VOAL

VOAL

6 Janari – Kalendari historik

January 6, 2016

Komentet

Hani i Elbasanit, historia e ndërtesës 350-vjeçare! Një monument i trashëgimisë kulturore

Hani i Elbasanit është Monument Kulture, Kategoria I dhe një nga hanet më të rëndësishëm historikë të qytetit të Korçës.

 

I njohur gjerësisht si Hani i Pazarit, ndërtesa është qindravjeçare. Ajo u ndërtua rreth vitit 1800 nga tregtarë elbasanas dhe ndodhet në krahun e djathtë të rrugës kryesore që të çon tek Pazari i Vjetër i Korçës. Me arkitekturë të pasur dhe detaje dekorative unike, ky han ruan vlerat e së kaluarës duke ofruar mikpritje për vizitorët si një hotel ku gërshetohet tradicionalja me modernen.

Ky monument kulture është i llojit “Arkitekturë”, miratuar në qershor të vitit 1973, i tipologjisë “han”. Hani është një ndërtesë dykatëshe, me lartësi rreth 7 metra. Në të ndodhet një oborr nga ku shpaloset ballkonada e hanit. Në katin e sipërm janë odat e fjetjes. Gjithë ballkoni i katit të dytë përbëhet nga shumë kolona dhe parmakë druri. Në katin e sipërm odat e fjetjes nxjerrin dyert në galerinë e hapur që i paraprin, ndërsa disa nxjerrin edhe dritaret e tyre. Lartësia e objektit është rreth 7m.

HISTORIA

Teksa hyn në Pazarin e Vjetër të Korçës, nuk ka se si të mos bjerë në sy një nga ndërtesat me të bukura. Askush nuk i reziston dot tundimit që të ofron “Hani i Pazarit”, ndërtesa 350- vjeçare. Ky han është restauruar tërësisht për herë të parë pas periudhës së diktaturës. Por përsëri elementet tradicionale në stil dhe arkitekturë janë ruajtur me besnikëri. Me një hapësirë prej 730 metra katrorë. Deri vonë kjo ndërtesë ka mbajtur emrin “Hani i Elbasanit” pasi në të vinin shumë tregtarë nga ky qytet. Hani i Elbasanit është ndërtuar në krahun e djathtë të rrugës kryesore që të çon tek pazari i Korçës. Ai është me dy kate dhe ka një oborr të brendshëm, i cili është i rrethuar nga të gjitha anët me ndërtime. Në oborrin e kalldrëmuar ndodhet një pus i zakonshëm. Ky han ka një ndërtim tipik të haneve.

Kati përdhe është i mbyllur, ai ka shërbyer për mbajtjen e kuajve. Në katin e sipërm ndodhen dhomat e fjetjes ose odat. Pjesa ballore e katit përdhe e ka pamjen nga rruga kryesore, në të cilën ndodhen dyqanet. Në të dallohen dy faza ndërtimi që janë të ndryshme për nga materialet e përdorura, teknika e ndërtimit dhe trajtimit arkitektonik. Në katin përdhe ka një radhë të ndarash, të theksuara nga pilastra guri që përfundojnë me kapitele, mbi të cilat ngrihet korniza ndërmjet kateve. Secila ndarje ka hyrje më vete dhe dritare me pamje në oborr, të mbuluara me qemerë cilindrikë. Dyert e dritaret kanë korniza guri të gdhendura e në hapësirën midis tyre ka zgara hekuri dhe kanate metalike. Mbi të ngrihet kati i sipërm, me galeri të hapur e oda. Kati përdhe i ndërtimit të fazës së dytë ka tipare të tjera, kurse kati i sipërm ka të njëjtin kompozim me pjesën tjetër të katit përdhe. Duke e krahasuar me hanet e tjera, nga ana e ndërtimit dhe dekorimit ky han është më i pasur, gjë të cilën e bën të dukshme edhe oborri i tij. Çdo kush që do ta vizitojë këtë han, do ta ketë të vështirë ta harrojë dhe të pamundur mos të kthehet më./Gazeta Panorama

Ndarja e Shqipërisë mes Greqisë e Serbisë dhe Konferenca e Paqes në Paris, dokumenti i 1946! Mbrojtje djallëzore e ministrit jugosllav?!- Nga Prof. dr. ELMAS LECI

 

Dy anonçimet e mëposhtme, bërë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946, flasin shumë për pazaret mbi Shqipërinë. Pijade, ministër i Jashtëm i Jugosllavisë: ”Grekët sapo na kanë bërë propozimin, për ta ndarë Shqipërinë mes nesh si Jugosllavi dhe atyre si Greqi” dhe nxori dokumentin e firmosur nga Kryeministri grek Kaldaris prezent aty në Konferencën e Paqes.

Kaldaris, Kryeministër i Greqisë: ”Nga ky podium, ju shpalos një faksimile të vitit 1940, ku Presidenti i Shqipërisë Omer Nishani i bënte thirrje rinisë shqiptare për t’u futur në partinë fashiste e për të luftuar Greqinë”.

Në Konferencën e Paqes në Paris, e cila i filloi punimet me 29 korrik të vitit 1946 delegacioni shqiptar mundi të shkoi atje “me vonesë”, pasi në punimet e saj fillimisht Shqipëria nuk ishte ftuar fare dhe arsyet e atij trajtimi nuk u sqaruan asnjëherë nga treshja e Koalicionit Antifashist. Që në fillim delegacioni shqiptar u përball me akuzat e grekëve se Shqipëria ishte sjellë ndaj tyre si një vend agresor, për ekzistencën e ligjit të luftës e nga këto Shqipëria nuk mund të konsiderohej një vend aleat.

Presioni i jugosllavo-sovjetikëve bëri të mundur që më 20 gusht të vitit 1946, Enver Hoxha nga pozicioni i ministrit të Jashtëm (funksion që edhe e mbante krahas atij të Kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë), të shkonte në Konferencë. Udhëtimi u bë me linjën ajrore nga Beogradi, ku e priste Tito, nga i cili do të merrte “udhëzimet” e fundit se “si duhej të sillej në Konferencë”. Siç thotë në kujtimet e tij Myftar Tare, në atë kohë zëvendës ministër i Brendshëm e Shef i Zbulimit të Jashtëm, në rastin konkret për Konferencën i mbuluar si Sekretar Personal i Enver Hoxhës, “ndalesën e parë e bëri në Beograd. Nga Tirana na mori avioni personal i Titos dhe pasi arritëm në Beograd, bëmë edhe një fluturim për në Bled, një zonë turistike në Slloveni, ku na priste vetë Tito. Në atë takim Tito shoqërohej nga Aleksandër Rankoviçi (asokohe zëvendëskryeministër) dhe Vukmanoviç Tempo (anëtari i Byrosë Politike, ish-misionar i Jugosllavisë në Shqipëri). Bisedimet zgjatën rreth dy orë, ku Tito e instruktojë Enverin, (përse-ja do dalë ne vijim) se si të fliste për të rihyrë në radhët e fituesve të luftës”.

Pavarësisht se Enver Hoxha nga Bledi shkoi edhe në Pragë ku u takua me Gotvaldin duhet thënë se parapërgatitjet e Enver Hoxhës për në Konferencë, kryesisht u bënë nga Tito dhe po ashtu duhet theksuar se roli i Enver Hoxhës në Konferencë ishte vetëm i atyre gjërave që i tha Tito, d.m.th. rol i tij ishte ai i “suflerit”, konkluzion që e ka dhënë në studimin e tij për Konferencën e Paqes edhe historiani i mirënjohur shqiptar Kristo Frashëri, i cili ka shkruar se “Enver Hoxha në Konferencë nuk pati asnjë rol”.156)

“Gjithsesi ne na u desh, – ka treguar Myftar Tare – të bënim përgatitjet tona. Zyrtarisht në Konferencën e Paqes në Paris, nuk isha pjesë e delegacionit, por ndihmës i Enver Hoxhës Sekretar Personal i tij, së paku ky ishte statusi me të cilin u paraqita para organizatorëve të Konferencës, ndërsa në fakt kryeja detyrën e Shefit të Zbulimit të Jashtëm të Shqipërisë. Me sa dukej, funksioni e kërkonte të isha i pranishëm në këtë veprimtari të rëndësishme. Urdhrin për të qenë pjesë e delegacionit shqiptar për në Paris, mua ma komunikoi vetë Enver Hoxha në zyrën e tij në Tiranë. Unë aty mësova se me grupin tonë do të ishin edhe dy të tjerë, Vaskë Koleci, i cili në atë kohë ishte jo vetëm zëvendësministër i Brendshëm por edhe Kryetar i Sigurimit të Brendshëm të Shtetit dhe Shefqet Musarai, që ishte gazetar i “Zërit të Popullit”. Pavarësisht funksioneve që mbanim ne të dy zëvendësministra të Ministrisë së Brendshme unë dhe Vaska, do të paraqiteshim si shoqërues të Enver Hoxhës, unë edhe si Sekretar Personal, ndërsa Shefqeti do të vazhdonte profesionin e vet të gazetarit.

Përzgjedhja e kreut të Zbulimit dhe Kundërzbulimit të Shtetit tonë në përbërje të delegacionit shqiptar, kishte të bënte me shmangien e çdo kontakti me një kategori njerëzish emigrantë politikë e nacionalistë të shquar shqiptarë, të cilëve partizanët e Enver Hoxhës u kishin vënë pushkën dhe i kishin zbuar nga Shqipëria, ku bënin pjesë krerë të rëndësishëm kundërshtarë të regjimit etj.. P.sh. çështja e Sadik Premtes vlerësohej si më e rrezikshmja. Vetë Enveri ishte shumë i shqetësuar për lëvizjet e tij atentatoriale. Falë bashkëpunimit me “të zotët e shtëpisë”, Sadik Premtja për “arsye zyrtare” ato ditë e transferuan në një provincë se ndryshe Enveri nuk mund të futej në sallën e Konferencës. Aq në frikë ishte Enveri nga Sadik Premtja sa vetë pyeste herë pas here se çfarë ndodhte me të?!

Situata në seancën e 21 gushtit 1946, kur Enver Hoxha mori pjesë në Konferencë ishte e ndezur. Grekët përmes denoncimeve e kishin kthyer çdo gjë në favor të tyre. Protagonist i këtij revanshi ishte bërë vetë Kryeministri i Greqisë, Kostandin Kaldaris. Në krye të herës, ai kishte pohuar se në fillim të shekullit XX -të ka pasur një traktat të nënshkruar nga kryeministri grek Teotokis dhe ai shqiptar Ismail Qemali, që ia kalonte Vorio-Epirin Greqisë. Në vijim, Kaldaris artikuloi edhe një mori akuzash, sipas të cilave Shqipëria kishte bashkëpunuar hapur me fashizmin për pushtimin e Greqisë. Kaldaris bëri edhe akuza të drejtpërdrejta për personalitetet e larta të regjimit komunist shqiptar, madje edhe për bashkëpunëtorët e ngushtë të Enver Hoxhës. Në përgjigje nga tribuna e Konferencës Enver Hoxha sipas “porosisë së Titos” e kundërshtoi grekun, por, siç thonë dokumentet dhe studiuesit e arkivave, ai ato i bëri pa shumë argumente, por vetëm në mënyrë propagandistike e jo bindëse.

Fill pas tij e morën fjalën përfaqësuesit e vendeve të Bllokut Lindor, veçanërisht Jugosllavi Pijade, që sipas porosisë së Titos solli në Konferencë argumente shkatërruese kundër grekëve. “Jam këtu, -deklaroi Pijade, -t’ju bëj me dije se deri ku shkon agresiviteti grek ndaj shqiptarëve. Grekët ndjekin një politikë karakterizuese të monarkive ballkanike. Këto ditë – vijoi në diskutimin e tij Pijade, – grekët na kanë bërë propozime tepër interesante ku del hapur hegjemonizmi i tyre (dhe nxori dokumentin e firmosur nga Kaldaris), për ta ndarë Shqipërinë mes nesh si Jugosllavi dhe atyre si Greqi. Madje propozimi na është bërë drejtpërdrejt nga z. Kaldaris (Kryeministri), që i la të gjithë pa frymë”.

Përse e bëri Pijade ministri i Jashtëm jugosllav këtë punë dhe nuk e bëri ministri i Jashtëm sovjetik, i një vendi të madh siç qe Bashkimi Sovjetik dhe me një autoritet të madh si fitues i Luftës së Dytë Botërore?! Lidhur me këtë pyetje të natyrshme na vijnë në ndihmë jo vetëm dëshmitë, por edhe deduksionet se “a vërtet jugosllavët e deshën Shqipërinë”?! Jo, jo, tjetërkund ishte e vërteta. Tito kërkonte “njohjen dhe mbrojtjen” e Shqipërisë, pasi një Shqipëri e njohur dhe e mbrojtur me një akt ndërkombëtar siç do bënte Konferenca e Paqes, do të ishte më i lehtë “gllabërimi” i dhënë nga Stalini.

Këto gjëra dalin sheshit nga dokumentacionet e pas Konferencës së Paqes, ku në një bisedë të gjerë me të dërguarin jugosllav në Tiranë Josif Gjergjia, Enver Hoxha i kishte deklaruar se “në Paris ishte takuar edhe me Molotovin (ministrin e jashtë sovjetik), i cili i kishte thënë se “mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë qëndronte Jugosllavia dhe me të, duhet që marrëdhëniet të ishin sa më të mira”.

Për takimin, Gjergjia në nëntor të vitit 1946 i shkruan një informacion të posaçëm Titos, duke i cilësuar atij se “Enver Hoxha është kthyer nga Parisi me mendime më të qarta, për atë se si duhet të jenë marrëdhëniet e ardhshme me Jugosllavinë”. Kjo lidhet edhe me atë që Molotovi i kishte thënë Enver Hoxhës në Konferencën e Paqes në Paris, “që politikën e jashtme të Shqipërisë e drejtonin jugosllavët”, gjë që del e qartë edhe nga propozimi i jugosllavëve që “Shqipëria të mos kishte përfaqësi diplomatike (ambasada) të vetat jashtë vendit, por të përfaqësohej prej përfaqësive të Jugosllavisë”. Këtë, vetë Enver Hoxha e pranon edhe në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë në prill të vitit 1946, ku për këtë çështje ai thotë se “jugosllavët na kanë propozuar që kudo ku ata kanë përfaqësi diplomatike, të kemi edhe ne një përfaqësues tonin pranë atyre përfaqësive, për t’i ndihmuar ato në kërkesat tona e për të bërë punën tonë. Ne e kemi pranuar këtë propozim të jugosllavëve”./Gazeta Panorama 

Adem Gjurra, nacionalisti që u përball me pushtuesit, regjimin komunist të Tiranës dhe Beogradit! Kush e ndihmoi të largohej nga Jugosllavia në Itali e më pas në SHBA

MINA HYSA


Adem Gjurra ka lindur në Reç të Dibrës më 13 mars 1912. Ishte i biri i Hysen (Shaban) Gjurrës e Zahide Vladit. Në Shqipëri ishte i martuar me Xhevahire Markun me të cilën pati 6 fëmijë dhe vetëm dy i jetuan, Ismail Gjurra dhe Sali Gjurra, ndërsa jashtë u martua me Milica Risiçin, me të cilën ka një vajzë, Afërdita Gjurrën. Vdiq më 6 janar të vitit 1985 në SHBA dhe nuk e pa më atdheun dhe familjen që la në Shqipëri pas arratisjes. Adem Gjurra shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen e mbaroi me korrespondencë rreth vitit 1931 në Peshkopi. Shkollën e nënoficerëve (të ushtrisë) e mbaroi në vitin 1932, por për arsye të mungesës së buxhetit shtetëror s’pati vend për aspirantët e rinj për t’u veshur ushtarakë. Në janar të vitit 1933, Adem Gjurra u regjistrua në shkollën e nënoficerëve të Xhandarmërisë Mbretërore. Pas disa muajsh shkolle në Durrës, më shumë se 30 studentë me rezultatet më të mira u dërguan me detyrë në Shkodër për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. U diplomua me sukses ndër më të mirët mes 100 të diplomuarve. Fitoi të drejtën e nënoficerit të xhandarmërisë, por shteti sërish nuk kishte buxhet për rroga të gradave të reja. I bënë thirrje që të pranonte gradimin edhe rrogën si xhandar, por me detyrë të nënoficerit. Shumica refuzuan, kurse Adem Gjurra dhe rreth 30 të tjerë pranuan për të qenë në shërbim të shtetit. U dërguan nëpër rrethe të postëkomandave në të gjitha anët e Shqipërisë. Shërbeu në Malësinë e Shkodrës, Dibër, Gjirokastër, Labëri, Dukagjin etj. Gradimet erdhën me radhë deri tek grada më e lartë, “Toger”.

ROLI I ADEM GJURRËS NË PUSHTIMIN E ITALISË NË VITIN 1939

Në vitin 1939, kur Italia sulmoi Shqipërinë, Adem Gjurra e marshall Isuf Jashari me 40 xhandarë e rreth 200 civilë nga Luma e Dibra u nisën për në Tiranë. Arritën në Krujë natën dhe u takuan me kapiten Shukri Baftjarin dhe nën komandën e tij u nisën për në luftë. Pas disa orësh arritën në kala të Prezës, ku u takuan me major Çaush Bashën dhe kontingjentin e Akademisë së Burrelit. Aty mësuan se Mbreti u detyrua të linte vendin. Oficerë të lartë dhanë urdhra të Mbretit që të mos krijoheshin lëvizje pa miratimin e tij, se do të sigurohej ndihma ushtarake e materiale për kombin nga jashtë. U kthye në vendlindje edhe thirri krerët e fiseve Reç, Dardhë, Lurë, Arraz, Arrën etj., e për konsultim dhe u takua me Muharrem Bajraktarin e me Cen Elezin e më vonë me kapiten ushtrie Qazim Lushën duke krijuar rrjetin e rezistencës. Pritnin lajmin për ndihmë nga jashtë dhe rikthimin e Mbretit, por ai nuk erdhi. Ademi filloi një përgatitje përmes propagandës se kishte çuar fjalë Mbreti të dilnin në Greqi për të marrë ndihma për luftë e kjo me shpresën se do të gjenin ndihmë nga aleatët, nëse e kalonin kufirin.

IKJA NË GREQI, DËNIMI 3 HERË ME VDEKJE DHE 1 HERË BURG PËRJETË

Në nëntor të vitit 1940, Adem Gjurra u nis nga Korça për Greqi me 40 shokë, oficerë, nënoficerë, xhandarë. Në kufi u përplasën me forcat italiane e disa shqiptarë dhe pas një përplasje me armë zjarri e thyen frontin dhe u bashkuan me ushtrinë greke e disa aleatë. Grekët i trajtuan në fillim si heronj, por pas 2 ditësh u erdhi një grup nga Athina dhe i morën duke u thënë se do t’u siguronin kushte më të mira dhe të duhurat për rikthimin në Shqipëri. Rezultoi një mashtrim, pasi disa orë më vonë grekët i arrestuan dhe i dërguan në kamp si robër lufte në Kretë. Në fund të qershorit të vitit 1941, gjermanët e pushtuan Kretën. Grekët ikën edhe e lanë Ademin dhe shokët në duart e gjermanëve. Ata, sa panë se kush ishin, se e morën në dorë dokumentacionin e kampit, i dërguan në Itali për gjyq ushtarak. Italia i dërgoi në Shqipëri. Në gjyq dolën me dënime tri herë me vdekje e një herë burg përjetë. Ata ishin Adem Gjura, Mustafa Imeri (Pukë), Idris Sadiki (Tropojë), Cerim Verediki (Korçë), Gaço Sotiri (Korçë), si udhëheqës të lëvizjes. I torturuan në burg, duke u përgatitur për t’i pushkatuar; çdo ditë i linin në këmbë tek porta e oborrit të pushkatimit duke pritur “radhën” e në mbrëmje i çonin prapë në birucë. Avokati shqiptar mendoi dhe sugjeroi të merrnin një avokat italian (një mik të rinisë së tij me lidhje të forta tek ushtarakët), por do t’u kushtonte shumë. Familjet e të burgosurve, mes tyre dhe Adem Gjurra, shitën tokë, pasuri dhe plotësuan vlerën rreth 1200 lira ari. U paguan oficerët e Lartë të Gjykatës dhe të burgosurit shpëtuan jetën, por me humbje të të drejtave civile.

KTHIMI NË REÇ, LUFTA PËR LIRINË E SHQIPËRISË DHE REFUZIMI I OFERTËS KOMUNISTE

Pasi i shpëtoi pushkatimit dhe burgimit përjetë, Adem Gjurra u kthye në vendlindje i sëmurë. Kur u përmirësua, doli në mal. Luftoi kundër forcave gjermane në shumë beteja dhe sipas librit të shkruar për Cen Elezin, Ademi u dallua si luftëtar i zoti. Ademi ishte edhe në Konferencën e Mukjes si përfaqësues i grupeve të arratisurve të Dibrës e të Lumës. Në shtator të vitit 1944, forcat komuniste filluan një operacion të fortë në Lumë e në Dibër duke ekzekutuar mjaft nacionalistë, ndaj Ademit i duhej të vendoste. Rreth fundvitit i erdhi urdhri nga Tirana për të qenë pjesë e administratës së qeverisë së komuniste. Dy oficerë e dy civilë shkuan në Reç dhe i dorëzuan urdhrin të paraqitej në Shkodër brenda 10 ditësh e të merrte postin inspektor i Arsimit për Shqipërinë e Veriut. Duke ditur se kjo ishte një taktikë komuniste, Ademi e refuzoi me argumentin se ishte i lodhur nga lufta dhe i duhej të kujdesej për familjen.

VUAJTJET E FAMILJES GJURRA DHE SULMI I ADEMIT NDAJ KOMUNISTËVE NË 1945

Pas refuzimeve të njëpasnjëshme të Adem Gjurrës, iu lutën sërish duke i çuar njerëz nga Tirana duke i thënë në formë kërcënimi: “Je me ne apo kundër nesh?”. Ademi gjeti si justifikim shëndetin dhe u kërkoi 3 muaj afat. Në vitin 1945 shkoi tek Ademi për strehim Muharrem Bajraktari me një grup prej 50 veta, i përbërë nga të arratisurit nga Veriu, por edhe disa nga Kosova. Duke pasur një mbështetje të fortë në vendlindje i strehoi dhe u siguroi bukë, veshmbathje e armë. Por një grup aq i madh nuk kaloi pa ra në sy, nga ata që ishin me qeverinë. Pasi i përcolli të strehuarit e Muharrem Bajraktarit, Ademi doli në mal me disa shokë dhe kushëririn e vet, Shaban Gjurrën. Komunistët e mbushën Reçin me ushtri e polici, ku pati edhe përplasje me armë, si beteja e Koziakut, por Adem Gjurrën nuk e kapën. Pas disa javësh luftë i rrethuan familjen dhe shtëpinë e dogjën, pasurinë ia konfiskuan, i prenë një shumicë të madhe bagëtish edhe i lanë të mos i prekte kush për ta treguar si shembull. Familjet e Ademit dhe Shabanit i çuan në internim në Berat. Atje vdiq djali i Ademit, Skënderi e dy vajza të vogla të Shabanit. Dy fëmijë të tjerë vdiqën më vonë te shtëpia (pasi u liruan nga kampi).

AKTIVITETI NË ARRATI DHE ARRATISJA NË GREQI

Gjatë qëndrimit në mal, Ademi Gjurra ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e të arratisurve: Thark (maj 1945), Bresht të Oroshit (fund i qershorit – 18 korrik), Lurë, ku ka përfaqësuar shumë grupe, si për shembull: të Mehdi Ndreut, Qazim Lushës, si edhe të Reçit e të Dali Meçit, Sali Shehut dhe shumë grupe të tjera të vogla e të mëdha. Në fund të korrikut 1946, Adem Gjurra mori kërkesë nga Muharrem Bajraktari të bashkoheshin për të kaluar kufirin për Greqi, sepse shokët nuk niseshin pa Ademin. U takuan në Kolosian te Lera e Sorrave më 18 gusht dhe u nisën me datë 25 gusht. U bënë 56 vetë nga Shqipëria dhe Kosova. Rreth datës 5 shtator, gabimisht ranë në Maqedoni ku u përplasën me armë për dy ditë e net. U ndanë dhe u bashkuan natën e parë. Vendosin dhe provojnë për të kaluar natën e dytë pa zhurmë dhe pasi ecën deri diku, panë se vendi ishte me ushtri. E në luftë e sipër u ndanë dy grupe për dy drejtime, me shpresën se do të shiheshin matanë kufirit. Ato dy ditë u vranë 27 shokë ishin dhe Nebi Seda nga Arrni, Lum e Haxhi Agaj nga Puka nga grupi i Ademit. Përfundimisht kaluan në Greqi me shumë humbje në shokë dhe plot dhimbje. Me disa shokë që u ndanë atë natë, u takuan më vonë në një kamp. U dorëzuan edhe u dërguan nëpër kampe rajonale, ku vuanin shumë edhe për bukë. Në kampin e Haxhi Qiriakos kaluan pak më mirë. Ademi me shokët: Myftar Spahija, Hysen Salku, Sejdi Bajo, Hysen Terpeza, Fiqiri Dina organizuan Lëvizjen Monarkiste në Greqi.

ADEMI CAKTOHET KRYETAR I RINISË PËR ANËTARËSIMET E LËVIZJES MONARKISTE

Adem Gjurra u caktua kryetar i Rinisë për anëtarësimet dhe zbatimin e programit. Në mars të vitit 1949, i dërguan tek shoqata humanitare në kampin “Santa Fara” në Bari të Italisë, atje ku jeta e përditshme u përmirësua. Në kamp, Ademin e punësuan si përkthyes edhe organizator i refugjatëve shqiptarë me një rrogë të vogël, të cilën e përdorte për nevoja të shokëve. Në pranverë të vitit 1950, u formua Komiteti “Shqipëria e Lirë”, organizatë që përfshinte e përfaqësonte të gjitha grupet nacionaliste edhe Mbretin Zog, me qendër në Romë. Kryesia u caktuan: Abaz Ermenji, Abaz Kupi, Mit’hat Frashri, Sait Kryeziu e pas vdekjes së z Frashërit, Hasan Dosti, sekretar u caktua Gaqo Goga. Kjo organizatë u krijua në marrëveshje me SHBA-në dhe Anglinë për stërvitje, materiale e transport, për një veprim për Shqipërinë e Lirë. Gjatë viteve të qëndrimit në Greqi dhe Itali, Adem Gjurra inkuadroi rreth 1000 anëtarë në organizatë që e mori emrin “Organizata Lëvizja e Legalitetit”. Në muajin maj, Gaqo Gogo u takua me Ademin edhe i shpjegoi situatën dhe e ngarkoi të rekomandonte shokë më të afërt për këtë organizim politik në shërbim të kombit. Ademi pati takime me drejtuesit e Komitetit, të cilët e autorizuan të zgjidhte 25 shokë për mision, ku njëri prej tyre ishte kushëriri Shaban Gjurra.

NË VITIN 1950 DËRGOHEN NË GJERMANI SI PJESË E “KOMPANISË 4000” DHE MISIONI NË SHQIPËRI

Në qershor 1950, i dërguan në Gjermaninë Perëndimore në një kompani ushtarake amerikane në afërsi të Munihut, që quhej “Kompania 4000”. U formuan tri toga, Legaliteti, Balli Kombëtar dhe të Pavarurit e Sait Kryeziut. Adem Gjurra u caktua zv.komandant i togës së Legalitetit, me detyrë oficer roje i objekteve të ushtrisë amerikane në Gjermani, për faktin se kishte pasur eksperiencë, sepse kishte qenë në xhandarmëri në kohën e Mbretit Zog. Bashkë më shokët, pas disa muajsh kanë ardhur dhe i kanë hipur në makinë, nuk ka pasur as paralajmërim, duke i çuar në stërvitje për t’u përgatitur në 2-3 vende. Brenda kompanisë gjërat personale të tyre janë sekuestruar, i kanë magazinuar me çelës, sepse këta do të ishin njerëz pa dokumente ku do të shkonin. Gjatë stërvitjes, Ademin e kanë caktuar komandant i personave në stërvitje. Ata stërviteshin nga amerikanët dhe anglezët, por me marrëveshje të plotë me Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Pas stërvitjeve janë ndarë në 4 grupe për t’u nisur për Shqipëri. Ademi ishte komandant i grupit të parë, por për arsye të ndryshme u caktua të ishte edhe kryetar i Misionit të Parë të organizuar prej Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe erdhi të luftonte për çlirimin e shqiptarëve nga regjimi komunist. Dy grupe u ndalën para desantimit. Të Dibrës e të Lumës vazhduan. Grupi i Ademit ishte caktuar për desantim në Martanesh, Dibër; me të u bashkua edhe Iljaz Toptani. Natën e 19 nëntorit të vitit 1950, ata janë lëshuar me parashutë teksa kanë rënë në pritën e komunistëve, duke qenë se ky mision rezultoi i tradhtuar nga Kim Filbi. Kur kanë rënë me parashutë, Xhetan Daci është vrarë duke rënë dëshmor, Selim Daci dhe Iljaz Toptani janë kapur të gjallë, kurse Adem Gjurra, i plagosur dy herë dhe Sali Dalliu pas një rezistence, kanë mundur të largohen nga vendi. Me ndihmën e popullit dibran ka mundur të shkojë deri në Reç, ku është takuar me pjesëtarë të familjes. Tek shtëpia e kushërinjve, Rexhep dhe Zenel Gjurra, dhe është mjekuar për t’u larguar sërish. Ushtria e policia zhvilluan operacion të ashpër në zonë, ku u vra kushëriri i Ademit, Rexhep Gjurra, dhe u burgosën e u torturuan shumë të tjerë, si dhëndri i Ademit, Maliq Qenani nga Arrëni. Ademi vendosi të kalonte kufirin që të lajmëronte Komitetin të mos vazhdojnë misionet, se ishin tradhtuar.

PAS OPERACIONIT TË “KOMPANISË 4000”, ADEMI LARGOHET NGA SHQIPËRIA, TORTUROHET NË BURGUN E SHKUPIT

Adem Gjurra, pas misionit të tradhtuar të “Kompanisë 4000”, e kaloi kufirin shqiptar në fund të dhjetorit të vitit 1950, me Sali Dalliun, ku i kapi roja kufitare jugosllave. Në fillim i trajtuan mirë dhe madje i mjekuan edhe këmbën e plagosur Ademit. I transferuan në burg të Shkupit që sipas Ademit ishte “Varri i shqiptarëve”. Atje filluan me pyetjet rreth arsyeve të kalimit të kufirit. Ademi kuptoi se i kishin fakte të misionit të “Kompanisë 4000” edhe u tregoi se kishin qenë me një mision kundër Enver Hoxhës. Jugosllavët i kërkuan të pranonte se ky plan e përfshinte edhe Jugosllavinë. Ademi nuk pranoi. E kërcënuan duke i thënë se dinin çdo gjë rreth tij dhe se do ta masakronin. Filluan torturat deri në drogim. Kur i dilte gjumi, e gjente veten në një tjetër birucë. Nuk kujtonte çfarë kishte kaluar. Duke e ditur se i hidhnin drogat në ushqim, refuzoi të hante, por ia hodhën në ujë e pa të nuk mund të rrinte. Vendosi të vriste veten një tentativë kjo që dështoi për fat.

LIRIMI NGA BURGU, MBAJTJA NËN SURVEJIM E INTERNIMI NË SHABAC TË SERBISË

Pas lirimit nga burgu Adem Gjurrën gjithmonë e mbanin nën survejim. Ademi lajmëroi Komitetin në mënyrë sekrete të mos çonin më misione në Shqipëri, por misionet fatkeqësisht vazhduan. Njëkohësisht autoritetet jugosllave haptas i kërkonin bashkëpunim, se gjoja ishte më i miri nga të tjerët, por Ademi ishte nacionalist dhe nuk e hante atë çorbë. Rreth fundit të vitit 1951, e dërguan në një spital për mjekim. Ishte spital psikiatrik, por atje ekzistonte një departament që merrej veç me kundërshtarët politikë, u torturua me drogë dhe korrent e gjithçka tjetër. Adem Gjurra kujton se ka pasur nacionalistë nga gjithë pjesa e Jugosllavisë. Aty futeshin kundërshtarë dhe dilnin të çmendur. Ademi u lirua pas një muaji e gjysmë. E lejuan të shkonte në Mitrovicë, Kosovë, me banim. E lavdëronin, e merrnin në tubime e mbledhje të kosovarëve. I ofruan Ademit t’i sillnin familjen në Jugosllavi, por ai refuzoi, se e dinte se do t’i përdornin t’i strehonin për bashkëpunim.

Për arsyet e mësipërme Adem Gjurrën e internuan në Shabac, një qytet në veri të Serbisë, pa popullatë shqiptare. Duke pasur një jetë nën presion më 28 shkurt 1954, Adem Gjurra u martua me Milica Risticin nga Shabaci, me lejen e familjes së saj. Më 15 janar 1955, i lindi një vajzë, Afërdita. Në mars të vitit 1955, Ademi me fëmijën e vogël, Afërdita vetëm 6- javëshe, bashkë me gruan iu dha leja të hynin në kampin Gerova në Slloveni për procesim të emigrantëve që dëshironin të linin Jugosllavinë. Ai ishte një kamp përqendrimi, rrethuar me tre rreshta tel të ashpër, me kasolle për ushtarë të armatosur; lagështirë, ftohtë, shumë pak ushqim. Ishin 80-100 vetë në një dhomë (ndërtesat kanë qenë kazerma ushtarake të shumë kohëve përpara).

Pas 5 muajsh i kthyen të gjithë personat me nënshtetësi jugosllave, Milicën e Afërditën. Adem Gjurra me familjen u strehua të prindërit e Milicës për pak kohë. Në fund të 1955- ës u detyruan të futeshin në një dhomë 3 me 3 metra në qytet, pjesë e ish-stallës së kuajve, ndërtuar me qerpiç të dobët. Kushtet ishin skandaloze. Ademi u sëmur dhe shkoi në spital, por prej andej doli më rëndë. Pas një kohe e diagnostikuan me TBC, sëmundje që nuk e pati kur hyri në spital në vitin 1956. Gjithmonë besonte se e kishin helmuar të UDB-së, që të vdiste nga sëmundje natyrale, se në këtë kohë nuk mund ta vrisnin më sepse Nuçi Kota, pasi u bë kryetar i Lëvizjes së Legalitetit, e regjistroi në shumë organizata edhe të OKB-së, në Komisionin për Persona në Rrezik për Arsye Politike, Kombësie ose Feje. Ademi ka qenë i kufizuar të lëvizte vetëm brenda qytetit. I thanë se po të zgjatej një hap më shumë, nuk e kishte jetën të sigurt. Jugosllavët do të gjenin një mënyrë ta vrisnin. Edhe në distancën 10 km për tek prindërit e Milicës, veç me leje të shkruar mund të shkonte, nëse e jepnin. Tek spitali nuk kishin të drejtë mjekët ta vizitonin, edhe nëse ishte në rrezik jete, pa autorizim nga policia dhe UDB-ja. Adem Gjurra ka vuajtur shumë me gjithë familje në Serbi. Shumicën e veshmbathjeve që u vinin nga SHBA-ja, i shisnin për qira, korrent, të paguante borxhet te dyqani etj.

KUSHËRIRI E NDIHMOI TË LARGOHEJ NGA JUGOSLLAVIA NË ITALI E MË PAS NË SHBA

Në vitin 1966, dikush bëri gabim te konsullata në Amerikë edhe i dhanë Shaban Gjurrës vizë për Jugosllavi. Sa u mor vesh në Shabac, e transportuan Ademin me familje në një banesë me një kuzhinë dhe një dhomë në periferi të qytetit, e cila kishte kushte të mira krahasuar me atë ku ishin. Shabani, kushëriri i Ademit, shkoi në Jugosllavi e bëri plane të vinte pas një viti ta ndihmonte Ademin për t’u larguar. Në vitin 1967, Shaban Gjurra shkoi sërish në Jugosllavi. U paguan disa zyrtarë dhe u gjet një pasaportë false për Ademin. U thanë të gjithëve se do të shkonin në bregdet me Shabanin edhe u nisën me tren. Në fillim të gushtit arritën në Trieste. I priti një mik, Zef Shyti, edhe i dorëzoi tek kampi për refugjatët. Atje qëndruan një muaj, u transferuan në kampin në Latina, ku qëndruan 5 muaj. Arritën në Nju-Jork më 6 shkurt 1968. Ademi punoi pak kohë dhe doli në pension sikurse gruaja e tij, Milica, pak më vonë. Vajza e Ademit, Afërdita Gjurra, në vitin 1977 mbaroi Universitetin e Qytetit Nju-Jork në degën e Antropologjisë dhe punoi në sektorin privat.

AKTIVITETI POLITIK I ADEM GJURRËS NË SHBA

Aktiviteti politik i Adem Gjurrës nuk pushoi kurrë. Ka vazhduar punën dhe lidhje politike me Abaz Kupin e me shokë të tjerë në SHBA. Ademi ka qenë mik dhe bashkëpunëtor i Gaqo Gogës, Xhemal Laçit, Fuat Myfties etj. Vazhdimisht ka qenë në kryesinë e Legalitetit në Komitetin Qendror të OKLL-së gati gjatë gjithë kohës. Në vitin 1976, dega Nju-Jork u shkatërrua gati e gjitha, po shuhej, dhe me urdhrin e Mretit Leka e mori Ademi edhe e ngriti fuqishëm si degë. Dëshira dhe puna e jetës e tij ka qenë të njihen sakrificat e anëtarëve të “Kompanisë 4000”; ata që u vranë, u kapën, u torturuan, edhe të gjitha familjet e tyre kanë vuajtur shumë. Për fat, kjo ndodhi me dekorimin që Presidenti Nishani i bëri “Kompanisë 4000”. Adem Gjurra është takuar me Mbretin Leka shumë herë. Ka marrë pjesë dhe ka kontribuar tek shoqata shqiptaro-amerikane “Vatra”, në hapjen e xhamisë së parë të komunitetit në Nju-Jork, ka kontribuar për Legalitetin dhe mbrojtjen e kosovarëve të burgosur nga shteti jugosllav etj. Ka kontribuar edhe në shoqatat për mbrojtjen e drejtave të njeriut si edhe të atyre që punonin për zhdukjen e varfërisë në vende të ndryshme të botës. Adem Gjurra është dekoruar “Pishtar i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha./Gazeta Panorama 

Nga rrëmbimi i vajzës së vezirit te celebrimi në fshehtësi, zbulohet akti i martesës së Ismail Qemalit!- Nga EVARIST BEQIRI

Zonja e parë e Shqipërisë dhe historia e pazakontë

Me rastin e 8 marsit Ditës Ndërkombëtare të Gruas, po përkujtojmë me anë të këtij shkrimi një grua që historia jonë e ka harruar krejtësisht. Ajo është gruaja që i qëndroi në krah themeluesit të Shqipërisë moderne Ismail Qemal Vlorës, për plotë pesëdhjetë e një vite, si në ditët e bukura ashtu edhe në ato të vështirat.Më 1864, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Pas vdekjes së bashkëshortes së parë, Ismail Qemali u martua sërish në vitin 1867, me Kleoniqi Surmeli, vajzën e Antonit, një fisniku grek nga krahina e Edërnesë, i cili banonte në Rusçuk, Bullgari. Gruaja, me të cilën u dashurua Ismail Qemali, rridhte nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-’95). Kleoniqi Surmeli u lind në qytetin Rusçuk (Ruse), Bullgari, më 15 gusht 1850.

Ismail Qemali, ishte vetëm 23 vjeç, kur u dashurua me këtë zonjushë të re. Ai shërbente asokohe në Rusi, si zyrtar i Perandorisë Osmane. Ndryshimi në besimin fetar ishte bërë pengesë për realizimin e kësaj martese. Ismail Qemal Vlora ishte një djalë i ri tepër i hijshëm asokohe. Ai vinte nga dera e madhe shqiptare e Vlorajve. Natyrshëm joshet nga një vajzë e bukur, që e ka parë në pazar. Por, njerka e vajzës e kundërshtonte me ngulm këtë bashkim. Prandaj, një natë, Ismail Qemali me mirëkuptimin e vajzës dhe pëlqimin e heshtur të të atit të saj, e rrëmbeu vajzën.

Në vijim, Ismail Qemali thirri dëshmitarët në shtëpinë e tij dhe nënshkroi “kontratën e martesës” në prani të dëshmitarëve, njëri prej të cilëve konsulli belg. Akti i martesës ishte hartuar në mënyrë të tillë që e përjashtonte përgjithmonë çdo mundësi për një martesë të dytë nga ana e bashkëshortit. Ky akt fisnik i Ismail Qemal Vlorës, ishte prova më sublime e dashurisë së tij të vërtetë.

Martesa e Ismail Qemalit me gjithë bujën që kishte shkaktuar, i dha atij prova simpatie nga ana e miqve të tij. Martesa me Kleoniqi Surmelin i dha Ismail Qemalit qetësinë dhe lumturinë e duhur. Nga kjo martesë ai pati 10 fëmijë, gjashtë djem: Mahmud bej Vlora (1871 – 1920), Tahir bej Vlora (1875 – 1932), Et’hem bej Vlora (1885 – 1937), Xhevdet bej Vlora (1888 – 1910), Qazim bej Vlora (1893 – 1953), Qamil bej Vlora (1895 – 1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873 – 1954), Alije (xx – 1955), Ylvije (xx – 1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.

Beqir Velo Kanina sjell një dëshmi origjinale pak pas Shpalljes së Pavarësisë: “Kur u kthyem në Vlorë, më thirri Smail beu një mbrëmje me Ali Dautin e më tha, të shoqëroja zonjën e tij Kleoniqi dhe gruan e Pashko Vasës me dy djemtë e saj, për të pjekur në Kaninë Isa Boletinin. Hera e parë dhe e fundit që u poqa me znj. Kleoniqi. Në bisedë me të në Kaninë mësova se ishte e mbesa e Kapedan Siqeca nga arvanitasit e Sulit. Ajo qëndroi veç pak muaj në Vlorë. Ajo fliste një shqipe të kulluar, që e kishte edhe gjuhën e nënës.”

Me krijimin e familjes dhe martesën me një femër të një kombësie dhe feje tjetër, Ismail Qemali shfaq sërish konceptet e tij përparimtare. Për Ismail Qemalin, në themel të institucionit të martesës qëndronte dashuria e çiltër dhe e dëlirë midis bashkëshortëve. Ai e sfidoi mjedisin e prapambetur, i cili e kundërshtonte martesën midis të krishterëve dhe myslimanëve. Ky veprim i Ismail Qemalit ishte shumë i guximshëm për kohën. Ai tregon se, Ismail Qemali ishte zhveshur nga çfarëdolloj paragjykimi, fanatizmi dhe mungesa e tolerancës. Historia e martesës së tij të pazakontë, shumë kohë përpara se ai të bëhej i njohur, u shfrytëzua më pas prej shtypit të kohës për të hedhur baltë mbi atë vetë, e natyrisht mbi shtetin e porsathemeluar.

Zgjedhja e bashkëshortes është një moment i rëndësishëm për jetën e çdo njeriu dhe në veçanti të një lideri. Ajo është zgjedhje intime, personale dhe private, por që ka shumë ndikim në jetën publike, pasi, siç thuhet shpesh, “pas çdo burri të madh, qëndron një grua madhështore” dhe “madhështia e një burri matet me madhësinë e bibliotekës dhe vlerat e gruas së tij.” Kjo përzgjedhje është vendimtare për ecurinë e karrierës së mëtejshme të liderit.

Nënvleftësimi i këtij momenti mund të ketë pasoja shumë negative për të ardhmen tuaj si lider, ashtu si edhe vlerësimi dhe përzgjedhja e duhur mund t’ju sjellë shumë avantazhe.

Historia ka plot shembuj grash, të cilat jo vetëm e kanë kryer me sukses rolin e bashkëshortes, por kanë shërbyer edhe si këshilltaret më të mira të liderëve. Vlen të përmendim këtu rastet e bashkëshorteve të Uinston Çurçillit, Xhon F. Kenedit, Bill Klintonit, Barak Obamës, Volodymyr Zelensky etj.

Martesa mund të rrisë ndjeshëm efektivitetin e një lideri duke ofruar mbështetje, vizion të përbashkët dhe një ekuilibër të shëndetshëm midis jetës personale dhe profesionale. Një partneritet i fortë mund të kontribuojë në suksesin e një lideri dhe në përmbushjen e misionit të tij. Martesa e Ismail Qemalit dhe Kleoniqi Surmelit ndikoi si në jetën e tij personale ashtu edhe në udhëtimin e tij politik, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes familjare në udhëheqësi. Partneriteti i tyre mishëroi angazhimin e përbashkët ndaj idealeve të pavarësisë dhe unitetit kombëtar. Më 5 mars 1918, në moshën 68-vjeçare, pas një jete me plotë sakrifica në krah të bashkëshortit të saj, Kleoniqi Surmeli do t’i mbyllte sytë njëherë e përgjithmonë në Rue Tonduti de l’Escarene 26, Nicë, Francë, ku edhe prehet. Sot, po publikojmë për herë të parë edhe dokumentin zyrtar të vdekjes së saj në Nicë.

Screenshot_4

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). Falënderojmë Darling Ismail Vlorën dhe Qamil Ismail Vlorën (stërnipat e Ismail Qemal Vlorës) për vendosjen në dispozicion të materialit.

/Gazeta Panorama

The Illustrated London News (1934) Fotografitë ekskluzive të një kolonie pelikanësh në Shqipëri, realizuar nga natyralisti i njohur austriak, Hugo Adolf Bernatzik

Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi të © Hugo Adolf Bernatzik.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Shkurt 2025

“The Illustrated London News” ka botuar, me 24 mars 1934, në faqet n°442 – 443”, fotografitë ekskluzive të një kolonie pelikanësh në Shqipëri, realizuar asokohe nga natyralisti i njohur austriak, Hugo Adolf Bernatzik, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Zogj pothuajse në zhdukje në Evropë : një koloni pelikanësh në Shqipëri

Të dhëna të reja të fluturimit, të zakoneve të ndërtimit të foleve dhe mënyrës së tyre të ushqyerit të të vegjëlve.

Fotografi të © Dr. Hugo A. Bernatzik, Vjenë

Në një shkresë përshkruese bashkangjitur me këto fotografi interesante, lexojmë :

Natyralisti i njohur austriak, doktor Hugo Adolf Bernatzik, ka arritur të hetojë në vështirësi të mëdha, në malësitë shqiptare, pjellat e fundit evropiane të mbijetuara të atij shpendi gjigant, pelikanit. Këta zogj, më të shquarit nga të gjithë, kanë ngjallur interes për mijëra vjet dhe janë objekt legjendash dhe mitesh. Ata janë me përmasa të mëdha, me gjerësinë e krahëve të tyre që arrin deri në 4 metra tek një zog të rritur; dhe me sqepat e tyre të fuqishëm dhe grykën madhështore, ata të kujtojnë krijesat parahistorike. Legjenda e pelikanit që çan gjoksin për t’i dhënë gjakun e zemrës të vegjëlve të tij dhe që u bë kështu simboli i dashurisë amtare, është megjithatë vetëm një histori prekëse. Metoda e tyre aktuale për të ushqyer të vegjlit e tyre nuk është më pak patetike kur mendojmë se, pavarësisht nga ky shqetësim prindëror për fëmijët e tyre, ata mezi po i rezistojnë fushatës së shkatërrimit që po bëhet kundër tyre. Tani pelikani është pothuajse i harruar dhe zogjtë pothuajse kanë ngordhur në Evropë, si krijesa që nuk ‘i përshtaten’ epokës sonë të zymtë dhe materiale. Fatmirësisht, vitet e fundit është zbuluar të vjedhësh natyrën është një aktivitet steril dhe i padobishëm. Vëzhguesi ka zënë vendin e gjahtarit. Ai nuk shkon më të mbajë një armë për të vrarë krijesa të rralla në mënyrë që t’u tregojë pasardhësve të tij se si dukeshin ato me anë të një karikature të ballacamosur. Aparati fotografik ka zënë vendin e armës dhe tani na zbulon historinë misterioze të jetës së kafshëve të fundit “përrallore”.

Mund të kujtojmë se në numrin tonë të 15 prillit 1933, ne botuam disa fotografi po aq të mrekullueshme nga Dr. Bernatzik që ilustrojnë zbulimin e tij, jo shumë larg Vjenës, të një kolonie të shumimit (riprodhimit) të spoonbills-ëve, zogj që atëherë besohej se ishin zhdukur në Evropën Qendrore.

Roje dhe i kujdesshëm ndaj shushurimës më të vogël që dëgjohet aty pranë : një pelikan i vjetër pranë folesë dhe shikon në drejtim të një zhurme, por nuk mund të shohë asgjë. — Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi e © Hugo Adolf Bernatzik.

Një nënë pelikane ushqen të vegjlit e saj : xhepi i madh i ngjitur në pjesën e poshtme të sqepit shtyhet nga koka e të voglit brenda, pothuajse duke shpuar zverkun e qafës së të voglit me sqepin e saj. — Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi e © Hugo Adolf Bernatzik.

Shfaqja e shtrirjes së madhe të krahëve të pelikanit gjatë fluturimit dhe mënyra e uljes : mbërritjet në një vend shumimi (riprodhimi), me fole aq afër njëra-tjetrës sa të rinjtë luajnë me fqinjët e tyre. — Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi e © Hugo Adolf Bernatzik.

“Streha e fshehtë” e fotografit : një strukturë me kallamishte e ndërtuar mbi një varkë të palosshme me një vrimë të vogël për vëzhgim – një objekt me të cilin zogjtë duhet të mësohen përpara se ai të mund të qëndrojë në të. — Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi e © Hugo Adolf Bernatzik.

Si një nënë pelikane ushqen të vegjlit e saj – një proces që supozohet se nuk është fotografuar kurrë më pare : koka e zogut të ri shtyhet në grykën e fytit të prindit për të marrë ushqimin që përmban. — Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi e © Hugo Adolf Bernatzik.

Pelikanët janë zogj shumë paqësorë, por nëse një i huaj afrohet shumë, ai mund të marrë një shtytje me sqepin për t’i mësuar sjelljet më të mira : një shqetësim i lehtë në koloni. — Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi e © Hugo Adolf Bernatzik.

Një fole tipike pelikani, e ndërtuar me kallamishte të vjetra, që përmban një vezë dhe një “fëmijë” një ditor tashmë i aftë për të pare : (në të majtë) një vezë që është rrokullisur nga foleja, por që zogjtë e vjetër nuk përpiqen kurrë ta kthejnë. — Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi e © Hugo Adolf Bernatzik.

Në një fluturim fillestar, pelikanët nuk e tërheqin (siç thuhet ndonjëherë) qafën mbrapa dhe e mbështesin kokën mbi shpatulla, por e shtyjnë atë dhe trupin përpara dhe, me mbylljen e pendëve të krahëve, ngrihen pa mundim. — Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi e © Hugo Adolf Bernatzik.

Një familje e uritur dhe në pritje : pelikanë të rinj gjysmë të rritur që presin kthimin e prindërve me ushqim – i riu më i vjetër shikon lart në ajër ku nëna po fluturon sipër. — Burimi : The Illustrated London News, 24 mars 1934, faqe n°442 – 443 / Fotografi e © Hugo Adolf Bernatzik.

 

ALOIS GURAKUQIT PREJ  AT GJERGJ FISHTES – Pergatiti Fritz RADOVANI

 

 

PENG  NDERIMI.  

                                                                          

Zani i kangvet të para të Lahutës mori dheun e trandi zemrat e Atdhetarvet të vertetë. Këte bindje dhe këte vlersim ndaj Poetit desht t’a shprehte edhe letrari i ri Luigj Gurakuqi, i cilli në vitin 1906 i kushtoi Vargënimin, bashkë me nji vjerrshë safike me titull Pengu i nderimit. Edhe Fishta në shenjë evarije i kushtoi në vitin 1909 veprën Pika Voeset bashkë me këte poezi. Nji notë njomsije, përshkue prej ndjesishë mirënjohtjeje plot ambëlsi, e shquen ketë kangë: Fjala e mikut asht ma terhjekse se gurgullimi i gurrave e flladi i ambël prendveror. Ajo kallë zemrat e ndritë mendën, tue nxitë kah punët e mbara.

Komentet janë nga At Viktor VOLAJ O.FM. tek “LIRIKA” Botue 1941.

 

  1. I kandshem â e plot shije

Nja’ i lehtë zhumhur, qi gurra

Ep tue gurgullue nper hije

E neper rrajë e curra,

Ka’ e argjantë lugjeve ulet

E puthë permallshem lulet,

Qi si n’ pasqyrë – rrijn m’amë t’ asaj tu’ u kqyrë. 

  1. Asht edhe i butë e i kandshem

Nja’ i ambëli fllad eret,

Qi ka’ i qetët e i erandshem

Fryn neper ag’ prendveret;

Me landë shkon tue zhablluem

Ase me gji t’ rituem

Prej voeses s’qielles – të ndonji drandofilles.

  1. Ma e ambel, por, asht fjala

E njaj miqsis s’ vertetë,

Qi, kur t’ na marrë vala

E pellgut t’ zi t’ ksaj jetë,

Tue na ngushtue nder gjire,

E ndiejm, e qi fatmire

Zemrat na i kallë – me nji shpëresë të gjallë.

  1. Po, o Gurakuq, per mue

E larta fjala jote,

Qi me Vargnim m’ ké çue,

Kur zemra ‘i herë m’ ankote,

Per mue kjé ajo pêng beset

E kjé per mue hyll shpreset,

Qi shpirtin m’ shndriti. – Zemëren m’a flladiti.

                        _____________________________________________________________________

  1. zhumhur: zhurmë e lehtë, gurgullim. –curra: shkrepa, shkambij. –ka e argjantë lugjeve: tue zbritë shkumbuese nëpër lugina të vogla. –permallshëm: mallëngjyshem, – amë: vendburimi ku buron gurra e mandej shtrati kah dikohet (shtrihet, rrjedhë).
  2. Qi ka…fryn: qi kur frynë – ag: agim. –zhublluem: fërshlluem, fjalë onomatopeike qi tregon zhurmen e gjethit kur e lëvizë era. – Ase me gji t’rituem: me fletza të shpërthyeme, të njomuna prej veset.
  3. Qi , të cillën…: Grimcim peremnuer e zëvendsueme prej meje në na, ndoshta gabim shtypi, mbasi nuk gjeta dorëshkrimin. Fishta nuk i ka qortue vetë gati kurr botimet.
  4. E larta: fisnike, bujare. Vargnim: Titull i vertetë, botue në Napoli në 1909, me pseudonim L.Gruda. Iu desht me vuejtë shumë. E luftuen pse nuk e kuptonin ketë revolucionarë ideshë, por edhe pse kuptuen gjeniun e udhëheqësit. Të gjitha kundërshtime të mbrendshme.

                                                          

  1. Oh! Po: Ajo fjalë ngushllimit

N’ zemer njashtu m’ ka ardhë

Si voesa prej agimit,

Qi bjen m’ nji lil të bardhë;

E atëbotë, si kah prendvera

Bîjn vjollca e lule tjera,

Njashtu mendimet – paten n’ mue burimet.

  1. Po, atëbotë per Atme e Fé,

Per punë të hijshme e t’ mbara

Zemra ma fort m’u xé;

E ma fort se perpara

Me shpirt un Zanës iu trova,

Edhe njatë burrë këndova,

Qi n’ flakë t’ barotit – mbet per tokë t’ Kastriotit.

  1. Pra, i drejtë në kjoftë se moti

Krejt zâ’n s’ m’a qet n’ harresë

Fjalës s’ ate. (E cilla m’ ploti

Zemren ma t’ ambel shpresë

Se ‘i kohë dikur ma e bardhë

Shqypnis ka per t’i ardhë).

Un me evari – per nderë, po, do t’ ia di.

  1. Prandej, per peng miqsijet

Kam da me t’i kushtue

Kto ushtrime poezijet,

Qi ti, (due me shpresue),

N’ kurrsend s’ ké per t’i ba,

Sado qi  s’ duhen gja:

Pse m’ to pa da –mue mik ti ké me m’ pa.

                        _______________________________________________________________

  1. lil: zambak. –bijn: çilin, dalin. – paten n’mue…: xune fill në menden  t’eme.              
  2. Atme e Fé: Binom qi u përdor shumë, po duhet theksue se Atme kje qitë e përdorë prej  Shoqnisë  “Bashkimi”. – mbara: të mira, fisnike, qytetnije e përparimi. – zemre ma fort…: mora zemër edhe ma shumë. Fishta ç’prej vjetve të para të aktivitetit të vet, paraqitet me nji program jete të caktueme, prandej edhe ia hin punës pa ngurrue, por si çdo i rinj kishte nevojë për nxitje. Fjalët e mikut kjenë me të vertetë nji nxitje e fortë për té. –me shpirt i u…: iu kushtova me të gjitha fuqitë e shpirtit. –njat burrë këndova..: Luigj Gurakuqi në vjerrshë qi i kushtoi shpreh vlerësimin për blenin e parë të Lahutës, Té Ura e Rrzhanicës. Nji vjet mbrapa (1907) boton blenin e dytë, Vranina, qi kishte protagonist Oso Kuken, tue krijue pranë tipit të burrnisë dhe t’urtisë, qi paraqitet në Marash Ucin, edhe tipin e herojit të ri e të pathyeshem, qi ban jetën fli, por s’bjen kurrsesi në dorë t’anmikut, pra, vetëflijohet.
  3. Pra, i drejtë…: Koha e ardhëshme gjyqtare e drejtë, nuk ma mohon, nuk e humbë vleren e meritueme me veprat e mija…Pra, qyshë në fillim Poeti ka besim në vleren e punës së vet. Viti 1907 kjé viti ma i frutshem i tij. Përveç blenit të dytë të Lahutës, prodhon shumë poezi satirike me rendësi, qi diftojnë nji shkak të merituem lavdrimi. Prandej fjala e yte m’ploti: më mbushi plot, nji verb me të vertetë poetik. E përdorë edhe tjera herë Fishta ketë verb
  4. Kam da me t’i kushtue: Kushtesa kjé kjo: SHQYPTARIT  TË  VJEFSHEM – ZOTIT  LUIGJ  GURAKUQIT  –  NDERËS  SË  DJELMNIS  SË  SHKODRËS  –  KTO  VJERRSHA  TË  PERVÛJTA  – AUKTORI  KUSHTON – Kto ushtrime poezijet : Kështu e quen me modesti veprën Pika Voeset, botue në Zader, në 1909. Libri përmbledhë: 12 vjerrsha lirike, dy satira, Ius Gentium, Dredha e Djallit dhe nji shfaqje të vogel, Odisea. – n’ kurrsend s’ké per t’i ba…: Nuk ké për me i perbuzë.

Melbourne, 8 Mars 2025.

Dagens Press (1921) Moisiu nëpërmjet syve të gruas së tij, Johanna Terwin: “Duhet të kujdesem dhe të organizoj gjithçka për të…”

Burimi : Dagens Press, e mërkurë, 13 prill 1921, faqe n°4

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Mars 2025

 

“Dagens Press” ka botuar, të mërkurën e 13 prillit 1921, në faqen n°4, intervistën ekskluzive asokohe me Johanna Terwin, gruan e Aleksandër Moisiut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Moisiu nëpërmjet syve të gruas së tij

 

 

Aleksandër Moisiu shoqërohet në udhëtimin e tij në Skandinavi nga bashkëshortja e tij, aktorja Johanna Terwin. Një gazetë daneze i ka bërë zonjës Moisi pyetjen e mëposhtme intime :

 

— A bën gabime të shumta e të mëdha Moisiu ?

 

— Jo, seriozisht, jo, ishte përgjigja. Ai është një fëmijë i sjellshëm — por në të vërtetë një fëmijë i madh — plotësisht i pafuqishëm në gjithçka që ka të bëjë me jetën praktike — një ëndërrimtar në tokë. Prandaj, unë duhet të kujdesem për të dhe të organizoj gjithçka për të. Ai do të harronte të ndërronte rrobat e tij nëse nuk do të kujdesesha për të — ai nuk do të kishte fare rroba përndryshe. Moisiu është bohem i lindur, gjithmonë në lëvizje, i pa qetë. Aktualisht, ne kemi një apartament në Berlin, përndryshe ai ka jetuar gjithë jetën në hotele.

 

 

— A punon shumë ?

 

— Po, çmendurisht. Ka muaj që punon 28 netë me radhë. Në dhjetor, nata e Krishtlindjeve ishte dita e tij e parë e pushimit. Dhe pastaj ai zgjohet shumë vonë — dhe duhet të flejë në mes të ditës…

 

— Pse kështu ?

 

— Për shkak se i janë prekur mushkëritë — ai e mori këtë si kujtim nga lufta. Ai tani do të përfitojë nga vera e tij për të kaluar tre muaj në një sanatorium malor.

 

— Si i punon Moisiu rolet e tij ?

 

— Ai i lexon ato pa pushim dhe vetëm në një fazë të vonë fillon t’i mësojë përmendësh. Gjatë provës ai është si një libër i mbyllur. Askush nuk e ka idenë ende nga provat se si e ka perceptuar rolin. Ai nuk është në gjendje të flasë deri në provën e veshjes, ku është edhe i veshur me kostum dhe i maskuar dhe kështu “riformohet” nga jashtë në formën e tij të re.

 

Nga rrogat, favoret, të drejtat e arrestimi, si ishte ligji i zgjedhjeve parlamentare më 1925! Askush s’pranohej deputet, pa mbushur moshën 30 vjeç

Nga Dashnor Kaloçi/ Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe nga më të ndryshmet. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria, u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe; me zgjedhës të dytë.

Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte “Bashkim-Përparim” (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës.

Në grupin e dytë që quhej: “Bashkimi-Liberal”, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në nëntorin e vitit 1912 kur u shpall Pavarësia dhe Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë.

Kurse zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së. Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Sa më sipër, si dhe një historik të shkurtër të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991, Memorie.al i ka publikuar në numrat e kaluar, këtu po publikojmë të plotë Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, (Kushtetuta) të vitit 1925, ku një vend të veçantë zë edhe legjislacioni i zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, si dhe rregullorja e Parlamentit, me të drejtat e detyrat e deputetëve, e cila është botuar nga Shtypshkronja “NIKAJ”, në vitin 1925.

                                      Statuti themeltar i Republikës Shqiptare (1925)

(Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj” 1925)

Kombi Shqiptar i lirë dhe indipendent, kryenaltë për kohën e tij të kalueme dhe plot besim për kohën e ardhëshme, në Kuvendin Kushtetues vendon këtë Statut.

Kaptinë I.

FORMIM I SHTETIT

Pjesa A.

Dispozita të Përgjithshme

Art. 1. Shqipnija asht Republikë Parlamentare e Kryesueme prej nji Kryetari. Sovraniteti buron prej popullit.

Art. 2. Republika Shqiptare, asht indipendente, e pa-ndame, tanësija tokësore e sajë e padhunueshme edhe toka e sajë e pajetërtueshme.

Art. 3. Flamuri Kombtar, asht i kuq me shqipe të zezë dy krenshe në mes.

Art. 4. Shqipja asht gjuha zyrtare.

Art. 5. Republika Shqiptare s’ka fé zyrtare.

Të gjitha fét e besimet janë të nderueme dhe lirija e ushtrimit dhe e praktikimit të jashtëm të tyne asht e sigurueme.

Feja nuk mund të formojë pengime juridike me as-nji mënyrë.

Fét e besimet kurrsesi nuk mund të përdoren për qëllime politike.

Art. 6. Tirana asht Kryeqyteti i Shqipnis.

Art. 7. Pushteti legjislativ ushtrohet prej Senatit e Dhomës së deputetve si mbas këtij Statuti.

Art. 8. Pushteti përmbarues i përket vetëm Kryetarit të Republikës, i cili e ushtron me anën e Ministravet.

Art. 9. Pushteti gjyqsuer ushtrohet prej gjykatavet dhe vendimet e tyne epen n’emën të Republikës Shqiptare.

Pjesa B.

Pushteti legjislativ

DHOMA E DEPUTETVET

Art. 10. Përfaqësija Kombtare përmblidhet në dy trupa; prej Dhomës së Deputetve, e përbame prej deputetësh të zgjedhun nga populli dhe prej Senatit, i përbamë prej Senatorve, të zgjedhun si mbas ligjës së posaçme.

Art. 11. Deputetët zgjidhen për 4 (katër) vjet dhe për ç’do 15.000 frymë nji.

Art. 12. As kush nuk mund të pranohet për deputet pa qenë shtetas Shqiptar, pa pasë mbushun moshën 30 vjetshe, pa gëzuem të drejtat civile e politike dhe pa pasun të gjitha cilësit e tjera të lypuna prej ligjës.

Art. 13. Cilësija e deputetit asht e pa-pajtueshme me ç’do nëpunësi të Shtetit me rrogë ose me nëpunësi komunale, ose me shërbimin aktiv fetar.

Art. 14. Deputeti nuk përfaqëson vetëm qarkun qi e ka zgjedhun, por kombin përgjithësisht.

Art. 15. Deputetit nuk mund t’i epet as nji porosi urdhënore prej zgjedhësvet të vet.

Art. 16. Deputetët kanë të drejtë me marrë nji shpërblim prej 5000 fr. Ari në vjetë.

Këjo shumë mund të ndryshohet herë pas here me ligjë.

Art. 17. Mënyra e ushtrimit të zyravet të Dhomës së deputetve, caktohet në rregullorën e mbrendëshme të saj.

Art. 18. Parija e Dhomës së deputetve zgjidhet prej saj, dhe në gji të saj, në nisje të ç’do sesioni, për gjith vijimin e tij deri në fillim të tjetrit. Zgjedhja e paris dhe emnimi i nëpunësve të Dhomës së Deputetve, bahen mbas rregullores së mbrendëshme të saj.

Art. 19. Dhoma e deputetve shqyrton fuqit e cilësit e saj ligjore të misvet të vet, dhe gjykon e vendon mbi ta mbas parashkresavet të rregullores së mbrendëshme të saj.

Art. 20. Ç’do Mis i Dhomës së deputetve, asht i detyruem ma bamun dy bé; njanën përpara se të shqyrtohen fuqit e cilësit e tija, dhe tjetrën përpara se të nisë detyrën e tij si Deputet.

Beja e parë asht këjo: “Betohem n’emën të Perendis e mbi nderin t’em se kam për të kryem detyrën e shqyrtimit me ndërgjegje e asnjianësi të plotë.

Beja e dytë do të bahet me këto fjalë: “Betohem n’emën të Perendis e mbi nderin t’em se kam për të ruejtun besnikrisht mëvetësin e tanësin toksore të Shqipnis, se kam për t’i ndejun besnik Atdheut e Republikës dhe për t’u dalun zot Statutit e ligjëvet të Shtetit, e se kam për të kryem detyrën t’eme me ndërgjegje të plotë për të mirën e përgjithëshme pa u-penguem as pak prej interesash të veçanta a krahine.

Art. 21. Deputeti i zgjedhun rishtas qi, pa shkake të justifikueshme të vërtetueme siç duhet, nuk paraqitet deri në dy muej përpara Dhomës së deputetve për të bamë ben e detyrshme, quhet i ramë nga deputetsija.

Gjykimi mbi pranueshmin a mos të shkakevet justifikative, i përket Dhomës së deputetve.

Art. 22. Deputeti qi për dy muej rrjesht mungon prej mbëledhjevet pa auktorizimin e Dhomës së deputetve, quhet vetiu i rrëxuem nga deputetsija.

Art. 23. Kur, për ç’do arsye qi të jetë, mbetet zbrazët vendi i nji deputeti, mbrenda dy muejsh prej ditës së zbrazjes, por jo ma parë se nji muej, duhet zgjedhun nji tjetër në vend të tij.

Art. 24. Dhoma e deputetve, mblidhet vetiu dy herë në vjetë në dy sesjone të rregullshme të tremuejshëm.

I pari sesjon fillon me 15 Shtatuer e mbaron me 15 Dhetuer, dhe i dyti fillon me 1 Mars dhe mbaron me 31 Maj të ç’do viti.

Art. 25. Deputetvet nuk mund t’u kërkohen përgjegjësi për mendimet e shfaquna e për votat e dhanuna në Dhomën e deputetve.

Art. 26. Në kohë të sesjonit, deputetët nuk mund të gjinden të burgosun për borxh.

Gjith ashtu, në kohë të sesjonit, nuk mund të ndiqen as t’arrestohen për çashtje penale, pa lejen e vendimin e Dhomës, veç se n’u kapshin në faj e sipër për krim. Në këtë rasë auktoritetet gjyqsore janë të detyruem me lajmue Dhomën e deputetve, mbenda 24 orësh me anë të Ministris së Drejtësis.

Për delikte e krime politike, deputetët gjykohen dhe dënohen kurdoherë, do-me-thanë mbrenda e jasht sesjonit, prej Gjyqit të naltë me auktorizimin e Dhomës, si mbas ligie së posaçme.

Art. 27. Dhoma e deputetve, ka të drejtë me dekretue lirimin e nji misi të vet për gjith kohën e sesjonit, në qoftë se ka qenë zanë në periudhë të pushimevet, me përjashtimin e atyne qi janë zanë për krime.

Art. 28. Në sesjon të jashtzakonshëm bisedohen vetëm ata sende qi e kanë shkaktuem, të cilat do të caktohen në programën e pregatitun prej Qeveris.

Kryetari i Republikës ka të drejtë me e mbyllun këtë sesjon kur do qi t’a shohë me arsye, por gjithmonë ma parë se të nisë sesjoni i zakonshëm.

Art. 29. Në të hapun të sesjonit të parë të zakonshëm, Kryetari i Republikës me nji ligjiratë ase lajmesë, parashtron gjendjen e përgjithshme të vendit e masat e gjykueme të nevojshme për me u-marrë atë mot prej Pushtetit përmbarues, dhe Dhoma i ban nji përgjegje sa ma të shpejtë.

Art. 30. Dhoma e deputetve nuk mund të bisedojë e të vendojë pa qenë pranë nji ma shum se gjysma e të gjithë misvet të saj qi kanë kaluem ndëpër formalitetet e artikujvet 19 e 20.

Nuk njehen në numër të përgjithshëm, ata qi mungojnë me leje.

Art. 31. Të gjitha vendimet votohen me shumicë absolute të deputetvet qi gjinden pranë.

Zgjedhjet qi i përkasin personave, në qoftë se nuk votohen për herën e parë me shumicë absolute, herën e dytë votohen me shumicën relative të deputetve të mbledhun.

Art. 32. Votimi i ligjevet bahet nji here parimisht e dy herë artikull për artikull, në tri dit të ndryshme.

Votimet për kodet e paraqitun prej Qeveris e të pregatituna prej nji komisije të posaçëme të krijueme me ligjë, bahen toksisht (en bloc) në tri mbledhje në ditë të ndryshme, për veç ligjëvet, qi Dhoma me vendim i quen të ngutshme, të cilat votohen mbas rregullores së mbrendëshme.

Art. 33. Mbledhjet e Dhomës së deputetve, bahen botnisht. Për veç gjindjes s’armëvet kushdo tjetër mundet me marrë pjesë në to në konformitet me rregulloren. Bisedimet e Dhomës botohen në vëllime të posaçme.

Art. 34. Dhoma e deputetve, mund të bisedoj edhe në mbledhje të fshehtë në qoftë se kërkohet prej ministërvet ase prej pes deputetvet e në qoftë se pranohet prej shumicës, mbassi të kenë lanë Dhomën të gjithë ata qi s’janë deputetë.

Art. 35. Dhoma e deputetve asht e pa dhunueshme. Asnji zyrtar a fuqi armësh, për veç trupit policuer me shenjë te veçantë, nuk mund të vehet mbrenda Dhomës, ase te porta e ndërtesës ku mblidhen deputetët pa vendim e kërkim të Dhomës.

Art. 36. Ç’do akt me fuqi ligjore do të spalle në gazetën zyrtare, e cila u dërgohet të gjitha Bashkive të Shqipnis.

Shpallja do të bahet të shumtën dy javë mbas votimit dhe akti hyn në fuqi e zbatim nji muej mbas shpalljes, përveç atyne ligjëvet qi caktojnë nji afat të ndryshëm për të hyemit e tyne në fuqi.

Aktet me fuqi ligjore do t’i inserohen në mbështjelljen zyrtare të ligjëvet e të dekretevet.

Art. 37. Parija e Dhomës asht e detyrueme mbrenda në sesjon me i këthyem Pushtetit përmbarues, ç’do projekt të paraqitun prej tij e të refuzuem prej Dhomës, me gjithë arse e mos pëlqimit.

Art. 38. Asnji projekt-ligjë qi s’pëlqehet prej Dhomës së deputetve, nuk mund të paraqitet për bipedi nji herë të dytë po n’atë sesjon.

Art. 39. Për gjith vjetë, Pushteti përmbarues do t’i paraqesë Dhomës së deputetve për shqyrtim e pëlqim Bugjetin e përgjithëshëm t’ardhunavet e të prishunavet të Shtetit, bashkë me parashtresën e mënyravet e të mjetevet mbas të clave do t’u bajë ballë atyne shpenzimevet.

Të gjitha t’ardhunat e shpenzimet e Shtetit, do të futen në Bugjet.

Bugjeti do të paraqitet gjithmonë në hapjen e sesjonit vjeshtuer, i cili s’mund të mbyllet pa u votue Bugjeti.

Mënyra e hartimit të Bugjetit, bahet me ligjë. Bugjeti votohet kaptinë për kaptinë, dy herë në dy ditë të ndryshme.

Pushteti përmbarues, në mbarim të vitit financjar dhe mbrenda në sesjonin e dytë të vitit financjar tjetër, do t’i paraqesë Dhomës së Deputetve për shqyrtim e pëlqim Bugjetin konsomtif të motit të kaluem, i cili votohet nji herë përgjithësisht.

Art. 40. Kur, për ç’do arsye qi të jetë nuk arrijnë me marrë formën ligjore definitive Bugjeti i ri deri në fillim të vjetit financjar për të cilin asht pregatitun, Pushteti Përmbarues ven në zbatim atë ma të përparshmin për aq kohë sa do të vonojë pëlqimi e votimi i të riut.

Në rasë qi Dhoma asht çelun, at’herë këjo i hap nji kredit të përmuejshëm se cilës degë t’administratës, por ky kredit nuk mund kapërcejë nji të dymbëdhjetën pjesë të shpenzimevet të zakonshme qi i përkasin mbas bugjetit të vjetër.

Art. 41. Pushteti përmbarues nën përgjegjësin e tij civile, detyrohet të shenjojë në bugjetin e përvitshëm të Shtetit ç’do ligjë qi ngarkon shtetasit me paga e taksa.

Ligjet qi nuk shenjohen në Bugjet, quhen si të ngrituna e të pa fuqi ligjore.

Art. 42. Kur nji kredit i dhanun në bugjet nuk mjafton për atë shërbim, Pushteti Përmbarues me nji dekret ligjë mbrenda në motin financjar, kërkon prej Dhomës shtimin e atij krediti deri sa t’arrijë, dhe, kur shfaqen shpenzime për nevoja të pa-parapame në Bugjet, Pushteti Përmbarues përsëri mund të kërkojë prej Dhomës nji shtesë krediti, gjithnji në themel të nji project-ligjës së posaçme.

Ligjët për kredite suplementare ashtu dhe të jashtzakonshme, votohen si ligjët e zakonshme.

Në rasa lufte, kryengritjeje, e kalamiteti public kur Dhoma e deputetve gjindet në pushim, Qeverija mundet me dekret-ligjë të krijojë nji kredit të jashtzakonshëm nen-përgjegjësin e saj.

Këjo dekret-ligjë i duhet paraqitun Dhomës në sesjonin e afërm.

Art. 43. Dhoma e deputetve ka të drejtë të thërrasë përpara saj cilindo nga Ministrat, për me e pyetun mbi ç’do çashtje qi i përket degës së tij.

Mënyra e thirrjes dhe e shfaqjes së Ministravet, caktohet në rregulloren e mbrendëshme.

Art. 44. Dhoma e deputetve kontrollon Qeverin.

Për mbrojtjen e interesave të përgjithëshme, Dhoma detyrohet, në ç’do rasë të veçantë, të formojë prej guini të vet Komisi hetimesh për të studjuem çashtjet e faktet qi lidhen me to. Komisit hetuese kanë të drejtë me kërkuem shpjegime me gojë e me shkrim, si prej auktoritetevet botore ashtu edhe prej privatve. Mund të këqyrin edhe të gjitha aktet zyrtare qi t’u duken të nevojshme.

Art. 45. Dhoma e deputetve akuzon Ministrat e i dërgon përpara Gjyqit të Naltë të Shtetit, në bazë të ligjës së veçantë.

Art. 46. Dhoma e deputetve nuk mund të pranojë deputetsi as të ndigjojë të tjerë për veç ministërvet, ase zavendësvet të këtyne me përjashtimin e rasës së parame në Art. 29.

Art. 47. Në mbarim të periudhës ase në rasë të shpërndarjes së Dhomës së deputetve, Pushteti përmbarues detyrohet mbrenda në dy javë prej ditës së shpërndarjes së saj, të dekretojë zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat duhen bamë, jo ma vonë se dy muej e gjymës dhe jo ma parë se nji muej prej datës së dekretit.

Në qoftë, se për shkake të pa prituna, periudha e Dhomës së deputetve, merr fund, ma tepër se nji muej përpara kohës së caktueme në Statut, Dhoma e re mblidhet vetiu pesmbëdhet dit pas zgjedhjeve. Në qoftë se në kohën mbas mbarimit të periudhës parlamentare dhe pa u bamë zgjedhjet e reja, Pushteti përmbarues gjindet i shtërnguem me shpallë luftë ase me dhanë dorëhekjen Kryetari i Republikës, me dekret të këtij të fundit ase të zavëndësit të këtij, thëritet Dhoma e vjetër për aprovimin e dekret-ligjes për luftë ase për pranimin e dorëhekjes, të Kryetarit të ri si mbas këtij Statuti.

Art. 48. Trupi Ministruer, e Ministrat votë besimin e marrin vetëm prej Dhomës së deputetvet. Memorie.al

2 MARS 1925 – 2 MARS 2025 AHMET ZOGU VRET LUIGJ GURAKUQIN – Nga Fritz RADOVANI

 GJON KAMSI

(30 Prill 1894 – 7 Mars 1992)

 

2 MARS 2025… PLOT 100 VJET…

■Atdhetari Gjon KAMSI asht lé në Shkoder me 30 Prill 1894. Asht kenë laurue në Bari të Italisë Dr. i Shkencave Ekonomike… Trashigoi të gjitha cilsitë Atdhetare dhe kulturore të familjes sa shekullore Kamsi, e njohun njëheri me Historinë e Gjergj Kastriotit.

■Asht nder Figurat ma të Nderueme të Shtetit Shqiptar që në formimin e tij me 1912.

■Tek Emni i Gjon KAMSIT gjejmë Atdhetarin e flaktë, Shqiptarin e paster, Burrin Trim, Shkodranin e pashoq, Fetarin e pervujtë, Ekonomistin e përgatitun, Etnografin e persosun, publiçistin e zjarrtë, familjarin model të Shkodres dhe mbi të gjitha këto veti:

Guximtarin e pathyeshem deri në Vetflijim per Atdheun e Mikun e vet Luigj Gurakuqi!

■Kush ishte Burri i heshtun Gjon KAMSI..? !

■E po, mos t’ ishe Ti o Gjon KAMSI, me i tregue “etnografëve” të Festivalit Gjinokastres se Kostumet Kombtare të Veriut janë ndrye nder arkat e grave Shkodrane, edhe sot nuk do të njihshim bukurinë e Motres Tone, se kujt i perket veshja e Saj!

■E po, mos t’ ishe Ti o Gjon KAMSI, edhe sot Vajzat e Shkodres nuk do të dinin si do të vishen ato vlera të pakrahasueshme kombtare e të vjetra sa vetë Rrozafa e Teutës…

■E po, mos t’ ishe Ti o Gjon KAMSI… Kush do ta thonte të vertetën…Akademikët ?!

■E po, mos t’ ishe Ti o Atdhetari Trim Gjon KAMSI, Vrasja e Shqiptarit Demokrat ma të madh të Shekullit XX,  Luigj Gurakuqi, do të “shkruhej” si Monumenti i Vlonës së 1912, apo “maozoleumet” e tradhëtarëve vrasës në sherbim të Pashiqit, Titos e Rankoviqit…

■E po, mos t’ ishe Ti o Shkodrani Gjon KAMSI, me na sjellë këmishen e Luigjit të lame me gjak dhe dokumentin e shkruem me emnat e vrasësve tradhëtarë t’ Atdheut…

■Si do të shkruhej Historia e vertetë o, Atdhetari Gjon KAMSI ?!..

100 VJET…

Edhe SOT… “dorasi” i porositun i Ahmet Zogut, i kerkon “mbrojtje”…

Askush nuk e xen me gojë të Verteten !!

 

 

“Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni per pshtim pranë Qeverisë Italjane.

– Pyetnij Çatin Saraçin ku asht ..? “besa” Ndihma!…

 Baltjon Stambolla – Carceri Giudiziarie Bari.

 

Shkeqësiës Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)

Shkelqësiës Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë)”

Çatin Saraçi Hotel de la Ville…”                                                                                                                                                    

 

 

Kjo asht fotokopje e origjinalit të letres së Baltion Stambollës, e ruejtun nga Shkodrani Atdhetar Gjon Kamsi, sot në Muzeun Historik Shkoder. (Foto 2009).

Vlera e Dokumentit qendron tek ruejtja e tyne!  

 

Melbourne, 1 Mars 2025

T’ PAHARRUESHMIT MIQ!- Pergatiti Fritz RADOVANI

 

SHKOLLA NORMALE  E ELBASANIT 1909

 

KALUEN 70 E SA, VJET

Po, po ikën vitet si ujë! Ishte viti 1953 kur në Shkoder mërrijti grupi i Profesorave të Elbasanit, Ishin Edukatorët dhe Miqtë tonë të Perjetshem dhe të Paharrueshem!

Dashunia e Tyne prindore dhe edukative u skalit në gurt’ e Rozafës sonë!

Askujt nuk i shkonte mendja se Ata do t’ ishin kopjot e Prindve tonë të vertetë!

Asht shumë e vështirë me mbetë në kujtesën e brezave të ardhëshme dhe me u besue ajo tragjedi aq e madhe që ka ngja per 47 vjet në një vend aq të vogel sa asht Shqipnia! Vetem në një sistem komunist të tipit stalinist oriental dhe enverist mund të mendohet me gjetë agjenta që janë të lindun me prishë e me shkatrrue gjithshka që asht e mirë, jo vetem e dobishme dhe perparimtare per shtetin e tyne, po edhe e realizueme me sakrifica shekullore.

Ngjau edhe kjo mbas vitit 1946 në Shkoder ku kishte mbetë vetem Gjimnazi i Shtetit, në të cilin mbas vitit 1949 perfshihej edhe shkolla e mesme pedagogjike, ku mund të vazhdonin shkollen vetem ata nxanës që konsideroheshin të “deklasuar” dhe që nuk lejoheshin me shkue në shkolla te tjera jo vetem në Shkoder, po n’ asnjë qytet tjeter…

Ishte viti 1949 kur erdhi në Shkoder kryetar i degës së mbrendeshme terroristi Hilmi Seiti, i cili, porsa shkeli në token e zharitun, i dergon një kerkesë ministrit të ri të mbrendshem, Mehmet Shehut, me të cilen i kerkon: “Me që në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100  (njëqint) konviktorë nga Jugu”… (Arkivi i M.M.Tiranë). Perveç 100 konviktorëve që do t’i sherbenin sigurimit të shtetit, drejtor i Gjimnazit vjen nga Korça amorali kriminel Skender Villa, i cili në vitin 1945 asht kenë hetues në degen e Korçës, punë që e vazhdon me perkushtim ndaj kolegëve dhe nxanësve të Gjimnazit te Shkodres.

Bashkë me té janë edhe disa mësues të atij qyteti, por kurrë në modelin e drejtorit katil të porsaardhun dhe të panjoftun nga Shkodra…

Ishte viti 1952, kur unë detyrohem me vazhdue shkollen pedagogjike, që ishte nen një kulm me gjimnazin dhe me një drejtor të perbashkët, aso kohe vijnë në Shkoder edhe një grup pedagogësh nga një drejtim tjeter, jo ma nga Korça, po nga Elbasani. As sot nuk dij me tregue as kush i solli, as pse i sollen këta pedagogë në Shkoder, mbasi koha e sherbimit të Tyne kje mjaft e gjatë dhe shumë frytdhanëse në disa drejtime. Vetem Ata e dinin pse?

E para që filloi vitin e dytë nga ky grup ishte Prof. Roza Bebi, që na mësonte histori dhe gjeografi. Ajo ishte moshë e re, por një vajzë e nderueme, që respektohej nga të gjithë per qendrimin e Saj. Një tjeter mësues i këtij grupi në moshë të re, që na mësonte rusisht në vitin e tretë, ishte Prof. Ndriçim Gjata, i cili ishte edhe kujdestar i klasës sonë. Djalë serioz, kerkues dhe fjalëpakë… Shumë persona të rezervuem dhe të sjellshem me ne.

Kujtoj nga Profesori ynë Ndriçim Gjata, kur erdhi një orë në klasë, ban apelin dhe ngriti një nxanës tek tabela…Ai vetë erdhi nga fundi i klasës dhe u ulë në banken ku ishe unë vetem mbasi mungonte shoku i bankes atëditë… M’u afrue tek veshi dhe më tha këto fjalë: “Kjo është ora e fundit që bëjmë sëbashku mbasi jam transferuar dhe do iki nga Shkodra. Më vjen shumë keq per disa nxënës që po shkëputem. Shiko, Radovani, ruaju fort dhe tregou i kujdesëshem, mbasi drejtori Villa kerkon per të bërë keq!”

Unë u topita nga fjalët e tij, mbasi kater vjet perpara drejtori Skender Villa kishte arrestue vllaun e madh Alfonsin, që u dënue tetë vjet burg, ndera vllaun tjeter Toninin e perjashtoi pergjithmonë nga shkolla me motivacionin “nuk pajtohet me frymen e shkollës së re”, pra, edhe unë ishe në pragun e një vendimi të tillë prej këtij drejtori katil.

Në vitin e dytë (1953) një tjeter Prof., Abdyl Kajanaku, na mësonte psikologji dhe landen kryesore, até të pedagogjisë, me të cilen vlersohej dhe aftësia e jonë per mësues. Ishte ma i moshuemi i grupit të profesorëve të Elbasanit, por me heshtjen e Tij jepte me kuptue shumë. Në dukje jepte pershtypjen se nuk kishte shoqni me profesora tjerë, po në të vertetë shihej ma shumë se të tjerët me personelin shkodranë, me të cilët ndonjëherë shihej edhe në Fushen e Qelës tue shetitë.

Ndersa në vitin e tretë dy landet e pedagogjisë (teori dhe praktikë) na i jepte Prof. Gani Daiu, që njihej si autoritar dhe shumë i aftë. Kur fliste, dallohej në perdorimin e Gegnishtes së Elbasanit. Në fund të vitit 1955 shkolla Pedagogjike u nda nga Gjimnazi dhe në maturë na shkueme në një ndertesë perballë ku deri atëherë grumbullohej drithi. Me né erdhi edhe grupi i profesorëve të Elbasanit, prej të cilit Drejtor i shkollës Pedagogjike u emnue Prof. Gani Daiu, një Profesor shumë i pergatitun në të gjitha drejtimet e jetës.

Vendi ku rrotulloheshin karro e qerre me drithë do të kthehej në shesh sportiv e mbrendë ambjenti duhej transformue nga magazina në shkollë…Per ambjentin e mbrendshem u ngarkue Prof. Lazer Kakarriqi, dhe per ambjentin e jashtem Prof. Esat Haxhi, dy profesorë të cilët do të mbesin të paharrueshem per brezat që ata vite ishin nder bankat e asaj shkollë. Me Prof. Lazrin u ngarkuem me punue një grup studentash që mbetem miq të perjetshem, Isa Alibali, Ferdinand Paci, Gjildo Haxhia dhe unë. Mbrenda dy tre muejsh ambjenti u kthye në një shkollë model. Po e njajta gja u realizue edhe në ambjentin rrethues perjashta.

Landen e marksizmit na e jepte sekretari i PPSh së shkollës, Prof. Enver Thanasi, i ardhun nga Vlona. Ishte personi ma i lidhun me komitetin e rinisë së shkollës, ku sekretar ishte nxanësi i klasës s’ime Bep Jubani. Kishte tre vjet që ishte antar i komitetit të rinisë së shkollave të cilave i ka sherbye ashtusi donte “partia”!!.

Në muejn maji, pak javë para mbylljes së vitit shkollor, Prof. Thanasi gjen një moment dhe organizon një mbledhje bashkë me sekretarin, Bepin, “me më thye mue dhe Eduard Çiurçisë nga një notë në sjellje, pse u qeshem…në oren e marksizmit…” Po mos t’ishte kundershtue propozimi nga Luçije Abati, dhe sikur gjithë kolektivi i klasës mos të mbante krah nga qendrimi i saj, edhe sot nuk do t’ishe me dokument mature e kushedi ku ishte fundi!

 As këshilli pedagogjik nuk e pranoi propozimin e tyne, që si argument kryesor perdornin “biografinë” tonë.

Perfundoi viti shkollor dhe shumica iken nder fshatra. Bepi me disa “konviktorë” shkuen me studjue jashta shtetit, në Moskë dhe në vende të tjera socialiste… Vitet ecnin si gjithnjë! Kujtime që nuk shlyhen.

Me rasen e 10 vjetorit të maturës, në vitin 1966, unë përgatita një ekspozitë personale, me rastin e grumbullimit të shoqnisë sonë shkollore në shkollen pedagogjike, traditë që vazhdohet edhe sot nga ishstudentët e atyne viteve. Fjalen e hapjes e mbajti Ferdinand Paci. Ishte jo vetem shok shkolle po edhe Mik i emi deri në diten e fundit të jetës së Tij…

Një ditë ma parë, pra me datën 24 Qershor të 1966, tue kalue kah Kafja e Madhe, po shoh një burrë me kapelë republika të ndalun tek blini përballë hymjes. Kur u afrova afër shoh se ishte Prof Ganiu, që kishte ardhë nga Tirana për takimin tonë tradicional dhe po fliste me Bep Jubanin. Prof. Ganiu kishte plot 6 vjet që ishte trasferue në një shkollë teknike atje. Prita sa u nda prej Bepit dhe mbasi u përshëndetëm, me kërkesën e Tij, hyme me pi nga një kafe. Porsa u ulëm më pyeti për Bep Jubanin. I thashë vazhdoj mos me folë me té që nga mbledhja e fundit të vitit të maturës. Atëherë Prof. Ganiu hapi një histori të vitit 1956, kur isha maturant.  Aso kohe Ai  kishte pasë një të njohun të vetin oficer në degën e mbrendshme të Shkodres, që e kishte thirrë në degë dhe i kishte kërkue mendim si drejtor shkolle, nëse mundej të ishte e vërtetë kjo deklaratë e lëshueme nga sekretari i rinisë komuniste të shkollës, Bep Jubani? – Ky e kishte lexue: “Traktet e hedhura këto ditë në shkollën Pedagogjike, mendojmë se janë shkrue nga Federik Radovani, mbasi ai ka shkrimin e bukur dhe të ngjashëm me këte të trakteve. Njëkohësisht dy vëllaznit e tij, janë përjashtue nga shkolla se nuk janë pajtue me frymën revolucionare të shkollës sonë. Në fund kishte firmue Bep Jubani. Prof. Ganiu ishte pergjegjë: “Jo, kurrë nuk e ka bërë Fritzi këtë, jo! Unë e njoh mirë dhe ju garantoj se ai nuk është aq i papjekur. Domëthenja e kësaj deklarate ka lidhje me një kurdisje të Bepit me prof. Enver Thanasin, dhe ka të bëjë me një keqdashje të tyre ndaj Fritzit. Bepi ka punuar shumë për të eleminuar këte njëri, ai edhe tek unë ka tentuar të më bind per gjëra të tilla…Fritzi nuk është i tillë. Ai është ndër nxënësit më të përgatitur dhe të rregullt të shkollës, për këtë ju garantoj unë e po qe nëvoja këto fjalë i thëm edhe më lart!” Ky ishte Prof. Gani Daiu nga Elbasani perballë një agjenti sigurimi nga Shkodra!..

Ata Profesorë asht e vertetë që nuk vijnë ma qytetit të Shkodres!

Ata Mësues nga Elbasani ishin edhe prindët tanë, po edhe dashamirë të pashoq!

Asht e vertetë se kanë kalue shumë vite po Ata mbesin të Perjetshem nder kujtimet tona!

Shumica vertetë nuk jetojnë, po Emnat e Tyne nuk shlyhen asnjëherë nga kujtesa!

Themelet e asaj edukatë janë të pashlyeshme!

Edhe sot ajo edukatë vazhdon me nxjerrë filiza tek ajo lulishtë që na kujton aq shumë vepra të perherëshme, të Atij brezi të Paharrueshem t’ Atyne Miqve të Pavdekshem t’ Elbasanit të Shqipnisë sonë!

E me Ata Profesora rreshtohen edhe qytetarët e Korçës dhe të qyteteve të tjera…

Ata kujtime shkelqejnë edhe sot nder Ata Gurë të daltuem atëherë!..

Kujtime, kujtime… Kujtime që janë shkrue perjetësisht nder Gurt’ e Rozafes…

Rozafës, Asaj Plakës së vjeter karrshi Taraboshit…

            Melbourne, 28 Fruer 2025.

Refleksionet e publicistit: Kur Venizellos pranon botërisht, se ushtria e tij ka vrarë në tokat tona 15.000 shqiptarë…

Nga Gani Vila

Pjesa e dytë

Detyrimi që unë po shkruaj rreth këtyre krimeve të planifikuara antinjerëzore, të kryera në ato vite nga ushtria e rregullt e shtetit grek, nuk vjen për faktin se unë jam nga ajo zonë, as për faktin se në mes të 375 personave të masakruar, nga data 2 deri në 10 korrik të vitit 1914 në fshatin Panarit të Korçës, 25 persona i përkasin të parëve të familjes sime, të cilët janë djegur të gjallë nga ushtria greke në shtëpinë e Rrape Vilës në lagjen “Vilë”, por më shumë jam i shqetësuar për qëndrimin antikombëtar dhe antinjerëzor të vetë shtetit shqiptar dhe të gjitha qeverive të tij të mëparshme, qysh nga kryerja e gjenocidit grek dhe deri më sot.

Deklarata e papërgjegjshme që përmenda më sipër, të Qeverise Shqiptare dhe të vetë Kryeministrit Edi Rama, krahas ofendimit dhe denigrimit që i bën kësaj popullsie, sjell dëme të interesave tona kombëtare të brendshme dhe të jashtme. Këto qëndrime dilitanteske të diplomacisë shqiptare, na paraqesin në botë dhe para atyre që na kanë vrarë pa dinjitet, si një komb pa thelb, që nuk njohim të kaluarën e të pa orientuar për të ardhmen, pa histori, të pa fe, pa strategji të brendshme dhe të jashtme kombëtare barbarë, të paditur e të pakulture, frikacake, etj.

Me deklarimet tuaja keni turpëruar të vdekur e të gjallë në dije, moral, në traditë e në kulture. Respekti dhe nderimi ndaj shqiptarëve të vrarë e dëbuar nga shteti grek që ka kryer gjenocid për pastrim etnik në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim, nuk është vetëm detyrim kushtetues që ju keni si kryeministër, por për të vrarët është edhe detyrim moral, tradicional e njerëzor, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për grekët e mbarë njerëzimin.

Keni menduar dhe folur keq, prandaj duhet të reflektoni sa me parë, sepse deklarimet e papërgjegjshme që ju keni bërë, dëmtojnë interesat tona kombëtare dhe nga ana tjetër nuk sjellin klimë të favorshme dhe as përmirësojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ka kaluar me shume se një shekull Z. Rama, kur janë kryer këto krime nga ushtria greke e udhëhequr nga homologu juaj i asaj kohe, Elefteros Venizellos, i cili kur e pa se po dështonte në rrugën diplomatike për marrjen e Vorio Epirit, vendosi t’i dëboje dhe t’i asgjësoje me çdo kusht shqiptarët e këtyre trevave pa dallim; myslimanë dhe të krishterë, që nuk pranonin se ishin grekë.

Venizellos, kryeministri i Greqisë, i etur për të gllabëruar sa më shumë territore për realizimin e ëndrrës së “Megaliideas”, në vitet 1913-1914, përdori me efikasitet diplomacinë, kartën e aleancës me grupin e Antantës, shfrytëzoi lidhjet me shtetet e tjera dhe gjendjen kaotike që solli lufta Ballkanike dhe veçanërisht situatën e pasigurt të asaj kohe në Shqipëri.

Venizellos, disa vite mbasi kishte kryer krimet maka bre në Shqipërinë Juglindore, në Konferencën e Paqes më 24 shkurt të vitit 1919 (dosje nr. 5) ndër të tjera lidhur me këto krime do të shprehej; “Vrasjet e 15.000 shqiptareve myslimanë, janë bërë nga elementet violentë të krishterë….”! Pra Venizellos pranon botërisht se ushtria e tij ka vrarë në tokat tona 15.000 shqiptarë, civile të pa fajshëm, shifër e cila në realitet është rreth 50. 000 mije.

Nga burime të sigurta është vërtetuar dhe bie poshtë teza se këto krime i kryen të krishterët shqiptarë, të ndihmuar nga ish- të burgosurit e Kretës. Qeveria e Venizellosit, për t’i shpëtuar akuzave që mund të ngriheshin ndaj Greqisë, për krime kundër njerëzimit, investoi dhe manipuloi të vërtetën duke ia paraqitur opinionit ndërkombëtar botëror sfidën, se shqiptarët janë vrarë mes tyre dhe nga kriminelë grekë të pa kontrolluar. Kjo legjendë, që edhe sot serviret si arsye për justifikim, fatkeqësisht është “ngrënë” nga të gjithë syleshët tanë pushtetarë.

Çka thotë Venizellos asgjë nuk është korrekt, sepse është vërtetuar me prova të sigurta, dëshmi dhe me dokumente se ushtria e Greqisë, pas tërheqjes së detyruar nga ndërkombëtarët, që ajo bëri nga tokat shqiptare në vitin 1913, u rikthye përsëri në tokat tona në janar të vitit 1914, por ketë herë ushtria e rregullt greke, ishte e veshur me uniforma civile dhe e shoqëruar edhe nga priftërinjtë e kishës greke të cilët, ishin pjesëmarrës aktivë në këto krime.

Krahas armatimit personal ushtarët grekë ishin të pajisur edhe me mjete të dhunshme fizike, si kama, hanxharë, thika etj., për të masakruar e vrarë barbarisht popullsinë civile, për të mbjellë tmerr dhe frikë tek shqiptarët me qëllim që ato familje që kishin ikur nga shtëpitë ku jetonin, të mos ktheheshin më. Njëkohësisht qeveria Venizellos para ndërkombëtarëve do të justifikonte se këto krime janë kryer nga persona civilë dhe jo nga ushtria greke. Kështu grekët e realizuan gjenocidin dhe e manipuluan atë për t’ju shmangur gjykimit të drejtësisë dhe turpit në arenën botërore.

Ky “sukses” i grekëve fatkeqësisht është ndihmuar edhe nga vetë shteti dhe qeveritë shqiptare, të cilët për të qëndruar në pushtet të zhytur e të baltosur në injorance e tradhti, na kanë turpëruar si komb për një shekull të terë, duke harruar të vrarët dhe u kanë dhëne lavdi krimineleve dhe shtetit grek. Ndër kohë, krimet që ushtria greke i ka kryer në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914, nga studio prestigjioze ligjore amerikane, angleze, etj., janë klasifikuar “Gjenocid për pastrim etnik”.

E pra i nderuar z. Kryeministër, gjenocidi që ushtria greke kreu ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore në vitet 1913-1914, është arsyeja dhe koha kur marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit fqinjësor që ekzistonin me grekët u gjakosën. Në këto vite janë prishur marrëdhëniet ndër vëllazërore midis Shqipërisë dhe Greqisë. Këtu në vitet 1913-1914, është koha për t’i zgjidhur problemet me Greqinë dhe jo nga viti 1945, siç deklaroni ju. Gjithçka që është bërë e folur mbas këtyre viteve edhe deklaratat tuaja kanë qenë dhe janë një falsitet marrëdhëniesh gjoja të “mira” dy paleshe!

Edhe Gjenocidi ndaj Çamëve nuk ka filluar ne vitin 1945, edhe Ligji i Luftës nuk është arsye veç për Çamët…! Nuk është koha të heshtni z.Rama, si qeveritë e mëparshme. Greket kërkojnë Vorio- Epirin. Në shkollat dhe në ushtrinë greke, në raste festash kombëtare nxënësit e ushtarët, këndojnë këngën e Vorio-Epirit përpara Parlamentit grek, në pllakë guri është gdhendur harta greke që përfshin edhe Vorio Epirin, po ashtu edhe kisha greke me format e saj bekon vazhdimisht çështjen e Vorio-Epirint. Ky është shteti grek që punon dhe investon, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, muaj dhe vite, me pagesa e pensione, me korruptime, me presione, me shantazhe e agjentura.

Ata kërkojnë të ndërtojnë varre në tokën tonë të përgjakur prej tyre, kërkojnë të marrin detin e favore të tjera. Do të përmend një rast qesharak, por që flet shumë për ne shqiptaret, kur grekët guxojnë të thonë; përse Parlamenti i Republikës të Shqipërisë, zgjodhi si nënkryetar të Parlamentit Shqiptar, shqiptarin Shpëtim Idrizi.

Të gjitha këto e shumë veprimtari të tjera antishqiptare të grekëve, kanë vetëm një qëllim; “ëndrrën e vjetër”. Ata guxojnë t’i bëjnë këto deklarime e veprime hapur, pasi shikojnë se në pushtetarët shqiptarë mungojnë ndjenjat kombëtare. Pushtimi i gjatë i Shqipërisë nga Turqia, sidomos shekulli i fundit si dhe fqinjësia kanë favorizuar Greqinë për të na vjedhur e përvetësuar historinë tonë të lashtë kombëtare.

Mbi gjakun e patriotëve shqiptarë që i dhanë Greqisë pavarësinë, grekët ngritën kombin e tyre. Nipërit dhe stërnipërit e arvanitasve, dikur krenarë për origjinën e tyre, sot e kanë për turp të thonë se janë shqiptarë. Edhe pse Ju z.Rama, jeni pak me i ri se unë, të dy jemi shkolluar në të njëjtin regjim, edhe pse profesionet i kemi të ndryshme, kemi patur mundësinë për të mësuar të njëjtën histori për popullin shqiptar, ndaj mua nuk më çudit mungesa e njohurive tuaja për gjenocidin që grekët kanë kryer në Shqipërinë Juglindore, në vitet 1913-1914, pasi ajo nuk është pasqyruar në librat e ‘Historisë së Popullit Shqiptar’ e këtu nuk është faji juaj kur flasim si Edi, pasi edhe unë po të mos isha nga kjo zonë që po flasim, do të isha i paditur si Ju.

Por Edi Rama në rolin e Kryeministrit të Shqipërisë e, veçanërisht në kohën e favorshme të mandatit tuaj, kur mediat kanë vite që flasin e shkruajnë për ketë gjenocid, edhe në se nuk keni këshilltarë të aftë e të zotë, si kryeministër, vetë JU keni patuar mundësi që të merrnit njohuritë e nevojshme për këto krime e, të urdhëronit fillimin e procedurave për përgatitjen e dosjes të këtij gjenocidi.

Përse z. Kryeministër shteti shqiptar vazhdon të ketë këtë inferioritet ndaj shtetit grek. Keni 26 vjet që të gjitha qeveritë shqiptare i ndjek pararoja e presionit helen, se mos emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, shteti grek do t’i kthejë në Shqipëri.

Emigrantët shqiptarë në Greqi, ndonëse në censurë, kontroll ,trysni fizike dhe mendore të gjithanshme, vazhdojnë të punojnë e të ndërtojnë Greqinë në një kohë kur po humbasin me shpejtësi, pa e kuptuar identitetin, traditat, kulturën, gjuhën e veçanërisht perspektivën e fëmijëve dhe të familjeve të tyre. Ashtu si trajtohen në Greqi emigrantët, po shkojnë drejt injorim- asimilimit, të cilët edhe mbas 50-100–200-300 vjetëve e më shumë, edhe pse kanë marrë pasaporta Greke nuk do të quhen kurrë grekë, por shqiptarë të përbuzur si trashëgiminë breza, siç ka ndodhur edhe me arvanitasit.

Atëherë kurrë nuk është vonë z.Rama, ndaj ju lutem që me autoritetin e Kryeministrit të Shqipërisë, të vini në shërbim të popullit tuaj, ministritë, institucionet, Akademinë e Shkencave, historianë profesionistë për hartimin e dosjes për Gjenocidin që Grekët kanë bërë në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim. Duke vepruar kështu z.Rama do të qetësohemi ne të gjallët dhe do të vini në vend dinjitetin e të parëve tanë që shteti grek ja u ka shkelur duke i dëbuar, torturuar, masakruar, vrarë, djegur të gjallë, përdhunuar e rrëmbyer nënat, motrat e vajzat tona, në shtëpitë tona.

Po ashtu edhe qeveria greke e veçanërisht populli grek, kur të mësojë të vërtetën se të parët e tyre e kanë kryer këtë gjenocid, do të kërkojnë falje, për krimet e do të jenë të gatshëm për të paguar dëmshpërblimin e nevojshëm, në të kundërt dosja le t’i kalojë institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare. Nëse ndodh kështu, autoriteti i shtetit shqiptar, ngrihet në nivelet e fqinjëve dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke do të rivendosen në baza të shëndosha.

Është e nevojshme dhe keni mundësitë z.Rama, të veproni si burrë shteti e nëse kjo nuk ndodh, prapë ju lutem, si piktor që jeni, të bëni një pikturë kushtuar shqiptarëve të vrarë nga gjenocidi grek. Po ashtu edhe pse feja është e ndarë nga politika në Shqipëri, ju lutem që të ndikoni edhe tek kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, të mbajë një meshë për shpirtrat e të vrarëve myslimanë e të krishterë nga ushtria greke dhe veçanërisht për kolegun e tij At. Stath Melanin nga Përmeti, që ushtria greke e vrau vetëm pse ishte shqiptar dhe kokën sipas urdhrit të kishës greke e çuan në Athinë.

Z. Kryeministër, do të kisha dëshirë që nga mërgimi i largët ku jetoj t’ju falënderoja për punë të mirë që po bëni ndaj popullit tonë, por kjo nuk ndodhi. Në këto rrethana duhet t’ju drejtohem institucioneve më të larta kushtetuese të shtetit shqiptar.

Edhe pse unë e di që Presidenti i Republikës të Shqipërisë aktualisht ka kompetenca të kufizuara kushtetuese, edhe pse e di që Parlamenti i Shqipërisë, fatkeqësisht është i kriminalizuar dhe seancat e kuvendit ka vite që janë kthyer në humor, po i shkruaj këto rreshta për të respektuar shtetin tim, për respekt të atyre shpirtrave që nuk prehen të qetë, por edhe për t’i bërë të ditura këto krime, ketë gjenocid që Ushtria Greke ka kryer ndaj të parëve tanë që edhe pse në jemi të pa kënaqur ndaj shtetit dhe qeverisë shqiptare, le të ngelen në kujtesën e mbarë popullit shqiptar, veçanërisht për gjeneratat që do të vinë dhe situatat ndërkombëtare që ndryshojnë aq shpejt.

I nderuar zoti President i Republikës së Shqipërisë, i nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht se problemi për të cilën unë po shkruaj si ngjarje, është më i hershëm se ardhja Juaj në pushtet, ndaj nuk ju kërkoj juve ndonjë përgjegjësi për ketë heshtje, por për pozitën tuaj institucionale e kushtetuese që keni, unë kam të drejtë t’ju pyes: Përse ju heshtni ndaj shkeljeve flagrante të deklaratave të papërgjegjshme partiake, të paraqitura në emër të kombit që bëri ministri i Jashtëm i Shqipërisë z. D. Bushati në Athinë dhe kryeministri i Shqipërisë z. E. Rama në Kongresin e PDIUS-së.

Jeni edhe ju të pa ditur ose të pa vëmendshëm? Keni gabuar që nuk keni reaguar. Kush ia dha të drejtën Qeverisë shqiptare që t’ju falë grekëve, krimet e gjenocidit që ka bërë ushtria greke ndaj popullsisë së pafajshme civile shqiptare në vitet 1913-1914 dhe në vazhdim në Shqipërinë Juglindore? Ku e gjeti të drejtën qeveria shqiptare që të shkelë mbi gjakun e foshnjave të lindura e të pa lindur, pleqve e plakave, motrave dhe nënave tona shqiptare të masakruara, të djegur të gjallë, të vrarë në shtëpitë e tyre, në tokën tonë amtare? Të dhëmb shpirti kur mëson që nuk kanë as varre për t’i qarë dhe për të vendosur një tufë lule.

Para dy vjetësh në korrik të vitit 2014 në fshatin Panarit të Korçës, Shoqata Atdhetare Kulturore e Trevës së Vakëfeve Korçë, për herë të parë mbas një shekulli mundësoi përkujtimin e 100 vjetorit të Gjenocidit të ushtrisë greke e cila në korrik të vitit 1914 masakroi, vrau e dogji të gjallë 374 pleq, plaka, gra, djem vajza e fëmijë, mbi 100 panaritas të tjerë të dëbuar vdiqën nga uria dhe epidemia që i zuri gjatë rrugës për në ullishtat e Vlorës dhe fshatrat e tjerë, për rreth dhe mbi 200 familje të krishtere dhe myslimanë e lanë vendlindjen fshatin Panarit, duke shkuar në fshatra e qytete të tjera të Shqipërisë, por një pjese e madhe emigroi edhe jashtë shtetit.

Në ketë përkujtimore morën pjesë deputetë të Kuvendit Popullor të Republikës të Shqipërisë, Arta Dade e Piro Kapurani, Ministri i Bujqësisë të Republikës të Shqipërisë, djali i këtij fshati, Edmond Panariti, përfaqësues të pushtetit lokal, prefekti i Korçës Ardit Konomi, Kryetarja e Qarkut të Korçës Irena Nikaj, Kryetari Komunës Vithkuq Azis Panariti, etj., të cilët janë për t’u përgëzuar pasi ishte hera e parë që të masakruarve të kësaj zone ju “afroheshin” aq shumë pushtetarët shqiptarë.

Por nga filmimet e plota që dy kameramanët e ALBTVUSA-s, A.B. dhe R.H. që i bënë ceremonisë përkujtimore, të lartpërmendurit kanë folur privatisht, me dhimbje ashtu si ata e ndjenin dhe me qenë se kam rastin si bir i atij fshati unë i falënderoj.

Ajo që të bën përshtypje dhe tregon dyfytyrësinë e Shtetit Shqiptar, është fakti se nuk patëm një përshëndetje, fjalë ngushëllimi zyrtare në emër të shtetit dhe të Qeverisë Shqiptare gjë që e prisnin të gjithë të pranishmit. Nuk foli askush që pasardhësit e ekzekutorëve grekë të kërkojnë falje për ketë Gjenocid, nuk foli askush për detyrimet që i dalin shtetit shqiptar që të krijojë dosjen e këtij Gjenocidi dhe të shkruhet drejt e vërteta në ‘Historinë e Popullit Shqiptar’, si pjesë e kësaj historie.

Ju z. Kryeministër, para se të merrnit detyrën jeni shprehur në mediat shqiptare, se një nga arsyet që donit të uleshit në karrigen e Kryeministrit, ishte që të ngelesh në historinë e Shqipërisë, natyrisht për mirë. Por edhe në qoftë se bën keq me atë detyrë që ju keni do të ngeleni në histori.

Po ata të parët tanë njerëz të thjeshtë, bujk e blegtorë, zanatçinj e shtëpiakë, fëmije që kullosnin bagëtinë, që luanin rrugicave të fshatit e që greku i vrau, se kanë pasur fatin, mundësinë dhe komoditetin tuaj që të uleshin në një kolltuk si ai i juaji, ndaj unë ju pyes:

Si mendoni JU z. Kryeministër i Shqipërisë, për cilët duhet të shkruhet në Historinë e Popullit Shqiptar, më parë për 50.000 të vrarë barbarisht nga Gjenocidi grek në Shqipërinë Juglindore, apo për Kryeministrin Edi Rama, gjallë në kolltuk? Z. Rama, është koha ta hapni kapakun e poçes, tija hiqni petën lakrorit grek./ Memorie.al

NANA  SHQIPNI  QINDRO!- Nga Fritz RADOVANI

 

 

  • O  NANA  SHQIPTARE,

 

NUK  JENI  AQ  PAK  SA  MOS  ME  JU  KUJTUE !..

MBI  45.000  FUTA  T’ ZEZA  E  DEGERMIA   MBAS   VITIT 1944, MBULUEN  KOKAT  E  NANAVE  TONA.

JANË  ATO  FATZEZA  QË  DISHRUEN  ME  I  PASË  LOÇKAT  E  ZEMRES  S’ VET  N’ PREHEN  E, ME LOTET  E  VETA,  ME  UA  LA  PLAGET  E  TRUPIT, ATA  PLAGË  TË  DORËS  BARBARE  T’ ATIJ  TIRANI, QË  UA  KALOI   EDHE  XHULLIJVE  TË  KRISHTIT…

AH, O NANË, VETEM HANXHAR’ E HESHTA, PROVOI  AJO  ZEMER !..

 

Melbourne, 22 FrUER 2025.

Author: Fritz RADOVANI

Translated by Julian ÇEFA

MOTHER  ALBANIA  BE  STRONG !

 

OH  ALBANIAN  MOTHER,

YOU’RE NOT JUST A FEW, SO WE CANNOT REMEMBER YOU. IN 1944, OVER FORTY FIVE THOUSAND BLACK KERCHIEFS AND VEILS COVERED THE HEADS OF OUR MOTHERS. THEY ARE THOSE UNLUCKY MOTHERS WHO WISH TO HAVE THE DEAREST OF THEIR HEART IN THEIR LAPS, AND WITH THEIR TEARS TO WASH THE WOUNDS OF THERE BODY. THOSE WOUNDS FROM THE BARBARIAN HANDS OF THE TYRANT, WHOSE TORTURE PASSED THAT OF JESUS.

OH MOTHER, ONLY SPEARS AND SWORDS TRIED YOUR HEART.

 


Send this to a friend