Një incident ka ndodhur në aktivitetin përkujtimor për 77-vjetorin e kryengritjes antikomuniste të Postribës.
Pas vendosjes së kurorave me lule në memorialin në përkujtim të lëvizjes së parë antikomuniste nga kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci, Bardhyl Shaba mori kurorat dhe i hodhi në tokë duke thënë se këta të sotmit janë pasardhës të atyre që i kanë pushkatuar gjyshin.
“Këta më kanë pushkatuar gjyshin, nuk ka nevojë me ardh ai. Këta më kanë pushkatuar gjyshin, nuk kanë nevojë me ardh me vnu kurora”, tha Shaba.
Pas këtij incidenti, kryebashkiaku Beci u largua menjëherë. Kjo është hera e parë që socialistët përkujtojnë kryengritjen e Postribës. Në këtë 77-vjetor munguan përfaqësues të PD të cilët do të marrin pjesë pas një ore veçmas në përkujtimin e kësaj ngjarjeje.
Kryengritja e Postribës që nisi më 7 shtator 1946, është një nga lëvizjet e para të armatosura antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë bllokun lindor. Edhe pse dështoi për të qenë një kryengritje serioze me ndikim të gjerë, pasojat që la për pushtetin komunist ishin të rënda dhe që nga ajo periudhë nisën reprezaljet më çnjerëzore.
Pas shtypjes së lëvizjes, nisën edhe proceset ndëshkimore gjyqësore dhe për Kryengritjen e Postribës njihen disa procese të shkëputura nga njëra-tjetra, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve. Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës. Më poshtë është pretenca e prokurorit të çështjes Namik Qemali dhe më pas vendimi i gjykatës dhe fjalët e fundit të të dënuarve me pushkatim që thanë para se të ekzekutoheshin. Mënyra si janë ngritur akuzat, fyerja dhe përçmimi që i bëhen të akuzuarve ngjason me një gjyq të pastër politik që kishte për qëllim jo vetëm ndëshkimin, por edhe denigrimin e figurave të njohura.bw