Ëndërrat e mia janë xixëllonja,
perla të një shpirti të zjarrtë.
Në qetësinë e errët të natës
llamburitin në grimca drite.
***
Flutura nuk i numëron vitet,
por çastet,
prandaj koha e saj e shkurtër
i mjafton.
***
Pema kundron
hijen e saj të hatashme:
është krejt e veta,
por nuk mund ta ketë.
***
Dashuria ime,
si një rreze dielli,
të pushtoftë e të dhuroftë
lirinë e dritës.
***
Prilli si një fëmijë
pikturon mbi tokë
pamje të shumëngjyrshme:
një çast më vonë i fshin,
ik nga sytë këmbët
dhe harron gjithçka.
***
Në kopshte kanë lulëzuar marshallojat,
të bardha në timin dhe të kuqe në tëndin,
në pranverë, pas gjumit të gjatë:
kanë njohur njëra tjetrën në heshtje.
***
Qielli ndonëse duke mbajtur nusen e vet,
tokën, mes krahëve,
i mbetet
pafundësisht larg.
***
O terr i pafund,
e drojtur është drita e kësaj llambe:
për të fituar mbi frikën tënde të vogël
ndez yje të pafundme.
***
Kur agimi si një lule
shumëngjyrëshe venitet,
dielli ngjitet në madhërinë e tij,
si një frut llamburitës.
***
O lulja ime, fati yt
mos qoftë në kurorën e një të marri.
Dije se ti ke marrë
bekimin e një agimi të ri.
***
Kaltërsia e qiellit dëshiron
gjelbërimin e pyllit:
në mes tyre ajri
psherëtin e rënkon.
***
Vuajtjet e heshtura,
mbajtur fshehur ndaj dritës së ditës,
do të shkëlqejnë në errësirë
si yjet e ndezura nëpër natë.
***
Në humnerat e errëta të shpirtit
ka çerdhe vetmitare
vuajtjesh të papërshkrueshme.
***
Kur pranvera është një ngazëllim lulesh
dashuria bëhet një rrëké
bukurie dehëse.
Kur mbaron dita e lulëzimit
dashuria bëhet ushqim
dhe pije e jetës.
***
Është bërë vonë, tashmë
qershia ka lulëzuar,
dita ka kaluar më kot, o çakërqjefe:
por pastaj ia ka behur kolovajza,
duke sjellë buzëqeshjen
e faljes sate.
***
Oqean i pafund, me mashtrimet,
me dashurinë për rrezikun
e dërgon në hapësirat e tua zemrën e burrit:
zëri i llahtarshëm
i sfidës sate të parreshtur
i prin larg udhës së guximit.
***
Xixëllonja kërkon
gjithçka vetëm në tokë:
nuk e di që janë
yjet në qiell.
***
Nën krahët e pyllit hijet e ndrojtura
duan dritën:
gjethet ua thonë luleve,
të cilat dëgjojnë dhe qeshin.
***
Një ditë ma dhurove një lule:
uhu, më theri me gjëmbat!
Megjithatë, bukuroshe, me një buzëqeshje
e prita dhuratën tënde.
***
Edhe pak nuk është pak
nëse shkon përtej shumit:
pakët mundin shumë më tepër
se shumët.
***
Retë qajnë
sepse terri ka rënë:
nuk e dinë se ato vetë
e fshehën diellin.
***
Gonxhja e jaseminit
nuk ka as dhimbje, as turp
për sakrificën e saj të vogël:
përkryerja, e padukshme,
është e pranishme tek ajo.
Mesazhi i pranverës
është i burgosur në pyll:
bukuria ia vë
këtë pengesë
bukurisë për t’u manifestuar.
***
Lulet janë fjalë,
gjethet janë heshtje,
krejt mbledhur
rreth tyre.
***
Falë joshjes
dashuria bashkon:
forca di vetëm
të lidhë me zinxhirë.
***
Ende pa paguar
si çmim jetën
do të marr shpërblim
lirinë.
***
Jeta jonë lëviz
nga misteri i natës
në misterin e lavdishëm
të dritës së ditës.
***
Tufa e zogjve
të këngëve të jetës sime
mezi pret të gjejë
një çerdhe në zërin tënd.
***
Kur pranvera vjen
pa e pasur kohën,
në prag të dimrit
nguron e pasigurt:
lulja ime
shfaqet pavetëdijshëm
kështu vdes
dhe nuk kthehet.
***
O dashuri, kur ti fal
duke harruar çdo fyerje
është një ndëshkim i tmerrshëm.
O bukuri, e pafalshme
është heshtja jote
përballë plagëve therëse.
***
Kur largohesh
duke më lënë vetëm,
një prekje bën të dridhet
kaltërsia e qiellit.
Nga kopshti në kopsht,
nga flladi në fllad
një ftesë për udhëtim
ngjitet regëtuese
në çdo fije bari.
***
Agimi i bie lahutës
në breg të territ:
kur ia beh dielli
kridhet në pelenat e tij.
***
Toka, e përskuqur
nga perëndimi,
ngjason me një frut të pjekur:
terri i natës
zgjat krahët e tij
për të prishur magjinë.
***
Flutura e kalon kohën e saj
duke dashuruar lulen lotos:
bleta në krejt harkun e vitit
fluturon lule më lule duke kërkuar nektar.
***
Buzëqeshja jote, e dashura ime,
është si aroma
e një luleje të panjohur:
e thjeshtë, e ëmbël, e patregueshme!
***
Valltari i përjetshëm vallëzon
nga koha në kohë
vallëzon bukurinë
në lulet pranverore,
nga fusha në fushë
mbi dallgët e të korrave.
Vallëzo padvekshëm,
o djalosh, në mendjen tënde,
në gjymtyrët e tua,
në ëmbëlsinë e shpirtit tënd,
në atë që sodit,
në atë që shkruan.
***
Dita vë në duart
e yjeve të heshtur
lahutën e saj të artë
që të përftojë
meloditë e saj të përjetëshme.
***
Kur në mbrëmje vorba
e ditës boshatiset,
merret e hidhet në oborrin
e yjeve.
Nata e pastron në terr
gjersa arrin ta rimbushë sërish
me ambrozien
e agimit.
***
Dashuria ime kërkon forcë
në travajet e ditës
për të gjetur paqe të paanë
në bashkimin e natës.
***
Bregu, kur
marea është e qetë,
pëshpërit në veshin e detit:
“Shkruaj atë që valët e tua
dëshirojnë të thonë.”
I pakënaqur, përjetësisht i paqetë,
deti i shastisur fshin
të gjithë ato që me shkumë i shkruan.
***
Toka, në ngërthimin e natës
pyet se çfarë gjuhe flet hëna,
por hëna nuk ka fjalë,
ka vetëm një fytyrë të qeshur.
***
Mali mban peshën e borës
që i shërben për veten:
atë që shkrihet
në shatërvanin gufues
e mbajnë të gjithë.
***
Hareja, e burgosur
në angrrat e tokës,
është shpalosur e lirë
në fletët e njoma të plepave.
Të prekura nga era e lirisë
gjejnë kohë për të jetuar pakëz:
një ëndërr të errësirës së heshtur
ka marrë trajtë trupore për të kërcyer
nëpër natë.
***
Kur do të humbë
drita e ditës
në humnerën e vdekjes,
yjet e pafundme
do të ndizen në sytë
mendimtarë të muzgut.
Drita e pakufishme e shpirtit
këndell plagët e botës,
të pamëshirshme, të dëshpëruara,
të mugëta.
***
Janë shuar në mugëtirë
rrezet e paskajme të diellit perëndues:
ngrihet me zëra të rinj,
të pashterrur, me shpresa të reja
mbi brigjet e një agimi të ri.
***
Në librin e jetës
shumë faqe mbeten boshe:
mos i mbush me mendime
të mendjes sate.
Atje poeti që fshihet në ty
kompozon pamje të qiellit:
me fjalën e tij hyjnore prek
fantazinë tënde.
***
Vëre në varkën
e reve të mbrëmjes
kurorën tënde të artë:
hiqja rrobat diellit
dhe në tempullin e perëndisë së vdekjes
shko të përgjunjesh në heshtje.
***
Gjerdani prej vese
thurur në fijet
e njoma të barit të vjeshtës
shuhet në çast:
megjithatë zë një vend
të përjetshëm mes bukurisë
së lavdishme të universit.
Gjerdani i stolive,
ndërsa qarkon një qafë mbretëreshe,
copëtohet pareshtur.
***
O shrëngatë lejekësh,
shokë të kohës së ftohtë,
kini hapur flatrat
e pasionit për fluturim.
Më thoni, si mund t’i mbush
këngët e mia me linfën
që bashkon ëndërrat e largësisë
në magjinë e qiellit të kaltër?
***
Faji im është tek gjembat,
nuk është faji tek lulet e mia:
lermi, o djalosh, gjembat,
dhe mblidhi lulet e mia.
***
Pallati i të pasurit
si një dragua
i çartur urie
shtrëngon mes spiraleve
një pafundësi gjërash:
E vështroj dhe mendoj
krahët e hapur
për përqafim
në shtëpinë e zbrazët
të varfanjakut.
***
Hëna thotë: “Dëgjo,
yll i mëngjesit,
kur nata
kthjellet,
në mbarim, para
se të ikë, ke arritur
të më bësh të të admiroj
buzëqeshur.
Ti, që ke ardhur mes dritës
dhe territ,
më ke bërë
të humb jetën.”
***
Mendoja se mund t’i numëroja të gjithë yjet:
kështu ka kaluar nata.
Duke numëruar dhe rinumëruar
nuk ia dola në krye asgjëje.
Nëse mjaftohem duke i soditur
mund t’i kem të gjithë yjet.
Kundrojeni oqeanin!
Mos vdisni
duke kërkuar ta boshatisni.
***
Hija e pemës sime
është për kalimtarët:
frutet e pemës sime janë për atë
që unë jam duke pritur.
***
Kur zjarri është i zënë rob
në zemrën e bimës,
shfaqet në gjethet,
në lulet dhe frutat.
Kur flaka, e pazbutshme,
e papërmbajtur, lëshohet e papenguar,
vdes në trajtë hiri të panevojshëm.
***
Lëre të merret me gjembat
atë që di t’i shikojë lulen
si një të tërë.
***
Ai që shoh në pasqyrë
është vetëm hija e vetes sime:
nëse mbetem pa të
është një zhgënjim i pashpresë.
***
Ai që e ka katandisur dashurinë
në një treg trupnash,
i shikon ngjyrat e dashurisë
nga një largësi e pamasë.
***
Përjetësia është e vërtetë: nuk ka asgjë
që mund ta masë!
Vdekja e dëshmon
pareshtur.
Komentet