TERRORI KOMUNIST ISHTE E ASHT I PAFUND !
Shkoder, 2 Prill 1991…
Pa u errë nata në Shkoder ishte zv. ministri i mbrendshëm Hajredin Shyti, i cili, në bashkpunim me Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjekë Celi i policisë kanë organizue vepren terroriste që u realizue me 2 Prill 1991, mu në atë Shesh ku një natë ma përpara çdo veprim ishte demokratik.., dhe paqësor, po aty në mes të predhave dhe vrasjeve të organizueme nga presidenca terroriste e Ramiz Alisë, mbi trupat e të rijve Arben Broci 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç, Nazmi Kryeziu 38 vjeç dhe Besnik Ceka 21 vjeç me 97 vetë tjerë të plagosun studentë, puntorë dhe qytetar Shkodranë.
Porsa mërrijta aty, ishte Ferdinand Temali me Marina Rraboshtën, që hyjnë nën snajpër për me i thanë sekretarit PPSH Xhemal Dymylja: “Kush asht ai terrorist që ka urdhnue me gjujtë mbi turmat e pambrojtuna të studentave të shkollës “Jordan Misja” e Popullit të Shkodres, ndaloni zjarrin o drejtohuni kufinit e ikni, Populli do t’ju shkyejë për së gjalli!”
Kujtoj si tashti në rrugën para komitetit ekzekutiv një vajzë me flamurin e Shqipnisë e hypun mbi një tank ushtarak, që ishte pushtue prej Asaj Burrneshë Shkodrane!
Po drejtuesit e PD së Shkodres ku ishin?..Ma mirë se kushdo e di z. Tanush Mulleti… Cilat ishin parullat që u hodhën në rrugë Xhabijej e ma vonë tek Radio Shkodra? – Besoj i kujton mirë Populli i Shkodres “ata” dhe rolin që ka luejt BSPSH, Ferdinandi, Marina Raboshta, Tanush Mulleti, Besnik Komi, Arben Borshi, Lela Zorba, Muhamet Gradeci, Zef Prela, Arben Hafizi, Leonard Kçira, etj., për ruejtjen dhe sigurimin nga djegëja të Radios, Fototekës, hetuesisë dhe të vetë Prefekturës, me sa objekte të tjera të cilat i kemi mbrojtë edhe me rrezik koke, kur snajpërt e sigurimit ishin në gatishmeni dhe shkrepeshin mbi kokat tona në çdo qoshe. Edhe pse ishin vendosë në Prefekturë, Turizem, teater “Migjeni”, zjarrfiksa etj., ideali ynë e kishte mposhtë ndër ne frikën e komunizmit barbar.
Me datën 2 Prill, ora 19.15’ deri ora 20.00, intervista e dhanun nga Arben Borshi dhe Fritz Radovani për “L’Express” të Parisit, korespondentit Vincent Hugux, në Turizmin e Shkodres, u transmetue në ora 22.00 nga Franca. Ajo asht kenë ndër fitorët e mëdha të BSPSH, se ajo Agjensi zbuloi para Evropës të gjitha planet djallzore të sigurimit të shtetit për gjakderdhjën që u ba dhe që, tinzari vrasës Ramiz Alia, po u pregatiste me kujdes per me vazhdue kasaphanën pandërpremje në Shkodren antikomuniste.
Po takimi me zv. ministrin e “pafajshem” Hajredin Shyti në seli të BSPSH, besoj ju bie ndër mend të gjithë pjesmarrësve bashkë me “përshëndetjet” që ne sindikalistët i kemi dergue Tiranës vrastare komuniste, qendra e vetme e terrorit të mbetun në Ballkan!
Takimi i asaj darke në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, me Esma Ulqinakun zbuloi fëtyrën e vërtetë të veprimëve të datës 2 Prill. Ishte ora 21.30 kur gjithë grupi i BSPSh së Shkodres dolëm nga salla e Kom. Ekz. Unë ishe me Arben Borshin, kur papritmas u gjetëm në dalje tek dera mes një grupi të madh ushtarësh të armatosun e, porsa i pashë i kam thanë Ferdinandit që kishe pranë: “Na prijë në këte paradë Ferdinand, se asht e para herë në jetën teme që po kaloj në revistë…” dhe Ai, na prini kur bashibuzukët e Ramiz Alisë, të rreshtuem me forcat sampiste po qendronin nga nalt tek dera e sallës madhe të mbledhjeve të Prefekturës e deri poshtë tek rruga, me armë në gatishmëni.., kundrejt grupit tonë të BSPSh, që ishim jo vetem fare pa armë por, edhe me duer ndër xhepa…
Po rezultati cili ishte? – Qeveria komuniste me dhanë dorëheqje sa ma parë, mbasi BSPSH do të organizojnë Grevë të Përgjithëshme në gjithë Shqipninë. Vrasësit e Arben Brocit me shokë ti kalohën organeve kompetente dhe shpejtë do të organizohën zgjedhjet e reja etj… Ne kerkonim emnat e shtatë personave që ngjarjet e 2 Prillit i ndoqën në TV të ndertesës ku ishte kenë Ramiz Alia dhe Fatos Nano…E Gramos Ruçi, as sot nuk flet…
Me datën 3 Prill, ora 9.00 kemi shkue bashkë me Arben Borshin tek komandanti i forcave të armatosuna të Shkodres, Enver Gaba dhe e kemi falnderue për mosndërhymjen e tyne mbi Popull me tanke dhe, nga ajo ditë ushtria ishte shpirtnisht “anëtare” e BSPSH…
Ky veprim nuk u prit mirë nga ministri mbrojtjes, zadhanës i vrasësit Ramiz Alia.., që aso kohe kishte kalue në postin e “presidentit” të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi.
Rruga e BSPSH ishte krejt e papritun për Ramiz Alinë me shokët kriminel të presidencës së tij terroristë e vëllavrasës, ku fatkeqësisht ishte tashma e kjartë se “pa gjak” nuk merrej asnjë zyre rojesh apo “dezhurësh” të institucioneve të tyne…Ishte ajo kohë kur koka e komunistëve qelbun ulërinte: “Edhe gjak do bëjmë,..!” dhe, me të gjitha armët e tija të pista vriste bashkë me Fatos Nanon, Xhelil Gjonin dhe tradhëtarë tjerë, Rininë Shqiptare kudo deri larg në piramidat kufitare… Ishte ajo kohë kur terroristja Nexhmije Hoxha vetëm mendonte si me nxjerrë jashtë shtetit me Sulo Gradecët thesaret e paketueme të lingotave t’arit, të plaçkituna dhe të vjedhuna nga mundi dhe djersa e Popullit Shqiptar.
Greva e shpallun nga BSPSH me datën 3 Prill në Shkoder dhe zjarret e ndezuna në oborret e ndërmarrjeve me dhjetra e dhjetra “tesera të PPSH”, nga komunistët që hoqën dorë nga partia komuniste përgjithmonë, i treguen Popullit Shqiptar se BSPSH, tashma drejtonte të gjitha veprimet që paralizonin partinë dhe sigurimin famkeq komunist. Herojt e 2 Prillit u varrosën pa u ba autopsia, ndonse mjekët Bardhyl Çipi, Xhemal Zeneli dhe Injac Simoni, vepruen si i urdhnoi sigurimi i shtetit dhe prokuroria komuniste. Ata kanë firmue dokumenta pa hapë fare kufomat, mbasi autopsia e tyne u kërkue shumë kohë mbrapa nga grupi i BSPSh së Shkodres në Prokurori të Përgjithshme, ku kam marrë pjesë unë dhe Ferdinandi me disa shokë të tjerë, para se të zhvillohej gjyqi dhe, kufomat u nxorën nga vorrezat për autopsi nga mjeku ligjor Estref Myftari, ku mori pjesë edhe i ngarkuemi i BSPSH së Shkodres z.Tanush Mulleti.
Konkluzioni ishte i njohun se: “Viktimat janë vra me armët e zjarrit nga policia”.
Komiteti i PPSH u dogj por jo, nga Populli, ishte vetë sigurimi i shtetit i dekompozuem që donte me mbulue me djegëje vrasjet e bame para atij komiteti pak orë perpara.
Me muej të tanë hetuesit Vladimir Meçe, Shefki Bejko, etj., bredhnin në Itali, gjoja tue kërkue “fakte”, sëpse një film ishte gjirue nga një italian prej apartamentit, nga hapsina e shkallës ku banonte qytetari Frano Preçi, i cili më ka tregue Ai vetë që e ka pa italianin tue gjirue veprat makabre të Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Haxhi Lleshit, etj. etj., që mbushnin faqe të tana proces- verbalesh në mbledhjet e pafund në Komitetin Ekz. të Shkodres, kur BSPSH me forcë kërkonte ideatorët dhe zbatuesit e terrorit, ndërsa “sherbëtorët” e presidencës ishin të mobilizuem me gjetë se: “kush e dogj komitetin e PPSH?” dhe, se vrasjet e Herojve janë krye “mbasi asht djegë komiteti apo, legjenda e hetuesisë së përgjithshme se vrasjet janë krye nga gjuejtjet në mes të turmes nga njeni tjetri, po jo, nga policia, sigurimi…etj”. Që nga data 12 Prill, 23, 26 e deri me 1 Maji, BSPSH nuk ka ba veprim tjetër vetëm, ka shpartallue moralisht rezistencën e PPSH për mbajtje të pushtetit dhe ka demaskue botnisht organin e “paprekshëm” të asaj diktature të pashpirtë e mizore 47 vjeçare, sigurimin e shtetit, aqsa spijunët e sigurimit dhe oficerët besnik të tij me daten 2 Prill 1991, ora 14.00 nuk kanë pasë të vueme asnjeni ndër dyer etiketat e emnave në apartamente.., tue fillue nga Çapajev Taçi e deri tek Shyqyri Qoku.., që strukej si qen skutash për mos me u lagë…nga vesa e pranverës që po sillnin veprat gjakatare të tyne!
Greva e Përgjithshme ishte vepër e BSPSh…
Me datën 1 Maji asht ba takimi i parë i BSPSH së Shkodres me disa nga kryetarët e BSPSH së Rretheve të tjera në Selinë e Tiranës, nën drejtimin e z. Gëzim Shima dhe Eqrem Kavaja, ku merrte pjesë edhe i deleguemi z. Donald Slaiman nga USA. Ai foli për rrugën me mjete paqsore që duhet të ndjekim kundrejt veprimeve terroriste të Ramiz Alisë.
U muer vendimi i Grevës së Përgjithshme në gjithë Shqipninë. Mbështetje të madhe na dha BSPSH e Kavajës, si rezultat i shkëmbimëve të maparshme nga ana e Ferdinand Temalit me ata miqë të shtrejtë, që porsa u arrit fitoria e BSPSH kanë ardhë në Shkoder, e edhe pse komunistët na fikën dritat kur na ishim të grumbulluem në Turizem, buçiste n’ errsinë thirrja e jonë: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”.
Ja një nga kujtimet e z. Arben Borshi, ishsekretar i BSPSH, ku del roli i Ferdinandit: “…U mblodhëm në Tiranë për greven e madhe mbarëkombëtare. Doli me drejtue atë mbledhje Valer Xheka, jurist i ardhun nga kinostudio…Ferdinandi kërkoi me ditë se ku asht Gëzim Shima?! Valeri, tha: “Vetëm kur të më shihni mue në TV, do të mbyllet greva!”
Ishte pika kulminante e Ferdinandi nuk duroi ma, por i tha: “E kush je ti? – Një spijun i shkolluem në ministrinë e mbrendshme për me burgosë e pushkatue të pafajshëm do me na drejtue ne..?” dhe, u turr me e kapë për fytit…U çuem të gjithë me e ndalue, se unë i vetëm nuk ishe në gjendje me e zaptue tanë Atë Ferdinand.., që vazhdonte me folë: “Të hjedhi nga dritaria Valer Xheka, a more vesht?!…” i tha, dhe doli nga salla…Mbas dy orësh arritëm me u ulë Ferdinandin me fillue me diskutue… Greva e Përgjithëshme filloi me 3 Prill. Kërkesat e BSPSH së Shkodres, i kemi pergatitë me Arben Borshin, e sëbashku ia kemi dorëzue letren në dorë kryetarit të Kuvendit Popullor Kastriot Islami, me dt. 5 Maji 1991, para Kom. Ekz. të Shkodres, letër që ruhet prap sot në arkivin e Kuvendit Popullor.
Letra i ban të kjarta me fakte veprat terroriste të Ramiz Alisë, Xhelil Gjonit etj, tue kerkue edhe mbështetjen e ligjit për dënimin e vepres së tyne penale në dam të Popullit.
Data 15 Maji 1991 asht dita e “dënimit me vdekje të komunizmit në Shqipni”.
Greva e Urisë shpartalloi përfundimisht pushtetin diktatorial komunist të Enver Hoxhës, i cili edhe pse nuk ishte ma “mes nesh”, “vazhdonte” sundimin me trashigimtarin e vet, tradhëtarin Ramiz Alia, i cili pa pikë turpi arrinte deri aty sa me shkue me pi edhe kafe në shtëpijat e Atyne Djelmëve Heronjë, që kishte vra pabesisht me dorën e vet me 2 Prill 1991 në Shkoder… Nga data 20 Maji kam shkue në Tiranë dhe i kam paraqitë Kryesisë BSPSh., propozimin tonë për Presidentin e ri të Republikës, ku kerkohej nga BSPSh e Shkodres, ardhje e Prof. Arshi Pipa, Sami Repishti dhe e zonjës Nermin Vlona (Palaschi) në poste drejtuese qeveritare. Mbas dy ditësh ka ardhë në Shkoder z. Eqrem Kavaja dhe na ka komunikue edhe aprovimin e Kryesisë sonë per këte kerkesë.
Kuvendi popullor botoi ligjin e pranisë në Shqipni, për 20 vjetët e fundit..,për me evitue ardhjen e të gjithë personaliteteve nga diaspora në organe drejtuese në Tiranë…
Me datën 25 Maji, ora 11.00 u organizue nga BSPSH Mitingu i Madh në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodres, ku morën pjesë mbi 30.000 vetë. Kur dola në tribunë me hapë mitingun, një përson që gjironte me kamera më tha: “Fritz, në apartamente përballë kanë vue snajpër…kujdes kur të flasësh!”…Unë në ecje drejtë mikrofonit iu përgjegja: “Çka kam shkrue do ti lexoj, por nuk besoj se komunistët mendojnë sot me më ba edhe mue Hero!” dhe, vazhdova fjalën historike të temen përballë “Rozafës”, që ishte e veshun me të zeza për ma shumë se 47 vjet… Populli me duertrokitjet e veta nuk lente me vazhdue… Foli aty Muhamet Gradeci, Tanush Mulleti, Vinçenc Çefa…etj., dhe arriti nga Tirana edhe Kryetari i Nderuem i yni Ferdinandi, i cili, si gjithmonë me za si pushka, ushtoi me sa forcë kishte me pushtue zemrat e qytetarëve të Shkodres sonë së thame dhe të zharitun për Liri dhe Demokraci, e cila nuk vonoi me ardhë mbas Asaj dite të bukur të BSPSH së Ré!..
***
Me 1 Qershor, në Tiranë, ora 11.00 në stadiumin “Dinamo”, ku kam përfaqsue BSPSH e Shkodres me zonjën Adlije Broci, në prani të mija vetëve kryeqytetas, fjala mbyllej kështu: “Kur një Populli i ikën frika, Atij shpejtë i vjen Liria! Rrnoftë Shqipnia!”…
Qeveria ra…Me datën 10 Qershor, ora 11.00, në intervistën e dhanun “Zërit Amerikës” nga anëtarët e kresisë BSPSH së Shkodres, kam theksue: “Qeveria e ardhëshme kurrë nuk do të realizojë aspiratat tona dhe të mbarë Popullit Shqiptar, nëse në përbamjen e saj do të ketë kjoftë edhe vetëm një komunist…!” Besoj ju kujtohet, atëherë shumë vetë më quejtën “ekstremist”…por, sot, besoj janë me mendimin tem edhe ata që atëherë menduen me bashkpunue në qeveri me “komunistët e konvertuem” në demokratë hipokritë!
Prania e tyne në çdo zyrë të mardhanjeve me Popullin sjelli vetem korrupsion!
Ata ishin sabotuesit e të gjitha premtimeve të bame ndaj Popullit e punëtorve liridashës!
Me të gjitha mjetët u punue për mos me zhvillue gjyqin e viktimave të 2 Prillit.
Partia Demokratike Shqiptare ishte e para që ndërhyni, me “mbyllë” Grevën pak ditë para kongresit PPSH, që me datën 8 Qershor, kur ajo po bahej gati me u veshë me petkun e “socialistave”, edhe pse terroristi Ramiz Alia kishte deklarue: “…Parimet nuk i shkelim!” ndonse, për hirë të kolltukut i shkeli të gjitha madje, edhe flamurin e marksizmit e deri tek premtimet tek vorri i terroristit Enver Hoxha me vejushen…e tij vrastare.
E vetmja fjalë që ka mbajtë deri në fund e vazhdohet edhe sot nga pasuesit e “Rilindjes” asht: “Edhe gjak do bëjmë!…”, e kam frikë se mbrenda këtij “betimi” mund të jenë edhe vdekja e parakohëshme, në moshën 54 vjeçare e Thëmeluesit të BSPSH së Shkodres, Ferdinand Temalit…me 1 Qershor 2009! Takimi i Ferdinandit në presidencë me té, më kujton qendrimin burrnor të Ferdinandit, të cilin e kemi pa edhe në TVSh.
Ai takim më kujton edhe fjalët e R. Alisë, i cili i tha Ferdinandit kur po delte në një anë: “Ferdinand, ra vetja e më këputi, thonë andej nga Shkodra!” dhe, Ferdinandi iu përgjegjë: “Nuk i tradhëtoj shokët!”. Dhe me të vërtetë besnikinë e Tij Ferdinandi e vazhdoi.
Endè sot Ata Herojë nuk janë dekorue e bashkë me Ta as Ferdinandi që me datën 13 dhjetor 1990, pëmbysen përtokë njëherë e përgjithmonë bustin e kriminelit Enver Hoxha, para Prefekturës së Shkodres! Disa punojnë me e “harrue”! Ai ishte akti ma Heroik i Rinisë Shkodrane, kur në Tiranë, Stalini dhe Lenini i banin shoqni diktatorit tonë në sheshet qendrore! E, mos harroni, se endè ka nga Ata Djelmë që vazhdojnë me kenë të gjymtuem nga torturat e bame prej sigurimit në hetuesi, që nga data 14 Janar 1990…
Me datën 9 qershor, kur pritej realizimi i kerkesave të Grevës mbarkombëtare dhe ishim të grumbulluem në Institutin Pedagogjik, mbas dreke erdhën nga Tirana dy antarët e kryesisë sonë, Mark Bardeli dhe Muhamet Gradeci që na komunikuen në prani të ma shumë se 500 vetve, se ishte vendosë mbyllja e Grevës nga “shoku” Valer Xheka.
Unë i ndërpreva fjalen dhe i thashë se “Shkodra nuk do ti bindet urdhnave të spijunve të Ramiz Alisë, por të shkojmë në Kryesinë tonë dhe atje do të vendosim!” U nisem të shoqnuem nga turma që thërriste për vazhdimin e Grevës deri në fitoren e plotë të kerkesave tona. Besoj iu kujtohet “grushti i shkrepun mbi tavolinë dhe ngritja e makinës së shkrimit mbi 10 cm naltë” kur u vendos vazhdimi i Grevës edhe dy ditë të tjera “mbas hapjes së kongresit të PPSh”, si dhe brohoritjet e turmes jashtë selisë sonë në pjacë.
Kujtoj që me datën 12 qershor kanë ardhë në seli dy antarë të Kryesisë PD, z. Menduh Derguti dhe A. Luli, të cilët kerkonin që të jepej urdhën nga ne, “me u nisë vagonat e ngarkuem me sheqer për Tiranë, mbasi Greva kishte krijue mungesë sheqeri në dyqanet e Tiranës…” Unë i shikova …, dhe pa komunikue me njeri ju thashë dy deputetëve: “Jo, këte herë komunistët e Tiranës, të festojnë fillimin e kongresit tyne me bakllavë të paperlueme me sherbet, se kështu kanë urdhnue punëtorët e Shkodres!” dhe, kujtoj si tashti të qeshunin me zemer të Qazim Likës, që u ndodh aty dhe u knaq nga përgjegja ime…
Mbas dy ditësh takova Pjeter Arbnorin tek SMT e vjeter, dhe më tha: “Doktori më ka thanë se asht e paknaqun partia nga qendrimi i fundit i sindikatës së Shkodres!” Unë, e shikova dhe e pyeta: “Po, për cilën parti e ka fjalën doktori, atë që ka kenë apo për këte që asht tashti?”. Pjetri më tha: “Për partinë tonë…ç’ punë kemi ne me komunista?”…”Nuk po kuptoj se pse asht i paknaqun ai, mos ndoshta keni dashtë sheqerin ju, per me i perlue bakllavat e kongresit të tyne?” Më shikoi i zemruem dhe gati harroi me më dhanë edhe doren, e pra fatkeqsisht ky drejtonte PD e Shkodres!!.. Koha ua hoqi “maskat” të gjithve!
Në muejn Qershor 1991… Në Shkoder…
Në takimin e BSPSh me z. Gramoz Pashko, në Komitetin Ekz. të Shkodres, Fritz Radovani i pat propozue aprovimin e krijimit të Shoqatës së të Përsekutuemve dhe të burgosunve politik në Shkoder. Ai e priti mirë propozimin tonë dhe mbas tri ditësh erdhi nga Tirana aprovimi zyrtar i Shoqatës. U patën propozue edhe dy emnat për Kryetarë, zz. Karlet Luka dhe Bardh Shiroka. Emnimi i z. Lin Martinit asht pritë shumë mirë nga Sindikata dhe bashkpunimi ka kenë i frutshem mbasi figura e Tij ishte vertetë e nderueme. Edhe me krijimin e Seksionit të Përsekutuemve në Prefekturë bashkpunimi asht vazhdue i rregullt me nëpunësit e atij seksioni, Xhemal Elezi, Sadedin Taipi dhe Bardh Shiroka.
Ky fakt u prit mirë edhe nga të huejt, sidomos kjo u dallue në takimet tona me gazetarë të “Zërit Amerikës”, që e kanë vlersue shumë krijimin e kësaj shoqatë në Shqipni nga BSPSh.
Duhet vue në dukje edhe roli që ka luejtë aso kohe në takimet me të huejtë përkthyesi Sokol Muça, një njeri me të vertetë pozitiv dhe i nderuem. Në muejn Korrik 1991 BSPSh e Shkodres kishte lidhje me Kryesinë e Tiranës, Kavajës, Durrësit, Korçës dhe me Kryesinë e BSPSh kombinatit tekstilit të Beratit. Lidhje të ngushta janë mbajtë gjithnjë me Kryetarin Gëzim Kalaja, i cili i ka vazhdue ato lidhje me të gjithë edhe mbas 1997.
Humbja e Kryetarit të BSPSh së arësimit, të Ndjerit Qazim Lika asht kenë një ndër fatkeqsitë ma të mëdha që ka pasë Sindikata e Shqipnisë, mbasi Ai përsonifikonte një qytetar të formuem e të kulturuem që luftonte dhe punonte për marrveshje e mirkuptim ndërmjet besimeve. Ai ishte dhe mbetët simbol i tolerances Fetare mes besimeve për të gjithë brezat e ardhshme! Shkodra nuk e harron as sot Figuren e Tij të Nderueme.
Në muejn Shtator 1991, në datat 11, 12, 13 dhe 14 u organizue në Durres një seminar i BSPSH me rreth 200 anëtarë nga kryesitë e gjithë Shqipnisë. Aty drejtonin amerikani Donald Slaiman nga USA, Tom Cook nga Britania dhe Sasha Morina nga Gjermania. Ditën e fundit ata dhanë konkluzionet dhe porositë e tyne për BSPSH, tue u cilësue nga Donald Slaiman kështu:“Ju jeni Sindikata që keni thye dogmen e komunizmit!”. Ndërsa, po në diten e mbylljes në emnin e të gjithë BSPSh, ata janë falnderuen dhe u përshëndetën nga anëtari i Kryesisë së Shkodres Fritz Radovani.
***
Mbas mbledhjes së organizueme në teatrin “Migjeni” me z. Tony Freeman, që ishte Nënsekretar i Shtetit në USA, me datën 18 Korrik 1991, dhe takimit të nesërm me Té në hotel “Dajti” bashkë me Ferdinandin, unë kam kuptue mirë lojën e sindikatave italiane, të cilat bashkë me socialistët e Kraksit e Martelit, kanë luejtë rolin ma negativ për t’ardhmen tonë në të gjitha drejtimet…e, kryesisht, në zhvillimet e ngadalshme demokratike tek na, veprime të cilat gjetën një terren shumë të përshtatshëm në të gjitha hallkat e pushtetit demokratik që porsa mori drejtimin e shtetit, filloi kompromisin me ishkomunistët tue ua krijue të gjitha mundësit e korrupsionit dhe të ruejtjes së “imunitetit” të paprekshëm të gjithë kriminelave, nga terroristi Ramiz Alia e deri tek vrasësit e të rijve në të katër anët e vendit prej piramidave kufitare e deri tek Mali me gropa, në afersi të Tiranës… Apo, gjaksit e pafalshem të sigurimit shtetit që filluen me vra me “ligjët” e Kanunit, kur 95 % e tyne as nuk njihnin as emnin e Autorit të Tij, e që as nuk e kishin pa kurrë atë liber!
Ndonse pushteti, gjykatat, prokuroria dhe institucionet tjera ishin në doren e sigurimit dhe të komunistëve, lufta e BSPSH për zbardhjen e vrasjeve të 2 Prillit asht kenë pa kompromis dhe, këte e dëshmojnë proces –verbalet, filmat dhe dokumentat e takimeve të Kryesisë sonë, ku me Ferdinand Temalin, Arben Borshin, Fritz Radovanin etj., ishim përballë kriminelëve Çapajev Taçi, Dilaver Papare, etj., deri tek “hija e zbetë” e tiranit vrastar Ramiz Alia.., që hallakatej tue “i marrë erë”.., kolltukëve të Enver Hoxhës.
BSPSH protestoi dhe kerkoi edhe lirimin e të burgosunve politik të 14 Janarit 1990, Rin Monajka, Gjergj Livadhi, Dedë Kasneci etj., që vazhdonin dënimin. Dyert e “burgjeve” ishin garancia e të gjitha fitoreve të PPSh dhe sigurimit të shtetit komunist.
Djelmët tonë Shkodranë u vranë po askush nuk ishte kenë “fajtorë”..!
Burim i të gjitha pasojave dhe disfatave asht kenë atëherë e prap sot “mos hapja e dosjeve, dhanja e shumë dokumentave false të pastertisë së figurave”.
Disa arritën me kenë drejtues ndër rrethe të degëve të Partisë Demokratike, tue fillue nga qyteti i Shkodres në vitin 1991 – 92 e prap ma vonë. Kjo solli pasoja rrenuese mbasi ish spijunët e vjeter, rimorën drejtimin e shtetit tue krijue sot edhe mundsinë e “Rilindjes”.
Menjëherë ata mbrojtën të paprekuna labirintet e sigurimit shtetit terrorist i cili riforcoi pozitat e korrupsionit dhe pasunoi në mënyrë të vrullshme hallkat e lidhjes së spijunve, me komunistët e konvertuem në “demokrat”. Spijunët e njohun bane sikur u terhoqën nga vendet e punës, por pushtetarët e rijë u ndejën gati tue u krijue mundësi të reja, si bie fjala në dogana, polici financiare, noter në gjykata apo zyre pasaportash, në zyra të këthimit të pronave e pak ma vonë edhe në firmat piramidale, ku lulzoi neokomunizmi kapitalist i fortifikuem me ishoficerët e sigurimit, që i siguronin kushte largimi nga Shqipnia të gjithë hajdutëve e vagabondave me anë të gomoneve e pasaportave false, që ishin në portet e blindueme detare. Njëherësh filloi trafiku i armëve, i drogës dhe i refugjatve t’huej etj.
Komunistët “proletarë” filluen ekonominë e tregut me kioska dhe tavolina, tue shitë para dyerve të tyne mallna importi…Sabotimet për rrugën e demokracisë ishin të planifikueme direkt nga naltë. Kujtoj një rasë të lëvizjes drejtorit fabrikës së Pelhurave në Shkoder, nga Kryetari Ali Spahija, pa kenë fare emni i Fahri Grizhës në listat e sindikatës, mbasi ai nuk ishte komunist. Lëvizja u ba vetem per me krijue perçamje me BSPSH, dhe ashtu ngjau. Po kështu u veprue edhe me një shef seksioni financash në Komitet Ekz. per të cilin, ne si Sindikatë as nuk e njihshim fare… Ndersa, ata që duheshin lëvizë qendronin ku ishin…
Kur shoqatat e hueja filluen me sjellë ndihma kryesisht për zonat fshatare të vorfna, kujtoj shkuemjen në Pukë, ku ishim me Ferdinandin dhe dy anglez tek spitali dhe, porsa ikem na sigurimi organizoi djegëje dhe përleshje, ku gjeti vdekjen edhe një qytetar, vetëm me krijue pasiguri udhtimi për të huej që donin me çdo kusht me ndihmue spitalet. Këta veprime të organizueme ndikuen për keq tue krijue imazh të papelqyeshëm dhe tue kalue turma të tana njerzish në një zhgënjim ndaj të gjitha sakrificave që kishin ba, e kryesisht Rinia që lau me gjak arritjen e Fitores së Demokracisë së shumë dishrueme. Njerzit e ndershëm që luftuen në ballin e luftës mbetën fukara dhe të vorfen pa asnjë fitim, për mos me thanë se humbën edhe të gjitha iluzionet e Fitores së Demokracisë…
Gjithnjë shokët e bashkpuntorët dhe të gjithë Ata anëtarë të BSPSh, që luftuen për me rrëzue komunizmin gjakatar do të kujtojnë Luftarin Trim të Saj Ferdinand Temali.., që edhe sot, vazhdon me ushtue zani i Tij: “Do fitojmë apo jo?!…Po, Po, Po..!”
Asht e domosdoshme të ripërsëris fjalët e Profesorit Arshi Pipa, që mi ka thanë personalisht mue: “…Jeni e vetmja Sindikatë e një vendi të vogël, por që keni rrëzue një qeveri me të gjitha tiparët e terrorizmit komunist, gja që deri sot nuk ka ndodhë në historinë e të gjitha Sindikatave të Botës!..”
(Në takimin e organizuem nga Mentor Quku, në Muzeun e Shtetit në Shkoder, në 1993).
E, Themelues i Asaj BSPSH në Shkoder, organizator dhe luftar besnik në betejën e përmbysjes së komunizmit deri në fundin e jetes, ishe Ti, e jo vetëm Ti, o i pavdekshmi Ferdinand Temali! Po mbas Teje o Hero i Perjetshëm ishte
Populli Heroik i Shkodres me të gjithë ne të tjerët, Luftarë të Demokracisë dhe të Lirisë! Sot jemi në vitin 2021, ne duhet të krenohemi me Ju. Rinia dhe Populli Shqiptar në zgjedhjet e 25 Prillit, duhet të Rikthejnë në gjurmët Tua dhe të Atyne Vllazenve që derdhën Gjakun në lule të rinisë së Tyne, e dhane jeten me 2 Prill 1991, per një Demokraci të vertetë Europjane Perëndimore!
Melbourne, 30 Mars 2021.
Komentet