Më 25 mars, Bashkimi Europian shënon 60 vjet nga nënshkrimi i Traktateve të Romës, hapi i parë drejt një Europe të bashkuar. Që prej lindjes së komuniteteve europiane në vitin 1957, qytetarët e shteteve anëtare kanë gëzuar gjashtë dekada paqeje, mirëqenieje dhe sigurie të panjohura më parë.
Kontrasti me gjysmën e parë të shekullit XX, nuk ka si bëhet më i madh. Dy luftëra katastrofike në Europë në periudhën midis vitit 1914 dhe 1945 lanë miliona të vdekur dhe një kontinent të shkatërruar, të përçarë dhe të rraskapitur. Për vendet që kishin qenë në luftë për një kohë të gjatë, integrimi europian ka qenë projekti më i suksesshëm i paqes në histori.
Nga një marrëveshje ekonomike mes gjashtë vendeve, Bashkimi Europian është bërë një fuqi jetike për ruajtjen dhe forcimin e rendit global. BE-ja është investitori kryesor në pjesën më të madhe të globit. Ne investojmë më shumë në bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihmën humanitare se e gjithë pjesa tjetër e botës së bashku. Bashkimi Europian është dhe do të vazhdojë të jetë një fuqi e fortë, bashkëpunuese dhe e besueshme. Partnerët tanë në botë dhe këtu në Shqipëri e dinë se çfarë përfaqësojmë ne.
Në 60 vjet projekti europian jo vetëm që ka sjellë prosperitet dhe paqe në kontinent, por ka ndryshuar edhe jetën e përditshme të europianëve. Traktati i Romës krijoi një treg të përbashkët, ku njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitali mund të lëviznin lirisht. Ai i ka përmirësuar kushtet e jetesës dhe punës së qytetarëve, dhe ka reduktuar diferencat ekonomike mes rajoneve. Europianët kanë krijuar lidhje jetëgjata me njëri-tjetrin dhe mund të udhëtojnë, të studiojnë dhe të punojnë përtej kufijve kombëtarë. 6.5 milionë europianë punojnë aktualisht në një tjetër shtet anëtar të BE-së. 1.7 milionë europianë kalojnë çdo ditë kufirin për të punuar në një tjetër shtet anëtar. Programi “Erasmus”, që kremton gjithashtu përvjetorin e tij të 30-të këtë vit, ka sjellë përfitime për më shumë se 9 milionë europianë të rinj.
Shëndeti dhe mjedisi i qytetarëve europianë është përmirësuar gjithashtu masivisht. Sot qytetet europiane kanë nivelet më të ulë- ta të ndotjes në botë, kryesisht falë ndalimit të hershëm të ndotësve si plumbi në benzinë. Falë legjislacionit të BE-së përdorimi i qeseve plastike është reduktuar në mënyrë dramatike, me një ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë mbi ndotjen e deteve tona. 96% e plazheve europiane tani janë mjaftueshëm të pastër për të notuar.
Është shpesh shumë e thjeshtë që këto rritje të merren si të mirëqena nga brenda BEsë. Por këtu në Shqipëri, ku kaq shumë njerëz aspirojnë dhe meritojnë të njëjtat të drejta, mbrojtje dhe mundësi, ashtu si dhe qytetarët e tjerë të këtij kontinenti, suksesi dhe ambicia e projektit europian duken të jashtëzakonshme.
Historia e Bashkimit Europian është gjithashtu historia e marrëdhënieve të tij me vende partnere dhe sidomos me fqinjët e tij europianë. Me përparimin e Bashkimit Europian vendet e Ballkanit Perëndimor po e ndryshonin në mënyrë radikale historinë e tyre. BE-ja e ka ndihmuar tranzicionin e tyre që nga dita e parë dhe vazhdimisht ka afirmuar mbështetjen e vet të qartë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Në Shqipëri progresi ka qenë i jashtëzakonshëm. Lidhjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian kurrë nuk kanë qenë më të forta dhe vendi nuk ka qenë kurrë kaq afër bashkimit me familjen e BE-së. Siç u tha kohët e fundit, Përfaqësuesja e Lartë/zëvendëspresidentja, Federica Mogherini, studentëve të Universitetit të Tiranës: “Bashkimi Europian nuk do të jetë i plotë derisa gjithë Ballkani Perëndimor t’i bashkohet komunitetit”. Udhëheqësit e BE-së e kanë konfirmuar këtë njëzëri në fillim të këtij muaji. Dera për në BE-në është e hapur. Nëntorin e kaluar Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke pasur parasysh progresin në përmbushjen e pesë përparësive kyçe dhe në varësi të arritjes së rezultateve të prekshme dhe të besueshme në zbatimin e Reformës së Drejtë- sisë, e veçanërisht vetingut. Tani është koha që udhëheqja shqiptare të marrë përgjegjësitë e veta për zbatimin e reformave të orientuara drejt BE-së.
Në Shqipëri dhe kudo në botë, ndërhyrja europiane përpiqet për të drejtat e njeriut, zhvillim të qëndrueshëm, shoqëri përfshirëse dhe luftë kundër gjithë pabarazive. Ne përpiqemi për rregulla më të mira globale. Rregulla që i mbrojnë njerëzit nga abuzimi. Rregulla që zgjerojnë të drejtat dhe ngrenë standardet. Çfarëdo ngjarjesh që të sjellë e ardhmja, një gjë është e sigurt: BE-ja do të vazhdojë ta vendosë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, bashkëpunimin për zhvillim, të drejtat e njeriut dhe reagimin ndaj krizave humanitare në zemër të politikave të veta të zgjerimit, politikave të jashtme dhe atyre të sigurisë.
* Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri
ZONJA E NDERUAR ROMANA VLAUTIN JENI SHUME E RESPEKTUAR PER PUNEN E PA LODHUR QE BENI NE SHQIPERI PER TE ARDHMEN E NDRITUR TE VENDIT TONE JUVE ME AMBASADORIN DONALT LU JENI NISMETARET PER REFORMEN NE DREJTESI JU JEMI MIRENJOHES NE KUJTESEN E SHQIPTAREVE DHE DOKUMENTAT E ARSHIVUARA DO KUJTOHENI SI AMBASADORET ME TE RESPEKTUAR MIRENJOHJE. JU UROJ ME NJE SHQREHJE QE E PERDORIM NE SHQIPTARET: T U N J A T J E T A.
Vlahutini të shpjegoji për vilën si e bleu dhe Pse u futë në thesin e dyshimeve??
Kjo nanpunse ka humb të drejtën të përfaqsoji BE si dhe të merret me drejtsin!