DON LAZER SHANTOJA
(1891-1945)
5 MARS 1945, Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as nuk mbulohën me baltë. Ata qëndrojnë nalt, fort nalt e gjithmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të ardhshem për dashtni, nderim dhe sakrificë ndaj Atdheut.
Kur vuejtja dhe sakrifica e një njeriu mërrijnë me kalue edhe cakun e jetës e kur këtë ai e ban për Fé, Atdhé e Përparim, atëherë, ai ka mërrijtë me ba atë që ndoshta nuk mund t’a bajnë gjenerata të tana të një populli.
Ata, atëherë, rreshtohën në Elterin e Atdhetarëve të atij Kombi!
Nderimi dhe lavdia për Atà asht i përjetshëm, kur vendosja e Tyne në këtë piedestal asht e meritueme dhe e pakundërshtueshme.
Nëse, duem me pyetë a e meriton apo jo këte nderim Atdhetari i madh DON LAZËR SHANTOJA, unë po ju përgjegjem se kjo nuk më përket me e thanë unë, mbasi për mue asht ndër nderimet ma të mëdha të jetës seme që me ligjëratën teme me përkujtue pervjetorin e pushkatimit të tij. E, ku të fillojmë? Tek lindja apo tek vrasja e këtij demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës shqiptare që vdekja mizore prej katilëve komunistë, tue la me gjakun e Tij tokën Shqiptare e ngriti meshtarin katolik Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve që dhanë jetën për një Shqipni të lirë dhe demokratike të perparueme me pikpamje Europjane.
Ai u pushkatue i çuem zvarrë (jo nga frika e vdekjës), porse nuk ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim deri atë ditë që e hodhën tek gropa, vetëm se ishte Meshtar i devoçëm, publicist i njoftun dhe antikomunist i betuem.
Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.
Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni. Turqit, jo vetëm na shndëruen, na dhunuen e na poshtnuen, por kur e lypte rasa përdorën ëdhe shpatën jo vetëm në fushat e betejës, në shtëpitë e katolikëve, por edhe në qelat e priftënve, madje, edhe i ngulnin ndër hunjë, mbasi nuk kishin të ngimë me kokat e tyne të preme, por mos të harrojmë se ata, ishin turqë, ishin kriminela dhe pushtues, prandej vëpronin ashtu.
Ndër ditët e para të këtij shekulli na fituem lirinë…! Një andërr!
Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin XX aq sa ecet përpara në shkencë e teknikë, aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së njëriut, thotë një dijetarë i yni…
Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, jo gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa banë nazistët?
Shka do të thonte Bota sot po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni, të bamë kundër atdhetarëve apo dijetarëve tanë dhe klerit katolik Shqiptar?
Si do t’i përgjegjej historisë hetusi kur hetonte Don Lazër Shantojën të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli në mes ndytsinës e, Nana e tij tek dera tue u thanë rojeve katila:
“Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirësi… Mos e leni kështu djalin!”… Një rast i veçantë në të gjithë Boten!
Po, sikur të xhiroheshin autorët e gjallë të krimeve: Aranit Çela, Fadil Paçrami, Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Xhemal Selimi, Toger Baba, Shyqyri Çoku, Dhimitër Shkodrani, Asllan Lici, Hysni Ndoja etj., që vetëm “zbatonin” ligjin? A mund të besonte kush në Botë se këto bisha gjindën të lira në Evropë dhe, se kanë dalë nga një popull prej ma pak se një miljon njerëzish (atë kohë)?
Ndersa sot fatkeqsisht fëmijt e tyne drejtojnë edhe shtetin në Shqipni…
Cili Europian beson se: Shkenctarët vetëm pse janë Priftën i kanë mbytë për së gjalli në gropë gjirizi apo i kanë mbytë në llom..!?
At Serafin Kodës i ka nxjerrë hetuesi gabzherrin me thonjë…
Imzot Jul Bonatin e fusin në një manikomjo, ku, aty Ate e shkyjnë per gjymtyrësh të çmendunit…
Papà Josif Papamihajlin e mbysin policët, tue e zhytë për sëgjalli në baltat e kampit të shfarosjës së Maliqit të Korçës…
Papà Pandin e gjejnë në pyll tek një cung me kokë të këputun me spatë…
At Frano Kirin e lidhin tri ditë fëtyrë për fëtyrë nën një të vdekun…
Don Mikel Beltojën në vitin 1974, para pushkatimit, Shyqyri Çoku me shokët e tij katilë, e shkyejnë për gjymtyrësh vetëm se prifti thërriste: “Rrnoftë Krishti!”.
Po, sa e sa të tjerë që këta mizorë i hodhën nga dritarët se, gjoja kanë vra vetën?! Të gjitha këto që rreshtova nuk krahasohën me atë që u ba mbi trupin e Shantojës, sëpse, ky i mjeri u la edhe me jetue si thotë populli: “Gjallë e për gazep” mjedis ndytsinave.
Torturat e mizoritë të tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje që për fat të zi, edhe këto thirreshin “shqiptarë” edhe pse, nuk kanë pasë asnjë pikë gjak shqiptari.
Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye copë copë edhe pajetë për tokë, mandej qetësohëj e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të presë së tij.
Vetëm kështu, shpjegohët ajo që u ba mbi Don Lazër Shantojën të parin e, mbas tij mbi të gjithë klerin katolik shqiptar e të huej, që ranë në duart e këtyne kriminelëve trathtarë e vrastarë.
Çdo antikomunist për tà ishte atdhetar, prandej duhej zhdukë, ky asht “ideali” i çdo komunisti. Ky “ideal” ka shty komunistët me çvarrosë edhe eshtnat e atdhetarëve për me i tretë, tue fillue nga At Fishta, Don Ndre Mjeda, Xanoni dhe të gjithë klerikët e varrosun në Katedrale, në Kishën Françeskane, ndër Jezuitë, në Kishën e Zojës tek Kalaja etj.
Para vitëve 1930 kur ende nuk kishte fillue me binjtë në Shqipni fara e keqe e bolshevizmit, ishte At Gjergj Fishta, Don Lazer Shantoja e Don Kolec Prennushi që paralajmërojnë me shkrimet e tyne rrezikun që po vinte edhe këtu. Fara e keqe po binte e po rritëj shpejt e kudo!
Don Lazri shkruante në gazetën “Ora e Maleve”(me siglën Y), nr. 48, viti 1924: “Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët”.
Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë me vetvedin mbas 1940 ashtu si shumë të tjerë, ndoshta për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm, mbasi na sot rreshtojmë faktet e vetëm ata, të çliruem nga pasioni do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit, e ven atè përkrah penës ma të fortë të Jugut, të madhit Faik Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës.
Për këtë na Gegët duhët të krenohemi me Don Lazer Shantojen!
Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”.
Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në gazetën “Drita”, dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof. Dr. Ernest Koliqin, që shkruen: “Shumë herë kam pyetun pse komunistat janë sjellun kaq egërsisht në një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944 ?!”.
Prof. Isak Ahmeti shkruen: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “…letërsisë shqiptare me siguri do t’i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”.E, tue lexue këta rreshta më epet me pyetë edhe mue:
Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën “Ora e Maleve”, në vitin 1924, me datën 28 nandor shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet të gjalla shoqnore që janë kombet”.
Pra, njëzet vjet ma perpara vitit 1945, në vitin 1924 Shantoja shkruen: “…Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit…!”
Mos ndoshta, dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?!
E, mbas njëzet vjetësh, Nana e tij ju lutet gjymtuesve t’ pashpirtë:
“Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirsi mos e leni kështu djalin!”
Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet, di vetëm se një Nanë Shqiptare, Ajo ishte Nana e Don Lazër Shantojës, po! Ishte Nana e Nderueme edhe sot!
Ky asht komunizmi që ka provue Atdheu i Gjergj Kastriotit!
Nanat shkodrane janë të gdhenuna nder gurët e Rozafës.
Don Lazër Shantoja mbetët në Martirët e Krishtënimit, model i masakrës së Sigurimit komunist kriminal dhe antiatdhetar shqiptar.
Ja dhe disa të dhana pse u masakrue kështu publiçisti i njohun Don Lazer Shantoja: (Dosja nr. 174) vjeç 52, nga Shkodra, asht i biri i Kelit dhe i Luçes, ka krye shkollën e lartë teologjike për prift.
Kur u kap nga forcat partizane Don Lazri ju tha atyne ndër sy: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë, se, komunistët janë veç trathtarë!” Kur po pritsha përgjigje nga mbesa e ime Silja, nuk dij sesi u zbulova nga forcat e Ndjekjës.
Miku ma i ngushtë i emi ka kenë Beqir Valteri.” (Proçes- verbal dt. 31 janar 1945).
Akt-akuza e bame nga prokurori Jonuz Mersini, ka dt. 28, 29 janar 1945, ku shënohet një faqe e daktilografueme me të gjitha vëprimet e bame prej gjyqit e deri tek pushkatimi.
Lexoni me kujdes këto pak rreshta:
– Ishte president i kulturës popullore në Institutin “Dante Aligheri”.
Mbas prokurorit u pyet i pandehuri dhe kërkoi pafajsinë, mbasi nuk ka bërë ndonjë faj.
Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi. Gjyqi e dënon:
“I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim.”
Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: “Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim”.
Prof. Ernest Koliqi, shkruen aso kohe: “Po, në të njajtën gropë, pranë trupit të Don Lazrit u hodh kufoma e Sulçe Beg Bushatit, një fisnikut tetëdhetëvjeçar musliman, mbasardhës i një familjeje princore që sunduen në Veri të Shqipnisë, gati të pavarun nga Porta e Naltë e Konstantinopolit, në shekullin e XVIII.” (1945).
“Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945.”
Ja një parandjenjë e Don Lazrit:
“Sod kshtu t’shpërblen ty Bota! Po mizore
e padrejtë s’ sundon der n’ t’ sosun t’ motit!
Koh’ ka për t’ ardh’, qi ty kjo tokë Arbnore
Dikur tash ka për t’ njoftë, o njeri i Zotit !”
Edhe unë besoj.., se po!
Melbourne, 4 Mars 2024