Më 8 shtator, në Pallatin Karolyi, do të kujtohet përmes një aktiviteti mbretëresha e shqiptarëve
“Çehrja, flokët, mustaqet e mbretit janë biondë. Vishet me elegancë, ka një joshje natyrore, megjithëse ndonjëherë është nervoz. Kuraja e tij është e pakundërshtueshme, krejt si inteligjenca dhe kapacitetet e tij intuitive …” Kontesha Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony ose ashtu siç njihet tashmë nga të të gjithë mbretëresha Geraldinë, do t’i sillte shpesh në mendje këto fjalë të thëna nga Jozef Suari. Vajza që e kishte kaluar adoleshencën dhe rininë e hershme në një nga kështjellat më të bukura të Hungarisë në Zebegeny, bashkë me të motrën Virginia, e kishte ëndërruar shpesh djaloshin që do t’i rrëmbente zemrën. Sjellja e tij duhet t’u ngjasonte rrëfimeve për burrat që kishte dëgjuar në bisedat e Aponyve. Me përfytyrimet e një vajze të grishur nga e papritura dhe imazhi i një burri që dukej interesant përmes tregimeve për të, ajo vizatoi në mendje portretin e saj për mbretin Zog. Me një shqetësim të ëmbël brenda vetes, kontesha udhëtoi drejt Shqipërisë për ta takuar. Ishin ditët e fundit të dhjetorit dhe mbreti kishte organizuar një ballo me rastin e Vitit të Ri. E veshur me një fustan të gjatë elegant, flokët e krehur lehtë, kontesha hungareze priste me ankth të shihte burrin për të cilin kishte udhëtuar nga larg. E rritur mes leximesh ajo besonte fort në fuqinë e takimit të parë. Nëse sytë e tij do të depërtojnë menjëherë brenda trupit të saj, atëherë mes tyre do të kishte një histori. Kur princesha Senije i thotë se tashmë ka ardhur momenti të takojnë mbretin, ajo stepi. Ai ndodhej vetëm pak metra larg saj, diku në fund të sallës të mbushur me njerëz. “Po arrinim në fund të sallës, kur befas pashë para meje një burrë trupmadh e të hollë, shumë elegant, që po bisedonte me një shef të misionit të huaj. U kthye nga unë dhe duke ndeshur për herë të parë vështrimin e tij, ndjeva një shqetësim të habitshëm. Kishte sy bojëqielli, zhbirues dhe robërues …”, do ta kujtonte më vonë Geraldinë atë moment. Mbreti do t’i buzëqeshte, duke e falënderuar që kishte ardhur nga larg, e duke e pyetur mbi udhëtimin. Por Geraldinë nuk mund të jepte asnjë përgjigje. Papritur ajo e ndien veten të pushtuar nga një ngërç emocionesh, duke e ndier se sapo ishte takuar me të ardhmen e saj. “S’munda veçse të belbëzoja një përgjigje. Shumë persona afroheshin për ta përshëndetur, por të motrat, princeshat, na rrethonin si për të na mbrojtur nga kureshtjet e turmës. Mbreti i prezantoi me radhë, pastaj më zgjati një kupë shampanjë shkreptitëse. Gishtat tanë u çikën dhe saktësisht në këtë çast dritat u fikën. Tronditja kishte qenë kaq e fortë saqë e lëshova gotën; ajo u thye në mijëra copëra, ndërsa po kumbonin dymbëdhjetë goditjet e mesnatës”, kujtonte më vonë mbretëresha Geraldinë. Ishte viti 1938 dhe një vajzë e rritur salloneve ndihet e pushtuar nga ankthi i një takimi që aq shumë e kishte pritur. Mbreti e kupton menjëherë heshtjen e saj dhe për ta nxjerrë nga situata e fton për të ngrënë … Në një mbrëmje që do të zgjaste gjatë, Zogu dhe Geraldina duket se e gjetën menjëherë njëri-tjetrin. Nën shkëlqimin e një darke mbretërore, ajo ishte shkëlqimi më i bukur atë natë në pallat.
Shumë historianë apo biografë janë përpjekur të ndërtojnë një tablo të atij takimi, që do të ndryshonte përgjithmonë jetën e mbretit të shqiptarëve. Por rrëfimi më i ndier është i vetë Geraldinës, e cila deri në fund të jetës ruajti me kujdes si perla të një rruaze të çmuar, detajet e asaj mbrëmjeje. Josephinë Dedet është një prej biografeve më të mira të jetës së mbretëreshës Geraldinë. E dhënë pas historisë, kjo gazetare franceze do të tërhiqej menjëherë nga figura e mbretëreshës shqiptare që kur lexoi për herë të parë për të. Kur ishte e vogël, historia e saj i ngjasonte si një përrallë. Prindërit e Dedet ishin miq me gjysmëvëllain francez të Geraldinës, Guy Giraul.
Për herë të parë, Dedet do ta takonte në Ranburg (Afrika e Jugut) në vitin 1996. Përpara këtij takimi ato kishin shkëmbyer letra, të cilave mbretëresha u përgjigjej me shumë mirësjellje. Josefinë e pyeste për gjithçka, fëmijërinë, takimin me mbretin, Shqipërinë apo jetën në ekzil. “Falë letrave të gjata të shkëmbyera mes nesh, kishim filluar të ishim të afërta për njëra-tjetrën. Më në fund, në vitin 1996, unë shkova ta takoja atë në Afrikën e Jugut, ku ajo jetonte bashkë me të birin, Lekën, dhe familjen e tij dhe me motrën e saj, konteshën Virginia Apony, të cilën e kisha njohur më parë edhe në Francë”, thotë Dedet. Përgjatë një jave sa qëndroi atje, Jozefinë do të merrte më shumë përgjigje për pyetjet që i lindin nga letrat. Kur ajo i tha Geraldinës se donte të shkruante një libër për të, në fillim ajo do të hezitonte, për shkak të një libri që kishte dalë në Britaninë e Madhe, nga i cili kishte mbetur e zhgënjyer. Por pyetjet e bëra nga Dedet, përkushtimi i saj ndaj kësaj historie, e bënë të merrte bekimin e mbretëreshës Geraldinë. “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve” quhet libri që u botua për herë të parë në Francë në vitin 1997 dhe do të ribotohej sërish gjatë këtyre viteve duke u pasuruar me kapituj të tjerë, ku përfshihen dhe vitet e fundit të jetës që kaloi në Shqipëri.
Më 6 gusht të këtij viti, ishte 100-vjetori i lindjes së mbretëreshës Geraldinë. Ndërsa në Shqipëri, ky përvjetor kaloi në heshtje, për një figurë që është kthyer në një ambasadore të denjë të historisë sonë, Hungaria, vendi i saj i lindjes, do ta kujtojë përmes një aktiviteti, ku do të prezantohet dhe botimi në hungarisht i librit mbi jetën e saj. Nën botimin e shtëpisë botuese hungareze “Europa”, më 8 shtator në Pallatin Karolyi do të mbahet aktiviteti për nder të mbretëreshës Geraldinë, ku pritet të jenë më shumë se 250 njerëz. Për Josephinë, kujtesa ndaj një figure si Geraldinë është një kujtesë ndaj kujtesës sonë historike. Teksa shkruante jetën e kësaj gruaje, ajo ndiente sesi dhe rrëfimet e saj kanë aftësinë ta përsosin njeriun, me energjinë që mbartin brenda. Dedet ruan me fanatizëm çdo detaj të takimeve me këtë grua të jashtëzakonshme. Pjesa më interesante e rrëfimeve në këtë libër është jeta e saj në Shqipëri. Dhe pse vetëm një vit jetoi jetën e një mbretëreshe në pallat mbretëror, kjo jetë do të ishte gjithçka në atë çfarë ndodhi më vonë me jetën e Geraldinës. “Jeta në Shqipëri për një vit la gjurmë të thella në jetën e saj. Ajo ra në dashuri me vendin dhe gjatë viteve të qëndrimit në emigrim nuk e harroi asnjëherë këtë. Kur unë e pyeta njëherë ‘A mendoni ndonjëherë për Shqipërinë?’ Ajo u përgjigj menjëherë: ‘Gjithë kohën’, dhe kjo ishte thjesht e vërteta”, kujton Dedet. Sipas saj, dashuria e saj me mbretin Zog ishte një dashuri e rrallë. “Ata u dashuruan me shikim të parë. Ajo gjithmonë fliste për të me një dashuri e pasion të thellë. Ata patën një jetë të vështirë në ekzil, por dashuria i ndihmoi për t’ia dalë me kurajë e guxim”, thotë Dedet. Kur ata u martuan, mbreti Zog ishte 42 vjeç dhe Geraldina vetëm 22. Ai kishte qenë beqar për shumë vite dhe kishte një aftësi për të depërtuar te njerëzit. Ai e njohu menjëherë zemrën e saj, ndërsa ajo iu përkushtua tërësisht atij. Ajo do të ishte forca e tij gjatë ekzilit apo sëmundjes. E rritur në një familje të një shtrese të lartë, Geraldina e njihte mirë gjuhën diplomatike dhe e përdori atë për t’ua dalë shumë situatave në një jetë të vështirë siç ishte ekzili. Për Dedet ishte fat të shkruaje për këtë grua, e cila do të mbetet gjatë në histori. Kthimi në Shqipëri i familjes mbretërore ishte dhe paqja që erdhi më në fund në shpirtin e Geraldinës. Pavarësisht se ishte hungareze, ajo nuk do të ikte e qetë nga kjo jetë pa shkelur dhe njëherë në Shqipëri. Libri i shkruar nga Dedet i ngjason një romance në shumë kapituj të tij. Historia e dashurisë e mbretit me mbretëreshën dhe lidhja e tyre e fortë gjatë viteve në emigrim, i ngjason një historie që mund ta gjesh vetëm në libra. Dedet ka dashur të japë përmes këtij libri gjithçka çfarë ndodhte brenda zemrës së një gruaje, orët e saj të bukura të dëshirave, por dhe trishtimit. Orët pas natës së parë të takimit, përshkruhen nga Dedet si orë të mbushura me parandjenja. “Nëse ngurrimet fillestare janë zhdukur mirë e bukur, ajo provon tani, pa e përcaktuar akoma natyrën e saktë, torturat dhe sfilitjet e një shpirti të dashuruar. Ngathtësia e saj, kupa e shampanjës e thyer, ngjyra veçanërisht pak tërheqëse e fustanit të saj, të gjitha këto i sillen në mendje dhe e bëjnë të skuqet nga turpi. Pasi ka pasur aty për aty përshtypjen se po jeton disa çaste të privilegjuara, tani ajo është e bindur se i ka pëlqyer mbretit. Përfundimisht”, përshkruan Dedet ditët e para në pallat të Geraldinës. Kur zgjohet të nesërmen në mëngjes gjen mbi tryezë një buqetë të madhe me karafila të kuq në formë zemre. Me këtë gjest mbreti kishte treguar se donte t’i fitonte zemrën asaj. Ditë më vonë, kur ajo hyri në ambientin e tij të punës për ta takuar sërish, ai i la të gjitha dhe u ngrit t’i puthte dorën. Ky ishte një gjest që ai nuk e bënte kurrë. Duke dashur të shmangte pyetjet e tepërta të një bisede të mbushur me emocione, ai i bëri direkt pyetjen që e mundonte prej ditësh: “A dëshironi të jeni gruaja ime?” “E njihnim pak njëri-tjetrin, por unë nuk mund t’i bëja ballë joshjes që buronte nga tërë personi i tij: tanimë e ndieja veten të dashuruar. Pa mundur t’i analizoja ndjenjat e mia, e dija që kurrë s’kisha takuar ndonjë burrë si ai”, kujtonte ajo më vonë. Dhjetë ditë do t’i kërkonte ajo kohë për t’u menduar dhe pas dhjetë ditëve do të kthehej sërish në pallat për të dalë prej andej vetëm si gruaja e tij … Kujtimet e Geraldinës, për gazetaren Dedet, janë kujtimet e bukura të një gruaje, e cila dashurinë për një burrë e ktheu në dashurinë e madhe për një vend …
Po dhe uné kamé jetue prané Mbretit et Mbretneshés Geraldine n’Egypte dhe né France dhe dote ishpjegohem ne librin time “Kujtimet né mergim”qe dote botohet né Tetor 2017 ne Tirane Per 1oo vjetorin e lindjes Komandant Hylle Spahija dhe une kimi marré pjesé ne seremoniné ne Kastellin e Aponjeve si ashtu n’iaugurimun e monumentin e Mbretneshes Geraldine ne Dolne (Slovakie ).
Po dhe uné kamé jetue prané Mbretit et Mbretneshés Geraldine n’Egypte dhe né France dhe dote ishpjegohem ne librin time “Kujtimet né mergim”qe dote botohet né Tetor 2017 ne Tirane Per 1oo vjetorin e lindjes Komandant Hylle Spahija dhe une kimi marré pjesé ne seremoniné ne Kastellin e Aponjeve si ashtu n’iaugurimun e monumentin e Mbretneshes Geraldine ne Dolne (Slovakie ).