Në këtë raport të Drejtorisë së Punëve të Brendshme informatat e mbledhura nga bashkëpunëtorët e Sigurimit zbulonin një përplasje mes Fatos Arapit dhe Ismail Kadaresë. Sipas tyre Fatos Arapi kishte botuar një novelë me titullin “Dikush më buzëqeshte”, ku përflitej se aty me një personazh negativ autori kishte portretizuar Kadarenë. Prej këtu nis një intrigë e gjatë thashethemesh e raportimesh, ku sipas raportit të Sigurimit një klan shkrimtarësh e kritikësh ishin shfaqur hapur në luftë kundër shkrimtarit Ismail Kadare.Si një dokument me përmbajtje mjaft delikate, siç janë shumica e dokumentëve që dilnin nga zyrat e Sigurimit të Shtetit, sot mund të ngjallë edhe reagime të vetkuptueshme. Por publikimi i tij mund të vlejë si dëshmi e fortë për shkallën e paprecentë të survejimit të jetës së shkrimtarëve dhe artistëve në vite te regjimit, duke depërtuar në çdo bisedë, a mendim të shfaqur, qoftë edhe mes dy miqve kokë më kokë. Mund të vlejë si matës i helmimit të ndërgjegjes së njerëzve, tek të cilët përmes levave të tij, regjimi ia dilte të nxiste konflikte, smirë, ego të sëmurë dhe klane të forta, e si rrjedhojë kushte perfekte për t’i mbajtur ata nën frerë e në shërbim të ideologjisë komuniste.
Pjesa e dytë e dokumentit, fokusohet më shumë në “shprehje e shfaqje mendimesh me karakter armiqësor”, ku sipas informatorwve tw Sigurimit, pikëpamje këtilla kishin shfaqur Fatos Arapi, Viktor Qurku, Sulejman Mato, Pandeli Koçi, Bujar Kapexhiu, Llambi Blido, Janaq Paço etj…Në raport theksohet se disa nga shkrimtarët, poetët, piktorët, etj., si Faik Ballanca, Pandeli Koçi, Sulejman Mata etj., studionin shumë literaturë kosovare dekadente, të cilat i qarkullonin te njëri-tjetri. Lupës së vëzhguesve të Sigurimit nuk u shpëtonin as piktorët. “Një burim thekson se “Bujar Kapexhiu, Llambi Blido etj., janë të dhënë mbas izmave në pikturë. Ata marrin libra e revista të huaja me përmbajtje dekadente. Dhe kjo literaturë ka ndikuar në veprat e tyre, mbasi disa herë, p.sh., Llambit nuk i janë pranuar punimet për shkak të përmbajtjes dhe të ngjyrave. Bujari është i dhënë shumë mbas kubizmit në ilustrimet, në karikaturat dhe skenat e estradës, disa nga të cilat i ripunon…”
Në ansambël informatorët e Sigurimit thonin se kishte pakënaqësi ndaj Milto Vakos.Ja çshkruhet në raport për atmosferën ën ansambël: “Lefta Mulliri është revoltuar dhe ka shprehur mendimin për t’u larguar nga Ansambli mbasi nuk punohet me Milto Vakon, sepse është intrigant dhe të punon njëmijë të këqija … Në dhjetor (1971) burimit i kanë vajtur Basim Zekthi, Lefta Mulliri dhe Mediha Lubonja dhe i kanë dalë me propozim të largohen nga Ansambli, mbasi po bëhet i padurueshëm qëndrimi këtu”.
Më poshtë sjellim pjesën e dytë të dokumentit.
– Siç u theksua edhe më lart, diskutimet, konsideratat dhe vlerësimet e bëra mbi baza të sëmura, në disa shkrimtarë e artistë, kanë sjellë për rrjedhim krijimin e disa ambienteve që kanë për prirje nga njëra anë, mbështetjen dhe mbrojtjen e shoku-shokut dhe, nga ana tjetër, kundërvënien njëri-tjetrit në forma të ndryshme qosheve dhe në intimitet. Disa vjet më parë, në prag të Kongresit II të Shkrimtarëve e Artistëve, këta kishin tendencën e ndarjes në “të rinj” e në “të vjetër”, të cilët i kundërviheshin njëri-tjetrit. Mirëpo, me gjithë luftën e bërë në mënyrë të vazhdueshme nga Partia, përsëri ekzistojnë ambiente të tilla.Tani flitet se shkrimtarët e artistët ndahen në breza: “brezi i vjetër”, “brezi i mesëm”, “brezi i ri”; nga disa të therë del se ambientet janë në bazë të tendencave të tyre etj. Duke qenë të tillë ata i kundërvihen njëri-tjetrit. Kështu, sipas burimeve, del se më përpara Ali Abdihoxha, Jakov Xoxe, Filip Ndocaj etj., kanë qenë për novatorizmin e përfaqësuar nga ana e tyre, kurse këto vitet e fundit, meqenëse e shikojnë se Ismaili, Dritëroi etj., janë afirmuar dhe kanë sukses, kanë hyrë në konflikt me ta duke përdorur si bazë edhe formën e të shkruarit – të gjatë apo të shkurtër. Aliu e të tjerë, romanet e këtyre i konsiderojnë reportazhe; bile ndonjë ka mendimin se ato kanë rënë nën ndikimet e huaja moderniste.Shkrimtarët e “brezit të mesëm” vazhdojnë të thonë se të vjetrit si Llazar Siliqi, Ali Abdihoxha etj., janë konservatorë. Bile kanë thënë edhe për shkrimtarin Dhimitër Shuteriqi se më përpara ka qenë i tillë, kurse më vonë është bërë ekuilibrist dhe ndjek opinionin. Të rinjtë si Sulejman Mato, Viktor Qurku etj., kërkojnë të dalin në arenë dhe meqenëse nga niveli janë më të ulët se Ismaili e Dritëroi, i mohojnë ata si të zotë. Viktori thotë se Dritëroi është si gjithë të tjerët. Ai p.sh., për poezinë “Krevati i perandorit” të Dritëroit është shprehur se nuk është poezi serioze dhe nuk është për t’u ngritur aq lart, ashtu siç veprohet.- Por, përveç këtyre diskutimeve e bisedimeve, që mendojmë se e kanë bazën në egoizmin profesional, në disa elementë nga radhët e shkrimtarëve dhe artistëve konstatohen edhe shprehje e shfaqje mendimesh me karakter armiqësor. Pikëpamje këtilla del se kanë shfaqur Fatos Arapi, Viktor Qurku, Sulejman Mato, Pandeli Koçi, Bujar Kapexhiu, Llambi Blido, Janaq Paço etj. Viktor Qurku është ndikuar nga literatura revizioniste sovjetike. Ai është shprehur se “unë lexoj art të vërtetë, dëgjoj në radio konkursin që bëjnë poetët e sotëm sovjetikë, këto vjersha janë art i vërtetë që të luan mendja e kokës … Unë do të shkruaj vjersha të errëta që nuk kuptohen, nuk më pëlqen asgjë nga poezia e sotme shqiptare…, simpatizoj poetët e kohës së Jevtushenkos…”. Një burim tjetër informon se, duke folur për Jevtushenkon në një kohë kur gazeta “Drita” e kritikonte atë,
Viktori ka thënë: “… hiqni emrin Jevtushenko, vini një emër tjetër të një poetit tonë dhe poema është e mrekullueshme”. Në një rast ai i ka thënë Dritëro Agollit: “Ik se ty të kanë bërë të madh se i këndon Partisë, se të kanë me sy të mirë të mëdhenjtë”. Për pikëpamje të tilla Viktori është këshilluar nga ana jonë vitin e kaluar.
Sulejman Mato ka gjithashtu mendime të shtrembra sidomos në disa poezi, të cilat redaksia e “Dritës” nuk i ka botuar për shkak se përmbajtjet e tyre janë ideologjikisht të gabuara. Bile kohët e fundit ka paraqitur për botim një poezi ku, nën pretekstin e luftës kundër burokratit, godet ata që kanë makina.
Lidhur me këto poezi një burim na njofton se “… para pak kohësh, duke biseduar me Pandeli Koçin, i cili ka redaktuar vëllimin me poezi të S. Matos, më tha se Sulejmani është i papjekur dhe ai, duke u nisur nga tendenca se poeti duhet të jetë trim dhe të godasë çdo të metë, ka bërë një poezi mbi tipin e burokratit, e cila është me përmbajtje thellësisht reaksionare, mbasi godet njerëzit që kanë veturë. Sulejmani thotë se burokrati duhet kërkuar dhe goditur në veturat dhe jo ku e kërkojnë shkrimtarët”. Fatos Arapi, përveç përpjekjeve për denigrim të I. Kadaresë etj., ka shfaqur dhe mendime ideologjikisht të shtrembra.
Nga një burim del se Fatosi, duke qenë prezent S. Mato, V. Mato, etj., ka justifikuar dhe insistuar që të botohet poezia e Sulejmanit, për të cilën u fol më lart. Burimi informon: “Fatosi i përkrahur nga Sulejmani dhe Vullneti, po e sulmon kryeredaktorin e “Dritës”, duke i thënë se ajo gazetë nuk po boton shkrime të guximshme në përgjithësi dhe poezi në veçanti. Fatosi thoshte se aty botohen vazhdimisht poezi problematika që nuk thonë asgjë. Duke i thënë kryeredaktorit se duhet të revolucionarizohesh e të botosh poezi me përmbajtje të guximshme, Fatosi solli si shembull mosbotimin në gazetën “Drita” të një poeme të S. Matos. Siç u mësua më vonë (si rezultat i komentimit në ambientin e tyre), kjo poemë ngrinte si problem shqetësues se fëmijët e udhëheqësve bredhin e bëjnë qejf me veturat luksoze në një kohë kur në jetën tonë ka plot shqetësime.
Pse të mos botohet kjo poemë ngul këmbë Fatosi që ngre probleme kaq jetike dhe reale…”. Përveç kësaj, Fatosi ka shfaqur pakënaqësi edhe lidhur me pagesën për veprat letrare. Ai ka thënë: “… në vendin tonë pagesat për vepra letrare janë jashtëzakonisht të ulëta, më të ulëtat në botë. Me një pagesë të tillë simbolike është e pamundur të krijohen kushte të mira për shkrimtarët dhe të krijohen vepra të mira. Për një vepër shkrimtari jashtë siguron jetën për 10 vjet … Pse do të borgjezohet ky (burimi) po t’i jepen 10 000 lekë për romanin që botoi? Aspak, përkundrazi…”. Disa nga shkrimtarët, poetët, piktorët, etj., si Faik Ballanca, Pandeli Koçi, Sulejman Mata etj., studiojnë shumë literaturë kosovare dekadente, të cilat i qarkullojnë te njëri-tjetri. Një burim thekson se “Bujar Kapexhiu, Llambi Blido etj., janë të dhënë mbas izmave në pikturë. Ata marrin libra e revista të huaja me përmbajtje dekadente.
Dhe kjo literaturë ka ndikuar në veprat e tyre, mbasi disa herë, p.sh., Llambit nuk i janë pranuar punimet për shkak të përmbajtjes dhe të ngjyrave. Bujari është i dhënë shumë mbas kubizmit në ilustrimet, në karikaturat dhe skenat e estradës, disa nga të cilat i ripunon, por nuk bindet duke thënë se jeni kundër të resë, se nuk do të eci përpara deri se keni këto mentalitete. Në sfondet e estradës ka tendenca të huaja, p.sh. në numrin e fundit të estradës ai kishte një skenë me trekëndësha të pakuptueshme…”. Një burim tjetër njofton se Bujari ka shfaqur mendime të tilla të karakterit armiqësor: “S’të kuptojnë këtu, të jesh andej bën namin…
E di unë si e duan këta shfaqjen, ta mbushësh me flamurë e me artikuj gazetash dhe je në rregull… Shfaqja më e bukur ishte “Njolla të murrme” që u kritikua, ajo ishte tamam si shfaqje e huaj… Kemi mbetur akoma me kohën e Nuhit, bota po bën mrekulli … jashtë nuk janë më të zgjuar se artistët, por atje ka liri veprimi të formave artistike, ndërsa këtu te neve bëhen shfaqje me porosi, të më lënë mua dhe të shikosh, ta bëj unë shfaqjen që të thyhen dyert, po kush të lë…”. Pikëpamje të tilla ka edhe piktor Llambi Blido. Ai është shprehur: “… Kush të lë të punosh këtu si do ti, kush të lë bësh diçka të re, na ndrydhin ndjenjat tona, jemi shumë prapa botës, spektatorët nuk kuptojnë pikturën tonë se janë pa kulturë, vetëm i huaji di të na çmojë…”.
– Për krijimtarinë artistike që lidhet me repertorin e teatrove, gjithashtu qarkullojnë se ato janë monopolizuar me veprat e vetëm disa autorëve, siç janë Ibrahim Uruçi, Fadil Paçrami, Nikolla Zoraqi etj. Vath Koreshi i ka thënë një burimit tonë se “… është duke përfunduar një dramë të re, të cilën ua kam dhënë disave dhe ata janë entuziastë…, por belaja është se ku ta vë në skenë. Teatrin Popullor e kanë okupuar Fadilët e Ibrahimët. Ma kanë punuar edhe një herë kështu me një dramë tjetër… E çova në Teatrin Popullor, e pëlqyen dhe e aprovuan, mirëpo e mori vesh Ibrahimi që nuk aprovuan dramën e tij “Shembja” dhe nuk la derë pa trokitur, vajti gjer në KQ dhe ai përfundim Teatri mori urdhër të vinte në skenë dramën e Ibrahimit…”.
Një burim tjetër njofton se “flitet shumë se Teatri Popullor vë në skenë vepra që janë të ulëta artistikisht, por vihen se janë të Fadil Paçramit dhe Ibrahim Uruçit… Meqenëse janë të këtyre zgjidhen dhe angazhohen aktorët më të mirë, me qëllim që drama të mund të pëlqehet. Aktorët i zgjedh vetë Fadili dhe guxo të bësh vërejtje po deshe se të mbyt. Atëherë ndodh që, meqenëse të metat nuk diskutohen hapur, më vonë bisedohet midis nesh për ato të meta (në intimitet). Në këtë mënyrë na kanë folur Pjetër Gjoka e Petro Marko, por ka edhe të tjerë…”. Po ky burim vazhdon: “… Para 5-6 muajsh aktori Pjetër Gjoka më ka thënë se në teatër janë ndarë artistët në tarafe që luftojnë njëri-tjetrin. Por atje ka miq shoku Fadil dhe që ta bësh të tillë atë duhet t’ia lavdërosh dramat. Fadili u ka thënë të tjerëve për mua se është jezuit…”.
Burimi thotë se edhe Sandër Banushi, Llazar Siliqi e Ndrek Luca ma kanë thënë se Fadil Paçrami lufton katolikët shkodranë dhe mbron myslimanët…”. Nga një burim tjetër rezulton se Bujar Kapexhiu së, duke folur rreth dramës së F. Paçramit është shprehur se “… unë jam i bindur se ajo është një shfaqje e dobët dhe mori çmimin vetëm se e ka shkruar F. Paçrami…”. Kompozitori Shpëtim Kushta thotë: “Teatri i Operës është bërë pronë e Nikolla Zoraqit. Çdo gjë që kompozon ai vihet në dispozicion të Teatrit. Veprat e kompozitorëve të tjerë refuzohen, ose edhe kur pranohen për ato tregohet shumë pak kujdes në përgatitje, ndërsa për ato të Zoraqit bëhet punë e madhe…”.
Një burim tjetër njofton se “të gjitha punimet e repertorit të Ansamblit janë përqendruar në duart e Milto Vakos, Agim Krajkës e diçka Tish Daisë. Prej shumë vitesh kompozitorët e tjerë nuk kanë dëshirë të punojnë për Ansamblin. Ata thonë se neve nuk na afrojnë më edhe kur kemi dërguar ndonjë pjesë, vepra jonë është ndryshuar në ekzekutim dhe udhëheqja artistike e bën këtë sepse ka guston e vet … Flitet nga shumë artistë se Koço Vasili vetë firmos dhe vetë vulos. Prapa tij është Zhani Ciko që e përkrah, gjithashtu ka vite që në këtë teatër preferohet vetëm Nikolla Zoraqi, kurse kompozitorët e tjerë nuk afrohen dhe nuk ekzekutohen veprat e tyre, bile në sirtarët e drejtorisë së Operës ka vepra të kompozitorëve që nga ana financiare janë paguar, por nuk ekzekutohen, ose të tjerëve nuk u kthehet përgjigje fare. Kështu që nga disa kompozitorë janë krijuar bindje se luftohen nga drejtuesit e Operës, prandaj dhe nuk shkruajnë…”.
Një burim tjetër, para disa kohësh, theksonte se “në Ansamblin Shtetëror të Këngëve e Valleve është krijuar pasiguri në radhët e punonjësve, gjë të cilën ia dedikojnë udhëheqësit artistik Milto Vako…”. Lefta Mulliri është revoltuar dhe ka shprehur mendimin për t’u larguar nga Ansambli mbasi nuk punohet me Milto Vakon, sepse është intrigant dhe të punon njëmijë të këqija … Në dhjetor (1971) burimit i kanë vajtur Basim Zekthi, Lefta Mulliri dhe Mediha Lubonja dhe i kanë dalë me propozim të largohen nga Ansambli, mbasi po bëhet i padurueshëm qëndrimi këtu”.
– Këto janë disa nga çështjet që janë diskutuar e diskutohen ndër shkrimtarët e artistët, sigurisht jo në mbledhje të hapëta, por në rrethe të ngushta. Mendojmë se nga mënyra se si bisedohet dhe ngrihen këto probleme në ambiente të caktuara, tregon se në këtë drejtim duhet bërë një punë e madhe në radhët e shkrimtarëve e artistëve nga ana e Partisë dhe e organizmave të saj. Ndërsa nga ana jonë është bërë vlerësimi për ato që janë karakter haptazi politik dhe do të forcojmë punën tonë për zbulimin qysh në fillim të veprimtarisë armiqësore që mund të dëmtojë vijën e Partisë në këtë terren të rëndësishëm ideologjik.
DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME
(RAQI IFTICA) d.v.
– See more at: http://shqiptarja.com/dossier/2711/shkrimtar-t-dosja-e-sigurimit—-p-r-intrigat-e-thashethemet-326293.html#sthash.UUDJNZCS.dpuf
Komentet