Vend konservativ? Borgjez? I mërzitshëm? Si qendër bankare, ku jetohet me standardet më të larta, Zürichu në postime virtuale përshkruhet shpeshherë me fjalë jo fort të mira në gjuhën angleze – fjalë që nisin me shkronjën B dhe që e fusin në listën B të qyteteve të botës. Por prapëseprapë, metropoli më i madh i Zvicrës ia ka dalë të mbetet çerdhe kreative – ishte vendi ku lindi dadaizmi (lëvizje letrare dhe artistike), ku dikur ishte rezidenca e James Joyce dhe vendi ku u ndërtua godina e fundit e dizajnuar prej Le Corbuiser para se të vdiste – dhe edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet qendër inovative. Po zgjerohet edhe skena e restoranteve të reja të njohura me gastronominë e tyre me «rock ‘n’ roll», ndërsa jeta e natës gërshetohet prej bareve me kokteje eksperimentale deri te klubet e muzikës elektro që e kallin atmosferën deri në katër të mëngjesit. Me lloj-lloj dyqanesh, prej pazareve të ndryshme deri te butikët luksozë të «Bahnhofstrasse» apo dizajnerët e njohur të kohës dhe me dyqane të periudhave të ndryshme në zonat industriale në zgjerim, Zürichu duket se ia vlen të vlerësohet me një fjalë pozitive me B (Buzzing): gumëzhimë.
E premte:
Shkojmë te dada (dadaizmi), 16:00
Një kryengritje, pak a shumë, kundër gjithçkaje – arsyes, rendit, bindjes, gjuhës, shijes së mirë – lëvizja globale absurdiste e njohur si dada (dadaizëm) nisi para 100 vjetësh në Zürich, prej fëmijës jashtëmartesor e shejtan të Hugo Ballit, Tristan Tzara, Jean Arpit dhe sojit të intelektualëve e artistëve të tjerë të kohës. Për të shënuar këtë përvjetor, Kunsthaus Zürich, muzeu i shkëlqyer i artit modern në qytet, ka organizuar ekspozita të shumta dhe ngjarje të veçanta. «Dadaglobe Reconstructed» (prej 1 majit) mbledh karikatura, fotomontazhe, kolazhe, poema dhe tregime nga artistët anembanë Europës, përfshirë Max Ernstin dhe Andre Bretonin, dhe «Francis Picabia: A Retrospective» (prej 3 qershorit deri më 25 shtator) shfaq veprat e dikurshme abstrakte dhe me humor të zi të piktorit dhe shkrimtarit francez. Sallat e përhershme kushtuar skulptorit zviceran, Alberto Giacometti, që gjithashtu sivjet do të jetë në retrospektivë, janë diçka që nuk duhet të lëshohen pa u vizituar. Hyrja është vetëm 25 franga.
Lindja e një nocioni, 18:30
«Shpërthimet e budallallëkut»: ky ishte përshkrimi i Tristan Tzaras për performancat, leximet dhe ngjarjet e tjera të papërshkrueshme e nganjëherë të pashpirt në «Cabaret Voltaire», kafene-klubin ku thuhet se lindi dadaizmi më 1916. Për të shënuar këtë njëqindvjetor, kafeneja do të organizojë sivjet 166 ngjarje e ekspozita. Edhe salla kryesore me mure të ashpra është pjesë e rëndësishme për të rrufitur një makiato (për gjashtë franga e gjysmë) në mesin e bohemëve me stilin e tyre të lerosur. Libraria mund t’ju përndritë mendjen me një kopje të «Dada Handbook» (për 25 franga) ose të frymëzojë mendimet tuaja kreative me një shishe vermut (për 65 franga).
Muzikë shpirti, 20:00
Mjeshtëria avangarde pushton kuzhinën në «Maison Manesse», vend i vogël e miqësor, ku menyja është emërtuar sipas këngëve të Joy Division (për ata që e shijojnë mishin) dhe të Brigitte Bardot (për vegjetarianët). Lista e ushqimeve me mish e Fabian Spiquelit mund të përbëhet, qysh ka ndodhur së fundi, me copëza të mishit të rosës së kriposur dhe kokrrave «camu camu» (kokrra shkurre amazoniane me shumë antioksidantë), pire me shije alkoolike dhe lakra të kuqe të fërguara sipas traditës brukseliane, ose vezë të sjella prej shpezëve fushore e malore, a kërpurdha të shërbyera në gjethe lakre savojane. Nuk duhet lënë pa shijuar as xhemin, që të bën t’i lëpish gishtat. E gjithë kjo meny nuk kushton më shumë se 150 franga. Duhet të rezervoni.
Jeta e natës, 23:00
Dita juaj e parë në botën artistike në Zürich ju çon në qejfin që ofron «Xenix Bar». Hapësira, si ambiente kabinash të bardha, hedh shikimin kah «Helvetiaplatz» – shesh i gjerë ku të shtunën në mëngjes njerëzit shkojnë e vijnë në pazarin javor përplot – dhe është i lidhur me një kinema, «Kino Xenix», që shfaq filma ndërkombëtarë jashtë rrymës kryesore, klasikë të harruar, filmat më të mirë të periudhave të ndryshme dhe dokumentarë të jashtëzakonshëm. Para dhe ndërmjet periudhave të emetimit të filmave ju mund të provoni syzet që i bëri të njohura John Lennon, xhaketa të periudhave të ndryshme, ose edhe të shihni syzet e Paul Iagerit, që janë bartur brez pas brez dhe të pini verë zvicerane (pinot noir) para, pas dhe mes shfaqjes së filmave.
E shtunë:
Shtëpia dhe zyra, 11:00
E shtuna është për pazar. Nëse po mobiloni një zyrë si në epokën e depresionit të madh – ose po qe se doni që ndonjë shtëpi të duket si në atë kohë – për këtë punë është «Walter». Me lokacion në «Geroldstrasse», një studio me alamet fotografi, galeri arti dhe klube nate, ky dyqan i periudhës së largët koleksionon gjithçka prej makinave të shkrimit «Hermes» deri të drynat «Tolix», apo kabinetet e punës me orendi metalike. Nëse po merreni me ulëse, atëherë mësyniani rrugës që çon në «Bogen 33». Dizajnerët ikonikë europianë të mesit të shekullit të kaluar, si Arne Jacobsen, Mies van der Rohe dhe Eere Saarimen, i gjeni nëpërmjet veprave të tyre të shpërndara gjithandej magazinës së madhe nëntokësore – në formën e karriges – bashkë me shumë orendi të tjera.
Qejfi zviceran, 13:00
Dashurinë e madhe të Zvicrës për prodhimet e çokollatës e djathit e shihni më së miri në «Markthalle», pazar i mbyllur ushqimi në shpella, harqe të gurta të një ure hekurudhe të quajtur «Viadukt». Mund të mendoni për menynë e drekës me prodhime të ndryshme – në banak sushi, prodhues djathërash, prodhues çokollatash, shitës vere, apo dyqan pitesh – ose të uleni në restorantin neoindustrial «Reastaurant Markthalle». Me ndryshime të përditshme, menyja përmban ushqime të ndryshme për klientelën e shekullit 21. Mund të porositni salsiçe prodhuar në kuzhinën e restorantit me salca skare (për 19 franga), mish rose (për 33 franga), ose mish derri me gjalpë (për 24 franga).
Shtegu i dyqaneve, 15:00
A u frymëzuat prej gjithë atij ushqimi? «Kitschener Plus», një prej butikëve modernë që janë hapur poshtë hekurudhës, është koncept-dyqan përkushtuar (kryesisht) artit të kulinarisë. Stoku i tyre mund t’ju ndihmojë të kultivoni perime (me fara me bollëk), shërbeni kafe (në filxhana të mëdhenj smalti) ose të zhvoshni perime deti. Artet vizuale në «Westflügel» në afërsi, galeria e vogël në kajde librarie ku shihni vëllime artistike dhe eksopzita fotografish.
Panorama zvicerane, 17:00
Kalojeni pasditen nëpër Liqenin e Zurichut në një barkë të ZSG-së, që ofron shëtitje nga «Bürkliplatz» në ruta të ndryshme nëpër vende me pamje mbresëlënëse. (Një monitor pranë makinave automatike të biletave ju njofton për oraret ditore.)
Shumë udhëtime, përfshirë opsionin e rregullt «të shkurtë» prej 90 minutash, ju çojnë drejt pjesës jugore nëpër lagje bukolike. Nëpër mjellma dhe pulëbardha, qielli i Zürichut me maja ndërtesash të bukura nis t’ia lëshojë ngadalë anën kodrave me dru halore dhe bashkësive të këndshme si fshatra me shtëpi të drunjta. Yjet e vërtetë janë alpet në largësi me majat me borë. Bileta për të rritur është 8.60 franga.
Darka e shijshme, 21:00
A përsëri kjo Brigite Bardot? Po, në të vërtetë kësaj herë në formën e fotografisë, në listën e verës së shijshme në «Josef», restorant i ri me shpirt «rock ‘n’ rolli». Yves Saint Laurent, Nick Cave dhe Robert De Niro hijeshojnë muret e sallës së zhurmshme e me qirinj, dhe pjatat e vogla vijnë prej kuzhinës. Me zgjuarsi janë zgjedhur këto pjata inventive për të shërbyer mishin e viçit. Aromatizuesit italiano-mesdhetarë i japin shije të mirë djathit të dhisë të mbështjellë në copëza kungulli të njomë me copëza të holla domate dhe ullinj. Ëmbëlsira përfshin çokollatë me salcë karameli me copëza akullore jasemini dhe mente nga Lindja e Mesme. Menyja nis prej 38 deri në 75 franga për person. Rezervoni.
Qejfi i natës, 23:30
Ju mund të udhëtoni botën me pije alkoolike falë përbërësve në «Hotel Rivington & Sons», bar i stilit të viteve 1920 në katin përdhesë të rrokaqiellit «Prime Tower». Midis pasqyrave dhe paneleve të «Art Decos», banakierët me kollare të çojnë sa çel e mbyll sytë në Meksikë me «Tres Amigos» (tekilla, mezcal, shurup agave, Kina-Kina, thartues; për 20 franga), deri në Lindje të Largët me Shurupin e kollës (uiski japonez, sherbele, shurup livandoje; për 18 franga) dhe pastaj në varrin tuaj me «Kubin e vdekjes» (thekër, uiski amerikan, konjak, falernum, Kinë-Kinë, thartues; për 20 franga). Në parajsë lëshohuni me ashensor, që ju lë në «Clouds». Këtu mund të shërbeheni me një mori xhini. Dërgojani vetes një «Kartolinë nga Zürichu» (xhin, vermut, thartues; për 23 franga), dhe pastaj çojeni veten në shtrat.
E dielë:
Zhveshur vaktin e mëngjesit, 11:00
Pastrimi kërkon vuajtje. Vuajtja ju kushton 29 franga. 29 franga ju hapin derën e «Seebad Enge», resort afër liqenit, saunat e të cilit ju nxjerrin të gjitha të këqijat e trupit dhe helmet e fundjavës që i keni futur me qejf brenda. Edhe pamja ta pushon shpirtin. Derisa ju qëndroni shtrirë i zhveshur – të gjithë rrinë zhveshur, edhe pse nuk kërkohet zyrtarisht – në dërrasa pishe, ju shkriheni me panoramën e liqenit përtej xhamave, dhe sytë ju pushojnë me malet e largëta me majat me borë përtej paneleve të xhamta. Menjëherë, bëjeni një dush të ftohtë (ose zhytuni në liqen) dhe bëni qejf në sallën relaksuese me pamje mahnitëse. Dilni në barin jashtë ose rrini në kafene brenda. Një lëng pemësh (katër franga) ose një çaj jasemini (katër franga) ju ndihmon të çlodheni. Ose shkoni kërkoni një gotë prosecco (për 14.5 franga) dhe përsëri mbusheni me helme.
Qëndrimi
Hapur vjet në këndin historik të Zürichut, «Marktgasse Hotel» ka 39 dhoma me stil elegant, dhe të ajrosura me një kafene të ndritshme e të gjallë; një restorant jo fort të ekspozuar kah drita; librarinë; dhe hamamin. Vetëm për 274 franga.
Në njëfarë largësie prej klubeve dhe pabeve të «Langstrasse» së gjallë, «Pension für Dich» (Stauffacherstrasse 141) është kafene e njohur dhe vend koncertesh me një pansion me 19 dhoma. Shumica e dhomave kanë dysheme parketi, orendi të vjetra e tapeta me motive gjallërie. Për vetëm 125 franga./dialogplus.ch
(«New York Times»)
Komentet