Shqiptarët
Veshim kostumet e të vdekurve të Evropës
këpucët e të vdekurve të Evropës
dhe dalim rrugëve tona si evropianë…
Evropa na sheh, shpërvjel buzët dhe qesh
jo se i kujtojmë të vdekurit e saj
po sepse rrobet që kemi veshur,
këpucët që kemi mbathur
janë të dalë mode…
Po ne ecim: kostumet e të vdekurve na rrinë mirë
këpucët e të vdekurve nuk na shtrëngojnë
pavarësisht se rrugët i kemi me plagë.
Duke ecur ndiejmë se të vdekurit e Evropës
na ndjekin pas a thua se kanë harruar diçka nëpër xhepa:
karta krediti, para, kambiale, ëndrra, halucinacione…
na ndjekin si hije, si fantazma
mbase duke na dhënë uratë
mbase duke shpresuar se rrobet dhe këpucët e tyre
do të bëhen magjike
që dhe fëmijët tanë dhe nipërit tanë të veshin
rrobet dhe këpucët cinike. U tremba.
I hoqa rrobet dhe dola gati cullak
i hoqa këpucët e dola zbathur
dhe detit tim që më pa
i erdhi turp dhe për këmishë
ma fali një dallgë
dhe naftës time që më pa i erdhi turp:
më fali një damar për shall
Nga turpi fushat faqet ndukën
Dhe mbase nga turpi mbinë bohçe pambuku
Qanë malet, qanë pyjet
Kopsa e karfica i bënë lotët e tyre
E mua : burrit e prindit m’i dhanë
E unë i ulur në qoshen e oxhakut të dhimbjes së tyre
Gjakun e zemërimit e bëj flakadan.
Dhe flakët: xhubletën më falën…
Veç talljet evropiane ende nuk ndalën.
Psalmi 137: Ushtarët
Këtu pranë lumenjve të Babilonisë rrimë ulur dhe qajmë
nuk mund të këndojmë këngët e Zotit në një vend të huaj
rrimë ulur dhe qajmë, dhe qajmë.
Kështu qajnë gjithë ushtarët e botës kur kujtojnë të dashurat
dhe nuk mund të këndojnë: gjuha u lidhet me qiellzën
si hëna e vdekur me qiellin e dimrit.
Helmetat pa kokë: te kondaku i pushkës
Te bajonetat në tokë: pa këmbë këpucët.
Trupat kanë shkuar në Parajsën e Luftës.
Duke parë një hekur të vjetër për hekurosje në pazarin e Krujës
Antikuari e ktheu në anije…
Nëna: fokiste me një mashë
mbush anijen e vockël me prush
dy lugë të argjendta kafeje i bëri flugerë
nga dera e kuzhinës fryu Trëndafili i Erërave
u gufuan velat: shamitë e nënave të emigrantëve
me lotët ngrirë në formë stërkalash
Anija-antikuar kalon mes ishujve: filxhanë kafeje me harta llumi
plakat rrijnë rrotull: presin kthimin e djemve të vdekur
hekurosin për të njëmijtën herë bluzet e pantallonat e tyre
e nuk shohin si u shtohen rrudhat e fytyrave.
Një e qarë bëhet sirenë, brigjet dridhen:
– Kujdes, moj korbë,
në astaret e xhepave
paska mbetur një monedhë!
William Blake me të shoqen, të dy lakuriq, recitojnë vargje nga “Parajsa e Humbur”1)
Ka humbur Gjyshe Parajsa: vuan nga amnezia
vërtitet udhëve pa identitet, duke u qeshur të gjithëve
duke u dhënë fëmijëve karamele e qershia
duke shtyrë në lumë një vajzë të zhgënjyer.
E gjetëm Parajsën të pluhurosur donim t’i kujtonim kush ishte: u zhveshëm lakuriq
Na mban mend jemi ne – dy të parët, po ajo qesh: kujtesa i është kthyer në hije.
Mban mend kur të martova me Ferrin, u ndjeve e kënaqur
Ty yjet të dukeshin qirinj torte, bashkëshortit Ferr: koleksion plagësh.
Ulu Gjyshe, na shih lakuriq, mos rrudh buzët nga trupat tanë të lodhur
Kristina ngjan me Evën: lëkurën prej zymbylash të sapo larë nga vesa
Kristina Kristina Kristina. Sytë prej jargavani.
Pubisi: ferrëz ku sapo u zgjua vjollca e parë. Kristina. Kristina.
… Gjyshe Parajsa nuk sheh, kalon mes nesh me hapa krizanteme
Pastaj shtrihet të fle në divanin e kuq ku para një ore dashurova Kristinën.
—-
“Parajsa e humbur”, vepër e Miltonit.
Ekziston një vend
Ekziston një vend ku gjethet përdoren për kartmonedha
të blerta si dollarët, si floriri të verdha.
Ekziston një vend ku gjethet përdoren për kartmonedha.
Me një gjethe të verdhë blen një mëz prej reje me yzengji rrufejepoe
me një gjethe të blertë blen një bilbil me grykën të ndezur prej këngëve.
Me dy gjethe blen dy sy dhe një buzëqeshje…
– Po me tre lule a mund të blejë një burrë ëndrre?
– Jo me lule nuk blihet, me lule vetëm gënjehet.
Ekziston një vend ku gjethet përdoren për kartmonedha.
Me katër gjethe të verdha mund të blesh një plazh
të populluar nga sirena. Mund të marrësh dhe një varkë
me një pirat dhe dy vela.
Me pesë gjethe të blerta ble gjithçka: një dallëndyshe, një bletë,
një pilivesë me krahët si fleta: letër dashurie nga pranvera.
– Po me dy qershi a mund të ble një kolo-vajzë gëzimi?
– Me fruta nuk blihet, me fruta vetëm gënjehet.
Ekziston një vend ku gjethet përdoren për kartmonedha
të blerta si dollarët, si floriri të verdha.
Komentet