Nëse ka një njeri në Shqipëri, veç bashkëshortes së shkrimtarit, Helena Kadare, autore e librit, sa monografi dhe autobiografi “Kohë e pamjaftueshme”, është botuesi Bujar Hudhri, i cili do të mbetet një pikë reference për njohjen e shkrimtarit përtej librave të botuara nga “Onufri”. Gjatë intervistët me Eni Vasilin në “Open” të titulluar “30 vite me Kadarenë”, botuesi dhe miku i Kadaresë u tregua shpërfillës ndaj hamhamërisë, e cila, e ka shoqëruar shkrimtarin për gjatë gjithë jetës së tij. Aq u mësua shkrimtari me to, sa ishte gati të bënte ndonjë skandal, si e si ta ndërsente lukuninë kundër vetes. I mësuar të ecë kundër rrymës, Kadarenë s`e kanë shqetësuar asnjëherë kundërvëniet, mospajtimet, keqkuptimet, polemikat, veçse: keqinterpretimet dhe shpifjet e shtriganëve. Nëse ia doli t`ia hidhte regjimit me ambiguitete, tinzarllëqet që vinin nga kulisat i hapnin telashe. Në vëllimin 7, botim i “Onufrit”, në f. 631, duke iu referuar rimohuesëve, që bëjnë “flirte me robërinë”, shkrimtari vë në dukje se çdo popull ka në gjirin e vet një energji të kundërt. “Rimohuesit janë të vjetër sa bota. E keqja e Shqipërisë ishte se sasinë e rimohuesëve e kishte tepër të lartë. Më të lartë se caku i lejueshëm, pas të cilit kombi mund të përmbysej.” Kjo “sasi e tepërt rimohuesish” do shfaqej fill pas mortit të tij. “Debati për mitet dhe çmitizimin që zhvillohet në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, ka qenë një ndër më të padenjët për nga çoroditja e tij. Nëse do të kërkohej njëfarë karakterizimi i tablosë aspak të këndshme, fjalët që do të shërbenin për të do të ishin: padije, dredhi dhe mashtrim.”-shkruan shkrimtari. Midis dredhanëve dhe shpifsëve: të paditurit përbëjnë shumicën. Ndodh rëndom: ai që s`di, të mëson. Këtë soji, Konica, do e quaji “zullu”. Qëllimi i rilindasve ishte: “për t`i kthyer zullutë nga një turmë të përgjakur në një komb me dinjitet.” Ata shkruan këngë madhështore dhe jo tallavara “kurvash zhurmonjëse në ca kafene të errëta”. Kadare u dha shqiptarëve një ushqim shpirtëror të njëllojtë me të botës së qytetruar. Po ku duan t`ia dijnë ata të tasit me dhallë! “Trahanaja” e Hasan Zyko Kamberit ku e ku më lart nga “Darka e fundit”?! Baroni Groult “kërkon me ngut Akademinë e Gastronmisë në Paris, ngaqë ai, bashkë me mikun e tij, Ismail Kadare, kanë pësuar një zhgënjim të rëndë nga darka e mbrëmshme. Kështu që, për të mos u përsëritur ky tmerr, ai kërkon nga Akademia këshillën e duhur për restorantin e duhur.” Ç`është ky Groult? Mos është gjë një baron droge? Si mik i Shqipërisë ai bashkë me Kadarenë ndërmjetësonte tek Papa, si e si të ndihmohej Kosova.
Gjatë intervistës moderatorja e pyet botuesin Hudhri për shprehjen: “Iku jashtëqitja e kombit”, me gjasa thënë prej Ismailit. “Shpifje”-iu përgjigj botuesi me neveri, duke dhënë një sërë argumentash. (Ndërkohë, gazetarja dhe poetja e njohur Elida Buçpapaj i drejtohet publikisht moderatores: “Eni Vasili, të ftoj për herë të dytë pas 7 vitesh, rrëzoje shpifjen që qarkullon prej 34 vitesh!”) Dihet se sa libra të mrekullueshëm ka shkruar Kadare për qytetin e tij të lindjes. Në festivalin e Gjirokastrës të vitit 1983 për Kadarenë ishte dhënë urdhëri të mos pranohej në qytet. Kur një mik i gjen një dhomë në hotel “Turizëm”, më pas do t`i vinte me fytyrë të prishur duke i thënë se s`duhej të rrinte atje, ndërkohë që: “Veturat e udhëheqësve, të mbushura me gra e dhëndurrë, kalonin hijerënda midis kalimtarëve… Të mos zemërohesha që në qytetin tim të lindjes, atë që unë e kisha bërë të njohur në të gjithë botën me librat e mi, të mos kishte një vend për mua midis mijëra vendeve të rezervuara për gjithëfarë burokratësh, fëmijësh të tyre, marksistë-leninistë vulgarë, etj, etj.” (“Pesha e kryqit” f.122.) M`u kujtua poezia e Vasil Bozos nga Lushnja: “Poetin Vasil duan ta përzënë nga qyteti”) “Nga Roma, ku banon prej kohësh, Matvjeviq më shkruan se ka përfituar nga qendrimi dy ditësh në Zagrep, për të blerë tokën e varrit.”-shkruan Kadare në V.7 në kapitullin “Mozaikal”, f.905. Ky fakt do ju kujtoj përfoljen se ku do të prehej trupi i shkrimtarit?! “Unë jam ateist si shumë nga kolegët e mi, intelektualë shqiptarë…. Unë nuk përpiqem të bëj njerëz për vete: ateizmi im lidhet vetëm me mua dhe unë nuk kam nevojë për makinë shteti që të më përputhë me të… Shqiptarët nuk i kushtonin rëndësi të tepruar kultit… Feja është pjesë e një kulture, cilado qoftë ajo.” (V. 7, “Kohë barbare”, f.401-2-3) Pavarësisht gjithë këtyre mbizotron tejpamja e gjeniut: “Një shkrimtar është më tepër se një parti, ai është një atdhe më vete.” Po ku duan t`ia dijnë ata, që për partinë bëjnë namin, sikurse dhe kinse patriotët, që i shqetëson gjatësia e trupit të Skënderbeut dhe duan ta barabisin me shtatin e Esat pashë Toptanit?! (“Kohë barbare f.315) “Gjithë kombet gëzojnë, ti Shqipëri pse s`gëzon?”,-pyet Naim Frashëri. Mos faji duhet kërkuar tek: rimohuesit? Pyetjes se gazetares se a i ka thënë Kadare të gjitha. Botuesi iu pergjigj me “po”. Nëse lexoni 7 vëllimet e fundit, Kadare u përgjigjet dhe atyre, që lëshuan gojën në mortin e tij. Prisni dhe duroni që ta shihni veten tek pasqyrat që ai ka enkas për ju. Ai është betuar, që, të gjitha poshtërsitë do ua nxjerr para syve. U bë bytha juaj, të merreni me Kadarenë, do thoshte Edison Ypi…