Me këtë foto, e cila përmban nje diçiturë të gjyqeve komuniste, me një ndryshim se, At Anton Harapi O.F.M., ndryshe nga unë, të paktën ishte i thirrur në gjyq, po bashkëngjis shkeljet që janë bërë në Federatën Vatra sipas opinionit tim, në dy muajt e fundit, që nga Kuvendi i Vatrës i datës 26 Shkurt.
Janë 36 shkelje të cilat u quajtën “36 shpifje” dhe evidentimi i tyre nga unë u quajt si ‘sjellje e pahijshme”. Në fund të listës është edhe propozimi për zgjidhjen e tyre:
1- Anëtarësisë së Vatrës nuk ju shpërnda varianti përfundimtar i Kanunores së re i paraqitur për votim në Kuvendin e 26 Shkurtit. Çdo anëtar ligjërisht duhet që të njihet me ndryshimet e propozuara.
2- Delegatët dhe kryetarët e degëve e morën variantin përfundimtar të Kanunores së re vetëm një ditë para Kuvendit, kohë kjo e pamjaftueshme për një studim të mirëfillltë të saj. Disa delegatë deklaruan në Kuvend se nuk e kishin marrë një dokument të tillë.
3- Ne Kuvend u pranuan delegatët e degëve të krijuara në mes dy kuvendeve dhe delegatët e degëve që nuk kishin paguar kuotat e anëtarësisë, vendime këto në kundërshtim me kanunoren e vitit 1926, sipas së cilës u mbajt ky kuvend.
4- Nga koha e mbajtjes së Kuvendit, u hoqën rreth 75 minuta, këto jashtë programit të Kuvendit, për të marrë pjesë në një protestë. Delegatët duhet të kishin vazhduar punën e tyre. Kjo është një nga arsyet që Kuvendi nuk i përfundoi punimet sipas Kanunores.
5- Ndryshimet në Kanunore u bënë në fund të Kuvendit dhe iu kushtuan vetëm 20-30 minuta, një kohë relativisht e shkurtër për shqyrtim dhe diskutim për një Kanunore që hartuesit punuan 8 vjet për ta përfunduar.
6- Nuk u krye i plotë votimi nen-për-nen i Kanunores. U diskutuan dhe u votuan vetëm 5-6 nene sipas përzgjedhjes së prezantuesit të Kanunores.
7- Sekretarja e Vatrës gënjeu kur deklaroi në Kuvend se kishte marrë pjesë dhe kishte mbajtur procesvervalin e një mbledhjeje për emërimin e Kryeredaktorit të Diellit. Egzistojnë fakte konkrete se kjo mbledhje nuk është mbajtur kurrë.
8- Kryeredaktori i Diellit u akuzua nga një Vatran se kishte shpifur ndaj themeluesit të Vatrës dhe Diellit, Faik Konica, që sipas tij, ai ka qenë homoseksual ose siç ishte shprehur: “Kot ankoheni për Elton Ilirjanin, edhe Konica ka qenë pederast”. Kryeredaktori i Diellit nuk e ka mohuar të kete thënë.
9- Një delegatit, nuk ju njoh dhe ju tjetërsua vota e tij (kundër) për nenin 35 për mandatin 4-vjeçar të Kryetarit të Vatrës, megjithëse ky delegat ishte çertifikuar dhe mandatuar nga Kryeria e Kuvendit për këtë votë.
10- Në përfundim të Kuvendit, nuk u krye plotësimi i Këshillit të Vatrës sipas prorogativës së nenit 26 të Kanunores së miratuar.
11- Delegatëve të Kuvendit ju hoq e drejta dhe detyra për të zgjedhur anëtarët plotësues të Këshillit sipas nenit 26 të Kanunores.
12- Në përfundim të Kuvendit, Kryetari i zgjedhur nuk parashtroi buxhetin dhe platformën për miratim nga Kuvendi, sic e parashikon neni 27.
13- Emërimi dhe shpallja e Kryesisë së Vatrës është bërë në kundërshtim me nenin 35 të Kanunores, sipas të cilit Kryesia formohet nga Kryetari i zgjedhur në konsultë me Këshillin e Vatrës. Më parë duhej të plotësohej Këshilli, mandej Kryesia.
14- Plotësimi i Këshillit të Vatrës u krye nga Kryetari i Vatrës, kjo në Kundërshtim me nenin 26 të Kanunores që përcakton Kuvendin për një akt të tillë.
15- Vatranëve ju hoq e drejta për të kandiduar për anëtarë të Këshillit apo kryetar të Këshillit. Të paktën një kandidaturë zyrtare dhe me program u paraqit, por ju hoq e drejta e kandidimit.
16- Vatranëve ju hoq e drejta e votës së lirë, si në rastin e zgjedhjes së Këshillit të Vatrës, po ashtu e drejta e anëtarëve të Këshillit për të votuar dhe zgjedhur kryetarin e Këshillit.
17- Kryetari i Këshillit nuk u zgjodh nga anëtarët e Këshillit të Vatrës sic e parashikon neni 30 i Kanunores, por u emërua nga Kryetari i Vatrës.
18- Në mbledhjen e parë të Keshillit, nuk u shqyrtuan vërejtjet dhe ankesat e delegatëve të paraqitura zyrtarisht.
19- Në mbledhjen e parë të Keshillit nuk u paraqit procesverbali përfundimtar për diskutim sikas Kanunores, neni 27.
20- Në mbledhjen e parë të Këshillit, nuk u firmos procesverbali përfundimtar dhe nuk ju dha fund diskutimeve në lidhje me Kuvendin sipar nenit 27 të Kanunores.
21- Mbas Kuvendit është tentuar të manipulohet procesverbali i Kuvendit, nga persona jo kompetentë. Kryetari i Kuvendit deklaroi se ka refuzuar që të firmosë procesverbalin përfundimtar për arsye se Kryetari nuk i mori 2/3 e votave për mandatin e tij 4-vjeçar. Po ashtu ai deklaroi se Kuvendi nuk i përfundoi punimet sipas rregullores, duke përfshirë edhe plotësimin e Këshillit, për arsye kohe.
22- Në mbledhjen e parë të Kryesisë dhe më pas, nuk u fut në rendin e ditës dhe nuk u shqyrtua kërkesa zyrtare e një grupi prej rreth 20 vatranësh për një seancë shtesë të Kuvendit të datës 26 Shkurt.
23- Arkëtari i Vatrës, pa pasur asnjë rol apo tagër, publikoi në Facebook një raport të detajuar sipas tij, të numrit të votave të delegatëvë të Kuvëndit për mandatin 4-vjeçar të kryetarit të Vatrës, duke kompromentuar të dhënat dhe procesverbalin e Kryesisë së Kuvendit.
24- Arkëtari i Vatrës ka deklaruar se nuk është nevoja për një procesverbal përfundimtar, mbasi egzistojnë disa shënime të një vatraneje që zëvëndësoi përkohësisht sekretarin e Kuvendit. Ky deklarim bie ne kundershtim me nenin 27 të Kanunores. Kjo vatrane nuk ka asistuar gjatë çertifikimit të mandateve apo votimit të neneve të Kanunores. Për më tepër, ajo ka deklaruar se gjatë kohës që ka asistuar kryesinë e Kuvendit, ajo “ka mbajtur kokën ulur dhe nuk ka parë gjë, por ka shkruar çfarë ka dëgjuar”. Sipas kanunores, vetëm Kryetari dhe sekretari i mandatuar nga Kuvendi, janë përgjegjes për mbajtjen dhe nënshkrimin e procesverbalit përfundimtar.
25- Një rezolutë në lidhje me gjendjen në Shqipëri, që u lexua dhe u miratua nga Kuvendi i Vatrës, si organi më i lartë vendim marrës, u censurua nga Kryetari i Vatrës dhe nuk u publikua kurrë për publikun në faqen Zyrtare të Gazetës Dielli.
26- Editori dhe menaxheri i gazetës Dielli, kanë censuruar shkrimet informuese apo intervista të vatranëve, dhe ka publikuar shkrime denigruese, pa etikë gazetareske dhe që kanë ndikuar në përçarjen e vatranëve, kjo në kundërshtim me nenin 72 të Kanunores.
27- Disa Vatranëve ju është hequr e drejta e reagimit apo komentimit në faqen zyrtare të Diellit në Facebook, kjo në kundërshtim më nenin 72 të Kanunores.
28- Një vatran është kërcënuar me vrasje nga nënkryetari i Federatës Vatra, ngjarje e raportuar në polici. Kryetari i Vatrës nuk ka mbajtur asnjë qëndrim distancimi. Si pasojë, disa vatranë të njohur dhe me kontribute, të shokuar janë dorëhequr nga Vatra.
29- Nënkryetari i Vatrës, ka kryer akte që bien ndesh me nenin 62 të Kanunores mbi detyrat e nënkryetarit të Vatrës, duke lobuar, iniciuar dhe drejtuar një mbledhje fiasco të kryesisë së kësaj dege, për përjashtimin me motive personale të një anëtari të Vatrës.
30- Një anëtar i kryesisë së degës së Vatrës Michigan është shpallur i përjashtuar në mënyrë misterioze nga “dega” në një faqe në Facebook, kur vatrani ishte bllokuar që më parë nga kjo faqe, nuk është njoftuar për këtë mbledhje, nuk i janë bërë të njohura akuzat për “sjellje të pahijshme” apo ‘36 faqe shpifje” dhe nuk ka marrë kurrë ndonjë kopje të këtij vendimi. Procedura e kësaj mbledhjeje ka qenë në kundërshtim më Kanunoren, mbasi nuk pati kuorum e nevojshëm ku morën pjesë persona që nuk kanë qënë kurrë anëtarë të kryesisë së Degës dhe anëtarët e kryesisë së degës kanë qënë kundër këtij përjashtimi.
31- Kryetari shpalli në emër të Vatrës një kandidaturë për postin e Presidentit të Shqipërisë, duke deklaruar publikisht se kishte marrë mendimin unanim të të gjtha degëve dhe anëtarësisë së Vatrës, ndërsa disa degë apo anëtarë të këshillit të Vatrës kanë deklaruar se Kryetari i Vatrës as nuk i ka pyetur fare për këtë kandidaturë.
32- Po ashtu Kryetari i Vatrës nuk ka thënë të vërtetën kur ka deklaruar se për kandidaturën e Presidentit të Shqipërisë, ka pëlqimin e 20 degëve të Vatrës, në një kohë që egzistojnë vetëm 16 degë të rregjistruara.
33- Edhe mbas një viti të procesit gjygjësor të dy grupeve të Vatrës, akoma vatranët nuk janë njohur me përmbajtjen e vendimit të Gjykatës Federale, në mënyrë që të njihen me të drejtat dhe detyrat e të dyja palëve.
34- Të paktën një anëtari të grupit “5 Tetori”, i është mohuar e drejta e anëtarësisë në Vatër, megjithëse ka të dokumentuar pagesën e anëtarësisë, dokumentin e anëtarësisë në këtë grup dhe vendimin e gjykatës që i bën anëtarët e Komisionit “5 Tetori” anëtarë të Vatrës.
35- Dy muaj mbas Kuvendit, nuk është publikuar ende, as në formë elektronike, Kanunorja e e re e miratuar nga Kuvendi. Anëtarësia dhe strukturat nuk janë njohur me këto ndryshime të Kanunores. Kanunorja eshte një akt ligjor që përmban të drejtat dhe detyrat e anëtarëve dhe është detyrim ligjor i Kryesisë së Vatrës që të bëjnë të mundur të njihet dhe njoftohet secili anëtar që aderon në Vatër.
36- Kryetari i Vatrës nuk ka iniciuar apo mbajtur nën kontroll komunikimin elektronik në mes strukturave apo më gjerë, detyrë e parashikuar në nenin 36 të Kanunores, duke mos ju përgjigjur ankesave të vatranëve me as edhe një email të vetme.
Këto 36 shkelje në dy muaj mund të etiketohen si “36 faqe shpifje” apo “sjedhje të pahijshme (që gramatikisht shkruhet sjellje)”, por që këto shkelje janë evidentuar dhe paraqitur me shkrim apo publikisht në kohë të ndryshme. Kryetari i Vatrës, dukshëm defiçit në përmbushjen e misonit të tij si drejtues i Vatrës dhe garant i Kanunores, nuk ka bërë asnjë reagim zbutës dhe ligjor në lidhje me këto shkelje, duke e nxitur edhe më shume debatin në mes vatranëve, debat i cili mund të degradojë ne kaos të Vatrës.
Zgjidhja:
• Meqenëse Kryetari i Vatrës nuk po merr asnjë iniciativë për zgjidhjen e këtyre problemeve, në emër të një grupi vatranësh do të iniciojmë dhe organizojmë një mbledhje informale të mbyllur në shtëpinë tonë të Vatrës, ku ftohen Kryetari, anëtarët e Kryesisë, të Këshillit dhe anëtarë të thjeshtë, për të diskutuar paqësisht si vëllezër, dhe për t’i dhënë zgjidhje aq sa të mundim paqartësive në Vatër, këto duke verifikuar edhe pamjet e regjistruara vizive të Kuvendit që posedon Kryesia e Vatrës.
• Caktimi i një seance shtesë të Kuvendit të Vatrës të 26 Shkurtit 2022, ku mund të përfundojë plotësimi i strukturave të Vatrës sipas Kanunores dhe të zgjidhen me votë të gjitha mosmarrëveshjet, për një fillim të ri dhe të suksesshëm të Vatrës.
Valentin Lumaj, anëtar i Vatrës.
Michigan më 3 Maj 2022
Komentet