Lexova statusin tuaj të cilin e kishin huazuar në murin e tyre kryetari i Vatrës dhe Alfons Grishaj, shpirti i tij binjak.
Nuk dua të cënoj askënd, por së pari më bëri përshtypje fotoja juaj e kohës së shërbimit ushtarak, gjoksi i mbushur me dekorata, ndërsa Shqipëria jonë lëngon nga sistemi i kapur.
Pastaj lexova çfarë kishit shkruar, me eufori, panegjirizëm ndaj lidërshipit aktual dhe duke nënçmuar e fyer ata burra dhe gra Vatranë që nën shi ndejtën përpara derës së Vatrës të mbyllur me dry nga kryetari që kishte kërkuar edhe praninë e policisë.
E kuptoni?! T’i mbyllësh shtëpinë Vatranëve dhe të thërrasësh policinë!
Sa për statusin mendoj se nuk ju takonte të shkruanit, ose nëse do të shkruanit të gjenit një ton bashkues. Tonet panegjerike për kryetarin e Vatrës dhe Vatrën në kulmin e rënies së saj më kujtuan kur Elmi Berisha pa pyetur askënd, ju propozoi për president të Shqipërisë! E theksoj nuk kishte pyetur asnjë forum, askënd. Dhe kësisoj ju ishit një propozim ilegjitim, pa iu cënuar vlerat apo meritat.
Ju ishit Ministër i Brendshëm në kohën e marrëveshjes së 18 majit 2017 midis Edvin Ramës dhe Lulzim Bashës, e cila ishte një marrëveshe tete a tete me pasoja dramatike për PD dhe demokracinë në Shqipëri. Sapo mbaruat detyrën si ministër u kthyet në Amerikë, kur normalisht një person që dëshiron t’i shërbejë vendit dhe të bëjë karierë duhet të qendrojë në Atdheun e tij. Aq më tepër kur keni gjithë këto vlerësime: Nderi i Kombit, Mjeshtër i Madh, Doktor, një mal me dekorata.
Po të shihet lista e gjatë e atyre që janë nderuar me këto vlerësime të larta, Shqipëria jonë e vuajtur do të duhej të ishte Zvicra e Ballkanit, në fakt është në degradë të plotë.
Dhe duke mos mjaftuar kalbësira e sistemit në vendin e shqipeve, kjo kalbësirë ka ardhur edhe në diasporë. E ka sjellë Edvin Rama me “petritat” e tij.
Kjo kalbësirë ka arritur deri në Vatër, duke shqetësuar Vatranët mbarë, por jo vetëm, duke shqetësuar gjithë shqiptarët, sepse Vatra është vërtet aset kombëtar, më mirë të themi ka qenë, sepse tani është një bunker prej letre në zemër të New York-ut, i uzurpuar nga lidërshipi dhe grupi i tij, përmes eleminimit të demokracisë, manipulimit të votës, injorimit të Vatranëve, duke i kthyer forumet brenda Vatrës listë emrash të emëruar prej Elmi Berishës, i cili shkel Kanunoren, Kushtetutën e Vatrës krijuar prej Etërve nga themelimi, shkel Amendamendin e parë të Kushtetutës së SHBA, sepse Diellin e ka kthyer burg të fjalës së lirë, duke mos i lejuar Vatranët të shprehin aty mendimet e tyre.
Ju flisni për suksese të Vatrës. Nuk është e vërtetë. Lobizmi i Vatrës është në nivelin zero nën lidërshipin aktual. Vizitat e Elmi Berishës me kompani nëpër Kosovë e Shqipëri janë thjeshtë për efekte propagande, pa asnjë rezultat. Lidërshipi aktual nuk ka autoritet.
Ju jeni anëtar i ri i Vatrës, keni vetëm pesë vjet anëtarësi. Këto pesë vjet kanë qenë vite të fundosjes së Vatrës, të humbjes së identitetit të saj kombëtar, nacionalist, antikomunist, demokratik.
Vatra u fundos prej momentit kur Elmi Berisha shtrëngoi duart me Gramoz Ruçin dhe çoi në gjyq grupin e Vatranëve ku bënte pjesë edhe ish kryetari veterani i Vatrës Dr.Gjon Buçaj, të cilit ia mbylli derën e Vatrës deri sa ai u nda nga kjo jetë!
Sa gjë e ulët! T’i mbyllësh portën e Vatrës një Veterani Vatran sikur Vatra të ishte piceri e Elmi Berishës! Vatra nuk është pronë personale e Elmi Berishës! Kurrë! Dhe e askujt që vendos drynin për një grup Vatranësh që kërkojnë demokracinë brenda shtëpisë së tyre.
Vatra është e kapur. Nga ata që ia kanë vënë drynin dhe thërrasin policinë! Dryvënësi nuk mund të jetë Vatran. As ai që hedh në gjyq një Vatran 86 vjeçar nuk mund të jetë Vatran.
Por ajo që më bëri më tepër përshtypje tek statusi juaj panegjerik për dryvënësin ishin tonet fyese dhe përçmuese për Vatranët e 14 tetorit që në fakt janë shembulli i shkëlqyer për t’u ndjekur. Ata burra dhe gra mbledhur përpara derës me dryn të Vatrës, që është shtëpia e tyre dhe jo e dryvënësit, meritojnë nderim e respekt të madh. Ata, Vatranët e 14 Tetorit, kanë jetën e tyre, familjet e tyre, bizneset e tyre, kanë edhe Vatrën si simbol të antikomunizmit dhe antidiktaturës. Një pjesë e tyre kanë lindur në internim dhe kanë vuajtur shumë, por që në Amerikë janë shembull për t’u marrë. Midis tyre kishte edhe Vatranë me gradë gjeneral apo që kanë shërbyer me dinjitet si Marinsa në Marine Corps të SHBA, por ata as nuk shesin dhe as nuk duan grada as tituj, ata duan që Vatra të jetë ashtu sikur e kanë krijuar themeltarët e saj.
Pra, e theksoj se fjalori juaj fare i padenjë qoftë për një kolonel me aq dekorata në gjoks, çka nuk ishte vendi fare të ilustrohej statusi juaj me atë foto, sepse Shqipëria është katrahurë, qoftë edhe për një shqiptar. Cilët qenkan të diskredituarit sipas jush? Kthejini mbrapsht ato fjalë dhe kërkoni ndjesë. I diskredituari është Elmi Berisha me bandën e tij, të cilit nëse e keni vërtetë mik jepini këshillë të dorëhiqet e të pranojë thirrjen e Vatranëve për të mbledhur Kuvendin, që Vatrës t’i kthehet legjitimiteti, t’i kthehet edhe Dielli, edhe liria e mendimit, edhe dinjiteti.
Duke hyrë në profilin tuaj në Facebook, pashë një foto ku shkruani se keni dalë me mikun tuaj Sokol Ballën, éminencen gri dhe mikun e ngushtë të Edvin Ramës. Ju e dini atë fjalën e urtë që thotë se miku i mikut tim është miku im. Me Vatranët e 14 tetorit, që qëndrojnë stoikë dhe me dinjitet nën shi përpara derës së mbyllur me dry të Vatrës, jeni kaq intolerant, fyes, llogarikërkues. Krejt ndryshe në krah të mikut tuaj Sokol Ballës, i buzëqeshur, i krekosur. Stonaturë e vërtetë.