Në Tel Aviv të Izraelit, Adolf Eichmann, oficeri i SS nazist, që organizoi “zgjidhjen përfundimtare të çështjes hebraike”, dënohet me vdekje nga një gjykatë izraelite për krimet e luftës. Eichmann u lind në Solingen të Gjermanisë në vitin 1906. Në nëntorin e vitit 1932, ai iu bashkua organizatës naziste elitë SS (Schutzstaffel), anëtarët e së cilës do të merrnin përgjegjësi të mëdha në Gjermaninë naziste, përfshirë policinë, inteligjencën dhe zbatimin e masave politikave antisemite.
Eichmann i ngjiti shpejt shkallët e karrierës, dhe me aneksimin gjerman të Austrisë në vitin 1938, u dërgua në Vienë me misionin e dëbimit të hebrejve nga qyteti. Ai krijoi një qendër efikase të deportimit të hebrejve, dhe në vitin 1939 u dërgua në Pragë për një mision të ngjashëm. Në janarin e vitit 1942, Eichmann u takua me zyrtarë të lartë nazistë me qëllim të planifikimin e një ”zgjidhjeje përfundimtare të çështjes hebraike”.
Nazistët vendosën të shfarosnin popullsinë hebraike të Evropës. Eichmann u caktua të koordinonte identifikimin, mbledhjen dhe transportimin e miliona hebrejve nga Evropa e pushtuar në kampet naziste të vdekjes, ku ata u mbytën në dhomat me gaz ose u detyruan të punonin deri në vdekje.
Në fund të luftës, Eichmann kapet nga forcat amerikane, por arriti të arratisej nga një burg në vitin 1946, pak para se të përballej me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Nuremberg. Jetoi për disa kohë me një identitet të rremë mes Evropës dhe Lindjes së Mesme, ndërsa në vitin 1950 shkoi në Argjentinë, një strehë e sigurtë për shumë kriminelë nazistë të luftës.
Në vitin 1957, një prokuror gjerman e njoftoi fshehurazi Izraelin se Eichmann ndodhej në Argjentinë. Agjentët e shërbimit sekret izraelit, Mossad, shkuan në Argjentinë. Duke e ditur se autoritetet argjentinase do të refuzonin ekstradimin e tij, më 11 maj 1960 ata e rrëmbyen Eichmann-in pak metra larg shtëpisë së tij.
Më 20 maj, një Eichmann i droguar u nis me avion nga Argjentina i maskuar si një pilot izraelit që kishte pësuar trauma në një aksident. Gjyqi ndaj tij nisi më 11 prill 1961 në Jeruzalem, dhe u transmetua drejtpërsëdrejti në televizion. Eichmann u përball me 15 akuza, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit, krimet kundër popullit hebre dhe krime lufte.
Ai pretendoi se kishte zbatuar vetëm urdhrat e eprorëve të tij, por gjyqtarët e shpallën fajtor për të gjitha akuzat më 15 dhjetor, duke e dënuar me vdekje.
Eichmann u ekzekutua me varje në litar më 31 maj 1962, në afërsi të Tel Avivit. Trupi i tij u dogj, dhe hiri u hodh në det.
Komentet