Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se qumështi i gjirit, është ushqimi më i mirë për foshnjet e sapolindura. Por statistikat botërore tregojnë se qumështi i gjirit nuk përdoret menjëherë mbas lindjes. Në vazhdim ju njohim me një qytet të madh në amerikan, ku po iu mësohet nënave të reja se qumështi i gjirit që krijohet menjëherë mbas lindjes, është më i mirë se ai i prodhuar në fabrikë.
Ushqimi me qumësht gjiri ndihmon shëndetin e të sapolindurve. Është zgjedhja më e shëndetshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se qumështi i gjirit i jep foshnjës të gjitha vlerat ushyese për të cilat ka nevojë gjatë 6 muajve të parë të jetës, dhe të paktën gjysmën e tyre gjatë gjashtë muajve të tjerë. Është një dhuratë që nëna e re i bën fëmijës së saj, duke e ndihmuar të mbrohet nga sëmundjet dhe të ketë imunitet gjatë gjithë jetës.
Ilaçi i nënës dhe i foshnjës
Qumështi i gjirit i pari, 3-4 ditët e para pas lindjes, është si lëng i trashë, i verdhë dhe quhet kulloshtër. Fëmija nuk duhet ta humbasë kulloshtrën pasi ajo është e pasur me proteina, kripëra minerale dhe mbi të gjitha me disa faktorë mbrojtës si imunoglobulina A ose IgA, që mbron aparatin tretës dhe respirator të fëmijës nga viruse, baktere apo substanca “ të huaja” që mund të provokojnë reaksione alergjike. Qumështi “i dytë” ose i tranzicionit vjen rreth ditës së 3-4. Ai merr pamje më të qartë, më kremoze dhe të yndyrshme. Në këtë fazë qumështi përmban më shumë sheqerna të domosdoshme për rritjen e indeve cerebrale, dhe yndyra që shërbejnë si burim energjie.
Qumështi përfundimtar vjen brenda 10 ditësh. Ai është tashmë më i lëngshëm dhe me shije më të ëmbël. Kjo pamje më e hollë e qumështit nuk duhet t’i bëjë nënat të mendojnë se qumështi i tyre nuk është më i ushqyeshëm. Qumështi i gjirit përmban të gjitha elementet e nevojshme në sasi dhe cilësi, dhe është i tretshëm. Ai përmban: 88 për qind ujë, proteina, yndyra, sheqerna, vitamina e kripëra minerale. Vetëm Qumështi i gjirit përmban lëndët apo trupëzat mbrojtëse.
Foshnja nuk ka nevojë për ujë
Për shëndetin më të mirë të foshnjës dhe të nënës, foshnjat duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri 6 muajt e parë të jetës
Sa i përket nevojave të foshnjës, mjeket rekomandojnë për nënat e tyre të dhëna për mirërritjen e tyre dhe disa këshilla, të cilat duhen pasur parasysh deri sa të miturit të kalojnë në fazën e dytë, atë të ushqimeve shtesë, pas 6 muajsh. Foshnja duhet të vendoset në gji brenda orës së parë pas lindjes sepse nxit lidhjen shpirtërore mes nënës dhe fëmijës, dhe nxit refleksin e thithjes. Asgjë tjetër nuk i duhet dhënë foshnjës përpara se të nisë të pijë gji. Foshnja duhet të ushqehet në bazë të kërkesës që ka, pra sa herë të dojë dhe aq gjatë sa të dojë foshnja. Sa më shumë të thithë fëmija, aq më shumë qumësht prodhohet. Në ditët e para foshnja mund ta kërkojë gjirin edhe 10 herë në ditë, por më pas do të stabilizohet në 6-7 herë në ditë, me interval 4 orë gjatë ditës dhe 8 orë gjatë natës. Të ushqyerit vetëm me qumësht gjiri nënkupton që foshnja të pijë vetëm qumështin e nënës dhe të mos pijë asgjë tjetër, as ujë. Qumështi i gjirit siguron të gjithë ushqimin dhe ujin për të cilin foshnja ka nevojë gjatë 6 muajve të parë.
Foshnja nuk ka nevojë për ujë, madje as në një ditë të nxehtë, pasi ujin e nevojshëm e merr nëpërmjet qumështit të gjirit. Nëse një foshnjë pi ujë, do të pijë më pak gji dhe do të jetë më pak i mirëushqyer. Foshnja duhet të ushqehet në njërin gji deri sa ta ketë zbrazur atë, në mënyrë që foshnja të marrë edhe qumështin e fundit që ka kalori më të larta. Kjo është e rëndësishme pasi në fillim të pirjes së gjirit, ai është i pasur në ujë dhe sheqer, për të qetësuar urinë dhe etjen e të miturit, më pas pasurohet me proteinat që shërbejnë për t’u rritur, dhe vetëm në fund me yndyrat që janë burim energjie. Pra fëmija nuk duhet të humbasë asnjë nga këto përbërës të gjirit. Ushqyerja me gji është zakonisht energjike në 5 minutat e para dhe më pas, bebi bën një pushim që nuk zgjat më shumë se 20 minuta. Nëse fëmijën e zë gjumi për një kohë më të gjatë se 4-5 orë, nuk duhet zgjuar për ta ushqyer. Kur nëna është sëmurë, fëmija nuk duhet të largohet prej saj pasi qumështi i gjiri mbron foshnjën nga infeksioni. Nëse është e mundur foshnja nuk duhet të ushqehet artificialisht. Të ushqyerit artificial çon në një inteligjencë më të ulët, shëndet më të dobët për foshnjën dhe rreziqe shëndetësore për nënën. Të ushqyerit me gji duhet të vazhdojë deri në dy vjeç e sipër, pasi qumështi i gjirit ndihmon foshnjën të luftojë sëmundjet. Ai është burimi i vetëm për marrjen e trupëzave mbrojtëse. Fëmijët duhet të ushqehen me gji dhe me ushqime shtesë pas 6 muajve. Qumështi i gjirit mund të sigurojë gjysmën ose pjesën më të madhe të nevojave ushqyese të foshnjës nga 6 deri në 12 muajsh, dhe 1/3 ose më shumë të foshnjës nga 12 – 14 muajsh.
Këshilla për ju nëna që ushqeni me gji
Në periudhën e paslindjes, nënat duhet të tregojnë kujdes në sjelljet e tyre, duke shmangur pirjen e duhanit, apo konsumin e alkoolit dhe kafesë. -Përdorni sa më shumë ujë dhe ushqime të lëngshme, pasi 87 % e qumështit të gjirit përbëhet nga uji. -Për të prodhuar 700-800 ml qumësht në ditë duhet të shtoni 500 kkal. -Dieta juaj duhet të jetë e shumëllojshme dhe e ekuilibruar. Ju duhet të ushqeheni shpesh dhe pak, sa herë ushqeni fëmijën tuaj, 6-7 herë. Kujdes higjienën e duarve, të cilat duhet të lahen me ujë dhe sapun, dhe atë të gjinjve që duhet të lahen vetëm me ujë. -Shmangni pirjen e duhanit, nikotina e irriton dhe e lë pa gjumë fëmijën. -Pakësoni konsumin e alkoolit, kafesë dhe pijeve të tjera të ngjashme; ato kalojnë në qumështin e gjirit dhe japin efekte negative te fëmija. -Kujdes me përdorimin e medikamenteve; edhe në sasi minimale ato kalojnë në qumështin e gjirit.
Ushqyerja me gji, një fitore për jetën
11-13 për qind e të gjitha vdekjeve te fëmijët nën moshën 5 vjeç, mund të parandalohet nëse ata ushqehen vetëm me qumësht gjiri për 6 muaj. Raporti i i vitit 2012, për fëmijët në botë, vuri në dukje se nga 134.6 milion foshnja të lindura, vetëm 37 për qind e tyre ishin ushqyer me gji në 6 muajt e parë të jetës. Mesazhi i Aleancës për Veprim në Ushqyerjen me Gji thekson se ushqyerja ekskluzivisht me gji (vetëm me qumësht gjiri dhe asgjë tjetër) në 6 muajt e parë të jetës është shumë e rëndësishme. Të dhënat tregojnë se ushqyerja me gji është një nga mënyrat më efektive për të parandaluar vdekjen e foshnjave.
Ushqyerja me gji luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve, si dhe në shëndetin e nënave. Gjithashtu, 6 për qind e vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç mund të parandalohen me një ushqim të plotësuar shtesë në kohën e duhur, të sigurt dhe të përshtatshëm. Foshnjat që nuk janë ushqyer me qumësht gjiri kanë një rrezik 7 herë më të madh që të vdesin nga diarreja dhe 5 herë nga pneumonia, krahasuar me foshnjat të cilët janë ushqyer vetëm me gji. Gjithashtu, vetëm 60 për qind e foshnjave e kanë filluar ushqimin plotësues në moshën 6-9 muajsh. Kjo tregon se miliona foshnjave u është filluar ushqyerja plotësuese ose shumë herët ose shumë vonë. Ushqyerja me gji sa më herët dhe vetëm me gji përmirëson kujdesin ndaj të porsalindurit dhe redukton vdekshmërinë neonatale, e cila është një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë foshnjore.
Përfitimet afatgjata në shëndetin e fëmijëve
Ushqyerja me gji tek fëmijët përveç përfitimeve shëndetësore të menjëhershme jep edhe përfitime shëndetësore përgjatë jetës. Të rriturit të cilët janë ushqyer me gji shpesh kanë presionin e gjakut të ulët dhe kolesterol më të ulët, gjithashtu kanë dhe nivele të ulëta të mbipeshës, obezitetit dhe diabetit të tipit 2, krahasuar me ata të cilët nuk janë ushqyer me qumësht gjiri. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit të cilët janë ushqyer me gji kanë dhënë rezultate më të mira në testet e inteligjencës.
Faza e futjes së ushqimeve plotësuese
Ushqyerja me formulë për foshnjat nuk përmban antitrupat të cilët janë në qumështin e gjirit, dhe është e lidhur me disa rreziqe si sëmundjet me origjinë nga uji, si rrjedhojë e përzierjes së pluhurit të qumështit me ujë jo të sigurtë. Kequshqyerja mund të shkaktohet edhe nga mbihollimi i qumështit me formulë. Për të plotësuar nevojat në rritje të foshnjave kur ato bëhen gjashtë muajsh duhet të fillohen ushqimet plotësuese, por ushqyerja me gji duhet të vazhdojë. Ushqimet për fëmijën mund të përgatiten posaçërisht për të, ose të modifikohen nga ushqimet e familjes. OBSH vë në dukje se: Ushqyerja me gji nuk duhet të pakësohet në momentin që fëmijës i fillohet edhe ushqyerja plotësuese. Ushqimet plotësuese duhet të jepen me lugë ose gotë dhe jo me shishe. Ushqimet duhet të jenë të pastra, të sigurta dhe në dispozicion.
Komentet