet ëndrra ime e fëmijërisë e cila nuk u ndryshua asnjëherë me gjithë kalimin e këtyre viteve. Dita e parë mësuese ka qenë në janar 2017 në Kosovë.
Pyetje:Çfarë do të thotë të jesh mësuese e gjuhës shqipe në Zvicër?
Doruntina Demelezi: Privilegj dhe nder i theksuar për çdo shqiptar që jeton dhe vepron jashtë vendit të tij duke u integruar në shoqërinë pritëse dhe duke ruajtur gjuhën shqipe. Një përgjegjësi tepër e madhe për të punuar e për të dhënë maksimumin tonë për të kontribuar dhe ngritur e mbajtur lartë vlerat dhe historinë madhështore të Gjuhës Shqipe.
Pyetje: A ju kanë sjell nxënësit lule këtu në shkollën shqipe, a vazhdon tradita?
Doruntina Demelezi: Po tradita vazhdon si çdoherë me vlerësime e nderime çdo herë nga nxënësit më të mrekullueshëm që posedon shkolla jonë e dashur Shqipe. Kënaqësi shumë e veçantë të festosh gjithmonë këtë festë me nxënësit që përcjell gjuhën shqipe nga një gjeneratë në tjetrën.
Pyetje:Brezi i shqiptarëve kur u hap Mësonjëtorja e parë u sakrifikuan shumë për gjuhën shqipe, Rilindësit ishin brezi më shembullor i kombit shqiptar. Ata e donin kombin më shumë se jetën. A gjenden sot shqiptarë me ideale mahnitëse për gjuhën dhe kulturën shqiptare?
Doruntina Demelezi: Gjuha shqipe në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, siç e dimë ishte e ndaluar dhe shqiptarët u sakrifikuan shumë për gjuhën shqipe. Rilindësit e shquar të popullit tonë arritën të hapin Mësonjëtoren e parë më 7 mars të vitit 1887 në Korçë.
Sot, vlerësojmë dëshirën, mundin, kohën, sakrificat dhe solidaritetin e mësuesve, prindërve dhe fëmijëve për të qenë sa më pranë shkollës shqipe. Gjuha shqipe është një për bashkues i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhën, andaj duhet ruajtur dhe mësuar më tej. Kjo na mbush me krenari sepse edhe larg atdheut shqiptarët kanë për detyrë ta ruajnë e të kultivojnë gjuhën dhe kulturën kombëtare. Edhe ne sot duhet të përpiqemi e të ndjekim rrugën që na trasuan Rilindësit e mëdhenj të kombit shqiptarë të cilët punuan aq shumë për çështjen kombëtare duke hapur shkolla shqipe për të zhvilluar kulturën tonë përmes gjuhës shqipe.
Shkolla shqipe në Nyon
Gjenevë, 6.03. 2023 Nexhmije Mehmetaj