Furkan Abdula
Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 30-vjetorin e pavarësisë si shtet anëtar i NATO-s dhe si shtet që është i përkushtuar në aspiratën për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian (BE).
Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi, ndodhi si rezultat i një vargu trazirash politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të 20-të.
Rruga drejt pavarësisë
Pasi ish-shteti RSF e Jugosllavisë u shpërbë, u formuan shtete të mëvetësishme, në mesin e të cilave edhe Republika e atëhershme e Maqedonisë, sot Republika e Maqedonisë së Veriut, që shënon 30-vjetorin e pavarësisë, pas referendumit që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, në të cilin qytetarët u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran.
Mbi 95 për qind e qytetarëve që dolën në referendum pozitivisht iu përgjigjën pyetjes: “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në një aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”. Paraprakisht, më 25 janar të vitit 1991, u miratua Deklarata për Pavarësi e Parlamentit të parë shumë-partiak të Maqedonisë. Si një hap i rëndësishëm për shtetin vijoi miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor të vitit 1991.
Pas shpalljes së pavarësisë, shtetësinë e Maqedonisë, ndër shtetet e para, e pranuan Turqia dhe Bullgaria, si dhe Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë dhe Hercegovina, e më pas edhe shtetet e tjera.
Pas votimit të deklaratës për sovranitet të shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë nga ana e Kuvendit më 27 janar të vitit 1991.
Në aspektin monetar shteti u pavarësua me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1991, ndërsa më pas bëri edhe armatën, të cilën e shënon më 18 gusht.
Subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit përfundimisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotfuqishme e organizatës botërore.
Për shkak të kundërshtimit dhe presionit nga ana e Greqisë, që nuk e pranonte emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara u bë nën referencën e përkohshme: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Negociatat me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin
Përgjatë viteve negociatat për zgjidhjen e problemit me emrin me Greqinë kohëpaskohe vazhdonin dhe ndalonin, ndërsa u përtërinë pas ndryshimit të pushtetit në vend, kur në vitin 2017 në qeveri erdhi partia e Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), e kryesuar nga kryeministri aktual Zoran Zaev.
Negociatat mes Shkupit dhe Athinës u aktualizuan pas takimit të parë të kryeministrit Zaev me kryeministrin e atëhershëm grek Alexis Tsipras, gjatë Samtit në Davos në janar të vitit 2018.
Pas mbajtjes së negociatave për zgjidhjen e kontestit për emrin që u zhvilluan nën sponsorizim të Kombeve të Bashkuara (OKB), u arrit Marrëveshja e Prespës, e cila u nënshkrua në qershor të vitit 2018 në anën greke të Liqenit të Prespës.
Sipas marrëveshjes, Maqedonia ndërroi emrin nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes vijuan hapat e zbatimit të tij, siç janë mbajtja e referendumit në Maqedoninë e Veriut, që u zhvillua në shtator të vitit 2018. Pyetja e referendumit ishte “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.
Në referendum, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), dolën 36,91 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, me çka nuk u arrit censusi i nevojshëm për daljen e 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Nga votuesit që dolën në referendum, 91,46 për qind votuan “për”. Më pas, në kuvend, me një shumicë prej dy të tretave u votuan ndryshimet kushtetuese, me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues.
Po ashtu, marrëveshja u ratifikua edhe në Parlamentin e Greqisë, kurse më pas vijuan edhe fazat e tjera të parapara nga marrëveshja dhe avancimi i marrëdhënieve të dy vendeve fqinjë, të cilat me Marrëveshjen e Prespës e zgjodhën kontestin shumëvjeçar.
Rruga drejt NATO-s
Anëtarësimi në aleancën më të madhe ushtarako-politike në botë, NATO, ishte qëllim strategjik i vendit për shumë vite. Në vitin 1999, në Samitin në Washington, Maqedonia u bë kandidate për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.
Që kur u bë kandidat, vendi më afër hyrjes ka qenë në Samitin e Bukureshtit. Atëherë, në vitin 2008, Maqedonia u vlerësua se është tërësisht e përgatitur ta marrë ftesën, por Greqia përdori të drejtën e vetos dhe kushtëzoi Maqedoninë me zgjidhjen e kontestit për emrin.
Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës u hapën dyert e vendit për përparim në rrugën euroatlantike.
Vendet anëtare të NATO-s në shkurt të vitit 2019 e nënshkruan Protokollin për Anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, e më pas atë e ratifikuan parlamentet e të gjitha anëtareve të aleancës, me çka vendi më 27 mars të vitit 2020 zyrtarisht u bë anëtari i 30-të i NATO-s.
Përveç marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, në gusht të vitit 2017 u nënshkrua Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë.
Marrëveshja ka për qëllim ta zhvillojë bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, si dhe për të ardhur deri te harmonizimi i disa çështjeve të historisë.
Anëtarësimi në BE si qëllim strategjik
Po ashtu, edhe anëtarësimi në BE për Maqedoninë e Veriut është prioritet kulmor. Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim e cila i rregullon marrëdhëniet e vendit me Bashkimin Evropian u nënshkrua më 9 prill të vitit 2001.
Në vitin 2005, vendi mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa në vitin 2008 edhe rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave aderuese me Unionin.
Me fokusin shumëvjeçar të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE si qëllim strategjik, veçmas pas firmosjes së marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, autoritetet në Maqedoninë e Veriut paralajmëruan se vendi do të marrë vendim për fillimin e negociatave aderuese në BE në samitin e tetorit të vitit të kaluar, por kjo nuk ndodhi.
Vendimi i tillë i BE-së hasi në dëshpërim tek aktorët politikë në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Zoran Zaev vendimin për mosdhënien e vendimit për fillimin e negociatave e karakterizoi si një padrejtësi e madhe, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është “viktimë e gabimit historik të BE-së”.
Ky vendim i BE-së, i cili ishte rezultat i mospasjes së konsensusit mes vendeve anëtare të Unionit dhe veçmas kundërshtimit të theksuar të Francës, e cila kundërshtonte marrjen e vendimit për fillimin e negociatave aderuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, çoi deri te ndryshimi i metodologjisë për udhëheqjen e negociatave aderuese për anëtarësim në BE. Më pas, vetëm disa muaj më vonë, gjegjësisht në mars të këtij viti, BE-ja shpalosi vendimin e saj zyrtar për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Tani mbetet që BE-ja ta caktojë datën e saktë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë e Veriut dhe hapjen e kapitujve të parë të negociatave.
Vetoja e Bullgarisë
Në pritje të vendimit të Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat me BE-në në shtator të vitit të kaluar, Bullgaria u dërgoi një memorandum shpjegues shteteve anëtare të BE-së, i përbërë nga gjashtë faqe, me shpjegime të gjata historike të “ideologjisë shtetërore anti-bullgare” në Maqedoninë e Veriut. Sofja zyrtare kërkoi mbështetjen e tyre për qëndrimin e saj ndaj identitetit dhe gjuhës maqedonase.
Në memorandum thuhet se vendet kandidate nuk duhet të sjellin mosmarrëveshje të hapura në BE dhe konsiderohet se mosmarrëveshjet me Shkupin janë një konflikt i pazgjidhur që “mund të ndikojnë negativisht në vendimmarrjen në BE pas pranimit të Maqedonisë së Veriut”.
Autoritetet bullgare i kërkojnë Maqedonisë së Veriut që të gjejë zgjidhje afatgjate me vullnet dhe guxim të sinqertë politik, dhe, siç thuhet në memorandum, të shkëputet nga trashëgimia ideologjike e Jugosllavisë komuniste.
Sa i përket gjuhës maqedonase, Bullgaria në memorandum thekson se “gjuha maqedonase ose identiteti nuk ekzistonte deri më 2 gusht 1944”, dhe se ato u krijuan për të shkëputur marrëdhëniet midis popujve në Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe Bullgarisë. Sofja e konsideron gjuhën maqedonase si një dialekt rajonal të gjuhës bullgare.
Më 17 nëntor të vitit të kaluar, pas një konference online të ministrave të Jashtëm të BE-së, ministrja e atëhershme bullgare Ekaterina Zaharieva tha se vendi i saj kishte vënë veton mbi kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE. Ndër të tjera, ajo tha: “Një shtet i bazuar në një ideologji armiqësie ndaj Bullgarisë nuk ka vend në BE”.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e vlerësoi veton nga Bullgaria në fillim të negociatave të vendit me Bashkimin Evropian si një “gabim gjeostrategjik të papërgjegjshëm”, duke thënë se e ardhmja e vendit është evropiane.
Kryeministri Zoran Zaev bëri një vizitë në Bullgari në korrik të këtij viti, gjatë së cilës u takua me kryeministrin e Bullgarisë, Stefan Janev.
Në konferencën e përbashkët për media, Zaev theksoi se ky takim është një hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje dhe ka për qëllim të jetë në interes të të dyja palëve, duke i bërë thirrje popullit të Bullgarisë përmes udhëheqësve të tyre që të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Ndërkohë, Janev theksoi se Bullgaria mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin drejt familjes evropiane dhe se për momentin ekziston një dritare e mundësisë për dialog të hapur dhe të sinqertë.
Pas 19 vitesh bëhet regjistrimi i popullsisë
Më 21 janar 2021, me 62 vota “për”, pa “abstenime” dhe pa “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave, i cili synohej të bëhej në periudhën nga 1 deri në 21 prill 2021.
Regjistrimi filloi më 1 mars në misionet konsullore me regjistrimin e diplomatëve dhe familjeve të tyre, ndërsa në gjysmën e parë të muajit mars filloi edhe procesi i vetë-regjistrimit të qytetarëve që janë pjesë e diasporës, pra që janë jashtë vendit, dhe të cilët do të regjistrohen si popullsi jorezidente e shtetit.
Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zaev, dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, më 29 mars arritën një marrëveshje për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, për shkak të pandemisë, nga muaji prilli në shtator, respektivisht nga 5 deri më 30 shtator, ndërsa Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 2 prill miratoi ndryshimet ligjore për shtyrjen e regjistrimit.
Regjistrimi filloi më 5 shtator, duke përfshirë 5.000 regjistrues, 500 instruktorë rajonalë dhe 150 instruktorë shtetërorë, ndërsa vendi është i ndarë në 50 rajone të regjistrimit.
Nga ana tjetër, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, më 6 gusht shpalli zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor 2021.
Iniciativa “Ballkani i hapur”
Pas Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal të mbajtur në Shkup më 27 korrik, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku emëruan “Ballkani i hapur” nismën e ashtuquajtur “mini-Schengen”.
Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina aktualisht nuk e mbështesin këtë nismë, pasi e konsiderojnë atë pa synime të qarta për rajonin, ndërsa tre vendet pjesëmarrëse në këtë nismë thonë se synimi përfundimtar i kësaj nisme është angazhimi i përbashkët në eliminimin e të gjitha pengesave për lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.
Situata me COVID-19 dhe vaksinimi kundër pandemisë
Më 17 shkurt të vitit 2021 në Maqedoninë e Veriut filloi procesi i vaksinimit kundër pandemisë COVID-19. Deri më tani, në vend janë administruar mbi 1,3 milion doza kundër virusit nga prodhues të ndryshëm të vaksinës COVID-19.
Maqedonia e Veriut gjatë kësaj periudhe pranoi donacione të vaksinave nga vende dhe organizata të ndryshme, përfshirë nga Turqia. Autoritetet në vend vazhdojnë të luftojnë me pandeminë COVID-19.
Strehimi i civilëve afganë
Më 19 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se procesi i evakuimit i të gjithë qytetarëve të saj nga Afganistani ka përfunduar me sukses.
Grupi i parë i shtetasve afganë të vendosur përkohësisht në Maqedoninë e Veriut mbërriti më 31 gusht përmes kryeqytetit gjeorgjian Tbilisi. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mbërritën 149 afganë, përfshirë gra dhe fëmijë. Këta janë afganë që kanë punuar për organizatat ndërkombëtare dhe familjet e tyre.
Pas 30-vitesh pavarësi, Maqedonia e Veriut është anëtare aktive e NATO-s, duke përmbushur kështu njërin nga dy qëllimet strategjike të vendit, ndërkohë mbetet e hapur për rrugën e integrimit në BE, që është qëllimi i dytë strategjik i vendit.
EURO 2020
Reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut në futboll për herë të parë në histori u kualifikua në Kampionatin Evropian të Futbollit (EURO 2020).
Maqedonia e Veriut u gjet në grupin C bashkë me Holandën, Ukrainën dhe Austrinë. Reprezentacioni pësoi humbje në tre ndeshjet dhe përfundoi garën në vendin e fundit të grupit.
Komentet