VOAL

VOAL

40 vjetori i anijes së hapësirës “Voyager 1”

September 12, 2017

Komentet

Si mund të shpëtohet gjuha shqipe nga rreziqet e globalizmit?- Nga Prof. dr. RAMI MEMUSHAJ

 

Në janar Ministria e Arsimit dhe e Sporteve në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e shpallën 2024-ën “Viti i gjuhës”. Ky vendim u pa prej shumëkujt si përgjigje shtetërore ndaj shqetësimit të përgjithshëm se po na prishet gjuha, shqetësim që kryeministri shqiptar e shprehu me fjalët: “gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë më parë”. Kur flitet për kërcënim të gjuhës, nuk është fjala për variantin standard, po edhe për variantet e saj dialektore, pra për gjuhën kombëtare. Rreziku i një gjuhe vjen nga kontaktet e saj me gjuhët e tjera, sidomos me gjuhë kulturash të larta. Në periudhën para viteve ‘90, për shkak të mungesës së kontakteve të shqiptarëve me të huajt, shqipja ishte e mbrojtur nga ndikimi i gjuhëve të huaja.

Mirëpo në kushtet e reja të krijuara pas viteve ‘90, kur kontaktet e shqiptarëve me bartësit e gjuhëve të huaja u bënë të shumëfishta, doemos që shqipja do të ndikohej prej këtyre gjuhëve, kryesisht nga anglishtja, italishtja e më pak nga greqishtja. Për qindra mijëra shqiptarët që braktisën vendin, “gjuhë e bukës” u bë gjuha e vendit ku u ngulën, ndërsa shqipja mbeti për ta gjuhë e dytë, gjuha e rrethit të ngushtë familjar e shoqëror. Po edhe për ata që mbetën në Shqipëri, hapja e vendit krijoi mundësi për lëvizjen e tyre të lirë drejt vendeve të huaja dhe të të huajve në Shqipëri. Këto lëvizje të ndërsjella, sidomos shkollimi jashtë i mijëra e mijëra të rinjve, një pjesë e të cilëve janë kthyer në vend dhe punojnë në institucione e në biznese, kanë bërë që ligjërimi shqip të ndikohet nga gjuhët e kontaktit.

Veç këtyre, rritja e interesit brenda vendit për mësimin e gjuhëve të huaja, me qëllim që nëpërmjet tyre të depërtohet në tregjet e huaja të punës, gjithashtu ka bërë që shqipes t’i kushtohet më pak vëmendje, sepse mendohet se si gjuhë amtare nuk është nevoja të mësohet. Dhe, më në fund, futja e kompjuterit dhe e terminologjisë angleze të informatikës që lidhet me përdorimin e tij, ka bërë që përqindja e fjalëve nga anglishtja të shtohet ndjeshëm, duke u përdorur edhe atëherë kur shqipja ka fjalë përgjegjëse të tyre. P.sh., shumë përdorues të kompjuterit e kanë më lehtë të thonë maus, direktori, desktop, kanceloj, procesim, sejvoj etj. sesa miush, dosje, ekran, anuloj, përpunim, ruaj etj.. Pra, trysnia e gjuhëve të huaja me të cilat shqipja është në kontakt, sot është shumëfishuar. Nga këto, anglishtja, si gjuha kryesore e komunikimit me të huajt brenda dhe jashtë vendit, po edhe e shkencës dhe e teknologjive të reja, ushtron trysninë më të madhe mbi shqipen. Ndikimi i saj po ndihmohet edhe me politika arsimore të diskutueshme.

Pas anglishtes, për shqiptarët e Shqipërisë vjen italishtja, e cila, ndonëse nuk është gjuhë e teknologjisë, është gjuha e dytë e huaj që flitet më shumë. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut shqipja ndikohet së pari nga maqedonishtja, si gjuhë zyrtare dhe pastaj nga anglishtja; në Kosovë anglishtja është gjuhë e dytë, ndonëse në ligjërimin e brezit të mesme dhe të vjetër vijon ndikimi edhe i serbishtes. Kjo trysni e gjuhëve të kontaktit ndihet nga të gjithë në leksikun e shqipes, që është rrafshi i gjuhës më i prekshëm nga ndikimet e huaja. Në ligjërimin e përditshëm, nën ndikimin e medieve pamore-dëgjimore, kanë hyrë shumë barbarizma.

Sot mund të dëgjosh një amvisë të flasë për benefite, një grua fshati të thotë u shokova, një fermer të thotë kam suport financiar, një vajzë të shkolluar të pyesë a është i aksesueshëm ashensori, një gazetare të raportojë për incident që shkakton karroca, një zyrtar të thotë do të vazhdojmë me hapa të agravuar, ka impakt, për të mediuar (ndërmjetësuar) etj.. Si rrjedhim i kësaj manie për të përdorur fjalë të huaja sot në ligjërimin e përditshëm hasen 20-30 fjalë “kopile” me denduri shumë të lartë. Këto fjalë, ashtu si çelësi kopil që hap shumë dyer, përdoren në kontekste të ndryshme në vend të fjalëve të shqipes. Janë fjalë me kuptim të turbullt, që nuk e mbulojnë qartë konceptin që synojnë të shprehin.

Si rrjedhim, edhe thëniet e ndërtuara me to nuk arrijnë t’i shprehin si duhet mendimet dhe ndjenjat e folësit. Përdorimi i këtyre fjalëve “kopile” ndodh jo se shqipes i mungojnë fjalët e veta. Ajo për secilën syresh ka vargje sinonimesh që mund të shprehen mendime të qarta dhe emocione e ndjesi shumë të holla. P.sh., fjala “kopile” shokoj përdoret në vend të fjalëve: çudit, habit, mahnit, çmerit, emocionoj, lë pa mend, lë me gojë hapur etj.; dhe trondit, hidhëroj, pikëlloj, helmoj etj.. Arsyet pse këto fjalë përdoren nga “autoritetet” e ligjërimit publik – folësit televizivë dhe njerëzit publikë – janë kultura e mangët gjuhësore e tyre ose ksenomania. Kurse folësit e thjeshtë i përdorin se ashtu i kanë dëgjuar nga këto autoritete që i japin tonin ligjërimit publik. Përdorimi i barbarizmave të tillë fare të panevojshëm, që edhe njerëzve pa shumë shkollë ua vrasin veshin, nuk përbën shqetësim për institucionet shkencore që merren me gjuhën. Prej tyre nuk shihet asnjë reagim, asnjë listë fjalësh që t’u dërgohet periodikisht redaksive të medies së shkruar, televizive e elektronike me këshillën për të mos i përdorur, pa folur për lista fjalësh të reja që hyjnë në gjuhë çdo vit, siç bëjnë akademitë e botës.

Edhe më shqetësuese është se nga ndikimi i gjuhëve të kontaktit po preken fonetika dhe gramatika, nënsistemet bazë të shqipes, që e bëjnë atë një gjuhë të veçantë në rrethin e gjuhëve europiane. Një nga parametrat fonetikë që po preket, është theksi i fjalës. Jo vetëm fjalët e huaja, po edhe fjalë të vetë shqipes brezi i ri i shqipton me theks në rrokjen e parë. Kështu, dëgjojmë Mákro(n) për Makrón, Úrsula për Ursúla, Dubróvnik për Dubrovník, Montevídeo për Montevidéo, féjsbuk për fejsbúk, kóvid për kovíd, términal për terminál, vódafon për vodafón etj.; Zmblak për Zëmblák, Ármand për Armánd, Bójken për Bojkén, Érvin për Ervín, Gláuk për Glaúk, áudit për audít, kónferencë për konferéncë, ópinion për opinión etj..

Parametri i theksit në shqipe kërkon theksimin e fjalës në rrokjen e fundit ose në të parafundit, nëse rrokja e fundit rrëgjohet gjatë lakimit a zgjedhimit të fjalës. Shqiptimi i fjalëve me theks në rrokjen e parë, si në anglishte, jo vetëm që ia vret veshin shqiptarit, po ka edhe një efekt domino në gramatikën e shqipes. Së pari, prishet struktura ritmike e thënies, që nuk tingëllon më si frazë shqipe dhe në poezi prishet rima e vargjeve. Po të vijojë kjo modë shqiptimi, parametri fonetik i theksit do të zëvendësohet me parametrin gjegjës të anglishtes. Nga shqiptimi i fjalëve si në anglishte preket jo vetëm prozodia, po edhe morfologjia shqipes, sidomos e emrit, qoftë e fjalëve dy a më shumërrokëshe, qoftë e emrave të përveçëm të huaj ose e akronimeve. Sa u përket fjalëve shumërrokëshe që theksohen në rrokjen e parë, është në natyrën e shqipes që i pret duke filluar nga rrokja e dytë e patheksuar e tyre, dmth., kjo rrokje shqiptohet me sforcim të madh dhe, kur është mbaresë, nuk shqiptohet fare. Pra, këta emra bëhen të palakueshëm. Por mediet po na krijojnë edhe klasa të tjera fjalësh të palakueshme, si p.sh. emrat e përveçëm të huaj (Makron reagoi, Vuçiç takohet me Makron, në qeverinë e Makron, i tha Makron) dhe akronimet, si AMA, SPAK etj. (SPAK u njoftua, kreu i SPAK, thirrje SPAK, vë në dijeni SPAK, sipas SPAK). Si rrjedhim i përdorimeve të tilla ka rrezik që shqipja të humbasë dalëngadalë edhe parametrin morfologjik të lakimit. Falë këtij parametri, morfologjia e shqipes i “tret” emrat e huaj, kështu që në gjuhën tonë, ndryshe nga gjuhë të tjera me lakim, nuk ka emra të palakueshëm. Siç ka vënë në dukje prof. A. Kostallari, falë këtij parametri morfologjik, “në vend që të asimilohej, shqipja, përkundrazi, i ka asimiluar fjalët e huaja”.

Shqiptimi i emrave të theksuar në rrokjen e parë pa mbaresa ka edhe pasoja logjiko-sintaksore, sepse i duhet dëgjuesit a bashkëbiseduesit ta shtojë mbaresën mendërisht për të rrokur funksionin e fjalës. Ndikimet e huaja në fushën e sintaksës, gjithashtu janë të shumta, si në rendin joshqip të gjymtyrëve të fjalisë (siç ju thatë); në ndryshimin e drejtimit të foljeve nga ndikimi i anglishtes dhe i italishtes (ura rrezikon shembjen, bëj viktimën, telefonoj vëllain) etj., pra po preken edhe parametra sintaksorë të shqipes. Edhe në zgjedhimin e foljes po vërehet tronditja e eptimit të brendshëm (ndërrimet e tingujve). Nga të parët tanë analfabetë kemi trashëguar një tip të veçantë zgjedhimi që përdor jo vetëm mbaresat, po edhe ndërrimet e zanoreve për të dalluar vetat, kohët etj. Mirëpo sot në ligjërimin brezave të shkolluar foljet me ndërrime përdoren gabim, çka vërehet sidomos në ligjërimin e folësve kosovarë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut (Kroacia do të del fitues, zgjedhjet presidenti, Kosova do të merr pjesë, ia lejon deputetit të flet maqedonisht etj.).

Ndër mediet e shkruara, dëgjimore-pamore e elektronike, televizioni është pa dyshim konsumatori më i madh i gjuhës, po edhe media me ndikimin më të fuqishëm jo vetëm në fushën e informimit, po edhe në punë të normës gjuhësore. Për shkak të autoritetit që ka, ligjërimi i folësve televizivë shërben si model për shikuesin e thjeshtë. Mund të themi që folësi televiziv është një lloj mësuesi i gjuhës amtare. Por, kur nuk flet si duhet, folësi televiziv bëhet një mësues i keq. Fatkeqësisht, televizionet janë mbushur me vajza e djem fotogjenikë, po shumë syresh pa kulturë gjuhësore dhe pa respektin për mjetin me të cilin sigurojnë bukën. Kuptohet se sa shumë do të ndihmonte televizioni në cilësinë e ligjërimit letrar, nëse prej tij do të mbahej një qëndrim i përgjegjshëm ndaj gjuhës, mjetit kryesor që kjo medie përdor për të komunikuar me shikuesit. Por, mjerisht, ky qëndrim i përgjegjshëm ndaj gjuhës mungon. Përditë bombardohemi me një shqipe jo të pastër nga pikëpamja e shqiptimit, leksikut, morfologjisë dhe e sintaksës, shkurt, me një gjuhë që mund ta quajmë “shqiplishte”.

Sikur të parët tanë të kishin qenë kaq ksenomanë sa jemi ne sot, shqipja do të ishte romanizuar që në shekujt e parë të pushtimit romak. Por, ata u lidhën fort pas gjuhës së vet si rreth një strumbullari, ajo i mbajti të bashkuar duke i dalluar gjuhësisht nga pushtuesit. Dhe kur më vonë u përçanë, jo për faj të tyre, në katolikë e ortodoksë, në suni e bektashi, arbrit e lanë emrin e vjetër dhe e quajtën veten “shqiptarë”, dmth. ata që flasin shqip. E pat vënë re këtë dyqind e ca vjet më parë Xh. Hobhauzi, që thotë se, kur e pyet një turk se çfarë është, të thotë jam mysliman; kur e pyet një grek, të thotë se është ortodoks; po kur pyet një shqiptar, të thotë se është shqiptar. Pra, gjuha ka qenë ajo që i ka ruajtur shqiptarët si komb i veçantë dhe do t’i ruajë në qoftë se edhe brezat që do të vijnë, do ta ruajnë ashtu si e ruajtën të parët. Shqipja është pasuria jonë më e madhe, vjega ku mbahet identiteti ynë, pasaporta jonë. Po e humbëm, do të humbim si komb. “Shenj’ e kombërisë është gjuha, – thotë Samiu; – çdo komp mbahetë me gjuhët;… Kaqë kombe që janë shuarë, mos pandehni se vdiqn’ a u vranë të tërë; jo, kurrë; po u përzjenë me të tjerë kombe, muarrë gjuhën’ e atyre, edhe u bënë nga ata pa të çquarë”.

Pse ne pasardhësit e tyre duam ta dorëzojmë gjuhën tonë? Duke ditur se çdo shtet që bëhet pjesë e Bashkimit Europian hyn në të me gjuhën, me historinë e me kulturën e vet, ne shqiptarët si do të hyjmë në Europë? Me një gjuhë deledash – pak shqip, pak anglisht, pak italisht? Dhe këtu dalim te roli i shtetit dhe i institucioneve të tij që merren me gjuhën. Mund të themi pa e tepruar aspak që ky rol është pothuaj zero. Sigurisht që nisma si kjo e vitit të gjuhës ndihmojnë në ndërgjegjësimin e folësve, sidomos të brezit që ndjek shkollat, për nevojën e një kujdesi të shtuar ndaj gjuhës sonë. Por, pas përfundimit të kësaj nisme, asgjë nuk do të ndryshojë në praktikën e ligjërimit të medieve dhe të administratës shtetërore. Shteti kujdesin për gjuhën e ka detyrim kushtetues, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, dhe nuk duhet të stepet nga akuzat e çakejve linguistë se po ndërhyn në punë të gjuhës. Gjuhëtari amerikan Joshua A. Fishman, duke qortuar ata që ishin kundër planifikimit gjuhësor dhe politikave gjuhësore të shtetit, një nga librat e tij të fundit e ka titulluar “Do not Leave Your Language Alone” (Mos e braktisni gjuhën tuaj), pra jo rrini larg gjuhës, po merruni me gjuhën. Shteti dhe institucionet e tij gjuhësore mund dhe duhet të bëjnë shumë për gjuhën, që të zbatohen normat e standardit në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore. Dhe në rrethana si këto që u përshkruan më sipër, ndërhyrja e shtetit dhe institucioneve shkencore që merren me gjuhën bëhet një detyrë urgjente.

Së pari, duhet të ruajmë ato që bota na i njeh si veçori gjuhësore tonat. Psh., në shkollë fëmijët mësojnë që klasat e numrave t’i ndajnë me pikë, ndërsa shifrat dhjetore me presje. Ky është përafërsisht edhe formati i shkrimit të numrave që i njohin shqipes platformat Ëindoës dhe të ngjashmet me to. Mirëpo në faturat e pagesave, në dokumentet bankare dhe shtetërore në Shqipëri e Kosovë numrat shkruhen si në anglishte: klasat e numrave të ndara me presje dhe shifrat dhjetore të ndara me pikë, ndërkohë që në Europën kontinentale numrat nuk i shkruajnë si anglezët. Në dokumente bankare ose fatura pagesash gjermane, franceze, italiane etj. zbatohet mënyra josaksone e shkrimit të numrave, që është si ajo që jep “Windows”-i/ për shqipen. Dy shtetet shqiptare, kur të hyjnë në Europë, do të përdorin mënyrën angleze apo mënyrën europiane të shkrimit të numrave? A nuk duhet të ndërhyrë për ta ndrequr këtë anomali?

Së dyti, janë shqetësuese tabelat me emërtimet e njësive të shërbimit jo vetëm në rrugët dhe në sheshet kryesore, po edhe brenda lagjeve. Shumica dërrmuese e tyre janë në gjuhë të huaja, sa të duket sikur nuk je në Shqipëri a në Kosovë. Në këto emërtime nuk ka asgjë që t’i lidhë me vendet ku fliten ato gjuhë. Nuk janë vetëm njësi shërbimi me emra të huaj, ka edhe emërtime të tjera objektesh shtetërore, psh,. “Air Albania Stadium”, “Tirana International Airport”, “Vlora Terminal”, emërtime radiosh e televizionesh etj. Pse të mos jenë në shqip emërtimet e shitoreve, hoteleve, restoranteve etj.? Edhe në rast se emërtimi i huaj është i nevojshëm, emërtimi shqip duhet të jetë i pari.

Të përdorësh vetëm emërtime të huaja, është shenjë e mungesës së respektit për gjuhën amtare, po edhe një ndotje gjuhësore që të vret syrin dhe veshin. Nga kjo mani e përdorimit të emërtimeve të huaja mendojmë se ka ardhur koha të hiqet dorë sa më parë. Atdhetarizmi duhet të shfaqet jo vetëm në sporte, po në gjithçka që na takon si komb dhe, në radhë të parë, në gjuhë.

Sa u përket institucioneve shkencore, si akademitë e shkencave dhe institutet e gjuhësisë, duhet thënë se i detyrohen shumë gjuhës. Është tejet e pakuptueshme që libri “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” është botuar vetëm një herë në këta 50 vjet. Prej dhjetëra vjetësh ky doracak themelor, që duhet të jetë në tryezën e kujtdo që shkruan, nuk gjendet në shitje. Ka një këshill gjuhe që nuk po bën asgjë për gjuhën, nuk po merr asnjë masë për përmirësimin e rregullave të drejtshkrimit.

Këto dhe shumë të tjera janë shërbimet që kanë për detyrë të bëjnë për gjuhën shqipe të dy shtetet, akademitë dhe institucionet shkencore gjuhësore. Nga këto, e para gjë urgjente është miratimi i ligjit për gjuhën, që prej vitesh fle në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë. Konferencat e tubimet për gjuhën, që shkojnë pa lënë gjurmë e pa u dhënë udhë çështjeve të ngutshme që presin të zgjidhen, nuk i bëjnë ndonjë shërbim shqipes. Ato vetëm sa pasurojnë kurrikulumin e kumtuesve dhe të organizuesve të veprimtarive të tilla.

/Gazeta Panorama

SHEKULLI I PARË I PAVARËSISË NË FOLKLOR- Nga MSc. Albert HABAZAJ, bibliograf, studiues i Etnologjisë dhe Folklorit

 

Një vështim i shkurtër për librin “Shekulli i parë: kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë: mbresat e mia”me autor ing. Sejmen Gjokoli”- Mjeshtër i Madh

 

Librin “Shekulli i parë”, shkruar jo me gërma, por qëndisur me filigran shpirti nga autori ing. Sejmen Gjokoli – Mjeshtër i Madh (edhe në nderim të auditorit dhe në respekt të ekonomisë së fjalës) do ta shikoj s në dy rrafshe: si bibliograf dhe si studiues i etnologjisë dhe folklorit.
Në shkencën e bibliotekonomisë, shkurtimisht dua të theksoj se kjo monografi studiohet, klasifikohet dhe regjistrohet si njësi bibliografike në fushën e Etnografisë tek nënfushat sipas klasifikimit zinxhir hierarkik: Zakonet. Doket. Traditat. Mënyrën e jetesës. Folklori. Ritet. Jeta publike. Jeta sociale. Jeta e popullit. Ceremoniale shoqërore. Festime popullore. Jubile. Përurime. Kremtime historike etj., që rrok tema dhe nga nënfushat: Literaturë folklorike shqiptare. Festa. Kujtime.
Vetë autori është një figurë e njohur në fushën e gazetarisë, publicistikës, poezisë dhe me veprimtari të çmuar në fushën e trashëgimisë kulturore, sidomos si menaxher arti dhe realizues i suksesshëm i festivaleve lokale, kombëtare e deri i atyre ndërkombëtare si “Aulona Inter Folk Festival”, (deri në vitin 2024 ka realizuar 16 të tilla).
Pa e zgjatur më tej, se nuk është çasti, rikthehemi tek libri, duke shprehur mirënjohje për “diktatorin” e redaktimeve shqiptare për shëndetin letrar dhe kulturor të veprës (në kuptimin më të mirë të fjalës), për poetin Arben Bllaci, fatmirësisht edhe redaktor i “Shekullit të parë” të S. Gjokolit. Seriozitetin e këtij libri e rrit edhe parathënia e librit (teks shtesë): Anatomia e kremtimit të madh” nga historiani i njohur dr. Dorian Koçi.
Kam një parantezë në funksion të objektit të kësaj dite të “Shekullit të parë”: Duhet të kuptojmë, që Shqipëria dhe populli shqiptar në rrjedhat e kohës ka jetuar, ka luftuar, ka gëzuar, është helmuar, ka pasur ngjarje e data, figura të shquara, histori me lavdi fitimtare apo me humbje të dhembshme. Por sa e sa të tilla kanë ngelur humbëtirave të harresave shekullore, sepse ato nuk i shkroi kush apo nuk i ruajti kush për 1001 arsye objektive apo ndoshta dhe subjektive. Historia bëhet, shkrimi e ruan në kujtesën e kohërave, në arkiva e biblioteka, ndërsa kënga e përjetëson atë në jetë të jetëve. Ngjarjet, nëqoftëse nuk regjistrohen apo nuk shkruhen, shuhen nga kujtesa e brezave me ikjen fizike të bashkëkohësve. Kështu që roli dhe vendi i kronikanit, shkrimtarit të ngjarjes në kuptimin e përgjithshëm të fjalës është shumë i rëndësishëm.
Më 28 nëntor 1912, burrat e kombit me në ballë Plakun e Bardhë të Flamurit “venduan që Shqipëria të bahet më vete, e lirë, e mosvarme” dhe shpallën Pavarësinë e Shqipërisë, që përbën një ngjarje historike të rëndësisë së veçantë, akt madhor kombëtar.
Ecim në kohë. Jo për histori, por për jehonën e asaj ngjarje të madhërishme – pas 100 vjetësh, “këtu në Vlorën, ku fillon historia” siç është shprehur mësuesi, përkthyesi dhe politikani Shpëtim Gjika, dekan i kryetarëve të bashkisë së Vlorës (fatlumturisht qytetar i parë i Vlorës kur Paravësia e Shqipërisë mbushi 100 vjeçe).
Qysh nga e mërkura e 24 janarit 2012 deri të mërkurën e 28 Nëntorit të atij viti jubilar, që shënoi ditën e parë të Shekullit të Dytë, Vlora dhe mbarë Shqiptaria ishte veshur me ngjyrën glorioze të Flamurit Kombëtar. Ne e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar libri nga autori Sejmen Gjokoli (falë vullnetit, pasionit, vëmendjes, vizionit, përgjegjësisë qytetare, mesazhit përcjellës, patjetër dhe mundësisë si koordinator i përgjithshëm i Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit) koha dhe brezat e ardhshëm nuk do të kishin infomacion apo do të kishin informacin të cunguar edhe për Koncertin e Yjeve, koncertin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, që as u transmentua, as u regjistrua…
Ne e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar e botuar ky libër nga autori Sejmen Gjokoli, nuk mund ta dinë koha dhe brezat se Arif Vladi i Dibrës erdhi si erë nga Zvicra, kreu pa u dukur misionin kombëtar dhe iku si fllad lirie.
Në këtë libër, autori bën një përshkrim të gjallë jetësor, siç di ai për Kryekëngën e 100-vjetorit: “Një Komb, një Flamur” me tekst të Arben Dukës së madh, që sot na bën dritë nga yjet, me muzikë të kompozitorit të talentuar, të riut Alban Hoxhaj, që, nën shoqërimin e valltarëve të Folk Grup “Bilbili” Vlorë, u interpretua aq bukur, me dinjitet e art madhor, me shpërthimin superenergjik të yjeve të muzikës popullore shqiptare: bilbilit të Jugut – Petrit Lulo Gjirokastritit dhe amazonës kosovare Fahrie Zogaj. Mirënjohje të gjithmonshme për këtë zonjë të madhe, që edhe pse kishte të voglin në gji, (ato ditë djali i saj dhe i pari ishte një thërrime ferishtè, ende njomëzak – Deonsi ishte vetëm 42 ditësh), bëri një sakrificë gati sublime, përtej çdo realiteti mëmësor dhe nuk mungoi në Koncertin Jubilar, por të dy i dhanë shpirt e zjarr ndjenjës së madhe të atdhedashurisë për ne dhe ata që vijnë pas nesh.
Mirë ne, po koha dhe brezat që vijnë ku mund ta gjenin informacionin për Kërçovën e Deçanin – Flamurin që flakëroi në Vlorë me duetin artistiko’familjar Besiana Qani Mehmedi dhe Shkodran Tolaj me këngën e Naim Gjoshit “Flakëro Flamuri im”, në rast se nuk do të kishin në dorë, në arkiva apao në biblioteka librin “Shekulli i Parë”?!
Ne e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar e botuar ky libër nga autori S. Gjokoli, nuk mund ta dinë koha dhe brezat se zëmagjishmja kombëtare Shkurte Fejza Behlulie e “Xhamadanit vija-vija” la ndezur në Helsink zjarrin kombëtar dhe fluturoi familjarisht drejt Vlorës si Shqiponjë e këngës së madhe shqipe. Nga libri ndjejmë entusiazmin legjendar që mbushi mjediset dhe mijëra njerëz në Pallatin e Sportit “Flamurtari” kur doli në skenë Shkurta me “Xhamadanin” e me të vërshuan në skenë edhe Arif Vladi, Sabahete Visha, Petrit Lulo, Kleopatra Skarço Dokle, Irini Qiriako, çifti Besiana – Shkodran, që e mbyllën vetëm në skenë atë koncert të madh jubilar të 100-vjetorit, sepse e elektrizuan Vlorën.
Pa këtë libër të Gjokolit koha dhe brezat nuk do të dinim gjë për Dhuratën nga Kaçaniku i Sulejman Haxhiut dhe Izgjid Tushës, as për 44 minutat e kremtimit të shekullit të parë, kronikanët e 100-vjetorit, regjisorin dhe skenaristin Virgjil Kule, realizuesin e dokumentarit të çmuar “Kronikë e ditëve të paharruara”, Vlorë 2012.
Ne e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar e botuar ky libër nga autori S. Gjokoli, nuk mund ta dinë koha dhe brezat se këngët e 100-vjetorit krijuan një fond të posaçëm folklori për Pavarësinë. Një gjerdan folklorik po zbukuronte shtatlartën Vlorë ato ditë të mëdha në përcjellje të Shekullit të Parë të Pavarësisë dhe në pritjen e Shekullit të Dytë të saj. Festivali i këngës polifonike, ndërtuar sipas kalendarit kulturor të 100-vjetorit, u zhvillua mbi bazë grupesh dhe shoqatash, i shtrirë në tri mbrëmje, më datat, 13, 14 dhe 15 Tetor 2012. Mbrëmja e fundit me këngë të zgjedhura për këtë ngjarje, u zhvillua më 15 Tetor, në nderim të datës së çlirimit të Vlorës. Vlera e atij festivali, përveç prurjeve burimore dhe interpretimit me nivel të lartë artistik, qëndron në faktin se, ishte kriter për grupet pjesëmarrës, që, ndër numrat folklorikë të paraqitur, duhet të sillnin edhe një këngë ekskluzive për 100-vjetorin.
U krijua kështu fondi i këngëve të reja për Pavarësinë. Pikërisht ky fond me këngë të reja me tematikë Pavarësinë, Ismail Qemalin dhe trimat e tij për Flamurin e Skënderbeut, shënuan piketën e parë, nga ku ravijëzohet vlera artistike dhe e atdhedashurisë që pruri dhe përcolli Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit “Këngët e 100-vjetorit”. Me dëshirë, në këtë pikë do të qëndroj pakëz më shumë, sepse këtë hapësirë ma lejon ky libër i Gjokolit, ndërkohë vjen edhe si një lidhje harmonike e logjike e shkrimit “Pavarësia rreh palët nëpër këngët e popullit”, ku jam bashkautor me Sejmenin, shkrim i cili përfshihet tek libri “Shekulli i parë”. Sipas librit dhe në të vërtetë, historinë folklorike të këtij nderimi madhështor e realizuan artistët popullorë të këtyre grupeve polifonike pjesëmarrëse në “Këngët e 100-vjetorit” nga Qarku i Vlorës:
1- Grupi polifonik “Ballkoni i Vlorës” me këngën “Vendi ku rritet shqiponja”
2- Grupi polifonik “Mato Hasani” me këngën “Vlonjatë kemi për të mbetur”
3- Grupi polifonik “Çipini” me këngën “Po vjen Smail Beu”
4- Grupi polifonik “Bilbili” me këngën “Për gjithë kombin kryezonjë”
5- Grupi “Jehona labe” me këngën “Madhështori, mjekërborë”
6- Grupi polifonik “Pavarësia” me këngën “Më merr malli për flamur”
7- Grupi polifonik “Haxhi Dalipi” me këngën “Burr’ i Kaninës së lashtë”
8- Grupi polifonik “Krojet e Vezhdanishtit” me këngën “Do të këndoj këngën time”
9- Grupi polifonik “Xhebro Gjika” me “Këngë për 100-vjetorin”
10- Grupi polifonik “Bregdeti” me këngën “Jam krenar për vendin tim”
11- Grupi “Kënga labe” – Emigrantët, Greqi me këngën “Bijtë e një nëne”.
Edhe pse tekstet pa tjetër kanë autor, këngët janë fiksuar në kujtesën sociale si visare folklorike të Vlorës, ku autor është populli. Bashkë me artistët vlonjatë erdhën dhe vëllezërit e motrat nga trevat e tjera shqiptare.
Folklori është kurora e bukur dhe e hijshme e festimeve të 100-vjetorit. Këtë fakt treguan 100 flamurmbajtësit, kalorësit kosovarë, që me kavalerinë e tyre u prinin mbi 500 artistëve të zgjedhur popullorë, të cilët me këngët dhe vallet e tyre tradicionale, prunë edhe zërin e ëmbël dhe dëshirën e zjarrtë të një milion shqiptarëve, që mbushën një lumë krenar gëzimtarësh nga Sheshi i Flamurit në sheshin “Pavarësia”, ardhur këtyre hënave të trojve të lashta, por edhe të emigrantëve tanë nga të katër anët e Globit.
Në ndjenjën e gëzimit dhe krenarisë, nuk dallohej kush qe artisti nga Gostivari a Vlora, Shkupi a Gjirokastra, Kaçaniku a Labëria, Mitrovica a Saranda, Drenasi a Mallakastra, Prizreni a Skrapari, Zhuri a Elbasani, Prishtina a Tuzi, Tropoja a Çamëria, Mirdita a Kërçova, Ulqini a Gjakova, Peja a Myzeqeja… Jo thjesht në kuptimin e antropologjisë kulturore, ata ngjanin si një trup i vetëm e i gjallë epiko-lirik i Pavarësisë. Në libër, autori na njeh se grupe me emër dhe traditë, si “Lidhja e Prizrenit”, “Emin Duraku”, “Shote Galica”, “Gryka e Kaçanikut”, “Ded Gjo Luli”, “Karshiaka” “Ibe Palikuqi”, “Rexhep Mitrovica”, “Jahi Hasani” e të tjerë grupe të njohur, që festuan e kënduan për katër ditë si bilbila e thëllëza, së bashku me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore nga Tirana dhe Filarmoninë e Prishtinës. Ky festival fitoi vulën e merituar të karakterit kombëtar.
Pra, sipas librit, piketa tjetër e fortë, nga ku u ravijëzua vlera mbarëkombëtare e këtij festivali ishte mbërritja paraqitja e denjë e Ansambleve sivëllezër të Kosovës, shqiptarëve të Malit të Zi dhe të shqiptarëve të Maqedonisë (sot të Maqedonisë së Veriut). Të gjithë artistët popullorë të kombit të shqipeve, kujtuan mesazhin e thuprave të Skënderbeut me princat e tij dhe, me shpirt e zë, tundën botën shqiptare ato ditë e net të flamurta nëntori, kur Shekulli i Parë i Pavarësisë flamurëroi vlorërisht.
Falënderoj autorin Gjokoli, se pa këtë libër, festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk do të ishin regjistruar në kujtesën e kohës dhe ajo jehonë e madhe nuk do të kishte të nesërme. Jetë të gjatë dhe pena flori!

Ende na kërcënojnë bombat e “historisë”! Nga S. Guraziu

[ ngjitur: Robert Lewis – Plani për hedhjen e Bombës Atomike në Hiroshima, 1945 – Lewis ishte ndihmës-piloti i bombarderit B29, ishte pjesëtar i ekuipazhit që do e hidhnin bombën e parë aromike në Hiroshima, dhe një infografikë e Britannica (detaj) rreth viktimave të 2 bombave atomike, në Hiroshima dhe Nagasaki ]

Gjatë jetës, sa herë jam marrë me historinë (dhe meqë historia për mua është thjesht “lexim”, s’kam pretenduar kurrë diç ndryshe), kur është fjala për programet atomike, kur është fjala për shpërthimet nukleare, për testimet me hidrogjenikat, për testimet me termo-nuklearizmat, kur është fjala për qasjet paranojake të superfuqive lidhur me atomikat, lidhur me kërcënimet e me politikat e “luftës së ftohtë”, lidhur me arsenalet e tyre bërthamore, sikur gjithmonë jam ndjerë keq, si ndonjë “kalama” i romaneve, si ndonjë personazh fiktiv që i janë shembur idealizmat e fantazisë fëmijërore, dhe tashmë i pikëlluar.

Sikur gjithmonë jam ndjerë “naivisht i zhgënyer” që historia s’e pati përdorur ndonjë skenar tjetër të realitetit. Në kuptimin që t’u kishin dështuar “sukseset” : ) sipas meje duhej t’u kishin dështuar të gjitha impenjimet lidhur me atomikat dhe me programet e tmerrshme ushtarake. Meqë për realitetin nuk është e pamundur, dështimet janë të mundura, apo jo – dështojmë në panumër drejtime. Njëmendësia i ka sekretet e veta, ndoshta ka plot skenarësh alternativë që mund të aplikohen. Pse duhej t’kishin sukses me termo-nuklearizmat, kujt i duheshin këso gjërash jashtëzakonisht monstruoze, përveç se “djajve” (kuptohet, nëse këta t’jenë ekzistentë, pasi djajtë mund t’ngelin thjesht fiksion, deri sot akoma s’e ka takuar kush ndonjë aso përnjëmend : )

Pse t’mos u dështonin të gjitha programet e tilla nukleare, thuase njeriu na qenkësh tashmë i përkryer, thuase nuk dështuaka kurrë në asnjë drejtim. Ashtu-kështu njeriu duke dështuar në plot drejtime tjera, pse t’mos dështonte dhe me atomikat, s’do shembej as bota as nuk do kriste qameti. Dhe kështu, dmth. si “përsiatje” e personazhit fiktiv të romaneve, atij të pikëlluarit naiv, që i janë shembur idealizmat.

Bie fjala Amerika ende s’e ka “zgjidhur” mirëfilli as problemin e racizmit (thjesht si “shembull”, anise shembujt janë të panumërt). Askush i botës s’e di saktë, por ndoshta një “Itali, një Francë komplete” prej amerikanësh s’kanë sigurim shëndetsor, me dhjetra e dhjetra miliona amerikanë, anembanë ndër 50 shtetet së bashku… s’kanë madje as sigurimin bazik shëndetsor. Amerika i ndërton aeroplanbartëset pothuaj si t’ishin flotë marramendëse e Star Wars, i ndërton raketat, investon për ta pushtuar hapësirën, Hënën, Marsin, e shpenzon 1 trilion për ta “frymëzuar” shkencën secilin vit, i shpenzon me triliona e triliona për industrinë ushtarake por ja që i dhimbsen ca dollarë për sigurimin bazik shëndetsor të popullsisë.

Vallë a nuk qenka “dështim” që dhe pas 300 vjet ecejakesh politike ta bindësh veten se dhe “jetët e zeza” ia vlejnë, se “black life matters too” !? Jetët e “bardha” ia vlen, këtë e dimë sigurt, e kemi dhe garancinë, ato të “zezat”… s’e kemi idenë, ende s’e kemi studiuar aq mirë, ndoshta dhe ato ia vlejnë. Ish-Presidenti dhe i sapozgjedhuri rishtas President, Trump akoma trumpeton si ndonjë papagall rreth-e-rrotull “suprematikave” të veta, flet për “mure e për ndarje” në vend që t’fliste për ura, në shek. XXI i fyen gjysmën e kontinentit hispanik duke i quajtur “hajna të pulave amerikane”, e kalojnë kufirin dhe tashmë për t’mbijetuar (si të jashtëligjshëm që janë) ua hanë pulat, lepujt, ketrat… “all the pets”.

I njëjti ish-President i siguron fitoret elektrorale duke i “blerë” votat dhe oportunizmat me ndihmën e super-miliarderëve, me ndihmën e biz-oportunistëve si Elon Musk e të ngjashëm. Edhe dikur, atëherë “herën e parë” ndoshta i pati siguruar votat me ndihmën e britanikëve të korruptuar “a la Analitica” dhe me korrupsionin e Facebook, qenë shitur dhe manipuluar të dhënat e dhjetra miliona përdoruesve. I njëjti ish-President, i vetmi i paditur, i “akuzuar”, i shoshitur nga ligji për panumër gjërash, me plot dosjesh që duhet zgjidhur mbi tavolinat e Drejtësisë, dhe ri-zgjidhet President. I njëjti ish-President i përdor lloj-lloj idesh që as “moronët” s’do i përdornin, dhe prapë i shiten…

Dhe asgjë, s’qenkan “dështime” këto, nooo way, përkundrazi, padyshim diç si faqebardhësi historike.

***
Përshkrimi muzeal nga “Atomic Heritage Foundation” i eventit të hedhjes së bombës atomike në Hiroshima thuase është bërë nga ndonjë ushtarak-historian i ekzaltuar që misioni me monstruozitetet atomike pati vajtur mbarë, lum e lum aq mbarë, fatlumnisht mbarë. Aq mbarë e saktësisht pothuaj si ndonjë “shkencë” ushtarake, ekzaktësisht me të gjitha cikërrimat mbarë.

Ndërsa unë gjithmonë sikur i “zhgënyer” që nuk u qe prishur avioni, ose t’ia kishin huqur destinacionit, ose t’u kishte dështuar shpërthimi, detonacioni, pse jo… thjesht të dështonte. Mjaft shpesh as ato bombat “klasike” nuk eksplodojnë, shpesh as patentet e Alfred Nobelit nuk funksionojnë, apo jo. Ka panumër bombash të groposura të L. 2 Botërore që s’patën eksploduar. Duhet madje fort kujdes kur i hapim themelet e këso, akoma dhe sot e kësaj dite na kërcënojnë bombat e “historisë”… ndoshta sepse, ku ta dimë, ndryshken dhe u “teket” buuuum shpërthejnë.

Sikur gjithmonë jam ndjerë paksa i “zhgënyer” që historia s’e pati përdorur ndonjë skenar tjetër të realitetit, psh. që bomba s’u pati rënë padashtas diku në oqean, t’u ishte prishur ndonjë hekur i atyre hidraulikave, t’u ishte këputur ndonjë nga telat, t’u ishte hapur padashtas ai “magazini” dhe të ngeleshin pa ngarkesën, dmth. ta kishin humbur bombën akoma pa patur shansin e përdorimit, dhe sëfundi duke mos patur bombën do ishin detyruar të kthehen në ishullin-bazë ashtu duarthatë etj. etj.

Ehuuu ka plot skenarësh të mundshëm që njëmendësia mund t’i kishte përdorur paralelisht, pse duhej të shkonte plani i tyre aq mbarë. Nga “Atomic Heritage Foundation” e ShBA kështu, si vijon më poshtë, përshkruhet eventi i hedhjes së monstruozitetit atomik mbi qyetetin e “përgjumur” të Hiroshimes.

5 Gusht 1945
Gjenerali Curtis LeMay në orën 15.00 zyrtarisht e konfirmon që misioni për hedhjen e bombës do jetë ditën e nesërme. Nën-Koloneli Paul Tibbets do jetë piloti, Deak Parsons do fluturojë si përgjegjës i armatimit. Nën-Koloneli Paul Tibbets e emëron avionin-bombarder B-29 No. 82 me emrin “Enola Gay” sipas nënës së vet, përkundër mosmapjtimit nga ndihmës-piloti Robert Lewis. Bomba me emrin “Little Boy” ngarkohet në avion. Gjithashtu, bomba testuese pa eksplozivin bërthamor “Fat Man, unit F33” (bombë komplete, përveç që i mungon bërthama e plutoniumit) për ta testuar ose ushtruar hedhjen e bombës reale.

6 Gusht 1945
Ora 00.00 – Raporti informativ përfundimtar, caku ose objektivi i zgjedhur për hedhjen o bombës do jetë Hiroshima. Nënkoloneli Paul Tibbets është piloti (kryepiloti), Robert Lewis është ndihmës-piloti.
Ora 02.45 – Bombarderi “Enola Gay” niset pistës për t’iu qasur fluturimit.
Ora 07.30 – Bomba “Little Boy” tashmë është e armatosur.
Ora 08.50 – Duke fluturuar në lartësinë ~10 km bombarderi “Enola Gay” kalon mbi Shikoku në lindje të Hiroshimës. Kushtet e bombardimit janë të mira, pika që synohet lehtësisht e dukshme dhe s’ka “kundërshti”

[[ dmth. s’ka rezistencë nga mbrojtja kundër-ajrore japoneze, asgjë s’piptinë, gjithçka në rregull, qyteti ende në gjumë, madje dhe ushtria ende duke i përkundur ëndrrat, nuk shihen as kazermat as asgjë, por as ata s’na shohin, jemi tepër lart dhe të padukshëm, i kemi zënë galuç në surprizë, sa për qytetin do jetë njësoj si t’i ketë bombarduar vetë Zeusi a perëndia, i patëm njoftuar popullsinë me fletushkat e me paralajmërimet, do duhej t’kishin ikur, qyteti do duhej t’ishte marrë me evakuimin, pse s’kanë ikur është problemi i tyre, gabimi i tyre, mirëpo sidoqoftë, tani të përgjumur e të trullosur s’do e kenë idenë as si erdhi as nga u erdhi, s’do e kenë as idenë e idesë, s’do jetë nevoja t’i hapin as qepallat sakaq dhe do jenë në qiell, zjarri i madh atomik është aq i madh, nuk i ngjan më zjarrit të ferrit por pothuaj si dritë parajse – këto të fundit brenda kllapave të dyfishta i shtova unë, m’u duk sikur e plotësonte sadopak “befasinë” e Hiroshimës së ngratë në ditën e 6 Gushtit të tmerrshëm ]].

Ora 09.15:17 – Bomba “Little Boy” lëshohet nga lartësia 9467 m.
Ora 09.16:02 (8:16:02 sipas kohës së Hiroshimës) bomba “Little Boy” shpërthen në lartësinë ~563 m, jo më larg se ~170 m nga pika që synohej, qendër-caku ishte ura Aioi, me një rendiment eksploziv prej 12.5 – 18 Kt (vlerësimi më i mirë i eksplozionit do ishte 15 Kt).

Buuuuum, nga 250.000 banorë të Hiroshimës së përgjumur, shfarosje e pjesës dërrmuese, 140.000 të vdekur, dhe ti i “justifikohesh” historisë se 2 bombat atomike na i hodhe për t’i dhënë fund luftës ! Uroj të të “shitet”, uroj t’i justifikojë historia marrëzitë tona. Pandeh së të “shitet” justifikimi dhe njëkohësisht për gjysmë shekulli i ndërton me mijëra monstruozitete të ngjashme, të cilat bomba madje nga “1000 herë” më të fuqishme se ajo hedhur në Hiroshima. Mbase do ta kishte “besuar” historia (atë që pretendon ta shohësh si justifikim) nëse t’mos ishe marrë me ndërtimin e mijëra bombave të tjera.

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të të kuptuarit të gjuhës, sipas një hulumtimi të revistës ”Scientific Reports”, që zbuloi se macet krijojnë lidhje midis figurave dhe fjalëve rreth katër herë më shpejt se sa fëmijët e vegjël.

Gjuha është mjeti më i rëndësishëm që njerëzit përdorin për të komunikuar.

Por aftësia për të kuptuar të folurit nuk është unike për Homo sapiens.

Disa majmunë i lidhin fjalët e folura me simbole ose figura të shkruara, ndërsa papagajtë gri afrikanë mund të kuptojnë dhe t’u përgjigjen udhëzimeve të folura.

Ndërkohë, qentë janë trajnuar për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur fjalorit të thjeshtë.

Megjithatë, ne dimë shumë më pak për shoqëruesen tjetër kryesore të njerëzve, macet.

“Macet mund të njohin tingujt e fjalëve që vijnë nga njerëzit dhe gjithnjë e më shumë studime vërtetojnë se macet mbështeten në ndërveprimin me njerëzit në zgjidhjen e problemeve”, tha për ”Live Science” Carlo Siracusa, një biheviorist veterinar në Universitetin e Pensilvanisë.

Madje, ka prova të kufizuara që macet mund t’i përgjigjen me gishta dhe kërkimet në pesë vitet e fundit kanë treguar se macet mund të njohin jo vetëm emrat e tyre, por edhe ato të njerëzve dhe kafshëve të njohura.

Por a mund të lidhin fjalë dhe objekte në përgjithësi?

Për të testuar këtë teori, Saho Takagi dhe ekipi i saj në Universitetin Azabu në Japoni u dhanë 31 maceve të rritura një lojë të thjeshtë fjalësh të përdorur për të hetuar të njëjtën aftësi tek foshnjat.

Maceve iu shfaqën dy klipe vizatimore prej nëntë sekondash me regjistrime të pronarëve të tyre duke përsëritur një fjalë të sajuar mbi secilën imazh.

Sekuenca e klipeve – një diell i kuq i etiketuar “paramo” dhe një njëbrirësh blu me fjalën “keraru” – u përsërit derisa macet u duk se u mërzitën dhe i kushtuan 50% më pak vëmendje ekranit.

Pas një pushimi të shkurtër, klipet e imazheve u përsëritën, por këtë herë, gjysma e çiftimeve u përmbysën.

Klipet e ndërruara i ngatërruan dukshëm macet, me regjistrimet e “paramo” së bashku me njëbrirëshin dhe “keraru” me diellin që mban interesin e maces mesatarisht 15% më të gjatë.

”Që macet e vunë re këtë ndryshim dhe ishin qartësisht të hutuar nga ai, është dëshmi e mirë se ato kishin krijuar një lidhje midis fjalëve dhe imazheve”, shkruan Takagi dhe kolegët në studim.

“Disa mace madje e shikuan ekranin me bebëzat e tyre të zgjeruara gjatë gjendjes së “ndërrimit”, tha Takagi për revistën ”Science”.

“Ishte bukur të shihje se sa seriozisht morën pjesë në eksperiment”, thekson ai.

Eksperimenti zbuloi se macet ishin në gjendje të mësonin kombinimet nga vetëm dy ekspozime nëntë sekondash – dukshëm më shpejt se fëmijët e vegjël, të cilëve iu deshën të paktën katër prova prej 20 sekondash. bw

Më habiti mirësjellja dhe “ngrohtësia” robotike- Nga S. Guraziu

…më habiti sonte mirësjellja dhe “ngrohtësia” robotike, sapo bisedova me robotin e gjigantit për muzikat, Soundcloud [ kam një free-account aty, anise askush s’e di, ka nja 3-4 muzika bërë nga unë : ) adresa është: https://soundcloud.com/ama_deus-125201470/ ] hera e parë që fare troç e rraha problemin me një robot, dhe betohem s’e prisja që do më ndihmonte kaq “njerëzisht”, s’më ka rënë puna t’kem punë me robotët e mençur… njëherë i thashë “ok, thnx, qenke robot, pyetja ime s’ishte për ty, më duhej ndokush nga kolegët e tu, ndokush nga njerëzit” – pastaj u kujtova nëse pyetjen mund t’ia “percillte” ndonjë kolegut të vet – dhe po, patjetër tha, “you’re welcome”, për momentin s’është askush prezent por e krijoi një “ticket”, më pyeti për emrin, për emailin, për adresën e llogarisë në Soundcloud, dhe më siguroi se dikush nga njerëzit do më kontaktojë përmes emailit… unë ngela, betohem që s’kanë qenë “ndryshe” as bisedat me njerëzit real prapa xhamit, mua s’më kujtohet t’ketë patur ndonje mirësjellje speciale, ndonjë ngrohtësi as qasje më “njerëzore” se kaq : )
…po e ngjes bisedën komplet (roboti i Soundcloud u quajka Otto), sepse për mua pothuaj “bisedë historike”, do e ruaj tek blog-faqja, u mora vesh me Otto-robotin më mirë se ç’mund t’kem pandehur a menduar, në fakt s’e prisja asfare, s’është se kam menduar, andaj dhe si “befasi” : )
10:12 PM
Hi there! My name is Otto, I’m SoundCloud’s Support Robot
Otto says: What can I do for you today?
10:12 PM
ama_deus says: please, why our avatar images aren’t centered, I uploaded a perfect 1000×1000 px image?
also why there isn’t a transparent function, if we upload a transparent logo-graphic then why should you make the background white, or black, or something else? Thnx
10:14 PM
Otto says: Oops! I didn’t get that, can you please rephrase?
10:14 PM
ama_deus says: are you a bot? : ) if yes then my dear Soundcloud-bot, no offence but my question isn’t for you : )
10:14 PM
Otto says: Yes, I am a virtual assistant here to help with your queries. If you have any other questions, feel free to ask!
10:16 PM
ama_deus says: of course, thank you
10:16 PM
Otto says: You’re welcome! If you have any other questions, feel free to ask.
10:17 PM
ama_deus says: oh… yes, I have another question : ) please dear Otto can you forward this my question to someone of your human collleagues, perhaps the technical team would understand it best – thank you in advance
– – – question – – –
please, why our avatar images aren’t centered, I uploaded a perfect 1000×1000 px image? also why there isn’t a transparent function, if we upload a transparent logo-graphic then why should you make the background white, or black, or something else? Thnx
10:20 PM
Otto says: At this point it’s probably best you speak with a human colleague, let me create a ticket for you
I’m going to create a ticket for you now! What is your name?
10:20 PM
ama_deus says: ama_deus
10:21 PM
Otto says: When one of my human coworkers gets back to you, which email address would you like them to contact?
10:21 PM
ama_deus says: ama_deus@europe…
10:21 PM
Otto says: Thanks!
I’ll also need to have the permalink of your SoundCloud profile, can you please share it?
Here’s an example: soundcloud.com/alex
10:21 PM
10:21 PM
Otto says: Thanks ama_deus
Please describe your issue in just a few words:
10:22 PM
ama_deus says: please, why our avatar images aren’t centered, I uploaded a perfect 1000×1000 px image? also why there isn’t a transparent function, if we upload a transparent logo-graphic then why should you make the background white, or black, or something else? Thnx
10:22 PM
Otto says: Are there any other details you want to share about your issue?
10:22 PM
ama_deus says: no… for now, this was it : ) thnx Otto
10:22 PM
Otto says: I’ve now created that ticket for you. We’ll get back to you as soon as we can via your email address with a ticket number, keep an eye on your inbox!

Superfuqia “shkencërisht” – Kush i prin Shkencës, botërisht? – Nga Senad Guraziu

Dihet se ShBA është diç si “superfuqi e shkencës”, çdo indeks statistikor për pothuaj gjatë gjithë gjysmëshekullit XX, dhe 2 dekadat e XXI e dëshmojnë epërsinë e ShBA. Nëse të thuktohej e gjitha, bie fjala fakt i madh është se gjatë 5-vjeçarit të fundit ShBA ka fituar më shumë çmime Nobel të shkencës, se pjesa tjetër e botës shkencore së bashku.
Madhështor ky detaj i përparësisë shkencore të ShBA. Afërmendsh se dhe vetëm ky fakt i vetëm (si pasqyrë e përgjithshme) është ‘mjaft’, kur bëhet fjalë për ta kuptuar impenjimin e ShBA në rrafshin e investimeve për kërkim-zhvillimin shkencor. Sipas logjikës çfarë mbjell pakashumë ashtu parapriten dhe korrjet, nëse gjithçka vete mbarë e si duhet.
Ta “ushqesh” shkencën sistematikisht, në radhë të parë do t’thotë t’i ndash mjetet që nevojiten. Do t’thotë t’i kesh miliardat… me dhjetra, me qindra miliarda. Të investosh për zhvillim, ta kultivosh “gjenialitetin” dhe potencializmin shkencor, t’i motivosh shkencëtarët e rinj, natyrisht se është aq e rëndësishme.
Nuk mjaftojnë vetëm ambicjet, por duhen dhe mjetet, duhet t’jenë të shëndetshme të gjitha “segmentet” ekonomike-sociale, duhet t’i krijosh dhe mundësitë. Mbase është diç si çështje e mbarëvajtjes ciklike e ingranazhit ekonomi-shkencë-teknologji.
Ashtu-kështu gjithçka e mirëqenies shkencore varet nga ekonomia, andaj i bie se është diç si proces “simbiotik”, pothuaj ngjashëm si ndonjë simbiozë e përkryer Nënë – Bijë. Ekonomia do ishte “nëna”, shkenca, teknologjia dhe këso do ishin “vajzat” : ) mirëpo tani sikur e gjithë marrëdhënia amësore-bijnore kushtëzohet simbiotikisht – tani as nëna as e bija s’munden pa njëra-tjetrën!
Thamë “simbiozë”, anise mund t’jetë krahasim i dobët, jo dhe aq për lakmi : ) Le ta përdorim pak “histori” dhe ca fakte të thjeshta për ta kuptuar “simbiozën” tonë, si krahasim i dobët.
Në v. 1980 dhe vetëm ekonomia e Holandës ishte më e madhe se ekonomia e Kinës. Në v. 1980 popullsia e Holandës ishte vetëm ~ 14 milionë, popullsia e Kinës ishte ~ 990 milionë. Imagjinoje pakëz “dallimin”, ku është 14 milionë, e ku 900 milionë!
Mirëpo, jo më larg se para 1 dekade, në v. 2010, Kina u bë ekonomia e 2-të më e madhe e botës, ngelej “mbrapa” vetëm pas ekonomisë së ShBA. Jo më larg se 5-6 vite më parë, në v. 2018, GDP-të e 35 qyteteve kineze i arritën GDP-të e vendeve të ndryshme të Evropës. Imagjinoje rishtas “dallimin”, 1 qytet kinez barazohet me fuqinë ekonomike të 1 vendi komplet!
Ja dhe shifrat, nëse eventualisht me gjuhën e numrave duket më “bindëse”. Psh. në v. 2015 GDP-ja e qyetetit Shenzhen ishte 491 miliardë $, po aq sa GDP-ja e Suedisë. GDP-ja e Guangzhou 524 miliardë $, po aq sa GDP-ja e Zvicrës. Çengdu 306 miliardë $ = baraz me Norvegjinë. Hangzhou 275 miliardë $ = me Greqinë. Nanxhing 272 miliardë $ = me Danimarkën.
Etj. etj., 35 qytete të Kinës në v. 2015 të fuqishme aq sa shtetet komplet të EU. Ku ngelen pastaj ato shtetet e “vogla”, ato mini-shtetet si Shqipëria, si Kosova 2-milionëshe… booo pamundësohet akëcili “krahasim”.
Sa i përket ekonomisë, shtetet e “vogla” si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Serbia etj. i bie se do ishin diç si “fshatra-shtete” kineze. Ja pse unë s’ia dal ta “kuptoj” dot që shtetet ballkanike (madje as në gjysmë-shek. XXI) assesi t’rehatohen mes vete. Prore me ca “vegëzash”, me lloj-lloj gjoja “ndërskamcash” politike ndaj njëri-tjetrit, mirë që s’po na grushtosen, mirë që sëpaku i kanë harruar “luftrat”. Ja… lëviza vendit, duhet lëkundur njeriu për tutelën evro-amerikane, lum e lum që i kemi këta të mëdhenjtë, fatmirësi e madhe që s’lodhen as ShBA as BE-ja duke e kuruar krenarinë ballkanike, përndryshe mos pyet.
S’i kuptoj as ata me mendësinë “djathtas ekstremisht” të Evropës (tani për tani politikisht duke bërë “namin” pothuaj gjithandej Evropës; në Holandë, në Hungari, në Itali, në Austri, në Francë, Portugali etj.) që insistojnë me mendimin se Evropa mundet fare mirë pa “BE-në”, se EU-aparati është një ngrehinë politike tepër komplekse për t’patur të ardhme, se është diç si gala-egoizëm i kryemadhorëve të kontinentit, mega-aparat byrokratik i panevojshëm dhe i kushtueshëm, tmerrësisht i shtrenjtë.
Por vallë a është e vërtetë, apo diç si lajthithje ego-statike e shkurtpamësisë së tyre politike, vallë a mundet mirëfilli Evropa pa EU-bashkësinë?! Unë madje them t’bëhemi “bashkë” dhe me andej-oqeanin, euro-atlantikisht… sa më parë t’jetë e kapërthyeshme, e realizueshme, nëse do t’shtyhesh me kinezët, me indianët e së ardhmes. Shkurt, s’e kuptoj dot lajthitjen as ego-statikat e tyre, s’e kuptoj rezistencën e tyre ndaj zhvillimeve dhe avancimeve politike : )
***
Një artikull i Tetorit 2024, në “Nature” [ autorë Jeff Tollefson & Richard Van Noorden – https://www.nature.com/articles/d41586-024-03403-4 ] i bie t’jetë diç si “raport fundimtar i aktualizuar” sa i përket zhvillimit të shkencës dhe të kërkimeve. Aty thuhej se ShBA akoma është “superfuqia shkencore e botës”, por për sa gjatë do jetë, qëkur Kina tani aty ngjitas, në “thembër” të ShBA.
Në v. 2022 (viti i fundit për të cilin të dhënat janë e plota, për v. 2023 ende s’qenkan definitive) ShBA i ka shpenzuar 923 miliardë $, ose rreth 30% të shpenzimeve globale për Kërkime dhe Zhvillim shkencor – thuhej nga autorët e artikullit.
Mirëpo, ndërsa ekonomia e Kinës është rritur, po ashtu janë rritur dhe shpenzimet kineze të Kërkimit dhe Zhvillimit shkencor. Edhe Kina tani fare afër investimeve të ShBA, në v. 2022 kinezët i shpenzuan 812 miliardë $.
Sidoqoftë, cekej se zgjedhjet amerikane (që sapo mbaruan, dhe siç e pamë, fitoi Donald Trump) do ta formësojnë të ardhmen e shkencës amerikane. Rritja e konkurrencës ndërkombëtare dhe shqetësimet e brendshme janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm.
Edhe këtë vit (2024) ShBA ndodhet në rrugën e duhur për t’i shpenzuar 1 trilion $ për kërkimet dhe zhvillimin shkencor (R & D, siç thuhej atje – Research & Development ). Dhe ky 1 trilion $ është shumë më tepër se çdo vend tjetër i botës.
Po ashtu, institucionet shkencore dhe laboratorët e ShBA janë diç si “magnet” i madh për studiuesit nga e gjithë bota. Përqindja e doktorantëve të punonjësve shkencorë në SHBA për fushat Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Mjekësi (STEM) është 43% – ky detaj flet qartë sa “magnet” i madh është sfera shkencore amerikane.
Në kuadër të 1-përqindjes më të lartë të citimit globalisht të punimeve shkencore (konsiderohet 1% kyç, 1-she top-relevante, diç si majaja shkencore), shkencëtarët e ShBA janë përpara në fusha të tilla si mjekësia, biologjia molekulare dhe shkencat neurologjike. Ndërsa Kina prin me shkencat e materialeve, me kiminë dhe inxhinierinë.
Sipas raport-artikullit të “Nature” shkenca në ShBA s’ka qenë kurrë më e fortë se tani, por ka shqetësime se janë duke e humbur garën e udhëheqjes globale në fushat STEM. Kina jo vetëm që e ka tejkaluar ShBA sa u përket artikujve dhe prurjeve shkencore (Kina tani i prin “Indeksit të Nature” dhe ka pjesën më të madhe të 1% të artikujve shkencor më të cituar globalisht), gjithashtu Kina po i tejkalon në rrafshet e patentimit shkencor dhe të doktoraturve inxhinierike.
Në suplementin e “Nature” për Kinën në fillim-vitin (2024) thuhej se përqindja e Kinës në shkencat biologjike nga 2022 në 2023 është rritur me 15.8% – e qartë se “kërcim” i lartë. Dikur dhe vetëm Holanda e vogël (s’nevojiteshin as EU as USA) e thamë më lart, ishte më e “madhe” se Kina, ja që tani kinezët fort kërcimtarë me shkencat e me zhvillimet, shifrat e tyre dhe arritjet prore duke kërcyer.
“Nature’s Index” qe prezantuar në v. 2014, që nga atëherë në statistikat e Indeksit Kina është shquar sa i përket rritjes shkencore, sa i përket kontributit me artikujt e shkencës. Në v. 2022, Kina e kapërceu epërsinë e ShBA me numrin e artikull-prurjeve shkencore në fushat e shkencave natyrore.

ESAT PASHË TOPTANI NDRYSHE?…- Nga Jusuf Buxhovi

Ilir Ikonomi: “Esat Pashë Toptani – njeriu, lufta, pushteti”. Botoi UETPress, Tiranë, 2016. Faqe 551.
“Nuk është lehtë ta shpjegosh Esat pashë Toptanin (1864-1920), njërin ndër personazhet më enigmatike të botës shqiptare”.
Kështu thotë autori Ilir Ikonomi në librin “Esat Pashë Toptani”, i cili qysh në fillim paralajmëron se qasja ndaj kësaj figure historike, vlerësimi i së cilës edhe sot e gjithë ditën në opinionin e gjerë është kontrovers dhe të shumtën me anatemën e paqëndrueshme “të tradhtarit”, ka të bëjë me kohën në të cilën ka jetuar, duke shtuar se “askush nuk e ka monopolin e të vërtetës”. Mbështetja mbi këtë parim autorin pashmangshëm e ballafaqon me paragjykimet e shumta bardh-zi, të ngritura sa nga historiografia shqiptare me qasje ideologjike e sa nga mosnjohja, po edhe injorimi i burimeve meritore me të cilat do të mund të thyheshin stereotipat politike me të cilat Esat Pashtë Toptani si ushtarak, politikan dhe burrështetas i njohur me shumë fuqi dhe ndikim i kohës së shtet ndërtimit shqiptar dhe krrajateve që e përcollën atë, është dashtë të shihej vetëm “tradhtar”, paçka se ai ka marrë pjesë në një zhvillim historik tepër kompleks, kur shteti shqiptar ishte në formim e sipër, dhe se ky proces me shumë kurthe, me shumë lojëra e lojtarë, përfshinte aktorë të shumtë nga elita e asokohshme politike shqiptare, që kryenin shërbime të ndryshme ndër më të rëndat, herë nga bindja, e herë pse atë detyrimisht e kërkonin nevojat që i duheshin vendit për të shkuar aty ku duhej.
Natyrisht se ballafaqimi i Ikonomit me Toptanin, i parë në kohën në të cilën ka jetuar si dhe zhvillimet historike nëpër të cilat ka kaluar, në njërën anë nxjerr në pah një figurë historike të ushtarakut veprues me fuqi të madhe pas, të politikanit të pakapërcyeshëm dhe njëherësh qeveritarit dhe të diplomatit aktiv ndër më komplekset, me të cilin lidhet rrugëtimi i shtetit shqiptar me gjithë ato telashe dhe drama të mëdha që e kanë përcjellë nga shfaqja e deri te akti kur atij përfundimisht, në Konferencën e Paqes në Paris, do t’i njihet ekzistenca ndërkombëtare në përmasat që ia caktoi Konferenca e Ambasadorëve e Londrës. Ndërsa në tjetrën anë, nxjerr në pah shumësinë e faktorëve të tjerë, nga brenda dhe nga jashtë, veçmas ata social, kulturorë në formën e një amalgame absurd politik, që kanë ndikuar këtë zhvillim si dhe rolin e tyre në të, që Toptanin e kthejnë në një referencë të pazëvendësueshme të ushtarakut, të politikanit dhe të një diplomati, i cili, në skenën e madhe diplomatike dhe politike, ku çështja shqiptare, të shumtën, bartej si një plaçkë për kusuritje midis fuqive të mëdha të kohës, në saje të ndikimit në vend si feudal dhe të fuqisë ushtarake (kishte nën armë mbi dhjetë mijë përkrahës), shfaqej i pashmangshëm, qoftë kur ai ishte i nevojshëm (për dike) dhe duhej të shfrytëzohej, qoftë kur shihej i rrezikshëm (për dike) dhe duhej të eliminohej, siç do të ndodhë në të vërtetë edhe me vrasjen e tij në Paris. Shikuar nga këndvështrimi i dokumenteve relevante të kohës, shumë prej të cilave Ikonomi i shfrytëzon me objektivitetin e duhur dhe jo rrallë dhe qëllimisht duke i lidhur edhe me aktualitetin, ndërsa disa prej tyre qëllimisht të anashkaluar ose të injoruara, i nxjerr në pah për herë të parë, (Memorandumin Konferencës së Paqes, takimin me presidentin amerikan Uilson si dhe letrën dërguar atij dhe takimet e shumta me burrështetasit e fuqive të mëdha e të tjera të kësaj natyre), Esat Pshë Toptani shfaqet një lojtar i pandalshëm, tepër i shkathtë, tepër i vendosur, i gatshëm për kompromise dhe lojëra ndër më të ndryshmet, ku madje edhe ajo që shumë herë është vlerësuar “ambicie e shfrenuara për pushtet”, qoftë edhe në dëm të shtetit shqiptar e të ngjashme, del si pjesë e pragmatizmit të pashmangshëm politik , ku natyrisht se shteti kthehet në një dividendë pa të cilin nuk mund të ketë fuqi.
Por, gjithnjë në përputhje me dokumentet që trajton Ikonomi si dhe qasjen ndaj tyre “ku nuk ka tradhtarë dhe heronj”, sidomos të atyre që mund të merren “si kapitale” (Memorandumi Konferencës së Paqes, ku kërkohej të rikthehen vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe takimi me presidentin amerikan Ulon në Paris, ku kërkohej që shteti shqiptar, për t’u nxjerrë nga kthetrat e traktateve të fshehta, siç ishte ai i Londrës i vitit 1915 dhe marrëveshja Itali-Greqi për ndarje në Shqipërisë në dy pjesë, duhej të kthehej nën administrimin e fuqive të mëdha, në të cilën fjalën kryesore do ta kenë SHBA-të ), del një Esad Pashë Toptan ndryshe nga hipotekat e rënda “të tradhtarit”, me të cilat kuturu është ngarkuar historiografia ideologjike dhe në përgjithësi politika inerte shqiptare e kohës, hipoteka këto që pastaj kanë ushqyer edhe bindjet dhe veprimet revolucionare aq tragjike për vetë shqiptarët, që do ta kthejnë kah sfera lindore. Pamja “ndryshe” e Toptanit, në të vërtetë, demistifikon edhe shabllonet e deritanishme ku ai përshkruhet “injorant”, “fodull”, “anadollak” , “vrasës” dhe çmos, edhe pse ato demantohen nga rivalet e tij politik kur për ta diskredituar cilësohet “si ngatërrestar perfid”, “intrigant i pashoq”, “dinak” dhe të ndryshme, që nuk mund t’i ketë torollaku… Në dokumentet që lidhen me kohën e Konferencën e Paqes dhe ato që i paraprinë asaj (fitorja e Antantës), Toptani shfaqet si lojtar i shkathtë dhe tejet mendjemprehtë, i cili kërkon që fati i Shqipërisë të trajtohet në përputhje me pjesëmarrjen në anën e aleatëve, pra të shpërblehet në vend se të kthehet në plaçkë, siç ndodhi me marrëveshjet e fshehta të Londrës dhe ato të mëvonshmet midis Italisë dhe Mbretërisë Jugosllave. Duket paksa absurde, por gjithnjë sipas dokumenteve që trajton Ikonomi, vërtetësia e të cilave është e justifikueshme, në kohën kur delegacioni i qeveris së Durrësit me Turhan Pashën në krye, i sajuar nga italianët, në Paris nuk bënte tjetër pos që luante lojën e italianëve, ai, nga presidenti amerikan, gjatë takimit me të, kërkonte që Shqipëria të vihej nën mbikëqyrje ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e amerikanëve në Komision. Gjithnjë sipas këtyre dokumenteve, edhe në takimet e veçanta me kryetarët e fuqive të mëdha të kohës (Francës, Anglisë dhe të Italisë), Toptani luftonte edhe projektet antihistorike xhonturke dhe ato austro hungarezë për rikthimin e një Shqipërie Osmane, që u shfaqen gjatë Luftës së Parë Botërore, duke theksuar se “shqiptarët njëherë e përgjithmonë kishin hequr qafe pushtimin osman”. Ndonëse Ikonomi, me të drejtë, i ka kushtuar rëndësi të madhe raporteve të Toptanit me Italinë, Serbinë më vonë me mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene, atyre me Francën, po edhe me Greqinë dhe faktorët tjerë të lidhur për fatin e saj në ato rrethana), duke u përpjekur që ambiciet e tij politike dhe ato për pushtet t’i fokusojë te përcaktimi që ai midis Italisë dhe Beogradit të zgjedh këtë të fundit “si mbrojtës të Shqipërisë”, përcaktim ky, që si do të shihet, do të jetë vendimtar që ai të eliminohet edhe fizikisht në Paris madje me hipotekën e tradhtisë, megjithatë fundi i tij tragjik, më tepër del si pasojë që nga skena politike shqiptare të përjashtohet njëri nga lojtarët kyç, më të zhdërvjelltë dhe më me ndikim në vend, nga frika se ai herdokur mund të dëmtonte planet italiane në Shqipëri dhe rajon duke futur në lojë kartën e Beogradit ndaj të cilës, nga ndikimi italian dhe ai grek, me mosbesim shikohej edhe nga fuqitë e përçara të Antantës. Por, edhe përkundër kësaj, karta e ndikimit të Beogradit në politikën shqiptare nuk do të eliminohet. Si do të shihet, me rastin e Ahmet Zogut e deri te Enver Hoxha, politika shqiptare jo vetëm që nuk do të lirohet prej saj, por ajo do t’ua përcaktojë kahun zhvillimeve tragjike nëpër të cilat do të kalojë shteti shqiptar, por edhe shqiptarët në përgjithësi për thuaja një shekull…
Kështu, Esat Pashë Toptani, pasi që kishte parë se në ato rrethana të kusuritjeve midis faktorëve të jashtëm, Shqipëria deri te shkalla e konsolidimit si shtet, doemos duhej të kalonte nëpër tutelën e huaj dhe se kjo mund t’i kthehej në kob po qe se nuk do të veprohej me mençuri e pse jo edhe dredhi ndër më të ndryshmet, kishte bindjen se fati i Shqipërisë dhe Shqiptarëve duhej të lidhej me Beogradin, çështje këtë që asnjëherë nuk e mohoi dhe as nuk e fshehu bashkë me ato që duhej t’i kishte si çmim. Edhe pse ky pragmatizëm politik atë e ktheu në “tradhtar”, megjithatë, lidhja e politikës shqiptare me Beogradin dhe vasaliteti ndaj tij, jo vetëm që nuk u përjashtua, por ndodhi që në të gjitha fazat e mëtutjeshme të rrugëtimit të shtetit shqiptar, nga ato monarkike dhe ideologjike, Serbinë dhe Jugosllavinë e pati si referencë dhe mentor madje.
Ndaj, libri i Ikonomit, mund të duket paksa “ndryshe”, jo pse Toptanit ia heq hipotekën e “njeriut të Beogradit”, të kthyer në kredo politike “të shpëtimit të Shqipërisë”, që si fakt politik nuk do të lejohej assesi nga italianët dhe aleatët e tyre, të cilët objektivisht qëndrojnë pas atentatit në Paris, por pse atë e kthen në pararendës të politikanëve shqiptarë (nga Zogu e deri te Enver Hoxha), që nuk do të vonojë dhe praktikisht shtetin shqiptar e kthyen nën tutelën e Beogradit, me marrëveshje politike tejet të dëmshme për Shqipërinë dhe Shqiptarët, pa u anatemuar “për tradhtarë”!
Si i tillë, libri i Ikonomit, është i veçantë, i dobishëm politikisht dhe meriton vëmendje të madhe, ngaqë, formula e njohur e “esadizmit”, si “kod tradhtie”, në raportet me Beogradin, demistifikohet në “pragmatizëm politik” edhe në rrethanat kur politikës shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë Perëndimi ia përcakton sjelljet dhe kufijtë…

Nismëtar i alfabetit shqip, veprimtaria gjuhësore e arbëreshit Dhimitër Kamarda

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi me rastin e 203-vjetorit të lindjes, arbëreshin e shquar Dhimitër Kamarda.

Kamarda ishte filolog, folklorist dhe studiues i shqipes. Së bashku me Jeronim De Radën, arbëreshi Dhimitër Kamarda ishte ndër zërat më pompozë të lëvizjes kulturore arbëreshe në Itali gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, dhe një ndër mbështetësit e flaktë të idesë kombëtare. Vetë atdhetari Dhimitër Kamarda ishte gjuhëtar intelektual dhe botues i folklorit. Ai lindi në Horë të Arbëreshëve në Itali më 23 tetor 1821, afër Palermos, nga një krahinë që kishte lidhje të ngushta me Greqinë në lashtësi dhe kjo prejardhje ndikoi më pas edhe në studimet e tij.

Pasi mbaroi një kolegj në Romë, u vendos më Livorno më 1851 dhe aty bëri pjesë në një Rreth Filologjik. Vepra e tij kryesore është “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe” (1864), me një “Shtojcë” dy vite më vonë. Në këtë punim, që u vlerësua edhe nga gjuhëtarë të njohur të Italisë të asaj kohe, ai mbështeste mendimin, se shqipja bënte pjesë në “çiftin pellazgjik”, duke i dalë e afërt me greqishten. Kamarda është interesuar edhe për përkthimet biblike në arbërishten e Italisë dhe për këtë ka qëndruar në Londër te princi Lui-Lysien Bonaparti, nipi i Napoleonit,i cili kërkonte të paraqiste përkthimin e pjesëve biblike në 200 gjuhë të botës me rastin e Ekspozitës Botërore. Në nëntor 1878 i është drejtuar A. Tomsonit në Stamboll, që ta ndihmonte për shpërndarjen e librave të veta. Një nga punimet e para në fushën e filologjisë diakronike për shqipen u hartua nga filologu dhe folkloristi arbëresh Dhimitër Kamarda. Vëllimi i parë italisht doli në Livorno më 1864 me titullin “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese” dhe u pasua nga vëllimi i dytë “Appendice al Saggio di grammatologia comparata” më 1866.

Që nga fillimi i shekullit XIX shqipja filloi të njihej si pjesëtare e pavarur e familjes së gjuhëve indo-europiane. Gjuhëtari i njohur gjerman Franz Bopp-i e vërtetoi prejardhjen e saj indo-europiane më 1854, porse për një kohë të gjatë mbeti e hapur çështja, se me cilën apo me cilat gjuhë të kësaj familjeje ajo afrohej më shumë. Për shkak se një pjesë jo e vogël e lëndës folklorike ishte mbledhur prej studiuesve të huaj nga goja e arbëreshëve të Greqisë, ishte përftuar mendimi më i parë, se shqipja bënte pjesë në grupin helenik. Një ndër përkrahësit më të rëndësishëm të kësaj hipoteze ka qenë pikërisht Dh. Kamarda. Ai ka bërë edhe një paraqitje të kësaj hipoteze, duke kërkuar mbështetjen historike. Nga dija shkencore që në vitin 1774 me autoritetin e historianit suedez H. E. Thunmann-it ishte shprehur ideja për prejardhjen ilire të shqiptarëve mbi bazën e të dhënave të historisë. Kjo ide e frytshme u mor nga arbëreshi i Italisë Engjëll Mashi (Angelo Masci), i cili e shtjelloi në punimin “Ligjëratë mbi prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tashme të kombit shqiptar” (Discorso sull’origine, costumi e stato attuale della nazione albanese), Napoli, 1807. Mjaft prej propozimeve të tij për vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm të shqipes kanë qenë mjaft të afërta me zgjidhjen përfundimtare të çështjes më 1908.

Vëllimin e dytë (Shtojcën) e hartoi për të treguar pasurinë e shqipes, nivelin e lëvrimit të saj dhe mundësitë shprehëse të folklorit e të letërsisë shqipe. Në fund të këtij vëllimi gjendet një listë prej rreth 4000 fjalësh. Ishte fjalësi më i gjerë si numër i shqipes, i botuar deri në atë kohë. Gjurmimet rreth shqipes prej atëherë kanë ecur mjaft përpara. Për ta dëshmuar këtë do të kufizohem vetëm me pak shembuj prej punimit të tij. Në kreun për fonologjinë autori diskuton shkallët e zanoreve dhe ndërrimet e vetvetishme. Për të treguar fatin e tingullit a- në krye të fjalëve, ai merr si shembull fjalën anije dhe e ndan kështu: a-ni-a. Ne e dimë sot se rrënja e fjalës ka qenë “an” dhe nuk ka asnjë mundësi që të shkëputet prej saj një a-. Për Kamardën folja “dua” lidhet me sanskr. day dhe greq.äåùìáé, mirëpo etimologët sot japin një shpjegim krejt të ndryshëm: shq. dua, sanskr. jusate, gr.ãåõìáé.

Lidhur me formimin e fjalëve Kamarda i përfshin gjithë ndajshtesat në korrespondenca të veçanta grekoshqiptare. Ky është përgjithësisht një prej gabimeve të tij kryesore nga ana metodike. Te shembujt e tij gjejmë po ato manipulime me dorë të lirë ndaj lëndës gjuhësore. Te folja “arnoj” ai gjen prapashtesën –na-, mirëpo rrënja është arn- dhe jo ar-. Autori ynë gjen prapashtesën –m(ë) te fjala “helm”, por sërish asnjë prapashtesë nuk ka kjo fjalë. Dhe është pak e papritur që ai gjen po atë prapashtesë te fjalë “sermë”, e cila është një huazim prej turqishtes. Numërorët janë një pikë qendrore në diskutimet për marrëdhëniet ndërmjet gjuhëve indo-europiane. Po edhe këtu Kamarda, duke e renditur shqipen me latinishten e greqishten si gjuhë kentum, bën sërish një gabim të rëndë metodik. Ndonëse kjo ndarje e gjuhëve indo-europiane sot vështrohet ndryshe, shqipja është quajtur kryesisht gjuhë satem dhe i përket degës lindore. Dhimitër Kamarda u shua më 13 prill 1882 në Livorno./Gazeta Panorama

Urat e komunikimit mes kulturës çame dhe greke- Faik Konica dhe shformimet greke, si lindi vallja “Çamiko”- Nga ENVER KUSHI

Problemi i dhënies dhe marrjes mes kulturës çame dhe asaj greke në veçanti, por edhe asaj shqiptare e greke apo kulturave të popujve ballkanikë në përgjithësi, është pak e studiuar, por edhe kur është trajtuar, vihet re jo vetëm një subjektivizëm i skajshëm, apo edhe shovinizëm kulturor “alla ballkanik”. Do të mjaftonte të sjell në kujtesë studiuesit serbë, të cilët të paktën prej një shekulli, për të mos thënë më shumë, kanë shkruar qindra faqe duke derdhur shumë energji, për të “provuar” se “Eposi i Kreshnikëve” u përket popullit serb e se shqiptarët si “endacakë dhe ardhës të vonshëm në Ballkan”, e kanë marrë atë nga sllavët. Jo vetëm “Eposi i Kreshnikëve”, por edhe mitet gojëdhënat, legjendat, siç është ai i kalasë së Shkodrës janë të tyret. Ballkani ynë, ky truall befasues i kulturave nga më të çuditshmet, që ka rrezatuar përtej maleve të tij vlera të padiskutueshme në Europë, për fat të keq brenda vendit është shquar jo vetëm për sherrnaja e luftërave për territore në dëm të fqinjëve, si edhe për ca sherrnaja të tjera absurde, siç janë ato për kulturën.

Për fat të keq fjala “URË” në kuptimin e mirëfilltë si lidhje mes brigjeve dhe në kuptimin metaforik edhe si lidhje mes popujve e në fushën e kulturës si dhënie e marrje reciproke, është shpërdoruar keq në Ballkan. E megjithatë, popujt e Ballkanit përtej këtyre sherrnajave absurde, kanë ditur që në mijëra vjet fqinjësi të ndërtojnë dhe rindërtojnë ura komunikimi. Ata kanë pasur dhe kanë kodet e tyre të komunikimit dhe mirëkuptimit herë të qarta e të dukshme, herë- herë të mjegullta me simbole nga më të çuditshmet.

Ballkanasit edhe në kulmet e acareve nxitur nga politikat përçarëse, ideologjitë ekstremiste nacionaliste, stinët e shpeshta të përgjakshme që ka shoqëruar historinë e tyre, janë marrë vesh me ca kode që vetëm ata mund t’i kuptonin. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ballkanasit e sertë, por edhe të mençur, herëherë kapadainj dhe me ca gjeste teatrale në sjellje, gjaknxehtë si ata, por edhe mikpritës trima të çartur dhe herë- herë naivë si fëmijë, të habisin me urat e komunikimit kulturor. Një këngë, valle, melodi, veshje e bukur, fjalë e urtë, legjendë, befas natyrshëm kapërcente kufijtë e një fshati të humbur dhe qindra kilometra më në jug, veri, lindje, perëndim, por edhe më pranë bëhej, pjesë e kulturës shpirtërore të atij vendi. Udhëtarë anonimë që flinin nëpër hane, tregtarë, që me karvanët e tyre lëviznin lirshëm nëpër trojet ballkanike, barinj që veronin dhe dimëronin nëpër fushat e buta bregdetare apo alpe, rapsodë dhe grupe instrumentistësh ose këngëtarë të njohur, që ftoheshin nëpër dasma etj. ishin padyshim këmbë të forta “urash mes kulturave të Ballkanit…”

Kështu ka ndodhur edhe mes shqiptarëve dhe grekëve, që janë popujt më të lashtë të gadishullit, ku në historinë e hershme të tyre ka një substrat të përbashkët gjuhësor dhe kulturor. Kështu ka ndodhur veçanërisht mes shqiptarëve çamë të Thesprotisë dhe fqinjëve të tyre grekë. Këto dhënie dhe marrje në fushën e kulturës, sidomos asaj shpirtërore, kanë qenë normale dhe të natyrshme.

Çamëria është trualli ku pikafrimet dhe pikëtakimet mes kulturës shqiptare dhe asaj greke janë të prekshme dhe të dallueshme. Të gjendur pranë njëri-tjetrit gjeografikisht, por në disa fshatra dhe qytete çame edhe të përzierë, në fushën e kulturës shpirtërore, por edhe më gjerë, kanë dhënë dhe marrë mes tyre. Ka një të vërtetë të pamohueshme, se duke njohur dhe vlerësuar kulturat e njëri-tjetrit, çamët dhe grekët i kanë respektuar ato. Në këtë kuptim diversiteti kulturor në Çamëri dhe këtu fjalën e kam për kulturën shqiptare çame, që ishte homogjene, por edhe për kulturën e grekërve, vllehëve etj. ka qenë një nga pasuritë dhe vlerat e mëdha të saj. Ndasitë fetare nuk ishin pengesë sa kohë që ata respektonin njëri-tjetrin si besim dhe vlerë. Çamët merrnin pjesë jo vetëm në festat fetare të fqinjëve të tyre, por edhe në dasma dhe gëzime të tjera. Përveç sinorëve ndarës pra gjeografisë me vija të përcaktuara ose edhe jo ndarëse, në Ballkan, dhe veçmas në Çamëri, mund të flasim edhe për gjeografi shpirtërore. Kjo e fundit nuk figuron në asnjë traktat apo marrëveshje ndërkombëtare ose ndërshtetërore. Ka pasur, por ka edhe sot, studiues seriozë grekë, ndonëse shumë të pakët në numër, që kanë vlerësuar kulturën e çamëve, këngët dhe vallet e tyre, veshjet, mënyrën e jetesës dhe banesën në qytet dhe fshat. Bota çame, shpirti i patjetërsueshëm çam ka vulën e vet në kulturën origjinale dhe befasuese të krijuar dhe trashëguar nga brezi në brez. Trashëgimia kulturore në Çamëri në tërësinë e saj është unike dhe pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Do të gabonim në qoftë se këtë kulturë do ta veçonim nga ajo e së tërës, pra shqiptare, siç do të gabonim edhe nëse atë do ta quanim një ishull më vete të mbyllur e pa komunikuar me fqinjët e saj grekë. Kultura lëndore, e quajtur ndryshe materiale dhe ajo shpirtërore në Çamëri janë shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë. Ajo bart shtresëzime të hershme të formuara në epoka të ndryshme. Siç janë vënë në dukje nga studiues të ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (pellazgë) e pastaj ilirë dhe që u trashëguan në Mesjetën e Hershme. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studiuesve gjermanë në librin “Këngët e çamëve” (Berlin 1965) se “ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur, na tregon qartë se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare.”

KOSTUMI POPULLOR ÇAM, FAIK KONICA DHE SHFORMIMET GREKE

Në mungesë të botimeve shkencore nga Greqia fqinje për vlerat dhe marrëdhëniet e kulturës çame me atë greke, por në mungesë edhe të studimeve shqiptare në këtë fushë, do na duhej të zhvendoseshim në kohë dhe hapësirë, pra të riktheheshim dekada më parë, ndoshta edhe më shumë se një shekull, si dhe në trojet e Çamërisë për të analizuar jo mekanizmin e marrëdhënieve mes kulturës çame dhe asaj greke si shpirt dhe lëndë, por mekanizmin e përvetësimit të njëanshëm të kulturës çame prej grekëve, deri në grabitje dhe duke mohuar autorësinë e saj. Këtu jo popujt, por doktrinat nacionaliste greke kanë shembur njërën këmbë ose tërësisht “urën” e komunikimit kulturor.

Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, duke u marrë me këtë temë ka thënë: “Lufta për autorësinë e vlerave artistike zhvillohet prej kohësh në zonën ballkanike, ku ajo është veçanërisht e komplikuar, për shkak të marrëdhënieve kulturore të popujve të Ballkanit gjatë shekujve. Nënshtrati ndërballkanik, i krijuar si rrjedhim i këtyre marrëdhënieve, motivet e përbashkëta të epikës e të legjendës kanë qenë një terren tepër i përshtatshëm për incidente e shkelje kufijsh kulturorë, kacafytjet për përvetësimin e vlerave shpirtërore kanë qenë disa herë jo më pak të egra se kacafytjet e përgjakshme për kufijtë”.

Popujt e Ballkanit “duke i huazuar njëritjetrit motive, tinguj ngjyra dhe teknika poetike, asnjëherë nuk kanë menduar se këto dhënie e marrje të bukura e sublime do të shfrytëzoheshin prej shovinistëve për qëllime të ulëta e krejtësisht të huaja për artin”.

Do të duheshin studime serioze, mbështetur në argumente shkencore për të trajtuar jo vetëm marrëdhëniet mes kulturës çame e asaj greke, por veçanërisht huazimet reciproke. Gjithashtu, do të duheshin edhe fushat, ku grekët fillimisht kanë huazuar, por më pas i kanë shformuar dhe përvetësim kulturën shpirtërore dhe materiale të çamëve. Pikërisht në këto shformime e përvetësime ka vepruar tinëzisht politika e qarqeve ultranacionaliste greke, një mekanizëm djallëzor, duke përbaltur shpirtin sublim të dy popujve në dhëniet e marrjet e bukura në fushën e kulturës.

Do përpiqem të trajtoj përvetësimin dhe shformimin që grekët i kanë bërë kostumit dhe valles çame. Studiues seriozë, por jo vetëm ata, kanë vlerësuar kostumin popullor të çamëve. Poeti i madh anglez Bajron i mrekulluar nga ky kostum ka dhe një pikturë, ku ka pozuar i veshur me të. Udhëtarë të tjerë europianë, në librat e tyre kanë bërë të njëjtën gjë: kostumin çam e quajnë një nga vlerat e kësaj popullsie dhe asnjë prej tyre nuk vë në dyshim, se ai u përket shqiptarëve të Çamërisë.

Sipas citimit që bën studiuesi i mirënjohur Hajredin Isufi në librin “Çamëria studime historike – sociologjike shek XIII – XX” Çajrëll ka qenë në vitin 1880 mes çamëve në fshatin Mazërek dhe jep këtë përshkrim: “Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat dhe fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbërt e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell…”

Edhe konsulli francez në Janinë Pukëvil, që siç dihet nuk kishte ndonjë simpati për shqiptarët, nuk e fsheh entuziazmin dhe vlerësimin për kostumin e çamëve: “Udhëtari që do të shikojë ata çamë që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe nga rënia e mortajës, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur me ato qëndisma të bukura lara- lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir.” Edhe historiani grek Spiro Mela (sipas citimit që i bën Hajredin Isufi) shkruan për “çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze, këmisha të bardha të gjata, të qëndisur anash me ar.”

Kur është huazuar kostumi popullor i çamëve nga grekët? Është një pyetje, përgjigja e së cilës do të kërkonte hulumtime serioze.

Në qoftë se do t’i riktheheshim kontakteve, por edhe fqinjësisë mes çamëve e grekëve, dhënieve e marrjeve reciproke në fushën e kulturës, kur popujt tanë nuk vuanin nga komplekse dhe ishin normale që në gëzime, veçanërisht në dasma, të ftoheshin apo të merrnin pjesë në pazare, që organizoheshin në Prevezë, Paramithi etj. e që sot quhen panaire, duhet të ketë qenë i hershëm huazimi i kostumit çam. Jam i bindur se në këto periudha grekët fqinjë të çamëve admironin fustanellën palë- palë, jelekët e qëndisur dhe mëngoret që vareshin, festet e gjata me majë, këpucët me xhufka, levendërinë në të kërcyer të çamëve….

Faik Konica, një nga shkrimtarët dhe kulturologët e mëdhenj shqiptar, përmend shek. XIV, kur kostumi shqiptar “ka hyrë ndër grekët, kur shqiptarët nën Bua Shpatën sulmuan dhe nënshtruan Greqinë”. Po Faik Konica, duke u marrë me këtë problem, shkruan: “Shumë më vonë, nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, greku praktik e pa se ishte në të mirën e vet që ta pranonte veshjen shqiptare në disa rrethana dhe për disa arsye, që i kanë paraqitur disa autorë”.

Koloneli Lik në ditarin e udhëtimeve të tij nëpër More, më datën 28 mars 1805, shënon: “Veshja shqiptare po bëhet përditë e më e zakonshme si në More, edhe në pjesën tjetër të Greqisë…. Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke”. Ndërsa admirali Zhyrjen dë la Gravjerë shkruan: “Shqiptarët përbëjnë një racë të veçantë në Evropë…Veshja shqiptare u bë e modës dhe osmanët më fodullë e mbanin me krenari fustanellën e bardhë të shqiptarëve të jugut. Vetë grekët, kur djali i dytë i Aliut, Veli pasha, qeveriste Morenë, e morën këtë veshje si simbol të trimërisë dhe e bënë uniformën elegante të palikarëve. “Faik Konica, gjithashtu, duke ju referuar të huajve, citon edhe G. Finlay, i cili në librin “A history of Greece” ka shkruar: “Ka qenë fama e shqiptarëve që i ka detyruar grekët e sotëm të pranonin fustanellën shqiptare si kostumin e tyre kombëtar. Është pasojë e këtij adhurimi për shqiptarësinë, që oborri i mbretit Oto merr pamjen e vet melodramatike dhe shkëlqen me një imitim të shtirë e verbues të veshjes së ndritur e të pasur, që ka tërhequr vëmendjen e Çajld Haroldit në galeritë e pallatit të Tepelenës, por fustanella prej basmeje u varet rreth këmbëve grekëve si fund grash prej letre, ndërsa fustanella e bardhë e toskëve, e përbërë nga cohë e fortë e endur në vegjën vendëse, bie me pala të hijshme si cohët e lashtësisë”.

Nuk ka nevojë për shumë koment për të arritur në konkluzionin që siç shprehet Konica, “i ashtuquajturi kostum modern “grek” në të vërtetë është një imitim i poshtër i kostumit shqiptar” dhe se në shformimin grek të veshjes shqiptare ka një element të palaçove, që i bën shumë shqiptarë të qeshin, ndonëse të tjerët janë të pakënaqur e të zemëruar. Faik Konica është i pari që vë në dukje dallimet kryesore ndërmjet veshjes së mirëfilltë shqiptare dhe karikaturës greke. Xhaketa në veshjen shqiptare ka një të çarë të lirë te mëngët, për të lënë të kalojë krahu, ndërsa mëngët të qepura vetëm në pjesën e sipërme të supeve hidhen prapa. Ato edhe mund të përdoren, por përgjithësisht nuk u futen krahët. Ndërsa grekët, nënvizon Konica, gjithmonë i fusin duart dhe nuk e kanë vënë re ose nuk e kanë kuptuar këtë tipar, që nga koha e mbretërimit të mbretëreshës Elizabeta ka tërhequr vëmendjen e një poeti të madh anglez. Edmond Spenser flet për mëngët, që u vareshin si të shqiptarëve. Është me interes të nënvizojmë se në këtë shformim nuk ka shpëtuar as fustanella, që përbën elementin kryesor të kostumit çam. Sipas Konicës, në veshjen origjinale shqiptare, fustani ka një numër të vogël palësh, zakonisht gjashtëdhjetë. Veç kësaj ai bëhet me pëlhurë liri të rëndë, të endur në shtëpi dhe është mjaft i gjatë sa mbulon tërësisht kofshët dhe le të pambuluara vetëm pulpat. Burrat më të vjetër e mbajnë fundin tetë deri dhjetë centimetra nën gju. Sipas Likut, por edhe autorëve të tjerë, përshtypja e përgjithshme që krijon fustanella shqiptare është ajo e cohëve të lashtësisë. Si e kanë shformuar fustanellën shqiptare grekët? Ky shformim ka prekur jo vetëm gjatësinë, numrin e palëve, por edhe cohën. Ata “kanë shtuar palat e fustanit nga gjashtëdhjetë në rreth dyqind ose më shumë; në fillim ata kanë ruajtur gjatësinë e rregullt të fustanit, por meqë nuk ishin të zotët ta mbanin në vend rreth këmbëve, nisën ta shkurtonin gjithnjë e më shumë, derisa sot ka arritur një shkurtësi të pahijshme dhe ata përdornin një pëlhurë të lehtë pambuku. Në fakt, ata e kanë rrëgjuar fustanin në një fund të lirë baleti e në tërësi ai të jep përshtypjen e diçkaje të neveritshme, që nuk u shkon burrave.”

VALLJA ÇAME DHE “ÇAMIKO” E KËRCYER NGA GREKËT

Ndryshe ka ndodhur me vallen çame. Grekët deri më sot kanë njohur çamët si krijues dhe bartës të valles. Në të gjitha grupet folklorike jo vetëm të trevës së Çamërisë së sotme, por edhe ato greke apo ansamblet, programet televizive, shfaqjet kulturore brenda e jashtë Greqisë, ajo quhet vallja “Çamiko” ose thënë ndryshe “vallja e çamëve”. Unë kam pasur rastin në vitet ’70 e më vonë të shekullit që lamë pas, të shoh disa ansamble greke që kanë dhënë shfaqje në Tiranë, Durrës e gjetkë. Jam mrekulluar nga niveli i lartë dhe muzika moderne greke si dhe këngëtarët e mëdhenj Marinela Mariza Koh Janis Parios etj. Gjithashtu jam mrekulluar edhe nga traditat folklorike të krahinave të ndryshme të Greqisë fqinje. Emocione të veçanta kam ndjerë kur kam parë në skenë valltaret virtuozë grekë, që interpretonin vallen çamiko. Ato ishin djem të rinj shumë të talentuar, që e kërcenin me shpirt këtë valle.

E megjithatë, kur kam dalë nga këto shfaqje më janë kujtuar shumë valltarë çamë, që unë i kisha parë në dasmat çame. Atëherë isha i ri dhe në qytetin e vogël të Rrogozhinës, ku jetonte një numër jo i vogël çamësh kisha parë disa valltarë virtuozë. Nuk do të harroj kurrë Shaban Osmanin nga Salica. Ai ishte një burrë i gjatë shumë elegant, që atëherë më dukej një njeri kockalli. I thatë, me një fytyrë të mprehtë, kërcinj të gjatë me një mirësi të spikatur në tërë qenien e tij Shaban Osmani ishte një nga mjeshtrat e mëdhenj të valles çame. Mbaj mend se ai nuk dilte menjëherë në valle. Sheshi ishte bosh i rrethuar vetëm nga burra dhe orkestrën ulur në krye. I pari çohej në këmbë klarinetisti. Ai quhej Karaman dhe vinte nga Tirana. Karamani ishte i njohur që në Çamëri dhe thoshin se për të klarineta ishte e shenjtë…

Pas Karamanit ngriheshin në këmbë violinisti dhe ai që i binte defit. Karamani ja niste melodisë së valles. Asnjë nuk pipëtinte. Burrat ndërprisnin muhabetin dhe ata që pinin cigare i shuanin ato. Vështrimet e syve të trishtuar e plot mall të çamëve, ishin drejtuar nga Karamani. Atje kam parë pleq që vinin duart në dy anët e kokës e disa të tjerë që shihnin herë sheshin bosh e herë- herë qiellin. Ndoshta nga qielli prisnin të vinte vallja çame. Sepse vallja çame kishte shumë nga qielli, siç kishte shumë edhe nga toka… Kalonin kështu një, dy minuta… Karamani ulte e ngrinte klarinetën. Dukej sikur thërriste shpirtërat e valles çame ose më saktë shpirtin e valles çame… Dhe ai vinte në minutën e tretë, krejt befasisht, sikur kishte rënë nga qielli ose dalë nga thellësia e tokës. Nuk ishte Shaban Osmani që njihja unë, dhe që e takoja thuajse çdo ditë. Ishte Shaban Osmani i valles çame, që ulej e ngrihej me një lehtësi të habitshme nga toka, shtrihej për t’u ngritur prap në ajër… Shaban Osmani ishte edhe ëndërr edhe qiell, edhe ditë, edhe natë, edhe lot edhe gëzim. Shaban Osmani ishte triumfi i njeriut çam krenaria dhe levendëria e Çamërisë, sakrifica sublime, tallaz dhe dehje në beteja…

Kur kam lexuar librin e Aristidh Kolës “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, valltarët e talentuar të ansableve greke që i kisha parë duke kërcyer vallen çamiko m’u dukën si hije të zbehta dhe vallja jonë e bukur tërësisht e shformuar prej tyre. Atëherë m’u kujtua Shaban Osmani nga Salica e Çamërisë, mjeshtëria dhe virtuoziteti i kërcimit të tij. Aristidh Kola, ashtu si Faik Konica më parë, që publikisht denoncoi përvetësimin dhe shformimin e kostumit shqiptar çam, në librin e tij ka argumentuar nga njëra anë madhështinë e papërsëritshme të valles çame dhe nga ana tjetër shtrembërimin dhe deformimin e saj nga grekët. Studiuesi i mirënjohur arvanitas qartësisht jep thelbin e valles çame, si një valle që pasqyron shpirtin shqiptar… Ajo, sipas Aristidh Kolës, ka levenderi, krenari, bukuri në lëvizje, të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike. Por gjithashtu nuk është as luftarake, as e ndjenjës. Vallja çame është valle triumfale. Diçka që më bën të dyshoj nëse mund të ketë të dytë në botë, nënvizon Kola. Vallja çame përmbledh me lëvizjet bukurinë, levenderinë, burrërinë dhe krenarinë e kërcimtarit të parë. Sepse duhet theksuar këtu se vallen çame nuk e kërcejnë të gjithë por vetëm kërcimtari i parë. I dyti “e mban mirë” dhe është me të vërtetë e vështirë të “mbash drejt” dhe mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet, ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas, duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj, që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij.

Ç’ka ndodhur me vallen e famshme çame në Greqi? A është ruajtur origjinaliteti i saj në kërcim? Përveç emrit “Çamiko” që grekët çuditërisht nuk e kanë ndryshuar, të tjerat janë të shformuara. Valltarët e rinj e të talentuar grekë përveç lëvizjeve prej atletësh dhe figurave që krijojnë gjatë kërcimit të kësaj valleje, nuk japin asgjë më tepër se kaq. Ky nuk është faji i tyre, por i koreografëve. ‘Çamikos’’ greke i mungon kryesorja: shpirti shqiptar çam dhe bukuria, levendëria, burrëria, dhe krenaria, që karakterizon popullsinë çame. Studiuesi Aristidh Kola me të drejtë konkludon: “Ata njerëz që kanë marrë në duar vallen çame që prej disa kohësh, me sa duket qartësisht as arbëreshë nuk janë dhe as idenë s’ia kanë se ç’lloj valleje është vallja çame dhe nga cili popull është krijuar. Kështu na paraqesin një lloj valleje çame që po jua them haptazi, kur e shohin arvanitasit nisin e qeshin. E quajnë “Shkollore’’, sepse mësuesit që dërgoheshin nëpër fshatrat arbëreshe pa ditur gjë prej gjëje rreth saj, përpiqeshin t’ua mësonin vallen çame popullit që e krijoi atë, duke e bërë kështu imitimin mjaft qesharak”. Ndryshe ndodh me vallet çame të kërcyera edhe sot nga çamët e krishterë, apo vllehët, ose grekët, kur popullsia myslimane e krahinës së Çamërisë nuk është më atje, e shpërngulur dhunshëm në vitet 1944-45, nga bandat zerviste. Kur I shoh këto valle më duket se atje është shpirti i vërtetë i valles, shpirti i vërtetë i Çamërisë. Gjej rastin t’i përshëndes vëllezërit e mi të krishterë në Çamëri, që vazhdojnë të ruajnë të patjetërsueshme karakterin e kësaj valleje të mrekullueshme.

URAT E REJA TË SHPIRTIT BALLKANIK

Shumë vite më parë, kur shekulli që lamë pas po rrokullisej drejt fundit të tij, pata fatin të marr pjesë në një festival ballkanik që organizohej në Ankara. Ishte maj dhe nuk do të harroj kurrë qiellin e Ankarasë, erërat e ngrohta, tingëllimin poetik të gjuhës turke, por veçanërisht atmosferën e krijuar në kryeqytetin e Turqisë nga shfaqjet e grupeve folklorike, ardhur nga gjithë vendet e Ballkanit. Ndryshe nga acaret, makthet, sherrnajat e pafund, luftërat e përgjakshme që kishin ndodhur në Ballkanin tonë gjatë shekullit që po rrokullisej ankthshëm e me përtim, në Ankara, gadishulli tragjik nëpërmjet melodive, këngëve, valleve, larmisë së kostumeve, sillte shumë nga shpirti i tij. Ndihej, siç shkruan shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare “nënshtrati ndërballkanik” si dhe motivet e përbashkëta. Urat e komunikimit që risillnin popujt e Ballkanit në këtë festival ishin të lashta sa vetë ata, solide dhe ndryshe nga baladat e tyre, që prisheshin natën për t’u rindërtuar ditën… Ishte maji i vitit 1991. Shqipëria ime përpiqej të largonte përgjithmonë mantelin e përgjakur komunist, ndërsa Ballkani në veri të tij, ishte në prag të gjakderdhjes së tij të fundit… Kanë kaluar gati 20 vite që nga festivali Ballkanik i Ankarasë dhe gadishulli ynë mitik ndodhet në proceset e evropianizimit ose thënë ndryshe, po punon për të ringritur urat e komunikimit të shumanshëm. Në Jug të tij, shqiptarët dhe grekët popujt më të moçëm të Ballkanit, gjithashtu janë në këtë proces rindërtimi urash, pavarësisht fantazmave të fundit që ringrihen nga varret e ideologjive përçarëse. Çamët e shpërngulur me dhunë nga bandat kriminele greke të Napolon Zervës në vitet 1944- 1945, kërkojnë të rivendosin ura komunikimi shpirtëror me vëllezëri e tyre të një gjaku, çamët e krishterë, vllehët dhe grekët, që jetojnë në Çamërinë e sotme. Jo vetëm kaq. Ata janë për ura komunikimi edhe me grekët, sepse çamët e grekët, pavarësisht nga e kaluara e tyre e hidhur, kanë ditur që në fushën e kulturës të marrin dhe japin me njëri- tjetrin.

Çamëria ime mitike kërkon rikthimin në trojet e saj të shpirtit çam: baladave, këngëve, kostumeve popullore, valleve, rikthimin e miqësive të vjetra jo vetëm me vëllezërit e saj të krishterë, por edhe me grekët, vllehët etj. Ballkani ka nevojë për ura të reja komunikimi mes kulturave të tij nga më befasueset jo vetëm të gadishullit, por edhe në rrafshin europian./Gazeta Panorama

Prejardhja Ilire- “Omla”, hidronim pellazgilir-shqiptar në Kroaci- Nga FILIP GURAZIU

Ndërsa po vizitojsha qytetin mesjetar të Raguzës (Dubrovnik)- Kroaci në vjetin 2006, shoqnuesja kroate me pyeti: E dini ju se si quhet lumi prej të cilit furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Dubrovnikut? Iu përgjigja menjiherë që nuk e dijsha dhe ajo vazhdoi; lumi quhet Omla, asht fjalë iliroshqiptare të cilën e keni në përdorim edhe sot në gjuhën tuej!

Mbas pak si për konfirmim të deklaratës së saj më pyeti përsëri:

– Po si quhet në gjuhën shqipe fjala “dolce”? (komunikojshim në italisht).

Këtë radhë përgjigja ime qe e shpejtë: amel, omel, ëmbël!

Lumi Omla pozicionohet në veri të qytetit të Dubrovnikut, zonë ku historikisht pat qenë banue prej ilirve, çka përligj origjinën ilire të emnit Omla. Nga ana tjetër hidronimi “Omla” i lumit që furnizon me ujë të pijshëm Dubrovnikun merr kuptim të plotë në gjuhën shqipe bashkëkohore sepse tregon se uji asht i omel, amel (jo i krypun). Kujtojmë se në fjalorin e përditëshëm shqip, simbas rastit, përdoren edhe shprehje: “e amla, e omla” për muzikën etj., çka ndërlidhë direkt hidronimin “omla” me shqipen e sotme.

Episodi i masipërm pat shoqnue mendimin tim dhe se si, nji ditë me intuitë bana lidhjen e fjalëve “amel, omel, ëmbël” me fjalën “tamel”. Në gjuhën shqipe ndërlidhja në mes tyne pasqyrohet jo vetem prej shkrimit, por edhe prej kuptimit, por si spjegohen etimologjikisht këto fjalë?

Për origjinën dhe kuptimin e fjalës “tamel”, studiuesi i mirënjohun Aleksandër Hasanas shkruen (Wikipedia shqip) se fjala “ tamel” ka origjinë pellazgjike:

“Duke lexuar enciklopedinë greke mbi kuptimin e emrit “Amalthea” gjejmë: Amalthea = “èåÜ ôïõ äéáãùíéóìïý” – “Hyjnesha e konkurrencës”. Amalthea është e përfaqësuar shpesh si = “Dhi” që ushqen me “gji” fëminë e perëndisë në një shpellë të Kretës në malin “Aegaion” – “Goat Mountain”. Ndonjëherë si një Dhi, ndonjiherë si nimfë me prindër të pasigurt (e bija e Oceanus, Haemonius, Olenos, ose sipas Lactantius, e Melisseus. Sot të gjithë e dinë mire se “Amalthea” ishte Dhia (ÄE) e malit (ose, Nimfa ) mëma e perëndisë “Zeus” e cila ushqeu atë me qumështin e saj në një shpellë të malit Ida (AÄe, A’Äi – AÄi – Ata=mëmë-Dhia) kur ai ishte i vogël fëmi. Pra ky mal ruan emërtimin e “Dhisë” si Amë, mëm/Dhia e Zeusit. Në fakt, historianë grek dhe studiues të tjerë europiane në përpjekje për t’i rrëshqitur të vërtetës, por pamundur t’i largohen asaj kanë pranuar se “Amalthea” do të thotë; “Qumësht- ushqyese” (a’mel/go) ose thënë më shqip duke iu referuar fjalës së pastër po shqipe; “gji” dhe emërtimit të “Qumshtit” në dialektin Geg kemi; mjel, t’mjel, të tamëlin, Am’el, të Ambël, – Mel (Mjaltë) pra Amel/thea = t’amël Dhie – qumësht Dhie, duke anashkaluar fjalën shqipe të pastër “DHI” Janë fjalët e pastëra shqipe “AMEL, T’AMEL, mel, mjel, i ambël, (qumësht) të cilat gjenden të huazuara prej gjuhës shqipe në gjuhën, angleze, latine, greke etj.

“Prej arsyetimit ma sipër del se fjala “t’amel”, që na jep me kuptue ‘langun ushqyes të gjiut’, lidhet edhe me konceptin e ‘amelsisë’ dhe të energjisë që përmban mjalta. Në krahasim me ujin “tamli i gjiut” asht i “amel”, pra karakteristika kryesore e mjaltës – “amëlsia” kaloi te “langu ushqyes i gjiut: “tamli” dhe në vazhdim përgjithësohet për cilësimin e shijes së “amel” të elementeve në mjedisin rrethues. Kujtojmë se vetëm shqiptarët përdorin ende sot në fjalorin e tyne fjalën mija vjeçare pellazgjike – protoindoeuropiane “amel”, kurse në gjuhët e tjera europiane kjo nuk konstatohet, megjithëse fillimi i rrugëtimit të evolucionit gjuhësor për konceptin e “amëlsisë” duhet të ketë qenë afërsisht e njajtë (shija e mjaltës) për të tanë popujt europianë; në italisht fjala “amel” emnohet “dolce”, në greqisht – glykós, në anglisht – sëeet, në kroatisht – slatko, në turqisht – tatli, në gjermanisht – süss, në rusisht – milaja etj. Këto fjalë; omla, amel, omel, ëmbël dhe tamel” – pellazgjike – proto indo europiane, që falë thesarit gjuhësor të gegnishtes, vetëm gjuha shqipe i ka sot në përdorim, provojnë qartë autoktoninë në thellësinë e shekujve të shqiptarëve.

Gegnishtja që na sot e flasim dhe e shkruejmë, falë shpirtit konservator të shqiptarëve të cilët pranuen vetëizolimin në shkrepat e maleve si mënyrë jetese për mosasimilimin e tyne, gjatë rreth 2200 vjetëve pushtim e rrethim, na mundëson sot dëshmi të rralla të vlerave kulturore iliro – arbnore, në shërbim edhe të pasunimit të kulturës së përbashkët europiane./Gazeta Panorama

NASA: Dielli ka arritur ciklin maksimal të nxehtësisë

Agjencia amerikane e hapësirës NASA deklaroi se dielli ka arritur ciklin maksimal të nxehtësisë, që mund të vazhdojë edhe për një vit, duke ofruar mundësi për të dalluar aurora borealis në muajt e ardhshëm.

Studiuesit e NASA-s shpjeguan se maksimumi aktual diellor, i cili filloi rreth dy vjet më parë, mund të zgjasë edhe më shumë, por konfirmimi përfundimtar do të varet nga analiza e mëtejshme e të dhënave të mbledhura deri më tani.

”Kjo fazë zakonisht zgjat rreth tre deri në katër vjet”, thanë shkencëtarët.

Aktiviteti diellor ndjek një cikël 11-vjeçar, duke u luhatur midis periudhave të qetësisë dhe aktivitetit intensiv.

Gjatë një maksimumi diellor, ndezjet e rritura diellore dhe nxjerrjet e masës koronale (CME) çojnë në një valë stuhish gjeomagnetike, që shpesh rezultojnë në shfaqje spektakolare të aurora borealis ose dritat veriore.

“Ky njoftim nuk do të thotë se ky është kulmi i aktivitetit diellor që do të shohim këtë cikël”, thekson Elsayed Talaat, drejtor i operacioneve të motit hapësinor në Administratën Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA).

“Ndërsa dielli ka arritur periudhën e tij maksimale, muaji në të cilin aktiviteti diellor arrin kulmin në diell nuk do të identifikohet për muaj apo vite”, shtoi ai.

Ditët e fundit, aurorat e kuqe dhe jeshile të ndezura ishin të dukshme në rajone të ndryshme, duke përfshirë Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe madje edhe në jug, deri në rajonin e Mesdheut.bw

Martin Camaj-figurë e shquar e albanologjisë dhe e letërsisë shqiptare- Nga Akademik Emeritus Gjovalin Shkurtaj

Në këtë tubim shkencor e ditunor të rëndësishëm, duke falënderuar organizatorët dhe dr.Mujë Buçpapajn, ish-studentin tim, që më ftoi të jem edhe unë sot midis jush, po ritheksoj disa prej vlerësimeve meritore që i kam shprehur edhe më parë, në shkrimet e mia dhe në kumtesën time “Martin Camaj-figurë e shquar e albanologjisë dhe e letërsisë shqiptare”në konferencën shkencore të Universiteti të Shkodrës, po edhe në artikuj e pjesë të librave të mi. të dialektologjisë dhe të etnografisë së të folurit.

Të pranishmit e nderuar në këtë tubim, po edhe masa e gjerë e studjuesve dhe e shkollarëve shqiptarë e më gjerë, Martin Camajn e përkujtojmë me nderim e vlerësime të larta meritore për atë çfarë bëri e la mbi dhe (e për këtë dheun tonë të vuajtur e të pleksur me mall e lot), pavarësisht se qe i shtrënguar të rronte për pjesën më të madhe të jetës në Itali e në Gjermani dhe, as mbas viteve ’90, ndonëse liria tashmë kishte ardhur, ai nuk e pa kurrëmë Shqipërinë dhe do t’i mbyllte sytë larg Temalit të vet, në Gjermaninë e madhe, ku të tilla (të mëdha e të të vyera) qenë edhe bëmat e ndihmesat që kreu ai si studiues e si profesor në Universitetin e Mynihut. Diku në poezinë e tij, Camaj thotë në mënyrë metaforike se ndërsa kishte lindur në një vend të varfër e ku, kur vdiste dikush, bëheshin drekë të mëdha “me ngi të unshmit e thneglat e lamit”, ai u nda së gjallësh “në një vend të ngimë”, në Gjermaninë e pasur, ku në drekët mortore japin “vetëm kafe të hidhëta”.

Martin Camajn e përkujtojmë sot si studjues dhe si poet e shkrimtar të përmasave të mëdha, si profesor të disa universiteteve me emër të madh, si Universiteti i Romës “La sapienza”, ku ai qe edhe “krahu i djathtë” i Ernset Koliqit në Institutin e Albanologjisë e bashkë me të cilin drejtoi edhe revistën e mirënjohur “Shejzat” (Le Pleiadi); në Mynih e gjetiu në universitete gjermane, ku themeloi qendrën albanologjike dhe katedrën e shqipes e përgatiti atje një çetë studjuesish, ish-studentë të tij, sot albanologë të mirënjohur si Walter Breu, Armin Hetzer, Elvira Glaser, Gabirele Birken -Silverman etj., të cilët kanë hulumtuar me kujdes e zell në lëmin e filologjisë e të albanistikës arbëreshe e shqiptare, duke ecur me nderim e mirënjohje në hullitë e mjeshtrit e mësuesit të tyre, prof. Martin Camajt.

Martin Camaj jetoi e punoi kryesisht në dhe të huaj, sepse vetëm vitet e fëminisë e të rinisë i kaloi në vendlindjen e tij, në Shqipëri, porse ai kudo që u gjend diti të mbahej fuqishëm në rrënjët shqiptare dhe pohoi aq fisnikërisht, kudo e kurdoherë, se i përkiste një visi të vogël, por të shtrenjtë për të : malësisë shqiptare, Dukagjinit malor e Shkodrës sonë, të dalluar ndër shekuj për bijtë e saj të mëdhenj që ka nxjerrë e që e kanë nderuar dhe e nderojnë në botën e jashtme.Lindi në Temal dhe mësimet e para i mori në Kolegjin Saverian të Shkodrës, në atë qendër të shquar të kulturës shqiptare,prej nga kishin dalë edhe më parë breza veprimtarësh e atdhetarësh, që i dolën zot shqiptarisë. “Camaj – siç e ka theksuar me të drejtë studiuesi arbëresh F.Altimari, – ishte eksponenti i fundit i asaj tradite të lashtë e të lavdishme kulturore shkodrane”.

Në vitin 1946, kur u mbyllën Kolegji Saverian dhe të gjitha shkollat fetare në Shqipëri, Martini u detyrua t’i ndërpriste studimet dhe më 1949 la atdheun, u arratis në Jugosllavi, ku menjëherë u regjistrua në Universitetin e Beogradit.Atje studioi sllavistikë dhe u njoh me poezinë popullore ballkanike. Pikërisht në atë kohë shhkroi edhe vjershat e para dhe nisi t’i botjë ato në Prishtinë .Më 1950 doli përmbledhja e tij e parë me vjersha, e cila do të kishte ndikim të mirë në formimin e brezit të parë të shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë. Më 1956 Martin Camaj shkon në Itali dhe regjistrohet në Universitetin e Romës “La sapienza” në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë, ku, më 1960, mbron tezën e laurës me një temë rreth “Mesharit” të Gjon Buzukut. Në vitet që studioi në Romë ai ndoqi ligjeratat e Giuseppe Ungaretit dhe ra në kontakt me hermetizimin, rrymë letrare që pati një farë ndikimi në krijimtarinë letrare të mëpastajme të Martinit. Gjithashtu, asokohe, u njoh me kulturën dhe me letërsinë e arbëreshëve të Italisë e me disa nga përfaqësuesit e tyre në zë, si Antonio Guxeta (Guzzetta), Françesko Solano, Xhuzepe Gradilone etj. me të cilët lidhi miqësi dhe bashkëpunoi ngusht e për kohë të gjatë. Në Romë Martini jetoi dhe veproi për një kohë të gjatë, bashkëpunoi me shkrimtarin e njohur Ernest Koliqi dhe me revistën e tij “Shejzat”, duke u bërë, më vonë, edhe kryeredaktor i saj. Për disa vjet në Romë Camaj punoi si ligjërues (lektor) i gjuhës shqipe në katedrën që drejtonte Koliqi dhe nisi, kështu, karrierën e tij të shklëqyeshme letrare si poet e si romancier, po edhe u bë i njohur si studiues i problemeve letrare dhe i dialekteve të shqipes, sidomos të arbëreshevë et Italisë. Në vitin 1965 Camaj u transferua në Gjermani, ku do të vazhdonte edhe më me fryt karrierën e tij akademike në fushën e albanologjisë, duke u emëruar, në fillim, docent e më 1971 profesor titullar i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Mynihut.

Në Gjermani, Camaj gjeti një mjedis të përshtatshëm për studime dhe ku, qysh para se të mbërrinte ai atje, kishte pasur edhe një kah të mbarë studimesh të dialektologëve gjermanë me theks e prirje të veçanta ndaj të folmeve të diaspoirës arbëreshe të Italisë. Mund të përmendim se, në vargun e romanistëve, për interesimin që tregoi për të folmet arbëreshe të Italisë, vend të veçantë zë gjuhëtari gjerman Gerhard Rolfs (Rohlfs) (1892-1986). Fusha e përhershme e studimeve të tij, siç dihet, kanë qenë gjuhët romane, por ai, në këtë kuadër, kur studioi dialektet dhe onomastikën e Italisë Jugore, u ndesh edhe me mjediset aloglote të arbëreshëve dhe jo vetëm nuk u kaloi anash, por u dha vend të mirë në veprat e tija. Përmendim se, Rolfsi, si anketues dhe realizues i pikave të Italisë Jugore dhe të Sicilisë për “Atlasin gjuhësor dhe etnografik të Italisë dhe të Zvicrës Jugore” (që u botua midis viteve 1928 dhe 1940 nga Jakob Judi e Karl Jabergu), midis tetëdhjetë pikave të anketuara futi edhe një ngulim arbëresh e pikërisht Firmozën (Acquaformosa) që figuron në hartat e AIS me numrin 751.

Mbi të dhënat e mbledhura nga Rolfsi në Firmozë, një tjetër dialektolog gjerman, Rypresht Ror (Ruprecht Rohr) përpunoi një studim doktorati me titullin Firmoza, një ngulim arbëresh në Veri të Kalabrisë, Pika 751 në AIS (Acquaformosa eine albanische Kolonie in Nord Kalabrien, Der Punkt 751 auf dem Sprach- und Sachatlas Italiens und Sudschweiz), që e mbrojti më 1954-n në Universitetin e Lirë të Berlinit. Më pas, Rori e zgjeroi edhe më tej kërkimin e tij rreth së folmes arbëreshe të Firmozës, duke u përqendruar më fort në sistemin morfologjik të saj, po edhe në një varg dukurish të tjera të sintaksës e të leksikut. Ai jep, gjithashtu, shqyrtime interesante e të hapëta me karakter sociolinguistik dhe historiko-kulturor, si dhe përsiatje rreth arbërishtes si gjuhë në kontakt e nën ndikimin e italishtes.

Fryt i kësaj vëmendjeje të posaçme që Rori u jepte të folmeve arbëreshe në Italinë e Jugut e në Sicili ka qenë edhe vijimi i kërkimeve në ato mjedise nga prof.Martin Camaj dhe nga nxënës të Rohrit e të tij, si Gabriele Birken-Silverman, e cila me shumë përkushtim po merret me studimin e dialektologjik e sociolinguistik të së folmes arbëreshe të Piana deli Albanezit e të Kuntisës. Gjithashtu, këto vitet e fundit, me shumë interes po kërkojnë nëpër të folmet arbëreshe të Italisë disa studiues të rinj gjermanë, ish- nxënës të Martin Camajt, si Valter Broi (Breu) dhe Elvira Glaser.

Martin Camaj për të folmet arbëreshe të Italisë

Në kuadrin e ndihmesave dhe punës për njohjen, studimin dhe vlerësimin e të folmeve arbëreshe të Italisë nga ana e studiuesve gjermanë, meritë të veçantë ka edhe Martin Camaj (1925-1992), i cili nuk qe gjerman, por jetoi dhe punoi për shumë vjet në Gjermani dhe ku, prej vitit 1965 deri në vitin 1990 drejtoi katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Universitetin e Mynhenit. Martin Camaj, një nga albanologët më të shquar të fundshekullit tonë, para se të shkonte në Gjermani si profesor e titullar i katedrës, kishte marrë një formim të gjerë filologjik e gjuhësor në Universitetin e Romës, në fillim si nxënës e pastaj si asistent i Ernest Koliqit pranë katedrës së gjuhës e të letërsisë shqipe. I përket pikërisht asaj periudhe “romane” të tij njohja e parë me mjediset dhe të folmet e diasporës arbëreshe të Italisë. Pasi u transferua në Mynhen, për rreth tridhjetë vjet, Camaj pjesën kryesore të kërkimeve të tija ua kushtoi pikërisht gjuhës, folklorit dhe letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Kështu, që nga fillimi i viteve ’60 deri në fund të viteve ’80, ai kreu një hetim sistematik rreth të folmeve të ndryshme arbëreshe dhe arriti të përshkruante tipin më përfaqësimtar të zonave të ndryshme dialektore, sidomos të atyre më anësore (periferike) dhe më të ekspozuara ndaj ndikimit asimilues të italishtes. Këto studime dialektologjike të Camajt, të mbështetura në metodologjinë gjuhësore strukturale sipas modelit të gjuhësisë funksionale të A. Martinesë etj. përbënin një ndryshim rrënjësor në kërkimet dialektologjike në trevat arbëreshe e përgjithësisht në dialektologjinë shqiptare. Mund të përmendim këtu studimin për të folmen e Greçit “La parlata albanese di Greci” (1971), që është monografia e parë e plotë e një të folmeje arbëreshedhe që u ndoq pastaj me një numër përshkrimesh të tjera dialektologjike. Ai ka botuar, gjithashtu, një numër të madh artikujsh e ndihmesash rreth dukurive të veçanta të të folmeve arbëreshe të Italisë, si p. sh. rreth dygjuhësisë italo-arbëreshe, rreth tipologjisë së arbërishtes, mbi disa mbeturi të së folmes arbëreshe të Villa Badesës, si dhe rreth plurilinguizmit ndër arbëreshët e Amerikës.

Prof. Martin Camaj e mbajti postin shefit të katedës së shqipes në Universitetin e Mynihut për njëzet vjet radhazi, deri më 1990-91, kur doli në pension. Rasti e kërkon të theksojmë se, për hir të veprimtarisë së tij të zhvilluar në atë qendër, si dhe nga emri i mirë e reputacioni i gjerë që kishte Martin Camaj në Gjermani, u arrit që në Universitetin e Mynihut albanologjia të bëhej një “Fachstudium” dhe është i vetmi universitet i Evropës Perëndimore që lëshon tituj pasuniversitarë “Magister-artium” dhe “Doctor philosophie”. Ky, sigurisht, është nder i madh dhe krenari për kombin e popullin shqiptar, nga gjiri i të cilit kanë dalë pinjoj të tillë të shquar. Mjerisht, ai nderoi Shqipërinë dhe shqiptarët me veprat që u blatoi e me një jetë të tërë vepruese e të përkushtuar ndaj gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare, kurse atij, sa qe gjallë, në Shqipëri studiuesve dhe shkollarëve nuk iu lejohej as t’ia lexonin veprat, as t’ia përmendnin emrin në radhën e shkrimtarëve dhe studiuesve.Pa dyshim, një qëndrim i tillë ka qenë dhe mbetet një njollë e zezë e një turp për historinë e Shqipërisë, në faqe e zezë që urojmë të mos përsëritet kurrëmë me asnjë krijues a studiues, po edhe që duhet rikuperuar me aq sa është e mundshme në kohën tonë. Kurrë nuk është vonë për t’ua vënë në vend nderin që u takon bijve më të shquar të kombit shqiptar. Pa dyshim, një prej atyre bijve të shquar është edhe prof. Martin Camaj, poet, shkrimtar, dramaturg dhe albanolog i dallaur shqiptar, që punoi e jetoi kryesisht në dhe të huaj, porse ai, me zemrën e tij të pavdirë, qe kurdoherë në Shqipëri e në çdo vis të saj.

Ky bir i maleve tona, i gjatë e i pashëm si pak të tjerë, qe edhe i pajisur me zell për studim e talent për shkrimtari dhe, mbi të gjitha, me vullnetin e shpirtin e papërkulshëm e me zemër liridashëse, kishte një personalitet vetanak ku takohen dy përmasat njerëzore për të cilat fliste shpesh studjuesi i madh rumun Mirçea Eliade: “dimensionin diellor, që synon në njohjen shkencore, dhe dimensionin hënor, që synon krijimin artistik”. Është fakt që, shkenca dhe letërsia, apo sipas përfytyrimit eladian: dielli e hëna, shkrihen në zotimin intelektual të kësaj figure të shquar të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili gjakoi në një impenjim të drejtuar në mënyrë konvergjente mbi hulumtimin e një kulture mijëravjeçare, që për shumë shekuj kishte rrojtur vetëm si traditë gojore, e pashkruar dhe që Camaj i qaset, nga një anë, me kërkimet e tij gjuhësore mbi tekstet e vjetra të shqipes e mbi të folmet arkaike të diasporës arbëreshe dhe, nga ana tjetër, me shfrimin e ndjeshmërisë së tij moderne në krijimtarinë letrare si poet e prozator. Pra, në saje të dy palë dhuntive: shkencore e letrare, Martin Camaj do të lëvronte në drejtime të ndryshme, por me një bosht e taban të përbashkët mbarëshqiptar: në albanologji e në fushën e letërsisë dhe, për të dyja fushat, jep vepra të mëdha e që për hir të tyre ai u njoh dhe mbeti si figurë e shquar në botën e qytetëruar evropiane ku jetoi dhe qe, për shumë kohë, si një dëshmitar e pohues i vlerave dhe i historisë së popullit shqiptar, pavarësisht se (për një paradoks që ndodhi vetëm nën diktaturën komuniste të kohës) emri dhe veprat e tij konsideroheshin krejt të ndaluara në Shqipëri deri në periudhën e shndërrimeve demokratike. Kjo gjë, sigurisht, e hidhëronte dhe e brengoste krijuesin e shquar, por nuk e ligshtonte e nuk rreshti për asnjë çast nga puna e tij e palodhur për t’ia bërë të njohur botës së qytetëruar të mirat dhe virtytet e Shqipërisë së lashtë. Ai shkruan për vlerat e pavdira të kulturës së popullit shqiptar, që ishte mbërthyer në “rrathë gjaku” nga pushtuesit e huaj në të kaluarën e nga diktatura e kuqe në gjysmën e dytë të shek.XX,por që, prapëseprapë, ishte popull vital e që meritonte tjetër të ardhme, tjetër hapësirë kulturore, tjetër hapësirë jetike.

Kështu, autori ynë merr pjesë në të tashmen historike të kombit shqiptar, por tashmë edhe në një përmasë të kohës më komplekse në të cilën kujtimi i së shkuarës dhe projeksioni i së ardhmes shkrihen në një ideim të vetëm dhe vërtetë original, siç e gjejmë në vjershat dhe sidomos në romanet e tij “Rrathët”, “Karpa’, “Diella” etj.

Gjatë gjithë viteve të karrierës së tij akademike, si docent e profesor i gjuhës shqipe në universitete të ndryshme të Evropës, si dhe me veprën e tij letrare, Martin Camaj ka përfaqësuar një pikë referimi të sigurtë për të gjithë studiuesit e huaj që merren me albanologji dhe për intelektualët e diasporës.

Martin Camaj nuk la trashëgimtarë, as djalë as vajzë, porse ai na ka lënë veprën e tij në shumë vëllime: në poezi, në prozë dhe studimet shkencore rreth gjuhës e dialekteve arbëreshe e më gjerë, një përmendore e artë dhe vertet e shndritshme, për hir të së cilës, emri dhe lavdia e tij do të jenë përherë të gjalla në zemrat e mendjet e breznive të sotme e të atyre që do të vijnë.

U lumtë organizatorëve që na mblodhën sot për ta përkujtuar e për të shprehur vlerësimet meritore për këtë burrë të madh të letrave shqipe, që jetoi e punoi në dhe të huaj, në Itali e në Gjermani,por që jo vetëm nuk u shpërshqiptarizua, por, përkundrazi, aty ku rrojti ai krijoi një “shtëpi të vetën”, një shtëpi shkencore, një qendër, katedër e më vonë edhe institute të studimeve shqiptare; ai, për ta thënë malësorçe ”si çmoskush tjetër”, me sa shkroi e ligjëroi ndër vite, mendjen e zemrën i pati te Shqipëria e te shqiptarët, ashtu si e tha edhe në fjalët e tij të mbrame: “Unë jam i jueji e ju jeni të mitë”.

Me tubimin e sotëm, me sa thamë këtu, po edhe me sa kemi shprehur edhe më parë vlerësimet e nderimin që i takojnë një burri të shquar si Ai, qoftë edhe me vonesë, ia kemi shpluhuruar sadopak përmendoren e artë që i takon në lëmin e albanologjisë dhe të letërissë shqiptare. Po e mbyll, duke parafrazuar pikërisht atë thënien e tij të bukur: Martin Camaj ishte dhe mbetet i yni, se edhe ne, qoftë edhe kur nuk e kemi munduar as t’ia përmendnim emrin, kemi qenë gjithmonë të tijtë.

Tiranë, 10 tetor 2024


Send this to a friend