Përpara dy ditësh në Shqipëri ndali ish Sekretari i Shtetit Mike Pompeo për një vizitë të specifikuar. Ai mori pjesë edhe në një konferencë të organizuar me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, ku ishin të pranishëm një numër i kufizuar të ftuarish, midis tyre edhe katër deputetë nga PD të përzgjedhur jo për nga hierarkia, por nga doza e servilizmit ndaj Ambasadores Yuri Kim dhe e interesit të Edvin Ramës. Kjo simbiozë na kujton vargjet e Vladimir Majakovskit se “Kur themi Lenini nënkuptojmë partia dhe kur themi partia nënkuptojmë Lenini”, që për analogji bëhen: “Kur themi Yuri Kim nënkuptojme Edvin Rama dhe vice versa..”
Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi dhe Agron Gjekmarkaj ishin katër deputetët e përzgjedhur që gjatë takimit të mësipërm u fotografuan me ish Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, tashmë si deputetë të thjeshtë, të delegjitimuar nga funksionet e mëparëshme pas rezultateve të dala nga forumi më i lartë i PD, që e kanë humbur besueshmërinë dhe votën e shumicës provuar në zgjedhjet e pjesëshme lokale të 6 marsit.
Sapo fotoja u shfaq në Twitter nga Ambasadorja Yuri Kim, “përkthimi i gjuhës diplomatike” u botua menjëherë nga gazeta Panorama me okielon si “Fotolajm” me tekstin e mëposhtëm: “Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo zhvilloi në Shqipëri një vizitë dy ditore në kuadër dhe të 100 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Agjenda e takimeve të Mike Pompeos kishte parashikuar dhe takime te veçanta me deputetët e opozitës, të cilët kryesohen nga Enkelejd Alibeaj.”
Se ku e kishte marrë këtë informacion Panorama nuk dihet, nuk i referohej asnjë burimi. Më tutje lajmi vazhdonte duke u amplifikuar: “Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka ndarë momentet më të rëndësishme të takimit të Pompeos në Shqipëri, ku bie në sy dhe takimi dhe fotoja zyrtare me Enkelejd Alibeajn, Jorida Tabakun, Dhurata Çupin dhe Agron Gjekmarkajn.”
Fotoja e botuar nga Yuri Kim në faqen zyrtare të saj në Twitter dhe “Fotolajmi” i botuar nga Panorama, gazeta më e madhe në Shqipëri janë propagandë e mirëfilltë.
Nobelisti Dimitrij Muratov bashkë me kolegen e tij Maria Ressa, me të cilën ndau Nobelin, i ftuar në Gjenevë me rastin e 3 Majit, Ditës së Lirisë të Shtypit nga karikaturisti me famë botërore Patrick Chappatte në një bashkëbisedim me gazetarët, tha se “Propaganda është një lloj rrezatimi, që pasi t’i nënshtroheni këtij lloj rrezatimi mësoheni me të dhe e besoni.” Muratov u detyrua ta mbyllë gazetën e tij Novaya Gazeta pak kohë pas agresionit rus në Ukrainë, sepse në Rusi mbretëron veç terri informativ, aty botohet veç propagandë dhe e vërteta të fut në burg ose të vret sikur kolegen e tij Anna Politovskaya.
Aty ku ka propagandë ka një prapavijë, që bie ndesh me sistemin demokratik të vlerave.
Ndërsa Maria Ressa na tha ne gazetarëve: “Pa fakte nuk mund ta kesh të vërtetën. Pa të vërtetën nuk mund të kesh besim. Pa besim nuk kemi realitet të përbashkët. Nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka demokraci.”
Pra, propaganda i vret faktet, edhe lirinë, edhe shtetin e së drejtës dhe demokracinë.
Fotoja që publikoi Yuri Kim në Twitter dhe i bëri menjeherë jehonë Panorama ishte fund e krye propagandë.
Ajo foto në fakt, është në vijim të një skenari për t’i mashtruar shqiptarët se gjoja elita politike në SHBA, administrata dhe opozita, janë të interesuar për katër marionetat e fokusuara me ish Sekretarin Pompeo.
Është fatkeqësi e madhe kur këta skenarë organizohen nga një person që përsërit rëndom se është e zgjedhur nga Presidenti i SHBA dhe Departamenti i Shtetit dhe është mjerim kur mediat shqiptare bëhen zëdhënëse të dizinformacionit. Jo më kot Shqipëria në raportin e sivjetëm të Reporterëve pa kufij (RSF) zë vendin e 103-të, që përbën një rënie prej 20 vendesh, krahasuar me vitin 2021 kur renditej në vendin 83-të. Sipas RFS “situata e lirisë së medias paraqitet e rrezikuar nga ” kërcënimi i pavarësisë editoriale, nga rregullimi partizan i medias, cënimi i integritetit fizik prej krimit të organizuar dhe dështimi i shtetit për t’i mbrojtur punonjësit e shtypit.”
Fotoja e katërshes me ish sekretarin Pompeo është fund e krye një manipulim i bërë nga Yuri Kim dhe i vazhduar nga Panorama.
Nuk është e vërtetë që Mike Pompeo kishte në axhendë të takohej me deputetë të opozitës, të cilët kryesohen nga Alibeaj, sikur shkruan Panorama. Ish Sekretari i Shtetit nuk e kishte fare në axhendë takimin me Alibejan, as Alibeaj nuk është kryetar i opozitës, ndërsa fotoja ishte thjesht produkt i mirësjelljes së Pompeos me të pranishmit në atë takim.
Populli thotë se “gënjeshtrat i kanë këmbët e shkurtëra” ndërsa Carlo Collodi insiston se gënjeshtrat kanë “hundë të gjatë si Pinoku”
Sepse, sapo aktivistja e njohur Republikane Evi Kokalari komunikoi me Jim Richardson, Drejtor Ekzekutiv pranë ish Sekretarit të Shtetit, rreth fotove të bëra gjatë takimit që i publikoi në Twitter Yuri Kim, ku z. Pompeo dilte në mes katër deputetëve puppies, Jim Richardson përgjigjet: “Përshëndetje Evi, Sekretari Pompeo ka bërë një seri fotografish me të gjithë të pranishmit në sallë gjatë MOU Memorandumit të Mirëkuptimit. Dakordësia e tij për të bërë foto nuk lidhet dhe nuk është e barabartë me miratim apo mbështetje ndaj ndonjë lideri ose grupimi politik. Thjeshtë, ai është treguar i sjellshëm gjatë këtij eventi të rëndësishëm.”
Është i paimagjinueshëm dhe skandaloz nga ana e Ambasadores Yuri Kim shpërdorimi i figurës së një zyrtari të lartë të administratës Amerikane për të diktuar realitete inekzistente.
Ndërkohë ish Sekretari i Shtetit Mike Pompeo përmes një Tweeti në Twitter vizitën e Tiranës do ta përmbyllte pa përmendur fare, dmth duke e injoruar skenarin e Yuri Kim me katër marionetat. Në këtë tweet, Mike Pompeo do të shkruante: “Udhëtova sot në Shqipëri për të folur me komunitetin iranian atje. Ata kanë të drejtë t’ju rezistojnë mullahëve dhe të punojnë për të ofruar atë për të cilën populli iranian po kërkon dhe po proteston: çlirimin e qytetarëve të Iranit nga zgjedha tiranike e regjimit. #Irani i lirë2022″ Siç e shihni asnjë fjalë më tepër!
Yuri Kim mund të jetë kundër Sali Berishës, por nuk mund të jetë kundër bazës dhe shumicës që voton nëpër forumet e PD. Votuesi është sovran.
Votuesin nuk e bind propaganda, përkundrazi e gërdis.
Doni t’ju jap disa sinonime të fjalës “propagandë”. Ja disa: trushplarje, agjitprop, dizinformim, idoktrinim.
Gjithë kjo trushplarje ka destinacion popullin shqiptar, kombin shqiptar, më amerikandashësin në botë!
Ndërsa antonimë të propagandës janë e vërteta, objektiviteti, ndershmëria.
“Kur diçka e tregon ashtu si ta kanë parë sytë, pa shtuar asgjë, pa hequr asgjë, ky është objektiviteti”, thoshte Martha Gellhorn (1908-1998), një nga storyteller reporteret më të mira të luftës të shekullit XX, në mos më e mira. Martha Gellhorn ka qenë e martuar me shkrimtarin Ernest Hemingway.
Diplomacia në një vend mik nis nga ndershmëria.
Dje u mbushën plot dy vjet që regjimi i Edvin Ramës shembi Teatrin Kombëtar dhe tani në mungesë të Teatrit duket sikur Yuri Kim ka marrë rolin edhe të skenaristes, edhe të regjisores me ca aktorë kuklla. Ka brutalitet, arrogancë por amatorizëm!
Një situatë e tillë është shumë e trishtë.
Elie Wiesel kujton: “Ne gjithmonë duhet të mbajmë qendrim. Neutraliteti nuk e mbështet viktimën, por persekutorin, despotin, tiranin, ndërsa indiferenca është urrejtje, herezi, shëmtim….”
Yuri Kim ka qendruar ose indiferente ose ka marrë anën e gabuar. Është në ndihmë të rrënimit total të sistemit demokratik, të cilin mund të ngrejë vetëm kjo përpjekje që po bën baza e PD, për të valorizuar votën dhe për të ngritur nga zero sistemin e rrëzuar tashmë.
Ju kujtohet kur na uroi për 29 Nëntorin ditën e “çlirimit” vendosur nga diktatori Enver Hoxha, i cili i ndërpreu marrëdhëniet Shqipëri-Amerike dhe vrau e burgosi shqiptare me damkën si spiunë të Amerikanëve.
E pra këto inskenime fotosh e urime të festës të 29 nëntorit janë personale të Yuri Kim, nuk janë as të Presidentit Biden dhe as të DASH.
Këto qendrime nuk janë as diplomatike as në interesin shqiptar dhe as në atë Amerikan.
Komentet